ATV

Category: Lajme

  • Zhduket një grua nga Lipjani, policia kërkon ndihmë nga qytetarët për ta gjetur

    Zhduket një grua nga Lipjani, policia kërkon ndihmë nga qytetarët për ta gjetur

    Më 16.01.2026, në stacionin policor të Lipjanit, është raportuar për një person të zhdukur.

    Bëhet fjalë për personin, Zoja Velija e lindur në vitin 1984.

    Që nga dita e raportimit deri tani, njësitet policore të hetimeve, kërkimeve si edhe patrullat në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh si:
    -intervistime të personave që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së personit,
    -kontrollimi i hyrje-daljeve, në të gjitha pikat kufitare,
    -kërkime në zona që personi kishte frekuentuar zakonisht (ambiente të mbyllura dhe të hapura),
    -analizimi dhe hetimi i çdo lloj informacioni që lidhet me personin etj.

    Edhe pse veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, pas marrjes së autorizimit prej prokurorit të shtetit, nga ana juaj kërkojmë kontributin tuaj qytetar.

    Të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me personin e sipër shënuar, t’i përcjellin ato policisë përmes numrit 192 apo në [email protected]

  • Rinumërimi me 70% në Podujevë ua heq qindra vota kandidatëve të VV’së, situatë e njëjtë edhe në Obiliq

    Rinumërimi me 70% në Podujevë ua heq qindra vota kandidatëve të VV’së, situatë e njëjtë edhe në Obiliq

    Procesi i rinumërimit është duke vazhduar ende. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në faqen e saj, ka njoftuar se deri më tani janë rinumëruar rreth 88% e votave.

    Kësisoj, gjatë këtij procesi,ashtu si në shumë komuna, edhe në Podujevë janë identifikuar një numër i madh i votave që s’përputhen me procesin e numërimit, shkruan Gazeta Express.

    Në këtë komunë, ku deri tash janë rinumëruar 70,00% e votave, kandidatët për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje janë duke prirë me mospërputhje votash.

    Nga kjo parti, kandidatit Ejup Maqedoncit, i janë hequr -404 Vota. Vendenis Lahut -378 Vota, Adelina Stuballas -226 Vota, e Albin Kurtit -96 Vota.

    Tek partitë e tjera, në këtë komunë, krahasuar me VV’në, nuk ka një situatë të tillë me vota. Përveç kandidates Ditjona Statovci, nga PDK’ja, të cilës i janë hequr 187 vota, të tjerët, janë në shifrën e dhjetërave.

    Një situatë pak a shumë e ngjashme me kandidatët e VV’së është edhe në Obiliq. Aty Gazmend Krasniqit i janë hequr -362 Vota, Adelina Graincës -295 Vota, e Enver Dugollit -106 Vota.

    Ndërsa edhe në këtë komunë, tek partitë e tjera, mospërputhja e votave është shifrat e dhjetrave.

  • KESCO dorëzon në ZRRE kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike

    KESCO dorëzon në ZRRE kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike

    Kompania furnizuese me energji elektrike, KESCO, ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 21.4 për qind për vitin 2026.

    Pas dorëzimit të kërkesës, tani i takon ZRRE-së që të shqyrtojë aplikimin dhe të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo propozimin për rritjen e çmimit të rrymës.

    Sipas aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.

    Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro, shumë kjo e cila ishte aprovuar nga ZRRE-ja.

  • Rritet çmimi i naftës pasi Trump paralajmëron Iranin se ‘po i mbaron koha’

    Rritet çmimi i naftës pasi Trump paralajmëron Iranin se ‘po i mbaron koha’

    Çmimet e naftës janë rritur pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Iranin se “koha po mbaron” dhe tha se një “armatë masive” po shkonte drejt rajonit nëse Teherani nuk arrinte të binte dakord për një marrëveshje për mospërhapjen e armëve bërthamore.

    Trump tha se një flotë më e madhe se ajo e dërguar në Venezuelë ishte gati të “përmbushte me shpejtësi misionin e saj, me shpejtësi dhe dhunë, nëse është e nevojshme” nëse Irani refuzonte të negocionte një marrëveshje që garantonte “pa armë bërthamore”.

    Çmimi i naftës së papërpunuar amerikane (WTI) u rrit me rreth 2.02%, duke u tregtuar në rreth 68.73 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane (WTI) mbeti rreth 2.15% më e lartë, në 64.57 dollarë për fuçi, shkruan euronews.

