ATV

Category: Lajme

  • Aksident i rëndë në Rrugën e Arbrit, tre të lënduar pas përplasjes me kamion

    Aksident i rëndë në Rrugën e Arbrit, tre të lënduar pas përplasjes me kamion

    Një aksident trafiku ka ndodhur në Rrugën e Arbrit, ku një automjet është përplasur me një kamion.

    Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të lënduar – dy drejtuesit e mjeteve dhe një pasagjer, të cilët janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, raporton A2CNN, Klankosova.tv.

    Sipas njoftimit të policisë shqiptare, “Në Rrugën e Arbërit, kamioni me drejtues shtetasin Xh. H., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. D. Si pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve dhe një pasagjer, të cilët janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.”

  • Ambasadori britanik: NATO-ja mbetet thelbësore për të ardhmen dhe sigurinë e Kosovës

    Ambasadori britanik: NATO-ja mbetet thelbësore për të ardhmen dhe sigurinë e Kosovës

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se roli i Kosovës shkon përtej garantimit të sigurisë së brendshme, duke theksuar se vendi mund të shërbejë si partner i rëndësishëm edhe në sigurinë evropiane.

    Nga selia e NATO-s në Bruksel, Hargreaves ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën, me synimin që ajo të kontribuojë edhe më tej në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe të avancojë drejt anëtarësimit në NATO.

    Ai ka bërë të ditur se ka parë nga afër përparimin e personelit të sigurisë së Kosovës, duke theksuar se ata po punojnë drejt standardeve të NATO-s dhe kanë marrë pjesë në trajnime të përbashkëta me Britaninë e Madhe.

    Sipas tij, këto përgatitje synojnë që Kosova të bëhet një partner i besueshëm dhe funksional në operacione të përbashkëta, potencialisht edhe në vende si Ukraina dhe shtete të tjera evropiane.

    Hargreaves ka theksuar se, megjithatë, Kosova ka ende punë për të bërë për të përmbushur plotësisht standardet e NATO-s, veçanërisht në aspektin e forcimit të demokracisë, ndërtimit të një shoqërie funksionale multietnike dhe respektimit të standardeve që Aleanca kërkon nga të gjithë aleatët e saj.

  • Arton Muhaxheri: Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë po i shërben Qeverisë

    Arton Muhaxheri: Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë po i shërben Qeverisë

    Analisti politik Arton Muhaxheri ka kritikuar ashpër mënyrën e organizimit të protestës kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke vlerësuar se një reagim i tillë nuk përbën presion real qytetar dhe, sipas tij, vetëm sa i jep argumente Qeverisë për të justifikuar vendimin.

    Në një reagim në rrjete sociale, Muhaxheri ka shprehur dyshime mbi seriozitetin dhe efektivitetin e protestës, duke theksuar se ajo nuk pasqyron një reagim të mirëfilltë qytetar.

    “Çka është kjo protestë kështu? Kjo vetëm sa i jep arsye Qeverisë dhe autoritetit përkatës ta rrisë çmimin e energjisë, sepse ky nuk është reagim i vërtetë qytetar”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, për një çështje jetike si shtrenjtimi i energjisë elektrike, protestat duhet të jenë të organizuara seriozisht dhe me objektiva të qarta.

    “Ose bëjeni protestën si duhet, ose mos e bëni fare, sepse për një temë kaq jetike nuk organizohet një protestë vetëm sa për ta hequr gajlen”, ka theksuar Muhaxheri.

    Ai ka vlerësuar se mungesa e përfshirjes së partive opozitare e bën protestën të pafuqishme, duke shtuar se ato kanë kapacitetin për të mobilizuar numër të madh qytetarësh.

    “Pa organizimin e protestave nga partitë opozitare, të cilat kanë bazë të mjaftueshme për protesta masive, çdo organizim tjetër mbetet simbolik dhe i papërfillshëm”, ka shkruar ai.

    Në fund, Muhaxheri ka kritikuar edhe vendin e mbajtjes së protestës, duke theksuar se përgjegjësia për situatën energjetike nuk qëndron te KEK-u, por te Qeveria.

    “Nuk protestohet para KEK-ut, por para dyerve të Qeverisë. Protesta para KEK-ut e amniston Qeverinë si për kaosin energjetik, ashtu edhe për rritjen e çmimit të energjisë”, ka përfunduar ai.

