ATV

Category: Lajme

  • “Më intrigon, je kaq i ëmbël”, princeshës norvegjeze i dalin email-et me Epsteinin

    “Më intrigon, je kaq i ëmbël”, princeshës norvegjeze i dalin email-et me Epsteinin

    Princesha e Norvegjisë, Mette-Marit, është përfshirë në një skandal të ri pas publikimit të dokumenteve të sapo-hapura të lidhura me të dënuarin për abuzim seksual me fëmijë, të ndjerin Jeffrey Epstein.

    Dokumentet, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, përmbajnë afërsisht 1 mijë referenca për princeshën dhe shumë emaile të shkëmbyera midis tyre, që tregojnë se ata ishin në kontakt nga viti 2011 deri në 2014.

    Mette-Marit u martua me mbretin e ardhshëm të Norvegjisë në vitin 2001. Publikimi vjen në një moment delikat për familjen mbretërore, pasi gjyqi i djalit të saj, Marius Borg Høiby, për përdhunim pritet të nisë këtë javë në Oslo. Ai përballet me 38 akuza, përfshirë përdhunimin e dyshuar të katër grave, sulm dhe shkelje të ligjit për drogën.

    Në një deklaratë për media, princesha Mette-Marit pranoi se kishte treguar gjykim të dobët dhe u shpreh e penduar për kontaktet me Epstein. Ajo tha se ndihej përgjegjëse për moskontrollimin më të kujdesshëm të sfondit të tij dhe për faktin që nuk e kishte kuptuar shpejt se çfarë njeriu ishte ai.

    Dokumentet tregojnë se princesha dhe Epstein kishin shkëmbyer mesazhe miqësore dhe të ngrohta, ndërsa ajo kishte qëndruar disa ditë në shtëpinë e tij në Palm Beach, Florida.

    Mesazhet mes princeshës novegjeze dhe Epstein

    Në një mesazh, princesha i shkruante Epstein-it se “më intrigon”, ndërsa në të tjerë e quante “zemërbutë” dhe “kaq i ëmbël”. Në vitin 2012, ajo i shkroi se ai ishte “shumë simpatik” dhe e pyeti nëse ishte “e papërshtatshme që një nënë të sugjeronte dy gra të zhveshura që mbanin një dërrasë sërfi për sfondin e dhomës së djalit të saj 15-vjeçar”.

    Në emailet e tjera, siç shkruan The Guardian, ajo e falenderonte Epstein për lulet që ai i kishte dërguar kur ndjehej keq dhe pusullën e mbyllte me fjalët “Me dashuri, Mm”.

    hpesh diskutohej mundësia për takime personale, përfshirë një vizitë katërditore në shtëpinë e tij në Palm Beach, Florida, në vitin 2013, kur Epstein nuk ndodhej aty.

    Pallati mbretëror tha se Mette-Marit kishte ndërprerë çdo kontakt me Epstein në vitin 2014, pasi kishte kuptuar se ai mund të përdorte marrëdhënien me princeshën me persona të tjerë.

    Mette-Marit, 52 vjeç, shprehu solidaritet të thellë me viktimat e Epstein-it dhe theksoi se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. Pallati norvegjez ka njoftuar se gjyqi i djalit të saj është çështje e gjykatave dhe nuk do të ketë komente të tjera nga familja mbretërore.

  • Dosjet Epstein: Emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1 mijë herë në dokumente

    Dosjet Epstein: Emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1 mijë herë në dokumente

    Emri i presidentit rus Vladimir Putin përmendet 1 mijë e 56 herë në më shumë se tre milionë dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për abuzime seksuale, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019. Moska citohet gjithsej 9.629 herë. Edhe pse nuk ka prova konkrete për një lidhje direkte mes Epstein dhe Kremlinit, hetuesit amerikanë e konsiderojnë të pazakontë një numër kaq të lartë referencash.

    Sipas shërbimeve sekrete amerikane, Epstein mund të jetë përfshirë në rrjete spiunazhi për shkak të lidhjeve të tij me Robert Maxwell, ish-agjent i Moskës në vitet ’70 dhe babai i Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së tij, e dënuar me 20 vjet burg.

