ATV

Category: Lajme

  • Lista Serbe ankohet në PZAP pasi nuk iu miratua lista e kandidatëve nga KQZ

    Lista Serbe ankohet në PZAP pasi nuk iu miratua lista e kandidatëve nga KQZ

    Dy ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të këtij institucioni për mosmiratimin e listës së kandidatëve të saj.

    Në një deklaratë për media, Igor Simiq, përfaqësues i Listës Serbe, e ka cilësuar vendimin si “të paligjshëm, anti-serb dhe diskriminues” dhe ka thënë se KQZ-ja ka mohuar “42.759 vota të serbëve”, duke u munduar të pengojë komunitetin serb të zgjedhë përfaqësuesit e tij.

    “Presim që PZAP-ja ta shfuqizojë vendimin e turpshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të marrë një vendim në përputhje me ligjin, me ç’rast do të mbrojë të drejtat e popullit serb, ligjshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor”, tha Simiq.

    Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se është duke ndjekur këto zhvillime dhe ka theksuar nevojën për “përputhje të plotë dhe respektim të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, veçanërisht publikimin transparent dhe të plotë të rezultateve zgjedhore”.

    Gjatë fundjavës, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, e ka dënuar gjithashtu vendimin e KQZ-së, duke e cilësuar si një sulm të ri ndaj të drejtave politike të popullit serb në Kosovë.

    Ai tha se heqja e të drejtës së votës së serbëve nuk duhet të jetë praktikë dhe se Serbia do të insistojë bashkë me partnerët ndërkombëtarë për respektimin e të drejtave politike dhe elektorale të komunitetit serb.

    KQZ-ja kishte përfunduar të premten procesin e rinumërimit të votave, i cili u krye pas dyshimeve për manipulime gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

    Pas rinumërimit, disa vota ndryshuan deri në 6 mijë për një kandidat, por rezultatet për partitë nuk u prekën.

    Anëtarët e KQZ-së i miratuan listat e kandidatëve të të gjitha partive përveç Listës Serbe, ku tre anëtarë votuan për, dy kundër (nga Lëvizja Vetëvendosje) dhe të tjerët abstenuan.

    Sipas KQZ-së, rezultatet përfundimtare janë:

    Lëvizja Vetëvendosje: 51.10% të votave, 57 ulëse

    Partia Demokratike e Kosovës: 20.19%, 22 ulëse

    Lidhja Demokratike e Kosovës: 13.24%, 15 ulëse

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: 5.50%, 6 ulëse

    Nga ulëset e rezervuara për komunitetin serb, Lista Serbe fitoi nëntë ulëse dhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë një ulëse.

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar shpalljen e rezultateve “të pjesshme” dhe veprimet e KQZ-së, duke thënë se situata nuk mund të zgjidhet me votim politik brenda institucionit dhe se vendimi për mosmiratimin e Listës Serbe është i pakuptimtë. /REL/

  • Jahjaga merr pjesë në konferencën përtolerancë globale në Abu Dhabi

    Jahjaga merr pjesë në konferencën përtolerancë globale në Abu Dhabi

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me ftesë të Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, mori pjesë në Konferencën për Tolerancë Globale dhe Vëllazëri Njerëzore, ku mbajti një fjalë rasti me temën “Vëllazëria Njerëzore në Epokën e Inteligjencës Artificiale.”

    “Abu Dhabi është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme të dialogut global, reflektimit dhe bashkëpunimit, ku inovacioni dhe ambicia ecin paralelisht me vlerat njerëzore. Andaj, duke u bazuar në përvojën time personale dhe në rrugëtimin e Kosovës — nga një shoqëri e shtypur drejt një demokracie ambicioze që feston diversitetin — theksova se ndryshimet e shpejta globale dhe përparimi teknologjik duhet t’i shërbejnë gjithmonë zhvillimit njerëzor, dinjitetit dhe drejtësisë”, ka shkruar ajo në Facebook’.

    Sipas saj, Inteligjenca artificiale dhe teknologjia mund të jenë mjete të fuqishme për të mirën e përbashkët, por ato nuk mund të zëvendësojnë dialogun, empatinë, përgjegjësinë morale dhe guximin njerëzor për të zgjedhur atë që është e drejtë.

