ATV

Category: Lajme

  • Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Begaj: Sot është një ditë e madhe, Shqipëria është me UÇK-në dhe komandantët e saj

    Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Begaj: Sot është një ditë e madhe, Shqipëria është me UÇK-në dhe komandantët e saj

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se ky përvjetor i 18-të i pavarësisë është dëshmia që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, raporton Ekonomia Online.

    Ai në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ku u mbajt seanca solemne në 18 vjetorin e pavarësisë, tha se Kosova ecën drejt së ardhmes, duke mos harruar themelet mbi të cilat u ndërtua, e ku theksoi se Shqipëria është me UÇK-në dhe komandantët e saj.

    “Sot Kosova mbush 18 vjeç; në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë. Momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Në jetën e një shteti, ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej; sot është vendi ku liria funksionon, ku liria frymëzon. Kosova e sotshme është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash. Ecën me hapa të sigurt drejt të ardhmes, pa harruar kurrë themelet mbi të cilat u ndërtua”, tha Begaj.

    Ai ka theksuar se historia e Kosovës nuk mund të kuptohet pa kontributin e ish-drejtuesve të luftës, duke përmendur proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë si sfidë aktuale për ish-udhëheqësit dhe për narrativën historike të luftës.

    “Në këtë përvjetor, mendimi ynë shkon tek ata që nuk janë fizikisht mes nesh. Në zemrat tona janë dëshmorët e lirisë aty ku ata prehen. Por sot, mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në gjykatën ndërkombëtare, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. Ata, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar lirinë për atdheun e tyre, lirinë për familjet e tyre, për tokën e tyre, gjuhën e tyre, të drejtat e tyre, janë siç kanë qenë e do të jenë gjithmonë, kudo, kurdo e në çdo kohë, simbole të lirisë. Ata janë memorie shtetërore e kombëtare. E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet e as ndryshohet, sepse liria ka emër, liria meriton respekt, liria meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje. Republika e Shqipërisë është me UÇK-në”, tha ai.

  • Përqafim i ngrohtë mes bacës Rifat dhe presidentit Begaj

    Përqafim i ngrohtë mes bacës Rifat dhe presidentit Begaj

    Pak para nisjes së seancës solemne në nder të Pavarësisë së Kosovës, një përshëndetje e ngrohtë ndodhi mes Rifat Jasharit dhe presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Në këtë seancë, pos tyre, po marrin pjesë të zgjedhurit e popullit dhe presidentja Vjosa Osmani.

    Po ashtu, në seancë janë prezent edhe familjarë të dëshmorëve e ambasadorë.

    Osmani në Ditën e Pavarësisë: UÇK-ja ishte shtylla e shpresës, historia s’mund të rishkruhet

  • Osmani në Ditën e Pavarësisë: UÇK-ja ishte shtylla e shpresës, historia s’mund të rishkruhet

    Osmani në Ditën e Pavarësisë: UÇK-ja ishte shtylla e shpresës, historia s’mund të rishkruhet

    Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani tha se 18 vjet më parë, vendi u ngrit nga vuajtja në dinjitet, nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.

    E para e vendit tha se Pavarësia e Kosovës u fitua me mund e gjak, dhe nga njerëz që s’u dorëzuan kurrë për liri, transmeton Klankosova.tv.

    “18 vjet më parë, Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet, nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vjet më parë, Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, me gjak, me sakrificë dhe durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, u dënuan por asnjëherë nuk u dorëzuan”, tha Osmani.

    Nga ana tjetër, Osmani tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj.

    “Ajo është zemra e rezistencës kombëtare dhe përgjigja e një populli të shtypur nga regjimi gjenocidal. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, gjithnjë e pastër dhe gjithnjë e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë, për ta barazuar viktimën me agresorin, është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjinden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë, u ngritën për liri, për dinjitet dhe për të drejtën për të jetuar të lirë. Lufta e UÇK-së ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe shpresës”, tha e para e vendit.

  • Nis seanca solemne në Kuvend, intonohet himni shtetëror

    Nis seanca solemne në Kuvend, intonohet himni shtetëror

    Ka filluar seanca solemne në Kuvendin e Kosovës me rastin e kremtimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Në këtë seancë prezente është presidentja Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Rifat Jashari e diplomatë të huaj.

    Përgatitje solemne në Kuvend për Ditën e Pavarësisë, Rifat Jashari i pranishëm mes figurave kryesore

  • Në foltoren e Kuvendit, deputetja e PDK-së e vendos emblemën e UÇK-së

    Në foltoren e Kuvendit, deputetja e PDK-së e vendos emblemën e UÇK-së

    Në Kuvendin e Kosovës sot mbahet seanca solemne me rastin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Aty veçse po bëhen përgatitjet e fundit për këtë seancë.

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka vendosur emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ballë të foltores.

  • Kryeministri Rama publikon fotografi nga aktiviteti “Kosova e burgosur”

    Kryeministri Rama publikon fotografi nga aktiviteti “Kosova e burgosur”

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale fotografi nga aktiviteti simbolik i zhvilluar pranë monumentit NEWBORN në Prishtinë.

    Aksioni i aktivistëve përfshiu vendosjen e një grile hekuri në mënyrë simbolike mbi monument, shoqëruar me mbishkrimin “Kosova e burgosur”. Po ashtu, u vendosën 5 mijë emblema me tri shkronjat e arta “UÇK”.

    Në postimin e tij, Rama shkroi:
    “RESPEKT🙏
    Pas ‘burgosjes’ simbolike me një grilë hekuri të përkujtimores së mirënjohur NEWBORN, me mbishkrimin ‘Kosova e burgosur’, sot aktivistët kanë vendosur 5000 emblema të UÇK-së.”

