ATV

Category: Lajme

  • Sulm rus në perëndim të Kharkivit: Vriten tre fëmijë të vegjël dhe një 34-vjeçar

    Sulm rus në perëndim të Kharkivit: Vriten tre fëmijë të vegjël dhe një 34-vjeçar

    Një sulm rus ka vrarë të paktën katër persona, përfshirë tre fëmijë të vegjël, në një qytet në perëndim të Kharkivit, tha një zyrtar ukrainas.

    Oleg Synegubov, kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Kharkivit, tha se dy djem, të dy 1 vjeç, një vajzë dyvjeçare dhe një burrë 34-vjeçar vdiqën pasi një dron goditi një shtëpi ku po qëndronin.

    Një grua shtatzënë 35-vjeçare dhe një grua tjetër, 76 vjeç, u plagosën në sulmin ndaj Bohodukhiv, tha Synegubov. Sulmi i së martës në mbrëmje në Bohodukhiv vjen ndërsa Moska rinovon sulmet pas një pauze njëjavore.

    Forcat ruse hodhën gjithashtu shtatë bomba në qytetin e Slovyanskut rreth orës 12:00 të së martës, tha guvernatori rajonal i Donetskut Vadym Filashkin në Telegram. Dy persona, përfshirë një vajzë 11-vjeçare, u vranë.

    Të hënën, sulmet me dronë gjatë natës në të gjithë vendin ndërprenë energjinë elektrike dhjetëra mijëra njerëzve dhe vranë të paktën katër persona, përfshirë një nënë dhe djalin e saj 10-vjeçar në Bohodukhiv, thanë zyrtarët ukrainas, sipas Reuters.

    Autoritetet lokale kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të situatës energjetike në rajonin e Kharkiv.

    Kjo vjen pasi një i ashtuquajtur “armëpushim energjetik”, i cili kishte për qëllim t’i lejonte sektorit të energjisë së Ukrainës një pushim gjatë temperaturave -20 gradë Celsius, skadoi javën e kaluar.

    Zelensky ka thënë se SHBA-të duan që lufta me Rusinë të përfundojë deri në qershor dhe se të dyja palët janë ftuar në SHBA për bisedime javën e ardhshme.

    Ndërkohë, një sulm masiv nga dronë ukrainasë në Volzhsky, në rajonin e Volgogradit në Rusi, u raportua të mërkurën në mbrëmje.

  • Merr leje nga burgu, 35-vjeçari vret nënën, vajzën e tij dhe ish-gruan, më pas i jep fund jetës

    Merr leje nga burgu, 35-vjeçari vret nënën, vajzën e tij dhe ish-gruan, më pas i jep fund jetës

    Turqia është tronditur nga krimi i rëndë. Mediat raportojnë që një 35-vjeçar i dënuar i quajtur Recep Cengiz mori leje nga burgu dhe vrau nënën e tij, vajzën e tij 8-vjeçare, ish gruan dhe më pas kreu vetëvrasje.

    Cengiz kishte marrë një leje 11-ditore nga burgu ku po vuante një dënim katërvjeçar për mashtrim dhe kërcënime me armë.

    Krimi ndodhi në lagjen Kuşkagız në Ankara ku 35-vjeçari fillimisht debatoi me nënën e tij 57-vjeçare, Aziz, përpara se ta vriste atë dhe vajzën e tij 8-vjeçare, Azra.

    Më pas ai i futi trupat e tyre në bagazhin e makinës së tij dhe shkoi në shtëpinë e ish-gruas së tij, Ukan. Atje, sipas mediave turke, ai u maskua si shpërndarës dhe e vrau atë në hyrje të ndërtesës përpara se të qëllonte veten dhe t’i jepte fund jetës së tij.

  • Naim Murseli kërkoi kontakt me fëmijët dhe Behgjet Pacollin, Gjykata refuzon njërën nga kërkesat

    Naim Murseli kërkoi kontakt me fëmijët dhe Behgjet Pacollin, Gjykata refuzon njërën nga kërkesat

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjyqi ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Gjatë seancës gjyqësore ndaj Naim Murselit, gjyqtarja Fatime Dermaku ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë përgjigje lidhur me kërkesën e Murselit për kontakt me fëmijët, të cilët aktualisht po mbahen nga Qendra Sociale në Suedi.

    Ajo gjithashtu tha se Murseli ka bërë kërkesë për takim edhe me Behgjet Pacollin, por që i është refuzuar nga Gjykata.

    “Keni paraqit kërkesë për të kontaktuar me fëmijët. Unë kam kontaktuar me autoritetet suedeze jam në pritje të përgjigjes së tyre. Ndërsa për kërkesën që keni bë për me komuniku me Behgjet Pacollin, në numër të telefonit të Zvicrës, ajo është kërkesë që nuk lejohet sepse hyn në kategorinë e personave që nuk e lejon ligji”, i është thënë nga Gjykata.

  • Vuçiq kërkoi draftet “Serbia 2030” dhe “2035”, dyshohet se të gjitha janë bërë me ChatGPT

    Vuçiq kërkoi draftet “Serbia 2030” dhe “2035”, dyshohet se të gjitha janë bërë me ChatGPT

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar nga qeveria draftet e planeve “Serbia 2030” dhe “Serbia 2035”, por sipas mediave në Beograd, propozimet që ka marrë dyshohet se janë hartuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, ChatGPT, gjë që e ka nervozuar atë, ka raportuar “021.rs”.

    Sipas gazetës “Novosti”, Vuçiq pritet që sot të thërrasë kryeministrin Gjuro Macut dhe ministrat, duke u vendosur atyre afat që deri më 21 shkurt, kur ai të kthehet nga vizita në Indi, t’i paraqesin një propozim të ri programor.

    Megjithëse lajmi është publikuar nga tabloide pranë qeverisë, deri tani as Vuçiq dhe as përfaqësues të qeverisë serbe nuk kanë reaguar zyrtarisht.

  • Koci në Beograd: Mit’hat Lozhani po trajtohet papërshtatshëm dhe po merret vazhdimisht në pyetje

    Koci në Beograd: Mit’hat Lozhani po trajtohet papërshtatshëm dhe po merret vazhdimisht në pyetje

    Avokati kosovar Arianit Koci ka deklaruar se ndodhet në Beograd, në cilësinë e mbrojtësit ligjor të Mit’hat Lozhanit, i arrestuar nga policia serbe, duke theksuar se rasti kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe ndërkombëtar.

    Koci bëri të ditur se janë marrë informacione për trajtim fizik të papërshtatshëm, marrje në pyetje të vazhdueshme dhe presion ndaj Lozhanit brenda paraburgimit. Sipas tij, këto pretendime duhet të verifikohen urgjentisht.

    Ai ka kërkuar ekzaminim mjekësor të pavarur për të ndaluarin, dokumentim zyrtar të çdo lëndimi të mundshëm, sqarim lidhur me mënyrën dhe kushtet e marrjes në pyetje, si dhe masa konkrete për sigurinë fizike dhe psikologjike të tij. Po ashtu, Koci ka theksuar nevojën për veçim nga të burgosurit e tjerë nëse ekziston rrezik për sigurinë e Lozhanit.

    “Autoritetet që e mbajnë në paraburgim mbajnë përgjegjësi të plotë për jetën dhe shëndetin e tij. Çdo devijim nga standardet bie ndesh me Nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon trajtimin çnjerëzor apo degradues”, ka theksuar Koci, duke kërkuar transparencë dhe monitorim serioz ndërkombëtar të rastit.

    Ai ka rikujtuar se Mit’hat Lozhani gëzon prezumimin e pafajësisë dhe se kjo duhet të respektohet në çdo fazë të procedurës, duke shtuar se një proces i drejtë dhe transparent do të zbardhë të vërtetën për rastin.

    Koci u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që ta trajtojnë këtë çështje si urgjente, duke theksuar se siguria e shtetasve të Kosovës jashtë vendit është detyrim kushtetues.

    Në fund, ai ka apeluar ndaj qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së apo të strukturave të sigurisë, që të shmangin transitin nëpër Serbi derisa të ketë, sipas tij, siguri juridike dhe fizike.

  • “Granit Plava ka kryer edhe dy vrasje të pasqaruara”- Naim Murseli pyetet për e-mailin me të cilin pretendohet se kërkoi takim me hetuesit

    “Granit Plava ka kryer edhe dy vrasje të pasqaruara”- Naim Murseli pyetet për e-mailin me të cilin pretendohet se kërkoi takim me hetuesit

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, edhe të mërkurën vazhdoi mbrojtjen i akuzuari Murseli, i cili u pyet lidhur me një e-mail, të cilin pretendohet se ia dërgoi administratës së burgut për të kërkuar takim me hetuesit, se kinse ka informacione lidhur me të akuzuarin Plava, e ku përmenden edhe dy vrasje të kryer nga ai.

    Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    I akuzuari Murseli, i cili mbrojtjen e nisi më 29 janar 2026, fillimisht pohoi se ka nënshkruar procesverbalin e 1 shkurtit 2024 dhe mbetet pranë asaj deklarate. Tha se në janar të vitit 2024 kishte parashtruar një kërkesë në Inspektorat.

    Ai tha se asnjëherë nuk ka kërkuar nga administrata e burgut të shkojnë hetuesit për të biseduar me të.

    Por, prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se nga shkresat e lëndës rezulton se ekziston një e-mail i dërguar nga Murteli tek administrata e Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz, për t’ua përcjellë hetuesve, me arsyetimin se janë pranuar informacione në lidhje me të paraburgosurin Granit Plava.

    “Naim Murseli e ka një info për Granit Plavën që i ka kryer dy vrasje të pasqaruara”, citoi prokurorja atë e-mail.

    Gjithashtu, thuhet se aty ka deklaruar se ka informacione edhe për një armë të fshehur të llojit kallashnikov.

    Pas kësaj, ajo tha se Prokuroria kishte dhënë autorizim që hetuesit Ibrahim Sahiti dhe Nazim Dalimi të shkojnë të bisedojnë me Murselin. Andaj, Perlinçeviq e pyeti Murselin nëse i kujtohet kjo vizitë nga hetuesit në burg.

    “Po, më kujtohet. Ata kanë ardhë pa kërkesën time, pa dijeninë time, pa prezencën e avokatëve të mi”, tha i akuzuari Murseli.

    Më pas, nga trupi gjykues iu kërkua prokurores që të fokusohet në objektin e akuzës, e që prokurorja tha se është duke parashtruar pyetje të tërthorta.

    “Unë po e ballafaqoj me pjesët e deklaratave që i ka dhënë në Prokurori në data të ndryshme. Se ky po thotë që ka mbetur pranë deklarimeve të dhëna kur e ka pyet avokati”, tha prokurorja.

    Më pas, i akuzuari Murseli shtoi se nuk e mohon takimin me hetuesit, por që sipas tij, nuk është bërë me kërkesën e tij dhe se asnjë procesverbal nuk ekziston nga ai takim.

    Prokurorja iu drejtua duke i thënë se e-maili të cilin e përmendi është provë dhe është dorëzuar edhe te mbrojtja e tij.

    “Nuk është provë ajo”, tha Murseli.

  • Përplasjet në Tiranë marrin vëmendjen e mediave greke: Protesta kundër korrupsionit përshkallëzohet në dhunë

    Përplasjet në Tiranë marrin vëmendjen e mediave greke: Protesta kundër korrupsionit përshkallëzohet në dhunë

    Protestuesit antiqeveritarë u përleshën me policinë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të martën vonë, ndërsa mijëra njerëz u mblodhën për të kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për shkak të dyshimeve për korrupsion.

    Demonstruesit hodhën bomba molotov drejt një ndërtese qeveritare dhe policia u përgjigj me topa uji, në një seri protestash të dhunshme që përbëjnë një kërcënim për stabilitetin e pushtetit të kryeministrit Edi Rama, i cili ka ardhur në pushtet që në 2013.

    Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori, pasi një njësi e prokurorisë speciale ngriti padi ndaj zëvendëses së Ramës, Belinda Balluku, për ndërhyrje të dyshuar në tenderët publikë për projekte të mëdha infrastrukturore dhe favorizim të kompanive të caktuara, akuza që Balluku i mohon.

    Mijëra njerëz në sheshin kryesor në Tiranë mbanin flamuj dhe banderola dhe brohorisnin “Rama shko në shtëpi, kjo qeveri e korruptuar duhet të japë dorëheqjen.” Policia speciale me pajisje për trazira mbronte ndërtesën e qeverisë.

    Zyra e Prokurorisë Speciale, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i ka kërkuar parlamentit të heqë imunitetin e Ballukut këtë javë për të mundësuar arrestimin e saj.

    Nuk është e qartë se kur pritet të votojë parlamenti, ku partia qeverisëse e Ramës mban shumicën, ose nëse nuk do ta votojë fare./Ekathimerini – Syri.net

  • QSU-ja e FSK-së realizon një ushtrim fushor 36-orësh

    QSU-ja e FSK-së realizon një ushtrim fushor 36-orësh

    Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës realizoi me sukses një ushtrim 36-orësh fushor, gjatë të cilit kadetët zhvilluan një trajnim praktik në operacione mbrojtëse.

    Gjatë ushtrimit, kadetët u angazhuan në një sërë detyrash operative, përfshirë fortifikimin e pozicioneve mbrojtëse, operacione zbulimi dhe mbrojtjen e zonës.

    Pjesë e këtij ushtrimi ishin edhe tre kadetë nga kolegji mbretëror “Saint-Jean” i Kanadasë, të cilët po vijojnë studimet në QSU për një semestër.

    “Ky aktivitet shërbeu për rritjen e gatishmërisë profesionale dhe përmirësimin e aftësive taktike të kadetëve, duke dëshmuar përkushtimin e QSU-së në përgatitjen cilësore të kuadrove të ardhshme”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • Vdes një pacient në Gjakovë, ishte në kujdes intensiv

    Vdes një pacient në Gjakovë, ishte në kujdes intensiv

    Një rast i rëndë është shënuar në Gjakovë gjatë ditës së martë. Një pacient i cili ishte në kujdesin intensiv në Spitalin e qytetit, ka humbur jetën.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa policia ka nisur hetimet mbi rastin.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa ishte në kujdesin intensiv në spitalin rajonal ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

  • Mishetiq u rikujton gjykatësve çfarë thanë dëshmitarët

    Mishetiq u rikujton gjykatësve çfarë thanë dëshmitarët

    Sot nisi dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

    Ish-presidentin Thaçi e përfaqëson avokati Lluka Mishetiq.

    Mishetiq po përmend tani çfarë kanë thënë disa dëshmitarë në mbrojtje të Thaçit.

    “Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin. Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”.

    Në mesin e figurave që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit janë: ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill.

    Avokati e ka nisur fjalën e vet duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Thaçi është i pafajshëm dhe që kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.

    “Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u ka thënë Mishetiq gjyqtarëve./REL/