    “Ngjarje si kjo konferencë janë thelbësore për të reflektuar jo vetëm mbi atë që teknologjia mund të bëjë, por edhe mbi mënyrën se si ajo përdoret, kë shërben dhe çfarë të ardhmeje po ndërtojmë. Vetëm duke e lidhur inovacionin me vlerat themelore të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, mund të sigurohemi se përparimi i shërben vërtet njerëzimit. Po ashtu, vetëm duke ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet e mira me shtetet mike, mund të sigurojmë një të ardhme më të drejtë dhe më të mirë për qytetarët tanë”, tha ajo.

  • Mozaiku i Tiranës në garë për çmimin prestigjioz të ArchDaily për vitin 2026

    Mozaiku i Tiranës në garë për çmimin prestigjioz të ArchDaily për vitin 2026

    Mozaiku i Tiranës është përzgjedhur si një nga të nominuarit për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”, i ndarë nga revista prestigjioze ndërkombëtare e arkitekturës, ArchDaily.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se ky nominim e vendos Tiranën në hartën botërore të arkitekturës bashkëkohore.

    Sipas Gonxhes, Mozaiku i Tiranës përfaqëson një shembull të suksesshëm të bashkëjetesës mes trashëgimisë historike dhe arkitekturës moderne.

    “Ky monument është një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, raporton KosovaPress.

    Mozaiku i Tiranës daton që nga shekulli i tretë dhe është zbuluar gjatë viteve ’70 të shekullit të kaluar, gjatë punimeve për ndërtimin e një kompleksi banesor.

    Sot, kjo hapësirë funksionon si një ambient modern ekspozimi, i dedikuar prezantimit të mozaikëve më të rëndësishëm, duke u shndërruar gradualisht në një destinacion të rëndësishëm kulturor për kryeqytetin.

    Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative të dedikuara për fëmijë dhe të rinj, Mozaiku i Tiranës ofron një qasje të re bashkëkohore në interpretimin e trashëgimisë arkeologjike shqiptare, shkruan ATSH, transmeton KosovaPress.

    Përveç vlerës historike, godina shërben edhe si një pikë informative vizuale, duke pasqyruar pasurinë e madhe të mozaikëve që gjenden në nëntokën arkeologjike të Shqipërisë

  • Abdixhiku reagon pas rizgjedhjes në krye të LDK-së: Ecim bashkë për një fillim të ri

    Abdixhiku reagon pas rizgjedhjes në krye të LDK-së: Ecim bashkë për një fillim të ri

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rizgjedhjes së tij në krye të partisë, duke falënderuar delegatët dhe strukturat e LDK-së për besimin e dhënë.

    Përmes një statusi të shoqëruar me një video nga Kuvendi i Punës së LDK-së, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e vullnetit, durimit dhe demokracisë së brendshme në parti.

    “Në jetë duhet pasur vullnet e durim, të mirat vijnë pastaj. Ju faleminderit për demokracinë maksimale, për besimin e ri e të pastër; dhe për një fillim të ri, shumë më të ndryshëm. Ecim bashkë tani!”, ka shkruar Abdixhiku.

    Rizgjedhja e Abdixhikut në krye të LDK-së vjen pas mbajtjes së Kuvendit të Punës së partisë, ku ai mori mbështetjen për të vazhduar drejtimin e partisë edhe në mandatin e ardhshëm.

  • Manipulimi me vota në Podujevë, Prokuroria e autorizon policinë të mbledhë prova

    Manipulimi me vota në Podujevë, Prokuroria e autorizon policinë të mbledhë prova

    Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të mbledhë prova lidhur me dyshimet për manipulimin me vota.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka autorizuar Policnë e Kosovës, respektivisht, Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), kundër të Drejtave të Votimit.”

    Sipas njoftimit, gjatë numërimit ka pasur “dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.”.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre qe bien ndesh me ligjin.”

  • Haxhiu dorëzon dy ankesa në PZAP: Nuk kërkoj privilegj, por vetëm zbatim të barabartë të ligjit

    Haxhiu dorëzon dy ankesa në PZAP: Nuk kërkoj privilegj, por vetëm zbatim të barabartë të ligjit

    Ish deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu dhe njëherit kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka dorëzuar dy ankesa në PZAP.

    Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ankesat kanë të bëjnë me fletëvotimet me postë nga votimi jashtë Kosovës dhe llogaritja e gabuar e rezultatit përfundimar.

    “Sot kam dorëzuar dy ankesa zyrtare në PZAP kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Ankesat lidhen me: 1. Përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme; 2. Llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, i cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 28.12.2025. Afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, ato garantojnë barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

    Tutje ai ka shkruar se asnjë vendim administrativ i KQZ, nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën.

    “Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu.

  • Laura Fernandez shpall fitoren në zgjedhjet presidenciale në Kosta Rikë

    Laura Fernandez shpall fitoren në zgjedhjet presidenciale në Kosta Rikë

    Kandidatja e djathtë Laura Fernandez ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale të Kosta Rikës, pasi rezultatet paraprake i dhanë një epërsi të qartë dhe kundërshtari i saj kryesor pranoi humbjen.

    Sipas Tribunalit Suprem Zgjedhor, me 81 për qind të votave të numëruara, kandidatja e Partisë së Popullit Sovran ka siguruar 48.9 për qind të votave, mbi pragun prej 40 për qind të nevojshëm për të shmangur balotazhin,

    Në fjalimin e fitores në kryeqytetin San Hoze, Fernandez deklaroi se vendi po hyn në një epokë të re politike, duke premtuar ndryshime të thella dhe të pakthyeshme dhe respektim të sundimit të ligjit.

    Rivali i saj më i afërt, ekonomisti Alvaro Ramos nga Partia e Çlirimit Kombëtar, mori rreth 33 për qind të votave dhe pranoi humbjen, duke u zotuar për një opozitë konstruktive.

    Në vendin e tretë u rendit Claudia Dobles me rreth 5 për qind.

    Fernandez, pasardhëse e zgjedhur e presidentit aktual Rodrigo Chaves, ka bërë fushatë me theks në politikat e ashpra të sigurisë, përfshirë ndërtimin e një burgu të sigurisë së lartë dhe dënime më të rënda penale.

  • Skiatorë të papërgjegjshëm shkaktuan ortek në Brezovicë, njëri prej tyre u lëndua

    Skiatorë të papërgjegjshëm shkaktuan ortek në Brezovicë, njëri prej tyre u lëndua

    Tre skiatorë shkaktuan dje një ortek në Brezovicë pasi lëviznin jashtë pistave të shënuara të skijimit, njoftoi Qendra e Skive.

    Qendra e Skive Brezovicë njoftoi se tre skiatorë sot kanë filluar skijimin jashtë pistave zyrtare dhe të shënuara, çka ka shkaktuar një ortek.

    Dy prej tyre janë larguar nga vendi i incidentit, ndërsa një skiator ka mbetur i bllokuar në majë të një piste të pashënuar me lëndim në këmbë.

    Shpëtimtarët, siç thuhet, me një ndërhyrje të shpejtë dhe profesionale kanë arritur ta transportojnë në mënyrë të sigurt skiatorin e lënduar deri në ambulancë.

    Faqja në Facebook Brezovica Info thekson “se individë të papërgjegjshëm me këtë veprim kanë rrezikuar jetët e tyre, por edhe jetët e shpëtimtarëve, të cilët gjatë ndërhyrjes kanë qenë të ekspozuar ndaj rrezikut shtesë”.

    Për incidentin është njoftuar policia.

    Nga Qendra e Skive është bërë thirrje për të gjithë skiatorët dhe snowboarderët që të respektojnë rreptësishtë rregullat dhe të përdorin ekskluzivisht pistat zyrtare dhe të shënuara, pasi skijimi jashtë tyre rrezikon seriozisht sigurinë si të skiatorëve ashtu edhe të shpëtimtarëve.

  • ZRRE shqyrton të hyrat dhe tarifat e NEMO për 2026–2028, thotë se nuk ka rritje të tarifave

    ZRRE shqyrton të hyrat dhe tarifat e NEMO për 2026–2028, thotë se nuk ka rritje të tarifave

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026-ë, në të cilën ka shqyrtuar kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO për periudhën 2026–2028, duke theksuar se lista e tarifave për Kosovën propozohet të mbetet e pandryshuar dhe se nuk bëhet fjalë për rritje të tarifave të energjisë, raporton Ekonomia Online.

