ATV

Category: Lajme

  • Dëmtohen tre aparate për pagesa në Fushë Kosovë dhe vidhen 200 euro

    Dëmtohen tre aparate për pagesa në Fushë Kosovë dhe vidhen 200 euro

    Një rast i vjedhjes së rëndë ka ndodhur dje në Fushë Kosovë.

    Persona të panjohur kanë dëmtuar tre aparate për pagesa dhe janë vjedhur rreth 200 euro.

    Rasti po hetohet.

    “Rr. Besa Besë, Fushë Kosovë / 22.02.2026 – 06:13. Është raportuar se nga të dyshuar të panjohur janë dëmtuar tre aparate për pagesa dhe janë vjedhur rreth 200 (dyqind) euro. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Hajnat ia mësyjnë një shtëpie në Zveçan, sulmojnë pronarin dhe i vjedhin para

    Hajnat ia mësyjnë një shtëpie në Zveçan, sulmojnë pronarin dhe i vjedhin para

    Tre persona dyshohet se nën kërcënimin e armës, kanë grabitur shtëpinë e një qytetari në Zhitkovc të Zveçanit.

    Sipas policisë, viktima ka pësuar lëndime pasi u sulmua nga të dyshuarit, dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor, transmeton Klankosova.tv.

    Nuk raportohet për të arrestuar, ndërkaq rasti po vazhdon të hetohet.

    “Është raportuar se tre persona të dyshuar të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e viktimës mashkull kosovar dhe nën kërcënimin e armës –pistoletë duke e sulmuar fizikisht i kanë grabitur një shumë parash. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Është njoftuar prokurori, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • Aksidenti me fatalitet në Fushë Kosovë, Policia jep detaje

    Aksidenti me fatalitet në Fushë Kosovë, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin me fatalitet në Bresje të Fushë Kosovë.

    Njoftimi:

    AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET

    Fushë Kosovë / 22.02.2026 – 20:35. I dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar automjetin me targa vendore dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar. Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor ku është konfirmuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, kurse trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

  • Zgjedhja e presidentit, Kurti sot takohet me Abdixhikun

    Zgjedhja e presidentit, Kurti sot takohet me Abdixhikun

    Kryeministri Albin Kurti do të takohet sot me kryetarin e Lidhja Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për të shmangur zgjedhje të parakohshme.

    Një ditë më parë, Kurti zhvilloi takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ku u diskutua po ashtu çështja e presidentit.

    “Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Kurse, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza njoftoi poashtu për takimin me Kurtin, ku theksoi se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.

    Kreu i PDK-së nënvizoi se si subjekt opozitar, partia që ai drejton nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore.

    Megjithatë, ai bëri të ditur se PDK nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese.

    Kosova duhet të ketë president të ri më së largu deri më 4 mars, sipas ligjeve, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati në fillim të prillit. Kjo e fundit po e kërkon edhe një mandat të dytë pesëvjeçar.

    Deri tani nuk është paraqitur apo përmendur ndonjë kandidat tjetër i mundshëm për president.

  • U arrestua sot në Bllacë, për çka e kërkonte Artan Grubin shteti i Maqedonisë Veriut?

    U arrestua sot në Bllacë, për çka e kërkonte Artan Grubin shteti i Maqedonisë Veriut?

    Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u arrestua sot në pikën kufitare Bllacë, ndërsa ndaj tij ishte aktive masa “Arresto”. Arrestimi vjen në një kohë kur Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar paraburgim për të, sapo të lokalizohej dhe ndalohej.

    Prokuroria ka njoftuar se Grubi dyshohet për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, në kuadër të hetimeve që lidhen me Lotarinë Shtetërore. Sipas autoriteteve, masa e paraburgimit duhet të zbatohet “menjëherë pas lokalizimit dhe arrestimit” të tij.

    Më 16 dhjetor, policia e Maqedonisë së Veriut bastisi shtëpitë e Grubit dhe të ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami. Gjatë bastisjeve në disa lokacione janë siguruar prova që, sipas hetuesve, ngjallin dyshime se gjatë vitit 2023 dy zyrtarët, si persona përgjegjës në Shoqatën Aksionare “Lotaria Shtetërore”, kanë shkaktuar dëme mbi 8 milionë euro në buxhet, përmes përvetësimit të paligjshëm të pasurisë.

    Sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, përvetësimi i pasurisë nga një zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

    Në mesin e të dyshuarve për këtë rast përmendet edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë shtetërorë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Publike në Shkup dhe se bëhet fjalë për ish-funksionarë të lartë, përfshirë një ish-kryeministër, një ish-zëvendëskryeministër dhe ish-drejtues institucionesh.

    Grubi dhe Bajrami nuk ishin gjetur gjatë bastisjeve, ndërsa Toshkovski i bëri thirrje Grubit të kthehej në vend për t’u përballur me drejtësinë.

    Nga ana e tij, Grubi kishte deklaruar më herët se nuk ishte arratisur, por ndodhej jashtë vendit për një vizitë private. Ai theksoi se kishte udhëtuar me dokumente të rregullta dhe se do të kthehej pas përfundimit të obligimeve.

    Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Grubi, së bashku me një biznesmen, ishte larguar drejt Kosovës me një veturë me targa diplomatike.

    Ndërkohë, më 11 dhjetor, Prokuroria e Shkupit kishte nisur hetim edhe ndaj Grubit dhe gjyqtarit të Apelit, Enver Bexheti, për të verifikuar nëse kanë përgjegjësi penale lidhur me pretendimet e Departamentit amerikan të Shtetit për përfshirje në korrupsion të lartë dhe ndërhyrje në procese gjyqësore që lidhen me rastin e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov.

    Grubi i ka mohuar të gjitha akuzat për korrupsion.

  • Kush ishte El Mencho, njeriu më i kërkuar në Meksikë?

    Kush ishte El Mencho, njeriu më i kërkuar në Meksikë?

    Ka vetëm pak emra që kanë lënë një ndikim të qëndrueshëm në historinë e krimit të organizuar meksikan.

    Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, është një prej tyre. Me origjinë të thjeshtë rurale nga shteti perëndimor i Michoacán, ngritja e tij në krye të një prej karteleve më të frikshme dhe më të rrezikshme në Meksikën moderne, Jalisco New Generation Cartel (CJNG), ishte e shpejtë. Ajo u arrit përmes agresivitetit, ambicies, brutalitetit dhe pamëshirshmërisë.

    Vrasja e tij është cilësuar si një fitore si në Meksikë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.

    Autoritetet meksikane dhe ato amerikane raportuan se inteligjenca amerikane ishte e përfshirë në rrëzimin e “mbretit” të kartelit, duke i dhënë operacionit një dimension bashkëpunimi ndërkufitar që mund të përfitojë të dy qeveritë.

    Për ushtrinë meksikane, një udhëheqës karteli është eliminuar, duke dobësuar, të paktën teorikisht dhe ndoshta për një periudhë kohe, grupin kriminal që ai drejtonte.

    Reagimi nga njerëzit e El Menchos ka qenë i menjëhershëm. Janë ngritur barrikada rrugore dhe dhuna është përhapur në deri në tetë shtete të ndryshme, nga Guerrero në bregun e Paqësorit deri në Tamaulipas në verilindje. Edhe kryeqyteti Mexico City dhe shteti përreth kanë parë incidente.

    Disa nga dhunat më të rënda kanë ndodhur në Jalisco, me persona të armatosur me maska që i vunë flakën dyqaneve në kryeqytetin e shtetit, Guadalajara, një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës FIFA këtë verë. Në resortin bregdetar Puerto Vallarta, turistët dhe banorët janë strehuar në vende të sigurta derisa vala e dhunës të kalojë.

    Ky është një demonstrim besnikërie nga ushtarët e tij dhe një shprehje zemërimi ndaj autoriteteve për eliminimin e liderit të tyre. Por nëse barrikadat dhe makinat e djegura janë vetëm demonstrative apo nëse dhuna do të zbutet apo përshkallëzohet, do të bëhet e qartë në ditët në vijim. Reagimi i forcave të rendit do të jetë vendimtar.