  • Manipulimi i zgjedhjeve dhe siguria në rajon, Kryeprokurori i Prizrenit diskuton me KFOR-in zviceran

    Manipulimi i zgjedhjeve dhe siguria në rajon, Kryeprokurori i Prizrenit diskuton me KFOR-in zviceran

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur sot në një takim përfaqësues të KFOR-it zviceran (LMT).

    Në fillim të takimit, kryeprokurori Kryeziu shprehu falenderimet për përfaqësuesit e KFOR-it zviceran, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit, gjatë përmbushjes së detyrave të tyre në rajon.

    Gjithashtu, Kryeziu i njoftoi përfaqësuesit e KFOR-it lidhur me sfidat dhe prioritetet e institucionit, si dhe me objektivat e ardhshme në përmbushjen e detyrave ligjore dhe kushtetuese.

    “Gjatë bisedës, u diskutua edhe për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në rajonin e Prizrenit, përfshirë zhvillimet e fundit që kanë ndikim në rendin dhe sigurinë publike. Në këtë kontekst, u trajtuan edhe rastet e fundit që ndërlidhen me manipulimin e rezultateve zgjedhore, sfidat që paraqesin këto raste për institucionet e drejtësisë, si dhe rëndësia e hetimit dhe trajtimit të tyre në përputhje me ligjin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të proceseve demokratike”, thuhet në njoftim.

    “Gjatë takimit, po ashtu u diskutua për çështje të përgjithshme që lidhen me funksionimin e institucioneve të drejtësisë, si dhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe kapaciteteve institucionale në funksion të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

    Në fund të takimit, përfaqësuesit e KFOR-it zviceran shprehën gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Prokurorinë Themelore në Prizren, me qëllim të arritjes së mëtejshme të stabilitetit dhe sigurimit të paqes, si dhe për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit në rajon.

  • INDEP i kërkon ZRRE-së të sigurojë mbrojtje të konsumatorëve në procesin tarifor

    INDEP i kërkon ZRRE-së të sigurojë mbrojtje të konsumatorëve në procesin tarifor

    Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të energjisë (ZRRE) që të sigurojë mbrojtje reale të konsumatorëve në procesin shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike.

    INDEP-i ka thënë se dëshiron të tërheqë vëmendjen e ZRRE-së mbi nevojën që shqyrtimi i të hyrave maksimale të lejuara të zhvillohet me kujdes të shtuar dhe në përputhje të plotë me parimin e mbrojtjes së konsumatorit.

    “Vendimmarrja rregullatore duhet të sigurojë që tarifat të mos përfshijnë kosto të pajustifikuara, të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me shërbimin ndaj konsumatorëve, por me dështime në planifikim, menaxhim apo operim të ndërmarrjeve në treg”, thuhet në rëagimin e INDEP-it.

    Në reagim thuhet se kur furnizuesi nuk nominon sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, pasojë direkte kanë qenë ndërprerjet e furnizimit për konsumatorët.

    “INDEP vë në pah se në rastet kur furnizuesi nuk ka nominuar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike siç edhe ka ndodhur, pasojë direkte kanë qenë ndërprerjet e furnizimit për konsumatorët. Këto ndërprerje përfaqësojnë një dështim serioz të shërbimit dhe nuk mund të trajtohen thjesht si raste sporadike. Përkundrazi, ato duhet të adresohen përmes mekanizmave të qartë të përgjegjësisë dhe përmes kompensimit të konsumatorëve të prekur”, thuhet në reagim.

    Po ashtu, në rastet kur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dështon të realizojë prodhimin e planifikuar dhe si pasojë lind nevoja për importe me çmime të larta, INDEP vlerëson se rreziku financiar për sasinë e paprodhuar duhet të bartet nga vetë KEK-u.

    “Këto pasoja nuk duhet të transferohen te konsumatorët përmes tarifave, pasi rreziku i dështimit operacional i takon ndërmarrjes që nuk ka përmbushur obligimet e saj kontraktuale. INDEP i bën thirrje ZRRE-së që, gjatë shqyrtimit të kërkesave për Hyrat Maksimale të Lejuara dhe më pas gjatë vendimmarrjes për tarifat të aplikojë një qasje rigoroze rregullatore, të bazuar në analizë kritike të kostove, ndarje të qartë të përgjegjësive dhe mbrojtje efektive të interesit publik”, thuhet në reagim.