    Gazeta britanike Daily Mail raporton se Epstein dyshohet se ka drejtuar një operacion të gjerë shantazhi seksual (“kompromat”) për llogari të shërbimeve sekrete ruse, duke rekrutuar gra, përfshirë edhe nga Rusia, për rrjetin e tij të personave me ndikim. Në dokumente përmenden email-e dhe letra ku flitet për takime të mundshme me Putinin, përfshirë komunikime të viteve 2011–2014.

  • Përfundon afati, PZAP pranon 7 ankesa për rezultatet përfundimtare të 28 dhjetorit

    Përfundon afati, PZAP pranon 7 ankesa për rezultatet përfundimtare të 28 dhjetorit

    Në ora 11:00 ka përfunduar afati për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Nga ky institucion kanë thënë për Gazetën Express se kanë pranuar 7 ankesa në lidhje me shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ.

    PZAP shton se për këto ankesa ka 96 orë kohë të vendosë.

    “Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar shtatë (7) ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Për të gjitha ankesat e pranuara, PZAP do të vendosë brenda afatit ligjor prej nëntëdhjetë e gjashtë (96) orësh nga data e parashtrimit të secilës ankesë.”

  • Ish-ushtari i UÇK-së përballet me një sëmundje të rëndë, familja kërkon ndihmë

    Ish-ushtari i UÇK-së përballet me një sëmundje të rëndë, familja kërkon ndihmë

    Familja Rexha ka bërë apel për ndihmë financiare për babain e tyre, Liridon Rexha, i cili po përballet me një gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e një tumori të avancuar në veshkë.

    Sipas familjarëve, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti duhet të trajtohet jashtë vendit, ndërsa trajtimi mjekësor është bërë më kompleks dhe me kosto shumë të larta.

    Sipas familjes, Liridon Rexha ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga mosha 16-vjeçare, ndërsa më pas ka shërbyer për vite me radhë si zjarrfikës, duke qenë në shërbim të vazhdueshëm të komunitetit.

    Megjithëse një pjesë e shpenzimeve është paraparë të mbulohet nga mbështetja e Qeverisë përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, kjo shumë nuk është e mjaftueshme për trajtimin e plotë. Familja bën të ditur se kostoja e përgjithshme e trajtimit mjekësor pritet të tejkalojë shumën prej 100 mijë eurosh.

    Përballë kësaj situate, familjarët u bëjnë thirrje qytetarëve, miqve dhe dashamirëve që, sipas mundësive, të kontribuojnë financiarisht për të ndihmuar në sigurimin e trajtimit të nevojshëm mjekësor dhe për t’i dhënë Liridon Rexhës një shans për shërim.

  • Ngjarje tronditëse në Gjilan: Gruaja tenton vetëvrasjen, dyshohet se u shty nga një person

    Ngjarje tronditëse në Gjilan: Gruaja tenton vetëvrasjen, dyshohet se u shty nga një person

    Një rast i rëndë ka ndodhur fundjavën që lamë pas në Gjilan, ku një grua dyshohet se u shtyt drejt vetëvrasjes, në rrethana e motive akoma të paqarta.

    Klankosova.tv ka mësuar se fatmirësisht viktima ka shpëtuar, por me lëndime trupore. Ajo fillimisht është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit, por për shkak të gjendjes shëndetësore është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Sipas informacioneve të para, posa ngjarja është denoncuar, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është inicuar rasti si ” Shtytja në vetëvrasje”.

    Kjo është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Gjilanit.

    Personi i përfshirë dyshohet se e ka shtyrë apo ndihmuar viktimën drejt aktit të rëndë.

    Kjo vepër penale sanksionohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës me burgim, por nëse ka vetëm tentim, dënimi zbutet.

  • Për herë të parë në Kosovë kryhet me sukses operacioni për Sindromën Eagle

    Për herë të parë në Kosovë kryhet me sukses operacioni për Sindromën Eagle

    Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është realizuar për herë të parë me sukses ndërhyrja kirurgjikale për Sindromën Eagle (një patologji e rrallë dhe komplekse).

    Pacienti M. D., rreth 65-vjeçar, bazuar në njoftimin zyrtar, thuhet se paraqiste simptoma klinike të vazhdueshme.

    “Pas ekzaminimeve të nevojshme biokimike, radiologjike dhe të tjera, u konstatua një zgjatje e procesit stiloid me gjatësi rreth 5.5 cm, gjë që e bënte të domosdoshëm trajtimin kirurgjikal.”

