ATV

Category: Lajme

  • Myftiu Tërnava viziton varrezat e familjes Jashari në Prekaz

    Myftiu Tërnava viziton varrezat e familjes Jashari në Prekaz

    Për nder të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe nga anëtarët e Kryesisë së BIK-ut, vizitoi varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

    Para varrezave të Jasharve, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, të kryesuar nga Myftiu, kënduan nga një Fatiha, duke lutur Zotin e Madhëruar që t’i ketë mëshiruar me mëshirën e Tij dhe t’i pranojë si dëshmorë.

  • Çitaku: 17 shkurti i 2008-ës ishte i akullt, por njëkohësisht dita më e ngrohtë e një shekulli të tërë

    Çitaku: 17 shkurti i 2008-ës ishte i akullt, por njëkohësisht dita më e ngrohtë e një shekulli të tërë

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka kujtuar edhe një herë ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ngjarje në të cilën ishte vetë prezente.

    Çitaku tha se 17 shkurti i 2008-ës ishte i akullt e acartë, por njëkohësisht, dita më e ngrohtë e një shekulli të tërë për Kosovën.

    Po ashtu, ajo ndau edhe një kuriozitet, për çka tha se ditën kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran, nuk u shkaktua asnjë aksident, transmeton Klankosova.tv.

    “Çdo 17 shkurt më kthehen emocionet e njëjta. Ka qenë ditë e ftohtë, temperaturat kanë qenë të akullta, por njëkohësisht ka qenë dita më e ngrohtë e një shekulli të tërë. Atë ditë shumë pak njerëz e din, por nuk ka pasur as aksident trafiku në Kosovë. Atë ditë kam qesh e kam qa, kam qa për prindërit, gjyshërit për jetët që kemi jetuar, kam qa për jetët që s’janë më, por edhe jam gëzu për fëmijët që po lindin në një shtet të ri”, tha Çitaku në Klan Kosova.

    Ndër të tjera, Çitaku tha se kjo festë pa udhëheqësit e Kosovës nuk kremtohet njësoj.

  • Presidenti i Izraelit uron Pavarësinë: Në traditën hebraike, numri 18 përfaqëson jetën

    Presidenti i Izraelit uron Pavarësinë: Në traditën hebraike, numri 18 përfaqëson jetën

    Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke theksuar se numri 18 në traditën hebraike simbolizon jetën.

    Në letrën e tij, ai përmendi pesëvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

    Tutje, Herzog theksoi se marrëdhëniet dypalëshe janë forcuar edhe pas sulmit të 7 tetorit dhe shprehu pritjen për thellimin e partneritetit në vijim.

  • Shfrytëzonin fëmijët për të lypur dhe shitur lule, arrestohen prindërit

    Shfrytëzonin fëmijët për të lypur dhe shitur lule, arrestohen prindërit

    Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të cilët shfrytëzojnë fëmijët, për të punuar dhe/ose për të lypur, u finalizua operacioni i koduar “Filizat”, gjatë të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë:

    -“Arrest në burg”, për shtetasit Eles Brahimaj, 41 vjeç, Rakip Sinani, 35 vjeç, Mikel Rama, 35 vjeç dhe Miklovan Gogaj, 34 vjeç;

    -“Arrest në shtëpi”, për shtetaset L. B., 35 vjeçe, A. M., 41 vjeçe, M. S., 35 vjeçe dhe A. Sh., 35 vjeçe.

    Nga veprimet hetimore disamujore, ka rezultuar se këta shtetas, individualisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për të punuar kryesisht gjatë natës, si dhe për të lypur, fëmijët e tyre të moshave 9-11 vjeç, në zona të ndryshme në juridiksion të Komisariatit të Policisë Nr. 2.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

  • Gruaja e Jakup Krasniqit e pakënaqur me mbështetjen e institucioneve për krerët e UÇK-së në Hagë

    Gruaja e Jakup Krasniqit e pakënaqur me mbështetjen e institucioneve për krerët e UÇK-së në Hagë

    Sevdije Krasniqi, bashkëshortja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë për VOX Kosova ka thënë se nuk është aspak e kënaqur me mbështetjen e institucioneve të Kosovës për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen për krime lufte në Hagë.

    “Me të tregu të drejtën, nuk jam aspak e kënaqur. Jo. Populli i Kosovës, shteti i Kosovës, është dashur të jetë në këmbë. Për të gjitha këto vite është dashur të jetë në këmbë, është dashur të jetë në Hagë, është dashur të kujdeset për ata. Ne kemi pasur probleme, peripeci shumë të mëdha për të shkuar në vizita. Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë, të them, asgjë”, tha Krasniqi.

    Ndërsa kërkesën e Prokurorisë për 180 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së, ajo e ka quajtur absurde, meqë sipas saj, të akuzuarit e kanë mbrojtur popullin nga gjenocidi.

    “Kërkesa e Prokurorisë për dënim prej 180 vjetësh burg për të arrestuarit është një kërkesë absurde, që nuk e di a do të kërkohej për ata që janë burgosur për krimet që i kanë bërë të tjerët. E lëre më për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vend që ata të thirreshin nga Bashkimi Evropian, nga Evropa, nga Këshilli i Evropës për të marrë dekorata për luftën që e kanë bërë, se e kanë shpëtuar një popull nga gjenocidi dhe lufta që është bërë në Kosovë, ata propozojnë që të akuzuarit të dënohen me 180 vjet burg”, shtoi.

    Ajo ka ftuar të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në protestën kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet të martën, më 17 shkurt, në Prishtinë.

    “Mesazhi im është që i gjithë populli i Kosovës, të gjithë liridashësit, të gjithë ata që mund të vijnë këtu, të jenë në Kosovë. Nga të gjitha trojet shqiptare të vijnë e të marrin pjesë në protestë dhe t’i tregojmë botës se ata janë çlirimtarë. Ata e çliruan popullin dhe e çliruan Kosovën. Nuk janë ata kriminelë, por janë çlirimtarë që duhet të kthehen në Kosovë të lirë”, potencoi Krasniqi.

  • Rahoveci mban seancë solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Rahoveci mban seancë solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Kuvendi Komunal i Rahovecit ka mbajtur seancë solemne në rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë 18-vjetor u shpreh mirënjohje e thellë, e u kujtuan atë që luftuan dhe kontribuuan në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.

    “Sot, me nderim dhe përgjegjësi të lartë institucionale, përkujtojmë 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës se Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetit tonë. Në këtë përvjetor, shprehim mirënjohjen më të thellë, duke i kujtuar të gjithë ata që luftuan dhe kontribuuan në rrugëtimin tonë drejt lirisë: dëshmorët, martirët, veteranët e invalidët e luftës, veprimtarët dhe politikanët, si dhe miqtë tanë ndërkombëtarë që mbështetën procesin e shtetndërtimit”, u tha në Kuvend.

  • Shteti i Illinois njeh 17 shkurtin si Dita e Pavarësisë së Kosovës

    Shteti i Illinois njeh 17 shkurtin si Dita e Pavarësisë së Kosovës

    Jay Robert Pritzker, Guvernator i Shtetit të Illinois ka njohur zyrtarisht 17 shkurtin si Dita e Pavarësisë së Kosovës në shtetin e Illinois në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është bërë e ditur nga ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në njoftimin e ambasadës është publikuar edhe letra e vendimit, ku ndër tjerash thuhet se komuniteti shqiptaro-amerikan në Illinois ka dhënë kontribute të rëndësishme në jetën kulturore, ekonomike dhe shoqërore të shtetit të Illinois, duke u dalluar si drejtues biznesesh, profesionistë dhe anëtarë aktivë të komuniteteve të tyre.

    Letra e plotë:

    Shteti i Illinois

    Departamenti Ekzekutiv

    Proklamatë

    DUKE PASUR PARASYSH se Shteti i Illinois ka nderin t’u bashkohet shqiptaro-amerikanëve në mbarë shtetin tonë në përkujtimin e 17 shkurtit 2008, si dita kur Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e saj;

    DUKE PASUR PARASYSH se, në atë ditë historike, me një përkushtim të palëkundur ndaj parimeve të lirisë, sovranitetit dhe vetëvendosjes, Republika e Kosovës shpalli zyrtarisht pavarësinë në Prishtinë, duke shënuar një moment transformues në historinë e saj dhe duke u themeluar si një shtet i lirë dhe sovran; dhe

    DUKE PASUR PARASYSH se Republika e Kosovës, si shteti më i ri në Evropë, mbetet e përkushtuar me vendosmëri ndaj ruajtjes së parimeve demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit; dhe

    DUKE PASUR PARASYSH se lidhja e qëndrueshme midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është e rrënjosur në vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe respektit të ndërsjellë, me Shtetet e Bashkuara që luajnë një rol kyç në mbështetjen e rrugëtimit të Kosovës drejt stabilitetit, ndërtimit të shtetit dhe prosperitetit; dhe

    DUKE PASUR PARASYSH se komuniteti shqiptaro-amerikan në Illinois ka dhënë kontribute të rëndësishme në jetën kulturore, ekonomike dhe shoqërore të shtetit tonë, duke u dalluar si drejtues biznesesh, profesionistë dhe anëtarë aktivë të komuniteteve të tyre, ndërkohë që ruajnë dhe ndajnë trashëgiminë e tyre të pasur kulturore; dhe

    DUKE PASUR PARASYSH se këtë vit Shteti i Illinois shënon me krenari 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke njohur qëndrueshmërinë dhe arritjet e popullit të saj në ndjekjen e lirisë dhe përparimit; dhe

    DUKE PASUR PARASYSH se Illinois njeh dhe nderon partneritetet në rritje dhe lidhjet ekonomike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe kontributet e vazhdueshme të diasporës së Kosovës në forcimin e bashkëpunimit dhe rritjes së ndërsjellë;

    PRANDAJ, unë, JB Pritzker, Guvernator i Shtetit të Illinois, shpall me këtë 17 shkurtin 2026 si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Illinois, duke festuar pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe duke nderuar kontributet e shqiptaro-amerikanëve në prosperitetin dhe diversitetin e shtetit tonë.

    Në dëshmi të kësaj, kam vënë firmën time dhe kam urdhëruar që të vendoset Vula e Madhe e Shtetit të Illinois.

    Bërë në Kapitol në qytetin e Springfield-it,

    më njëzet e tetë janar,

    në vitin e Zotit tonë dy mijë e njëzet e gjashtë,

    dhe në vitin e dyqindtë e shtatë të Shtetit të Illinois.

    Alexi Giannoulias

    Sekretar i Shtetit

    JB Pritzker

    Guvernator

  • Endrit Thaçi publikon foto me Yll Limanin e Taulant Ballën

    Endrit Thaçi publikon foto me Yll Limanin e Taulant Ballën

    Me fillim nga ora 14:00, në Prishtinë do të mbahet marshi në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së.

    Në këtë ngjarje e cila pritet të jetë madhështore dhe që u organizua do të marrin pjesë shumë personalitete, në mesin e tyre edhe deputeti shqiptar i Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili bëri thirrje për pjesëmarrje masive.

    “Gjithë shqiptarët kudo që janë, Shqipëri, Diasporë, Maqedoni, Qamërj sot jemi të gjithë në Prishtinë”, deklaroi ai.

    Endriti, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi e ka publikuar një fotografi në Instastory ku shihet bashkë edhe me këngëtarin Yll Limani.

  • Komuna e Vushtrrisë nderon dëshmorët dhe martirët e kombit

    Komuna e Vushtrrisë nderon dëshmorët dhe martirët e kombit

    Komuna e Vushtrrisë në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, bashkë me shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe qytetarë, nderuam dëshmorët dhe martirët e kombit.

    “Nderuam veprën e tyre duke bërë homazhe tek Përmendorja e Dëshmorëve në Vushtrri, Përmendorja e Martirëve, shtatorja e komandantit legjendar Adem Jasharit, shtatorja e Hasan Prishtinës, shtatorja e Kolonel Ahmet Krasniqit dhe në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit në Bletaj”, njofton Komuna.

    Më pas u mbajt akademia solemne, ku u rikujtua rruga e lirisë dhe sakrifica e gjeneratave që na sollën lirinë. Festën tonë për 18 vjet shtet e madhështoi programi artistik i ansamblit të këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina”, po ashtu edhe Opera e Kosovës – Okteti plus.

  • Qytetarët nisin të mblidhen për marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Qytetarët nisin të mblidhen për marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Në sheshin “Skënderbeu”, me flamuj të UÇK-së, Kosovës e atij kombëtar, kanë filluar të mblidhen qytetarët nga i gjithë vendi, e madje edhe përtej kufijve, ku njëzëri në ora 14:00 do të kërkojnë asgjë më shumë dhe as më pak se drejtësi për katërshe e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë, raporton EO.

    Mbi gjithë këtë, qëndron një mbishkrim “Drejtësi, jo politikë” të shoqëruar edhe me fotografinë e Hashim Thaçit,
    Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët tash e më shumë se pesë vjet po gjykohen në Speciale.