    Muharrem Gashi, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRRE, ka deklaruar se të hyrat e lejuara të propozuara përfshijnë komponentët rregullatorë standardë, si kostot operative, kostot që lidhen me investimet kapitale, amortizimet, kapitalin e punës dhe tarifat e licencës, duke theksuar se për Kosovën vlerat e propozuara si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026, 712 mijë e 410 euro për vitin 2027 dhe 835 mijë e 613 euro për vitin 2028, ndërsa struktura e tyre dominohet kryesisht nga kostot operative.

    “ZRRE ka pranuar aplikimin e ALPEX-it për përcaktimin e të hyrave dhe të tarifave të NEMO për periudhën 2026–2028. Pas analizimit dhe shqyrtimit të aplikacionit në aspektin teknik, financiar dhe ligjor, ZRRE ka zhvilluar edhe procesin e konsultimit publik, ku ka dalë me raportin konsultativ, i cili ka qenë i publikuar në uebfaqen e ZRRE-së. Ky raport ka dalë në muajin dhjetor të vitit 2025; gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur komente nga palët e interesit dhe as nga ALPEX-i. Shqyrtimi është realizuar në përputhje me Ligjin për Rregullatorin për Energji, Ligjin për Energji Elektrike dhe metodologjinë për përcaktimin e tarifave të operatorit të lejuar të tregut të energjisë elektrike NEMO. Kjo bazë ligjore i jep ZRRE-së kompetencë për miratimin e të hyrave të lejuara dhe të strukturës tarifore. Të hyrat e lejuara të propozuara furnizohen, ofertomi i tribunës së Kosovës përfshin komponentët rregullatorë standardë, siç janë kostot operative, kostot që janë të lidhura me investimet kapitale, amortizimet, kapitali i punës, tarifat e licencës. Vlerat e propozuara për Kosovën për vitin 2026 si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026. Për vitin 2027 janë 712 mijë e 410 euro dhe për vitin 2028 janë 835 mijë e 613 euro. Struktura e të hyrave dominohet kryesisht nga kostot operative. Kjo rritje nuk është si rezultat i rritjes së tarifave. Kjo buron nga rritja e kostos për njësi, është rritur volumi i energjisë”, ka thënë ai.

    Gashi ka shtuar se këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi çmimet e tregut formohen automatikisht nga platforma e tregtimit, bazuar në ofertat dhe kërkesat e pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë.

    “Lista e tarifave të NEMO-s për Kosovën propozohet që të jetë e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake, dhe vazhdon me u apliku për tregun… Tarifat e ALPEX-it duhet sqaruar se aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës, përfshirë tarifat vjetore, tarifat administrative, tarifat variabile të tregtimit, klerimit. Pra, këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi që këto çmime tregu formohen në mënyrë automatike nga platforma e tregtimit bazuar në ofertat e kërkesës së pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë”, tha ai.

  • Arrestohet 36-vjeçari kosovar në Durrës, vidhte targa të veturave

    Arrestohet 36-vjeçari kosovar në Durrës, vidhte targa të veturave

    Policia e Shtetit në Shqipëri ka zhvilluar një operacion policor të koduar ‘Targat’ që rezultoi me arrestimin e një kosovari, që dyshohet për vjedhje të targave nga veturat shqiptarë, por edhe ato të Kosovës.

    Sipas njoftimit, vjedhjet janë kryer në Durrës, ndërsa i dyshuari 36-vjeçar është E.Q.

    “Ky shtetas u kap në flagrancë në lagjen nr. 13, Plazh-Durrës, me mjetin tip “Ford”, me targa të vjedhura në lagjen nr. 5, Durrës, në pronësi të shtetasit R. C.

    Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Ford”, në bagazh janë gjetur edhe dy targa të një automjeti nga Kosova, si dhe në sediljen e shoferit janë gjetur kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një kapuç (i ngjashëm me maskat).

    Mjete të cilat dyshohet se ky shtetas i përdorte për kryerjen e vjedhjeve. Sendet e mësipërme u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.” – njoftoi Policia.

    Gjithashtu, nga veprimet që ka ndërmarrë Policia, thuhet se kosovari i arrestuar është autor i vjedhjes së targave edhe në dy automjete të tjera, të ndodhura muajt e fundit.