ATV

Category: Lajme

  • MASHTI mohon se ka pranuar njoftim zyrtar për aktakuzë

    MASHTI mohon se ka pranuar njoftim zyrtar për aktakuzë

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka deklaruar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim apo vendim zyrtar nga institucionet kompetente të drejtësisë lidhur me raportimet mediatike të 31 dhjetorit 2025 për një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj 12 zyrtarëve të kësaj ministrie.

    Në një komunikatë për media, MASHTI thekson se respekton dhe mirëpret punën e institucioneve të pavarura të drejtësisë, duke nënvizuar se do të jetë e hapur dhe transparente për çdo zhvillim zyrtar. Njëkohësisht, ministria rikujton respektimin e parimit të pafajësisë, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Ministria vlerëson gjithashtu rolin e mediave në informimin e publikut dhe kërkon që raportimet të jenë të sakta, të bazuara në fakte dhe në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë, me qëllim shmangien e keqinformimit dhe dëmtimit të procesit gjyqësor apo integritetit institucional.

    Po ashtu, MASHTI kërkon respektimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave të ndjeshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

    Ministria rithekson përkushtimin ndaj transparencës dhe llogaridhënies për një informim të drejtë dhe korrekt të publikut.

    Më 31 dhjetor ishte raportuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për vepra penale që lidhen me korrupsionin, përfshirë “Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimin dhe mashtrimin në prokurim publik” dhe “Falsifikimin e dokumenteve”, me dyshime për dëme ndaj buxhetit të shtetit në vlerë mbi 7 milionë euro.

  • Zyrtari i Doganës së Kosovës nderohet me medalje prestigjioze ndërkombëtare

    Zyrtari i Doganës së Kosovës nderohet me medalje prestigjioze ndërkombëtare

    Dogana e Kosovës ka shënuar një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, pasi atasheu i saj në Organizatën Botërore të Doganave (WCO), Bekim Mehmetaj, është nderuar me një medalje prestigjioze, duke u renditur ndër atashetë doganorë më të dalluar të kësaj organizate.

    Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt në Bruksel, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Doganave, në praninë e përfaqësuesve të lartë institucionalë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të WCO-së, Ian Saunders, si dhe autoritete të tjera evropiane dhe belge.

    Gjatë ceremonisë u theksua profesionalizmi, qasja proaktive dhe përkushtimi i Mehmetajt në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar doganor, duke e cilësuar atë si shembull frymëzues për komunitetin doganor global.

    Me mbi 20 vjet përvojë në Doganën e Kosovës, Mehmetaj ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin institucional, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në forume dhe struktura të rëndësishme doganore.

    Dogana e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin për promovimin e standardeve më të larta të integritetit dhe profesionalizmit në nivel ndërkombëtar. Republika e Kosovës është anëtare e Organizatës Botërore të Doganave që nga viti 2017, organizatë që përfshin 187 administrata doganore dhe mbulon rreth 98 për qind të tregtisë globale.

  • Vdes në moshën 50 vjeçare gruaja më e shëndoshë në botë

    Vdes në moshën 50 vjeçare gruaja më e shëndoshë në botë

    Charity Pierce, e njohur për paraqitjen në sezonin e tretë të “My 600-Lb. Life” dhe me nofkën “gruaja më e shëndoshë në botë”, ka vdekur në moshën 50 vjeç.

    Lajmi i trishtueshëm u njoftua nga vajza e saj Charlie Joe në Facebook, duke vënë në dukje se nëna e saj ishte e rrethuar nga të dashurit në momentet e saj të fundit.

    “Nuk doja të shkruaja asgjë për këtë. Por telefonatat dhe mesazhet më djegin kokën. Pothuajse të gjithë familja e ngushtë e dinë se nëna ime ndërroi jetë sot”, filloi ajo, pastaj shtoi:

    “Ajo tani është me nënën, vëllain dhe motrën e saj dhe më në fund ka gjetur paqe. Charity, fluturo lart nënë. Shpresoj ta dish sa shumë të dua dhe sa mirënjohëse isha që isha pranë teje kur ndërrove jetë.”

    Sipas TMZ, Pierce ka qenë në spital për rreth dy muaj për shkak të problemeve të vazhdueshme shëndetësore, duke përfshirë limfedemën dhe grumbullimin e lëngjeve në mushkëri. Ajo vdiq herët të martën në mëngjes, por një shkak zyrtar i vdekjes nuk është bërë i ditur.

    Udhëtimi i humbjes së peshës u dokumentua në “Jeta ime 600-Pound” të TLC, ku Pierce mori udhëzime nga një kirurg bariatrik në Hjuston, dhe më vonë u rikthye në “Jeta ime 600-Pound: Ku janë tani?”.

    Pierce fillimisht peshonte gati 800 paund, por arriti të humbiste peshë pas operacioneve të shumta.

    Ajo tha se përpiqet të mos kthehet në zakonet e vjetra pasi humbi gati 150 paund.

    “Nuk dua të kthehem aty ku isha, ku isha e bllokuar në një dhomë në apartamentin tim gjithë ditën, çdo ditë,” tha ajo. “Mund ta jetosh gjithë jetën tënde duke besuar se nuk mund të ndryshosh gjërat që thjesht nuk të pëlqejnë… Ditën që e kupton se kjo është një gënjeshtër, çdo gjë është e mundur,” tha ajo.

  • Publikohet Vaktia e Ramazanit 2026 në Kosovë: Ja orari i syfyrit dhe iftarit

    Publikohet Vaktia e Ramazanit 2026 në Kosovë: Ja orari i syfyrit dhe iftarit

    Është publikuar vaktia e ramazanit 2026.

    Sipas vaktisë, muaji i shenjtë i Ramazanit nis më 19 shkurt 2026 dhe syfyri i parë përfundon në ora 04:49 ndërsa iftari i parë në orën 17:21.

    Muaji i Ramazanit përfundon më 20 mars kur është edhe Fitër Bajrami.

  • Teksasi kryen dënimin e parë me vdekje për vitin 2026

    Teksasi kryen dënimin e parë me vdekje për vitin 2026

    Një burrë nga Teksasi, i cili dikur i shpëtoi paraburgimit dhe kaloi tre ditë në arrati pasi u dënua me vdekje për vrasjen e ish-të dashurës dhe të dashurit të saj të ri, u ekzekutua duke u bërë kështu personi i parë i ekzekutuar në Shtetet e Bashkuara këtë vit.

    Charles Victor Thompson, 55 vjeç, u shpall i vdekur pas një injeksioni vdekjeprurës në burgun shtetëror në Huntsville.

    Ai u dënua për vrasjen me armë zjarri në prill të vitit 1998 të ish-të dashurës së tij, Glenda Dennise Hayslip, 39 vjeç, dhe të dashurit të saj të ri, Darren Keith Cain, 30 vjeç, në periferi të Houstonit.

    Prokurorët thanë se Thompson dhe Hayslip kishin pasur një lidhje romantike për një vit, por u ndanë pasi Thompson “u bë gjithnjë e më posesiv, xheloz dhe abuziv”.

    Sipas të dhënave të gjykatës, Hayslip dhe Cain po dilnin bashkë kur Thompson shkoi në apartamentin e Hayslip dhe filloi të grindej me Cain.

    Policia u thirr dhe i tha Thompson të largohej nga kompleksi i apartamenteve.

    Ai u kthye përsëri tre orë më vonë dhe qëlloi si Hayslip ashtu edhe Cain.

    Cain vdiq në vendngjarje, dhe Hayslip vdiq në spital një javë më vonë.

    “Familjet kanë pritur mbi 25 vjet që të vihet në vend drejtësia”, thanë prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Qarkut Harris në dosjet gjyqësore.

    Rreth një orë para ekzekutimit të planifikua, Gjykata Supreme e SHBA-së – pa shpjegime – lëshoi një urdhër të shkurtër duke hedhur poshtë apelin përfundimtar të Thompson.

    Ndryshe, Teksasi historikisht ka kryer më shumë ekzekutime se çdo shtet tjetër.

  • Mustafa: LDK ka forcë vetërregulluese, mund të ringritet si parti e fortë

    Mustafa: LDK ka forcë vetërregulluese, mund të ringritet si parti e fortë

    Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar lidhur me rrjedhat aktuale të subjektit ku ai vepronte.

    Përmes një postimi në Facebook, Mustafa tha se në LDK problemet më së paku mund të zgjidhen me tifozllëk, andaj, sipas tij, format e tilla të propagandës e deformojnë demokracinë dhe mund ta bëjnë Kuvendin e thirrur arenë të përçarjeve, që nuk i nevojitet LDK-së, e cila akoma nuk është shëruar nga një Kuvend i tillë i para njëzet viteve.

    Ai shtoi se LDK nuk meriton epitafe, teksa theksoi se kjo parti ka potencial, ka forcë vetërregulluese dhe mund të ringritet si subjekt i fortë politik, i cili siguron balancë në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës.

    “Duhet ta kuptojnë se LDK qëndron para çdo emri të përveçëm; se përveç me kryetarin e saj historik Ibrahim Rugova, LDK nuk identifikohet me asnjë emër të veçantë. Kuvendi si organi më i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës do duhej të sigurojë se LDK nuk është parti as e vjetër as e re por parti që zhvillohet mbi bazat e përcaktuara 36 vite më parë me aktin themelues të saj si parti konzervatore e qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik. LDK ka nevojë të rikonfirmojë se beteja e saj politike nuk është ankand se kush jap më shumë por ofertë se si ndërtohet një shtet perspektiv, i fortë dhe i qëndrueshëm. Se LDK nuk mund të përdoret si platformë mbi të cilën do të ndërtohet diçka tjetër duke e shfrytëzuar emrin e saj”, ka shkruar tutje ai.

    Mustafa theksoi se reformat në LDK i bëjnë njerëzit të cilët i kanë qëndruar besnik LDK-së, të hapur për ardhjet dhe ardhje të reja dhe njerëz të rinj.

    “LDK-së nuk i nevojiten ndarjet në ne dhe ata; të vjetrit dhe të rinjtë; të mitë dhe të atyre para meje. Ajo ka nevojë të mendojë për forma dhe mekanizma që sjellin sa më shumë anëtarë, simpatizantë dhe votues. Ndërkaq, përgjegjësia në LDK të trajtohet si standard normal i etikës demokratike që nënkupton se rezultati ka pasojë”, shtoi ai.

    Ish-kryetari i këtij subjekti politik krejt në fund tha se kuvendi mund ta gjejë zgjidhjen më të mirë duke vlerësuar se çfarë është e dobishme për rritjen dhe progresin e LDK-së, për forcimin e unitetit të brendshëm të saj, për ofrimin e veprimtarëve dhe veprimtareve, “sepse asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt!”.

  • Arrestohet kryesuesi i KKZ-së në Prizren për mosreagim, avokati: U paragjykua

    Arrestohet kryesuesi i KKZ-së në Prizren për mosreagim, avokati: U paragjykua

    Kryesuesi i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Prizren, Nysret Bytyqi, është arrestuar në lidhje me dyshimet për manipulim të votave në këtë komunë.

    Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar avokati Blend Gjini, i cili tha se arrestimi është i paligjshëm sepse është “paragjykuar detyra e tij”.

    “Ai është dorëzuar në polici dhe po presim çka do të vazhdojë”, tha Gjini, i cili shtoi se gjatë intervistës me të si avokat, Byqyti dhe ai kanë vendosur që të vazhdojnë në heshtje.

    “Nuk ka të bëjë me ankesa të ndonjë subjekti. Asnjë subjekt s’është ankuar për të si kryetar i KKZ-së. Ai dyshohet se nuk ka reaguar ndaj parregullsive. [Arrestimi] është paragjykues. Me shumë gjasë është ndaluar 48 orë”, tha ai.

    Prokuroria bashkë me Policinë e Kosovës në Prizren ditë më parë ndaluan 109 persona për manipulim votash gjatë numërimit të tyre të zgjedhjeve të fundit. Ndaj 23 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

    Rinumërimi nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nxori në pah një vjedhje masive të votave, të cilat disa kandidatëve për deputetë iu shtuan e disa të tjerëve iu hoqën brenda partive politike.

  • Kabashi-Ramaj: Prokuroria të hetojë pamjet e rreme për fabrikën e prodhimit të dronëve

    Kabashi-Ramaj: Prokuroria të hetojë pamjet e rreme për fabrikën e prodhimit të dronëve

    Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj ka kërkuar hetim institucional për pretendimet mbi dronët dhe transparencë të plotë për fabrikën e municionit, pas raportimeve të mediave lidhur me vërtetësinë pamjeve të publikuara nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore.

    Kabashi-Ramaj duke thënë se ky mashtrim publik është problem institucional dhe i sigurisë kombëtare, theksoi se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën.

    “Gjatë fushatës zgjedhore, ish-kryeministri Kurti promovoi publikisht edhe përmes vizitës atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarak në Gjilan, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po prodhohen dronë dhe kapacitete të avancuara teknologjike për siguri”, theksoi ajo.

    “Prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues. Ai kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar inxhinierik, protokolle të sigurisë dhe mbikëqyrje shtetërore, licenca e autorizime të qarta ligjore, testime të shumta teknike dhe operative. Asnjë prej këtyre nuk mund të zëvendësohet me video promocionale apo me montazh vizual. Prodhimi real i dronëve është proces i gjatë, i verifikueshëm dhe i dokumentuar, jo diçka që imitohet për kamera. Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz në deklarimet e rreme në një sektor jetik për shtetin”, kërkoi më tej Kabashi-Ramaj.

    Ajo tha se siguria kombëtare e Kosovës nuk duhet të jetë material për video promovuese, montazh, shfaqje për kamera e as pronë nuk është pronë e një qeverie apo kryeministri.

    “Situatë të ngjashme nga ish-kryeministri kemi pasur edhe me deklaratat për fabrikën e municionit, por asnjë qytetarë nuk ka parë plan të qartë, partneritet industrial të certifikuar, standarde të sigurisë dhe cilësisë, apo afate të besueshme dhe të verifikueshme”, theksoi deputetja e PDK-së.

    Kabashi-Ramaj tha se shtyllat e sigurisë së shtetit të Kosovës kanë qenë dhe duhet të mbeten ndërtimi gradual i kapaciteteve reale dhe të verifikuara të mbrojtjes, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimi në NATO dhe bashkëpunimi i thellë me vendet aleate.

    “Kapacitetet reale të mbrojtjes përfshijnë forcimin profesional të FSK-së, planin 10 vjeçar për transformim duhet ta përfundojnë mbrojtjen ajrore dhe kundër dronëve në koordinim me aleatët tanë, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si dhe qëndrueshmërinë shtetërore ndaj krizave”, shtoi ajo.

  • FSK drejt Shqipërisë për gjetjen e një 24-vjeçari në lumin Mat

    FSK drejt Shqipërisë për gjetjen e një 24-vjeçari në lumin Mat

    Me kërkesën e autoriteteve të Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës ka angazhuar një kontingjent të Kërkim-Shpëtimit për të intervenuar në operacionin e kërkimit të një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat.

    Lidhur me këtë rast, detaje ka dhënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila përmes një postimi në Facebook, njoftoi se i zhdukuri në lumin e lartpërmendur është Jurgen Karaj, 24-vjeçar.

    “Bashkë në çdo sfidë! Dje, pas propozimit të Qeverisë, kam autorizuar dërgimin e FSK-së në Klos të Shqipërisë në kërkimet për gjetjen e 24 vjeçarit Jurgen Karaj. FSK, si gjithmonë, e gatshme për ndihmë vëllazërore, kudo dhe kurdo që ka nevojë”, ka shkruar presidentja.

    Postimi i plotë:

    Bashkë në çdo sfidë! 🇽🇰🇦🇱

    Dje, pas propozimit të Qeverisë, kam autorizuar dërgimin e FSK-së në Klos të Shqipërisë në kërkimet për gjetjen e 24 vjeçarit Jurgen Karaj.

    FSK, si gjithmonë, e gatshme për ndihmë vëllazërore, kudo dhe kurdo që ka nevojë.

  • Haradinaj bën homazhe në Rogovë: Vazhduam luftën për ta jetësuar amanetin e trimave

    Haradinaj bën homazhe në Rogovë: Vazhduam luftën për ta jetësuar amanetin e trimave

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj këtë të enjte ka bërë homazhe te varret e heronjve të betejës së Rogovës së Hasit.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se më 27, 28 dhe 29 të vitit 1999, luftëtarë të zotë të UÇK-së dhanë jetën për lirinë e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

    “Në rrugëtimin e tyre për të siguruar armatim për bashkëluftëtarët, u përjetësuan burra elitarë që i kisha përkrah në shumë beteja: Agron Rama, Agim Zeneli, Sejdi Rama, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gaspër Karaqi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sahit Krasniqi, Valon Gashi dhe Vesel Avdyli. Në përpjekje për të shpëtuar luftëtarët e plagosur, u flijuan edhe rogovasit: Rrustem Morina me djemtë Selmanin, Muhametin e Nusretin, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala dhe Rifat Shala”, i ka kujtuar ai bashkëluftarët e tij.

    Haradinaj shtoi se homazhet e bënë në varrezat e dëshmorëve në Kodrën e Kuqe në Klinë, e po ashtu bë edhe rivendosja e pllakës përkujtimore të dëshmorit, Ilir Merturi.

    “Rënia e tyre ishte goditje e madhe, por nuk u thyem. Përkundrazi, e vazhduam luftën duke jetësuar amanetin e këtyre trimave, të cilët sot prehen në paqe në Kosovën e lirë! Faleminderit për shërbimin ndaj Atdheut!”.