ATV

Category: Lajme

  • Ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi edhe në rigjykim dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim për rastin “Gylenistët”

    Ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi edhe në rigjykim dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim për rastin “Gylenistët”

    Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi i akuzuar në rastin e njohur si “Gylenistët”.

    Në këtë rast, Driton Gashi në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), akuzohej se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova duke shkelur procedurat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Leon Përlaska.

    Gjykatësja Namani-Hajra tha se Gashi dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim dhe ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 4 vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.

    Në arsyetim të vendimit, gjykatësja tha se në rigjykim shumica e seancave janë mbajtur të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Tha se i akuzuari ka tejkaluar kompetencat zyrtare.

    I akuzuari obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës dhe atë për paushallin gjyqësor shumën 1 mijë euro dhe 100 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

    Palët e dëmtuara për realizmin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Të pranishëm në shpallje ishin prokurorja Habibe Salihu-Statovci dhe mbrojtësi i Gashit, avokati Driton Musliu. Ndërkaq mungoi i akuzuari Gashi.

    Më 19 korrik 2023, Themelorja e kishte shpallur fajtor ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, derisa Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani ishin liruar nga akuza.

    Por, në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim vetëm sa i përket pikës I të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, ndërsa ka vërtetuar lirimin nga akuza për dy të akuzuarit tjerë.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohej se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohej se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

    PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

    Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

    Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohej se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 deri më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

    Gjithnjë sipas Prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë-udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

    Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

    PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99, par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

    Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97, par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97, paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe deportojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

    Me këto veprime, Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

    Po ashtu, prokuroria e akuzonte Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoi kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe deportuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29, par.2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

    Me këto veprime, PSRK e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196, par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

  • Bordi i Paqes lanson faqen zyrtare, vendosen edhe flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë si shtete themeluese

    Bordi i Paqes lanson faqen zyrtare, vendosen edhe flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë si shtete themeluese

    Bordi i Paqes ka hapur zyrtarisht uebfaqen e tij, duke shënuar një hap të ri në angazhimin për ndërtimin e një arkitekture më efektive dhe pragmatike të paqes në nivel ndërkombëtar. Në faqen zyrtare janë publikuar edhe 28 shtetet themeluese të këtij mekanizmi të ri ndërkombëtar, ku mes tyre figurojnë edhe Kosova dhe Shqipëria.

    Në deklaratën themeluese thuhet se paqja e qëndrueshme kërkon gjykim pragmatik, zgjidhje me sens të përbashkët dhe guxim për t’u larguar nga qasjet dhe institucionet që shpesh kanë dështuar të sjellin rezultate konkrete.

    Dokumenti thekson se paqja afatgjatë ndërtohet kur qytetarët fuqizohen për të marrë përgjegjësi mbi të ardhmen e tyre, si dhe përmes partneriteteve të qëndrueshme, të orientuara drejt rezultateve dhe të bazuara në ndarjen e barrës dhe përgjegjësive.

    Po ashtu, theksohet nevoja për një trupë ndërkombëtare më fleksibile dhe më efektive në fushën e paqebërjes, duke kritikuar qasjet që krijojnë varësi të përhershme dhe institucionalizojnë krizën, në vend që ta tejkalojnë atë.

    Sipas njoftimit, palët themeluese janë zotuar të krijojnë një koalicion shtetesh të gatshme për bashkëpunim praktik dhe veprim efektiv, duke miratuar Kartën e Bordit të Paqes.

    Në mesin e 28 shteteve themeluese që paraqiten në uebfaqe janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kosova, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, Kazakistani, Uzbekistani, Paraguai, Maroku, si dhe vende të tjera nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.bo

  • Rrëzohet helikopteri në Peru, 15 të vdekur – në mesin e tyre 7 fëmijë

    Rrëzohet helikopteri në Peru, 15 të vdekur – në mesin e tyre 7 fëmijë

    Një helikopter me 15 persona në bord është rrëzuar në Peru.

    Sipas raportimeve, një operacion i madh kërkim-shpëtimi u nis nga Forcat Ajrore Peruviane pasi humbi kontaktin me Mi-17 që po udhëtonte nga qyteti i Piscos në Chala, në rajonin e Arequipas. Ai u zhduk nga radari rreth orës 16:30 të dielën.

    Kuptohet se familjet ishin në bord të helikopterit së bashku me katër anëtarë të ushtrisë dhe midis të vdekurve janë shtatë fëmijë.

    Ushtria peruviane nuk ka dhënë detaje të mëtejshme rreth misionit dhe tregoi se aktivizoi kërkimin “në një përpjekje për të gjetur shokët dhe pasagjerët”.

    Avionë të reagimit të shpejtë dhe patrulla të forcave speciale tokësore u dërguan dhe u vendosën së bashku me oficerët e policisë.

    Avioni u pilotua nga Major Sergio Paucar Centurion dhe Luis Huertas Carcamo, së bashku me rreshterët Kamila Anchapuri Jove dhe Leiner Aguirre Huaman, të cilët po transportonin 11 pasagjerë, sipas mediave lokale.

    Sipas një deklarate të lëshuar së fundmi nga forcat ajroe peruane, u konfirmua vendndodhja e helikopterit të rrëzuar.

    “Pas një përpjekjeje intensive kërkimi të kryer sot, patrullat e forcave speciale, në koordinim me policinë kombëtare, arritën të lokalizonin avionin – një helikopter Mi-17, që humbi kontaktin radial.

  • I shpallur në kërkim për drogë nga Austria, kapet në Morinë 31-vjeçari

    I shpallur në kërkim për drogë nga Austria, kapet në Morinë 31-vjeçari

    Policia kufitare në Kukës ka arrestuar një shtetas turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike. Në pikën e kalimit kufitar të Morinës u vu në pranga shtetasi V. B., 31 vjeç, banues në Stamboll.

    Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Vjenës ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

    Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit.

  • Një person në Zveçan raporton se dikush në garazhin e tij vendosi letër kërcënuese në gjuhën serbe

    Një person në Zveçan raporton se dikush në garazhin e tij vendosi letër kërcënuese në gjuhën serbe

    Një person në Zveçan ka raportuar në Policinë e Kosovës se persona të panjohur kanë vendosur një letër kërcënuese në gjuhën serbe në garazhin e tij.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 22 shkurt 2026 dhe është regjistruar si rast “Kanosje”.

    “Rr. Nemanjina, Zveqan 22.02.2026-NN. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se gjatë natës nga persona të panjohur në garazhin e tij i është vendosur një letër kërcënuese në gjuhen serbe”, ka thënë Policia në raportin e saj.

    Tutje, Policia ka njoftuar se prokurori është informuar për rastin dhe hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e ngjarjes.

     

  • Gjakovë: Dorëzohet një person në polici, me vete kishte granatë dore

    Gjakovë: Dorëzohet një person në polici, me vete kishte granatë dore

    Një person është dorëzuar në polici në Gjakovë në lidhje me veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

    Rasti kishte ndodhur më 25 janar, kurse i njëjti u dorëzua të hënën.

    I dyshuari kishte me vete edhe një granatë dore. Në lidhje me rastin është njoftuar njësiti i deminimit të cilët kanë bërë shpërthimin e mjetit në mënyrë të kontrolluar.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit shqiptarit nga Kosova që humbi jetën në aksident në Austri

    Sot i jepet lamtumira e fundit shqiptarit nga Kosova që humbi jetën në aksident në Austri

    Lajmi për vdekjen tragjike të një shqiptari nga Kosova si pasojë e një aksidenti komunikacioni në Austri është raportuar nga Albinfo.ch dy ditë më parë.

    Bëhet e ditur se sot, më 24 shkurt, atij do t’i jepet lamtumira e fundit.

    Bëhet fjalë për të riun me inicialet N.Sh., i cili prej vitesh jetonte dhe vepronte në Zvicër. Ai ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve të marra në aksidentin e trafikut në Austri.

    Sipas njoftimeve, ceremonia e varrimit do të mbahet sot, më 24 shkurt, në ora 16:00, në fshatin Herticë të komunës së Podujevës.

    I ndjeri lë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë të vegjël, ndërsa familjarë, miq dhe të afërm do t’i japin sot lamtumirën e fundit në vendlindje.

