ATV

Category: Lajme

  • “O kuku, hajni”, “Dëgjova krisma, kur u ktheva Liridona nuk ishte”, Naim Murseli jep versionin e tij për natën e vrasjes

    “O kuku, hajni”, “Dëgjova krisma, kur u ktheva Liridona nuk ishte”, Naim Murseli jep versionin e tij për natën e vrasjes

    I akuzuari Naim Murseli në deklarimin e tij para trupit gjykues ka rrëfyer për natën kritike kur u vra Liridona Ademaj.

    Murseli është i akuzuari kryesor për vrasjen e tij. Ai ka mohuar se në natën e vrasjes e ka mbajtur me dorë Liridona Ademajn, siç përshkruhet në aktakuzë. Murseli madje ka mohuar se ka qenë në makinë në momentin kur Liridona u qëllua për vdekje.

    Sipas tij akti u krye nga një person i maskuar, i cili paraprakisht mori paratë që kishin dhe telefonin e Liridonës.

    Murseli thotë se u largua me fëmijët duke menduar se edhe Liridona ishte pas tyre, ngase mendimi i tij fillestar ishte se sulmuesi kishte cak veturën e tyre shkruan Reporteri.net

    “Nga ana e majtë e ime, nga therrat aty del një person i maskuar në mes të rrugës duke na drejtuar armën. Unë isha vozitës, Liridona pasagjere e fëmija prapa. Liridona tha “o kuku hajni”, diçka kështu dhe unë e ngadalësoj, e nali makinën dhe i ngrit duart tërë kohën dhe personi i maskuar afrohet te dritarja ku ishte Liridona ulur. Ajo e hap dritaren në gjysmë, apo se di sa dhe unë i kisha paratë në xhep se kuletë nuk mbaj kurrë dhe telefonin e kisha. Ai e zgjat dorën dhe i merr ato, paratë dhe telefonin ia jep Liridona të vetin dhe paratë që i kishte. Ishin disa qindra euro, jo më shumë. Unë kam mendu që grabitja po bëhet për veturë, sepse siç tha më doli një person përpara, se kam pa që ka qenë me makinë. Kjo është arsyeja pse kam dalë prej veturës dhe kur kam dalë më ka thanë telefonin. E kam zgjat dorën dhe e ka marrë telefonin mbi tavan të kerrit. E kam hapën derën e kerrit të fëmijëve dhe fëmija kanë dalë dhe unë pas tyre. Tu mendu që unë kur të dal, ai ia lëshon rrugën Liridonës dhe e merr kerrin dhe pas vetëm disa sekondash kam dëgjuar krismën, më janë dukur si dy krisma dhe kam mendu se po gjuan në drejtim tonin. Nuk kam guxuar të kthehem mbrapa por kam vazhduar me fëmijët, pas disa sekondash e kthej kokën dhe e shoh se nuk është Liridona askund. Në atë moment vjen ajo vetura e zezë në drejtim të fëmijëve dhe timin. Ishte shumë afër me na goditë, nuk e di pse dhe në atë moment e ka kthyer timonin dhe ka vazhduar. Edhe atëherë ishte i maskuar. Unë në aktakuzë akuzohem që e kam mbajtë me dorë gruan time në momentin e fundit të jetës. Unë ju betohem në dy fëmijët që Naim Murseli as në makinë nuk ka qenë kur është vra Liridona, as unë dhe fëmijët. Ajo që e thotë prokurorja është shpifje”, tha Murseli në Gjykatë.

    Seanca në këtë rast është duke vazhduar. /Reporteri.net/

  • Ia kishte bërë me shenjë Granit Plavës në restaurant, Murseli s’e pranon: Nuk e kam parë, ju betohem – as veturën nuk ia kam parë

    Ia kishte bërë me shenjë Granit Plavës në restaurant, Murseli s’e pranon: Nuk e kam parë, ju betohem – as veturën nuk ia kam parë

    Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla kanë dalë sot para gjykatës për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Derisa Plava dhe Kokalla u larguan nga salla, i dyshuari Naim Murseli po deklarohet para trupit gjykues për njohjen dhe raportin që ai ka pasur me Liridona Ademajn.

    I pyetur për Granit Plavën, i cili kishte qenë në restaurantin e njëjtë ku ishte dhe Murseli me Liridonën dhe fëmijët, ky i fundit tha se nuk e kishte parë.

    “Ju betohem nuk e kam parë Granitin aty, as fizikisht e as veturën e tij”, deklaroi Naim Murseli.

    Granit Plava kishte arritur në restaurant pak minuta para se të arrinte Naim Murseli me familjen e tij. Para se të largohej nga aty ky i fundit, largohet për në tualet, dhe nga pamjet e publikuara nga seanca e fundit, shihet se ia bën me shenjë Granit Plavës kur kalon pranë tavolinës së tij.

