ATV

Category: Lajme

  • Tronditje në Shanghai! – Gropa gjigante përpiu rrugën pas dramës me rrjedhjen e metrosë

    Tronditje në Shanghai! – Gropa gjigante përpiu rrugën pas dramës me rrjedhjen e metrosë

    Paniku shpërtheu në Shangai kur një gropë gjigante u hap papritur në Distriktin Minhang, duke përpirë një pjesë të madhe të rrugës dhe duke dëmtuar strukturat përreth!

    Dëshmitarët okularë thonë se toka u shemb pa paralajmërim, duke krijuar një krater të frikshëm që përpiu asfaltin brenda sekondash. Fotot nga vendngjarja tregojnë asfalt të çarë, beton të thyer dhe banorë të tronditur që shikonin boshllëkun e madh aty ku pak çaste më parë ishte një rrugë e frekuentuar.

    Shembja dramatike ndodhi vetëm NJË DITË pasi punëtorët zbuluan një rrjedhje uji gjatë gërmimeve për Linjën e Metrosë Jiamin. Shumë banorë nuk janë të bindur se kjo nuk ishte rastësi.

    Ekipet e ndërtimit po punonin në kuadër të zgjerimit të madh të metrosë kur u zbulua rrjedhja dhe tani po ngrihen pikëpyetje nëse punimet nëntokësore mund të kenë shkaktuar dobësimin e tokës dhe shembjen e papritur.

    Megjithë kaosin dhe dëmet materiale, autoritetet konfirmuan se për mrekulli, nuk u raportua asnjë i lënduar. Zona u rrethua menjëherë nga forcat e sigurisë, ndërsa inxhinierët u angazhuan për të vlerësuar stabilitetin e ndërtesave përreth dhe për të parandaluar një shembje tjetër.

    Banorët treguan se dëgjuan zhurma të çuditshme para se rruga të hapej. “Dukej si bubullimë nën tokë. Pastaj gjithçka u shemb.” tha një dëshmitar për gazetën Daily Mail.

    Autoritetet po hetojnë shkaqet, duke u fokusuar veçanërisht te rrjedhja e ujit dhe ndikimi i saj i mundshëm në dobësimin e terrenit.

    Për momentin, Distrikti Minhang mbetet në alarm, ndërsa ekipet punojnë pa ndalur për të stabilizuar zonën dhe për të riparuar dëmet, ndërsa i gjithë Shangai ndjek me vëmendje zhvillimet.

    Por ky ishte veçse një paralajmërim i frikshëm që mund të kishte përfunduar shumë më keq.

  • Ahmeti fton shqiptarët: Më 17 Shkurt të marshojmë për njerëzit që kontribuuan për liri e pavarësi

    Ahmeti fton shqiptarët: Më 17 Shkurt të marshojmë për njerëzit që kontribuuan për liri e pavarësi

    Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ju ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të marrin pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt.

    Përmes një videoqë e ka postuar në rrjetet sociale, ai ka vlerësuar se të gjithë duhet të marshojnë të martën për njerëzit që kontribuuan për liri dhe pavarësi.

    “Të dashur vëllezër e motra, Ju ftoj që të gjithë së bashku të marshojmë për “Drejtësi, jo politikë” më 17 Shkurt 2026, ora 14:00 – Sheshi “Skënderbeu”, Prishtinë, në mbështetje të njerëzve që kontribuan për liri e pavarësi të cilën e gëzojmë ne sot”, ka shkruar ai.

  • Shaqir Totaj në mbështetje të Marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Shaqir Totaj në mbështetje të Marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesja e platformës Liria ka Emër, Eliza Hoxha ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Shaqir Totaj dhe administrata komunale, të cilët shprehën mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Gjatë takimit, Hoxha shprehu mirënjohje për përkrahjen e ofruar nga Komuna e Prizrenit.

    “Mbështetja që po marrim nga komunat dhe kryetarët e tyre dëshmon se kjo kauzë i tejkalon dallimet dhe buron nga vetë ndërgjegjja qytetare”, theksoi Hoxha.

    Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj u zotua për angazhim në mobilizimin e bashkëqytetarëve të tij, për pjesëmarrje sa më masive në Marsh.

    “Kjo është një thirrje që meriton mbështetje të gjerë qytetare. U kam bërë dhe u bëj thirrje qytetarëve të Prizrenit dhe të gjithë Kosovës që më 17 shkurt të bashkohen në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët”, deklaroi Totaj.

    Platforma “Liria ka Emër” falënderon të gjitha kategoritë e shoqërisë që po mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë”, duke e shndërruar atë në një kauzë gjithëpërfshirëse qytetare në mbrojtje të drejtësisë dhe së vërtetës historike të luftës së popullit të Kosovës për liri.

