ATV

Category: Lajme

  • Ramadani reagon ndaj Haxhiut: Pse nuk e caktove sot seancën e Kuvendit?

    Ramadani reagon ndaj Haxhiut: Pse nuk e caktove sot seancën e Kuvendit?

    Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani ka reaguar pas deklaratës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila bëri të ditur se të premten do ta caktojë datën e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Përmes një reagimi publik, Ramadani ka kritikuar vonesën në caktimin e seancës, duke ngritur pyetje lidhur me arsyet e pritjes deri të premten.

    Ai, po ashtu, ka akuzuar Haxhiun për rritje të jashtëligjshme të pagesave të tenderëve, duke i bërë thirrje Prokurorisë që të merret me këtë çështje.

    “Kjo pushtetarja që rriti jashtëligjshëm pagesën e tenderave për 326% (alo… Prokuroria a jeni këndej?!) paska thënë që të premten e cakton datën e seancës së Kuvendit. Pse s’e caktove sot? Çka paska të premten ndryshe nga sot? Çfarë skenari po përgatisni?”, ka shkruar Ramadani.

  • A po pret zhvillimet në LDK për të vazhduar bisedimet? Kurti shmang përgjigjen

    A po pret zhvillimet në LDK për të vazhduar bisedimet? Kurti shmang përgjigjen

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve nëse është duke pritur që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm, para se të nisin diskutimet për formimin e institucioneve të reja, raporton Ekonomia Online.

    Kurti është pyetur nëse zhvillimet e brendshme në LDK, përfshirë thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, janë pjesë e pritjes së tij përpara se të nisë diskutimet politike për formimin e institucioneve, por nuk ka dhënë përgjigje.

    LDK-ja ditëve të fundit është përfshirë në një proces të brendshëm pas kërkesës për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, ndërsa zyrtarë të kësaj partie kanë bërë të ditur se aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat për verifikimin e nënshkrimeve dhe delegatëve.

  • Haradinaj: Vendimi i GjND-së një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetndërtimit

    Haradinaj: Vendimi i GjND-së një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetndërtimit

    Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të shtetësisë dhe shtetndërtimit.

    Haradinaj, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 u konfirmua nga GjND më 22 Korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran.

    Postimi i tij i plotë:

    Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të shtetësisë dhe shtetndërtimit.

    Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 u konfirmua nga GjND më 22 Korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran.

    Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rrugë e vetme për të arritur qëllimet tona si shtet.

    Zoti e bekoftë Kosovën!

  • Të shtëna me armë pas një përleshjeje në Pejë, arrestohen dy persona – lëndohet një kalimtar

    Të shtëna me armë pas një përleshjeje në Pejë, arrestohen dy persona – lëndohet një kalimtar

    Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas një incidenti me armë zjarri që ndodhi në fshatin Kosuriq të Pejës, ku një kalimtar i rastit mbeti i lënduar.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur të martën, më 21 korrik 2026, pasi Stacioni Policor në Pejë u njoftua për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.

    “Policia menjёherё kanё dalë në vendngjarje, ku ёshtё takuar viktima i cili deklaron se ka pasur njё pёrleshje fizike me njё person, i cili së bashku me një të dyshuar tjetër pas pёrleshjes në vendngjarje ka shtёnё me armё zjarri, me ç’rast gёrvishtje ka pёsuar njё kalimtar rasti, i cili ёshtё dёrguar nё spitalin rajonal nё Pejё për trajtim mjekësor. Nё vendin e ngjarjes ёshtё gjetur njё gёzhojё, ku me urdhёr tё prokurorit ёshtё bёrё kontroll/bastisje nё shtёpinё e tё dyshuarve”, thuhet në njoftim.

    Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka gjetur një gëzhojë. Me urdhër të prokurorit është kryer kontroll në shtëpitë e të dyshuarve, ku janë sekuestruar një armë zjarri, një karikator dhe një gëzhojë.

    Pas arrestimit dhe intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, njëri prej të dyshuarve është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

    Policia ka njoftuar se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi/

  • Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore

    Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore

    Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale.

    Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Komisioni i Përhershëm i Trashëgimisë Kulturore i kanë shprehur ngushëllime familjes, miqve, komunitetit akademik dhe bashkëpunëtorëve ndër vite të akademik Emin Rizës, për humbjen e madhe njerëzore dhe shkencore.

    Ai lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër. Me një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, akademik Riza ka dhënë një kontribut të spikatur në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale shqiptare.

    Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Qyteti–Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor mbi trashëgiminë ndërtimore të Gjirokastrës, banesat karakteristike dhe vlerat e saj si qytet-muze, si edhe “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), monografi e botuar nga Akademia e Shkencave, e cila trajton tipologjinë e banesave popullore shqiptare me qoshk dhe vlerat e tyre arkitektonike.

    Akademik Riza ishte autor i 16 monografive, pesë prej tyre në bashkautorësi, si edhe i 134 artikujve shkencorë të botuar në revista të specializuara, ndër to “Studia Albanica”, “Arkitektura popullore shqiptare” dhe “Monumentet”, ku trajtoi tipologjitë e banesave popullore, strukturat ndërtimore dhe trashëgiminë e qyteteve historike.

    Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, duke nxitur botimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore shqiptare. Akademik Riza ishte nismëtar i Ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe kryesues i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, çka kontribuoi në përfshirjen e këtyre qyteteve në Listën e Trashëgimisë Botërore.

    Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit, duke lënë një trashëgimi të vyer për studiuesit e rinj dhe për kujtesën kulturore të Shqipërisë.

    Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit. /a2cnn

  • Gjendet pa shenja jete një zyrtar i Policisë së Kosovës në Morinë

    Gjendet pa shenja jete një zyrtar i Policisë së Kosovës në Morinë

    Një efektiv i Policisë së Kosovës është gjetur pa shenja jete mëngjesin e kësaj të marte në varrezat e fshatit Morinë, në Kukës.

    Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 08:25 është konstatuar i pajetë shtetasi 35 vjeç, banues në Prizren, punonjës policie në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren.

    Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e një vetëvrasjeje me armë zjarri pistoletë. Arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

    Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

    Policia e Shtetit bëri të ditur se po bashkëpunon me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e sekuestruar është arma e shërbimit të efektivit, si dhe për sigurimin e të gjitha të dhënave që do t’i shërbejnë dokumentimit të plotë ligjor të rastit. /Abcnews.al/

  • Rubio thotë se Irani ‘nuk është serioz në lidhje me bisedimet’ – dhe paralajmëron për kërcënim për ekonominë globale

    Rubio thotë se Irani ‘nuk është serioz në lidhje me bisedimet’ – dhe paralajmëron për kërcënim për ekonominë globale

    Marco Rubio, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, ka thënë se Irani “nuk është serioz në lidhje me bisedimet” dhe paralajmëroi për një “precedent të rrezikshëm” që po krijohet në Ngushticën e Hormuzit.

    Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Filipine, Rubio sugjeroi që SHBA-të ishin të hapura për negociata dhe akuzoi Teheranin se kërcënonte “lirinë e lundrimit” me veprimet e tyre në rrugën ujore kyçe.

    “Problemi që po kemi tani është se ata nuk janë seriozë në lidhje me bisedimet. Nëse jeni seriozë, edhe ne jemi seriozë. Nëse nuk jeni, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur interesat tona dhe interesat e aleatëve tanë”, tha ai.

    Komentet e tij vijnë ndërsa ushtria amerikane përfundoi një natë të 11-të radhazi sulmesh ndaj Iranit të martën, me raportime për shpërthime të shumta në vend, transmeton Telegrafi.

    Rubio këmbënguli se, sipas asnjë “mekanizmi ligjor ekzistues”, Irani nuk kishte të drejtë të kontrollonte trafikun përmes Ngushticës së Hormuzit dhe paralajmëroi se kjo mund të kishte pasoja më të gjera në të gjithë botën.

    Sulmet në ngushticë kanë qenë një dukuri e rregullt pas rifillimit të armiqësive në rajon.

    Që nga fillimi i konfliktit në shkurt, Irani ka pretenduar kontrollin mbi ngushticën, pavarësisht se rruga i nënshtrohet lirisë së lundrimit sipas ligjit ndërkombëtar.

    “Nëse krijojmë një precedent në Lindjen e Mesme ku një shtet komb mund të vendosë se do të kontrollojë një rrugë ujore ndërkombëtare… ne kemi krijuar një precedent shumë të rrezikshëm që do të përsëritet në pjesë të tjera të botës. Pra, ajo që është në rrezik këtu nuk është thjesht Ngushtica e Hormuzit, por një parim shumë themelor në lidhje me lirinë e lundrimit. Nëse kjo kërcënohet, atëherë mendoj se ekonomia globale është e kërcënuar”, shtoi ai. /Telegrafi/

  • Spitali i Përgjithshëm në Pejë kërkon urgjentisht largimin e mbeturinave brenda hapësirave

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë kërkon urgjentisht largimin e mbeturinave brenda hapësirave

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë një apel publik drejtuar institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e problemit të largimit të mbeturinave, situatë që, sipas këtij institucioni, po rrezikon funksionimin normal të spitalit dhe sigurinë e pacientëve, stafit shëndetësor dhe qytetarëve.

    Nga spitali bëhet e ditur se, si institucion që ofron shërbime shëndetësore pa ndërprerje 24 orë në ditë, çdo ditë prodhohen sasi të konsiderueshme mbeturinash, të cilat nuk mund të ruhen për periudha të gjata brenda hapësirave të spitalit.

    Sipas njoftimit, grumbullimi i mbeturinave krijon rrezik për përkeqësimin e kushteve higjieno-sanitare dhe rrit mundësinë e përhapjes së infeksioneve, duke cenuar shëndetin e pacientëve, stafit dhe qytetarëve që marrin shërbime në këtë institucion.

    Spitali thekson se e kupton situatën e krijuar lidhur me deponinë, por u bën thirrje institucioneve kompetente në nivel lokal dhe qendror që të ndërmarrin masa urgjente për të siguruar largimin e rregullt të mbeturinave.

    “Nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar, por trajtim prioritar për një institucion që ofron shërbime jetike dhe që, për shkak të natyrës së veprimtarisë së tij, nuk mund të funksionojë në kushte ku largimi i mbeturinave ndërpritet”, thuhet në reagimin e spitalit.

    Po ashtu, Spitali i Përgjithshëm në Pejë thekson se i ka përmbushur me rregull të gjitha obligimet kontraktuale dhe financiare ndaj kompanisë që ofron shërbimin e grumbullimit dhe largimit të mbeturinave, duke nënvizuar se situata e krijuar nuk është pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të institucionit.

    Në fund, spitali u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që ta trajtojnë këtë çështje me urgjencën e nevojshme, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik dhe garantimit të vazhdimësisë së shërbimeve shëndetësore.

  • Komuna e Suharekës formon komisionet për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia dhe shiu

    Komuna e Suharekës formon komisionet për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia dhe shiu

    Komuna e Suharekës ka formuar komisionet për vlerësimin dhe evidentimin e dëmeve që janë shkaktuar nga stuhia dhe shiu në bujqësi, institucione publike, arsimore, biznese e hapësira publike.

    Nga Komuna e Suharekës thanë se këto komisione në kontakt me kryetarët e fshatrave, do të dalin në teren dhe do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes dhe dëmeve të shkaktuara.

    “Sipas njoftimit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, stuhi dhe të reshura mund të ketë edhe gjatë ditë së sotme, andaj veproni me qetësi dhe në harmoni me rregullat e publikuara nga institucionet përkatëse”, ka paralajmëruar kryetari i kësaj Komunë, Bali Muharremaj.

    Në Suharekë, stuhia e djeshme ka dëmtuar shkollën fillore në Gjinoc, ka dëmtuar vetura të parkuara e shumë toka bujqësore. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.

  • Aksidenti në Komoran, çka thuhet në raportin 24-orësh të policisë?

    Aksidenti në Komoran, çka thuhet në raportin 24-orësh të policisë?

    Policia e Kosovës njoftoi në raportin 24-orësh të mërkurën për ngjarjen tragjike, ku 24-vjeçarja Rea Raka vdiq në një aksident trafiku në Komoran.

    Raporti konstaton për një të vdekur dhe tre të lënduar në vetaksidentin me automjet, i cili ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit të së martës.

    “Si pasojë e aksidentit, një femër kosovare ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë një mashkull dhe dy femra kosovare të cilat kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në raport.

    Sipas raportit 24-orësh policor, “trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ne Prishtinë për Obduksion”.

    Tre të lënduarit u dërguan të martën për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare.

    Mes tyre, edhe një vajzë 18-vjeçare, e cila iu nënshtrua një operimi urgjent në Qendrën Emergjente dhe pastaj u transferua për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën Intensive.

    Shaqir Uka, shef i Intensivës, tha të martën për Ekonomia Online se gjendja e 18-vjeçares është “relativisht stabile”.

    “Pas kryerjes së ekzaminimeve dhe intervenimit, nga Qendra Emergjente është sjellë për trajtim në Mjekimin Intevsiv Qendror, për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Si pasojë e aksidentit ajo ka marrë lëndime bukur serioze në anën e majtë të ekstremitetit të lartë dhe të poshtëm si dhe në regjionin e barkut”.

    “Gjendja e saj mund të them se është relativisht stabile. Ajo aktualisht po mbahet e fjetur me barëra dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve. Për detaje tjera do t’ju njoftojmë me kohë”, deklaroi Uka.