  • Kina ekzekuton 11 anëtarë të familjes famëkeqe mafioze të Myanmarit

    Kina ekzekuton 11 anëtarë të familjes famëkeqe mafioze të Myanmarit

    Kina ka ekzekutuar 11 anëtarë të një familjeje famëkeqe mafioze që drejtonte qendra mashtrimi në Myanmar përgjatë kufirit të saj verilindor, raportojnë mediat shtetërore.

    Anëtarët e familjes Ming u dënuan në shtator për krime të ndryshme, duke përfshirë vrasje, ndalim të paligjshëm, mashtrim dhe drejtim kazinosh nga një gjykatë në provincën Zhejiang të Kinës.

    Mings ishin një nga shumë klanet që drejtonin qytetin Laukkaing, duke transformuar një qytet të varfër të prapambetur në një qendër të shndritshme kazinosh dhe lagjesh me drita të kuqe.

    Perandoria e tyre mashtruese u shemb në vitin 2023, kur ata u arrestuan dhe iu dorëzuan Kinës nga milicitë etnike që kishin marrë kontrollin e Laukkaing gjatë një përshkallëzimi në konfliktin e tyre me ushtrinë e Myanmarit, shkruan BBC.

    Me këto ekzekutime, Pekini po u dërgon një mesazh frenimi mashtruesve të mundshëm. Por biznesi tani është zhvendosur në kufirin e Myanmarit me Tajlandën dhe në Kamboxhia dhe Laos, ku Kina ka shumë më pak ndikim.

    Qindra mijëra njerëz janë trafikuar për të kryer mashtrime online në Mianmar dhe gjetkë në Azinë Juglindore, sipas vlerësimeve të OKB-së. Midis tyre janë mijëra kinezë, dhe viktimat e tyre nga të cilët ata kanë përvetësuar miliarda dollarë janë kryesisht kinezë gjithashtu.

    I frustruar nga refuzimi i ushtrisë së Mianmarit për të ndaluar biznesin e mashtrimeve, nga i cili pothuajse me siguri po përfitonte, Pekini mbështeti në heshtje një ofensivë nga një aleancë etnike kryengritëse në shtetin Shan në fund të vitit 2023. Aleanca pushtoi territor të konsiderueshëm nga ushtria dhe pushtoi Laukkaing, një qytet kyç kufitar.

    Kush janë familja Ming?
    Njëmbëdhjetë anëtarët e familjes Ming janë të parët nga shefat e mashtrimeve të Mianmarit që ekzekutohen nga Kina.

    Por ata nuk do të jenë të fundit. Pesë anëtarë të familjes Bai u dënuan gjithashtu me vdekje në nëntor, dhe gjyqet e dy grupeve të tjera të të pandehurve nga familjet Wei dhe Liu nuk kanë përfunduar ende.

    Gjyqi i familjes Ming u zhvillua me dyer të mbyllura, megjithëse më shumë se 160 persona u lejuan të merrnin pjesë në seancën e dënimit vitin e kaluar, përfshirë familjet e viktimave.

    Operacionet mashtruese dhe strofullat e lojërave të fatit të mafias Ming sollën më shumë se 10 miliardë juanë (1.4 miliardë dollarë; 1 miliard paund) midis viteve 2015 dhe 2023, sipas gjykatës më të lartë të Kinës, e cila hodhi poshtë apelet e tyre në nëntor. Krimet e tyre rezultuan në vdekjen e 14 qytetarëve kinezë dhe plagosjen e shumë të tjerëve, tha gjykata.

    Më shumë se 20 të tjerë nga familja Ming u dënuan me burgim në shtator duke filluar nga pesë vjet deri në burgim të përjetshëm. Ming Xuechang, patriarku i klanit, vrau veten në vitin 2023 ndërsa përpiqej të shmangte paraburgimin, kishte thënë ushtria e Myanmarit atëherë.

    Rrëfimet e atyre që u arrestuan u transmetuan në dokumentarë të mediave shtetërore, për të theksuar vendosmërinë e autoriteteve kineze për të zhdukur rrjetet mashtruese.

    Familja Ming ishte midis një grushti familjesh të ngjashme me “Kumbarin” që erdhën në pushtet në Laukkaing në fillim të viteve 2000. Kjo ndodhi pasi kryekomandanti i qytetit u rrëzua në një operacion ushtarak të udhëhequr nga Min Aung Hlaing, i cili u bë udhëheqësi i qeverisë ushtarake të Myanmarit pas grushtit të shtetit të vitit 2021.

    Kryefamiljari, Ming Xuechang, drejtonte një nga qendrat më famëkeqe të mashtrimit në Laukkaing, Crouching Tiger Villa.

    Në fillim, bixhozi dhe prostitucioni ishin burimet kryesore të të ardhurave për këto familje, por ato përfundimisht filluan mashtrimet online, të përbëra kryesisht nga njerëz që ishin rrëmbyer dhe ishin detyruar të kryenin këto mashtrime.

    Brenda mureve të kompleksit të gjerë dhe të ruajtur mirë, mbizotëronte një kulturë dhune. Rrahjet dhe torturat ishin rutinë, sipas dëshmive të mbledhura nga punëtorët e liruar.

  • Pacolli: Nga dritarja e këtij avioni kam parë mijëra herë rrugën drejt Kosovës, misionit tim të përjetshëm

    Pacolli: Nga dritarja e këtij avioni kam parë mijëra herë rrugën drejt Kosovës, misionit tim të përjetshëm

    Behgjet Pacolli ka shkruar se çdo fluturim për Kosovën ka qenë një mision për njohje, për miq dhe për shtetin tonë.

    Ai ka theksuar se përgjigjja e tij ndaj sulmeve ka qenë puna dhe rezultatet për vendin, duke shtuar se rruga është e gjatë, por Kosova mbetet misioni i tij i përjetshëm.

    Postimi i plotë:

    Nga dritarja e këtij avioni kam parë mijëra herë rrugën drejt Kosovës.
    Çdo fluturim ka qenë mision – për njohje, për miq, për shtetin tonë.
    Nuk jam ndalur kurrë nga zhurma apo sulmet.
    Përgjigjja ime ka qenë gjithmonë puna dhe rezultatet për shtetin. Disa humbën kohën duke gjykuar. Unë zgjodha të punoj. Për ta kam vetëm keqardhje.
    Me qetësi, me besim dhe me dashuri për atdheun, na mbetet ende shumë për të bërë.
    Rruga është e gjatë, por Kosova është misioni im i përjetshëm.

  • Gjykata refuzon tri kërkesat e palës mbrojtëse në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

    Gjykata refuzon tri kërkesat e palës mbrojtëse në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

    Trupi gjykues ka refuzuar tri kërkesat e palës mbrojtëse të tre të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, shkruan Gazeta Insajderi.

    Avokati i Naim Murselit ka kërkuar rikonstruimin e vendit të ngjarjes. Kjo kërkesë është refuzuar nga gjykata me arsyetimin se janë administruar mjaft prova lidhur me këtë çështje.

    Avokati i Granit Plavës ka kërkuar të bëhet ekspertizë psikike e klientit të tij. Edhe kjo kërkesë është refuzuar nga trupi gjykues, me arsyetimin se një ekzaminim i tillë është kryer më herët.

    Ndërkaq, avokati i Kushtrim Kokallës ka kërkuar që të dëgjohet dëshmia e Tafik Kokallës, por edhe kjo kërkesë është refuzuar nga trupi gjykues.

    “Refuzohen propozimet e mbrojtësve, konkretisht mbrojtësit të Kushtrim Kokallës për dëgjimin e Tafik Kokallës. Refuzohet edhe propozimi i mbrojtësit të Granit Plavës për ekzaminim psikiatrik, pasi është kryer më parë. Po ashtu refuzohet propozimi i mbrojtësit të Naim Murselit për rikonstruimin e vendit të ngjarjes, pasi janë elaboruar mjaft prova, si dhe janë administruar incizime të komunikimeve të Naimit”, ka thënë gjyqtarja.

  • AUV nis asgjësimin e produktit APTAMIL AR 2, largohen nga tregu 212 pako

    AUV nis asgjësimin e produktit APTAMIL AR 2, largohen nga tregu 212 pako

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se do të asgjësojë produktin ushqimor APTAMIL AR 2 – 400 gram, në përputhje me legjislacionin në fuqi, pas njoftimit të pranuar nga Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).

    Sipas AUV-së, situata është nën kontroll të plotë dhe institucionet përkatëse janë duke vepruar me përgjegjësi maksimale, ndërsa veprimet janë ndërmarrë menjëherë pas pranimit të informacionit nga RASFF.

    “Nga momenti i njoftimit e deri më sot, nga tregu janë tërhequr 212 pako të produktit APTAMIL AR 2 – 400 g, me datë skadimi 02.01.2027, të cilat, sipas AUV-së, “do të asgjësohen në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

    AUV njofton për tërheqjen nga tregu të produktit ushqimor për foshnje “APTAMIL AR 2″

    Agjencia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me gjurmueshmërinë e shpërndarjes së produktit APTAMIL AR 2 dhe me tërheqjen e tij nga tregu, deri në eliminimin e plotë të produktit nga qarkullimi.

    Në komunikatë theksohet se, pavarësisht mungesës së theksuar të inspektorëve, AUV garanton se “mekanizmat e sigurisë ushqimore janë funksionalë dhe se shëndeti i konsumatorëve mbetet prioritet absolut i Agjencisë”.

    Në fund, AUV riafirmon përkushtimin e saj në monitorimin e vazhdueshëm të zinxhirit ushqimor, me qëllim ruajtjen e besimit të qytetarëve, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Kosovë.

  • Osmani tregon detaje për takimin me Trump: Roli i SHBA-së në paqen dhe sigurinë e Kosovës është i pazëvendësueshëm

    Osmani tregon detaje për takimin me Trump: Roli i SHBA-së në paqen dhe sigurinë e Kosovës është i pazëvendësueshëm

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për takimet dhe diskutimet që ka pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e rolit amerikan në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.

    Në një intervistë për “Përballje Podcast”, Osmani tha se ka pasur disa diskutime me Trump që nga zgjedhja e tij, të fokusuara kryesisht në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

    “Kam pasur disa diskutime me Presidentin Trump nga momenti i zgjedhjes së tij. Një nga takimet kryesore është zhvilluar në Paris, në Pallatin Elize. Diskutimet kanë qenë të fokusuara në situatën e sigurisë dhe në nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të kenë rol lidershipi në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë si dhe biseda në kuadër të takimeve në Kombet e Bashkuara ku kemi pasur një diskutim përmbajtjesor rreth rolit të Presidentit Trump për paqen, në vendin tonë, por edhe më gjerë, sepse rajoni ynë është i rëndësishëm për administratën amerikane”, tha Presidentja.

    Osmani theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara në Kosovë mbetet thelbësor dhe i pazëvendësueshëm, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

    “Roli i Amerikës në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, në mbrojtjen e kufijve tanë së bashku me institucionet tona të sigurisë dhe në shtyrjen përpara të Kosovës me sovranitet të plotë dhe integritet territorial të plotë, është rol i pazëvendësueshëm,” theksoi ajo.

    Presidentja sqaroi se diskutimet me Trump kanë qenë edhe të natyrës diskrete dhe se detajet do të bëhen publike në një periudhë tjetër.

    “Këto janë diskutime diskrete dhe është mirë që, për hir të ecjes përpara të shtetit tonë dhe të relacionit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, detajet t’i themi në një moment tjetër”, tha Osmani.

    Ajo theksoi se takimet me Presidentin amerikan janë zhvilluar në frymën e falënderimit për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës.

    “Ka qenë një diskutim falënderimi për rolin që Shtetet e Bashkuara po e luajnë për Kosovën dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Amerika i jep shtetit tonë”, përfundoi Osmani.

  • Naim Murseli deklarohet në Gjykatë: Liridona ishte nënë e mrekullueshme dhe grua e devotshme

    Naim Murseli deklarohet në Gjykatë: Liridona ishte nënë e mrekullueshme dhe grua e devotshme

    Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademjat, ku të akuzuar janë bashkëshorti i saj Naim Murseli, Granit Palva dhe Kushtrim Kokalla.

    I akuzuari kryesor, Nami Murseli po deklarohet në gjykatë.

    Mbrojtësi i Naim Murselit, avokati Shemsedin Piraj është duke e marrë në pyetje të akuzuarin.

    Murseli e ka përshkruar marrëdhënien e tij me Liridonën si shumë të mirë, të cilën e ka përshkruar si nënë të mrekullueshme dhe grua të devotshme, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Kemi pasë 11 vite martesë me Liridonën, si rezultat kemi dy fëmijë dhe marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mire. Ka qenë një grua e mrekulleshme, nënë e përkushtuar dhe shumë e devotshme. Liridona kishte shumë dëshirë të bëhet nënë dhe kishte probleme me mbetë shtatzënë, por më pas na u realizua ëndrra ajo u bë nënë dhe unë u bëra babë. Çdo gjë ka qenë në rregull mes neve”, tha Murseli në Gjykatë.

  • PDK thërret konferencë për media

    PDK thërret konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës ka thirrur konferencë për media sot.

    Sipas njoftimit konferenca do të mbahet në ora 14:00 në selinë e PDK-së.

    Njoftimi:

    Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media.

    Vendi: Selia Qendrore e PDK-së

    Koha: 14:00

  • 80 persona të arrestuar për 24-orë, Policia njofton se ka shqiptuar mbi 2 mijë e 200 gjoba trafiku

    80 persona të arrestuar për 24-orë, Policia njofton se ka shqiptuar mbi 2 mijë e 200 gjoba trafiku

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit janë shqiptuar mbi 2 mijë e 200 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj kohe, janë raportuar të kenë ndodhur mbi 50 aksidente.

    Aty shtohet edhe se janë arrestuar 80 persona, nga të cilët 15 janë dërguar në mbajtje.