  • Katër vjet luftë në Ukrainë, statistikat e një konflikti shkatërrues

    Katër vjet luftë në Ukrainë, statistikat e një konflikti shkatërrues

    Pushtimi i Ukrainës nga Rusia katër vjet më parë nisi konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke shkaktuar vuajtje të mëdha për civilët dhe përvoja rrëqethëse për ushtarët, ndërsa rishkroi rendin e sigurisë pas Luftës së Ftohtë.

    Luftimet hyjnë në vitin e pestë të martën dhe nuk tregojnë shenja se do të ndalen së shpejti.

    SHBA ka ndërmjetësuar bisedime me delegacione nga Moska dhe Kievi si pjesë e përpjekjes njëvjeçare të administratës Trump për paqe. Por pajtimi i dallimeve kyçe, si e ardhmja e territorit ukrainas të pushtuar nga Rusia dhe siguria pas luftës për Ukrainën, ka penguar përparimin, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Ndërkohë, mijëra trupa nga të dy vendet kanë vdekur në fushëbetejë dhe civilët ukrainas janë goditur nga sulmet ajrore ruse që kanë sjellë vite ndërprerjesh të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë.

    Më poshtë një vështrim mbi konfliktin, me shifra, që nga pushtimi i plotë më 24 shkurt 2022:

    1.8 milionë

    Vlerësimi maksimal i numrit të ushtarëve të vrarë, plagosur ose të zhdukur nga të dyja palët, sipas një raporti muajin e kaluar nga Center for Strategic and International Studies, një institut kërkimor.

    Raporti vlerësoi se Rusia ka pësuar 1.2 milionë viktima, përfshirë deri në 325,000 ushtarë të vrarë, midis shkurtit 2022 dhe dhjetorit 2025 — çka e përshkroi si numrin më të madh të vdekjeve të trupave për ndonjë fuqi të madhe në ndonjë konflikt që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Rusia nuk ka publikuar shifra për vdekjet në fushëbetejë që nga janari 2023, kur tha se më shumë se 80 ushtarë u vranë në një sulm ukrainas, duke e çuar totalin e vdekjeve ushtarake të konfirmuara nga Moska në pak mbi 6,000.

    CSIS vlerësoi se Ukraina ka pësuar 500,000 deri në 600,000 viktima ushtarake, përfshirë deri në 140,000 të vdekur.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha më herët këtë muaj se 55,000 trupa ukrainase kanë vdekur në luftë. Shumë prej tyre janë të zhdukur, tha ai.

    As Moska dhe as Kievi nuk publikojnë të dhëna të përditësuara për humbjet ushtarake. Verifikimi i pavarur nuk është i mundur.

    14,999

    Numri i vdekjeve të civilëve në Ukrainë që nga pushtimi i plotë rus, sipas United Nations Human Rights Monitoring Mission in Ukraine, e cila thekson se shifra ka të ngjarë të jetë më e ulët se realiteti. Më shumë se 40,600 civilë janë plagosur gjatë së njëjtës periudhë, sipas një raporti të dhjetorit.

    Lufta ka vrarë të paktën 763 fëmijë, sipas OKB-së.

    Viti i kaluar ishte më vdekjeprurësi për civilët në Ukrainë që nga viti 2022. Konflikti vrau 2,514 civilë dhe plagosi 12,142 në vitin 2025 — një rritje prej 31% krahasuar me vitin 2024.

    19.4%

    Përqindja e territorit ukrainas të pushtuar nga Rusia, sipas Institutit për Studime të Luftës.

    Gjatë vitit të kaluar, Rusia ka fituar vetëm 0.79% të territorit të Ukrainës në luftën e ngadaltë të konsumimit, sipas llogaritjeve të këtij instituti me bazë në Washington.

    Para pushtimit të plotë, Rusia kontrollonte gati 7% të Ukrainës, përfshirë Krimenë dhe pjesë të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut në lindje.

    13%

    Rënia në përqindje e ndihmës së huaj ushtarake për Kievin vitin e kaluar krahasuar me mesataren vjetore midis 2022 dhe 2024, sipas Kiel Institute në Gjermani, që ndjek ndihmën për Ukrainën.

    Presidenti amerikan Donald Trump ndaloi dërgimin e armëve amerikane të paguara nga SHBA-ja për Ukrainën pasi mori detyrën mbi një vit më parë. Vendet evropiane, duke u përpjekur të kompensojnë diferencën, rritën ndihmën e tyre ushtarake vitin e kaluar me 67% krahasuar me periudhën 2022-2024, sipas raportit.

    Ndihma e huaj humanitare dhe financiare për Ukrainën ra me 5% vitin e kaluar krahasuar me mesataren e tre viteve të mëparshme.

    5.9 milionë

    Numri i civilëve ukrainas që kanë lënë vendin.

    Rreth 5.3 milionë prej tyre kanë gjetur strehim në Evropë, sipas një raporti të këtij muaji nga zyra e OKB-së në Ukrainë.

    Të paktën 300,000 kanë ardhur në Kanada.

    Përveç kësaj, rreth 3.7 milionë ukrainas të zhvendosur janë zhvendosur brenda vendit, sipas OKB-së.

    Popullsia e Ukrainës para luftës ishte mbi 40 milionë.

    2,881

    Numri i sulmeve ruse që kanë ndikuar në ofrimin e kujdesit mjekësor në Ukrainë që nga pushtimi i plotë, sipas një raporti nga World Health Organization.

    Agjencia e OKB-së tha se pati një rritje prej gati 20% të këtyre sulmeve vitin e kaluar krahasuar me vitin 2024.

    Një raport më herët këtë muaj nga OBSH dokumentoi të paktën 2,347 sulme ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor, përveç të tjerave që dëmtuan automjete dhe magazinimin e furnizimeve mjekësore.

  • Udhëtimi Londër-Paris mund të zgjasë më pak se 30 minuta me projektin e ri futurist

    Udhëtimi Londër-Paris mund të zgjasë më pak se 30 minuta me projektin e ri futurist

    Një udhëtim futurist me ‘hyperloop’ nga Londra në Paris mund ta shkurtojë kohën e udhëtimit midis Londrës dhe Parisit në pak më pak se 30 minuta.

    Koncepti përfshin kapsula pasagjerësh që udhëtojnë me më shumë se 965 kmh përmes tubave me presion të ulët, të cilët mund ta lidhin më tej Londrën me Brukselin në 20 minuta, Amsterdamin në 22 minuta dhe Berlinin në pak më shumë se një orë.

    Edhe pse ka qenë një ëndërr e parealizuar inxhinierike për disa vite, ideja fitoi vëmendje globale në vitin 2013 kur Elon Musk publikoi një dokument të bardhë mbi të.

    Sipas mbështetësve, levitacioni magnetik – i ngjashëm me trenat maglev – do t’u lejonte kapsulave të rrëshqisnin pa kontakt fizik, duke zvogëluar fërkimin dhe përdorimin e energjisë.

    Teorikisht, pjesa më e madhe e energjisë që normalisht humbet për shkak të rezistencës së ajrit do të zhdukej në një mjedis të ngjashëm me vakumin.

    Evropa është bërë një terren kyç testimi për sistemin inovativ me hapjen e Qendrës Evropiane të Hyperloop në Veendam të Holandës në vitin 2024.

    Inxhinierët kohët e fundit demonstruan një ndërrim korsish ‘zero-pjesë lëvizëse’, i cili u lejonte kapsulave të ndryshonin rrugët pa ndryshime mekanike të shinave – një hap i madh drejt ndërtimit të një rrjeti të vërtetë.

    Gavin Haines, shkrimtar udhëtimesh për The Telegraph, vizitoi së fundmi vendin holandez, ku pa nga afër se si funksionon sistemi.

    Drejtori menaxhues i qendrës, Kees Mark, i tha Haines se ai vetë e ka përdorur sistemin e testimit dhe e përshkruan përvojën si më afër fluturimit sesa udhëtimit tradicional me tren.

    “Të mendosh se mund të pimë kafe në Paris në më pak se një orë nga tani është një ndryshim i madh i mendësisë. Është më shumë si fluturimi. Ky është një nga përfitimet e hyperloop – nuk ka konsumim nga pjesët lëvizëse”, tha ai.

