ATV

Category: Lajme

  • Mbrojtja kërkon që Krasniqi të shpallet i pafajshëm

    Mbrojtja kërkon që Krasniqi të shpallet i pafajshëm

    Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, hodhi poshtë pretendimet e ZPS-së se klienti i tij ishte epror i Bislim Zyrapit.

    Ai tha se vetë Zyrapi ka pranuar se ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

    “Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit”, tha ai, duke përmendur këtu Naim Malokun, Sokol Bashtën dhe Rrustem Mustafën.

    Sipas tij, ZPS po tenton të minimizojë rolin e Zyrapit, duke pretenduar se dëshmia e Zyrapit se Krasniqi ishte epror i tij është “i pabazuar”.

    Mbrojtja e Krasniqit tha se provat do ta çojnë trupin gjykues që ta shpallin atë të pafajshëm.

    Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, tha se Prokuroria po ndryshon qëndrimet kur mbështet përgjegjësinë e të akuzuarve në faktin që ishin pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.

    Ai tha se vetë kryeprokurorja kishte thënë se për fajësim nuk kërkohet vetëm anëtarësia e tyre në shtab, por të hënën prokurorët e përdorën këtë argument.

    Sipas tij, për kontributin për NPK përgjegjësia individuale duhet “të identifikohet individualisht”, në të kundërtën, tha ai, i bie që i gjithë rasti është kundër Shtabit të Përgjithshëm e jo ndaj katër të akuzuarve.

    Seanca ka shkuar në pauzë dhe pas pushimit, ish-eprorët e UÇK-së do të deklarohen.

    Seanca pritet të nisë në 14:15.

  • Gucati nga Haga: Pres që këta burra të lirohen në muajin maj

    Gucati nga Haga: Pres që këta burra të lirohen në muajin maj

    Kreu i shoqatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, po e përcjellë nga afër seancën e sotme në Hagë.

    Për IndeksOnline, Gucati u shpreh se pret që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në shtëpi.

    “Duke parë zhvillimet e sotme të mbrojtjes, që është shumë e fuqishme, unë pres që në muajin maj të lirohen dhe ta bëjmë një festë të madhe në dy qendrat shqiptare: në Tiranë dhe në Prishtinë.

    Shpresoj dhe besoj fuqishëm në pafajësinë e tyre, duke e parë sot mbrojtjen që të gjitha pikat e aktakuzës i hodhën poshtë, të prokurorëve të cilët punuan dhe përpunuan dokumentacione të rrejshme dhe të falsifikuara prej njerëzve që ishin pro Serbisë” deklaroi Gucati.

    Në Hagë sot po thuhen fjalët përfundimtare në procesin gjyqësor, teksa pas pauzës pritet të flasin vet çlirimtarët: Hashim Thçai, Kadri veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

  • Miratohet në komision projektligji për buxhetin 2026, kërkohet rritje e pensioneve

    Miratohet në komision projektligji për buxhetin 2026, kërkohet rritje e pensioneve

    Projektligji për buxhetin 2026 është miratuar në komisionin parlamentar të Kuvendit.

    Me diskutime të shumta, me 6 vota “për”, 0 kundër dhe 1 abstenim kaloi projektligji për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës të vitit 2026 nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione.

    Nënkryetari i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami theksoi se shmangia e buxhetit në Kuvend ka shkaktuar kufizim.

    Ndërsa anëtarja e Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Sala Jashari pati një kërkesë për formulimin e një amandamenti rreth pensioneve të kategorive të ndryshme, raporton EO.

  • Një ortek përfshiu një vendpushim skish në Itali

    Një ortek përfshiu një vendpushim skish në Itali

    Pamje të pabesueshme janë bërë virale në mediat sociale të një orteku që u rrëzua nga një shpat i pjerrët pranë resortit italian të skive Courmayeur të martën. Videoja është regjistruar nga skiatorët në vendngjarje dhe ende nuk dihet nëse ka ndonjë të lënduar. Vetëm disa ditë më parë, dy skiatorë vdiqën në një incident të ngjashëm në të njëjtin resort.

    Pamjet tregojnë një grumbull bore dhe akulli që lëviz drejt skiatorëve përmes pishave të larta, ndërsa ata shikojnë me mosbesim. Në një moment fillon paniku dhe vizitorët përpiqen të shpëtojnë, por mbulohen nga një re bore.

    Aksidenti i mëparshëm ndodhi të dielën në Couloir Vesses, një rrugë e famshme për skijim falas në Courmayeur, tha Shërbimi Italian i Shpëtimit Malor. Orteku përfshiu tre burra: njëri vdiq në vendngjarje, ndërsa tjetri ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.

    Courmayeur është një qytet i vogël me rreth 2,900 banorë në Italinë Veriperëndimore.

  • ‘‘Targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe’’, çka deklaroi Konjufca para Speciales

    ‘‘Targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe’’, çka deklaroi Konjufca para Speciales

    Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca nga Haga, ku shkoi për ta ndjekur ditën e fundit të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka deklaruar se lufta ishte e pastër dhe e drejtë.

    Ai ka thënë edhe se procesi ka zgjatur aq shumë saqë janë shkelur të drejtat elementare të njeriut.

    ‘’Këtyre njerëzve, tashmë ata e kanë marrë një ndëshkim të padrejtë sepse procesi zgjati aq shumë saqë unë pretendoj dhe gjithë pretendojmë që u shkel e drejta elementare e njeriut, e cila mbrohet me konventën e kombeve të bashkuara edhe me atë evropiane’’, ka thënë ai.

    Tutje, ai ka shtuar edhe se targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe.

    Unë jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë që lufta jonë, e popullit të Kosovës ishte luftë e drejtë, luftë e pastër, mbrojtëse, nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër, targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe, njerëzit e uniformuar okupatore, që bën gjenocidin në Kosovës, që vranë fëmijë, gra e pleq’’, ka thënë ai.

  • Ftesa e Trump, Edi Rama niset drejt Washingtonit

    Ftesa e Trump, Edi Rama niset drejt Washingtonit

    Kryeministri Edi Rama është nisur sot drejt Washingtonit, në përgjigje të ftesës së Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes.

    Kryeministria në një njoftim në lidhje me aktivitetin bën me dije se:

    “Pak ditë më parë, kur njoftoi pjesëmarrjen në këtë ngjarje, Kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.

    Bordi i Paqes i iniciuar nga Presidenti i SHBA-ve Trump synon forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrjes së një qasje të re të guximshme për zgjidhjen e Konfliktit Global”.

  • Senegali uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Senegali uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

    Në mesazhin e tij, Faye ka përcjellë urimet më të përzemërta për Osmanin dhe qytetarët e Kosovës, duke shprehur gjithashtu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

  • Osmani pret mbështetje nga të gjithë deputetët e Kuvendit për t’u bërë presidente

    Osmani pret mbështetje nga të gjithë deputetët e Kuvendit për t’u bërë presidente

    Vjosa Osmani ka deklaruar se pret mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit për t’ia vazhduar edhe një mandat si presidente.

    Ajo ka deklaruar se përveç të zgjedhurve të popullit pret që të njëjtën gjë do ta bëjën edhe liderët e partive politike.

    “Pres mbështetje nga të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha partitë politike që ia duan të mirën Kosovës, pa dallim. Kur po flas për deputetët po i përfshij edhe liderët e atyre deputetëve”, ka deklaruar ajo.

    Ndërkaq raportet me kryeministrin Albin Kurti ajo i ka cilësuar si të mira.

    “Kemi raport të mirë, institucional, bashkëpunojmë për çështje që janë në interes të Kosovës dhe kështu do të jetë edhe tash e tutje”, ka thënë presidentja.

  • Rama akuzon Qeverinë për përdorim politik të buxhetit ndaj qytetarëve të Prishtinës

    Rama akuzon Qeverinë për përdorim politik të buxhetit ndaj qytetarëve të Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar ashpër për mospërfshirjen e Buxhetit të Kryeqytetit në Buxhetin e vitit 2026, duke e cilësuar këtë si një vendim politik dhe jo thjesht një vonesë administrative.

    “Buxheti i Kryeqytetit është miratuar në Asamblenë e Kryeqytetit, me të gjitha specifikat teknike dhe ligjore, dhe është dorëzuar sipas procedurave. Çdo justifikim për mospërfshirje bie poshtë kur dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me ligjin”, ka deklaruar Rama në postimin e tij në Facebook.

    Ai ka ngritur pyetje për motivet e Qeverisë, duke thënë: “Pse nuk po përfshihet në Buxhetin e vitit 2026? A është kjo hakmarrje politike? A është tentativë për ta bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit? A po përdoret buxheti si mjet presioni ndaj qytetarëve të Prishtinës?”.

    Rama ka theksuar se Qeveria ka “obligim kushtetues dhe ligjor të trajtojë buxhetin e Kryeqytetit pa diskriminim politik. Çdo veprim ndryshe është shkelje e parimit të barazisë institucionale dhe goditje direkte ndaj qytetarëve”.

    “Prishtina nuk është pronë e askujt. Është Kryeqyteti i Republikës dhe meriton trajtim institucional, jo kalkulime partiake. Nëse Qeveria zgjedh ta mbajë peng buxhetin e 2026-tës, atëherë le ta thotë hapur: Po i ndëshkojmë qytetarët sepse nuk kanë votuar neve! Qytetarët e Prishtinës meritojnë përgjigje”, përfundon Rama.

  • Avokati Roberts: Edhe vet Prokurorisë i vjen turp për argumentet që ka paraqitur për Rexhep Selimin

    Avokati Roberts: Edhe vet Prokurorisë i vjen turp për argumentet që ka paraqitur për Rexhep Selimin

    Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, ka marrë fjalën në seancën e sotme, të fundit të deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

    Roberts në fjalën e tij tha se edhe vet ZPS-së i “vjen turp” për argumentet që ka paraqitur ndaj klientit të tij.

    Ai tha se “paaftësia e Prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit, sa edhe befasuese”.

    “Ta themi troç, Prokurorisë vet i vjen turp për argumentet e veta kundër zotit Selimi. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër si nga parashtrimet e së hënës, apo dosja e tyre me shkrim. Nëse vet Prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta kundër zotit Selimi, si mund të ju bindë ju?

    Paaftësia e Prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit, sa edhe befasuese”, tha Roberts.