  • Mimoza Kusari e pranon detyrën nga Rozeta Hajdari: Pas 15 viteve rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë

    Mimoza Kusari e pranon detyrën nga Rozeta Hajdari: Pas 15 viteve rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë

    Ministrja e re e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila ka pranuar sot zyrtarisht detyrën nga ish-Ministrja Rozeta Hajdari.

    Kusari-Lila është zotuar për politika mbështetëse për sektorin privat, start-up-et, fuqizimin ekonomik të grave, forcimin dhe brendimin e produkteve “Made in Kosova”, si dhe ngritjen e eksportit dhe rritjen e produktivitetit të prodhimit kosovar.

    “Incentivizimi i bizneseve për të punuar me politka miqësore mjedisore, duke promovuar ekonominë qarkore, do të kenë fokusin tim të veçantë”, ka shkruar Kusari-Lila.

  • Murati: Çështja e presidentes pas përfundimit të tre hapave emergjentë

    Murati: Çështja e presidentes pas përfundimit të tre hapave emergjentë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ritheksuar se çështja e presidentes do të trajtohet vetëm pasi të përmbyllen tre hapat emergjentë të përcaktuar nga Qeveria.

    Duke folur para mediave të premten, Murati theksoi se kryeministri tashmë ka sqaruar qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.

    Sipas tij, fillimisht duhet të përmbyllen tre prioritetet emergjente, ndër të cilat aktualisht në fokus është miratimi i buxhetit dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë afat skadence.

    “Çështjes së presidentit, kryeministri gjatë ditës së djeshme e sqaroi që pasi të përmbyllen tre hapat emergjent, njërin ndër ta jemi pikërisht tani, miratimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë afat skadence. Ai është i gatshëm që të ulet me subjektet tjera politike që përfaqësohen në kuvend dhe të diskutojë se si të gjendet zgjedhja për të ecur tutje. Nga dje deri më sot nuk është se ka ndryshuar diçka, qëndrimi vazhdon të jetë i njëjtë”, ka deklaruar Murati.

    Ai shtoi se fokusi aktual i Qeverisë mbetet procedimi sa më i shpejtë në Kuvend i marrëveshjeve ndërkombëtare, në mënyrë që ato të vihen në dispozicion të Republika e Kosovës.

    Sipas Muratit, zbatimi i reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian përbën një nga përfitimet më të mëdha në raport me bruto produktin vendor, duke theksuar se Kosova është ndër përfituese kryesore nga këto marrëveshje.

  • Mitrovica nis aksion humanitar për familjet në nevojë në prag të Ramazanit

    Mitrovica nis aksion humanitar për familjet në nevojë në prag të Ramazanit

    Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës ka nisur aksionet humanitare në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, me qëllim mbështetjen e familjeve me gjendje të rënduar ekonomike.

    Drejtori i Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, Ramadan Beshiri, ka njoftuar se në bashkëpunim me donatorët janë shpërndarë 50 pako ushqimore për familjet në nevojë.

    Sipas tij, ky aktivitet synon lehtësimin e barrës sociale dhe ofrimin e mbështetjes konkrete për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.

    Nga Komuna e Mitrovicës kanë bërë të ditur se aksionet humanitare do të vazhdojnë edhe gjatë muajit të Ramazanit, në funksion të solidaritetit dhe përkrahjes sociale për qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike.

  • Kuvendi mblidhet në orën 15:00 për marrëveshjet ndërkombëtare

    Kuvendi mblidhet në orën 15:00 për marrëveshjet ndërkombëtare

    Deputetët do të mblidhen të premten nga ora 15:00 në seancë në kuvend për të shqyrtuar dhe ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare

    Janë pesë marrëveshje ndërkombëtare që presin ratifikim, ndërsa edhe buxheti për vitin 2026 do të mund të shqyrtohet në parim.

    Nga ato është edhe Marrëveshja e financimit për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrushmërinë dhe rritjen e gjelbër” mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore). Sot. 13 shkurt, është dita e fundit kur Kuvendi i Kosovës ka kohë të ratifikojë këtë marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 90.3 milionë eurosh.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se marrëveshja ka vlerë totale prek 90.3 milionë euro.

    Në rend janë Projektligji për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje; Projektligjit nr.10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim; Projektligji nr.10/L-005 për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim për projektin “kompas” – qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë; Projektligji nr.10/L-006 për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim (anzh) për projektin “edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”; Projektligji nr.10/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “instrumentin për reforma dhe rritje për ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës dhe Kosovës si huamarrës dhe Bankës Qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit.

  • Aksion i madh në Pejë, cak argjendaritë

    Aksion i madh në Pejë, cak argjendaritë

    Një operacion i gjerë është zhvilluar të premten në qytetin e Pejës, ku autoritetet kanë ndërmarrë veprime në kuadër të një aksioni të koordinuar institucional.

