ATV

Category: Lajme

  • “Marlboro, Winston, Sobranie…” – Policia kufitare sekuestron rreth një ton duhan që vinte me barkë nga Shqipëria

    “Marlboro, Winston, Sobranie…” – Policia kufitare sekuestron rreth një ton duhan që vinte me barkë nga Shqipëria

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë implementimit të Planit Operativ “Parandalimi i Kontrabandës në Brezin Kufitar”, më 16.02.2026 në orët e mbrëmjes, patrulla e policisë kufitare, SPMK Vërmicë, gjatë vëzhgimit të terrenit me pajisje nate, ka vërejtur një barkë në Liqenin e Vërmicës që lëvizte nga territori i Shqipërisë në drejtim të Republikës së Kosovës.

    Pas shkarkimit të mallit, personat e dyshuar që ndodheshin në barkë kanë vërejtur prezencën e Policisë dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Shqipërisë.

    Për rastin është njoftuar menjëherë Policia Kufitare e Shqipërisë, me të cilën po vazhdon bashkëpunimi dhe koordinimi institucional.

    “Gjatë kontrollit të terrenit, njësitë policore kanë gjetur një rimorkio me mall të dyshuar si kontrabandë. Në vendngjarje është sekuestruar një sasi e konsiderueshme duhani i përpunuar në paketime prej 500 gramësh, si në vijim: Marlboro – 320 pako, Dunhill – 30 pako, Davidoff – 450 pako, Parliament – 150 pako, Winston – 150 pako, Sobranie – 350 pako, Pall Mall – 30 pako, Lucky Strike – 450 pako dhe Camel – 60 pako. Sasia e përgjithshme e duhanit të sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 1,000 kilogramë”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka rekomanduar sekuestrimin e mallit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kontrabandë me mallra”. Rasti është duke u hetuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.

    Policia e Kosovës ka shtuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale ndërkufitare.

     

  • Vjosa Osmani “kuvendon” me Rifat Jasharin në seancën solemne për 17 Shkurt

    Vjosa Osmani “kuvendon” me Rifat Jasharin në seancën solemne për 17 Shkurt

    Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar një fotografi me Rifat Jasharin nga seanca solemne për kremtimin e 18-vjetorit të pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.

    Osmani në fjalën e saj në këtë seancë tha se “UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj” dhe “shtylla më e fortë” e shtetit që “nuk mund të zhbëhet nga asnjë përpjekje për rishkrim apo deformim të historisë”.

  • Ambasadori britanik uron Pavarësinë e Kosovës, përmend edhe Thaçin

    Ambasadori britanik uron Pavarësinë e Kosovës, përmend edhe Thaçin

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

    Përmes një video të shpërndarë në faqen e tij zyrtare, Hargreaves tha se Britania e Madhe është krenare që ka një partnere si Kosovën, transmeton Klankosova.tv.

    “Ndërsa shohim përpara, ne mbetemi të përkushtuar për të punuar krah për krah për një Evropë të fortë, të sigurt dhe të begatë”, tha ai.

    Pos tjerash ai përmendi edhe deklaratën e ish-kryeministrit Hashim Thaçi të shpalljes së pavarësisë.

  • “Ein Wunder”- Rrëfimi prekës i të mbijetuarit të familjes Berisha, i gjendet plumbi në trup pas 27 vjetësh

    “Ein Wunder”- Rrëfimi prekës i të mbijetuarit të familjes Berisha, i gjendet plumbi në trup pas 27 vjetësh

    I mbijetuari i masakrës mbi familjen Berisha në Suharekë në 1999, Gramoz Berisha ka treguar sot se i është gjetur një plumb në trup, 27 vjet pas përfundimit të luftës.

    Berisha në një postim në Facebook shkruan se ishte i plagosur në luftë nga forcat serbe në krahun e majtë, por së fundi ka kuptuar që një plumb e ka edhe në krahun e djathtë.

    Lexoni të plotë postimin e tij:

    27 vite më parë, kur bashkë me mamin kërcyem nga kamioni, unë isha i plagosur në krahun e majtë.

    Ajo plagë ma kishte mundësuar të shtiresha si i vdekur kur na kapën tek piceria dhe na hodhën në kamion bashkë me trupat e tjerë.

    Vite të tëra jam trajtuar për plagën në krahun e majtë. Të gjithë mjekët më kishin thënë se plumbi kishte rrëshqitur dhe nuk ishte më në trupin tim.

    27 vite dhimbje, krenari, mungesë dhe përpjekje për të gjetur qoftë edhe një kockë të familjarëve tanë, që nuk arritën të kërcenin nga kamioni që i barte si kufoma

    Unë, mami Vjollca dhe Shyhretja ishim të vetmit që kërcyem. Të tjerët shkuan me kamion. Edhe motra Dafina, edhe vëllai im Driloni, edhe babi Sedat.

    Të 49 anëtarët e familjes sonë shkuan. Kishte edhe të gjallë brenda. Kishte edhe thirrje për ndihmë nga kamioni. Por nuk kërcyen. Shkuan. Mbijetuam vetëm ne të tre.

    Para tre muajsh ndjeva një dhimbje të tmerrshme në krahun tim të djathtë.

    I bindur se nuk kishte asnjë lidhje me të kaluarën time, meqë plagën e kisha në krahun e majtë, iu drejtova mjekëve këtu në Shtutgart. Filluan ekzaminimet. Pas disa fotografimeve, nisën të më bëjnë pyetje:

    — A mos keni qenë pjesë e ndonjë plaçkitjeje?

    — Jo.

    — A keni marrë pjesë në ndonjë shkëmbim zjarri?

    — Po. Jam i mbijetuar… Ua tregova edhe plagën në krahun e majtë.

    U mblodhën shumë mjekë. “ein Wunder”, përsëritnin.

    Mjekët më treguan se në krahun tim të djathtë ndodhej plumbi që kishte synuar të ma merrte jetën para 27 viteve. Plumbi kishte depërtuar nga krahu i majtë në të djathtin, pa prekur asnjë organ vital.

    Kjo ishte mrekullia që ata e quanin “ein Wunder”.

    Unë mësova se gjatë gjithë kësaj kohe paskam mbajtur me vete metalin që e mposhta — që sot ta shijoj lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Gëzuar 17 shkurtin.

  • Rama: Ata që sakrifikuan dhe mbajtën gjallë idealin e lirisë, janë gurët themelorë mbi të cilët qëndron Kosova

    Rama: Ata që sakrifikuan dhe mbajtën gjallë idealin e lirisë, janë gurët themelorë mbi të cilët qëndron Kosova

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, tha se populli përulet me respekt të thellë para të gjithë atyre që kontribuuan në themelimin dhe konsolidimin e shtetit.

    Po ashtu, ai shtoi se ata që sakrifikuan, që vepruan me guxim dhe që mbajtën gjallë idealin e lirisë, janë gurët themelorë mbi të cilët qëndron sot Republika e Kosovës.

    “Në këtë ditë të shënuar për historinë tonë, përulemi me respekt të thellë para të gjithë atyre që kontribuan në themelimin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Ata që sakrifikuan, që vepruan me guxim dhe që mbajtën gjallë idealin e lirisë, janë gurët themelorë mbi të cilët qëndron sot Republika jonë”, ka shkruar ai.

  • Kurti: Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës

    Kurti: Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës

    Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe procesi gjyqësore në Hagë u përmendën si çështje qendrore në fjalimin e kryeministrit Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 18-vjetorin e pavarësisë.

    Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e sakrificës së luftëtarëve dhe aktivistëve për krijimin e shtetit, duke e cilësuar Republikën si institucion të lirisë dhe sovranitetit, ndërsa foli edhe për akuzat ndaj ish-udhëheqësve të luftës.

    “Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra, gra e fëmijë që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës. Republika, në radhë të parë, është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj, kur bëhet fjalë për Republikën dhe sovranitetin, ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe me zhvillimin. Ne i kujtojmë përfytyrimet dhe vizionet e parealizuara të aktivistëve edhe të luftëtarëve që e kanë dëshiruar Republikën, sepse pa sakrificën e tyre nuk do ta kishim shtetin tonë, dhe mu ato na frymëzojnë e na orientojnë për ta forcuar edhe më shumë atë”, tha ai.

    Kurti theksoi se akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk qëndrojnë, dhe se ish-drejtuesit e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, vetëm pse guxuan të marrin armët për liri.

    “Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të viteve të 90-ta dhe ne kujtojmë sot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne përkulemi me nderim para dëshmorëve edhe përpiqemi që ta ruajmë e ta lartësojmë Republikën tonë edhe në emrin e tyre. Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri, kundër shtypjes njëshekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk morën parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare, secilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviçit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”, tha ai.

    Më tej i pari i ekzekutivit tha se brazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm.

    “Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne. Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është edhe burim, edhe shprehje e sovranitetit të Kosovës, ku përveç shqiptarëve, Kushtetuta jonë njeh serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët. Të gjithë janë pjesë e popullit të Kosovës dhe marrin pjesë në zgjedhje demokratike”, theksoi kryeministrit Kurti.

  • Haxhiu: UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet

    Haxhiu: UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet

    Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, tha se në themelin e Republikës qëndron Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë për çlirim, duke shtuar se populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale, raporton Ekonomia Online.

    “Në këtë ditë të rëndësishme e lartëson ajo që qëndron në themelin e Republikës sonë. Ajo që buroi nga populli. Që është sa mundësia edhe e vërteta e tij. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë për çlirim. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për dinjitet dhe liri. Ajo ishte kundërpërgjigje në rrethanat e një okupimi të ashpër, kur dhuna sistematike ndaj popullit shqiptar po merrte përmasa shkatërruese. UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet, pa pasur synim shkatërrimin e askujt tjetër. Dhe çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik dhe politik rrezikon ta shtrembërojë të vërtetën e asaj kohe”, tha ajo.

    Haxhiu nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet seanca solemne në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë tha se lufta e UÇK-së nuk ishte agresion por rezistencë ndaj okupimit të shtypjes.

    “Aq shumë kishte besim në drejtësinë e luftës sonë, saqë bota demokratike asokohe intervenoi e më vonë edhe e mbështeti pavarësinë e vendit tonë. Ne i kujtojmë këto të vërteta sepse populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale. Dhe këtë gjykim, së pari sepse anashkalon vetë rrethanat në të cilat u zhvillua lufta jonë çlirimtare. Lufta jonë nuk ishte agresion, por rezistencë ndaj okupimit e shtypjes, ndaj gjenocidit dhe spastrimit etnik. Luftë për të mbrojtur tokën tonë, pragun e shtëpisë, familjet, qytetarët civilë të paarmatosur në Kosovë. Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta deformuar atë”, tha ajo.

  • 17 Shkurti 2008: Ngjarjet dhe faktet kryesore të shpalljes së Pavarësisë

    17 Shkurti 2008: Ngjarjet dhe faktet kryesore të shpalljes së Pavarësisë

    Kosova sot feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e cila është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 dhe është njohur nga 121 shtete.

    Kosova e shpalli pavarësinë duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor, shkruan Demokracia.com.

    Këto janë 10 faktet që lidhen më 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë të Kosovës:

    1) Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta

    2) Kryeministri Hashim Thaçi është lexuesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

    3) Dizajnuesi i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi

    4) Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin presidenti Fatmir Sejdiu, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi

    5) Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

    6) Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

    6) Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

    7) Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë!

    8) Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.

    9) Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    10) Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Evropën.

  • Marshi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, në Gjakovë autobusët bëhen gati për t’u nisur drejt Prishtinës

    Marshi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, në Gjakovë autobusët bëhen gati për t’u nisur drejt Prishtinës

    Në qytetin e Gjakovës tashmë kanë nisur përgatitjet e qytetarëve për të marrë pjesë në marshin që do të mbahet në Prishtinë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Një numër i madh autobusësh shihen duke pritur të nisen për kryeqytet për marshin që do të nis në orën 14:00.

  • Kuvendi i Prishtinës shënon 18-vjetorin e pavarësisë, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

    Kuvendi i Prishtinës shënon 18-vjetorin e pavarësisë, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

    Nën tingujt e himnit kombëtar, Kuvendi i Prishtinës mbajti një seancë solemne me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Gjatë kësaj seance u bë thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari Përparim Rama derisa përmendi rëndësinë e 17 shkurtit dhe kontributin e personaliteteve për liri kërkoi edhe drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

    “Agoi sot sërish 17 shkurti përmbi Kosovën tonë. I tetëmbëdhjeti qysh prej ditës kur shteti ynë po merr frymë me emrin e vet: Republika e Kosovës. Nuk është përvjetor jubilar. Megjithatë, 18-shi shënon atë pragun simbolik ku njeriu hyn në moshën madhore, e për analogji të natyrshme, edhe shtetin tonë sot etut je do ta shohim si një organizëm që po hyn në moshë të rritur, me përgjegjësi më të thella e me detyra të shtuara. 17 Shkurti nuk është thjesht datë kalendarike. Është vijë ndarëse mes epokave. Është përmbledhje sakrifice, qëndrese dhe besimi tonë kolektiv në shenjtërinë e lirisë. E kjo liri mban emra. Mban fytyra. Mban histori të gjalla. Ajo u ndërtu mbi sakrificën e të burgosurve politikë që mbajte ngjallë frymën e qëndresës në vitet ma të rënda. U forcua përmes vizionit paqësor e shtetformues të Ibrahim Rugovës. U vulos me gjakun e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u kurorëzua me partneritetin ndërkombëtar që e shndërroi të drejtën tonë në realitet shtetëror. Sot, në të njëjtën datë që kremtojmë pavarësinë, kryeqyteti bëhet edhe zëri që brohoret për ata që mbi shpinën e tyre bartën barrën më të rëndë të rrugës drejt lirisë. Procesi gjyqësor në Hagë kundrejt katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare tashmë po hyn në fazën përmbyllëse. Nesër pritet fjala e tyre përfundimtare përpara trupit gjykues, para se drejtësia të tërhiqet për vendim. Do të jenë fjalë që mbartin peshën e jetës së tyre, por edhe të luftës sonë; peshën e të ardhmes së tyre, por edhe të ardhme sonë. Dhe kjo, këtë 17 Shkurt e bën kaq të veçantë. Prandaj sot, si përfaqësues të Kryeqytetit, kemi detyrë me folë qartë e me thënë: Ne kërkojmë drejtësi. Drejtësi të pastër. Drejtësi të mbështetur mbi prova të paluhatshme. Sepse drejtësia që ndërtohet mbi hamendje nuk i shërben askujt. Kurse drejtësia qëpërzihet me politikë e humb busullën e saj“, tha Rama.

    Rama gjithashtu bëri thirrje që të marrin pjesë qytetarët në protestën që do të mbahet sot nga ora 14:00.

    “Prandaj ju ftoj që mbas pak t’i bashkohemi paradës që shënon moshën e pjekurisë së Kosovës tonë si shtet i pavarur, kurse në orën 14:00 sonte, të dëshmojmë pjekurinë tonë si shtetas, kur qytetarët e krejt Kosovës e më gjerë do të mblidhen nën thirrjen “Drejtësi, jo politikë”, në protestën e organizuar nga platforma “Liria ka emër”. Ky është zë qytetar. Zë dinjiteti. Zë i ndërgjegjes kombëtare. Prania jonë aty i jep protestës njëkohësisht kuptim institucional. Sepse asambletë komunale përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve. Sepse kryeqyteti flet kur përfaqësuesit e tij qëndrojnë pranë atyre që e hapën rrugën e lirisë. Sepse shteti i moshës madhore matet edhe me mënyrën se si rreshtohet përballë atyre që e ndërtuan“, theksoi tutje Rama.

    Ndërsa kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina veçoi historinë e vendit dhe kontributin e UÇK-së.

    “Sot më 17 shkurt, nuk kemi ardhë vetëm për të festuar. Kemi ardhë për të kujtuar, për t’u përulur dhe për të dëshmuar se liria e Kosovës ka emër, ka histori dhe ka çmim. Sot nderojmë ditën kur një popull i vogël në numër, por i madh në qëndresë, i dha botës se Kosova është e lirë dhe do të jetë e lirë përgjithmonë. Pavarësia e Kosovës nuk lindi brenda një nate. Ajo u ndërtua me dekada vuajtje, me shekuj sakrifice, me persekutim dhe maltretim në burgje, me varre pa emër, me nëna që pritën bijtë e tyre dhe me fëmijë që u rritën pa baballarë, por kurrë nuk humbën shpresën. Që nga viti 1912, kur ushtria serbe pushtoi Kosovën, mbi popullin shqiptar u ushtrua dhunë sistematike. Fshatrat u dogjën, familje u masakruan, njerëzit u dëbuan nga shtëpitë e tyre vetëm sepse ishin shqiptarë. U tentua të fshihej gjuha, kultura jonë, ekzistenca jonë. Por ajo nuk arriti kurrë të shuhet; ishte vullneti për liri. Pas Luftës së Dytë Botërore, pas vitit 1945, represioni vazhdoi nën një tjetër formë. Regjimi sllavo-komunist mbolli frikë, burgosi mendimin e lirë dhe ndëshkoi çdo zë që kërkonte barazi. Burgjet politike u mbushën me shqiptarë që nuk pranuan të nënshtrohen. Ata u dënuan jo për faj, por për bindje. Të burgosurit politikë janë ndërgjegjja më e pastër e këtij shteti. Ata mbajtën gjallë idenë e Kosovës së lirë, kur shpresa dukej e pamundur. Në kohën më të rëndë të Kosovës, patëm edhe një udhërrëfyes të madh: Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili i dha popullit tonë besim, qetësi dhe vizion. Me durim dhe me urtësi, ai e bëri çështjen e Kosovës pjesë të ndërgjegjes ndërkombëtare dhe shndërroi kërkesat tona për liri në kauza morale të botës demokratike. Ai na mësoi se edhe paqja është formë rezistence për shtigje të lirisë. Por erdhi edhe momenti kur paqja u përball me shfarosje. Kur fjala nuk mjaftonte më, atëherë liria kërkonte sakrificë më të madhe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ngrit si domosdoshmëri historike. Ajo u bë zëri i atyre që nuk kishin më ku të drejtoheshin“, tha Kupina.