ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani vazhdon vizitën në Emirate: Partneriteti Kosovë–EBA po thellohet

    Presidentja Osmani vazhdon vizitën në Emirate: Partneriteti Kosovë–EBA po thellohet

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve po thellohet dhe po shndërrohet në një aleancë vizioni.

    Gjatë vizitës së saj zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Osmani u shpreh se ky partneritet ka lindur në kohë sfidash dhe është ndërtuar mbi besim të qëndrueshëm dhe angazhim të ndërsjellë.

    “Një partneritet që lindi në kohë sfidash dhe sot po thellohet si aleancë vizioni, duke dëshmuar se miqësia e vërtetë ndërtohet me besim të qëndrueshëm dhe angazhim të ndërsjellë”, ka deklaruar Osmani në një video që ka shpërndarë nga kjo vizitë.

    Presidentja Osmani ka theksuar se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten një partner i rëndësishëm strategjik për Kosovën, ndërsa vizita e saj synon forcimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët.

  • Tërmeti me magnitudë 4.9 ballë godet Turqinë Lindore

    Tërmeti me magnitudë 4.9 ballë godet Turqinë Lindore

    Një tërmet me magnitudë 4.9 ballë u regjistrua në rajonin Kemah të Erzincanit në Turqi.

    Tërmeti u regjistrua me një thellësi prej 4.52 kilometrash, ndërsa lëkundjen u ndjenë edhe në Elazig, Trabzon, Adiyaman, Malatya dhe provincat përreth.

    Kryetari i Bashkisë  Erzincanit, Bekir Aksun, duke folur drejtpërdrejt për mediat turke, tha se nuk pati viktima apo dëme materiale.

  • Komisioni Evropian propozon paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë

    Komisioni Evropian propozon paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë

    Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të 20-të sanksionesh kundër Rusisë që synojnë energjinë, shërbimet financiare dhe tregtinë, me qëllim miratimin e saj para përvjetorit të katërt të luftës, më 22 shkurt.

    “Komisioni po propozon një paketë të re sanksionesh, të 20-tat që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës”, tha Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

    Kufizime në sektorin e naftës dhe energjisë në Rusi

    Paketa e re propozon një ndalim të plotë të shërbimeve detare për transportin e naftës bruto ruse me qëllim uljen e mëtejshme të të ardhurave nga shitja e produkteve energjetike dhe vështirësimin e gjetjes së blerësve për naftën ruse.

    “Meqenëse transporti detar është një biznes global, ne propozojmë që ky ndalim i plotë të miratohet në koordinim me vendet me të njëjtat mendime pas vendimit të G7”, tha Presidentja e Komisionit.

    Paketa e re përfshin shtimin e 43 anijeve të tjera nga e ashtuquajtura flotë në hije e Rusisë në listën e anijeve të sanksionuara. Numri i përgjithshëm i anijeve të tilla, të cilat Rusia i përdor për të anashkaluar sanksionet, tani rritet në 640. Ajo gjithashtu propozon masa për ta bërë më të vështirë për Rusinë të sigurojë cisterna për flotën në hije, dhe një ndalim gjithëpërfshirës për ofrimin e mirëmbajtjes dhe shërbimeve të tjera për cisternat e LNG-së dhe akullthyeset.

    Kufizimet në sistemin financiar rus

    Pjesa e dytë e sanksioneve ka të bëjë me masat për të kufizuar sistemin bankar rus dhe aftësinë e tij për të krijuar kanale alternative pagesash për të financuar aktivitetin ekonomik. 20 banka të tjera rajonale ruse i shtohen listës së sanksionuar, si dhe disa banka në vende të treta të përfshira në lehtësimin e tregtisë së paligjshme të mallrave të sanksionuara.

    Gjithashtu propozohen masa kundër kriptovalutave, kompanive që i tregtojnë ato dhe platformave që mundësojnë tregtimin e kriptovalutave për ta bërë më të vështirë anashkalimin e sanksioneve.

    Kufizimet e importit dhe eksportit

    Pjesa e tretë e paketës së re të sanksioneve i referohet masave që shtrëngojnë kufizimet në eksportin e mallrave dhe shërbimeve në Rusi – nga gomat te traktorët dhe shërbimet e sigurisë kibernetike.

