ATV

Category: Lajme

  • Komuna e Klinës njofton fermerët përfitues të subvencionit me freza bujqësore

    Komuna e Klinës njofton fermerët përfitues të subvencionit me freza bujqësore

    Komuna e Klinës, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ka njoftuar fermerët të cilët janë përzgjedhur nga Komisioni për t’u subvencionuar me pajisje bujqësore – freza me gjerësi 1.65 metra.

    Sipas njoftimit zyrtar, shpërndarja e pajisjeve do të bëhet më 5 shkurt 2026, duke filluar nga ora 09:00, sipas numrit rendor të përfituesve.

    Fermerët me numra rendorë 1 deri në 55 janë të obliguar të paraqiten në orën 09:00, ndërsa përfituesi me numër rendor 56 duhet të paraqitet në ora 13:00.

    Shpërndarja e frezave do të realizohet në ambientet e Palestrës Sportive “Adem Jashari” në Klinë.

    Nga Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural bëhet e ditur se prania e fermerëve përfitues në kohën e caktuar është e detyrueshme, pasi mospjesëmarrja nënkupton humbjen e të drejtës për përfitim nga ky subvencion.

    Ky aktivitet realizohet në kuadër të mbështetjes së Komunës së Klinës për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe fuqizimin e fermerëve lokalë.

  • Australi, ​13-vjeçari notoi disa orë për të shpëtuar familjen

    Australi, ​13-vjeçari notoi disa orë për të shpëtuar familjen

    Pasi notoi me orë të tëra, një djalë 13 vjeçar arriti të shpëtonte jetën e nënës dhe motrës e vëllait më të vegjël. Familja ishte tërhequr në det, përtej bregut australian, raporton Associated Press, transmeton KosovaPress.

    Austin Appelbee, i cili po cilësohet si një hero, notoi 4 kilometra deri në breg për të kërkuar ndihmë, pasi ai u gjend në vështirësi së bashku me nënën e tij, Joanne Appelbee, 47 vjeçe, vëllanë Beau, 12 vjeç, dhe motrën Grace, 8 vjeçe, njoftoi policia.

    Austin tregoi se fillimisht u nis për ndihmë me një kajak të fryrë që po merrte ujë. Ai e braktisi kajakun dhe hoqi jelekun e shpëtimit, pasi i pengonte notin.

    Ai tha se u përqendrua tek mendimet pozitive gjatë notit prej rreth katër orësh në det të trazuar për të arritur bregun, duke dhënë alarmin rreth orës 18:00.

    “Valët ishin të mëdha dhe unë nuk kisha jelek shpëtimi… Thjesht vazhdoja të mendoja ‘vetëm vazhdo të notosh, vetëm vazhdo të notosh’”, tha Austin të martën. “Dhe më në fund arrita në breg, preka pjesën e poshtme të plazhit dhe thjesht u rrëzova”.

    Familja, nga kryeqyteti i shtetit Perth, ishte në pushime dhe po përdorte kajakë dhe dërrasa lundrimi të marra me qira nga hoteli i tyre rreth orës 12:00, kur kushtet e detit dhe era e fortë filluan t’i tërhiqnin në det të hapur.

    Një helikopter kërkimi gjeti nënën dhe dy fëmijët, të cilët mbanin jelekë shpëtimi dhe u mbajtën pas një dërrase lundrimi, rreth orës 20:30, njoftoi policia. Ata ishin larguar 14 kilometra nga Quindalup në shtetin e Australisë Perëndimore, pas qëndrimit deri në 10 orë në ujë.

    Të katër anëtarët e familjes u kontrolluan nga mjekët, por asnjëri nuk kërkoi shtrim në spital.

  • Manipulimet me vota në rajonin e Gjilanit, prokuroria jep detaje rreth intervistimit të të dyshuarve

    Manipulimet me vota në rajonin e Gjilanit, prokuroria jep detaje rreth intervistimit të të dyshuarve

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetojë çdo dyshim për keqpërdorim të votave gjatë procesit zgjedhor, përfshirë falsifikimin apo ndryshimin e rezultateve në favor ose në dëm të subjekteve politike apo kandidatëve për deputet.

    Sipas njoftimit për media, autorizimi është dhënë më 20 janar 2026, ndërsa provat konkrete lidhur me këto dyshime janë pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 2 shkurt 2026.

    “Më 3 shkurt 2026, Prokuroria ka autorizuar intervistimin e të dyshuarve, duke filluar nga Komuna e Vitisë, ku pas rinumërimit është vërejtur ndryshim më i madh i rezultateve krahasuar me komunat e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut dhe Parteshit. Intervistimet në këto komuna janë ende në proces”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria bën të ditur se në territorin e saj nuk ka dallime të theksuara mes rezultateve paraprake dhe atyre pas rinumërimit të votave, duke theksuar se vetëm një kandidat ka rezultuar me 145 vota më pak, ndërsa të gjithë kandidatët e tjerë kanë ndryshime më të vogla.

    Hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë personave të dyshuar, përveç nëse paraqiten rrethana të reja.

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka theksuar se mbetet e përkushtuar që të hetojë dhe të sjellë para drejtësisë çdo person që ka keqpërdorur qoftë edhe një votë, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.

  • EFTA, Qeveria e Lihtenshtajnit miraton propozimin për marrëveshje të tregtisë së lirë me Kosovën

    EFTA, Qeveria e Lihtenshtajnit miraton propozimin për marrëveshje të tregtisë së lirë me Kosovën

    Qeveria e Liheshtajnit ka miratuar sot raportin dhe propozimin mbi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të EFTA-s me Republikën e Kosovës.

    Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis shteteve të EFTA-s Islandës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit dhe Republikës së Kosovës mbulon, ndër të tjera, tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, barrierat teknike në tregti, masat sanitare dhe fitosanitare, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, konkurrencën, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe masat ligjore dhe horizontale.

    Siç njofton ministrja e Jashtme e Lihtenshtajnit, të gjitha barrierat tregtare për produktet industriale duhet të eliminohen jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

    “Finalizimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lihtenshtajnit me Republikën e Kosovës nënvizon angazhimin e Lihtenshtajnit për të vazhduar politikën e saj të mbështetjes së reformave ekonomike të Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat ndërkombëtare të bashkëpunimit ekonomik. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë forcon aksesin e ndërsjellë në treg dhe përmirëson sigurinë ligjore dhe parashikueshmërinë për operatorët ekonomikë të prekur.”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

  • Kufiri u kalua ilegalisht përmes ryshfetit, aktakuzë ndaj policit dhe qytetarit

    Kufiri u kalua ilegalisht përmes ryshfetit, aktakuzë ndaj policit dhe qytetarit

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve A.K., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, dhe ndaj B.C., për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K., me datë 22 dhjetor të vitit të kaluar, rreth orës 08:10, në Pikën Kufitare në Vërmicë, në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga i pandehuri B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete.

    I njëjti, dyshohet se duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, i ka mundësuar B.C., hyrjen në Kosovë, ndonëse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja nga Policia e Kosovës për mungesë dokumentacioni.

    Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së parave, A.K., e ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me veturën e tij, bashkë me të pandehurin B.C., dhe e ka dërguar atë në Prizren, transmeton Klankosova.tv.

    “Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, ka propozuar që të pandehurit A.K., përveç dënimit kryesor, t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”.

  • Përfshirja e Lajçakut në dosjet “Epstein”, BE thotë se nuk ka ndikuar në dialogun Kosovë-Serbi

    Përfshirja e Lajçakut në dosjet “Epstein”, BE thotë se nuk ka ndikuar në dialogun Kosovë-Serbi

    Përfshirja e ish-ndërmjetësit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në dosjet e njohura si “Epstein”, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk e ka komprometuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, ka deklaruar se këto zhvillime nuk kanë pasur ndikim në dialogun ndërmjet palëve.

    “Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikëqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare”, tha Hipper.

    Në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, emri i Miroslav Lajçakut përmendet qindra herë. Sipas këtyre dokumenteve, në komunikimet e tij me Jeffrey Epstein – i dënuar për krime seksuale – Lajçak ka diskutuar një sërë temash, nga çështje gjeopolitike deri te ato personale.

    Dokumentet përmendin edhe biseda që lidhen me gra dhe vajza të reja, të cilat, sipas tyre, Epstein i ofronte në pronat e tij për persona të fuqishëm nga skena amerikane dhe ndërkombëtare.

    Në një nga komunikimet, Lajçak shprehet se e pëlqen ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

    Fillimisht, Lajçak kishte mohuar se kishte pasur kontakte me Jeffrey Epstein, por më pas u detyrua të dorëhiqej nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, pasi u publikuan prova që dëshmonin të kundërtën.

    Për më shumë se dy dekada, Miroslav Lajçak ka qenë i angazhuar në Ballkanin Perëndimor në emër të Bashkimit Evropian. Dialogun Kosovë–Serbi e ka menaxhuar për rreth pesë vjet, deri në fillim të vitit 2025, ndërsa gjatë kësaj kohe është përballur shpesh me akuza për njëanshmëri në proces.

  • I dyshuari për kanosje ndaj gazetarëve ndalohet për 48 orë

    I dyshuari për kanosje ndaj gazetarëve ndalohet për 48 orë

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin A.I., i cili dyshohet për kanosje ndaj ekipit të Gazetës Nacionale dhe një monitoruesi të organizatës “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 30 janar 2026, rreth orës 14:30, në ambientet e Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti, pas përfundimit të një seance gjyqësore. I dyshuari, sipas prokurorisë, iu është drejtuar gazetarëve dhe monitoruesit në mënyrë kërcënuese, përmes veprimeve konkludente, të cilat janë dokumentuar edhe përmes pamjeve video nga kamerat e sigurisë.