  • Norvegjia hap hetim ndaj ish-kryeministrit Jagland për lidhjet me Epstein

    Norvegjia hap hetim ndaj ish-kryeministrit Jagland për lidhjet me Epstein

    Autoritetet norvegjeze kanë hapur një hetim ndaj ish-kryeministrit Thorbjorn Jagland për dyshime për korrupsion pas zbulimeve mbi lidhjet e tij me pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein.

    Sipas Associated Press, Shërbimi Norvegjez për Hetime të Krimit Ekonomik po shqyrton nëse Jagland ka marrë dhurata, udhëtime apo hua lidhur me pozitat e tij, ndërsa po kërkohet edhe heqja e imunitetit që i garanton statusi i tij si diplomat, transmeton KosovaPress.

    Ai po bashkëpunon me autoritetet, i ka thënë përfaqësuesi ligjor i tij transmetuesit norvegjez, NRK.

    Jagland ka shërbyer si kryeministër (1996–1997), kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Dokumentet tregojnë se në 2014 ai planifikoi të vizitonte ishullin e Epstein me familjen e tij.

    Gjithashtu, Forumi Ekonomik Botëror ka nisur rishikim për CEO-në e tij, Borge Brende, pasi dokumentet tregojnë se ai kishte darkuar dhe shkëmbyer mesazhe me Epstein. Norvegjia po heton edhe Princeshën Mette-Marit për kontakte të mëparshme me Epstein, përfshirë qiranë e një prone të tij në Palm Beach në 2013. Ajo ka deklaruar se nuk ka hetuar mjaftueshëm të kaluarën e Epstein dhe shpreh keqardhje për kontaktet e saj.

    Hetimet e fundit pasojnë publikimin e mbi 3 milion faqe dokumente nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së mbi Epstein, i cili sipas autoriteteve vrau veten në 2019 ndërsa priste gjyqin për abuzim seksual me vajza të mitura.

  • Përfundon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Përfundon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Ka përfunduar protesta kundër shtrenjtimit të paralajmëruar të tarifave të energjisë elektrike.

    Protestuesit nga ndërtesa e KEDS-it ku janë mbledhur fillimisht kanë marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë.

    Ata mbanin pankarta me mbishkrimet: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Nji popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës”.

    Protesta e cili nisi nga objekti i KEDS u shoqërua me hedhje tymi e arrestimin e një qytetari nga ana e policisë.

    Protestuesit u ndalën edhe para stacionit të policisë në qendër duke brohoritur “Arrestoni hajnat, jo qytetarët”.

    Prezencë e shtuar e policisë u vërejt para objektit të qeverisë, ku protestuesit përmbyllën marshimin.

    Tri kompanitë që merren me energjinë elektrike në Kosovë – KOSTT-i, KEDS dhe KESCO ditëve kanë dorëzuar aplikimet e tyre duke kërkuar rreth 20% rritje të çmimit të rrymës në Kosovë.

    ZRRE pritet të marrë vendimin përfundimtar para fundit të muajit mars, ndërsa tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi më 1 prill.

    ZRRE në prill të vitit 2025 mori vendim që ta shtrenjtojë rrymën për të gjithë konsumatorët për 16.1%.

  • MPJD konfirmon se një shtetas i Kosovës u arrestua në Serbi, i drejtohet me thirrje bashkësisë ndërkombëtare

    MPJD konfirmon se një shtetas i Kosovës u arrestua në Serbi, i drejtohet me thirrje bashkësisë ndërkombëtare

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfiurmuar se shtetasi i Kosovës, Mitehat Llozhani, është arrestuar në Serbi. Ai është ndaluar me të hyrë në Serbi, në pikën kufitar Batrovci që ndodhet në kufi me Kroacinë.

    MPJD ka thënë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe çdo të dhënë tjetër relevante për trajtimin e mëtejmë të rastit

    Për rastin është njoftuar edhe delegacioni i BE’së në Serbi dhe janë dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të QUINT’it të akredituara në Serbi.

    “Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, z. Jetish Jashari është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani”, thuhet në njoftim.

    MPJD i ka bërë Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë.