    Gjithashtu propozohet një ndalim i ri për importin e metaleve, kimikateve dhe mineraleve kritike, të cilat ende nuk janë nën sanksione, si dhe kufizime të mëtejshme për eksportin e artikujve dhe teknologjive të përdorura për përpjekjet e Rusisë në fushën e betejës, të tilla si materialet e përdorura për prodhimin e eksplozivëve.

    Presidenti i Komisionit u bën thirrje shteteve anëtare që ta miratojnë këtë paketë sanksionesh sa më shpejt të jetë e mundur “në mënyrë që të dërgohet një sinjal i fortë në prag të përvjetorit të zymtë të katërt të kësaj lufte”.

    Von der Leyen thotë se të ardhurat fiskale të Rusisë nga nafta dhe gazi ranë me 24 përqind në vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar, niveli më i ulët që nga viti 2020.

    “Të ardhurat nga nafta dhe gazi në janar do të jenë më të ulëtat që nga fillimi i luftës. Kjo konfirmon atë që e dinim tashmë – se sanksionet tona po funksionojnë dhe ne do të vazhdojmë t’i përdorim ato derisa Rusia të fillojë negociata serioze me Ukrainën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha von der Leyen.

  • Abdixhiku pret në takim ambasadorin gjerman, theksohet nevoja urgjente për stabilitet politik

    Abdixhiku pret në takim ambasadorin gjerman, theksohet nevoja urgjente për stabilitet politik

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën paszgjedhore.

    Gjatë takimit, Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Rudolph me qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me rrethanat politike aktuale, duke theksuar domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, stabile dhe funksionale.

    Kryetari i LDK-së vuri në pah nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, duke nënvizuar se qytetarët presin një shtet që u shërben atyre, garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale.

    “Po ashtu, kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit demokratik të saj, duke e cilësuar Gjermaninë si një partnere kyçe dhe aleate të rëndësishme të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Piranjat sulmojnë pushuesit në një plazh në Argjentinë, 40 të lënduar

    Piranjat sulmojnë pushuesit në një plazh në Argjentinë, 40 të lënduar

    Sulme masive nga piranjat janë regjistruar në një plazh në Argjentinë, duke shkaktuar shqetësim tek autoritetet.

    Sipas mediave vendase, incidentet ndodhën pranë qytetit të Victorias, në provincën e Entre Rios. Dhjetëra persona mësohet se hynë në ujë për t’u freskuar për shkak të temperaturave të larta.

    Më shumë se 40 persona pësuan lëndime në krahë dhe këmbë, ndërsa një burri iu amputua krahu. Sipas autoriteteve lëndimet varionin nga kafshime të thella deri në humbjen e një gishti.

    Fëmijët dhe të rriturit u dërguan në spitalin lokal, të gjithë me plagë nga dhëmbët e mprehtë të peshkut, ndërsa incidente të reja ndodhën gjatë së hënës me të paktën pesë të plagosur të tjerë.

    Rojet bregdetare ngritën flamuj të kuq dhe urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të plazhit, duke paralajmëruar për rrezik.

  • Ndërrim komandash në Task Forcën amerikane të Aviacionit në KFOR, ambasada e ShBA-së jep detaje

    Ndërrim komandash në Task Forcën amerikane të Aviacionit në KFOR, ambasada e ShBA-së jep detaje

    Ambasada Amerikane ka njoftuar se i Ngarkuari me Punë, Josh Peterson, mori pjesë të premten në ceremoninë e Transferimit të Autoritetit të Aviacionit të Task Forcës së KFOR-it, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Ambasada bëri të ditur se falënderime iu shprehën komandantit në largim, nënkolonel Snook, dhe Task Forcës Griffin, për shërbimin dhe kontributin e tyre të përkushtuar në ruajtjen e sigurisë në Kosovë.

    Po ashtu, u mirëprit komandanti i ardhshëm, nënkolonel Bryant, dhe Task Forca Blackjack, të cilët marrin përgjegjësinë për mbështetjen e aviacionit të KFOR-it, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

  • Besiane Musmurati në Parlamentin Evropian: Shqetësim për rritjen e tendencave autoritare në Kosovë

    Besiane Musmurati në Parlamentin Evropian: Shqetësim për rritjen e tendencave autoritare në Kosovë

    Gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian, në konferencën e organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe, Besiane Musmurati nga Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur shqetësime për “nevojën e monitorimit të rreptë të tendencave autoritare” të qeverisë aktuale në Kosovë.