    Pas incidentit, i dyshuari ishte shpallur në kërkim policor, pasi kishte qenë i paarritshëm për organet e rendit. Ai është arrestuar më 3 shkurt 2026, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit të rastit, është ndaluar për 48 orë.

    Rasti po trajtohet si vepër penale “Kanosje”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Prebreza dorëzon mbi 60 dosje në Krimet Ekonomike për dyshime të keqpërdorimeve në Fushë Kosovë

    Prebreza dorëzon mbi 60 dosje në Krimet Ekonomike për dyshime të keqpërdorimeve në Fushë Kosovë

    Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka bërë të ditur se ka dorëzuar mbi 60 dosje për hetim në Njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

    Sipas tij, dosjet lidhen me dëmtim të interesit publik dhe dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ish-qeverisja komunale. Prebreza ka theksuar se veprimi është ndërmarrë në funksion të ligjshmërisë dhe transparencës institucionale.

    “Sot po dorëzohen mbi 60 dosje për hetim në Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës për dëmtimin e interesit publik dhe dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga ish-qeverisja. Gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të ligjshmërisë”, ka shkruar Prebreza.

    Ai ka publikuar edhe një video lidhur me dorëzimin e dosjeve, duke ritheksuar përkushtimin e tij për llogaridhënie dhe sundim të ligjit.

  • Dosja Epstein zbulon transportin e trurit të të vdekurve nga Maqedonia e Veriut në SHBA

    Dosja Epstein zbulon transportin e trurit të të vdekurve nga Maqedonia e Veriut në SHBA

    Maqedonia e Veriut ishte e përfshirë në projektin e përmendur në dokumentet që lidhen me pedofilin e dënuar amerikan Jeffrey Epstein, por e gjithë procedura u zhvillua ligjërisht, thotë për Deutsche Wellen ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup, Aleksej Duma.

    Maqedonia e Veriut përmendet gjithashtu në dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në lidhje me Epstein – i dënuar për trafikim të të miturve dhe abuzim seksual – në një email dërguar Ike Groff, themeluesit të firmës së investimeve Tourmaline Partners, i cili citon një hetim të Bloomberg Businessweek nga Cynthia Koons dhe Robert Lagret.

    Si pjesë e projektit, shkencëtarët amerikanë të lidhur me Universitetin e Kolumbias kanë krijuar një bankë të madhe truri njerëzor të destinuar për kërkime mbi vetëvrasjen , skizofreninë dhe çrregullime të tjera psikiatrike. Koleksioni përfshin rreth 1,000 tru – disa nga njerëz që kanë kryer vetëvrasje dhe disa nga mostrat kontrolluese.

    Në këtë kontekst, përmendet edhe Maqedonia , e cila kontribuoi me mostra. Raporti thotë se truri u mor pas vdekjes, u ngri menjëherë dhe u transportua në Shtetet e Bashkuara nën kontroll të rreptë, ku u arkivua dhe u shënua me kode QR. Protokolle të rrepta ishin në fuqi: truri udhëtonte në kushte të kontrolluara, paketohej në enë speciale dhe ruhej në -80°C.

    Profesori Aleksej Duma, ish-drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup, shpjegon për DW se sa mostra dhe për çfarë qëllimesh u dërguan nga Maqedonia në Shtetet e Bashkuara.

    Duma: Ishte projekti më i madh ndërkombëtar në të cilin morëm pjesë

    Duma, në një deklaratë për Deutsche Welle, shpjegon se ky është një projekt ndërkombëtar, në të cilin vendi u përfshi duke dërguar 10 deri në 15 mostra. Procedura për dërgimin e mostrave në Shtetet e Bashkuara u krye sipas rregullave dhe kontrolleve shumë të rrepta. Çdo mostër duhej të miratohej nga Komitetet e Etikës Maqedonase dhe Amerikane.

    “Mostrat udhëtuan kryesisht ligjërisht me aeroplan, kaluan doganën dhe kishin dokumentacion të plotë për to. Pa leje, një mostër nuk mund të kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara”, është vendimtare Duma, duke hedhur poshtë mundësinë e përfitimit nga e gjithë procedura.

    Ai thekson gjithashtu se shifra prej 1,000 truri nuk i referohet ekzemplarëve maqedonas, por të gjithë koleksionit nga disa vende. Maqedonia siguronte rreth 10-15 ekzemplarë çdo vit.

    “Duke marrë parasysh që kishim 300 deri në 350 autopsi nga të gjitha sferat çdo vit, pyetja është se sa prej tyre vdiqën për shkak të vetëvrasjes. Në fund, numri zbret në 10-15 raste”, thotë Duma.