    Është një e vërtetë e njohur se në grupe të tilla kriminale transnacionale, edhe kur një drejtues është aq ndikues sa Oseguera, zakonisht ka tre ose katër zëvendës të pozicionuar mirë për ta zëvendësuar. Megjithatë, El Mencho ishte kyç në ngritjen e grupit.

    Kur ai u zhvendos në SHBA si emigrant pa dokumente në vitet 1980, kishte pasur tashmë përplasjet e para me ligjin duke kultivuar marijuanë në shtetin e tij të lindjes. Pasuan arrestime të ndryshme në Kaliforni, ndërsa u përfshi më thellë në krimin e narkotikëve, përpara se të dënohej me disa vite burg në SHBA.

    I dëbuar në Meksikë në moshën 30-vjeçare, ai u përfshi plotësisht në aktivitetet e karteleve. Punoi për Kartelin Milenio në Michoacán dhe fitoi reputacion si një shef i llogaritur dhe mizor.

    Ai ishte në pozicion ideal kur karteli u përça dhe nga mbetjet e tij u krijua CJNG, me El Menchon në krye.

    Përmes zgjerimit territorial dhe aftësisë për ta orientuar kartelin drejt aktiviteteve të reja të paligjshme fitimprurëse, ai e ktheu grupin në atë që është sot, ndoshta forca kriminale dominuese në Meksikë.

    Karteli i tij përfitoi edhe nga dobësimi i Sinaloa Cartel pas ekstradimit të liderit të tij, Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán, në SHBA. Luftërat e brendshme midis fraksioneve rivale në Sinaloa e copëtuan më tej grupin.

    CJNG përfitoi nga vakuumi dhe mori një pjesë të rëndësishme të tregtisë së fentanilit pas rënies së djemve të El Chapos. Njëri prej tyre, Joaquín Guzmán López, u dorëzua para autoriteteve amerikane dhe me vete rrëzoi rivalin e madh të grupit të tij, Ismael ‘El Mayo’ Zambada.

    El Mencho përfitoi qartë nga vakuumi i krijuar dhe nga ngjarjet dramatike në Sinaloa. Por, siç ndodh shpesh në krimin e drogës në Meksikë, ai nuk e mbajti gjatë këtë “kurorë”.

    Qeveria e presidentes Claudia Sheinbaum do ta paraqesë eliminimin e një prej njerëzve më të kërkuar në Meksikë si një fitore, dhe kjo do të jehonë edhe në Uashington. Kjo tregon përparim në çështjen kryesore për të cilën presidenti Donald Trump ka kërkuar veprim nga Meksika, pas emigracionit: trafikimi i fentanilit.

    Përfshirja e inteligjencës amerikane nënvizon gjithashtu gatishmërinë e administratës Sheinbaum për të bashkëpunuar me Uashingtonin për objektiva të përbashkëta. Ajo shpreson se kjo do të mjaftojë për të shmangur diskutimet për veprime të njëanshme ushtarake amerikane në territorin meksikan. /Euronews.al

  • Begaj takon Mbretin e Jordanisë, rikonfirmohet marrëdhënia e fortë mes dy vendeve

    Begaj takon Mbretin e Jordanisë, rikonfirmohet marrëdhënia e fortë mes dy vendeve

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se me Mbretin Abdullah II të Jordanisë, rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve.

    Përmes një postimi në Facebook, Begaj tha se të dy shprehën vendosmërinë për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

    “Shqipëria dhe Jordania janë dy vende që ndajnë vlera të përbashkëta, një qasje të moderuar në politikën ndërkombëtare dhe një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit dhe dialogut”, ka shkruar ai.

  • Cakolli: E çuditshme, zgjedhja e Presidentit është proces i Kuvendit, jo i Qeverisë

    Cakolli: E çuditshme, zgjedhja e Presidentit është proces i Kuvendit, jo i Qeverisë

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke theksuar se bëhet fjalë për një procedurë ekskluzivisht parlamentare dhe jo qeveritare.

