ATV

Category: Lajme

  • E diela natë e kobshme për vendin, tre persona humbën jetën

    E diela natë e kobshme për vendin, tre persona humbën jetën

    Një natë e kobshme ka qenë dita e diele për vendin tonë, pasi tre persona kanë humbur jetën në rrethana të ndryshme brenda pak orësh.

    Fillimisht në fshatin Kçiq i Madh në Mitrovicë një 18-vjeçar rreth orës 18:40 është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Mitrovicës.

    Disa orë më vonë në Bresje të Fushë Kosovë, një këmbësor humbi jetën pasi u godit nga një veturë.

    Sipas Policisë së Prishtinës, vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor, ndërsa me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut.

    Ndërsa në Prizren një burrë 44-vjeçar vdiq po ashtu pas lëndimeve të rënda që kishte marrë pasi kishte rënë nga lartësia.

  • Sot nis Kreshma e Madhe e Pashkëve Ortodokse

    Sot nis Kreshma e Madhe e Pashkëve Ortodokse

    Sot besimtarët ortodoksë shqiptarë fillojnë plotësisht Kreshmën e Madhe të Pashkës, e cila sivjet do të zgjasë deri më 12 prill, në të kremten e Ngjalljes së Krishtit, njofton Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

    Kreshma e madhe e Pashkës është një kreshmë e veçantë me karakter të thellë pendimi, si periudhë parapërgatitore për kremtimin e Pashkës.

    Përpara kësaj përpjekjeje shpirtërore, vetë Krishti vendosi si parakusht ndjesën (faljen) ndaj tjetrit, ndaj kujtdo, kujtdo që na ka padrejtësuar apo e kemi padrejtësuar: “Sepse nëse ju, ua falni njerëzve fajet e tyre, Ati juaj qiellor do t’ju falë juve; por nëse ju nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’ju falë juve fajet tuaja” (Mattheu 6:14-18).

    Kreshma është bashkëpunim i shpirtërores dhe trupores në adhurimin e Perëndisë së gjallë. Duke agjeruar e duke kreshmuar me disa ushqime dhe nga ana tjetër duke kreshmuar nga mëkatet, ndihmojmë të gjithë njeriun, trup e shpirt, të afrohet e të adhurojë Perëndinë.

    USHQIME QË HAHEN GJATË KRESHMËS

    Nuk lejohet përdorimi i çdo ushqimi me bazë shtazore.

    Pra nuk lejohet konsumimi i mishit dhe i produkteve të tij, as i peshkut (peshku lejohet vetëm në dt. 25 mars, në të kremten e Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari; dhe të Dielën e Dafinave – sivjet më 5 prill).

    – Nuk lejohen prodhimet e bulmetit, djathit të çdo lloji, gjalpit, kosit, qumështit, vezës etj.

    – Ndalohet konsumimi i alkoolit, duhanit dhe veset e tjera apo zakonet e dëmshme.

    Lejohet konsumimi i perimeve e zarzavateve të ndryshme, si p.sh.: fasule, thjerrëza, oriz, patate, domate, qepë, karota, patëllxhanë, bizele, ullinj, lakër, lulelakër, tranguj, kungull, spec, bamje, panxhar, rrepa, grurë, misër, qiqra, hudhër, kërpudha, spinaq, brokoli, sallatë jeshile, rukola, etj., si edhe i turshive të tyre.

    – Lejohet konsumimi i frutave të thata: arra, bajame, lajthi, kikirikë, fara, susam, rrush, fik i thatë etj.

    – Lejohet konsumi i brumërave si makarona (pa vezë), byrek të ndryshëm (me perime të ndryshme).

    Lejohet konsumimi i perimeve e zarzavateve të ndryshme, si p.sh.: fasule, thjerrëza, oriz, patate, domate, qepë, karota, patëllxhanë, bizele, ullinj, lakër, lulelakër, tranguj, kungull, spec, bamje, panxhar, rrepa, grurë, misër, qiqra, hudhër, kërpudha, spinaq, brokoli, sallatë jeshile, rukola, etj., si edhe i turshive të tyre.

    – Lejohet konsumimi i frutave të thata: arra, bajame, lajthi, kikirikë, fara, susam, rrush, fik i thatë etj.

    – Lejohet konsumi i brumërave si makarona (pa vezë), byrek të ndryshëm (me perime të ndryshme).

    KËSHILLIM

    Vaji (çdo lloj vaji bimor: ulliri, luledielli etj.), privimi i pjesshëm i vajit, varet nga udhёzimet e atit shpirtёror (që rrëfehen), i cili edhe jep një program ushtrimor shpirtëror e ushqimor sipas mundësisë dhe gjendjes së shëndetit të gjithsecilit.

    Kujtojmë se Kreshma ka si qëllim ushtrimin shpirtëror dhe trupor, përpjekje e luftë ndaj pasioneve e dëshirave shpirtërore e trupore, përmirësimin dhe pësosjen e personit tonë dhe jo të dëmtojmë trupin, i cili është edhe Tempull i Shpirtit të Shenjtë. /ATSH/

  • Artan Grubi kthehet në Maqedoninë e Veriut, arrestohet në Bllacë

    Artan Grubi kthehet në Maqedoninë e Veriut, arrestohet në Bllacë

    Ish-zëvendëskryeministri i parë i Republika e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi sot në mëngjes vullnetarisht u paraqit pranë pikës kufitare Bllacë me Kosovën dhe se ndaj tij menjëherë u ndërmorren masat ligjoreu, pasi ndaj tij ishte aktive masa “Arresto”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

    Sipas policisë, Grubi u paraqit në hyrje të vendit rreth orës 06:10 dhe u privua menjëherë nga liria. Ai është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme, ndërsa autoritetet nuk dhanë detaje shtesë mbi fazën aktuale të procedimit penal.

    “Më 23.02.2026 në ora 06:10 minuta në hyrje të republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitarë Bllacë u paraqit Artan Grubi, i lindur më 07.06.1977 me masën “Arresto”. Personi në fjalë është privuar nga liria për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

    Ai është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.

    Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.

    Gjykata paraprakisht kishte caktuar masë paraburgimi ndaj Grubit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë. /Alsat

  • KEK-u shpalli konkursin e tretë për kryeshef ekzekutiv, gati tre vjet me ushtrues detyre

    KEK-u shpalli konkursin e tretë për kryeshef ekzekutiv, gati tre vjet me ushtrues detyre

    Dy muaj pa u bërë tre vjet të plota të udhëheqjes së ndërmarrjes me ushtrues detyre, Korporata Energjetike e Kosovës shpalli konkursin e radhës për kryeshef ekzekutiv.

    Kjo është përpjekja e tretë për të rekrutuar kryeshefin e ri.

    Derisa konkursi i parë, më 2024, kishte dështuar menjëherë pas mbylljes, një vit më vonë i dyti shkoi deri në fund por, më 1 Korrik 2025, kur duhej të niste punën kandidati i përzgjedhur Ylber Batalli, refuzoi ta marrë detyrën.

    Teksa theksoi se KEK-u është dashur që menjëherë të hapte shpalljen e re për këtë pozitë, e jo të priste edhe gjysmë viti, Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë përmendi disa nga pasojat e vonesave – me theks te investimet.

    “Mungesa e një drejtuesi funksional krijon një numër të madh të paqartësive dhe pasigurie në funksionimin e ndërmarrjes, duke e ditur sa e rëndësishme është Korporata Energjetike e Kosovës për gjithë vendin, në përgjithësi, dhe ekonominë në veçanti”, ka deklaruar Ahmeti.

    Ngjarjet në këtë ndërmarrje, sipas Ahmetit, po ashtu kanë ndikim negativ.

    “Kur i sheh zhvillimet që kanë ndodhur, arrestimi, i ish-kryeshefit, tërheqjen e drejtuesit (të zgjedhur), kjo e krijon një lloj pasigurie tjetër që njerëzit ose profesionistët e fushës që kanë gatishmëri për të dhënë kontributin mund edhe që të hezitojnë që të konkurrojnë në këtë konkurs”, ka theksuar ai për Dukagjinin.

    Konkursi i ri për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje me të hyra vjetore prej më shumë se 200 milionë eurosh do të jetë i hapur deri më 11 Mars, ndërsa mandati i të emëruarit do të jetë katër vjeçar.

    Tash e një vit, nga Shkurti 2025, këtë detyrë e ushtron Gramos Hashani. Ndërsa para tij, ushtrues detyre më 2023 dhe 2024 kanë qenë Përparim Kabashi dhe Bekir Gërguri.

    Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ishte arrestuar më 19 Prill 2023, një javë më vonë ishte suspenduar, ndërsa në Shkurt 2024 ishte shkarkuar nga pozita dhe aktualisht mbrohet në liri teksa po vazhdon procesi gjyqësor ndaj tij.

  • Kosova forcon masat e sigurisë në pikëkalimet kufitare

    Kosova forcon masat e sigurisë në pikëkalimet kufitare

    Gjatë vitit 2025, në pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës është vërejtur rritje e dukshme e aktivitetit policor dhe e rezultateve në parandalimin dhe luftimin e veprave penale.

    Numri i përgjithshëm i rasteve të trajtuara ka shënuar rritje prej 38% krahasuar me 2024, ndërsa kundërvajtjet janë rritur për 86%, duke reflektuar intensifikimin e kontrolleve dhe masave të shtuara të sigurisë në kufi.

    Madje në kuadër të këtyre shifrave të policisë, të veprave penale që lidhen me sigurinë në brezin kufitar dhe krimet ndërkufitare në vitin 2025 janë arrestuar 633.

    Të fundit që u arrestuan ishin katër shtetas të huaj në Drenas të cilit dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin.

    Bëhet fjale për dy shtetas bjellorus, një rus dhe një person me nënshtetësi shqiptare që kishte qenë me ta.

    Në këtë kontekst, njohës të çështjeve të sigurisë thonë se rreziku është permanent nga lufta hibride, duke marrë për bazë propagandën, por edhe sistemin e spiunazhit ruso-serb.

    “Serbia, si përçues i interesave gjeostrategjike ruse në Ballkan, nuk pushon dhe në vazhdimësi do të kemi implikime të tilla. Mirëpo vetë ky rast tregon se Kosova tash “Qeveria” duhet të bëjë trysni në faktorin ndërkombëtar, sidomos që integrimet tona euroatlantike të jenë më të përshpejtuara, për shkak të vetë kërcënimeve dhe rreziqeve të mundshme të situatës që mbretëron në këtë pjesë të rajonit të Evropës”, ka thënë Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Edhe njohës të tjetër të sigurisë thonë se raste të tilla paraqesin alarm për autoritet e sigurisë e në veçanti në pikë-kalimet kufitare, prandaj kërkojnë vigjilencë nga autoritetet e sigurisë.

    “Këto kalime ilegale duhet të trajtojmë në një aspekt tjetër sidomos të spiunazhit apo aktivitete qe lidhen me veprime te dyshimta te krimit te organizuar, terrorizmit dhe spiunazhit ngase personat te cilët tentojnë t’i shmangen kontrolleve kufitare kane qëllime jo te mira dhe mund te jene te përfshirë ne veprime te ndryshme përfshirë edhe ato veprat e renda siç janë te spiunazhit”, ka thënë Bedri Elezi, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Njohësit e sigurisë theksojnë se në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik, vigjilenca dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten thelbësorë.

  • Nisin aplikimet për të marrë pensionin e veteranit

    Nisin aplikimet për të marrë pensionin e veteranit

    Mbrapa ka të vendosur simbolin për të cilin luftoi.

    Por vite pas luftës, ish-ushtarit të UÇK-së iu mohua ta merrte atë që i takonte.

    Kjo pasi përmes një udhëzimi të miratuar gjatë vitit 2015, qartësohej që veteranët që ishin në marrëdhënie pune, nuk mund ta marrin pensionin e luftës.

    Por me një vendim të marrë rreth 4 muaj më pare nga Gjykata Supreme, Bashkim Fazliu tani gëzon të drejtën e kompensimit financiar.

    Ai thotë se tashmë ka aplikuar për të përfituar këtë beneficion, derisa u bën thirrje të gjithë bashkëluftëtarëve të tij që ta bëjnë këtë.

    “Tash në janar veç ka fillu me u zbatu, prej dhjetorit realisht pastaj ka përfshi kush ka apliku në dhjetor, në janar e tutje. Mirëpo prapë, një kategori e veteranëve kanë mbetur jashtë, kategoria e veteranëve të cilët marrin rrogë nga buxheti i Kosovës ose këta si i thonë nga Thesari, dhe kjo është e padrejtë, duhet me u ndryshu ky ligj sa më parë ka edhe veprime tjera”, tregon Fazliu.

    Veterani i UÇK-së paralajmëron edhe padi tjera, nëse nuk merret parasysh kërkesa aktuale për t’u kompensuar me pensione tash e tutje.

    “I kam paralajmëruar që në rast se nuk zbatohet ky aktgjykim i Gjykatës Supreme, ata duhet me ditë që është vepër penale sepse sipas nenit 394 të Kodit Penal të Kosovës dmth moszbatimi i institucioneve të një aktgjykimi të Gjykatës Supreme është vepër penale, unë i kam paralajmëruar që nëse nuk e zbatojnë dhe këtë korrespodencë do ta përdori si mjet ligjor dhe si provë në gjyq”, shprehet Fazliu

    Këtë aktgjykim e kanë mirëpritur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës, ku e shohin si vendim të vonuar.

    “…ky ligj është votuar në Parlament por fatkeqësisht nuk ka gjetë zbatim për shkak se nuk ka pasë vullnet Qeveria në këtë rast me nxjerrë aktet nënligjore dhe me na mundësu. Na nuk e kemi vetëm këtë problem, ne kemi edhe plot telashe tjera edhe pse janë paraparë në ligj disa beneficione tona nuk janë nxjerrë aktet nënligjore që me gjet zbatim të ligjit në tërësi prandaj i gëzohem faktit që Supremja na ka jep të drejtë të mohuar për shumë vite dhe ka fillu një numër kogja i madh i veteranëve”, ka thënë Gazmend Syla – nënkryetar i OVL-UÇK-së.

    Tëvë1 ka kërkuar numrin e aplikimeve edhe në Agjencinë e Punësimit të Kosovës, por që deri në publikim të kronikës nuk ka marrë përgjigje.

  • Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Kjo javë do të karakterizohet me mot kryesisht stabil dhe temperatura tipike pranverore.

    Përjashtim bën dita e martë, kur mbi territorin e vendit parashihen vranësira më të dendura, të cilat vende-vende mund të sjellin riga shiu me intensitet të ulët.

    Mëngjeset do të jenë relativisht të ftohta, me ngrica të dobëta dhe paraqitje të mjegullës në disa zona, kryesisht në viset kodrinore-malore.

    Temperaturat minimale gjatë javës pritet të lëvizin ndërmjet -4°C dhe 2°C, ndërsa maksimalet e ditës do të sillen nga 6°C deri në 14°C.Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtime të ndryshme.

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme (23–27 shkurt 2026):

    E hënë

    Moti i vranët dhe me intervale me diell.
    Temperaturat minimale: -4 deri -1°C
    Temperaturat maksimale: 9 deri 13°C
    Era: Kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-4m/s.

    E martë

    Mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu.
    Temperaturat minimale: -1 deri 2°C
    Temperaturat maksimale: 10-13°C
    Era: nga verilindja me shpejtësi 1-7m/s

    E mërkurë

    Moti i vranët dhe me interval me diell.
    Temperaturat minimale: -2 deri 1°C
    Temperaturat maksimale: 6-9°C
    Era: kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.

    E enjte

    Mot kryesisht i vranët.
    Temperaturat minimale:-3 deri 0°C
    Temperaturat maksimale: 8 deri 11°C
    Era: nga verilindja 1-4m/s.

    E premte

    Mot kryesisht me diell
    Temperaturat minimale: -1 deri 2°C
    Tmperaturat maksimale: 10 deri 14°C
    Era: nga drejtimi i jugperendimi 1-4m/s.

  • Rënia heroike e Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës

    Rënia heroike e Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës

    Shkruan: Zahir Kastrati

    Më 20 shkurt 1945, forcat ushtarake të Lëvizjës Kombëtare, u përqëndruan në tri kulla prej guri në Lagjën e Dvoranëve në Tërsetenik. Në Kullën e Hasan Sylë Dvoranit, u vendos Shtabi i Përgjithshëm i Lëvizjës Kombëtare, nën komandën e Shaban Polluzhës.

    Në Kullën e Zeqir Dvoranit dhe Azem Dvoranit, u vendosën batalionet dhe njësitet e tjera ushtarake të Lëvizjes Kombëtare.
    Posa u përqëndruan në kullat e Dvoranëve, luftëtarët e Lëvizjes, të ndihmuar nga burrat e lagjes, që atë ditë ndodheshin aty, bënin përgatitjet e duhura për kundërsulm ndaj forcave, disa herë më të mëdha të armikut, të cilat ishin të pajisura, me armë të rënda, artilerike.

    Paralel përgatitjve të theksuara, u morën edhe masa të tjera në planin e sigurimit të ushqimit, veshmbathjes, si dhe sigurimin e ilaçeve, për luftëtaret e plagosur. Ishte situatë mjaft e vështirë dhe gati e papërshkrueshme. Nga të gjitha anët koncentroheshin, si dhe pozicionoheshin forca të mëdha ushtarake të armikut.

    Më 21 shkurt 1945, në mesëditë, Brigada IV dhe ajo e MPJ-së, nën komandën e Petar Brajeviqit, me tërë arsenalin e tij ushtarak, u pozicionua në të gjitha pikat strategjike dhe vunë rrethin e hekurt në fshatrat: Tërstenik, Gllobar, Çikatovë, Verbofc, Polluzhë dhe Bezheniq.

    Forcat e armikut, në mesditë, filluan sulmin kundër forcave të Lëvizjës Kombëtare, me të gjithë arsenalin e tij ushtarak.

    Në fillim, me predha topi, goditën Kullën e tretë dhe me këtë rast, fillon të zhvillohet një luftë për jetë a vdekje.

    Mirëpo pasi që forcat e artmikut nuk ishin në dijeni, se në cilën kullë gjendet Shaban Polluzha, e dërgojnë një rome, kinse për ta paralajmruar Shaban Polluzhën, që të dorëzohet se është i rrethuar nga të gjitha anët dhe se i gjallë nuk mund të klaojë.

    Por, pasi që romja, shkon dhe e mëson se në cilën kullë gjendet Shaban Polluzha, atëherë forcat e armikut filluan ta godasin pandërprerë kullën e parë, aty ku ishte i poziocionuar, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica. Pas disa goditjeve të rënda që i bëhen kullës, ajo fillon të rrezohet dhe Shaban Polluzhës, treni i kullës e godet në kurriz, duke e lënë të palevizshëm.

    Ramadan Kastrati (djali i Shaban Polluzhës), ishte në kullën e tretë, së bashku me vllanë e madh, Mustafën, i cili ishte i plagosur, pasi që kulla ku ishin, ishte dëmtuar shumë, vendosën që të kalojnë në kullën e parë, ku ishte Shaban Polluzha.

    Ramadani e merr për krahu vllanë, se bashku me Beqir Dibran Gashin (nip i Shaban Polluzhës) dhe filluan të shkojnë tek kulla e parë, mirëpo, pasi që dalin nga kulla, Beqirin e godet një plumb dhe në atë moment vdes.

    Ramadani arrin të Kulla, ku ishte Shaban Polluzha, e sheh që ishte i plagosur dhe së bashku me luftëtarët e tjerë, u munduan që t’ia japin ndihmën e parë.

    Mehmet Gradica, së bashku me luftëtaret, morën vendim që të thyhet rrethi dhe të dalin nga ai.

    Të gjithë luftëtaret që ishin në atë moment aty, filluan të shtinë me armë në të njëjtën kohë, kundër forcave të armikut dhe arrijnë që ta thyejnë rrethin duke i tërhequr edhe të plagosurit.

    Mirëpo pasi filluan që të tërhiqën, një predhë e topit e godet Mehmet Gradicën, duke e palgosur rëndë. Luftëtaret e Lëvizjes, Shabanin dhe Mehemtin i vendosin në kuaj dhe vazhduan rrugën.

    Kur arrijnë në Lagjen e Lanëve, një plumbe godet në gjoks Mustafën (djalin e Shaban Polluzhës), i cili ndërron jetë.

    Ramadan Kastrati dhe Ali Kastrati e bartin në shpinë deri te shtëpia e Behram Muhagjerit, e vendosin në Lamë e mbulojnë sadopak dhe vazhdojnë rrugën.

    (Mustafën të nesërmen e gjejnë disa partizanë dhe e varrosin në hyrje të Drenasit, duke menduar që edhe ai ishte partizan. Aty ka qëndruar i varrosur, deri në vitin 1987. (Vëllai Ramadani, djali Muhameti dhe nipat, Zymeri dhe Ilmiu e rivarrosin në Polluzhë, ku edhe sot pushon turpi i tij).

    Gjatë rrugës, në dalje të fshatit Gllobar, një plumb i armikut e godet Shaban Polluzhën ne gjoks, duke e plagosur për vdekje. Para se të ndrronte jetë, djalit të tij, Ramadanit, ia lë një amanet, citoj: “Degjo bir, unë po vdes, por trupin tim hudhe diku, apo djegum, që armiku mos ta dijë a jamë i gjallë, apo i vdekur”.

    Ramadani së bashku me Aliun, menduan se çka të bënin me trupin e këtij vigani shqiptar, i cili ia futi tmerrin e frikës armikut gjakatar serb.
    Vazhduan rrugën dhe shkojnë në mullirin e Rashkoviqit, tek Bresilla në Vasilevë, deri aty së bashku ishin edhe luftëtarët: Hetem Istogu, Sylë Istogu, Aruq Syla dhe Hamz Istogu.

    Të cilët ishin të plagosur dhe nga ky vend ndahen me Ramadanin dhe Aliun. Këta largohen nga mulliri me trupin e Shaban Polluzhës dhe vendosin që ta mbysin në ujë, në Lumin Drenica, tekë vendi i quajtur Bresilla, në Vasilevë.

    Ramadan Kastrati e thyen akullin me tytë të pushkës dhe e lëshon trupin e babait të tij, Shaban Polluzhën. “Kur e lëshova babain në ujë, m’u dukë se më zuni toka dhe qielli”, pohon Ramadan Kastrati. Prej këtu vazhduan rrugën për në fshatin Gllanasellë, tek Zeqir Tupilla.

    Pas disa ditësh Ramadani arrestohet nga forcat e armikut dhe dërgohet në këmbë, nëpër hekurudhë, prej Drenasit e deri në Prishtinë. Pasë shumë torturave që i bëjnë, detyrohet të tregojë se ku është trupi i Shaban Polluzhës.

    Forcat e armikut, e marrin Ramadanin dhe e dërgojnë në vendin se ku e kishte lëshuar trupin e babait të tij, ku kishte qëndruar afër 6 javë. Arrijn ta gjejnë trupin e Shaban Polluzhës e dergojnë në Drenas, tek stacioni i trenit. Kur e vërtetuan, se më të vërtetë, ai ishte Shaban Polluzha, Ramadanit i japin leje që ta varrosë në varrezat e fshatit Polluzhë, ku edhe sot pushon trupi i tij.

    Mehmet Gradica, ishte i plagosur rëndë, pasi që e kishte humbur njërën këmbë, jeton edhe një ditë dhe ndërron jetë. Trupin e tij e kanë varrosur në një mal të fshatit Gradicë.

    Më rënien heroike të Tribunit Popullor, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, mori fund, rrezistenca e lavdishme dhe e vetmja e këtij lloji, kundër ripushtimit të Kosovës nga Jugosallavia komuniste. Lëvizja për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, nën komandën e Shaban Palluzhës, gjatë periudhës ekzistuese të saj, kishte afër 16.000 luftëtarë, sipas dëshmitarëve të kohës.

    Qëllimi kryesor i Lëvizjës Kombëtare, në krye më Shaban Polluzhën dhe luftëtarët e tij, ishte gjithnjë, Çlirimi dhe Bashkimi Kombëtar.
    LAVDI.

  • Sllovakia goditet nga tërmet 4.2, dridhjet ndihen edhe në vendet fqinje

    Sllovakia goditet nga tërmet 4.2, dridhjet ndihen edhe në vendet fqinje

    Sllovakia u godit nga një tërmet me magnitudë 4.2, me epiqendër 28 km në juglindje të Bratislava dhe thellësi 10 km, njoftoi Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC).

    Deri tani nuk ka raportime për dëme materiale, por banorët përshkruan dridhje të forta dhe zhurma si shpërthime.

    Tërmeti u ndje edhe në Hungari, ku disa qytetarë dolën jashtë për shkak të frikës.

  • Kurti njofton për vizitën në AKI: Sukseset e inteligjencës kanë kontribuuar në sigurinë kombëtare e më gjerë

    Kurti njofton për vizitën në AKI: Sukseset e inteligjencës kanë kontribuuar në sigurinë kombëtare e më gjerë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për vizitën që ka realizuar të premten në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë me rastin e 18 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Përgjatë kësaj vizite, janë ndarë certifikata për zyrtarët e rinj të këtij institucioni dhe është përuruar një objekt modern në kompleksin e AKI-së.

    Kurti në njoftimin e tij për vizitën në AKI thotë se inteligjenca mbetet një nga hallkat më të rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit.

    “Në kuadër të prioriteteve tona për të mbështetur sektorin e sigurisë, AKI ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rritje të lartë të buxhetit dhe kjo mbështetje do të vazhdojë”, ka shkruar Kurti.

    Kreu i Qeverisë thotë se është i inkurajuar nga fatkti që “AKI po avancon vazhdimisht kapacitetet e saj teknologjike, analitike dhe operative, me ambicie dhe objektiva të qarta, duke u përshtatur me realitetin e ri të sigurisë dhe duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë”.

    “Sukseset e AKI-së përgjatë viteve të fundit kanë kontribuuar në sigurinë kombëtare, rajonale dhe më gjerë, në bashkpunim të afërt me institucionet vendore dhe shërbimet partnere.Kërcënimet nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi dhe radikalizmi, krimi i organizuar dhe format tjera të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, janë trajtuar me profesionalizëm, duke ndikuar në avancimin e sigurisë kombëtare”, ka shtuar Kurti.