    Trump më parë kërcënoi se do të sulmonte Iranin nëse ai do të vriste protestues gjatë lëvizjes së vazhdueshme protestuese në të gjithë vendin.

    Vlerësimet e të vrarëve variojnë nga rreth 6,000 deri në 30,000, sipas raporteve të ndryshme.

    Nëse SHBA do të përshkallëzonte situatën ushtarakisht, kjo mund të prishte rrjedhën e naftës drejt vendeve që ende tregtojnë me Iranin.

    Bëhet e ditur se ekonomia e Iranit është tashmë nën presion të madh nga sanksionet dytësore financiare të SHBA-së mbi sektorët e saj bankarë dhe të energjisë, të përkeqësuar nga rivendosja e sanksioneve të marrëveshjes bërthamore (JCPOA).

    Këto masa e kanë kufizuar rëndë aksesin e Iranit në sistemin financiar perëndimor dhe aftësinë e tij për të tregtuar hapur.

  • Llogaritja e votave pas rinumërimit, dy kandidatët e LDK-së në prag për të hyrë në Kuvend ndërrojnë vendet

    Llogaritja e votave pas rinumërimit, dy kandidatët e LDK-së në prag për të hyrë në Kuvend ndërrojnë vendet

    Në faqen e KQZ-së tek rezultatet e përmbledhura tashmë janë duke u ndryshuar edhe votat e kandidatëve për deputetë, pas procesit të rinumërimit që ende po vazhdon.

    Tek lista e LDK-së, kandidati për deputet, Paris Guri, e ka tejkaluar Arben Gashin dhe ndodhet vetëm 13 vota përpara.

    Guri ka rreth 400 vota më pak se Ermal Sadiku i cili renditet i 15-ti dhe është kandidati i fundit që hyn në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së.

  • Avokati i familjes Ademaj: Ka prova se Naim Murseli e ka tradhtuar Liridonën me gruan e të afërmit

    Avokati i familjes Ademaj: Ka prova se Naim Murseli e ka tradhtuar Liridonën me gruan e të afërmit

    Avokati i familjes së Liridona Ademaj, Leutrim Syla, ka komentuar deklaratat e dhëna sot nga Naim Murseli gjatë seancës gjyqësore, duke thënë se ato janë të vështira për t’u dëgjuar për familjen e viktimës dhe, sipas tij, nuk përkojnë me faktet e paraqitura deri më tani në proces.

    Syla në Tëvë1, ka deklaruar se Murseli në asnjë moment nuk e ka pranuar apo përmendur tradhtinë ndaj bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ndonëse sipas avokatit, kjo është e dokumentuar dhe e dëshmuar.

    “Për familjen është jashtëzakonisht e vështirë me i dëgju këto deklarata nga Naim Murseli, për shkak se ai asnjë moment nuk e ka deklaruar faktin se e ka tradhtuar Liridonën me grua të afërmit të tij. Me këto deklarime që po i bën sot, ai po mundohet me i dhënë vetes një lloj titulli, ndoshta edhe pompoz për media, por jo për të thënë të vërtetën”, ka thënë Syla.

    Sipas tij, jo vetëm deklaratat e Murselit, por edhe dëshmitë e personave të tjerë, përfshirë edhe babain e vetë Naim Murselit, e konfirmojnë ekzistencën e kësaj tradhtie.

    “Edhe nga deklarata e babait të Naim Murselit, por edhe nga dëshmitarë të tjerë, është plotësisht e qartë që ai e ka tradhtuar Liridonën. Mirëpo, këtë pjesë ai nuk e përmend fare, sikur të mos ekzistonte. Për këtë tradhti ka prova materiale, ka komunikime, ka mesazhe të shkëmbyera që janë pjesë e shkresave të lëndës”, ka shtuar avokati i familjes Ademaj.

    Syla ka theksuar se këto fakte janë të rëndësishme për zbardhjen e plotë të rrethanave që kanë paraprirë vdekjen e Liridona Ademaj dhe se familja pret që drejtësia të trajtojë rastin mbi bazën e provave dhe jo narrativave publike.

