ATV

Category: Lajme

  • Irani paralajmëron ShBA-në: Do të sulmojmë bazat amerikane në rajon nëse sulmohemi

    Irani paralajmëron ShBA-në: Do të sulmojmë bazat amerikane në rajon nëse sulmohemi

    Irani ka paralajmëruar se do të godasë bazat amerikane në Lindjen e Mesme në rast të një sulmi nga forcat amerikane të grumbulluara në rajon, tha të shtunën ministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi.

    Në një intervistë për Al Jazeera, Araqchi theksoi se kjo nuk duhet interpretuar si një sulm ndaj vendeve që strehojnë ato baza. Deklarata e tij erdhi një ditë pasi Teherani dhe Washingtoni u zotuan të vazhdojnë bisedimet indirekte bërthamore, pas asaj që të dyja palët e përshkruan si një diskutim pozitiv të premten në Oman, raporton Reuters.

    Pavarësisht se Araqchi tha se ende nuk është caktuar një datë për rundin tjetër të negociatave, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ato mund të zhvillohen në fillim të javës së ardhshme.

    Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake ndaj Iranit pas një përforcimi detar të SHBA-së në rajon, duke kërkuar që Teherani të ndalojë pasurimin e uraniumit, një hap i mundshëm drejt armëve bërthamore, si dhe të ndalojë zhvillimin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupet e armatosura në Lindjen e Mesme.

    Teherani ka mohuar prej kohësh çdo qëllim për prodhimin e armëve bërthamore. Ndërsa të dyja palët kanë treguar gatishmëri për të ringjallur diplomacinë mbi mosmarrëveshjen bërthamore të Teheranit me Perëndimin, Araqchi kundërshtoi zgjerimin e bisedimeve:

    “Çdo dialog kërkon përmbajtje nga kërcënimet dhe presioni. Teherani diskuton vetëm çështjen e tij bërthamore… Ne nuk diskutojmë asnjë çështje tjetër me SHBA-në,” tha ai.

  • Alvaro Arbeloa:Real Madrid është shumë larg potencialit të saj të plotë

    Alvaro Arbeloa:Real Madrid është shumë larg potencialit të saj të plotë

    Trajneri i Real Madridit Alvaro Arbeloa ka folur për rrjedhën aktuale të sezonit më të cilën po kalon skuadra e tij.

    Arbeloa thotë se “Los Blancos”është shumë larg potencialit të saj të plotë,teksa ka thënë se duhet të pamundurën që të arrijnë deri në këtë pikë.

    Përndryshe Arbeloa ka deklaruar se ekipi ka rritur deri në pikën ku duhet punuar shumë,dhe shton se ekipet e mëdha duhet të bëjnë gjëra të mira në fushë e cila vjen nga puna e palodhur dhe orët e shpenzuara.

    Kujtojmë që Alvarao Arbeloa që prej se e morri drejtimin e Real Madridit ka 4 fitore në 6 ndeshje që kur u emërua në vend të Xabi Alonsos i cili u shkarkua nga stoli i “Los Blancos”.

  • Maqedonci shkruan për njësitin e FSK-së që gjeti trupin e 30-vjeçarit në lumin Mat

    Maqedonci shkruan për njësitin e FSK-së që gjeti trupin e 30-vjeçarit në lumin Mat

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i ka shprehur ngushëllime familjes së 30-vjeçarit që kishte rënë në lumin Mat në Shqipëri, e ku sot është gjetur nga njësitet e specializuara të kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Njësitë e specializuara të kërkim shpëtimit te Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me njësitë e Forcave të Armatosura të Republikës se Shqipërisë pas disa ditësh kërkimi në një teren sfidues dhe të vështirë kanë arritur të gjejnë në afërsi të fshatit Urakë, trupin e pajetë të Jurgen Karajt, të riut që ra në rrjedhën e lumit Mat së bashku me shokun e tij më 10 janar. Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Shqipërisë dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme. Ngushëllime familjes Karaj dhe të afërmve të viktimës!”, ka shkruar Maqedonci.

  • FSK gjen trupin e pajetë të të riut të zhdukur në lumin Mat në Shqipëri

    FSK gjen trupin e pajetë të të riut të zhdukur në lumin Mat në Shqipëri

    Forca e Sigurisë së Kosovës e ka gjetur trupin e 30-vjeçarit që kishte rënë në lumin Mat në Shqipëri që 29 ditë.

    Me kërkesë të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar një kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, i cili iu bashkua operacionit në zonën e Klosit për kërkimin e një personi të zhdukur në rrjedhën e lumit Mat.

    “Pas angazhimit intensiv dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet shqiptare, ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të lokalizojnë dhe të gjejnë trupin e pajetë të personit të humbur. Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në emrin e tij personal dhe në emër të gjithë personelit të FSK-së, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës. Gjithashtu, Komandanti i FSK-së falënderon personelin e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë përmbushjes së këtij misioni. Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në misionin e saj humanitar dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • Mbi 2 mijë gjoba dhe 86 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mbi 2 mijë gjoba dhe 86 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik.

    Aksidentet e trafikut vazhdojnë të mbeten të larta në vendin tonë. Vetëm në 24 orët që lamë pas, sipas raportit të Policisë, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë shënuar 43 aksidente me të lënduar.

    Numri i gjobave vazhdon të mbetet relativisht i lartë për kundërvajtjet në trafik, ku vetëm në 24 orë janë shqiptuar plot 2148 tiketa.

    Gjithashtu, policia ka arrestuar 38 persona, prej të cilëve 14 i ka dërguar në mbajtje, 1 në ndalim policor dhe 1 në vuajtje të dënimit.

  • Rama të hënën në Bruksel, takohet me Costa-n

    Rama të hënën në Bruksel, takohet me Costa-n

    Kryeministri Edi Rama do të takohet ditën e hënë më 9 shkurt me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Në takimin në Bruksel, fokusi pritet të jetë procesi i negociatave për anëtarësim.

    Shqipëria ende nuk ka mundur të marrë Raportin e Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit për kapitujt 23 e 24 i quajtur IBAR. Pa miratimin e këtij raporti nga shtetet anëtare nuk mund të nisë procesi i mbylljes së grupkapitujve.

    Në mbledhjet e deritanishme në nivel ambasadorësh ka patur kërkesa për prova konkrete zyrtarësh të lartë të dënuar me vendime përfundimtare dhe sekuestrime të pasurive të tyre.

    Me metodologjinë e re të negociatave mundet që një shtet anëtar i BE-së në këto rrethana të kërkojë rikthimin e tyre në pikën fillestare. Kapitujt 23-24 mbi gjyqësorin u hapën të parët dhe mbyllen të fundit në procesin e negociatave.

  • Mustafa: LDK duhet të reflektojë, Abdixhiku nuk solli rezultate

    Mustafa: LDK duhet të reflektojë, Abdixhiku nuk solli rezultate

    Një javë pasi mori votëbesimin në Kuvendin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, po kritikohet nga ish-kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa.

    Sipas kryetarit të nderit të LDK-së, po të lexohej zëri i qytetarëve në zgjedhjet e fundit, Abdixhiku nuk do të duhej të qëndronte në krye të partisë.

    Ai thotë se angazhimi i Abdixhikut në krye të LDK-së nuk ka sjellë rezultate, pasi në zgjedhjet e fundit mori vetëm 13 për qind të votave.

    Mustafa në një intervistë për KosovaPress, thotë se debati aktual brenda partisë nuk duhet të fokusohet te figura personale e Lumir Abdixhikut, por te modeli i lidershipit që i nevojitet LDK-së për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të përmirësuar rezultatet zgjedhore.

    Ish-lideri i LDK-së thekson se standardi i dorëheqjes për rezultate të dobëta ishte vendosur tashmë dhe se injorimi i këtij standardi dëmton besueshmërinë e partisë.

    “Unë Abdixhikun e njoh mirë sepse e njoh prej kur ka qenë student. Abdixhiku është punëtor i mirë. Është punëtor i zellshëm, ka qenë student i zellshëm. Më kanë thënë që edhe në LDK në terren ka punuar. Nuk është që s’ka punuar. Mirëpo problemi është se sa puna jote bën punë. Sa aktiviteti yt shprehet pastaj në rezultatet e partisë.

    Atë çështje është dashur vetë ta vlerësojë Abdixhiku dhe ta vlerësojnë organet e LDK-së. Për mua është nën çdo nivel që unë them tash se është dashur të shkojë, sepse në asnjë rast… Po në qoftë se kthehet aty ku ka qenë, aty ku e ka marrë, domethënë është, duhet të ulet edhe të analizojë pse, edhe të analizojë ai vetë të shohë se çfarë mund të bëjë”, thotë Mustafa.

