ATV

Category: Lajme

  • Shënohet viktima e dytë nga moti i keq në jug: Gjendet i mbytur peshkatari në afërsi të ishujve të Ksamilit

    Shënohet viktima e dytë nga moti i keq në jug: Gjendet i mbytur peshkatari në afërsi të ishujve të Ksamilit

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në afërsi të ishujve të Ksamilit, ku është gjetur i pajetë në det një peshkatar.

    Viktima është identifikuar si Mihal Zoi, 61 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e mbytjes. Gjatë kërkimeve, Policia ka gjetur edhe mjetin lundrues të 61-vjeçarit, i cili ishte fundosur. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në kohën kur zona u përfshi nga stuhia e fortë dhe moti i keq.

    Grupi hetimor po verifikon mbytjen aksidentale si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike, ndërsa po hetohet dhe pista e vetëmbytjes.

    Sipas burimeve, 61-vjeçari ishte i divorcuar, ndërsa fëmijët e tij jetojnë në Greqi. Në Shqipëri ai nuk rezulton të ketë familjarë të tjerë, përveç një motre. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

  • Forcohet mbikëqyrja e tregut, Kusari-Lila paralajmëron rritjen e numrit të inspektorëve

    Forcohet mbikëqyrja e tregut, Kusari-Lila paralajmëron rritjen e numrit të inspektorëve

    Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se mbrojtja e konsumatorëve dhe forcimi i mbikëqyrjes së tregut mbeten ndër prioritetet kryesore.

    Kusari-Lila ka njoftuar se nga muaji gusht do të rritet numri i inspektorëve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut nga 25 në 43, ndërsa synimi është që deri në fund të vitit ky numër të arrijë në 100 inspektorë.

    Sipas saj, rritja e kapaciteteve të inspektoratit synon të sigurojë mbrojtje më efektive për qytetarët nga manipulimet, mashtrimet dhe shkeljet në treg.

    Ajo ka falënderuar inspektorët për angazhimin e tyre, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë realizuar aksione të ndryshme, përfshirë kontrollet në tregun e derivateve të naftës, inspektimin e njehsorëve elektrikë, kontrollin e etiketimit të produkteve ushqimore, si dhe inspektimet ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari pa licencë.

  • Emri i tij doli në dosjet Epstein, gjendet i vdekur agjenti francez i modës

    Emri i tij doli në dosjet Epstein, gjendet i vdekur agjenti francez i modës

    Një agjent francez i modës, me lidhje të afërta me Jeffrey Epstein, është gjetur i vdekur në banesën e tij pranë Parisit.

    Bëhet fjalë për Daniel Siad, 69 vjeç, i cili ishte nën hetim në Francë për dyshime se kishte ndihmuar Epstein në trafikimin dhe abuzimin e grave.

    Prokuroria e Nanterres bëri të ditur se ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e vdekjes së tij. Për këtë rast pritet të kryhet edhe autopsia.

    Siad, ndaj të cilit ishin bërë disa denoncime, përfshirë akuza për përdhunim, ende nuk ishte marrë në pyetje nga hetuesit. Ai i kishte mohuar akuzat dhe kishte deklaruar se dëshironte të dëgjohej për të dhënë versionin e tij.

    Emri i tij ishte përmendur në më shumë se 1 mijë dokumente të publikuara nga dosjet e deklasifikuara të Epstein.

    Në vitin 2014, Siad i kishte shkruar Epstein për përpjekjet e tij për të gjetur modele të reja, duke i krahasuar ato me peshkimin.

    Jeffrey Epstein, i akuzuar për trafikim seksual, vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin. Ndërsa agjenti francez i modës Jean-Luc Brunel, i akuzuar gjithashtu për lidhje me rrjetin e Epstein, u gjet i vdekur në një burg francez në vitin 2022.

  • Kurti: Opinioni i GJND-së i dha fund pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës

    Kurti: Opinioni i GJND-së i dha fund pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetit të Kosovës.

    Kurti tha se opinioni i 22 korrikut 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë fund, sipas tij, një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës.

    “Ky opinion riafirmoi një parim me vlerë universale: e drejta ndërkombëtare nuk ekziston për të ruajtur padrejtësinë apo për ta bërë historinë të pakthyeshme, por për të krijuar hapësirë që paqja, liria dhe vetëvendosja demokratike të gjejnë shprehje brenda rendit juridik ndërkombëtar. Kur e drejta interpretohet me integritet, ajo nuk bëhet pengesë për lirinë, por garanci e saj”, ka shkruar Kurti.

    Ai theksoi se për Kosovën ky ishte një moment që forcoi themelet e subjektivitetit ndërkombëtar, ndërsa për bashkësinë ndërkombëtare përbënte një sqarim të rëndësishëm se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë dhe se secili rast duhet të vlerësohet mbi faktet dhe normat që e karakterizojnë.

    Kurti shtoi se mbrojtja e kësaj trashëgimie bëhet përmes forcimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës.

    Në fund të reagimit, ai kujtoi se opinioni këshillëdhënës u shpall nga kryetari i atëhershëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, profesori Hisashi Owada, i cili vitin e kaluar u nderua nga Universiteti i Prishtinës me titullin “Doctor Honoris Causa” për kontributin e tij në të drejtën ndërkombëtare dhe promovimin e paqes globale.

  • 22 korriku 2010, Osmani: Momenti i dështimit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

    22 korriku 2010, Osmani: Momenti i dështimit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e ka kujtuar si momentin e dështimit të Serbisë.

    Osmani ka shprehur mirënjohje për të gjithë ekipin me të cilin punuan për këtë rezultat historik.

    “Momenti i dështimit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

    22 Korrik 2010, Hagë.

    Mirënjohje për të gjithë ekipin me të cilin punuam bashkë për këtë rezultat historik për Republikën tonë.”

  • “Ah bre Shaban, pse më le”, dhimbja e vëllait pas vdekjes së policit nga Prizreni

    “Ah bre Shaban, pse më le”, dhimbja e vëllait pas vdekjes së policit nga Prizreni

    Vdekja e zyrtarit të NJRSh-së, Shaban Hajdari, ka lënë në pikëllim të thellë familjen, miqtë dhe kolegët e tij.

    35-vjeçari nga Prizreni, i cili u gjet i pajetë pranë varrezave të fshatit Morinë në Kukës, është kujtuar me dhimbje nga vëllai i tij, Egzoni, përmes një postimi prekës në rrjetin social Facebook, raporton Klankosova.tv.

    “Ah bre Shaban, o krahu im i djathtë, pse më le?”, ka shkruar vëllai i të ndjerit, duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e tij.

    Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes tragjike të zyrtarit policor nga Prizreni janë ende duke vazhduar.

    Policia e Kosovës del me deklaratë zyrtare për vdekjen e zyrtarit policor në Morinë

  • Haziri: Beteja e Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, duhet të mbetet betejë e tij me votuesit e tij

    Haziri: Beteja e Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, duhet të mbetet betejë e tij me votuesit e tij

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, pas kërkesës për mocion ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, duke bërë thirrje për unitet dhe shmangie të përçarjeve.

    Haziri tha se çështja mes Abdixhikut dhe nënshkruesve të mocionit duhet të mbetet një proces i brendshëm i partisë.

    “Beteja e Lumir Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, në emër të kërkesave politike, është dhe duhet të mbetet beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij”, shkroi Haziri.

    Ai kritikoi ata që, sipas tij, po e shfrytëzojnë situatën për pozicionime personale politike, duke theksuar se debatet publike nuk i shërbejnë të ardhmes së LDK-së.

    “Të gjithë ata që po dalin në analiza, vlerësime e mësime, për apo kundër, janë vetëm pozicionime politike për veten e tyre e jo për të ardhmen e LDK-së”, tha ai.

  • Kapet në veri i kërkuari me të kaluar kriminale, dyshohet edhe për vrasje

    Kapet në veri i kërkuari me të kaluar kriminale, dyshohet edhe për vrasje

    Një 25 vjeçar me inicialet M.P, është arrestuar të hënën në Mitrovicën e Veriut, i dyshuar për dëmtimin e dy automjeteve me gurë, ndërsa ndaj tij ishte aktiv edhe një urdhërarrest nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.

    Sipas Policisë, ai figuron gjithashtu si i dyshuar në 10 raste të tjera penale, përfshirë një rast të vrasjes, nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, sulm ndaj personit zyrtar dhe posedim të paautorizuar të armëve.

    “Me datë 20.07.2026, Policia në Veri ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet M.P. (2001), i cili dyshohet se më 10.07.2026 ishte i përfshirë në dy raste të iniciuara në Stacionin Policor Mitrovicë Veri për veprën penale ‘Dëmtim apo asgjësim i pronës’. Bazuar në hetimet e zhvilluara, i njëjti dyshohet se ka dëmtuar dy automjete duke i goditur me gurë”, thuhet në njoftimin e Policisë transmeton Klankosova.tv.

    Organet e rendit bëjnë të ditur se i dyshuari kishte arritur t’i shmangej arrestimit më 14 korrik, por pas lokalizimit të tij në Mitrovicën e Veriut u arrestua, ndonëse tentoi sërish të ikte.

    “Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar sërish t’i shmanget arrestimit, por zyrtarët policorë kanë arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë”, njofton Policia.

    Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, M.P. ka pranuar se i kishte dëmtuar automjetet.

    Policia ka bërë të ditur se ndaj tij ishte në fuqi edhe një urdhërarrest i lëshuar nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.

    “Po ashtu, në sistemin policor ai figuron si i dyshuar edhe në 10 raste të tjera penale, përfshirë veprat: ‘Vrasje’, ‘Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, të cilat janë në procedurë pranë organeve të drejtësisë”, thuhet më tej në njoftim.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

    Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave që kryejnë vepra penale, si dhe në sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.

  • Wizz Air hap bazën operative në Prishtinë, investon rreth 100 milionë dollarë

    Wizz Air hap bazën operative në Prishtinë, investon rreth 100 milionë dollarë

    Kompania ajrore Wizz Air do ta hapë nga nëntori i këtij viti bazën e saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke e bërë Kosovën një nga qendrat e saj të operimit në rajon. Me vendosjen e një avioni Airbus A321neo, investimi pritet të rrisë lidhjet ajrore të vendit, të zgjerojë mundësitë e udhëtimit dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe shtimit të kapaciteteve të fluturimeve.

    Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi vendimin e Wizz Air si dëshmi të besimit të investitorëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës.

    Në kontekstin rajonal viteve të fundit, Kurti tha se aeroporti i Prishtinës është rritur me dinamikë të lartë.

    Numri i udhëtarëve ka shënuar 4.6 milionë udhëtarë.

    Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën në Prishtinë është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një vend i besueshëm për investime.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se vendimi i kompanisë ajrore Wizz Air për ta vendosur bazën e saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është një dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një vend i besueshëm për investime dhe me potencial për t’u integruar në rrjetet evropiane të transportit.

    Këto komente Kurti i bëri në ceremoninë e hapjes së bazës operative të Wizz Air në Aeroportin e Prishtinës, ku u bë e ditur se kompania do të vendosë një avion Airbus A321neo dhe do të hapë 40 vende të reja pune.

    “Vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime, me perspektivë të qartë zhvillimi dhe me potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit, të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve”, tha Kurti.

    Ai e cilësoi bazën e re dhe avionin me kapacitet prej 239 ulësesh si një investim të rëndësishëm për vendin.

    “Kjo bazë e re dhe avioni me kapacitet prej 239 ulësesh janë investim i rëndësishëm dhe tregues se vendi ynë po bëhet gjithnjë e më tërheqës edhe për industrinë ndërkombëtare të aviacionit”, u shpreh ai.

    Kurti tha se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka shënuar rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve, duke iu afruar shifrës prej pesë milionë pasagjerësh.

    “Numri i udhëtarëve ka shënuar vazhdimisht rekorde të reja. Është 4.6 milionë, po i afrohemi ngadalë, por sigurt edhe shifrës prej pesë milionë pasagjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”, deklaroi ai.

    Sipas Kurtit, krahas rritjes së numrit të udhëtarëve, synim duhet të mbetet edhe ofrimi i biletave me çmime më të përballueshme.

    “Ne jemi të interesuar që numri i udhëtarëve, i cili po rritet, të shoqërohet edhe me bileta sa më të lira, në mënyrë që qarkullimi të jetë sa më i përballueshëm. Kjo është shenjë se qytetarët tanë udhëtojnë më shumë, mërgata po e viziton më shpesh vendlindjen, por edhe se numri i turistëve po shtohet”, tha ai.

    Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Wizz Air, Andras Szabo, bëri të ditur se baza e re do të nisë operimin në nëntor të vitit 2026 dhe se investimi kap vlerën e rreth 100 milionë dollarëve.

    “Do të vendosim këtu një avion Airbus A321neo, gjë që do të krijojë 40 vende të reja pune për qytetarët e Kosovës. Ky është një investim me vlerë rreth 100 milionë dollarë”, tha Szabo.

    Ai njoftoi gjithashtu për zgjerimin e rrjetit të fluturimeve nga Prishtina, me linja të reja drejt Bruksel Charleroi dhe Karlsruhe/Baden-Baden, si dhe me rritje të frekuencës së fluturimeve drejt Bazelit dhe Dortmundit.

    Edhe drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Süreyya Gökhan Açıkgöz, e cilësoi hapjen e bazës së Wizz Air si një moment të rëndësishëm për aviacionin dhe ekonominë e Kosovës.

    “Ky është shumë më tepër sesa ardhja e një avioni të ri. Është një shprehje e qartë e besimit në Kosovë, në qytetarët tanë, në tregun tonë dhe në mundësitë që na presin në të ardhmen”, tha ai.

    Sipas tij, hapja e bazës së Wizz Air do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve ajrore, zhvillimin e turizmit, tregtisë, investimeve dhe ekonomisë së vendit.

  • Pas renovimit, nis punën shërbimi i vaksinimit në QMF në “Bregun e Diellit” në Prishtinë

    Pas renovimit, nis punën shërbimi i vaksinimit në QMF në “Bregun e Diellit” në Prishtinë

    Shërbimi i vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) 6 në “Bregun e Diellit”, në Prishtinë ka rifilluar punën pas renovimit të hapësirave, të cilat tashmë ofrojnë kushte më moderne, më funksionale dhe qasje më të lehtë për qytetarët.

    Shërbimi i vaksinimit është zhvendosur në katin përdhes të objektit, duke ua lehtësuar qasjen veçanërisht prindërve që sjellin fëmijët me karroca.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se investimi në këtë qendër është pjesë e angazhimeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në kryeqytet.

    “Pas renovimit, shërbimi i vaksinimit në QMF 6 – Bregu i Diellit ka nisur punën në hapësira moderne dhe më funksionale. Ky shërbim tashmë është në katin përdhes, për t’ua lehtësuar qasjen prindërve që sjellin fëmijët me karroca”, ka thënë Rama.

    Ai ka theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën shëndetësore, duke pasur parasysh numrin e madh të qytetarëve që marrin shërbime në këtë qendër.

    “Vetëm në këtë qendër administrohen rreth 17 mijë vaksina. Përmirësimi i infrastrukturës është një investim i drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”, ka shkruar Rama.

    Me hapësirat e reja, QMF 6 synon të ofrojë kushte më të mira për profesionistët shëndetësorë dhe shërbime më të qasshme e më cilësore për qytetarët e Prishtinës.