ATV

Category: Lajme

  • Spiropali: Bordi i Paqes nuk zëvendëson OKB-në

    Spiropali: Bordi i Paqes nuk zëvendëson OKB-në

    Ministrja për Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Bordi i Paqes nuk ka për qëllim të zëvendësojë organizatat ekzistuese si Organizata e Kombeve të Bashkuara, por është instrument komplementar që ofron mundësinë për Shqipërinë të kontribuojë në paqen dhe stabilizimin e situatës në Gaza.

    Spiropali ka shtuar se në këtë fazë Shqipëria nuk ka detyrime financiare, por si vend anëtar themelues, do të ketë angazhime sipas statutit të organizatës.

    “Shqipëria është e angazhuar të përfshihet në procesin ndërkombëtar të stabilizimit në Gaza. Ky angazhim do të prezantohet sot nga Presidenti Trump, duke shpallur listën e vendeve të angazhuara. Në këtë fazë, Shqipëria nuk ka angazhime financiare të tjera, por do të diskutojmë më vonë me partnerët tanë dhe me anëtarët e tjerë të Bordit për detyrimet tona si vend themelues. Synimi fisnik i bordit, nuk është të zëvendësojë organet e tjera siç është OKB, as është një projekt alternativ për BE që mbetet synimi ynë madhor, është një mjet komplementar ku Shqipëria mund të japë kontributin e vet”, ka thënë ajo, raportoi TCH.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nisur këtë të mërkurë drejt Uashingtonit për të marrë pjesë në mbledhjen e parë konstituuese të Bordit të Paqes, mbledhje e thirrur nga Presidenti Trump, e cila do të zhvillohet më 19 shkurt.

  • Orav takon kryekuvendaren Haxhiu, i tregon ligjet të cilat BE pret të jenë prioritet në legjislaturën e re

    Orav takon kryekuvendaren Haxhiu, i tregon ligjet të cilat BE pret të jenë prioritet në legjislaturën e re

    Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, është takuar sot me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

    Orav ka thënë se përveç miratimit të Planit të Rritjes si marrëveshje me BE-në, ka theksuar në këtë takim me Haxhiun, prioritetet kryesore legjislative ku përfshihen Kodi Civil, ligji për KPM, RTK-ja, SEPA, reforma gjyqësore dhe ligjet e pakos që lidhen energjisë.

    Këto prioritete sipas Orav lidhen me rrugën e Kosovës drejt BE-së.

  • Kurti takon deputetin nga Mbretëria e Bashkuar, theksohet thellimi i bashkëpunimit ekonomik

    Kurti takon deputetin nga Mbretëria e Bashkuar, theksohet thellimi i bashkëpunimit ekonomik

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti anëtarin e Dhomës së Lordëve, Lord Cromwell, dhe deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers.

    Lord Cromwell dhe Martin Vickers uruan Kryeministrin Kurti dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, të shënuar dje, si dhe e përgëzuan për mandatin e tij të ri qeverisës.

    Gjatë takimit, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe te mundësitë që Kosova ofron për investime dhe investitorë të huaj. Po ashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe siguria në rajon dhe në kontinent.

    Kryeministri i falënderoi për vizitën dhe urimet, si dhe për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai shprehu mirënjohje për rolin historik dhe kontributin e çmueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin, pavarësimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës.

    Gjatë bisedës, Kryeministri theksoi prioritetet e Qeverisë, veçanërisht projektet e mëdha infrastrukturore të parapara për këtë mandat të ri, investimet kapitale që do të tejkalojnë vlerën prej 1 miliard euro në vit, si investimet në siguri dhe mbrojtje.

  • E dashura vdiq gjatë ngjitjes së malit, alpinisti akuzohet për “vrasje nga pakujdesia”, çështja hap debat në Austri

    E dashura vdiq gjatë ngjitjes së malit, alpinisti akuzohet për “vrasje nga pakujdesia”, çështja hap debat në Austri

    Më shumë se një vit pasi një grua 33-vjeçare vdiq në malin më të lartë të Austrisë, i dashuri i saj del në gjyq të enjten i akuzuar për vrasje të rëndë nga pakujdesia, raporton A2CNN.

    Kerstin G. vdiq nga hipotermia gjatë një ngjitjeje në malin Grossglockner, ku udhëtimi shkoi tmerrësisht keq. I dashuri i saj akuzohet se e la të pambrojtur dhe të rraskapitur pranë majës në kushte stuhie në orët e para të 19 janarit 2025, ndërsa ai shkoi të kërkonte ndihmë.

    Gjyqi ka ngjallur interes dhe debat, jo vetëm në Austri, por edhe në komunitetet e alpinizmit shumë përtej kufijve të saj. Prokurorët thonë se, si alpinisti më me përvojë, burri në gjyq ishte “udhëzuesi përgjegjës për turin” dhe nuk u kthye prapa ose nuk kërkoi ndihmë në kohë për të ndihmuar të dashurën e tij.

    I identifikuar nga mediat austriake si Thomas P, ai i mohon akuzat dhe avokati i tij, Kurt Jelinek, e ka konsideruar vdekjen e vajzës si “një aksident tragjik”. Tragjedia ndodhi pasi çifti filloi ngjitjen e malit Grossglockner prej 3,798 metrash. Prokurorët akuzojnë Thomas P.se ka bërë gabime që nga fillimi dhe kanë publikuar një listë me 9 gabime.

    Në lojë është çështja se kur gjykimi personal dhe marrja e rrezikut mund të kthehen në një çështje përgjegjësie penale. Nëse alpinisti shpallet fajtor, kjo mund të nënkuptojë “një ndryshim paradigme për sportet malore“, thotë gazeta austriake “Der Standard”.

    Çelësi i çështjes është akuza nga prokurorët e shtetit në Innsbruck se ai duhej të konsiderohej “udhëzuesi përgjegjës për turin“, pasi “ndryshe nga e dashura e tij, ai kishte tanimë shumë përvojë në ture aplinizmi në lartësi të mëdha dhe ishte personi që kishte planifikuar turin”.

  • Jo veç KEK-un, Janina Ymeri ka një paralajmërim edhe për gurëthyesit

    Jo veç KEK-un, Janina Ymeri ka një paralajmërim edhe për gurëthyesit

    Deputetja e LDK-së ka paralajmëruar se do të nis hetimet për licencat e gurëthyesve. “Nga nesër do nisë punën edhe Komisioni për ekonomi, tregti, industri edhe inovacion.

    Krahas ndërmarrjeve publike ku hyn si produkt edhe energjia elektrike, do analizoj edhe problemin e licencave për gurëthyesit.
    Është ankesa më e shpeshtë që kam pranuar pas problemeve me energji elektrike.

    Plus kësaj, çfarë është me shumë rëndësi, gjendja na ka bërë të rritet importi i produkteve përcjellëse prej Serbisë edhe nuk ka nevojë nëse problemi është mungesë licencimi.

    Sido që të jetë gjendja do shoh anën ligjore, ekzekutive krahas ankesave nga odat/bizneset për të ardhur në përfundime konkrete”, shkruan Ymeri në njoftim.

  • Somalia i dërgon letër urimi presidentës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Somalia i dërgon letër urimi presidentës për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Republikës Federale të Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

    Kjo është bërë e ditur përmes njoftimi nga Presidenca e Kosovës, ku në letrën e urimit, Presidenti Mohamud ka vlerësuar këtë përvjetor si një moment me domethënie të veçantë për vendin, duke e ndërlidhur me qëndrueshmërinë e treguar ndër vite dhe orientimin e palëkundur drejt forcimit të sovranitetit, rendit demokratik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

    “Ai ka vlerësuar progresin e arritur nga Kosova nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, duke shprehur njëkohësisht besimin se vendi do të vazhdojë të forcohet dhe zhvillohet”, thuhet tutje.

    Presidenti somalez gjithashtu nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Somalisë dhe gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve.

  • Zhbllokohet rruga drejt Malit të Zi: E kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve

    Zhbllokohet rruga drejt Malit të Zi: E kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se është zhbllokuar rruga drejt Malit të Zi, që më parë ishte e bllokuar për qarkullimin e kamionëve.

    Në njoftim thuhet se rruga është pastruar dhe është e kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve.

    “Ju njoftojmë se bazuar në komunikimin me zyrtarët kufitar të Malit të Zi, kemi marrë informacion se rruga është pastruar dhe është e kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve. Për më shumë kontaktoni QKMK në numrat e telefonit +383(0)45198606”, thuhet në njoftim.

  • Sindikata e shqetësuar për gjendjen financiare të RTK – Kërkojnë rritje të buxhetit dhe paralajmërojnë protesta

    Sindikata e shqetësuar për gjendjen financiare të RTK – Kërkojnë rritje të buxhetit dhe paralajmërojnë protesta

    Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka shprehur shqetësimin serioz për gjendjen financiare dhe institucionale në Radiotelevizioni i Kosovës dhe ka kërkuar veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

    Në komunikatën e sindikatës, është kërkuar ‘’harmonizim’’ i pagës minimale në RTK, duke qenë paga minimale në sektorin publik është rritur dhe deri në muajin korrik pritet të arrijë në 500 euro, përcjell Gazeta Express.

    ‘’Njëkohësisht, kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që në leximin e dytë të buxhetit të sigurojë rritje reale dhe të qëndrueshme të buxhetit për RTK-në. Rikujtojmë se RTK jo vetëm që nuk e merr financimin prej 0.7% sipas ligjit, por i janë hequr edhe 2.2 milionë euro, duke krijuar pasiguri serioze financiare dhe duke penguar zhvillimin e institucionit’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Po ashtu, në komunikatë është kërkuar gjithashtu aplikimi i pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së.

    Komunikatë:

    Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK)

    Sindikata e Punëtorëve e RTK-së shpreh shqetësimin serioz për gjendjen financiare dhe institucionale në Radiotelevizioni i Kosovës dhe kërkon veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

    Duke qenë se paga minimale në sektorin publik është rritur dhe deri në muajin korrik pritet të arrijë në 500 euro, kërkojmë harmonizim të menjëhershëm të pagës minimale edhe në RTK. Punëtorët e transmetuesit publik nuk mund të trajtohen ndryshe nga pjesa tjetër e sektorit publik. Çdo vonesë në këtë drejtim përbën padrejtësi dhe cenim të parimit të barazisë para ligjit.

    Njëkohësisht, kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që në leximin e dytë të buxhetit të sigurojë rritje reale dhe të qëndrueshme të buxhetit për RTK-në. Rikujtojmë se RTK jo vetëm që nuk e merr financimin prej 0.7% sipas ligjit, por i janë hequr edhe 2.2 milionë euro, duke krijuar pasiguri serioze financiare dhe duke penguar zhvillimin e institucionit.

    Kërkojmë gjithashtu aplikimin e pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së. Nëse kjo e drejtë realizohet për kategori të tjera në sektorin publik dhe përjashtohet RTK-ja, atëherë kemi të bëjmë me diskriminim të qartë dhe shkelje të të drejtave ligjore të punëtorëve.

    Sindikata kërkon sqarim publik nga Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së nëse është dërguar raport financiar dhe kërkesë zyrtare për rritje të buxhetit. Transparenca është detyrim institucional dhe jo zgjedhje.

    Po ashtu, kërkojmë që çdo kontratë dhe çdo vendim i marrë gjatë periudhës së pasigurisë institucionale të shqyrtohet nga Komisioni për Media dhe Komisioni për Buxhet dhe Transfere, si dhe të sigurohet kontroll i rreptë ligjor deri në konsolidimin e plotë institucional.

    Nëse këto kërkesa nuk adresohen, Sindikata e Punëtorëve e RTK-së do të fillojë protesta në ditët në vijim dhe paralelisht do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore përmes organeve të drejtësisë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

    Kërkesat tona janë të bazuara në ligj dhe në parimin e barazisë. Nuk do të pranojmë asnjë zgjidhje që i anashkalon ato.

  • Zëri i katër liderëve të UÇK-së dëgjohet përfundimisht, seanca nis në 14:15

    Zëri i katër liderëve të UÇK-së dëgjohet përfundimisht, seanca nis në 14:15

    Në orën 14:15, brenda ‘mureve të ftohta’ të Gjykatës Speciale, ku ata kanë qëndruar në paraburgim për më shumë se pesë vjet, pritet të flasin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Do të jenë fjalët e tyre përfundimtare, momenti kur zëri i secilit do të dëgjohet pas viteve të pritjes dhe pas sfidave që kanë përballuar brenda këtyre ‘mureve të rrepta’.

    Ky është çasti i fundit për ta për të thënë fjalët e tyre dhe për të lënë gjurmën e tyre në këtë proces historik.

  • Mbrojtja kërkon që Krasniqi të shpallet i pafajshëm

    Mbrojtja kërkon që Krasniqi të shpallet i pafajshëm

    Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, hodhi poshtë pretendimet e ZPS-së se klienti i tij ishte epror i Bislim Zyrapit.

    Ai tha se vetë Zyrapi ka pranuar se ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

    “Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit”, tha ai, duke përmendur këtu Naim Malokun, Sokol Bashtën dhe Rrustem Mustafën.

    Sipas tij, ZPS po tenton të minimizojë rolin e Zyrapit, duke pretenduar se dëshmia e Zyrapit se Krasniqi ishte epror i tij është “i pabazuar”.

    Mbrojtja e Krasniqit tha se provat do ta çojnë trupin gjykues që ta shpallin atë të pafajshëm.

    Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, tha se Prokuroria po ndryshon qëndrimet kur mbështet përgjegjësinë e të akuzuarve në faktin që ishin pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.

    Ai tha se vetë kryeprokurorja kishte thënë se për fajësim nuk kërkohet vetëm anëtarësia e tyre në shtab, por të hënën prokurorët e përdorën këtë argument.

    Sipas tij, për kontributin për NPK përgjegjësia individuale duhet “të identifikohet individualisht”, në të kundërtën, tha ai, i bie që i gjithë rasti është kundër Shtabit të Përgjithshëm e jo ndaj katër të akuzuarve.

    Seanca ka shkuar në pauzë dhe pas pushimit, ish-eprorët e UÇK-së do të deklarohen.

    Seanca pritet të nisë në 14:15.