ATV

Category: Lajme

  • Në Spitalin e Mitrovicës fillon aplikimi i vaksinës BSZH tek të sapolindurit

    Në Spitalin e Mitrovicës fillon aplikimi i vaksinës BSZH tek të sapolindurit

    Vaksinimi me BSZH (BCG) tashmë ka filluar të aplikohet te të porsalindurit në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në Mitrovicë. Deri tani ky proces nuk ishte kryer në Spital.

    Sipas një njoftimi thuhet se vaksina po aplikohet pas lindjes, nga stafi i infermierëve të Repartit të Neonatologjisë, nën mbikëqyrjen e rregullt të mjekëve

    “Vaksina BSZH (BCG) është vaksina që përdoret për parandalimin e tuberkulozit (TBC), një sëmundje infektive që prek më së shumti mushkëritë, por mund të përfshijë edhe organe të tjera të trupit”.

    Tutje në njoftim thuhet se ky proces po realizohet sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të foshnjave që në ditët e para të jetës.

    “Sipas mjekëve pediatër/neonatologë, vaksina është e sigurt, e testuar dhe rekomandohet nga autoritetet shëndetësore ndërkombëtare si masë efektive parandaluese. Kjo vaksinë është veçanërisht e rëndësishme për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, pasi i mbron nga format e rënda të tuberkulozit, si meningjiti tuberkular dhe tuberkulozi i përhapur”, thuhet në njoftim.

  • Hoti kritikon Qeverinë: Ligji për çmimet tavan s’është zgjidhje për inflacionin

    Hoti kritikon Qeverinë: Ligji për çmimet tavan s’është zgjidhje për inflacionin

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka renditur vërejtjet e FMN-së nga misioni dyjavor mbikëqyrës në Kosovë, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, që nuk po fokusohet në këto çështje, por po merret me ligjin për çmimet tavan.

    Sipas tij, kjo nuk është zgjidhje për problemin e inflacionit dhe se rritja e çmimeve nuk mund të kufizohet me ligje, transmeton Klankosova.tv

    “Në vend që qeveria e re të fokusohet në këto çështje që i ka ngritur FMN-ja, puna e parë që po bëjnë është përgatitja e ligjit për vendosjen e çmimeve tavan në produkte të caktuara.

    Kjo nuk është zgjidhja për problemin e inflacionit dhe rënien e fuqisë blerëse të të ardhurave të familjeve. Historia ka treguar shumë qartë se, përveç për produktet dhe shërbimet që ofrohen në tregje të monopolizuara, siç është energjia, uji, transporti hekurudhor e të ngjashme, rritja e çmimeve të mallrave të tjera nuk mund të kufizohet me ligje.” – ka shkruar Hoti.

    Sipas tij, ekzekutivi nuk ka marrë asnjë masë të duhur në pesë vitet e qeverisjes, prandaj thotë që importi dhe inflacioni janë rritur sistematikisht.

    “Çmimet mund të mbahen të moderuara duke ulur kostot e prodhimit, kostot e transportit dhe tatimet mbi ato produkte.

    Mbi të gjitha, çmimet mund të mbahen të moderuara duke zbatuar politika industriale që mbështesin prodhuesit vendorë në prodhimin e atyre produkteve. Asnjëra nga këto masa nuk është ndërmarrë në pesë vitet e fundit; si rezultat, importi dhe inflacioni janë rritur në vazhdimësi.”

    Hoti po ashtu se nuk pret reflektim nga Qeveria Kurti.

  • 50 raste dhune në familje u trajtuan gjatë një jave nga Zyra për Ndihmë të Viktimave

    50 raste dhune në familje u trajtuan gjatë një jave nga Zyra për Ndihmë të Viktimave

    Gjatë javës së fundit, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar gjithsej 58 raste, ku pjesa më e madhe, 50 prej tyre, kanë qenë lidhur me dhunë në familje.

    Përveç kësaj, janë trajtuar edhe 3 raste dhunimi, 1 rast sulm seksual, 1 rast ngacmimi seksual, një tentativë vrasjeje, një rast bashkëjetese nën moshën 16 vjeç, dhe një rast shkelje e urdhrit të mbrojtjes (UM).

    Gjatë kësaj periudhe, janë parashtruar gjithsej 11 Kërkesa për Urdhër Mbrojtjeje (KUM) në gjykatë dhe 10 Kërkesa për Urdhër Mbrojtjeje Emergjente (KUME), përveç dy KUME-ve të përkohshëm dhe një kërkese për ndryshim të UM-së. Po ashtu, janë aprovuar 21 aktvendime, janë mbajtur 85 seanca gjyqësore dhe 16 seanca në prokurori, ndërsa viktimat kanë marrë gjithsej 71 këshilla juridike.