    “Po instalohet një mendësi qeverisëse e rrezikshme në vend,” tha Musmurati, duke përmendur disa problematika kryesore:

    • Minimi i rendit kushtetues: “Më shumë se 15 shkelje të Kushtetutës tregojnë qartë synimin për të shndërruar institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore në vegla për përndjekjen e kundërshtarëve politikë, mediave dhe shoqërisë civile.”

    • Liria e medias në rënie: “Sulmet sistematike ndaj gazetarëve dhe përpjekjet për mbylljen e mediave na kanë zbritur në nivelet më të ulëta historike sipas raportimeve të ‘Reporters Without Borders’.”

    • Presioni mbi gjyqësorin: “Ndërhyrjet direkte dhe linçimet publike ndaj prokurorëve e gjyqtarëve po cenojnë rëndë shtyllën e shtetit të së drejtës.”

    Musmurati theksoi se “Republika e Kosovës është arritja jonë më e madhe historike. Liria brenda saj është po aq e shenjtë sa liria e vetë shtetit. Rruga jonë është ajo e vlerave perëndimore dhe e lirisë, jo e autoritarizmit.”

  • 22 kryesues të dyshuar për falsifikim të votave në Gjakovë, Prokuroria kërkon paraburgim

    22 kryesues të dyshuar për falsifikim të votave në Gjakovë, Prokuroria kërkon paraburgim

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për 22 kryesues, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë numërimit të votave në zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Kosovës në Komunën e Gjakovës.

    Sipas komunikatës për opinion publik, kërkesa për paraburgim u dorëzua pas veprimeve hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë.

    “Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 kryesuesit janë ndaluar për 48 orë, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në komunikatë.

    Prokuroria njofton se ndaj të gjithë të dyshuarve është iniciuar procedurë penale për veprën “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216, paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës. “Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’”, thekson Prokuroria.

    Gjatë hetimeve, janë intervistuar 22 kryesues lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare.

  • Klekovski: FSSH-ja ka zbuluar një sërë parregullsish në disa institucione shëndetësore

    Klekovski: FSSH-ja ka zbuluar një sërë parregullsish në disa institucione shëndetësore

    Parregullsi të shumta janë detektuar në disa Institucione shëndetësore publike dhe private. Janë dhënë pushime mjekësore pa pasur nevojë, disa drejtor të klinikave kanë marrë paga më shumë se duhet, ndërsa klinikat gjinekologjike kanë punuar pa kupon fiskalë.

    “Në lidhje me pushimet mjekësore, ne jemi duke shqiptuar dënime në 28 institucione private shëndetësore, ku dënimet do të jenë në shumë prej 1.2 milionë denarë dhe për dikë do të jetë për herë të parë, për dikë kemi përsëritje të dënimeve. Tek gjinekologët, për fat të keq kemi një valë të re të ankesave për mos dhënien e kuponit fiskal, kemi 12 ankesa të reja”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
    Klekovski për Alsat tha se janë duke shqyrtuar ndryshimin e politikës penale, pasi dënimet e deritanishme nuk kanë ndikuar në ndalimin e shkeljeve të rregullave.
    “Politika penale në disa zona nuk demotivon shkeljen e rregullave, dënimet janë të vogla dhe në thelb është e përballueshme ti shkelin rregullat. P.sh për institucionet publike shëndetësore dënimi maksimal është 75 mijë denarë, kështu që kjo nuk ka kuptim”, tha Sasho Klkeovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.

    Klekovski tha se Fondi është duke punuar bashkë me Ministrinë e Brendshme për të gjitha këto raste të detektuara.

  • Kërkohet paraburgim për 22 kryesues në Gjakovë, dyshohen për falsifikim të votave

    Kërkohet paraburgim për 22 kryesues në Gjakovë, dyshohen për falsifikim të votave

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave në Komunën e Gjakovës.

    Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, veprimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Gjakovë, pas dyshimeve për falsifikim të rezultateve të votimit brenda subjekteve politike në zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar 22 (njëzet e dy) kryesues, të cilët dyshohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 (njëzet e dy) kryesuesit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur kërkesë pranë gjykatës kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.