ATV

Category: Lajme

  • Bie çmimi i arit

    Bie çmimi i arit

    Çmimi i arit ka rënë nga një rekord prej 5,600 dollarësh në 4,770 dollarë për ons. Kjo është rënia më e madhe në përqindje e çmimit që nga marsi i vitit 1980.

    Ari arriti një rekord të ri të enjten në 5600 dollarë për ons. Ndërsa, argjendi tregtohej me 120 dollarë për ons. Papritmas, çmimet e metaleve të çmuara filluan të binin. Deri të premten në mbrëmje, ari tashmë kushtonte 470 dollarë për ons.

    Ari mund të jetë i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm. Megjithatë, çmimet janë shumë më të larta se një vit më parë, raportoi të dielën “Euronews”.

    Çfarë po shkakton rritjen e çmimeve të arit dhe argjendit?

    Shumë gjëra varen nga pasiguria. Interesi për blerjen e arit – dhe metaleve të tjera të çmuara si argjendi – po rritet në kohë të trazuara.

    Çmimet e arit u rritën ndjeshëm në mbarë botën në kulmin e pandemisë COVID-19 dhe mes luftërave dhe trazirave të vazhdueshme të shkaktuara nga tarifat e presidentit amerikan, Donald Trump.

    Të dhënat e fundit përkuan me përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike në Venezuelë dhe Iran, thirrjet e përsëritura të Trumpit për marrjen e Grenlandës nga SHBA-ja dhe qëndrimin e tij gjithnjë e më agresiv ndaj aleatëve të Amerikës.

  • Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të zhdukurit në lumin Mat, edhe FSK-ja në terren

    Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të zhdukurit në lumin Mat, edhe FSK-ja në terren

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji ka njoftuar se Efektivë të B3K të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut së bashku me një ekip nga Forca e Sigurisë së Kosovës, po vijojnë pa ndërprerje kërkimet në lumin Mat për gjetjen e trupit të një personi të shpallur të zhdukur pas një aksidenti automobilistik.

    Siç tha Kingji, ky operacion po dëshmon jo vetëm profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, por edhe një frymë e fortë solidariteti e bashkëpunimi.

    “Klos – Efektivë të B3K të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut së bashku me një ekip nga Forca e Sigurisë së Kosovës, po vijojnë pa ndërprerje kërkimet në lumin Mat për gjetjen e trupin e të ndjerit, i zhdukur pas një aksidenti automobilistik. Një operacion që dëshmohet jo vetëm profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, por edhe një frymë e fortë solidariteti e bashkëpunimi duke treguar mbështetje të plotë për familjen në këtë moment të vështirë”, ka shkruar ai.

  • Brenda katër vjetëve u lindën mbi 100 mijë fëmijë në Kosovë

    Brenda katër vjetëve u lindën mbi 100 mijë fëmijë në Kosovë

    Që nga viti 2022 e deri në fund të vitit 2025, në Kosovë kanë lindur 105 mijë e 671 fëmijë. Të dhëna këto të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK).

    Sipas të dhënave të ASK-së në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë lindur gjithsej 27 mijë e 418 fëmijë. Prej tyre 14 mijë e 135 meshkuj dhe 13 mijë e 284 femra.

    Numri i fëmijeve të lindur në vitin 2025 ka pësuar një rritje, krahasuar me një vit më parë, pasi që gjatë vitit 2024 numri i fëmijëve të lindur ishte 26 mijë e 549 fëmijë. Prej tyre 13 mijë e 772 meshkuj dhe 12 mijë e 779 femra.

    E numër më i vogël i lindjeve ishte shënuar në vitin 2023, ku sipas të dhënave të ASK-së në Kosovë kanë lindur 25 mijë e 586 fëmijë. Prej tyre 13 mijë e 229 meshuk dhe 12 mijë e 357 femra.

    Ndërkaq numri i lindjeve në vitin 2022 ishte më i lartë, pais që gjatë këtij viti në Kosovë kanë lindur 26 mijë e 118 fëmijë. Prej tyre 13 mijë e 317 meshkuj dhe 12 mijë e 801 femra.

  • Rrahje mes familjarëve në Podujevë, një grua dërgohet në QKUK

    Rrahje mes familjarëve në Podujevë, një grua dërgohet në QKUK

    Një grua raportohet se është sulmuar fizikisht nga një burrë, derisa policia ka iniciuar rastin si “dhunë në familje”.