    “ e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, përfundon njoftimi.

  • Italia fuqizon diplomacinë sportive me Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Kortina 2026

    Italia fuqizon diplomacinë sportive me Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Kortina 2026

    Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ka theksuar se Italia po investon fuqishëm në diplomacinë sportive, duke e konsideruar sportin një shtyllë kyçe të veprimit ndërkombëtar të vendit, me në qendër Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Kortina 2026.

    Sipas Tajanit, këto Lojëra përbëjnë një ngjarje globale madhore, ku do të marrin pjesë rreth 3.500 sportistë nga mbi 90 vende, të angazhuar në 304 gara sportive. Ceremonia e hapjes do të ndjeket nga rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish, ndërsa audienca globale pritet të arrijë në tre miliardë njerëz.

    Milano–Kortina 2026 nuk është vetëm një ngjarje sportive, por edhe një projekt zhvillimi dhe inovacioni, me një ndikim ekonomik të vlerësuar në 5.3 miliardë euro dhe trashëgimi të qëndrueshme në infrastrukturë dhe zhvillim territorial. Për herë të parë në histori, Lojërat do të organizohen në formë të shpërndarë, duke përfshirë Milano, Kortina dhe rajonet Lombardia, Veneto dhe Trentino-Alto Adixhe.

    Sistemi organizativ parashikon angazhimin e 18.000 vullnetarëve dhe krijimin e një Task Force diplomatike, duke bashkuar institucione, komunitete vendore dhe funksionarë të rinj. Strategjia e Italisë për Lojërat ka nisur dy vite më parë me krijimin e “Zyrës për Diplomacinë Sportive” dhe është promovuar përmes turneve ndërkombëtare në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi, duke përfshirë sportistë, media dhe ndërmarrje.

    Tajani nënvizoi se Lojërat përfaqësojnë vlera universale si paqja, respekti dhe përfshirja, duke rikujtuar mbështetjen e Italisë për Rezolutën e OKB-së për armëpushimin olimpik. Në një kontekst ndërkombëtar të tensionuar, Italia vazhdon të angazhohet në diplomaci dhe ndihmë humanitare, përfshirë përpjekjet për paqe në Ukrainë dhe Gaza, si dhe ndihmën për vendet e prekura nga konflikte më pak të dukshme, si Sudani.

    Milano–Kortina 2026 shihet si një mundësi për të rikonfirmuar rolin e Italisë si ndërtuese e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke shndërruar sportin në një mjet dialogu dhe shprese për botën.

  • Qytetari Sylejman Krasniqi: Kam parë njerëz që marrin para hua për bukë…krizë e madhe, rryma nga 50 euro më shkoi mbi 300

    Qytetari Sylejman Krasniqi: Kam parë njerëz që marrin para hua për bukë…krizë e madhe, rryma nga 50 euro më shkoi mbi 300

    Qytetari Sylejman Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e rëndë ekonomike, duke thënë se ka parë qytetarë të cilët janë detyruar të marrin para borxh vetëm për të blerë bukë.

    Duke folur gjatë një proteste kundër paralajmërimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, Krasniqi tha se situata është alarmante dhe se shumë familje po përballen me vështirësi serioze për mbijetesë, raporton Ekonomia Online.

    “I kam pa njerëzit tu marrë bukë veresie, nuk kanë me çka me ble një bukë. Krizë e madhe”, ka deklaruar ai.

    Krasniqi, i cili tha se është inxhinier në KEDS, theksoi se fatura e energjisë elektrike i është rritur në mënyrë drastike. Sipas tij, nga rreth 50 euro sa paguante më herët, tani është detyruar të paguajë mbi 300 euro.

    “Unë e kam pasë rrymën deri në 50 euro, tash e kam 333 euro. Po i marr paratë hua te miqtë, vëllezërit, dajt, baba e nana. Dikush duhet me të ndihmu, se pa bukë mbetesh”, tha ai.

    Ai shtoi se qytetarët po detyrohen të hyjnë në borxhe për shkak të rritjes së kostos së jetesës, ndërsa shprehu kritika edhe ndaj politikave aktuale shtetërore.

    Protestuesit kundërshtojnë paralajmërimin për rritjen e çmimit të energjisë, duke kërkuar masa konkrete për mbrojtjen e qytetarëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta.