ATV

Category: Lajme

  • Referendum në Zvicër për ta kufizuar popullsinë në 10 milionë banorë

    Referendum në Zvicër për ta kufizuar popullsinë në 10 milionë banorë

    Zvicra do të votojë më 10 qershor për nismën “Jo për një Zvicër me 10 milionë banorë” të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), e cila synon ta kufizojë popullsinë e Zvicra në 10 milionë.

    Nisma, e kundërshtuar nga parlamenti dhe bizneset, kërkon ndalimin e hyrjes së njerëzve të rinj nëse popullsia vendore kalon 9.5 milionë, ndërsa në 10 milionë do të aktivizoheshin kufizime të reja, përfshirë tërheqjen nga marrëveshja e lëvizjes së lirë me BE, raporton “Guardian”.

    SVP argumenton se rritja e shpejtë demografike po e ngarkon vendin. “Shpërthimi i popullsisë po rrit qiratë dhe po e dërgon infrastrukturën në pikën e thyerjes”, thotë partia, duke theksuar se rreth 27% e banorëve nuk janë shtetas.

    Kritikët paralajmërojnë dëme të rënda ekonomike. Kompani si Roche, UBS dhe Nestle thonë se nisma rrezikon marrëveshjet dypalëshe me BE-në. “Kjo është një nismë e kaosit”, ka paralajmëruar organizata e biznesit “Economiesuisse”, duke theksuar se shumë kompani varen nga punëtorët evropianë.

    Sondazhet e fundit tregojnë mbështetje të ndarë mes votuesve, me 48% që e kanë përkrahur idenë në një sondazh të dhjetorit.

  • Vrasja e Triumf Rizës, shtyhet gjykimi ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut

    Vrasja e Triumf Rizës, shtyhet gjykimi ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut

    Në mungesë të prokurores speciale, Arbresha Shala, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku Ilir dhe Rrahim Abdullahu akuzohen se, në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Enver Sekiraqën, vranë ish-policin Triumf Riza.

    “Nuk prezanton prokurorja speciale, Arbresha Shala, e cila ka qenë e njoftuar për seancën e sotme përmes emailit. Ka njoftuar se, përkundër përpjekjeve të shumta për të gjetur zëvendësim për seancën e sotme, ka kërkuar shtyrje të seancës pasi që gjendet jashtë shtetit dhe nuk ka mundur të gjejë zëvendësim”, tha gjykatësi i rastit, Avni Syla.

    Lidhur me mungesën në këtë seancë, gjykatësi Syla tha se prokurorja Shala ka njoftuar përmes emailit kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

    Ndryshe, mbrojtja kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Avni Syla me arsyetimin se gjykatësi e kishte axhë pronarin e lokalit ku ndodhi shpërthimi. Por, më 1 tetor 2025, këtë propozim të mbrojtjes, Gjykata Themelore e ka refuzuar.

    Ndryshe, kjo lëndë gjykohej nga gjykatësi Valon Kurtaj, por me avancimin e tij lënda i kishte kaluar për gjykim te gjykatësi Avni Syla.

    Në seancën e 21 shkurtit 2025, kryetari i trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj, njoftoi se është bërë bashkimi i procedurës së Rrahim Abdullahut me atë të Ilir Abdullahut, me arsyetimin e ekonomizimit të procedurës. Në atë seancë, i akuzuari Rrahim u deklarua i pafajshëm.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.

    Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Sëiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.

    Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.

    Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.

    Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.

    Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.

    Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

    Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

    Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.

  • Komisioni për Integrime Europiane miraton marrëveshjen me BE-në

    Komisioni për Integrime Europiane miraton marrëveshjen me BE-në

    Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati,e ka prezantuar para deputetëve të këtij Komisioni ku tha se nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet që Kosova të përfitojë gjithsej 882.16 milionë euro.

    “Kam kënaqësinë që sot të prezantoj para jush, parimisht Komisionit për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, njërin nga dy instrumentet, pra marrëveshjen që realisht kjo është marrëveshja për agjendën e reformave, pra pjesës së reformave. Sepse njëri instrument është ky që miratohet sot, domethënë paketa e reformave, ndërkaq instrumenti tjetër është ai i financimit, pra pjesa e kredisë, i cili do të miratohet pas kësaj edhe në Komisionin për Buxhet dhe është marrëveshje veç e veç që duhet të ratifikohet. Pra, kjo është marrëveshja e instrumentit për reforma të Planit të Rritjes:.

    “E mira e kësaj është, siç e tha edhe Kryetarja, që përveç shpërblimit financiar, ose si mund ta quajmë ashtu, kjo në vetvete kjo marrëveshje përmban pra edhe miratimin e reformave të ndryshme që janë dakorduar me Bashkimin Evropian, e për më tepër pra synimi është që përmes këtyre reformave të arrihet edhe më tej përshpejtimi i konvergjencës pra drejt standartit të Bashkimit Evropian. Si vlerë financiare, Kosova është përfituesja më e madhe në raport me bruto produktin vendor, pra është rreth 10% e bruto produktit vendor vlera financiare e pakos mbështetëse të Planit të Rritjes, por kjo normalisht përmban siç e thashë edhe këtë marrëveshjen e reformave. Nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet pra të përfitohen gjithsej 882.16 milionë euro. Prej të cilave 253.3 milionë janë grante, pra 1/3-ta është grant, ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë”, tha ai.

    Murati në fjalën e tij tha se Kosova ka qenë ndër shtetet e para që ka finalizuar agjendën e reformave dhe kjo është arritur brenda afatit fillestar të vendosur nga Komisioni Evropian, gjersa formalisht ishte miratuar në tetor të vitit 2024.

    “Qëllimi i marrëveshjes kornizë, pra teksti i së cilës është standard për të gjitha shtetet përfituese, është që të krijohet baza e përgjithshme kontraktuale që mundëson që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian të ofruara në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje. Kurse qëllimi i marrëveshjes për kredinë, është që të rregullojë kushtet të ndërlidhura specifikisht për marrjen e pjesës së fondeve të BE-së të ofruara si kredi dhe mënyrën e menaxhimit të tyre, por kjo është pra një marrëveshje e veçantë. Si qeveri, pra gjatë mandatit të kaluar ne i kemi dhënë rëndësi dhe prioritet këtij instrumenti, ashtu që të respektoheshin të gjitha afatet e vendosura nga ana e Komisionit Evropian. Rrjedhimisht pra Kosova ka qenë ndër shtetet e para, në mos të parët pra që ka finalizuar agjendën e reformave dhe kjo është arritur brenda afatit fillestar të vendosur nga Komisioni Evropian, gjersa formalisht e kemi miratuar pra qysh në tetor të vitit 2024. Megjithatë, përkundër tendencës për të përshpejtuar, ka pasur faktorë të tjerë që kanë ndikuar që procesi të vonohet paksa, duke marrë parasysh që ishte edhe një instrument i krijuar për herë të parë edhe nga vetë Bashkimi Evropian”.

    Murati tha se pjesërisht ka pasur vonesa në finalizimin e agjendës së reformave nga disa shtete tjera përfituese, pjesërisht ka pasur edhe punë paralele që është zhvilluar nga vetë Komisioni Europian”.

    “Pra, për rregulloren e nevojshme për themelimin e këtij instrumenti të ri, dhe kësisoj pra ka pasur disa ngecje apo vonesa të cilat pastaj neve na zunë në një proces pa Kuvend funksional dhe kësisoj pra është shtyrë apo është vonuar deri më tani edhe ratifikimi i këtij instrumenti”, tha ai./EO/

  • “Selimi duhet të shpallet i pafajshëm, kërkesa për 45 vjet burgim është dënim me jetë”, thotë mbrojtja e Selimit

    “Selimi duhet të shpallet i pafajshëm, kërkesa për 45 vjet burgim është dënim me jetë”, thotë mbrojtja e Selimit

    Fortuna Sheremeti e cila është pjesë e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit tha se klienti i saj duhet të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Megjithatë shtoi se kërkesa e Prokurorisë për 45 vjet burgim është dënim me jetë.

    “Nuk ka prova që të mbishtesën fajësinë për asnjërën prej pikave të akuzës për z.Selimi. duhet të shpallet pafajësia dhe nuk mund të flitet për masë dënimi. Megjithatë, nëse trupi gjykues arrinë në masën e dënimit, mbrojtja do të flas për kërkesën e pazakonshme të Prokurorisë”, tha ajo.

    Ajo tha se Prokuroria ka kërkuar këtë lartësi të dënimit duke u thirrur në një rregull por që kjo kërkesë është e paprecedent, transmeton Betimi për drejtësi.

    “Ajo kërkon 45 vite për secilin prej të akuzave duke u bazuar në rregullën 163 (4) dhe me një masë dënimi të përbashkët duk trajtuar totalitetin e pretenduar të sjelljes si një justifikim….Kërkesa e Prokurorisë është shproporcionale dhe e paprecedent në rrethana të kësaj çështje që nuk është provuar”, tha ajo.

    Rrjedhimisht, ai tha se një dënim prej 45 vjet është dënim joproporcional dhe është dënim me jetë.

    “Një dënim 45 vjeçar është një dënim me jetë. Ky nuk është proporcional”, tha ajo.

    Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly Ëest, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laës.

    Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e cila e vazhdoji edhe më 12 shkurt e që pas përfudimit të tyre, filloi ajo e Rexhep Selimit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Operacion antidrogë në Korçë, arrestohen tre persona

    Operacion antidrogë në Korçë, arrestohen tre persona

    Korçë, 13 shkurt 2026 – Policia e Korçës finalizoi operacionin e koduar “Zëmblaku”, duke arrestuar në flagrancë 36-vjeçarin A. C., bashkë me dy të dyshuarit e tjerë A. H., 44 vjeç, dhe P. Gj., 34 vjeç.

    Gjatë kontrolleve në një lokal në fshatin Zëmblak dhe në automjete, u sekuestruan lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, një armë gjahu pa leje, dy automjete, tre celularë, një DVR dhe një shumë monetare.

    Sipas policisë, A. C. dyshohet për shitjen, A. H. për transportin dhe P. Gj. për porositjen e drogës. Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

  • Partitë opozitare marrin udhëheqjen e disa komisioneve parlamentare

    Partitë opozitare marrin udhëheqjen e disa komisioneve parlamentare

    Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë propozuar anëtarët dhe kryetarët e tyre për komisionet parlamentare.

    Nga 16 komisione, nëntë do të udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, tri nga PDK-ja dhe dy nga LDK-ja. Një komision do të drejtohet nga Grupi Multietnik dhe një nga Lista Serbe.

    Opozita ka theksuar rëndësinë e përfaqësimit të barabartë dhe transparencës në funksionimin e komisioneve.

  • Bashkëshorti ushtron dhunë ndaj gruas në Fushë-Kosovë, shkak xhelozia

    Bashkëshorti ushtron dhunë ndaj gruas në Fushë-Kosovë, shkak xhelozia

    Një rast i dhunës në familje është raportuar në Fushë Kosovë, ku një grua ka kërkuar mbrojtje institucionale pas presioneve psikologjike nga bashkëshorti i saj.

    Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 12 shkurt rreth orës 12:00, kur viktima, rreth 36-vjeçare, është paraqitur në stacion policor dhe ka deklaruar se bashkëshorti, rreth 47 vjeç, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj për arsye xhelozie, pas realizimit të një fotografie me kolegët e punës.

    Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës. Hetimet janë në vazhdim.

  • Mair: Në fillimin e 98-ës s’ka pasur strukturë me zingjirë komanduese por grumbullim të njësive lokale-guerile

    Mair: Në fillimin e 98-ës s’ka pasur strukturë me zingjirë komanduese por grumbullim të njësive lokale-guerile

    Chad Mair i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit ka thënë se në pjesën e parë të 1998-ës nuk ka pasur strukturë me zingjirë komanduese por grumbullim të njësive lokale-guerile që kanë veprua në mënyrë të pavarur dhe horiziontale.

    Ai tha se edhe brenda Shtabit të Përgjithshëm në këtë moment kohor nuk ka pasur strukturë komanduese të vërtetë dhe nuk kishte përcaktim të qartë të përgjegjësive.

    “Kjo nuk është strukturë me zingjir komanduese por grumbullim i njësiteve lokale, njësitet guerile që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe horizontale pa ndonjë kohezion apo unitet. Brenda Shtabit të Përgjithshëm në këtë moment kohor nuk kishte strukturë komanduese të vërtetë dhe nuk kishte përcaktim të qartë të përgjegjësive”, tha avokati Mair.

    Përpara kësaj, avokati Mair tha se shumë ushtarë të UÇK-së duke përfshirë edhe komandantët, gjatë kësaj periudhe kohore nuk e dinin as ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm apo anëtarëve të cilët ishin pjesë të tij.

    “Provat dëshmojnë se gjatë pjesës më të madhe të 1998-ës ka patur pak lidhje midis këtyre njësiteve dhe kishte një lidhje shumë të dobët me Shtabin e Përgjithshëm. Lidhje shumë e dobët kur e themi këtë është se shumë ushtarë të UÇK-së duke përfshirë komandantët nuk dinin as për ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm apo anëtarëve të tyre dhe thjeshtë”, tha ai.

    Përveç kësaj, Mair tha se në atë kohë, vetë zonat ishin në zhvillim e sipër, raporton “Betimi për Drejtësi.

    “Vetë zonat ishin në zhvillim e sipër dhe pjesën më të madhe të paformuara. Kjo vlen për pjesën e parë të 1998-ës”, tha avokati Mair.

    Tutje, Mair tha se është e rëndësishme mungesa e provave që Shtabi i Përgjithshëm kishte autoritetin për të përcaktuar detyra apo për të zbatuar urdhra.

    “E rëndësishme është mungesa e provës që Shtabi i Përgjithshëm kishte autoritet për të përcaktuar detyra apo për të zbatuar urdhra”, tha ai.

  • “Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, thotë Gërvalla pasi merr postin e ministres së Drejtësisë

    “Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, thotë Gërvalla pasi merr postin e ministres së Drejtësisë

    Donika Gërvalla e ka pranuar detyrën e ministres së Drejtësisë duke e vlerësuar rolin e kësaj ministrie në raport me ligjin dhe drejtësinë.

    “Gjatë ditës së djeshme, nga ish-U.D. i Ministrit të Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, pranova detyrën e Ministres së Drejtësisë, e vetëdijshme për rolin vendimtar që ky dikaster, si strukturë kyçe e shtetit, luan në konsolidimin e tij dhe përkushtimin e palëkundur për të krijuar institucione të forta, ligj të zbatueshëm dhe drejtësi të barabartë për të gjithë”, shkroi Gërvalla në Facebook.

    “Drejtësia është gurthemeli i Republikës sonë. Reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë tonë për të ndërtuar një shtet ku ligji nuk negocion, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim”.

    Ajo tha se askush nuk guxon të jetë mbi ligjin dhe se ky parim udhëheq kauzën për një Kosovë të drejtë.

    “Kjo është beteja jonë për drejtësi, dinjitet institucional dhe besimin e qytetarëve”.

    “Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin! Ky është parimi që udhëheq kauzën tonë dhe garancia se Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë edhe më e fortë, edhe më e drejtë dhe edhe më krenare për secilin qytetar të Kosovës. Na priftë e mbara!”

  • Mblidhen dy komisione të Kuvendit, shqyrtojnë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare

    Mblidhen dy komisione të Kuvendit, shqyrtojnë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare

    Dy komisione të Kuvendit të Kosovës, ai për buxhet, punë dhe transfere si dhe Komisioni për integrimet evropiane do të mblidhen sot për herë të parë pas formimit.

    Komisioni për Buxhet punë dhe transevere ka në rend dite shqyrtimi në parim të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 si dhe projektligjet për katër marrëveshje ndërkombëtare.

    Në mbledhjen e thirrur për në orën 12 ky komision do të shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim, atë për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim për projektin “kompas” – qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim (anzh) për projektin “edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës” si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “instrumentin për reforma dhe rritje për ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Kosovës si huamarrës dhe bankës qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit.

    Ndërsa Komisioni për Integrime Evropiane, do të mblidhet në orën 11:30 dhe do ta shqyrtojë Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje”.