    Sipas raportit zyrtar, rasti ka ndodhur të dielën në Podujevë, teksa viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

    Ndërkohë, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Viktima femër kosovare është trajtuar në QKUK, pasi që e njëjta dyshohet se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar, i cili është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Po lëvizte me biçikletë, aksidentohet humoristi Nexho Shabani

    Po lëvizte me biçikletë, aksidentohet humoristi Nexho Shabani

    Një aksident është regjistruar të dielën në sheshin “Demokracia” në Shkodër. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:05 ku një makinë ka përplasur një person që po lëvizte me biçikletë.

    Sipas informacioneve të Euronews.al, i plagosur ka mbetur humoristi Nexho Shabani. Ai është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Shkodrës.

    Policia po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

  • Bllokimi i veturave për shkak të borës në Kodrën e Trimave, Komuna: Është përgjegjësi e Ministrisë, por intervenuam dy herë

    Bllokimi i veturave për shkak të borës në Kodrën e Trimave, Komuna: Është përgjegjësi e Ministrisë, por intervenuam dy herë

    Komuna e Prishtinës ka publikuar një video nga rruga “Mon Balaj” që mbrëmë u bë vështirë e kalueshme për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të borës. Sipas komunës kjo rrugë është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës por shtojnë se kanë intervenuar dy herë.

    “Segmenti i rrugës “Mon Balaj”, në Kodrën e Trimave, është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Megjithatë, përballë situatës së krijuar, Komuna e Prishtinës ka vepruar menjëherë dhe me përgjegjësi, sepse siguria e qytetarëve është prioritet absolut. Pavarësisht ndarjes së kompetencave, Komuna ka intervenuar mbrëmë dy herë në këtë segment rrugor, duke vepruar me vendosmëri për të parandaluar rrezikun dhe për të garantuar sigurinë në qarkullim.”

    Komuna thotë se do të ndërmarrin cdo masë të nevojshme për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

    “Ne do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë aktive, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe do të ndërmarrim çdo masë të nevojshme për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Interesi publik dhe siguria janë mbi çdo procedurë administrative.”

  • Haradinaj nis vizitën zyrtare në SHBA, pritet të zhvillojë takime në Kongres

    Haradinaj nis vizitën zyrtare në SHBA, pritet të zhvillojë takime në Kongres

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mbërritur në Washington, ku ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur që ai është i ftuar të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit “National Prayer Breakfast”, si dhe në aktivitete të tjera zyrtare dhe takime me përfaqësues politikë nga vende të ndryshme.

    “Gjatë qëndrimit në Washington, Haradinaj do të zhvillojë takime në Kongresin Amerikan dhe institucione të tjera federale, do të mbajë një fjalim në Capitol Hill dhe do të diskutojë për partneritetin strategjik Kosovë–SHBA, marrëdhëniet bilaterale, sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin transatlantik, me theks në anëtarësimin e Kosovës në NATO”, thuhet në njoftim.

  • Spanja kërkon të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Spanja kërkon të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Spanja po përgatitet të miratojë një ligj që do të ndalonte fëmijët nën 16 vjeç nga mediat sociale, me qëllim parandalimin e ngacmimeve online dhe përmirësimin e shëndetit mendor.

    Parlamenti në Madrid e ka vënë projektligjin në axhendë, për të cilin është rënë dakord gjerësisht nga partitë politike të vendit. “Rreth 92 përqind e familjeve në Spanjë janë të shqetësuara për përmbajtjen që fëmijët e tyre kanë akses”, tha kryeministri socialist Pedro Sánchez në nëntor kur propozoi ligjin.

    Duke cituar studimin “Fëmijëria Dixhitale 2025”, anketa më e madhe ndonjëherë mbi ndikimin e teknologjisë tek fëmijët në vend, ai tha se një në katër studentë kishin qenë viktima të ngacmimeve online.

    I njëjti rrezik u paralajmërua javën e kaluar nga konservatori i opozitës Juanma Moreno, president i rajonit më të populluar të Andaluzisë, gjatë një tubimi në qytetin jugor të Kordobës.

    Spanja është frymëzuar nga Australia përpara votimit parlamentar, data e të cilit ende nuk është caktuar. Ishte vendi i parë në botë që ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç muajin e kaluar.

    “Qeveria e tyre e ka kuptuar se kjo është bërë një çështje e shëndetit publik, jo një problem individual apo një vështirësi për familje të caktuara”, tha sociologu Santiago Pisonero për transmetuesin publik spanjoll TVE.

