ATV

Category: Lajme

  • Sulmet izraelite vrasin të paktën 10 persona në Liban

    Sulmet izraelite vrasin të paktën 10 persona në Liban

    Të paktën 10 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në lindje të Libanit, kanë bërë të ditur zyrtarët libanezë.

    Ushtria e Izraelit tha se ka goditur objektiva që i përkasin Hezbollahut – një grup ushtarak dhe politik i mbështetur nga Irani – në Luginën Bekaa, një zonë ku grupi ka prani të fortë.

    Hezbollahu konfirmoi se të paktën gjashtë nga anëtarët e tij janë vrarë, përfshirë një komandant të lartë në terren, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Sulmet konsiderohen ndër më vdekjeprurëset në Liban që nga armëpushimi që i dha fund luftës mes Izraelit dhe grupit shiit në nëntor 2024. Që prej marrëveshjes së armëpushimit, e cila pasoi 13 muaj konflikt, Izraeli ka kryer pothuajse çdo ditë sulme në Liban.

    Izraeli tha se sulmet e së premtes erdhën pas “një shkeljeje të mirëkuptimeve mes Izraelit dhe Libanit”.

    Sipas fazës së parë të armëpushimit, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Franca, si trupat izraelite ashtu edhe luftëtarët e Hezbollahut duhej të tërhiqeshin nga Libani jugor.

    Pamjet e publikuara online nga një prej lokacioneve të goditura tregojnë dëme të mëdha në një zonë që dukej të ishte lagje e banuar.

    Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se ka goditur “qendra komanduese të Hezbollahut” dhe se grupi “i vendos sistematikisht asetet e tij brenda popullatës civile”.

  • Mbi 60 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, ndërsa Policia shqipton dy mijë e 553 gjoba

    Mbi 60 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, ndërsa Policia shqipton dy mijë e 553 gjoba

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Sipas raportit të policisë, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ku 26 kanë qenë me lëndime, ndërsa 41 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 16 persona, ndërkaq 9 të tjerë janë dërguar në mbajtje, po ashtu një person është dërguar në ndalim policor e një tjetër në vuajtje të dënimit.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2553 gjoba.

  • Gjendet i vrarë një 25-vjeçar shqiptar në Itali

    Gjendet i vrarë një 25-vjeçar shqiptar në Itali

    Trupi i një 25-vjeçari shqiptar, banor i Santa Vittoria d’Alba (Cuneo), u gjet pasditen e të premtes, më 20 shkurt 2026, në një copë tokë pranë rrugës Chivola, e cila të çon nga qendra e Bra-s në fshatin historik të Pollenzo-s në Itali.

    Mediat italiane bëjnë të ditur se një shofer që po kalonte vuri re trupin e viktimës pranë një Lancia Ypsilon të zi, që ka të ngjarë të jetë në pronësi të tij, dhe ngriti alarmin, raporton A2cnn.

    Sipas mediave italiane dyshohet se i riu është vrarë nga një plumb në kokë, ndërsa arma nuk u gjet në vendngjarje. Kjo teori mbështetet edhe nga fakti se trupi u gjet pjesërisht i mbuluar me rërë.

    Hetimi po kryhet nga oficerë të karabinierëve të qytetit dhe njësia hetimore e komandës provinciale të Cuneos, të koordinuar nga prokurorja publike Sara Paterno e Zyrës së Prokurorit të Asti-t.

    Paterno ka urdhëruar një autopsi mbi trupin, e cila pritet të kryhet sot.

  • Dita e Gjuhës Amtare, Begaj: Ta ruajmë dhe ta flasim bukur shqipen

    Dita e Gjuhës Amtare, Begaj: Ta ruajmë dhe ta flasim bukur shqipen

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përkujtuar sot Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.

    Përmes një postimi në Facebook, Begaj ka përcjellë mesazhin se gjuha shqipe duhet ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi.

    “Ta duam, ta ruajmë, ta përcjellim brez pas brezi dhe ta flasim bukur gjuhën tonë amtare! Faleminderit për këtë video-mesazh nxënësve e mësuesve të shkollës 9-vjeçare ‘Selim Alliu’ në Peshkopi, që është edhe shkolla fituese aktuale e konkursit kombëtar të gjuhës shqipe!”, shkroi presidenti shqiptar.