    Sipas Cakollit, është “pak e çuditshme” që takimet për këtë çështje të mbahen në zyrën e Kryeministrit, sikur të ishte proces i Qeverisë.

    Ai ka nënvizuar se zgjedhja e Presidentit është përgjegjësi e Kuvendit dhe kërkon marrëveshje politike ndërmjet forcave parlamentare.

    “Takimet për çështjen e Presidentit duhet të zhvillohen mes kryetarëve të partive parlamentare, sepse ky është proces parlamentar dhe kërkon marrëveshje politike mes forcave parlamentare. Rrjedhimisht, nuk bëhet fjalë për raport Kryeministër-opozitë, e aq më pak Kryeministër-deputetë”, ka deklaruar Cakolli.

    Ai ka rikujtuar se për zgjedhjen e Presidentit kërkohet konsensus i gjerë prej 2/3 të deputetëve të Kuvendit, të paktën në dy raundet e para të votimit.

    Sipas tij, afati është vendimtar dhe më së largu deri më 5 mars duhet të arrihet marrëveshje politike dhe të realizohet votimi i suksesshëm.

    Në të kundërtën, Cakolli paralajmëron se vendi mund të hyjë në një situatë të shkeljes kushtetuese, e cila praktikisht do ta çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

  • Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar i ‘lanë’ 2.8 miliardë euro në kazino e bastore

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar i ‘lanë’ 2.8 miliardë euro në kazino e bastore

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar kanë paguar rreth 2.8 miliardë euro në kazino, bastore dhe klube aparatesh, tregon analiza e emisionit “Biznis Objektiv”.

    Kjo shumë përfaqëson një rrjedhje të madhe financiare drejt industrisë së lojërave të fatit dhe hap pyetje serioze për pasojat ekonomike dhe sociale, përcjell INA.

    Sipas analizës, bëhet fjalë për një shumë që është e krahasueshme me një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit, gjë që tregon se sa pjesë të madhe zë industria e bixhozit në rrjedhat financiare të vendit.

    Disa nga ekspertët paralajmërojnë se ky lloj shpenzimi ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetet personale të qytetarëve, në rritjen e borxheve dhe në varfëri. Kazinotë dhe bastoret në vitet e fundit shënojnë rritje të vazhdueshme, të nxitura nga qasja e lehtë, platformat online dhe marketingu agresiv, por paralelisht me rritjen e të ardhurave rriten edhe problemet e lidhura me varësinë nga bixhozi, borxhet familjare dhe pasojat sociale, përcjell INA.

    Edhe pse industria sjell të ardhura përmes taksave dhe licencave, ekonomistët paralajmërojnë se një pjesë e madhe e parave riorientohen nga konsumi produktiv drejt një sektori që nuk krijon vlerë të re në ekonominë reale. Analiza hap gjithashtu pyetje mbi nevojën për rregulla më të rrepta, kufizimin e numrit të objekteve, kontrollin e bixhozit online dhe forcimin e programeve për parandalimin e varësisë. Shuma prej 2.8 miliardë eurosh tregon qartë se industria e bixhozit po bëhet një nga sektorët financiarë më të fuqishëm në vend, por edhe një nga më kontroversët.

  • Aksident fatal në Zvicër, ndërron jetë i riu kosovar

    Aksident fatal në Zvicër, ndërron jetë i riu kosovar

    Një shqiptar nga Kosova ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti komunikacioni në Zvicër, transmeton albinfo.

    Sipas informacioneve fillestare, i riu, i cili jetonte dhe vepronte prej vitesh në Zvicër, ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra në aksidentin e trafikut. Rrethanat e plota të ngjarjes ende nuk janë bërë publike nga autoritetet përkatëse.

    Thuhet si i riu nga Zvicra ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë të vegjël.

    Trupi i të ndjerit pritet të sillet në Kosovë në ditët në vijim, ku edhe do t’i jepet lamtumira e fundit.

    Kush ishte ‘El Mencho’, udhëheqësi i frikshëm i kartelit të drogës, i vrarë në një operacion ushtarak në Meksikë?
    Read more