    Ata përdorin platforma të shumta të mediave sociale, disa në OnlyFans

    Në Spanjë, një vend me 49 milionë banorë, gjithnjë e më shumë prindër po i çojnë fëmijët e tyre në terapi. Psikologia Ana Asiain shpjegon se truri i fëmijëve nën 16 vjeç “nuk është i aftë të kontrollojë impulset” që vijnë nga mediat sociale. Ata vazhdimisht “pëlqejnë” përmbajtjen, duhet të vlerësohen nga dikush jashtë dhe vazhdimisht e krahasojnë veten me të tjerët. Kështu fëmijët bëhen të varur nga mediat sociale.

    Adoleshenti mesatar në Spanjë ka pesë platforma të mediave sociale, ku WhatsApp, TikTok dhe Instagram janë më të njohurat, sipas një studimi nga Universiteti i Navarrës.

    Fondacioni jofitimprurës ANAR, i cili ndihmon fëmijët me probleme, paralajmëroi se, nën ndikimin e rrjeteve sociale, fëmijët nuk flenë mirë dhe aftësitë e tyre sociale po bëhen më të dobëta.

    “Rrjetet sociale duhet të jenë një mjet për takime të përditshme ballë për ballë me të tjerët, jo diçka me të cilën lidheni, izoloheni dhe nuk mund të shkëputeni”, vëren psikologu Asiain. Rreth 33 përqind e fëmijëve spanjollë midis moshës 12 dhe 16 vjeç kanë akses në përmbajtje pornografike dhe 5 përqind e tyre kanë një llogari në platformën për të rritur OnlyFans, sipas hulumtimit të UNICEF-it.

    Policia spanjolle raportoi se bën rreth 100 arrestime në vit për qasje pedofile dhe 75 përqind e viktimave janë vajza rreth moshës 13 vjeç. Në Spanjë, fëmijëve nën moshën 14 vjeç aktualisht u ndalohet të hyjnë në rrjetet sociale pa lejen e prindërve, megjithëse ky rregull anashkalohet lehtësisht dhe nuk ka penalitete për shkeljen e tij.

    Çaktivizimi i qindra mijëra llogarive

    Prandaj, teknologët po shqyrtojnë se si të krijojnë një sistem verifikimi të të dhënave që fëmijët nuk mund ta anashkalojnë. “Ne mund të kombinojmë të dhënat biometrike, për shembull, njohjen e fytyrës së përdoruesit me të dhënat nga karta e tyre e identitetit”, thotë Juan Riva i institutit të teknologjisë IMMUNE në Madrid.

    Miratimi i ligjit do të thotë që platformat do të duhet të çaktivizojnë 400,000 llogari që përdoren aktualisht nga persona nën moshën 16 vjeç. Pritet kundërshtim nga kompanitë e teknologjisë, ashtu siç e kanë kundërshtuar atë në Australi.

    Kompanitë e teknologjisë argumentojnë se qeveritë, përfshirë ato në Francën fqinje, po shkojnë shumë larg. Ato besojnë se duke kontrolluar atë që përdorin fëmijët, prindërit mund ta zgjidhin këtë problem.

    Borja Adsuara, një ekspert në fushën e ligjit dixhital, vëren se përgjegjësia u takon si platformave ashtu edhe prindërve. “Platformat sigurisht që mund të bëjnë shumë më tepër, por janë prindërit ata që duhet të jenë me fëmijët dhe t’i prezantojnë gradualisht ata me internetin”, thotë ai.

  • 19 vjet nga propozimi i Planit të Ahtisaarit

    19 vjet nga propozimi i Planit të Ahtisaarit

    Më 2 shkurt 2007 emisari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd.

    Kjo ishte edhe nisma e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Edhe pse plani u dorëzua, gjatë gjithë kohës mendohej se diplomati finlandez do të propozojë pavarësi të kushtëzuar, por pa e përmendur fjalën pavarësi.

    Ky dokument së pari iu dorëzua Beogradit, e pak orë më vonë Ahtisaari mbërriti edhe në Kosovë.

    Sipas Ahtisaarit dhe ekipit të tij, synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës ishte të përcaktojë kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme që është e mundshme, e mbështetshme dhe e stabilizuar.

    Plani përfshinte masa të hollësishme për të siguruar inkurajimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive dhe anëtarëve të tyre, decentralizimin efektiv të qeverisë dhe ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare.

    Për më tepër, marrëveshja përshkruante masa kushtetuese, ekonomike dhe sigurie, të cilat së bashku synonin të kontribuojnë në zhvillimin a një Kosove shumë-etnike, demokratike dhe të lulëzuar.

    Një element i rëndësishëm i marrëveshjes ishte mandati që i jepej prezencës ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes dhe për të ndihmuar autoritetet kompetente vendore në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

    Plani i Ahtisaarit gëzoi asokohe mbështetjen e autoriteteve kosovare, ndërsa u kundërshtua nga Qeveria e Serbisë, e cila e cilësonte propozimin si të dëmshëm për shkak se, siç thuhej, prek sovranitetin e shtetit serb.

    Ndonëse fjala “pavarësi” nuk përmendej në draft-dokumentin në fjalë, udhëheqësit kosovarë patën shprehur bindjen se “procesi ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës i udhëhequr nga presidenti Ahtisaari do të përfundonte shpejt me pavarësimin e Kosovës”.

    Bindja e tyre do të realizohej pjesërisht më se dy javë pas takimit të fundit të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit. Negociatat e ndërmjetësuara Ahtisaari, të cilat kishin filluar në korrik 2006 në Vjenë, u përmbyllën po në kryeqytetin austriak më 10 mars, me mbledhjen e fundit ndërmjet palëve.

    Më 26 mars, Ahtisaari ia dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara raportin final dhe rekomandimin që Kosova të fitojë një pavarësi të mbikëqyrur.

    Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Agim Çeku, të cilët atëkohë udhëhiqnin Kosovën e patën cilësuar 26 marsin ditë historike për Kosovën.

    “Pavarësia e Kosovës, e cila fillimisht pas planit të Ahtisaarit do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare, do të jetë në shërbim të paqes”, pati deklaruar Sejdiu.

    Ndërsa, Çeku- kreu i ekzekutivit kosovar atëkohë pat theksuar: “Letra propozon pavarësi për Kosovën të mbikëqyrur në fazën e parë që është në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës”.

    Diametralisht të kundërta ishin reagimet e Beogradit zyrtar dhe ato të serbëve lokalë në Kosovë. Refuzimi i tyre për ta pranuar planin Ahtisaari u përkrah nga aleati serb-Rusia.

    Pikëpamjet e ndryshme të palëve ndaj planit Ahtisaari çuan në dërgimin e një misioni fakt-mbledhës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që kishte për detyrë shqyrtimin e rrethanave për zbatimin e planit Ahtisaari.

    Delegacioni nisi vizitën e tij më 27 prill për ta përfunduar me vlerësimet e tij që do t’i paraqiteshin Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky mekanizëm, pavarësisht insistimit të përkrahësve të planit Ahtisaari, nuk arriti të gjejë konsensus për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

    Rusia-kundërshtuesi kryesor i planit, përdori më vonë veto ndaj një propozim-rezolute të anëtarëve evropianë të Këshillit, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara e cila parashihej të zëvendësonte Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, t’ia hapte rrugën hyrjes në fuqi të planit Ahtisaari dhe përfundimit brenda 120 ditëve të misionit të OKB-së në Kosovë.

    Të pasuksesshme rezultuan edhe bisedimet Prishtinë – Beograd, të zhvilluara deri në dhjetor 2007, nën ndërmjetësimin e “treshes” ndërkombëtare, e përbërë nga amerikani Frank Wisner, gjermani, Wolfgang Ischinger dhe rusi Alexander Botsan-Kharcenko.

    Më 17 shkurt 2008, Kosova do ta merrte në duart e veta fatin e saj duke e shpallur në koordimin me bashkësinë ndërkombëtare veten shtet i pavarur.

  • 36-vjetori i nismës së pajtimit të gjaqeve

    36-vjetori i nismës së pajtimit të gjaqeve

    Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

    Ky konsiderohet si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

    Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje e Millosheviqit për vetë emërimin si “kral” i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.

    Rinia shqiptare e shëndoshë filloi aksionin e pajtimit dhe pa hezitim timonin e pajtimit ia dhuroi Prof. Anton Çetës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.

    Njerëzit në atë kohë në krye me profesor Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh, pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër.

    Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin. Gjaqet faleshin për atdheun. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit, Verra të Llukës, Shalë, Karadak, Llap, Drenicë, Gollak, Has, Rekë, Podrime, Llapushë, Podgur, Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë.