ATV

Category: Lajme

  • Gjykata e Apelit e Kosovës ka pranuar 2,548 lëndë, ka zgjidhur 1,761

    Gjykata e Apelit e Kosovës ka pranuar 2,548 lëndë, ka zgjidhur 1,761

    Gjykata e Apelit e Kosovës ka publikuar raportin e punës për muajin janar 2026, i cili përfshin të dhëna të detajuara mbi performancën e përgjithshme të gjykatës, si dhe raportet individuale të gjyqtarëve.

    Sipas njoftimit,gjatë muajit janar Gjykata e Apelit ka pranuar gjithsej 2,548 lëndë, ndërsa ka arritur të zgjidhë 1,761 lëndë. Kjo paraqet një shkallë efikasiteti prej 69.1 për qind.

    ““Publikimi i raportit synon të ofrojë një pasqyrë të qartë dhe transparente të punës së Gjykatës së Apelit, duke kontribuar në rritjen e llogaridhënies institucionale dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor të Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Shkaktuan dhunë ndaj femrave, tre burra në Fushë Kosovës shoqërohen në polici

    Shkaktuan dhunë ndaj femrave, tre burra në Fushë Kosovës shoqërohen në polici

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për rast të dhunës në familje në Fushë Kosovë, ku tre persona nga tri raste të ndara, janë shoqëruar në polici.

    Nga policia theksohet edhe se të dyshuarit kanë shkaktuar dhunë ndaj viktimave femra.

    ‘’DHUNË NË FAMILJE

    Prishtinë, Fushe Kosove, Graqanice / 09.02.2026 Ne tri raste te ndara tre te dyshuar meshkuj kosovarë janë shoqëruar per intervistim pas dyshimeve per kryerje te veprës se lartcekur, ndaj viktimave femra kosovare. Me urdhër te prokurorit te tria rastet do te vazhdojnë te trajtohen ne gjendje te lire’’, ka njoftuar Policia.

  • Rreth 70 mijë vizitorë vetëm në një muaj vizituan Kosovën

    Rreth 70 mijë vizitorë vetëm në një muaj vizituan Kosovën

    Vetëm gjatë dhjetorit të vitit 2025, në hotelet e Kosovës janë regjistruar 68 293 vizitorë, çka paraqet një rritje prej 6,1 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, kur numri i tyre ishte 64 380.

    Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë destinacion i preferuar për vizitorë vendas dhe të huaj. Vetëm në muajin dhjetor të vitit 2025, në hotelet e vendit qëndruan gjithsej 68 293 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 6,1 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, kur numri i tyre ishte 64 380.

    Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 27 776 prej tyre ishin vizitorë vendorë, ndërsa 40 517 erdhën nga jashtë vendit — një dëshmi se turizmi i huaj po merr gjithnjë e më shumë hov.

    Numri i net-qëndrimeve gjatë dhjetorit arriti në 132 148, nga të cilat 71 624 (ose 54,2%) u realizuan nga vizitorët e jashtëm, ndërsa 60 524 (45,8%) nga vendorët. Kjo tregon se vizitorët e huaj, përveç se janë më të shumtë, qëndrojnë edhe më gjatë në vend.

    Në mesin e rajoneve të Kosovës, Peja vazhdon të mbetet destinacioni më i frekuentuar për vizitorët vendorë. Gjatë dhjetorit 2025, në këtë rajon janë regjistruar 9 655 vizitorë të brendshëm dhe 26 550 net-qëndrime, duke reflektuar potencialin turistik të zonave malore dhe resorteve dimërore në Rugovë.
    Ndërsa për vizitorët e huaj, viti i kaluar shënoi një rritje prej 2,5 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Nga gjithsej 40 517 vizitorë të jashtëm, shumica erdhën nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia, ndërsa janë shënuar vizita edhe nga shtete të tjera evropiane dhe më gjerë.

    Dhjetori 2025 e mbylli vitin me bilanc pozitiv për sektorin e turizmit dhe hotelerisë në Kosovë. Kombinimi i vizitorëve vendorë dhe atyre të huaj dëshmon një interes të shtuar për vendin, ndërsa trendi i rritjes pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026.

    Gjatë ditës edhe e përditshmja britanike The Guardian i ka kushtuar një artikull vendeve që duhet vizituar gjatë vendit.

    Në këtë artikull kanë arritur të renditen edhe Kosova e Shqipëria të cilat sipas medias britanike patjetër që duhet të vizitohen.

    Librat e historisë ofrojnë kontekst thelbësor për ecje në këmbë në Kosovë, por nuk ju përgatisin për bukurinë e maleve, thuhet në artikull.

    “Gjatë verës kalova një javë në Via Dinarica të Kosovës, e cila u ripërcaktua së fundmi. Ne ecëm pranë luleve të edelëeiss në kreshtën kufitare me Malin e Zi; e thepisur dhe e pjerrët nga njëra anë dhe e gjelbër e gjallë nga ana tjetër, duke zbritur drejt livadheve me lule të egra rozë dhe të verdha”, u tha ndër tjera..

    Bletët fluturonin rreth shkëmbinjve të lartë, ndërsa bletëngrënësit me ngjyra të ndezura uleshin në degë më poshtë.

    Kafshët e egra të humbura në pjesën më të madhe të Evropës ende lulëzojnë këtu (arinj, ujqër, rrëqebull) në një mozaik me pemë lisi dhe ahu, boronica dhe shkurre, lugina të thella dhe pllaja të larta.

    Liqenet malore krijojnë vende ëndrrash për not nën majat e larta pranë Shqipërisë.

  • Posta e Kosovës përjetëson Uta Ibrahimin dhe Mrika Nikqi në pulla postare

    Posta e Kosovës përjetëson Uta Ibrahimin dhe Mrika Nikqi në pulla postare

    Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e ri të pullave postare “Alpinistet e Kosovës – Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi”.

    Ky emision i pullave postare i kushtohet alpinizmit kosovar dhe grave që, me guxim, përkushtim dhe arritje historike, kanë ngritur emrin dhe flamurin e Kosovës në majat më të larta të botës.

    Motivet e dy pullave postare prezantojnë dy alpinistet kosovare të rangut botëror: Uta Ibrahimi, e cila arriti të bëhet gruaja e parë nga Ballkani që ka ngjitur 14 majat mbi 8.000 metra, si dhe Mrika Nikqi, alpinistja më e re kosovare që po ashtu preku majat më të larta të botës, përfshirë majën Everest.

    Me guxim, përkushtim dhe vizion, Uta dhe Mrika e kanë vendosur Kosovën në hartën globale të alpinizmit. Dy sportistet e jashtëzakonshme janë simbole të ambicies së pakufishme dhe dëshmi se ëndrrat e mëdha nuk njohin moshë. Shembulli i tyre mbetet frymëzim për alpinistët e të gjitha brezave.

    Posta e Kosovës vazhdon të promovojë vlerat sportive të vendit në botë, duke ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë emision të veçantë filatelik, i cili do të jetë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë.

  • Humb jetën tragjikisht një kosovar gjatë skijimit në Çikago

    Humb jetën tragjikisht një kosovar gjatë skijimit në Çikago

    Një shtetas shqiptar nga Kosova, me inicialet G.D., ka ndërruar jetë pas një aksidenti tragjik gjatë skijimit në Çikago, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan albinfo.

    G.D. kishte emigruar në SHBA gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998–1999), ku ndër vite arriti të ndërtojë jetën dhe karrierën e tij profesionale. Pas përfundimit të studimeve, ai u angazhua në administratën shtetërore të Illinoisit, ku u dallua për profesionalizëm dhe përkushtim në punën e tij.

    Ai kujtohet nga komuniteti shqiptar si një person me vlera të larta njerëzore, i përkushtuar ndaj ruajtjes së traditës dhe promovimit të aktiviteteve kombëtare në diasporë.

  • Municion dhe pajisje ushtarake me emblemë të Serbisë zbulohen në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq

    Municion dhe pajisje ushtarake me emblemë të Serbisë zbulohen në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq

    Policia e Kosovës ka gjetur fishekë, helmetë ushtarake, xhaket me emblemë të Serbisë e karikatorë në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq.

    Në këtë shtëpi, pronë e një mashkulli shtetas serb, janë kapur edhe kuti metali, pjesë të antiplumbit dhe çantë ushtarake.

    Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori.

    “Gjatë kontrollit në një shtëpi të pabanuar, pronë e një mashkulli shtetas serb, janë gjetur dhe konfiskuar : 59 fishekë kalibri i panjohur, një kuti metali, një helmete ushtarake, një jakne me emblemë të serbisë, një futrollë për thikë, një pjesë e antiplumbit, një çantë ushtarake, dy karikatorë të AK-47, dhe një karikator tjetër me një fishek. Është njoftuar prokurori i cili ka urdhëruar të iniciohet rasti”, njoftoi policia në raport.

  • Krasniqi: Çdo shqiptar duhet të ndihet i fyer dhe i kërcënuar nga pretendimet e ZPS-së ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Krasniqi: Çdo shqiptar duhet të ndihet i fyer dhe i kërcënuar nga pretendimet e ZPS-së ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Analisti Milazim Krasniqi ka komentuar pretendimin e ZPS rreth dënimit të ish-krerëve të UÇK-së.

    Ai ka bërë me dije se kërkesa e kryeprokurorës së Speciale për 45 vite burgim për Hasim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin është fyerje për çdo shqiptar.

    “Cdo shqiptar ne bote duhet te ndihet i fyer dhe i kercenuar nga pretendimi i kryeprokurores se Speciales, qe kreret e UCK-se e te shtetit tone, te denohen me nga 45 vite burg. Fyhet sakrifica per liri e nje populli/kombi te tere dhe kercenohet me inkriminim nje shtet i tere”, ka shkruar ai.

  • SBASHK i vendos ultimatum autoriteteve: Lirojeni mësuesin shpejt ose përshkallëzim

    SBASHK i vendos ultimatum autoriteteve: Lirojeni mësuesin shpejt ose përshkallëzim

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) ka vendosur ultimatum ndaj autoriteteve për lirimin e mësimdhënësit Abaz Kadriu, të ndaluar për 48 orë si i dyshuar për sulm fizik, në të kundërtën kërcënoi me përshkallëzim të grevës së mësimdhënësve në nivel vendi.

    Përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, i cili iu bashkua grevës dy orëshe të kolektivit të shkollës “Pavarësia” të martën, tha se mësimdhënësi Kadriu është sulmuar në vendin e punës.

    Ai tha se gjoja sulmi ndaj mësimdhënësit në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, nuk është i pari i këtij lloji.

    “Ne menjëherë e kemi përkrahur dhe sot jemi në mesin e mëdimdhënësve këtu që ta përkrahim veprimin e tyre. Kjo nuk është ngjarje që po ndodh për herë të parë. Ka raste kur mësimdhënësit janë sulmuar fizikisht, edhe nga ana e prindërve”, tha Ymeri.

    “Organet e drejtësisë, sa më shpejt të marrin masa për zbardhjen e të vërtetës dhe lirimin e arsimtarit”, tha ai. “Nëse ngjarjet nuk sqarohen shpejt dhe nuk lirohen mësimdhënësit, mund të përshkallëzohet kjo formë e veprimit sindikal”.

    “Organet e drejtësisë të marrin masa ndaj prindërve që sjellin këso fëmijësh në shkollë, të cilët hyjnë në sallë dhe sulmojnë arsimtarin”, vazhdoi Ymeri.

    Kolektivi i shkollës fillore të mesme të ulët “Pavarësia” ka zhvilluar një grevë dy-orëshe të martën në mëngjes në përkrahje të mësimdhënësit Abaz Kadriu.

    Kadriu, i arrestuar të hënën rreth orës 12:00, është ndaluar për 48-orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit si i dyshuar për veprën penale “sulm fizik”.

  • Nis procesi i intervistimit për kandidatët për 15 pozita për gjyqtarë në gjykatat themelore

    Nis procesi i intervistimit për kandidatët për 15 pozita për gjyqtarë në gjykatat themelore

    Në objektin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) kanë nisur intervistat për 15 pozita të lira për gjyqtarë në gjykatat themelore.

    Procesit të intervistimit pritet t’i nënshtrohen 36 kandidatë të cilët me sukses kanë kaluar fazën e testit me shkrim nga fusha penale dhe ajo civile.

    Komisioni për rekrutim ka këtë përbërje:

    Albert Zogaj- kryesues i KGJK-së;
    Arjeta Sadiku- zëvendeskryesuese;
    Besnik Bislimaj- gjyqtar në Gjykatën e Apelit, njëherësh anëtar i KGJK-së;
    Mustafë Tahiri- kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, dhe
    Ivanka Millenoviq- nënkryetare dhe gjyqtare në Gjykatën e Apelit.
    Anëtarë rezervë janë:

    Teuta Ibrahimi- anëtare e KGJK-së, si dhe
    Bekim Veliqi- U.D i kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
    Në procesin e intervistimit, sipas Rregullores 03/2021 për rekrutim të gjyqtarëve, kandidatët mund të marrin më së shumti 20 pikë dhe se në ditën e intervistës kandidati paraprakisht i nënshtrohet edhe hartimit të një eseje, për çka kandidati mund të marrë më së shumti katër pikë, shkruan Betimi për Drejtësi.

    Pas përfundimit të fazës së intervistimit publikohen rezultat përfundimtare, duke përfshirë pikët e arritura nga testi kualifikues, testi me shkrim nga fusha penale dhe civile, eseja dhe intervista me gojë.

    Konkursi u shpall për 15 pozita të lira për gjyqtarë në nivel të Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi ka monitoruar procesin e testit me shkrim nga fusha penale dhe civile.

  • Prokuroria: Të akuzuarit patën rol të fortë kolektiv në Shtabin e UÇK-së

    Prokuroria: Të akuzuarit patën rol të fortë kolektiv në Shtabin e UÇK-së

    Prokuroria e ka nisur fjalën e vet duke thënë se të akuzuarit kanë pasur rol të fortë kolektiv si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    “Në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të koordinonin veprimet e tyre dhe mohuan veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët”.

    Hashim Thaçi përshkruhet si njëri prej themeluesve të UÇK-së, duke cituar disa deklarata të Azem Sylës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë në sallën e gjyqit.

    Sot është dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

    Prokurorët kanë paralajmëruar se sot do t’iu duhen diku rreth 2 orë për t’i shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve dhe në fund, prokurorja e specializuar Kimberly West do të mbajë një fjalë përmbledhëse.

    Më pas fjalën do ta ketë mbrojtësi i viktimave./REL/