    Nga rastet e trajtuara janë dhënë 10 aktgjykime dënuese, 2 aktgjykime liruese dhe 1 aktgjykim refuzues. Për më tepër, Zyra ka përfaqësuar 3 raste në polici dhe ka bërë 8 referime në Qendrën për Punë Sociale, si dhe është pranuar një kërkesë për kompensim nga fondi i viktimave dhe një deklaratë mbi dëmin.

  • Artan Grubi është dërguar në burgun e Shuto Orizares

    Artan Grubi është dërguar në burgun e Shuto Orizares

    Artan Grubi, i cili u ndalua këtë mëngjes në pikën kufitare të Bllacës pasi vendosi të kthehej në vend, është transferuar në burun e Shuto Orizares, konfirmojnë nga MPB për “TV24”.

    Grubi u transferua në njësinë e paraburgimit në Shuto Orizares sepse iu dha dënimi me 30 ditë paraburgim në mungesë, ndërsa ishte në arrati.

    Prokuroria Publike në Shkup thotë se do të informojë shtesë se si do të vazhdojë me procedurën, përkatësisht kur do të paraqitet para prokurorit publik.

    Grubi, së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajramin, dyshohet për përvetësim në Lotarinë Shtetërore për blerjen e aparateve VLT.

  • Arton Hoti, veterani i UÇK-së nderohet me çmimin “Ambasador i Paqes”

    Arton Hoti, veterani i UÇK-së nderohet me çmimin “Ambasador i Paqes”

    Invalidi i luftës, Arton Hoti është nderuar me çmimin “Ambasadori i Paqes” nga Federata Universale e Paqes në Shqipëri.

    Hoti, tha se këtë çmim e priti me shumë emocione.

    “Më kanë përzgjedhur, i falënderoj shumë. E çmoj shumë. Ky titull është i dedikuar për familjen time, për të gjithë dëshmorët, bashkëluftëtarët e mi që kanë rënë për lirinë e Kosovës, është i dedikuar për të gjithë ata invalidë dhe veteranë të UÇK-së”, tha Hoti në Klan Kosova.

    Nga ana tjetër, Hoti foli edhe për procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    “Edhe fëmijët tashmë e dinë se ata janë të pafajshëm. Shpresoj për gjykim të drejtë”, u shpreh veterani.

  • Getoar Mjeku emërohet sërish zëvendësministër i Ekonomisë

    Getoar Mjeku emërohet sërish zëvendësministër i Ekonomisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Getoar Mjekun në pozitën e zëvendësministrit të parë të Ekonomisë., njofton Zyra e Kryeministrit.

    Emërimi i Mjekut u bë të premten me 20 shkurt.

    “Z. Mjeku e ka mbajtur pozitën e zëvendësministrit të Ekonomisë edhe gjatë mandatit të kaluar.

    Kryeministri Kurti e uroi z. Mjeku për detyrën dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të tij.”, thuhet në njoftim.

  • Këto pjesë në Mitrovicë mund të mbesin pa ujë përkohësisht sot

    Këto pjesë në Mitrovicë mund të mbesin pa ujë përkohësisht sot

    Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar për intervenime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, ku për pasojë furnizimi me ujë të pijshëm në disa zona mund të ndërpritet përkohësisht.

    Më poshtë i gjeni pjesët ku do të realizohen punimet.

    Punimet në rrjetin e ujësjellësit:

    Rr. “Mustaf Shyti”

    Rr. “Mehmet Selaci”

    Rr. “Ulqini”

    Fshati Lushtë

    Fshati Shipol

    Punimet në rrjetin e kanalizimit:

    Rr. “Kalabria”

    Rr. “Anke Spaiq”

    Rr. “Lugina e Diellit”

    Fshati Koshtovë.

  • Kopshti Zoologjik i Shkupit ndan përjetimet e Delfinës, histori tejet e ngjashme me majmunin Punch

    Kopshti Zoologjik i Shkupit ndan përjetimet e Delfinës, histori tejet e ngjashme me majmunin Punch

    Historia e Delfinës nga Kopshti Zoologjik i Shkupit na kujton majmunin Punch nga Japonia. Të dy u braktisën nga nëna e tyre dhe rritën me kujdesin e përkushtuar të stafit të kopshti zoologjik, i cili iu dha dashuri, siguri dhe lodra që i bënin të ndiheshin të mbrojtur.

    Nga Kopshti Zoologjik në Shkup njoftojnë se edhe Delfina u braktis nga nëna, dhe se tani mori një kukull lodër, njëjtë si majmuni Punch në Japoni. Shtojnë se Delfina tani po adaptohet me vëllain e saj Miki, ndërsa Punch u bë ylli i zoologjikut japonez. Të dy tregojnë fuqinë e kujdesit dhe dashurisë njerëzore për të ndryshuar jetën e kafshëve të braktisura.

    “Dhe Delfina jonë sot mori një lodër orangutan. A e mbani mend historinë e majmunit të vogël gibon që katër vite më parë u hodh nga nëna e tij dhe ra në liqen? Pas shpëtimit të jetës së saj, Delfina u rrit nga kujdestarja jonë e kafshëve, Zera, e cila i kushtoi gjithë kohën e saj të punës dhe të lirë 24/7 kësaj vogëlusheje të bukur. Tani, së bashku me vëllain e saj më të vogël, Miki, po adaptohen në jetën e pavarur, dhe Kopshti Zoologjik i Shkupit është një nga pak institucionet në botë që ka arritur t’i bashkojë dhe t’i adaptojë këta dy gibona. Shumë nga vizitorët tanë mbeten të mahnitur nga historia e këtyre dy giboneve të vogla, nga përkushtimi dhe sakrifica e Zeras, por edhe nga ndihma e të tjerëve që punojnë për kujdesin e këtyre majmunëve njerëzorë, dhe kështu kjo lodër është dhuratë nga një vizitore e rregullt e jonë. Sigurisht, Miki dhe Delfina gjatë kësaj periudhe kanë marrë rregullisht dhurata dhe lodra edhe nga ekipi ynë”, thonë nga Kopshti Zoologjik./TV21

  • Shërbimi i Kërkim Shpëtimit publikon pamjet e tërheqjes së trupit të bjeshkatarit që u gjet i vdekur në “Gropën” e Hajles

    Shërbimi i Kërkim Shpëtimit publikon pamjet e tërheqjes së trupit të bjeshkatarit që u gjet i vdekur në “Gropën” e Hajles

    Shoqata Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka publikuar pamje nga operacioni i nxjerrjes së trupit të pajetë të alpinistit malazez në malin Hajla, pas një aksioni të vështirë ndërkufitar kërkim-shpëtimi.

    Kujtojmë se alpinisti ishte zhdukur një ditë më parë gjatë ngjitjes në majën e Hajla (2407 metra mbi nivelin e detit), ndërsa dje është konfirmuar se ai është gjetur i vdekur.

    Trupi i pajetë i alpinistit malazez Çazim Fetahoviç është gjetur në shpatet veriore të Hajlës, në territorin e Malit të Zi. Sipas njoftimit, ai ishte rrëzuar në një shtresë dëbore të formuar nga erërat e forta dhe akumulimi i borës në faqet e pjerrëta të malit, menjëherë pasi kishte kaluar majën.

  • BE: Kallas e gatshme të organizojë së shpejti takim të nivelit të lartë për dialogun Kosovë-Serbi

    BE: Kallas e gatshme të organizojë së shpejti takim të nivelit të lartë për dialogun Kosovë-Serbi

    Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011, mbetet procesi kyç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe për avancimin e tyre në rrugën drejt integrimit evropian.

    Procesi hyri në një fazë të re në vitin 2023 me Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të dakorduar në Ohër më 18 mars, të cilat parashohin respektim të ndërsjellë të sovranitetit, mosbllokim në organizata ndërkombëtare dhe hapa konkretë drejt normalizimit de facto.

    Megjithatë, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka mbetur i pjesshëm dhe i kontestuar nga të dyja palët, ndërsa Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndaj Kosovës në vitin 2023 për shkak të tensioneve në veri, duke i kushtëzuar zhvillimet e mëtejshme me shtensionimin e situatës dhe angazhim konstruktiv në dialog.

    Në këtë kontekst, paralajmërimet e fundit nga Brukseli për organizimin e një takimi të nivelit të lartë sinjalizojnë përpjekje për ta rikthyer procesin në binarë politikë.

    Një zyrtar i Bashkimit Evropian ka bërë të ditur për Front Online se aktualisht nuk ka informacione shtesë lidhur me mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Në përgjigjen dërguar mediumit, zyrtari ka referuar te postimi në rrjetin social X i Zëvendës presidentes së Komisionit Evropian dhe Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ku ajo ka theksuar se është “e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë së shpejti”.

    Sipas përgjigjes, përtej kësaj deklarate publike nuk mund të ndahen më shumë detaje në këtë fazë.