  • Koloneli Wojcik: Tërheqja e papritur e trupave amerikane do të shkaktonte pasiguri në Kosovë

    Koloneli Wojcik: Tërheqja e papritur e trupave amerikane do të shkaktonte pasiguri në Kosovë

    Shtetet e Bashkuara mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionimin e trupave amerikane në vend, mund të krijojë pasiguri dhe të rrisë hapësirën për ndikime të jashtme, paralajmëron koloneli i pensionuar amerikan, Ray Wojcik, i cili më herët ka shërbyer si udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

    Debati për këtë çështje u iniciua këtë javë, kur gazeta amerikane Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, tha se SHBA-ja po kërkon nga aleanca të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë atë në misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.

    Aktualisht, në KFOR shërbejnë rreth 590 forca amerikane.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 19 shkurt, një zyrtar i Pentagonit tha se “sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”.

    Radio Evropa e Lirë: Kolonel Wojcik, cilat janë gjasat që SHBA-ja ta reduktojë praninë e saj ushtarake në Kosovë, në kuadër të një ristrukturimi më të gjerë të NATO-s, dhe cilët faktorë do ta përcaktonin një vendim të tillë?

    Ray Wojcik: Shtetet e Bashkuara po rishikojnë pozicionin e tyre ushtarak në botë – me theks tek aleatët evropianë të NATO-s që të fokusohen në mbrojtjen kolektive në Evropë, ndërsa SHBA-ja t’i japë prioritet rolit të saj në Paqësor dhe në Hemisferën Perëndimore.

    Në këtë kontekst, priten ndryshime në dislokimin e forcave amerikane në Evropë. Kjo është edhe arsyeja përse kapaciteti i aleatëve evropianë për të marrë përgjegjësi më të mëdha në Evropë, është tejet i rëndësishëm.

    Roli udhëheqës i Bashkimit Evropian në normalizimin politik midis Kosovës dhe Serbisë mund të ndihmojë në një tranzicion drejt rritjes së përgjegjësive të sigurisë nga Evropa.

    Njëkohësisht, duhet të merren parasysh edhe kapaciteti, profesionalizmi dhe legjitimiteti i institucioneve të sigurisë së brendshme të Kosovës – përfshirë Policinë e Kosovës (PK) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) – kur të merren vendime lidhur me pozicionimin e NATO-s.

    Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bërë përparime të dukshme në ndërtimin e institucioneve demokratike, duke përfshirë zhvillime shumë pozitive në PK dhe FSK.

    Këto përparime mundësojnë që NATO-ja të kalojë gradualisht nga një forcë stabilizuese në vijën e parë drejt një roli mbikëqyrës me fokus te frenimi i rreziqeve, ndërkohë që institucionet e sigurisë së Kosovës bëhen gjithnjë e më të afta për të ruajtur rendin dhe stabilitetin.

    Në fund, vlerësimi më i gjerë për stabilitetin rajonal do të ndikojë në marrjen e vendimeve. Sepse, paqëndrueshmëria në Kosovë mund të përhapet në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi ose Maqedoni të Veriut, duke rritur rrezikun strategjik dhe duke shtyrë, potencialisht, vendimet për tërheqjen e forcave.

    Radio Evropa e Lirë: Cilat do të ishin pasojat e menjëhershme për sigurinë në Kosovë nëse SHBA-ja do të reduktonte ndjeshëm kontributin e saj me trupa në KFOR?

    Ray Wojcik: Çdo ndryshim i papritur në pozicionin e trupave amerikane ose të forcave të tjera aleate në KFOR do të ishte gabim dhe do të krijonte pasiguri.

    Duhet gjithmonë ta kemi parasysh se si duket një ndryshim radikal i dislokimit të forcave, dhe mjafton të kujtojmë tërheqjen kaotike, të orkestruar nga Amerika në Afganistan, në vitin 2021.

    Po ashtu, duhet të kemi parasysh se edhe në vitin 2023, paramilitarët serbë sulmuan forcat policore të Kosovës.

    Historikisht, nuk duhet të harrojmë kurrë se paqëndrueshmëria në Ballkan çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore dhe në vdekjen e 20 milionë njerëzve në gjithë Evropën.