    Ai nuk mban mend nëse për ndërhyrjen në atë kohë kërkohej leja nga familjet, apo vetëm pëlqimi i Komitetit të Etikës dhe një letër informuese.

    Roli i Gorazd Rosoklija-s

    Një dokument nga MANU i korrikut 2014, i shkruar nga Gorazd Rosoklija, profesor në Universitetin e Kolumbias, Alexey Duma, ish-drejtor i Mjekësisë Ligjore, dhe Andrew J. Dwork, është publikuar në faqen e internetit të Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë të SHBA-së. Dokumenti përshkruan një bashkëpunim shumëvjeçar midis Universitetit të Kolumbias dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup, i cili filloi në vitin 1996 me qëllim studimin e ndryshimeve të trurit në skizofreni dhe vetëvrasje.

    Gorazd Rosoklija përmendet si ndërlidhësi kryesor midis Universitetit të Kolumbias dhe institucioneve maqedonase. Ai udhëtoi shpesh në Maqedoni, organizoi procese administrative dhe luajti një rol të rëndësishëm në miratimin e eksportit të mostrave biologjike.

    Në vitin 2010, media raportoi se Profesori i Asociuar i Psikiatrisë në Universitetin e Kolumbias, Dr. Gorazd Rosoklija, po punonte aktivisht për të hapur një qendër për sëmundjet psikiatrike në Maqedoni — e para e këtij lloji, me qëllim ofrimin e diagnostikimit të saktë dhe metodave moderne të kërkimit.

    Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Rosoklija tregoi më pas se ai ishte gjithashtu iniciatori i një projekti të financuar nga Institutet Kombëtare të Shëndetit të SHBA-së (NIH) për të hapur një qendër mikroskopie elektronike në Maqedoni. Qendra supozohej të mundësonte studimin e ultrastrukturës së indeve të trurit tek pacientët me skizofreni.

    Rezultatet dhe rëndësia e projektit

    Profesor Duma, nga kjo distancë kohore, thotë se ata morën të dhëna interesante rreth skizofrenisë dhe lidhjes së saj me vetëvrasjen. “Pjesa jonë ishte të punonim mbi morfologjinë – nëse ka ndonjë ndryshim në tru që është karakteristikë e vetëvrasjeve. Për më tepër, një universitet tjetër po punonte për gjetjen e barnave.

    Duma është e bindur se projekti ka dhënë rezultate të rëndësishme shkencore:

    janë zhvilluar metoda për njohjen e ndryshimeve morfologjike në vetëvrasje;

    janë fituar njohuri të reja rreth lidhjes midis skizofrenisë dhe vetëvrasjes;

    rezultatet janë përdorur në studime të shumta ndërkombëtare;

    Maqedonia mori pajisje, laboratorë dhe mundësinë për studime doktorature për shkencëtarët e rinj.

  • SHBA ul tarifat për Indinë në 18 përqind/ Kusht që të ndërpresë blerjet e naftës ruse

    SHBA ul tarifat për Indinë në 18 përqind/ Kusht që të ndërpresë blerjet e naftës ruse

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe India kanë arritur së fundmi një marrëveshje tregtare për të ulur tarifat e SHBA mbi mallrat në 18% nga 50%. Përmes një postimi në Truth Social Donald Trump tha se India do t’i reduktonte barrierat tregtare deri në zero dhe do të ndalonte blerjen e naftës ruse.

    Njoftimi erdhi pak pasi India dhe Bashkimi Europian arritën një marrëveshje tregtare historike që i dha fund gati dy dekadave bisedimesh mes palëve, që është gati të dyfishojë eksportet e BE-së në Indi deri në vitin 2032 sipas Brukselit.

    Kryeministri indian Narendra Modi tha në platformën X se është I kënaqur që arriti një marrëveshje me Uashingtonin. Presidenti amerikan tha se në telefonatën e tij me kryeministrin indian arritën dakordësi për disa pika.

    Modi sipas Trump u zotua ndër të tjera që India të blejë mallra amerikane me vlerë mbi 500 miliardë dollarë në energji, teknologji, bujqësi dhe qymyr. Marrëdhëniet tregtare SHBA-Indi kanë qenë të tensionuara që prej gushtit, kush Trump vendosi tarifa 50% për mallrat nga India.

    Ajo përfshinte edhe një tarifë 25% lidhur me blerjen e naftës ruse nga India. Por, pas marrëveshjes tashmë tarifat do të ulen në 18%. Eksportet indiane drejt Shteteve të Bashkuara ranë ndjeshëm pas hyrjes në fuqi të tarifave të Trump. Pas marrëveshjes tregtare me Indinë, aksionet amerikane u rritën ndjeshëm./abcnews.al