  • Vaktia e Ramazanit 2026 në Kosovë: Orari i syfyrit dhe iftarit

    Vaktia e Ramazanit 2026 në Kosovë: Orari i syfyrit dhe iftarit

    Vaktia e Ramazanit 2026 në Kosovë është publikuar zyrtarisht nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe vlen për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas vaktisë, muaji i shenjtë i Ramazanit nis të enjten, më 19 shkurt 2026, kur besimtarët myslimanë fillojnë agjërimin.

    Në ditën e parë të Ramazanit, syfyri përfundon në orën 04:49, ndërsa iftari është në orën 17:21. Agjërimi i ditës së parë zgjat 12 orë e 32 minuta, ndërsa drejt fundit të muajit, kohëzgjatja e agjërimit rritet deri në 13 orë e 51 minuta.

    Muaji i Ramazanit përfundon me Fitër Bajramin, i cili festohet të premten, më 20 mars 2026, ndërsa namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18.

    Vaktia e Ramazanit përfshin oraret e sakta të syfyrit, iftarit dhe namazeve dhe shërben si udhërrëfyes ditor për besimtarët në Kosovë gjatë gjithë muajit të agjërimit.

  • Rinumërimi përmbyllet në 34 komuna

    Rinumërimi përmbyllet në 34 komuna

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri më tani janë rinumëruar 88 për qind e vendvotimeve apo 2 mijë e 245 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë në total.

    Tutje sipas njoftimit, procesi i rinumërimit tashmë është përmbyllur në 34 komuna.

    “Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 29 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar rreth 88% apo 2,245 nga 2,557 vendvotime”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

  • Dogana e Kosovës targeton Pejën dhe Gjakovën për kontrolle në barnatore

    Dogana e Kosovës targeton Pejën dhe Gjakovën për kontrolle në barnatore

    Dogana e Kosovës ka nisur një aksion kontrolli në disa barnatore në rajonin e Pejës dhe Gjakovës, në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e tregtimit të barnave pa dokumentacion të rregullt.

    Sipas konfirmimit nga zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, aksioni është duke u zhvilluar në gjithsej shtatë lokacione.

    “Aksioni është duke u zhvilluar në gjashtë lokacione në Pejë dhe një në Gjakovë”, ka deklaruar Stavileci.

    Raportohet se ky aksion ka për qëllim identifikimin dhe parandalimin e tregtimit të barnave që nuk kanë dokumentacion përkatës dhe që nuk kanë kaluar procedurat e rregullta doganore.

    Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se pas përfundimit të kontrolleve do të publikohen edhe detaje shtesë lidhur me rezultatet e këtij aksioni.

  • Raporti i ASK-së: Vazhdon të rritet çmimi i banesave

    Raporti i ASK-së: Vazhdon të rritet çmimi i banesave

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit për Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit për tremujorin e tretë të vitit 2025, duke treguar një rritje të moderuar të çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.

    Sipas raportit zyrtar, çmimet e banesave në Kosovë u rritën me 2.4% në tremujorin e tretë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024. Megjithatë, krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, tregu ka shënuar një rënie prej 2.1%.

    Prishtina me rritje më të ulët se mesatarja

    Regjioni i Prishtinës, që tradicionalisht ka pasur çmimet më të larta të banesave në vend, shënoi një rritje më të ulët se mesatarja kombëtare. Çmimet e pronave të banimit në kryeqytet u rritën vetëm 1.3% në tremujorin e tretë 2025 krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

    Kjo përfaqëson një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes së çmimeve në Prishtinë, veçanërisht kur krahasohet me periudhat e mëparshme. Në tremujorin e parë të vitit 2025, Prishtina kishte shënuar një rritje prej 11.3% krahasuar me vitin paraprak.

    Regjionet e tjera me dinamikë më të madhe

    Sipas ASK-së në kontrast me Prishtinën, regjionet e tjera të vendit shënuan një rritje prej 4.3% në bazë vjetore për tremujorin e tretë, pothuajse tre herë më të lartë se ajo e kryeqytetit. Kjo tregon një dinamikë më aktive të tregut të pasurive të paluajtshme jashtë Prishtinës.

    Trendet Afatgjata

    Duke analizuar periudhën më të gjatë, tregu i banesave në Kosovë ka treguar një trend rritjeje të qëndrueshme që nga viti 2018, kur filloi monitorimi sistematik. Mesatarja vjetore e vitit 2024 tregoi një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2023.

    Publikimet e ASK-së bazohen në të dhënat administrative nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe janë përgatitur sipas standardeve ndërkombëtare me asistencën teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar.