ATV

Category: Lajme

  • Nis takimi trelateral i mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

    Nis takimi trelateral i mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

    Ka nisur takimi trelateral mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, me fokus thellimin e bashkëpunimit ushtarak përmes planeve konkrete.

    Kështu është bërë e ditur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, Arben Kingji.

    Ai shtoi se qëllimi i këtij takimi është forcimi i angazhimit dhe bashkërendimit ushtarak, në përputhje me marrëveshjen trelaterale të mbrojtjes mes vendeve.

    “Ka nisur takimi trilateral së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me fokus thellimin e bashkëpunimit ushtarak përmes planeve konkrete. Qëllimi i këtij takimi është forcimi i angazhimit dhe bashkërendimit ushtarak, në përputhje me marrëveshjen trilaterale të mbrojtjes mes vendeve tona”, ka shkruar ai.

  • Çfarë dihet deri më tani për sulmin vdekjeprurës në një shkollë në Kanada

    Çfarë dihet deri më tani për sulmin vdekjeprurës në një shkollë në Kanada

    Nëntë persona janë vrarë dhe të paktën 25 janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë dhe një shtëpi aty pranë në “komunitetin e vogël e të lidhur ngushtë” të Tumbler Ridge, British Columbia.

    Nga nëntë personat e vrarë në sulme, gjashtë u gjetën të vdekur në shkollën e mesme Tumbler Ridge, ndërsa i shtati vdiq gjatë rrugës për në spital. Dy persona të tjerë u gjetën të vdekur në një banesë aty pranë, transmeton Telegrafi

    Sulmuesi i dyshuar u gjet gjithashtu i vdekur në shkollë me një lëndim të vetëshkaktuar – autoritetet kanë thënë se e dinë identitetin e sulmueses, por nuk e kanë zbuluar emrin.

    Një alarm për strehim në vend i dërguar në telefonat në zonë e përshkroi sulmuesen e dyshuar si një “femër me fustan me flokë ngjyrë kafe”.

    Të paktën dy persona të tjerë u dërguan në spital me lëndime serioze ose kërcënuese për jetën pas sulmit, dhe deri në 25 persona po trajtoheshin për lëndime jo kërcënuese për jetën, tha policia

    Një bllokim në shkollën e mesme dhe shkollën fillore aty pranë është hequr, por të dyja do të mbeten të mbyllura për pjesën e mbetur të javës

    Identiteti i të dyshuaret: Policia ende nuk ka ndarë detaje të të dyshuarës dhe thotë se ende nuk e di lidhjen e saj me shkollën.

    Çdo lidhje midis sulmeve: Policia beson se mund të ketë një lidhje midis sulmeve në shkollë dhe banesës aty pranë “, por nuk është në gjendje ta japë këtë përfundimisht”.

    Identitetet ose moshat e viktimave: Detajet e viktimave nuk janë publikuar ende

    Nëse numri i viktimave mund të rritet: Ende nuk ka përditësime nga autoritetet, por ata më parë thanë se po vazhdonin të kontrollonin banesat aty pranë pas të shtënave, është e paqartë nëse ky kërkim ka përfunduar.

  • Gjykata dënon me 25 vjet burg Besnik Salihun për rastin e vrasjes në Dumnicë

    Gjykata dënon me 25 vjet burg Besnik Salihun për rastin e vrasjes në Dumnicë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 25 vjet burgim Besnik Salihun për vrasjen në Dunicë të Podujevës tri vjet më parë, ndërsa vëllai i tij Ilaz Salihu është liruar nga akuza.

    Salihu është shpallur fajtor se më 26 mars të vitit 2023 vrau me armë zjarri, duke e qëlluar dy herë në kokë, S.S.

    Salihu u dënua me 24 vjet burgim për vrasje dhe një vit e 6 muaj për “armëmbajtje pa leje”. Gjykata shpalli një dënim unik prej 25 vjetëve burgim.

    “Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08, në fshatin Dumnicë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën. Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S., një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore. Për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i akuzuari Besnik u largua nga vendi i ngjarjes”, thuhet në aktakuzë.

    Në aktakuzë u tha se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale. Por, Ilaz Salihu u lirua nga akuzat.
    Palët kanë 30 ditë afat për ankesë.