    Megjithatë, projekti përballet me pengesa të konsiderueshme. Mbajtja e një vakumi në tuba të mëdhenj është teknikisht e vështirë dhe financimi i rrugëve të plota do të kërkonte miliarda në investime.

    Në Shtetet e Bashkuara, Virgin Hyperloop përfundoi operacionet e pasagjerëve në vitin 2023 mes barrierave të sigurisë, një procesi rregullator të ndërlikuar dhe sfidave të gjera financiare.

    Richard Branson, një nga investitorët e hershëm të projektit, u tërhoq pasi kompania dështoi të arrinte qëllimin e saj për shpejtësi 1126 kmh – duke arritur vetëm 172 kmh në provën e saj të parë njerëzore.

    Kapaciteti në rrjetin e propozuar të hiperloop është një shqetësim tjetër; kritikët vunë re se kapsulat e hershme të pasagjerëve mbajnë shumë më pak njerëz sesa vagonët standardë të trenave.

    Për momentin, hiperloop është ende në fazën e testimit, pa data të konfirmuara ndërtimi.

    Sipas ekspertëve të industrisë, rrugë të kufizuara tregtare mund të futen në vitet 2030, por një udhëtim 30-minutësh me tren midis Londrës dhe Parisit mbetet një qëllim ambicioz në të ardhmen dhe jo një plan i përcaktuar.

    Diku tjetër, Japonia po ndërton atë që mund të bëhet treni më i shpejtë në botë, me shpejtësi që potencialisht arrijnë 603.5 km/orë.

    Automjeti i ri mbresëlënës është ende në zhvillim e sipër dhe do të njihet si Seria L0 – një tren japonez maglev.

    Treni përdor levitacionin magnetik për t’u ngritur nga shinat, ndërsa një motor elektrik do të ndihmojë në shtyrjen e vagonëve përpara – duke çuar në shpejtësi inovative. Deri më tani, projekti thuhet se ka kushtuar plot 60 miliardë euro.

  • I përfshirë në dosjen Epstein, ish-ambasadori Peter Mandelson lirohet me kusht

    I përfshirë në dosjen Epstein, ish-ambasadori Peter Mandelson lirohet me kusht

    Ish-ambasadori i Britanis në SHBA, Lord Mandelson, i cili u arrestua të hënën nën dyshimin për “shkelje të detyrës”, është liruar me kusht, sipas Policisë Metropolitane të Londrës.

    Kujtojmë se 72-vjeçari u shkarkua nga pozicioni i tij si ambasador i Britanisë në SHBA në shtator, kur filloi të zbulohej shkalla e marrëdhënies së tij me financierin e dënuar amerikan Jeffrey Epstein.

    Disa ditë më parë, policia kishte nisur një hetim kundër tij, pasi qeveria e kryeministrit Keir Starmer u përcolli atyre komunikimet që ish-ambasadori kishte pasur me Epstein.

    Të hënën, ai u arrestua në një adresë në Camden, në veri të Londrës, dhe u dërgua në një stacion policie për t’u marrë në pyetje.

    Sipas BBC-së, Mandelson thuhet se është kthyer në shtëpinë e tij në Londër rreth orës 2:00 të mëngjesit të së martës.

    Vërehet se rasti Mandelson ka shkaktuar një mori dorëheqjesh në qeverinë britanike dhe në stafin e kryeministrit Keir Starmer në Britani.

    Ndërkohë, pak ditë më parë, shefi i kabinetit të qeverisë britanike, Chris Wormald, dha dorëheqjen. Kjo u parapri nga largimi i Morgan McSweeney, shefit të kabinetit të Starmer, dhe Tim Allan, drejtorit të komunikimit të kryeministrit britanik, i cili thuhet se synon të ristrukturojë stafin e tij pas çështjes Mandelson.

    Keir Starmer është vënë nën presion, madje edhe nga brenda partisë së tij, për të dhënë dorëheqjen për shkak të vendimit të tij për të emëruar Peter Mandelson si ambasador në Shtetet e Bashkuara.