    Duke marrë parasysh përfshirjen e strukturave vaskulare të qafës, ShSKUK thekson se u vendos që ndërhyrja të realizohej në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, përmes qasjes ekstraorale, e cila mundëson ekspozim optimal anatomik dhe kontroll të plotë të strukturave vitale vaskulare dhe nervore.

    Ndërhyrja kirurgjikale është realizuar me sukses, ndërsa pacienti ka shfaqur përmirësim të menjëhershëm dhe aktualisht, ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lirohet për trajtim shtëpiak.

    Sindroma Eagle shkaktohet nga zgjatja jonormale e procesit stiloid në bazën e kafkës dhe manifestohet me dhimbje të forta në qafë dhe fyt, vështirësi në gëlltitje, si dhe në raste të caktuara, me çrregullime të qarkullimit të gjakut për shkak të afërsisë me arteriet karotide.

  • Durmishi i reagon Komunës së Prishtinës për rrugën “Mon Balaj”: Nuk është përgjegjësi e ministrisë

    Durmishi i reagon Komunës së Prishtinës për rrugën “Mon Balaj”: Nuk është përgjegjësi e ministrisë

    Ministri në detyrë i Infrastruktures, Hysen Durmishi, ka reaguar lidhur me situatën në segmentin e rrugës “Mon Balaj”, në Kodrën e Trimave, duke theksuar se mirëmbajtja e këtij segmenti nuk i përket Ministrisë së Infrastrukturës, Por Të Punëve dhe Transportit (MMPHI).

    “Nuk është e vërtetë se segmenti i rrugës ‘Mon Balaj’ është në përgjegjësi të MMPHI-së për mirëmbajtje”, ka shkruar ministri në një postim në Facebook.

    Ai shton se: “Jemi të përgatitur dhe plotësisht të përgjegjshëm për mirëmbajtjen e rrugëve që janë në kompetencë të Ministrisë gjatë sezonit dimëror. Mbrëmë, me fillimin e reshjeve të borës, ekipet tona janë aktivizuar menjëherë dhe kanë hedhur kripë në të gjitha rrugët nën përgjegjësinë tonë, me qëllim të garantimit të qarkullimit të sigurt dhe të papenguar”.

    Ministri Durmishi ka sqaruar se segmenti i rrugës “Mon Balaj” është nën përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës, e cila ka ndërhyrë duke vendosur pengesa, ndërsa MMPHI është përgjegjëse për segmentin rrugor nga Bernica drejt Komunës së Podujevës, ku po realizohet edhe projekti i rrugës Prishtinë–Podujevë.

    “Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, ka përfunduar ministri reagimin e tij.

  • Punëtorët e transportit publik në Gjermani në grevë, kërkojnë paga më të larta dhe orar të shkurtuar të punës

    Punëtorët e transportit publik në Gjermani në grevë, kërkojnë paga më të larta dhe orar të shkurtuar të punës

    Udhëtarët në mbarë Gjermaninë u përballën të hënën me temperatura të ftohta dhe pa transport, pasi dhjetëra mijëra punëtorë të transportit publik braktisën vendet e punës në një grevë të thirrur nga sindikata Verdi, duke paralizuar shërbimet e autobusëve dhe tramvajeve në shumicën e qyteteve.

    Verdi, e cila përfaqëson gati 100 mijë punëtorë të transportit, e thirri grevën pasi bisedimet me punëdhënësit komunalë dhe ata të landeve për kushtet e punës u bllokuan javën e kaluar.

    Sindikata po kërkon ndërrime më të shkurtra, pushime më të gjata mes ndërrimeve dhe paga më të larta për punën e natës dhe fundjavave, edhe pse qytetet po përballen me kufizime buxhetore.

    Greva prek rreth 150 kompani komunale të transportit në të gjitha, përveç njërit, nga 16 shtetet federale të Gjermanisë, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Bremenin.

  • Lista Serbe ankohet në PZAP pasi nuk iu miratua lista e kandidatëve nga KQZ

    Lista Serbe ankohet në PZAP pasi nuk iu miratua lista e kandidatëve nga KQZ

    Dy ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të këtij institucioni për mosmiratimin e listës së kandidatëve të saj.

    Në një deklaratë për media, Igor Simiq, përfaqësues i Listës Serbe, e ka cilësuar vendimin si “të paligjshëm, anti-serb dhe diskriminues” dhe ka thënë se KQZ-ja ka mohuar “42.759 vota të serbëve”, duke u munduar të pengojë komunitetin serb të zgjedhë përfaqësuesit e tij.

    “Presim që PZAP-ja ta shfuqizojë vendimin e turpshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të marrë një vendim në përputhje me ligjin, me ç’rast do të mbrojë të drejtat e popullit serb, ligjshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor”, tha Simiq.

    Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se është duke ndjekur këto zhvillime dhe ka theksuar nevojën për “përputhje të plotë dhe respektim të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, veçanërisht publikimin transparent dhe të plotë të rezultateve zgjedhore”.

    Gjatë fundjavës, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, e ka dënuar gjithashtu vendimin e KQZ-së, duke e cilësuar si një sulm të ri ndaj të drejtave politike të popullit serb në Kosovë.

    Ai tha se heqja e të drejtës së votës së serbëve nuk duhet të jetë praktikë dhe se Serbia do të insistojë bashkë me partnerët ndërkombëtarë për respektimin e të drejtave politike dhe elektorale të komunitetit serb.

    KQZ-ja kishte përfunduar të premten procesin e rinumërimit të votave, i cili u krye pas dyshimeve për manipulime gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

    Pas rinumërimit, disa vota ndryshuan deri në 6 mijë për një kandidat, por rezultatet për partitë nuk u prekën.

    Anëtarët e KQZ-së i miratuan listat e kandidatëve të të gjitha partive përveç Listës Serbe, ku tre anëtarë votuan për, dy kundër (nga Lëvizja Vetëvendosje) dhe të tjerët abstenuan.

    Sipas KQZ-së, rezultatet përfundimtare janë:

    Lëvizja Vetëvendosje: 51.10% të votave, 57 ulëse

    Partia Demokratike e Kosovës: 20.19%, 22 ulëse

    Lidhja Demokratike e Kosovës: 13.24%, 15 ulëse

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: 5.50%, 6 ulëse

    Nga ulëset e rezervuara për komunitetin serb, Lista Serbe fitoi nëntë ulëse dhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë një ulëse.

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar shpalljen e rezultateve “të pjesshme” dhe veprimet e KQZ-së, duke thënë se situata nuk mund të zgjidhet me votim politik brenda institucionit dhe se vendimi për mosmiratimin e Listës Serbe është i pakuptimtë. /REL/

  • Jahjaga merr pjesë në konferencën përtolerancë globale në Abu Dhabi

    Jahjaga merr pjesë në konferencën përtolerancë globale në Abu Dhabi

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me ftesë të Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, mori pjesë në Konferencën për Tolerancë Globale dhe Vëllazëri Njerëzore, ku mbajti një fjalë rasti me temën “Vëllazëria Njerëzore në Epokën e Inteligjencës Artificiale.”

    “Abu Dhabi është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme të dialogut global, reflektimit dhe bashkëpunimit, ku inovacioni dhe ambicia ecin paralelisht me vlerat njerëzore. Andaj, duke u bazuar në përvojën time personale dhe në rrugëtimin e Kosovës — nga një shoqëri e shtypur drejt një demokracie ambicioze që feston diversitetin — theksova se ndryshimet e shpejta globale dhe përparimi teknologjik duhet t’i shërbejnë gjithmonë zhvillimit njerëzor, dinjitetit dhe drejtësisë”, ka shkruar ajo në Facebook’.

    Sipas saj, Inteligjenca artificiale dhe teknologjia mund të jenë mjete të fuqishme për të mirën e përbashkët, por ato nuk mund të zëvendësojnë dialogun, empatinë, përgjegjësinë morale dhe guximin njerëzor për të zgjedhur atë që është e drejtë.

    “Ngjarje si kjo konferencë janë thelbësore për të reflektuar jo vetëm mbi atë që teknologjia mund të bëjë, por edhe mbi mënyrën se si ajo përdoret, kë shërben dhe çfarë të ardhmeje po ndërtojmë. Vetëm duke e lidhur inovacionin me vlerat themelore të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, mund të sigurohemi se përparimi i shërben vërtet njerëzimit. Po ashtu, vetëm duke ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet e mira me shtetet mike, mund të sigurojmë një të ardhme më të drejtë dhe më të mirë për qytetarët tanë”, tha ajo.