    Sipas burimeve të Klankosova.tv, ky aksion është ndërmarrë nga Prokuroria Themelore në Pejë, Krimet Ekonomike, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, Dogana e Kosovës e ATK-ja.

    Ekipet kanë zbarkuar në zonën e njohur si Çarshia e Gjatë, ku në fokus të kontrollit kanë qenë disa argjendari.

  • Zhdukja e ish-politikanes amerikane në Arizona, FBI-ja rrit në 100 mijë dollarë shpërblimin për informacion që çon në gjetjen e 84-vjeçares

    Zhdukja e ish-politikanes amerikane në Arizona, FBI-ja rrit në 100 mijë dollarë shpërblimin për informacion që çon në gjetjen e 84-vjeçares

    Dymbëdhjetë ditë pas zhdukjes së ish-politikanes amerikane, Nancy Guthrie nga Tucson, Arizona, FBI njoftoi një rritje të shpërblimit në 100 mijë dollarë për informacion që çon në vendndodhjen e saj ose arrestimin e personave të përfshirë, ndërsa publikoi gjithashtu një përshkrim të ri të të dyshuarit të regjistruar nga kamera e ziles së derës së shtëpisë së saj.

    Zyra e FBI-së në Phoenix ka publikuar një përshkrim të burrit të kapur nga kamera e ziles së derës së Nancy Guthrie. Autoritetet thonë se ai është rreth 1.75 deri në 1.80 i gjatë, me një trup mesatar dhe mbante veshur një çantë shpine të zezë për Hiking.

    “Shpresojmë që ky përshkrim i përditësuar do të ndihmojë në përqendrimin e informacionit që marrim nga publiku”, tha FBI në një deklaratë. Që nga 1 shkurti, më shumë se 13 mijë informacione janë paraqitur në agjencinë federale, ndërsa Zyra e Sherifit të Qarkut Pima ka marrë gati 18 mijë telefonata.

    FBI njoftoi se shpërblimi po rritet nga 50 mijë dollarë në 100 mijë dollarë për informacionin që çon drejt 84-vjeçares ose në arrestimin e atyre që janë përfshirë në zhdukjen e saj.

    Sipas një burimi të njohur me hetimin, publikimi i detajeve shtesë rreth personit të kapur në video synon gjithashtu të zvogëlojë informacionin që konsiderohet i parëndësishëm për rastin dhe që vjen nga pjesë të ndryshme të vendit.

    Megjithatë, autoritetet theksojnë se vazhdojnë t’i bëjnë thirrje publikut të raportojë çdo gjë që mund të lidhet me rastin, edhe nëse informacioni duket i parëndësishëm.

    Fqinjëve të 84-vjeçares në Tucson u është kërkuar të dorëzojnë çdo pamje filmike nga zilja e derës ose kamerat e sigurisë që kapin automjete dhe njerëz, madje edhe deri në katër javë para zhdukjes së saj. Prezantuesja e emisionit “Today” të NBC, Savannah Guthrie, vajza e të zhdukurës, ndau publikisht një video familjare të nënës së saj, duke thënë “ne nuk do të ndalemi kurrë ta kërkojmë atë”.

  • UP shënon 56-vjetorin e themelimit, Hajrullahu: Ky universitet asnjëherë nuk u thye

    UP shënon 56-vjetorin e themelimit, Hajrullahu: Ky universitet asnjëherë nuk u thye

    Universiteti i Prishtinës ka shënuar 56-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne, ku u theksua roli historik dhe aktual i këtij institucioni në zhvillimin arsimor, shkencor dhe shoqëror të vendit, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë ceremoni u vlerësua kontributi i universitetit ndër vite, si dhe orientimi i tij drejt zhvillimit dhe të ardhmes së arsimit të lartë në Kosovë.

    Gjatë aktivitetit, përfaqësues institucionalë dhe akademikë theksuan rëndësinë e Universitetit të Prishtinës si shtyllë e dijes dhe formimit profesional, duke nënvizuar edhe reformat dhe mbështetjen institucionale për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

    Rektori i Universiteti i Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se UP-ja është krenaria dhe e ardhmja e vendit, duke shtuar se institucioni është i orientuar drejt kohës dhe drejt së ardhmes.

    “Përvjetorët si ky i 56 janë momente solemne që kalohen me dinjitet, me krenari dhe me reflektim për të kaluarën dhe synimet që kemi për të ardhmen. Që nga themelimi i tij, Universiteti i Prishtinës nuk ishte asgjë e thjeshtë dhe asgjë nuk mund të merrej si e mirëqenë. Ky universitet i krijuar nga fuqia e popullit që e projektoi, arriti të mbijetojë periudha tepër të vështira: diskriminimin e vazhdueshëm të popullit shumicë, aparteidin dhe dëbimin nga objektet universitare gjatë viteve të 90-ta, rezistencën civile dhe të armatosur. Universiteti i Prishtinës asnjëherë nuk u thye, asnjëherë nuk u ndal, gjithmonë vazhdoi rrugën përpara si një flakadan krah për krah me fatin dhe synimet e njerëzve të kësaj toke për një të ardhme më të zhvilluar, më të rritur e më paqësore”, tha ai.

    Zëvendësministri në Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi, tha se përvjetori i Kuvendit Themelues të Universitetit të Prishtinës përkujton krijimin e institucionit të parë të arsimit të lartë në Kosovë, i cili sipas tij ishte jo vetëm pishtar i dijes, por edhe faktor i rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

    “Kemi sot këtu për të parë këtë ekspozitë të përgatitur për të kujtuar 56 vjetorin e Kuvendit Themelues të Universitetit të Prishtinës, i cili për herë të parë në Kosovë krijoi një institucion të lartë arsimor i cili ishte i vetmi atëherë dhe i cili përveç se ishte pishtar i dijes, ai ishte edhe një pishtar i rrugës tonë, i ngritjes dhe i vetëdijes tonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e vendit, e cila normalisht që u kurorëzua edhe me çlirimin e vendit dhe me arritjen e pavarësisë.

    Roli i këtij institucioni të vetëm arsimor të lartë atëherë, ishte i jashtëzakonshëm edhe për ne është nder që pikërisht sot kujtojmë këtë themelim të këtij universiteti. Unë jam i vetëdijshëm për rolin që ka pasur ndër vite ky universitet, i cili më vonë pas viteve të 90-ta është shoqëruar me universitete të tjera, qoftë publike apo private, por atë botë normalisht ishte i pazëvendësueshëm dhe kishte një rol të jashtëzakonshëm”, tha ai.

    Ai shtoi se ministria ka ndërmarrë hapa për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë përmes reformave legjislative dhe rregullative, investimeve në infrastrukturë akademike dhe mbështetjes për studentët përmes arsimit falas dhe bursave të ndryshme, përfshirë ato për fusha STEM dhe kategori të veçanta.

    “Andaj si Ministri e Arsimit, të vetëdijshëm për rolin e arsimit të lartë në Kosovë, kemi marrë disa hapa dhe është një punë e vazhdueshme që po bëhet dhe do të vazhdojë sigurisht edhe me kabinetin e ri qeveritar për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Janë bërë reforma të ndryshme, qoftë në aspektin legjislativ dhe rregullativ të universitetit, por edhe mbështetje qoftë direkte për ngritjen e infrastrukturës brenda njësive akademike, brenda fakulteteve, por sigurisht edhe mbështetje direkte për studentët duke siguruar arsimin e lartë falas për të gjitha nivelet e arsimit të lartë, por edhe duke u shoqëruar me bursa të ndryshme, qoftë bursa elitare apo bursa të tjera për fusha STEM, për kategori të veçanta ashtu siç janë personat me nevoja të veçanta, për komunitetet rom, ashkali, egjiptian”, tha ai.

    Nënkryetari i Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Fejzullah Krasniqi, tha se që nga themelimi, Universiteti i Prishtinës ka qenë shtylla kryesore e dijes, kërkimit shkencor dhe zhvillimit intelektual në vend.

    Ai theksoi se universiteti ka shërbyer si vatër e përgatitjes së kuadrove që kanë kontribuar në të gjitha fushat e jetës shoqërore, shkencore, ekonomike dhe kulturore, duke shtuar se ky institucion ka qenë pikë referimi për brezat e rinj nga të gjitha trojet shqiptare dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e identitetit dhe aspiratave për zhvillim të qëndrueshëm.

    “Që nga themelimi, Universiteti i Prishtinës ka qenë shtylla kryesore e dijes, kërkimit shkencor, zhvillimit intelektual dhe formimit profesional në vendin tonë. Për dekada me radhë, ai ka shërbyer si vatër e përgatitjes së kuadrove, të cilat kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e jetës shoqërore, shkencore, ekonomike dhe kulturore. Ky institucion i shenjtë i dijes ka qenë qendër për arsimin, por edhe një pikë referimi për brezat e rinj nga të gjitha trojet me popullatë shqiptare, duke kontribuar jo vetëm në ngritjen e tyre në aspektin profesional e shkencor, por edhe në forcimin e identitetit dhe vetëdijes kombëtare dhe aspiratave për liri dhe zhvillim të qëndrueshëm. Përmes përkushtimit të pa lëkundur të stafit akademik dhe administrativ, si dhe përmes punës së palodhshme dhe ambicies së studentëve, Universiteti i Prishtinës ka dëshmuar vazhdimisht misionin e tij në avancimin e arsimit të lartë”, tha ai.