    Ai kujtoi se pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku LDK-ja shënoi rënie në rreth 13 për qind dhe Abdixhiku mori detyrën e kryetarit, kishte deklaruar se partia e kishte “lexuar drejt zërin e qytetarit” dhe jo zërin e Kuvendit.

    Sipas tij, Kuvendi i LDK-së, duke pasur një rezultat të dobët zgjedhor, do të duhej të analizonte dhe vlerësonte më mirë për hapat tutje.

    “Ai pati thënë që pas rezultateve të LDK-së në vitin 2021, ku ne ramë rreth 13%, LDK-ja e lexoi drejt zërin e qytetarit. Nuk tha e lexoi drejt zërin e Kuvendit, por zërin e qytetarit dhe pastaj unë edhe bashkëpunëtorët e mi e kuptuam se duhet të bëhen ndryshime… Unë s’mund të them këtu se është dashur të jap dorëheqje apo s’është dashur, mirëpo është dashur të mat fjalët para se të flasë, të flejë një natë, të pushojë pak, të konsultohet me bashkëpunëtorët…

    Unë mendoj që edhe Kuvendi është dashur të merret me rezultatin, mos të merret me Abdixhikun. Domethënë, të merret me rezultatin e LDK-së, të vlerësojë se a është ai rezultat ai që i nevojitet dhe ai që është i duhur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës mund t’i shërbejë ndryshimeve në Kosovë”, shton ai.

    Ai solli në vëmendje edhe shembullin e tij personal, duke rikujtuar se kishte dhënë dorëheqje menjëherë pas rezultatit zgjedhor nën 13 për qind, pa pritur vendime të organeve partiake.

    “Unë për vete, në momentin që e kam pasur rezultatin, atëherë ka dalë më pak se 13 për qind, atë ditë, jo të nesërmen, por kam dhënë, jo s’kam ofruar, por kam dhënë dorëheqje. I kam njoftuar anëtarët e kryesisë se unë me këtë e përfundoj mandatin tim në LDK edhe e përfundoj mandatin tim në të gjitha organet e LDK-së, edhe në Kuvend…

    Votëbesimi duhet të lidhet me disponimin në terren, me zërin e qytetarëve. Sepse votëbesimi nuk është çështje e marrëdhënieve kryetar i LDK-së, Kuvendi i LDK-së… Po tash, në qoftë se zëri i qytetarëve ka ardhur deri aty që LDK-në prapë ta kthejë në 13%, aty ku ka qenë, atëherë kjo ka merituar një qasje tjetër edhe të Kuvendit që Kuvendi të reflektojë, jo që ta shkarkojë apo mos ta shkarkojë zotin Abdixhiku, mirëpo të reflektojë se çfarë duhet bërë më vonë, si duhet të veprojë LDK-ja në mënyrë që të përmirësojë rezultatin…

    Unë vetë kur kam dhënë dorëheqje, kam dhënë për shkak të rezultatit, jo sepse më ka dashur apo s’më ka dashur në organet e LDK-së, sepse po të shkoje në organet e LDK-së, do të dilte një qëndrim krejt tjetër”, deklaron ai.

    Megjithatë, Mustafa mohon se ka punuar në prapaskena për rrëzimin e Abdixhikut nga lidershipi i LDK-së.

    “Unë nuk i kam udhëhequr zgjedhjet. S’kam qenë në fushatë, s’kam qenë në asnjë forum të LDK-së. Nuk kam pasur asnjë motiv të involvohem në atë, sepse unë s’kam pasur motive. Unë tani jam në Akademinë e Shkencave, në asnjë mënyrë s’kam menduar se do të qëndroj në LDK. Unë s’kisha dhënë dorëheqje prej krejt pozitave të LDK-së. Mirëpo ka qenë një paketim i mirë i gënjeshtrave për t’u shitur si e vërtetë”, deklaron Mustafa.

    Ai e vlerëson ambicien dhe shpalljen e kandidaturës për kryetar të LDK-së të Avdullah Hotit, megjithëse pas kalimit të votëbesimit të Abdixhikut nuk pati garë për kreun e LDK-së.

    Sipas tij, debati për figurat e reja dhe të vjetra në LDK është i padobishëm. Teksa përmend emrat e Hotit, Hykmete Bajramit si kuadro jo të vjetra në LDK, Mustafa thotë se reforma në këtë parti nuk është penguar nga të njëjtit.

    “Në LDK nuk kemi të vjetër dhe të ri. Abdullah Hoti nuk është i vjetër. Abdullah Hoti është kuadër i ri. Hykmete Bajrami nuk është e vjetër. Është kuadër, as e re, po është një kuadër që potencialisht mund t’i kontribuojë më së miri Kosovës sesa LDK-së. Kujtim Shala po ashtu është një shkrimtar i mrekullueshëm, është akademik, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe nuk i lejohet askujt aty në disa studio të thotë se edhe Kujtimi duhet të përjashtohet prej LDK-së.

    Përmendet edhe Gazmend Muhaxheri, e kam dëgjuar. Në fund thonë se edhe Gazi duhet të shkojë. Tash, në qoftë se i marr këta njerëz edhe i trajtoj sepse i njoh, krejt i njoh mirë, kam punuar me ta që nga viti 2009, atëherë kush janë ata që kanë bërë opozitë kundër Vetëvendosjes?

    Opozitë kundër Vetëvendosjes ka bërë Agim Veliu… Tani, në qoftë se kritikohen edhe këta të tjerët, kush ka bërë opozitë gjatë kësaj periudhe? Ka bërë Hykmetja. Hykmete Bajrami ka qenë zëri kryesor i opozitës së LDK-së kundër VV-së, edhe kundër pushtetit. Po flas njëherë për këto që po kritikohen dhe që thonë se këta po pengojnë reformat. S’mundet reforma të pengohet në qoftë se kritikohet pozita, në qoftë se jepen vërejtje të qëndrueshme; askush nuk mund t’i mohojë”, thotë Mustafa.

    Krahas kësaj, një nga kritikat më thelbësore të Isa Mustafës ndaj udhëheqjes aktuale të LDK-së, lidhet me orientimin ideologjik të partisë.

    Sipas tij, në LDK ka krizë të identitetit dhe rrëshqitje majtas dhe imitim të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Ai tha se LDK-ja në fushatën zgjedhore të 28 dhjetorit ka humbur identitetin e saj si parti e qendrës së djathtë duke u përpjekur të garojë me Vetëvendosjen në terrenin e popullizmit social.

    “Unë dëgjoj që të gjithë dalin edhe thonë ‘Ne jemi Rugovista, ne jemi të djathtë’. Së pari duhet ta kemi të qartë se LDK nuk është parti e djathtë. LDK është parti e qendrës së djathtë. Parti e djathtë dallon mjaft shumë prej partisë së qendrës së djathtë…

    Krahas këtyre, nuk i lejohet askujt që të del edhe të lë përshtypje të thotë ‘Unë jam Rugovist’, kur ta sheh kur del e flet për çështje, ai flet për ndihma sociale, flet që Albin Kurti do t’i rrisë pagat minimale në 500 euro, ne do t’i rrisim 700.

    E po atëherë s’je ti, s’je as i djathtë, as i qendrës së djathtë, po ti politikat po i zhvillon të majta.

    Kështu që në këtë aspekt…Fushata që është bërë nga LDK-ja është bërë si licitacion, sikur janë në licitim, me VV-në. Sepse VV-ja ka thënë diçka, e ka bërë një ofertë të veten sociale, LDK-ja u mundua ta bëjë pak mbi atë, PDK-ja edhe më, më lartë. Domethënë, krejt opozita e ka imituar Albin Kurtin”, përfundon Mustafa.

  • Një burrë sulmohet me thikë në Prishtinë, autori ende i paidentifikuar

    Një burrë sulmohet me thikë në Prishtinë, autori ende i paidentifikuar

    Një rast i lëndimit të rëndë trupor është raportuar mbrëmjen e së premtes në Prishtinë.

    Sipas Policisë, rreth orës 20:38, një mashkull kosovar është sulmuar fizikisht me thikë nga persona të dyshuar ende të paidentifikuar.

    Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë e ditur.

    Të dyshuarit ndodhen në arrati dhe njësitë policore kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e tyre. Rasti po hetohet nga autoritetet kompetente.

  • Drenas, babai raporton zhdukjen e vajzës

    Drenas, babai raporton zhdukjen e vajzës

    Një vajzë është zhdukur që nga 5 shkurti në Drenas, e nuk dihet asgjë për vendosjen e saj.

    Babai i saj e ka raportuar rastin në polici, e për të cilën tashmë policia thonë të kenë nisur hetimet.

