ATV

Category: Lajme

  • U zhduk para tri vjetësh, familjari e denoncon tani rastin në polici

    U zhduk para tri vjetësh, familjari e denoncon tani rastin në polici

    Një person është raportuar si i zhdukur, në Fushë-Kosovë.

    Sipas policisë, viktima është shtetas i huaj, teksa rasti është raportuar nga familjarë të tij.

    Në raportin policor bëhet e ditur se rasti u raportua dje, teksa viktima dyshohet të jetë i zhdukur që nga gushti i 2023-tës.

    “Lidhur me rastin janë duke u marrë njësitë relevante policore për procedurat e mëtejme hetimore” thuhet në njoftim.

    Rasti është iniciuar si “Person i zhdukur”.

  • Zelensky planifikon zgjedhje presidenciale dhe referendum në Ukrainë më 24 shkurt

    Zelensky planifikon zgjedhje presidenciale dhe referendum në Ukrainë më 24 shkurt

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, synon të shpallë më 24 shkurt planin për zgjedhjet presidenciale dhe një referendum, ka raportuar të mërkurën Financial Times, duke cituar zyrtarë ukrainas dhe evropianë të përfshirë në planifikim.

    Reuters kishte raportuar javën e kaluar se, sipas një kuadri që po diskutohet nga negociatorët amerikanë dhe ukrainas, çdo marrëveshje paqeje do t’i nënshtrohet një referendumi nga votuesit ukrainas. Ky referendum do të zhvillohet njëkohësisht me zgjedhjet kombëtare, duke shtuar se zyrtarët kanë diskutuar mundësinë që të dy proceset të zhvillohen në maj.

    Ukraina ka filluar tashmë planifikimin e zgjedhjeve presidenciale së bashku me një referendum mbi një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë, raporton përsëri Financial Times, duke cituar zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë të njohur me çështjen.

    Më 24 shkurt bëhen katër vjet prej kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

    Deri më tani janë mbajtur disa runde bisedimesh mes palëve ndërluftuese, por ato nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve.

    Zelensky ka thënë ditë më parë se presidenti amerikan, Donald Trump, ka përcaktuar qershorin si afatin e fundit kur Ukraina dhe Rusia duhet të arrijnë një marrëveshje paqeje.

  • Momenti kur qeni paralajmëron pronarin për tërmetin në Prizren

    Momenti kur qeni paralajmëron pronarin për tërmetin në Prizren

    Një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Richter ka goditur Kosovën mbrëmjen e së martës.

    Lëkundja është regjistruar në orën 22:05, në një thellësi prej rreth 10 kilometrash, me epiqendër në zonën e Shtërpcës. Tërmeti është ndier në pjesën më të madhe të vendit.

    Mediat lokale në Prizren kanë publikuar pamje nga momenti i tërmetit. Në to shihet se si qeni e paralajmëroi pronarin për tërmetin që po vinte.

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka theksuar se kjo ngjarje konfirmon se zona e Prizrenit është zonë sizmogjene aktive, ashtu siç parashihet edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën.

  • Dallaveret me vota: Nisin intervistimet edhe në Klinë

    Dallaveret me vota: Nisin intervistimet edhe në Klinë

    Prokuroria Themelore në Pejë, ka bërë të ditur se sot do të vazhdojë intervistimi i personave përgjegjës për procesin e numërimit të votave në Komunën e Klinës.

    Lidhur me dyshimet për manipulim të votave, përkatësisht të rezultateve të kandidatëve të subjekteve politike në këtë komunë, Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e personave në këtë proces.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, mbetet e përkushtuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti dhe për garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Për zhvillimet e mëtejshme, opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.

  • Forcohet bashkëpunimi doganor Kosovë-Shqipëri

    Forcohet bashkëpunimi doganor Kosovë-Shqipëri

    Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, realizoi një takim zyrtar me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës Shqiptare, Besmir Beja, me synim thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e agjendës së përbashkët në fushën doganore.

    Gjatë takimit, sipas njoftimit zyrtar, u vlerësua progresi i arritur ndër vite dhe niveli i lartë i koordinimit institucional, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e procedurave, rritjen e efikasitetit operacional dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.

    Në njoftim theksohet se vëmendje e veçantë iu kushtua funksionimit të Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, si dhe zbatimit të sistemit One Stop Shop në pikën kufitare Morinë. Këto mekanizma u vlerësuan si modele të suksesshme bashkëpunimi që kanë reduktuar kohën e pritjes, kanë ulur kostot për bizneset dhe kanë lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe pasagjerëve.

    “Llugaliu theksoi rëndësinë strategjike të pranisë së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, duke e cilësuar atë si një instrument kyç për fuqizimin e pozitës konkurruese të operatorëve ekonomikë të Kosovës dhe për rritjen e qasjes në tregjet rajonale dhe më gjerë”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

    Në kuadër të diskutimeve u trajtuan edhe prioritetet e përbashkëta për thellimin e digjitalizimit, avancimin e shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe forcimin e bashkëpunimit në hetime të përbashkëta, me qëllim rritjen e transparencës, sigurisë dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.

    “Në përmbyllje, palët theksuan vullnetin për konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit institucional dhe për ndërmarrjen e hapave të rinj që mbështesin lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës dhe Shqipërisë”.

  • Arrestohen dy shtetas bjellorusë, një rus dhe një shqiptar në Arllat

    Arrestohen dy shtetas bjellorusë, një rus dhe një shqiptar në Arllat

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona në fshatin Arllat të Drenasit, në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, nën dyshimin për kalim të paautorizuar të kufirit.

    Sipas njoftimit në raportin 24-orësh, gjatë ditës djeshme rreth orës 13:30, njësitë policore kanë ndaluar një automjet me targa të Shqipërisë, i cili drejtohej nga një shtetas shqiptar. Gjatë kontrollit është konstatuar se në automjet ndodheshin edhe tre persona të tjerë – dy shtetas të Bjellorusisë dhe një shtetas i Rusisë.

    Hetimet fillestare kanë bërë të ditur se të arrestuarit dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin nga Shqipëria në Kosovë.

    Të katër të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

    “Policia e Kosovës në vazhdën e punës dhe angazhimeve të saj ka ndaluar automjetin me targa të Shqipërisë të drejtuar nga i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë. Në automjet kishin qenë edhe tre të dyshuar meshkuj dy shtetas Bjellorus dhe një shtetas i Rusisë të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin Shqipëri-R. Kosovë. Katër të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Profesori maqedonas e shpjegon shkencërisht tërmetin e mbrëmshëm: Lëkundje të Malit të Sharrit, s’ka vend për panik

    Profesori maqedonas e shpjegon shkencërisht tërmetin e mbrëmshëm: Lëkundje të Malit të Sharrit, s’ka vend për panik

    Pas tërmetit të fortë prej 4.3 ballëve që mbrëmë i shqetësoi qytetarër në Mqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë, profesori Ivica Milevski nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore doli me një mesazh qetësues dhe një shpjegim shkencor për lëkundjen.

    Ai thekson se nuk ka vend për panik, dhe pasi bëhet fjalë për një proces natyror gjeologjik të Malit Sharr.

    “Nuk ka asgjë të frikshme, Mali Sharr jo i qetë vazhdon të ngrihet, ndoshta vetëm për rreth dhjetë milimetra (papritur, që nuk është edhe pak :). Le të vazhdojë siç ka vazhduar për miliona vjet, pak nga pak, ndërsa ne mund të pushojmë”, shkruan Milevski në një postim në Facebook.

    Në një koment që tha se tërmeti ishte shqetësues, profesori replikoi:

    “Sharri nuk bën gjëra të tilla të këqija, di të jetë pak më i fuqishëm në anën e Kosovës (herë pas here), por aspak aq e fuqishme sa mund të shkaktojë lëkundje si ato në zonën e Dibrës apo të Shkupit, për shembull”.

  • Vidhen kabllo elektrike e vegla pune në një objekt në Mitrovicë

    Vidhen kabllo elektrike e vegla pune në një objekt në Mitrovicë

    Policia e Kosovës njofton se është raportuar se janë vjedhur kabllo elektrike dhe vegla nga një objekt në Mitrovicë.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti ka ndodhur të hënën dhe u iniciua si “Vjedhje e rëndë”.

    “Mitrovicë / 09.02.2026 – 3:47.Është raportuar se nga një objekt janë vjedhur kabllo elektrike dhe vegla. Lidhur me rastin njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin”, njofton Policia.

  • Nis në Itali gjyqi për vdekjen e kosovares 24-vjeçare në aksidentin tragjik të vitit 2022

    Nis në Itali gjyqi për vdekjen e kosovares 24-vjeçare në aksidentin tragjik të vitit 2022

    Në Itali ka nisur procesi gjyqësor ndaj një shoferi 39-vjeçar nga Venecia, i akuzuar për vrasje nga pakujdesia në qarkullim rrugor, lidhur me aksidentin fatal që i mori jetën Donika Nikollbibaj, 24 vjeçarja shqiptare nga Kosova.

    Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 prill 2022, rreth orës 06:30 të mëngjesit, në rrugën Castellana, në zonën Padernello di Paese, pranë qytetit Treviso

    Automjeti Volkswagen Polo, që drejtohej nga Donika Nikollbibaj, u përplas ballë për ballë me një kamion frigoriferik Iveco, i cili po udhëtonte nga Treviso drejt Castelfranco Veneto.

    Sipas hetimeve, 24-vjeçarja kishte humbur kontrollin e automjetit duke kaluar në korsinë e kundërt, çka e bëri përplasjen të pashmangshme. Megjithatë, hetimet kanë zbuluar se shoferi i kamionit po lëvizte me 72 km/orë, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar në atë segment rruge ishte 50 km/orë, pasi bëhej fjalë për një zonë të banuar me disa kalime për këmbësorë.

    Për këtë arsye, Prokuroria ka ngritur akuzë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, duke e çuar çështjen në gjykatë.

    Në automjet ndodhej edhe motra e Donikës, Monika Nikollbibaj, 25 vjeçe, e cila pësoi vetëm dëmtime të lehta. Të dyja motrat jetonin në San Michele d’Adige, në provincën e Trentos. Përplasja ishte shumë e fortë dhe makina përfundoi në një kanal anës rrugës, duke i lënë të dyja të bllokuara brenda automjetit.

    Donika u intubua në vendngjarje nga ekipet e urgjencës dhe u transportua me urgjencë në repartin e reanimacionit të spitalit të Trevisos. Ajo luftoi për jetën për tre ditë, por ndërroi jetë më 21 prill 2022. Shoferi i kamionit mbeti i padëmtuar.

    Familja e viktimës është paraqitur në gjykatë si palë civile, duke theksuar se shpejtësia e lartë e mjetit të rëndë ka qenë një faktor vendimtar në pasojat fatale të aksidentit.

    Në momentin e ngjarjes, dy motrat po udhëtonin drejt aeroportit të Venecias, nga ku do të fluturonin për në Kosovë për pushimet e Pashkëve. Prindërit e tyre kishin udhëtuar një ditë më parë. Familja Nikollbibaj jetonte prej rreth pesë vitesh në Itali.

    Donika Nikollbibaj ishte studente universitare në Verona dhe punonte me kohë të pjesshme në MediaWorld në Trento për të përballuar shpenzimet e studimeve.

    Procesi gjyqësor pritet të vijojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe ekspertëve të aksidenteve rrugore, ndërsa vendimi do të përcaktojë përgjegjësinë penale të të pandehurit.

  • Bashkatdhetarët shkojnë në Speciale për të ndjekur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit

    Bashkatdhetarët shkojnë në Speciale për të ndjekur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit

    Qytetarë nga diaspora kanë filluar të vijnë pranë Dhomave të Specializuara, për të marrë pjesë në seancën e sotme ku do të fillojë deklaratën përmbyllëse ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Ndërkaq rreth një orë më parë, aty ka mbërritur edhe avokati i Thaviq, Lluka Mishetiq.

    Në ditën e tretë të fazës përfundimtare te procesit më të madh gjyqësor në Hagë, siç edhe ka njoftuar Mishetiq, ai do të fillojë shpalosjen e deklaratës përmbyllëse nga ora 9 e mëngjesit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur dje fjalën përfundimtare, duke vijuar më pas mbrojtësi i viktimave.

    ZPS ka thënë se ka pranuar, siç pretendon, mbi pesë mijë prova materiale dhe ka intervistuar mbi 130 dëshmitarë.

    Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënimin me burg nga 45 vjet për katërshen e UÇK-së, që në total i bie 180 vjet burgim.

    Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, prokuroria ka pretenduar se ish-presidenti Hashim Thaçi “i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët”, duke përmendur kështu dëshmitë e James Rubin e Wesley Clark.

    Për kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënim me nga 45 vjet burgim kanë reaguar liderët e vendit por edhe të rajonit, duke thënë se kjo nuk mbështetet në asnjë standard ndërkombëtar e po ashtu se Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë të drejtë.
    /Kosovapress