    Aktiviteti ka ngjallur reagime dhe diskutime në opinionin publik, duke u interpretuar si një akt simbolik në mbështetje të çështjeve që lidhen me Kosovën.

  • Presidentja e Maqedonisë së Veriut uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, përcjelli një mesazh urimi për Kosovën me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

    Ajo shprehi mbështetjen dhe vlerësimin për shtetin e Kosovës, duke i dëshiruar zhvillim të qëndrueshëm dhe qetësi institucionale.

    “Urime 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ju uroj stabilitet dhe prosperitet. Si vende mike, ne ushqejmë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe punojmë drejt përmbushjes së vizionit tonë të përbashkët për integrimin evropian të rajonit. Pres me padurim thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë në interes të qytetarëve tanë”, shkroi ajo.

    Siljanovska-Davkova theksoi se raportet mes dy vendeve mbeten në frymë bashkëpunimi, me synim avancimin e agjendës evropiane dhe forcimin e lidhjeve në dobi të qytetarëve në të dy anët e kufirit.

  • Ekranet gjigante në Times Square të Nju Jorkut shfaqin flamurin e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë

    Ekranet gjigante në Times Square të Nju Jorkut shfaqin flamurin e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë

    Me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, evente të ndryshme janë organizuar si në Kosovë ashtu edhe në vende tjerë ku jetojnë shqiptarë.

    Por ajo çfarë bie më shumë në sy është se sheshi i njohur i qytetit amerikan Nju Jork – Times Square ka ndezur ekranet gjigante ku shfaqet flamuri i Kosovës dhe një mesazh që uron pavarësinë.

    Times Square konsiderohet si një prej shesheve më të njohura në botë, kurse flamuri i Kosovës u pa duke ‘valëvitur’ në ekranet gjigante që janë të vendosura.

    Ndryshe telegrame urimi kanë ardhur në adresë të qeverisë dhe presidencës së Kosovës, duke uruar pavarësinë e Kosovës.

  • Më 27 shkurt fillon gjykimi i dytë ndaj Thaçit, Specialja del me njoftim

    Më 27 shkurt fillon gjykimi i dytë ndaj Thaçit, Specialja del me njoftim

    Gjykata Speciale ka njoftuar se më 27 shkurt do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e dytë ndaj Thaçit ku përfshihen edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

    Sipas një njoftimi të Speciales, seanca mbahet në orën 09:30 dhe do të përfundojë në orën 16:00.

    Aktakuza fillestare ndaj tyre u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025.

    Sipas aktakuzës, midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, duke i udhëzuar ata “që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin”.

    Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga Smakaj, Fazliu, Kilaj, Kuçi dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.
    “Isni Kilaj u arrestua së pari si i dyshuar më 2 nëntor 2023, dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024. Pas konfirmimit të aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe transferuan në njësinë e paraburgimit të DHSK-së. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm. Prokuroria dorëzoi dosjen paraprake të saj më 19 shtator 2025. Z. Smakaj, z. Thaçi dhe z. Fazliu dorëzuan dosjet paraprake të tyre më 19 dhe 20 tetor 2025. Dosja e çështjes iu kalua për gjykim Gjykatësit të Vetëm më 12 nëntor 2025. Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë për të dytën herë në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm më 10 dhjetor 2025. Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026 në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm”, theksohet më tej në aktakuzë.

  • Italia i vendos pikë turizmit masiv, kufizime të reja në Kapri

    Italia i vendos pikë turizmit masiv, kufizime të reja në Kapri

    Mbingarkesa e shkaktuar nga fluksi i madh i vizitorëve gjatë verës ka detyruar autoritetet lokale në Kapri të ndërmarrin masa të reja për menaxhimin e turizmit.

    Ishulli, me rreth 13 mijë banorë, përballet çdo sezon veror me deri në 50 mijë vizitorë në ditë. Kjo situatë ka krijuar presion të madh në porte, rrugë dhe zonat më të frekuentuara turistike. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, nga sezoni i ardhshëm veror do të lejohen të zbresin në ishull vetëm grupe të organizuara me maksimum 40 persona. Vendimi është miratuar njëzëri nga këshilli bashkiak.

    Rregullorja e re parashikon që guidat turistike të grupeve me mbi 20 persona nuk do të mund të përdorin altoparlantë gjatë tureve në qytetin kryesor. Në vend të tyre, do të përdoren kufje me radio, me qëllim reduktimin e zhurmës dhe shqetësimeve për banorët dhe vizitorët e tjerë.

    Po ashtu, drejtuesit e grupeve do të duhet të identifikohen me bexha të dukshëm në qafë dhe nuk do të lejohen të përdorin mjete sinjalizuese si çadra apo flamuj të vendosur mbi shkopinj. Ata do të kenë përgjegjësinë të mbajnë grupet të bashkuara, të sigurojnë lëvizje të rregullt dhe të shmangin bllokimin e rrugëve dhe shesheve.

    Kapri, i vendosur në Gjiri i Napolit, është i njohur për vilat me mure të bardha, bregdetin shkëmbor dhe atraksione të famshme si Grotta Azzurra. Megjithatë, gjatë sezonit të pikut, portet, pikat panoramike dhe monumentet historike të ishullit mbingarkohen rregullisht.

    Me këto masa, autoritetet synojnë të ruajnë cilësinë e jetës për banorët vendas dhe përvojën e vizitorëve, duke vendosur një ekuilibër mes turizmit dhe qëndrueshmërisë.