    Rr. Asllan Fazlia,  Drenas 05.02.2026 – 12:00. Me 06.02.2026 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij, është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për  vend-ndodhjen e saj, rasti nën hetime’’, thuhet në raportin ditor të Policisë.

  • Rusia vazhdon fushatën dimërore kundër sistemit energjetik të Ukrainës

    Rusia vazhdon fushatën dimërore kundër sistemit energjetik të Ukrainës

    Raketa dhe dronë rusë goditën gjatë natës së 7 shkurtit termocentrale dhe rrjete të energjisë elektrike në Ukrainë, duke shkaktuar ndërprerje të njëpasnjëshme të rrymës dhe duke shtuar presionin mbi një rrjet tashmë të goditur nga javë të tëra sulmesh, thanë autoritetet ukrainase.

    Ministri i Energjisë, Denys Shmyhal, tha se qeveria ka vendosur ndërprerje emergjente në mbarë vendin të rrjetit të energjisë elektrike.

    Kievi po ashtu kërkoi ndihmë emergjente nga Polonia pasi Rusia goditi gjatë natës termocentralet Burshtynska dhe Dobrotvirska në Ukrainën perëndimore.

    “Kriminelët rusë kryen edhe një sulm tjetër masiv ndaj objekteve energjetike të Ukrainës. Sulmi vazhdon”, tha Shmyhal në një deklaratë të postuar në Telegram. “Punëtorët e energjisë janë gati të nisin punimet e riparimit sapo situata e sigurisë ta lejojë”.

    Sulmi i fundit në shkallë të gjerë ndaj rrjetit të energjisë elektrike të vendit vjen pas javësh goditjesh ruse që tashmë kanë lënë pjesë të vendit, veçanërisht kryeqytetin Kiev, pa energji elektrike, pa ngrohje dhe, në disa raste, edhe pa ujë të rrjedhshëm, ndërsa temperaturat herë pas here kanë zbritur nën minus 20 gradë Celsius.

    Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, sulmi rus përfshiu raketa dhe dronë që shënjestruan qendra kyç të popullsisë në Ukrainën qendrore dhe perëndimore.

    Ministria e Jashtme e Ukrainës tha në një deklaratë se goditjet ndaj sektorit energjetik janë pjesë e një fushate më të gjerë nga Moska, e synuar për t’i privuar civilët nga ngrohja gjatë temperaturave të ngrirjes së dimrit.

    Dy aeroporte në Poloninë lindore pezulluan përkohësisht operacionet si masë paraprake për shkak të sulmeve ruse në territorin e afërt ukrainas, thanë autoritetet polake më 7 shkurt, njofton rel.

    “Në lidhje me nevojën për të siguruar mundësinë e funksionimit të lirë të aviacionit ushtarak, aeroportet në Rzeszow dhe Lublin kanë pezulluar përkohësisht operacionet e fluturimeve”, njoftoi në X Agjencia Polake e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

    Kievi është goditur veçanërisht rëndë mes sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike. Më shumë se 1.110 blloqe banimi mbetën pa ngrohje pasojave të një sulmi ndaj kryeqytetit ukrainas javën e kaluar.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më herët bëri thirrje për veprim më të shpejtë në forcimin e mbrojtjes ajrore dhe riparimin e dëmeve, duke thënë se do të ketë ndryshime në personel në zonat ku mbrojtja ajrore nuk ka funksionuar në mënyrë efektive.

    “Komponenti i mbrojtjes ajrore në shkallë të vogël, veçanërisht kundër dronëve sulmues, duhet të funksionojë më me efikasitet dhe të parandalojë problemet që ekzistojnë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përnatshëm me video më 6 shkurt.

    Diplomacia për përfundimin e luftës gati pesëvjeçare në shkallë të plotë në Ukrainë vazhdon, me rundin e fundit të bisedimeve këtë javë që solli një shkëmbim të të burgosurve, por pa ndonjë përparim të madh, ndërsa çështja e diskutueshme e lëshimeve territoriale nga Kievi mbetet e pazgjidhur.

    Duke folur me gazetarët më 6 shkurt, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se bisedimet në vazhdim mund të çojnë në përparim.

    “Bisedime shumë, shumë të mira sot, që kanë të bëjnë me Rusi–Ukrainë”, tha Trump. “Diçka mund ë jetë duke ndodhur”.

    Kremlini kishte thënë më herët se një rund i tretë i bisedimeve të paqes duhet të mbahet “së shpejti”, megjithëse ende nuk është shpallur ndonjë datë.