  • Avokati i Thaçit: Klienti im është dhe do të mbetet i pafajshëm

    Avokati i Thaçit: Klienti im është dhe do të mbetet i pafajshëm

    Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Lluka Mishetiq, ka deklaruar se klienti i tij është dhe do të mbetet i pafajshëm në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Gjatë paraqitjes së tij në deklaratën përmbyllëse, Mishetiq theksoi se diskutimet e trupit gjykues duhet të nisin me prezumimin e pafajësisë, duke shtuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dështuar të provojë akuzat e ngritura.

    “Ju duhet të konstatoni se ZPS-ja ka dështuar, nuk ka arritur të provojë provat e saj, dhe të nxirrni aktgjykim shfajësues. Hashim Thaçi do të mbetet i pafajshëm”, është shprehur ai.

    Sipas mbrojtjes, përfundimi i vetëm i drejtë është se prokuroria nuk ka arritur të përmbushë kriteret e barrës së provës, duke kërkuar nga gjykata një aktgjykim lirues për ish-presidentin.

    “Hashim Thaçi është i pafajshëm, pasi ligji ua kërkon ta prezumoni të pafajshëm. Kam dëgjuar kryetarë të Tribunaleve Ndërkombëtare që e keqkuptojnë këtë gjë. Para jush keni katër burra që duhet të prezumohen të pafajshëm. Ky proces ka ardhur këtu pasi Prokuroria ka ngritur pretendime se kanë prova që janë fajtor, dhe për rrjedhojë, për më shumë se 5 vjet jemi në këtë proces, ku duhet të bëhet verifikimi i ZPS-së, për të parë nëse mund të vërtetojnë këto pretendime. Ky gjykim nuk është verifikim i jetës së Hashim Thaçit, por i pretendimit të ZPS-së se Thaçi nuk duhet të jetë i pafajshëm. Ju duhet të nisni kuvendimet se Hashim Thaçi është i pafajshëm, e më pas të mendoni se provat e ZPS-së ju kanë bindur se ai është fajtor. Ju duhet të konstatoni se ZPS-ja ka dështuar, nuk ka arritur të provojë provat e saj, dhe të nxjerrni aktgjykim shfajësues, Hashim Thaçi do të mbetet i pafajshëm. Ju do të arrini në përfundimin e pashmangshëm se ZPS-ja nuk arriti të plotësojë kriteret e barrës së provës,” tha Mishetiq.

  • 106 vjet nga shpallja e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë

    106 vjet nga shpallja e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë

    Sot shënohet 106-vjetori i shpalljes së Tiranës si kryeqyteti i Shqipërisë.

    Lidhur me këtë, ka shkruar edhe presidenti i vendit, Bajram Begaj.

    “Më 11 shkurt 1920 Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë. Gëzuar, Tiranë!”, ka shkruar shkurt ai.

  • Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Procesi në Hagë rrezikon të deformojë realitetin historik të luftës së Kosovës

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Procesi në Hagë rrezikon të deformojë realitetin historik të luftës së Kosovës

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    KASH thekson se ky proces, në formatin dhe narrativën që ka marrë, rrezikon të deformojë seriozisht realitetin historik dhe juridik të Luftës së Kosovës.

    Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ishte një reagim i drejtë dhe i nevojshëm kundër një fushate të organizuar shtetërore të dhunës, spastrimit etnik dhe krimeve të luftës, të ushtruara nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, i cili tashmë është dënuar moralisht dhe juridikisht nga komuniteti ndërkombëtar.

    “Çdo përpjekje për të barazuar agresorin shtetëror me viktimën që luftoi për mbijetesë dhe liri, përbën një fyerje jo vetëm për popullin e Kosovës, por edhe për vetë ndërhyrjen ndërkombëtare të Perëndimit, e cila u ndërmor pikërisht për të ndalur krimet e luftës dhe gjenocidin në zemër të Evropës”.

    “Ky proces i deformuar rrezikon, në mënyrë të papranueshme, të relativizojë dhe madje të amnistojë përgjegjësinë historike dhe politike të udhëheqjes shtetërore serbe për krimet e kryera në Kosovë. Një zhvillim i tillë do të ishte një padrejtësi e rëndë historike dhe një precedent i rrezikshëm për të drejtën ndërkombëtare.”, thuhet në reagimin e këtij këshilli.