    Është e rëndësishme të kujtojmë se plani i NATO-s gjithmonë ka qenë që, me kalimin e kohës, të bëhet një reduktim në faza i forcave në Kosovë (përfshirë edhe ato amerikane). Por, ky plan duhet të bazohet në sigurimin e kushteve të duhura të sigurisë, para se të zvogëlohen trupat.

    Nëse SHBA-ja sinjalizon se po redukton praninë e saj, atëherë aleatët evropianë duhet të mendojnë se si t’i mbushin boshllëqet, duke u siguruar që çdo tërheqje e përgjithshme të bëhet vetëm kur të plotësohen kushtet e sigurisë.

    Një reduktim i madh i trupave amerikane në KFOR do të ndikonte më shumë në aftësinë për të parandaluar krizat dhe për të reaguar shpejt ndaj tyre, sesa në sigurinë e përditshme.

    Nëse shkurtimet amerikane përfshijnë kapacitete të rëndësishme si: zbulimi dhe mbikëqyrja, aviacioni dhe evakuimi mjekësor, transporti apo personeli komandues, atëherë KFOR-i mund të jetë më i ngadalshëm në zbulimin e rreziqeve, në marrjen e vendimeve dhe në dërgimin e forcave në rast të një krize të papritur, veçanërisht në zonat e ndjeshme.

    Kjo mund të krijojë një periudhë të brishtë gjatë tranzicionit, të cilën aktorë destabilizues mund të përpiqen ta testojnë.

    Edhe nëse vendet evropiane e kompensojnë këtë mungesë, ndryshimet në paralajmërime dhe në rregullat kombëtare të angazhimit mund të bëjnë që reagimi të duket më pak i shpejtë dhe më pak i vendosur.

    Policia e Kosovës është e aftë për sigurinë e përditshme dhe përpjekjet dypalëshe afatgjate – si Programi i Partneritetit Shtetëror Ajova-Kosovë dhe lidhjet mes qyteteve të binjakëzuara – do të vazhdojnë, por këto nuk janë zëvendësim për parandalimin e menjëhershëm të armatosur nga ana e KFOR-it, për autoritetin komandues të NATO-s dhe për reagimin e shpejtë ndaj krizave.

    Radio Evropa e Lirë: A mund të krijojë tërheqja e mundshme e trupave amerikane mundësi për Rusinë ose Kinën që të zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor?

    Rady Wojcik: Po. Tërheqja e trupave amerikane nga Kosova mund të krijojë mundësi për Rusinë dhe Kinën që të zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, në të gjitha fushat – politike, informative, ushtarake dhe ekonomike.

    Duhet ta kemi parasysh se Rusia dhe Kina janë furnizuese armësh dhe zhvillojnë trajnime me forcat e armatosura serbe. Rusia, natyrisht, është një mbështetëse kryesore politike e Serbisë.

    Jini të sigurt se Beogradi po ndjek me kujdes rezultatin e luftës së Rusisë në Ukrainë. Nëse ky rezultat shpërblen agresionin rus dhe mizoritë e tij, atëherë kjo mund ta inkurajojë Serbinë që të jetë më pak e shqetësuar nëse zhvillon ose mbështet sjellje agresive kundër Kosovës.

    E njëjta logjikë vlen edhe për Kinën. Rezultatet pozitive për Rusinë në luftën e saj në Ukrainë do t’i rrisin padyshim mundësitë që Kina të sulmojë Tajvanin dhe të forcojë ndikimin e saj të dëmshëm global, përfshirë edhe në Ballkanin Perëndimor.

    Rusia, me shumë gjasa, do të shfrytëzonte çdo reduktim të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, dhe më gjerë në Evropë, për ta paraqitur NATO-n si të dobësuar. Rusia do të ndiente se ka më shumë liri për të minuar besimin në institucionet perëndimore në Ballkan.

    Edhe pse Kina ka zgjeruar ndikimin ekonomik dhe infrastrukturor në pjesë të tjera të rajonit – dhe në të gjithë Evropën – Kosova ka treguar vazhdimisht një përputhje të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe institucionet euro-atlantike. Megjithatë, Kina ka bërë disa investime strategjike në Kosovë – një model që përsëritet edhe në pjesë të tjera të Evropës.

    Prandaj, SHBA-ja duhet të marrë parasysh se si pozicioni global i forcave tona mund të përdoret jo vetëm për të kufizuar agresionin e Kinës në Paqësor, por edhe për t’iu kundërvënë përpjekjeve agresive të Kinës për të zgjeruar ndikimin në Evropë dhe gjetiu, pasi këto fronte janë të lidhura drejtpërdrejt.

    Dislokimi ynë global i forcave duhet të marrë parasysh gjithashtu se, nëse dëshirojmë vërtet ta frenojmë Kinën, atëherë na nevojitet një qasje globale, që përfshin edhe parandalimin e Kinës në Evropë.

    Ky lloj i qasjes globale në parandalim është thelbësor për strategjinë gjithëpërfshirëse të Amerikës “Paqe përmes Fuqisë”.

    Ne duhet ta kemi parasysh se Rusia dhe Kina kanë shpallur “partneritet pa kufij” mes vete.

    Kina, ndërkohë, vazhdon përpjekjet e saj përmes projektit Brezi dhe Rruga në të gjithë Evropën. Amerika duhet të mbetet e angazhuar në projekte që kundërveprojnë, si për shembull Iniciativa e Tri Deteve, e udhëhequr nga Polonia, e cila tashmë përfshin dy vende të Ballkanit Perëndimor: Kroacinë dhe Slloveninë.

    Kosova duhet të ftohet të bashkohet me këtë grup si anëtare asociuese (tash për tash), për të forcuar lidhjet e saj politike dhe ekonomike në rajon dhe në Evropë. Kjo forcon qëndrueshmërinë e Kosovës dhe rrit stabilitetin në Ballkan dhe në Evropë.

    Sa i përket frikës së shumë njerëzve për angazhimin e vazhdueshëm të Amerikës në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimor, është mirë të përsërisim atë që sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në Konferencën e Sigurisë në Munih: “Jam këtu sot për ta bërë të qartë se Amerika po harton një rrugë drejt një shekulli të ri prosperiteti dhe se, edhe një herë, ne duam ta bëjmë këtë së bashku, me ju, aleatët tanë të çmuar dhe miqtë më të vjetër”. Ky është një sinjal i mirë për Evropën.

    Radio Evropa e Lirë: Deri në çfarë mase shërben prania ushtarake e SHBA-së në Kosovë si faktor parandalues kundër paqëndrueshmërisë së mundshme?

    Ray Wojcik: Prania ushtarake e SHBA-së në Kosovë ka një vlerë shumë të madhe parandaluese, shumë më të madhe sesa numri i trupave që ka në terren. Ajo dërgon një sinjal të qartë për angazhimin strategjik dhe të drejtpërdrejtë të Amerikës dhe forcon besueshmërinë dhe unitetin e NATO-s.

    Aktorët rajonalë e dinë se çdo incident serioz, që përfshin forcat amerikane, do të shkaktonte një reagim të shpejtë dhe të vazhdueshëm diplomatik, ekonomik dhe potencialisht edhe ushtarak nga Uashingtoni, duke rritur ndjeshëm koston dhe pasojat e çdo veprimi destabilizues.

    Përtej kapaciteteve operacionale, prania e SHBA-së forcon unitetin e aleancës, zvogëlon rrezikun e keqllogaritjeve dhe siguron popullatën lokale se NATO-ja mbetet e përkushtuar për stabilitetin rajonal. Ky kombinim përbën një shtyllë kryesore për parandalimin e jostabilitetit në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

    Radio Evropa e Lirë: Nëse SHBA-ja i redukton trupat, a mund dhe a duhet që vendet tjera të NATO-s të forcojnë praninë e tyre në Kosovë?

    Ray Wojcik: Pa asnjë dyshim, po. Nëse Shtetet e Bashkuara e reduktojnë kontributin e tyre në KFOR, aleatët e tjerë të NATO-s duhet ta forcojnë praninë e tyre për të ruajtur besueshmërinë e parandalimit dhe efektivitetin operacional. Edhe kjo prani, me kalimin e kohës, mund të reduktohet, por vetëm nëse kushtet e sigurisë e lejojnë.

    E, një nga kushtet më të rëndësishme, që do të ishte një ndryshim vendimtar për rajonin, do të ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO.Si mund ta shfrytëzojë Kosova momentin gjeopolitik për t’u afruar me NATO-n?

    Radio Evropa e Lirë: Sa reale është të pritet anëtarësimi i Kosovës në NATO në një të ardhme të afërt?

    Ray Wojcik: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është shumë i rëndësishëm, por do të marrë kohë për t’u realizuar. Kosova në NATO do të ofronte garancinë më të fortë afatgjate për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke zgjeruar mbrojtjen kolektive sipas Nenit 5 dhe duke u ankoruar fuqishëm brenda arkitekturës së sigurisë euro-atlantike.

    Nga pikëpamja strategjike, kjo do ta bënte më të qartë se ku qëndron Kosova për sigurinë e saj dhe do t’i kufizonte mundësitë që aktorë të jashtëm ta shfrytëzonin pasigurinë në rajon.

    Zgjerimi i NATO-s kërkon konsensus nga të gjitha shtetet anëtare, dhe çështjet e njohjes politike, së bashku me faktorë më të gjerë gjeopolitikë, e bëjnë anëtarësimin në afat të shkurtër të pamundur.

    Megjithatë, procesi drejt anëtarësimit në NATO do të inkurajojë zhvillime të vazhdueshme pozitive politike, ekonomike dhe të sigurisë për Kosovën, dhe kështu, për të gjithë rajonin.

    Ndërkohë, mundësitë e zgjeruara për FSK-në për të marrë pjesë në stërvitje të NATO-s, programe të strukturuara të ndërveprimit, zhvillim të vazhdueshëm të kapaciteteve mbrojtëse dhe iniciativa të qëndrueshme dypalëshe, siç është Programi i Partneritetit Shtetëror Ajova-Kosovë, kanë një ndikim stabilizues dhe kontribojnë në shanset afatgjate të Kosovës për integrim në NATO./Radio Evropa e Lirë

  • Veteranët paralajmërojnë veprime të reja në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Veteranët paralajmërojnë veprime të reja në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Bashkëluftëtarët e ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq për padrejtësitë që po ju bëhen atyre nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke bërë të ditur se do të ulen së shpejti për të shqyrtuar hapat e mëtejmë përmes të cilëve do të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

    Nga OVL-UÇK pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, janë shprehur të bindur se të akuzuarit do të shpallen të pafajshëm dhe duke paralajmëruar veprime të mundshme në ditët në vijim.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë një interviste për Ekonomia Online akuzoi Prokurorinë se gjatë gjithë procesit ka përdorur, siç tha ai, “gënjeshtra, shpifje dhe montime” me qëllim që ta paraqesë UÇK-në si organizatë kriminale.

    “Po ne si shoqata të dala nga lufta e presim me padurim fundin, mbarimin. Prokuroria prej fillimit deri në fund, deri më ditën e mërkurë, ka gënjy, ka shpifë, ka montu, ka marrë njerëz të traumatizuar, ka marrë njerëz ashtu që kanë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë, çdo lloj metode ka përdorur për me gjymtu apo për me e qitë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë të përbashkët kriminale. Ne e dimë që prokurorët këtë punë e kanë, se prokurorët s’kanë tjetër punë, sa më shumë materiale, sa më shumë dokumente për me u munduar me fituar rastin ata”, tha ai.

    Gucati deklaroi se beson fuqishëm se rasti nuk mund të fitohet me rrena dhe fabrikime, duke shtuar se në këtë proces, sipas tij, nuk po gjykohen vetëm individë, por e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vetë shteti.

    “Unë besoj fuqishëm, së pari në Zot edhe në drejtësi, që ata s’do ta fitojnë rastin hiç. Se rasti nuk fitohet me rrena, nuk fitohet me fabrikime, nuk fitohet me njerëz poshtër të cilët e kanë trupin në Kosovë e kokën në Serbi. E kështu që duhet me shpresu fuqishëm që ata do të dalin faqebardhë, së pari shteti jonë faqebardhë, do të del Ushtria Çlirimtare e të dalin vetë ata. Se aty nuk po dënohet Presidenti Hashim Thaçi, as Jakup Krasniqi, as Rexhep Selimi, po as Kadri Veseli, po po dënohet e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës edhe vetë shteti. Se gjëja që tani ne paskemi bërë shtetin me, thonjëza, me kriminelë, që është turpi më i madh në botë”, tha ai.

    Ai shprehu shqetësimin që gjykata të mos jetë politike, duke theksuar se nëse do të ishte e tillë, do të ishte shumë e dëmshme për shqiptarët e Kosovës, të cilët, sipas tij, kanë përvojë të keqe nga gjykatat e Jugosllavisë dhe Serbisë.

    Duke komentuar fjalët përfundimtare të të akuzuarve, ai i cilësoi ato si mbrojtje të fuqishme të Kosovës dhe të luftës së UÇK-së, duke thënë se ata paraqitën argumente të forta në mbrojtje të tyre.

    “E kjo, unë s’besoj se do ta lejojë askush, se Gjykata duhet të jetë gjykatë jopolitike, ishalla s’është politike, se nëse është politike për ne ka me qenë shumë e dëmshme. Se shqiptarët e Kosovës kanë përvojën e keqe nga gjykatat e Jugosllavisë edhe të Serbisë të asaj kohe ku janë dënuar me qindra shqiptarë, me mijëra vjet nëpër burgje, prej bacit Adem Demaçi e më herët edhe më vonë që janë dënuar nëpër burgje serbe edhe jugosllave. Politikisht janë dënuar edhe dashtë Zoti që kjo të mos jetë gjykatë politike.

    Fjalimi i këtyre të katërtve, çka me thënë bre. Kush më mirë se ata e mbron Kosovën, ushtrinë, njerëzit e vet, kombin e vet? Kush di më mirë se ata? Të gjitha fjalimet, s’di cilën me thënë ka qenë secila ka qenë më e mirë se shoqja, secili ka diskutuar më fort se shoqi, secili i ka treguar ato realitete edhe ato argumente të veta të forta që i dhanë për Kosovën”, tha ai.

    Gucati kundërshtoi pretendimet që luftëtarët e UÇK-së të quhen kriminelë, duke theksuar se ata kanë luftuar për vendin e tyre dhe se, sipas tij, gjykata po tenton ta rishkruajë historinë shqiptare, gjë që ai beson se nuk do të ndodhë.

    “Bashkëpunëtorë të Adem Jasharit tash me u quajt kriminelë? A ndodh kjo kund në botë bre? Njeri që i ka dhënë 22 anëtarë, 56 krejt lagjen Jashari, ka qenë bashkëpunëtor i Adem Jasharit. Po të ishte gjallë ndoshta Adem Jasharin tash edhe këta me e çu atje në burg e me e akuzu pse ka luftuar për vend të vet, apo dëshmorë të tjerë, Luan Haradinaj apo Zahir Pajaziti, ai tjetri, edhe ata kanë me qenë kriminelë që kanë luftuar për vendin e vet? Do të thotë kjo gjykatë është duke u munduar në të gjitha format, edhe ajo që më ka befasuar më shumë këtë herë, s’kanë qenë këta ushtri e shtetit. Atë për herë të parë e kam dëgjuar në këtë gjykatë, kjo s’ka qenë ushtri e shtetit e kjo më ka befasuar prej prokurorëve që është qesharake mund të them, mund të them turpi më i madh i shekullit 21, kur thotë s’kanë qenë ushtri e shtetit”.

    “Po ne e dimë që ne autonominë na e ka marrë Serbia, ne e dimë që kemi qenë të barabartë në Jugosllavi me të gjitha republikat e tjera, me gjashtë republika ka qenë edhe Kosova, ka qenë e barabartë, veç emrin republikë s’e ka pasur. Ne e dimë që është shpallur një kushtetutë në Kaçanik, ne e dimë që kemi luftuar brezi pas brezi, kanë luftuar të parët tanë me ardhë deri sot ku jemi. Kjo gjykatë tenton që historinë shqiptare ta rishkruajë. Unë s’ka mundësi ta rishkruajë kjo. S’besoj se ka me pasë mundësi kjo gjykatë me bërë edhe një herë shkrimin apo mbishkrimin apo ta rishkruajë historinë e shqiptarëve. Shqiptarët e kanë shkruar me gjak, me mijëra dëshmorë, mijëra invalidë, me mijëra, qindra civilë të vrarë në këtë vendin tonë”, tha ai.

    Ai shtoi se shoqatat e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se shumë shpejt do të ulen për të diskutuar hapat e mëtejmë, pas protestës së mbajtur më 17 shkurt në Prishtinë në mbështetje të të akuzuarve.

    “Unë nuk do të thosha se s’do të marrim hapa, ne do të marrim hapa po hala s’kemi menduar as datë, as ditë, as formën e saj. Po me sa e di, ne s’do të rrimë duarkryq. Këtë e di. Shoqatat e dala nga lufta, tri shoqatat e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq me veteranë, bashkërisht me shokë tanë me krejt edhe me shoqërinë civile do të bisedojmë, do të ulemi shumë shpejt për hapat. Tash mbas 17 shkurtit që u mbajt një protestë e madhe, mbi 100 mijë vetë në Prishtinë që i përgëzoj të gjithë ata qytetarë në atë kohë të ftohtë, unë isha në Hagë, s’isha këtu, po i përgëzoj ata qytetarë që kanë marrë pjesë edhe shokët e mi i përgëzoj. Ne do të ulemi, tri shoqatat e dala nga lufta do të bisedojmë për hapat e mëtutjeshëm. Po ne do të këqyrim gjithmonë çka tash e mbas”, tha ai.

    Gucati u shpreh se pret që gjyqtarët të vendosin drejt, duke theksuar se të akuzuarit kanë luftuar në territorin e tyre dhe jo në Serbi, dhe se, sipas tij, UÇK-ja ka zhvilluar luftë për mbrojtjen e popullit të saj.

    “E unë kështu besoj si Gjykata ka me i thirrë mendjes, gjyqtarët kanë me i thirrë mendjes edhe kanë me gjetur në anën tonë, pa u thënë atyre, po vetëm drejtësia. Gjithmonë me argumente, me fakte, me sende qysh i dita ata me argumentuar. Katërshja e madhe që diti t’i argumentojë fjalët përfundimtare, çdo send. Si Presidenti, si Kadriu, si Jakupi, si Rexha, thjesht fenomenalë kanë qenë çdo send qysh dita ata. Është mirë gjyqtarët me punën e tyre me i marrë parasysh edhe pjesën negative, po edhe pjesën pozitive. Edhe me qitë atë peshoren, e mira e të keqja. Edhe gjithmonë me u kthyer kah e mira.

    Këta njerëz s’kanë shkuar në Serbi me luftuar, ne s’kemi luftuar në Serbi, ne kemi luftuar në tokën tonë, territorin tonë. Ne e kemi mbrojtur kombin tonë. Ne, a del një serb që u vra një plak, një plakë, një fëmijë i tyre që e kanë bërë masakër shqiptarët? Përkundrazi, Serbia ka bërë masakër në popullin e vet. Djem të rinj në kafenenë “Panda” në Pejë i ka prerë. Na s’i kemi prerë ata. Këtë Serbia e ka bërë. E ne s’i kemi prerë ata asnjëherë. Na s’jemi ne gjenetikisht shqiptarë me bërë masakër. Na kemi luftuar ballë për ballë me ushtri, me polici, me paramilitarë serbë, për me i larguar njëherë e përgjithmonë shkijet prej Kosove”, tha ai.

    Çështja gjyqësore kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në qytetin holandez, Hagë, ka përfunduar më 18 shkurt.

    Të mërkurën e 18 shkurtit, mbrojtjet e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, dhanë argumentet e tyre të fundit mbrojtëse.

    Ato përsëritën argumentet e tyre se Prokuroria nuk ka dëshmi për akuzat e ngritura, nuk ka arritur ta provojë fajësinë e tyre, prandaj kërkuan aktgjykim shfajësues.

    Më pas, mbrojtja e viktimave tha para trupit gjykues se ajo nuk e ka obligim t’i vërtetojë akuzat ndaj të akuzuarve.

    Në fund të ditës, ishte radha e të të akuzuarve për t’u deklaruar përfundimisht rreth akuzave me të cilat ngarkohen.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, secili, ngulën këmbë në fjalët e tyre përmbyllëse se ndihen tërësisht të pafajshëm dhe mbrojtën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të drejtë dhe për çlirimin e një populli që po përballej me një luftë agresore.

    Ata thanë se nuk kanë kryer krime dhe se Prokuroria nuk ka mundur t’i arsyetojë akuzat, siç thanë, të pabazuara, kundër tyre.

    Pas përfundimit të deklaratave të tyre, kryegjykatësi Charles Smith III e shpalli të mbyllur çështjen gjyqësore.

    Seanca e fundit u mbajt vetëm një ditë pasi mijëra qytetarë, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes të UÇK-së dhe për të kërkuar gjykim të drejtë.

  • Premtuan shërim jashtë shtetit, Policia arreston dy persona për mashtrim në vlerë 130 mijë euro

    Premtuan shërim jashtë shtetit, Policia arreston dy persona për mashtrim në vlerë 130 mijë euro

    Dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë mashtruar një burrë me premtimin se do ta dërgojnë jashtë vendit për shërim duke ia marrë 130 mijë euro.

    Policia tha se ngjarja ka nisur më 2023 në Lipjan e Malishevë, duke shtuar se me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

    “Me datë 20.02.2026 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që kishin mashtruar viktimën, ku kanë arrit të dëmtojnë në vlerë prej 130.000€, duke premtuar se do të dërgojnë jashtë shtetit për shërim. Si prova materiale janë sekuestruar dy telefona mobil, dy kartela të spitaleve dhe një kartelë bankare”, thuhet në raportin e policisë.

  • Gjilan: Djali i mitur godet babanë me sëpatë, viktima dërgohet në QKUK

    Gjilan: Djali i mitur godet babanë me sëpatë, viktima dërgohet në QKUK

    Një person në Gjilan është goditur me sëpatë nga djali i tij i mitur dhe është dërguar me urgjencë në Spital.

    Siç njofton Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, për shkak të gjendjes së rëndë, viktima është transportuar më pas në QKUK për trajtim të mëtejshëm.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe përfaqësuesi i QPS-së, i cili është marrë me të miturin.

    Punëtori social ka konstatuar nevojën emergjente për strehim të fëmijës për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike dhe situatës traumatike.

    Rasti është nën hetim.

    “Gjilan 20.02.2026 -19:30. Nga Spitali Rajonal është marrë informata se viktima mashkull kosovar, është sjellë me urgjencë për shkak të lëndimeve të pësuara nga goditja me sëpatë, nga i dyshuari mashkull kosovar djali i tij i moshës se mitur. Viktima pas ekzaminimeve mjekësore për shkak të gjendjes së rëndë është transportuar për në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe përfaqësuesi i QPS-së i cili është marrë me personin e mitur. Punëtori social ka realizuar vlerësimin fillestar të fëmijës ku është konstatuar nevoja emergjente për strehimin e fëmijës për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike dhe situatës traumatike të shkaktuar nga ngjarja. Rasti duke u hetuar”.

  • DASh: Presim të bashkëpunojmë me Qeverinë e re të Kosovës

    DASh: Presim të bashkëpunojmë me Qeverinë e re të Kosovës

    Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një komunikate është deklaruar për takimin që Sekretari i Shtetit, Marco Rubio ka zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku kjo e fundit, vlerësohet si ‘’partnere e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor’’.

    Në komunikatën e DASH, thuhet edhe se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që të bashkëpunojnë me qeverinë e re të Kosovës, për të avancuar agjendën e përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet ekonomik.

    ”Takimi i Sekretarit Rubio me Presidenten e Kosovës Osmani

    Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u takua sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, një partnere e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor. Sekretari e falënderoi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për faktin që janë anëtar themelues i Bordit të Paqes dhe për kontributin me burime në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.

    Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me qeverinë e re të Kosovës për të avancuar agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet ekonomik”, thuhet nënjoftimin e DASHI’it.

  • Sot rivarroset dëshmori Agron Gjocaj

    Sot rivarroset dëshmori Agron Gjocaj

    Rivarrimi i dëshmorit të kombit, Agron (Sadri) Gjocaj, do të bëhet sot në orën 13:00 në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Baballoq të Deçanit.

    Agron (Sadri) Gjocaj kishte rënë dëshmor më 18 gusht 1998 në trekufi.

    Eshtrat e tij janë gjetur pas 28 vjetësh, duke mundësuar kështu rivarrimin me nderime në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Baballoq.