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë riafirmon mbështetjen e tij për drejtësinë ndërkombëtare të paanshme, por thekson se drejtësia nuk mund dhe nuk duhet të shkëputet nga e vërteta historike dhe konteksti i plotë i ngjarjeve.

    “Çlirimi i Kosovës ishte akt legjitim i një populli të shtypur, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet një forcë çlirimtare, jo objekt i revizionizmit politik apo juridik”, thuhet më tej.

  • U zhduk para tri vjetësh, familjari e denoncon tani rastin në polici

    U zhduk para tri vjetësh, familjari e denoncon tani rastin në polici

    Një person është raportuar si i zhdukur, në Fushë-Kosovë.

    Sipas policisë, viktima është shtetas i huaj, teksa rasti është raportuar nga familjarë të tij.

    Në raportin policor bëhet e ditur se rasti u raportua dje, teksa viktima dyshohet të jetë i zhdukur që nga gushti i 2023-tës.

    “Lidhur me rastin janë duke u marrë njësitë relevante policore për procedurat e mëtejme hetimore” thuhet në njoftim.

    Rasti është iniciuar si “Person i zhdukur”.

  • Zelensky planifikon zgjedhje presidenciale dhe referendum në Ukrainë më 24 shkurt

    Zelensky planifikon zgjedhje presidenciale dhe referendum në Ukrainë më 24 shkurt

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, synon të shpallë më 24 shkurt planin për zgjedhjet presidenciale dhe një referendum, ka raportuar të mërkurën Financial Times, duke cituar zyrtarë ukrainas dhe evropianë të përfshirë në planifikim.

    Reuters kishte raportuar javën e kaluar se, sipas një kuadri që po diskutohet nga negociatorët amerikanë dhe ukrainas, çdo marrëveshje paqeje do t’i nënshtrohet një referendumi nga votuesit ukrainas. Ky referendum do të zhvillohet njëkohësisht me zgjedhjet kombëtare, duke shtuar se zyrtarët kanë diskutuar mundësinë që të dy proceset të zhvillohen në maj.

    Ukraina ka filluar tashmë planifikimin e zgjedhjeve presidenciale së bashku me një referendum mbi një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë, raporton përsëri Financial Times, duke cituar zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë të njohur me çështjen.

    Më 24 shkurt bëhen katër vjet prej kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

    Deri më tani janë mbajtur disa runde bisedimesh mes palëve ndërluftuese, por ato nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve.

    Zelensky ka thënë ditë më parë se presidenti amerikan, Donald Trump, ka përcaktuar qershorin si afatin e fundit kur Ukraina dhe Rusia duhet të arrijnë një marrëveshje paqeje.

  • Momenti kur qeni paralajmëron pronarin për tërmetin në Prizren

    Momenti kur qeni paralajmëron pronarin për tërmetin në Prizren

    Një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Richter ka goditur Kosovën mbrëmjen e së martës.

    Lëkundja është regjistruar në orën 22:05, në një thellësi prej rreth 10 kilometrash, me epiqendër në zonën e Shtërpcës. Tërmeti është ndier në pjesën më të madhe të vendit.

    Mediat lokale në Prizren kanë publikuar pamje nga momenti i tërmetit. Në to shihet se si qeni e paralajmëroi pronarin për tërmetin që po vinte.

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka theksuar se kjo ngjarje konfirmon se zona e Prizrenit është zonë sizmogjene aktive, ashtu siç parashihet edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën.

  • Dallaveret me vota: Nisin intervistimet edhe në Klinë

    Dallaveret me vota: Nisin intervistimet edhe në Klinë

    Prokuroria Themelore në Pejë, ka bërë të ditur se sot do të vazhdojë intervistimi i personave përgjegjës për procesin e numërimit të votave në Komunën e Klinës.

    Lidhur me dyshimet për manipulim të votave, përkatësisht të rezultateve të kandidatëve të subjekteve politike në këtë komunë, Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e personave në këtë proces.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, mbetet e përkushtuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti dhe për garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Për zhvillimet e mëtejshme, opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.