ATV

Category: KULTURË

  • Lëshohet pulla postare “Lojërat Evropiane – Krakow 2023”

    Lëshohet pulla postare “Lojërat Evropiane – Krakow 2023”

    Posta e Kosovës nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Lojërat Evropiane-Krakow 2023”, përmes së cilit do t’i përkrahë sportistët e Republikës së Kosovës që do të marrin pjesë në këtë ngjarje sportive evropiane.

    Lojërat Evropiane të vitit 2023, do të mbahen në rajonin Krakow dhe Malopolska të Polonisë. Është hera e tretë që Komiteti Olimpik i Kosovës dërgon sportistë kosovarë në lojërat evropiane, pas Baku 2015 dhe Minsk 2019.

    Pamjet e dy pullave postare, siç ka informuar Posta e Kosovës, prezantojnë simbolikisht sportistët kosovarë që do të përfaqësojnë vendin tonë në disa nga disiplinat sportive.

    Ndërkaq, blloku filatelik me gërshetimin e artefaktit të “Vrapueses së Prizrenit” që daton rreth viteve 520 -500 p.e.s., si dhe njërës nga sallat më të mëdha të lojërave, paraqet prezantimin atraktiv të lashtësisë së kultivimit të atletikës në vendin tonë.

    “Ky emision i pullave postare do të jetë në qarkullim postar dhe në dispozicion të konsumatorëve deri në konsumin e plotë. Filatelia e Postës së Kosovës, në vazhdimësi afirmon arritjet e sportistëve tanë, të cilët me talentin e tyre po na bëjnë krenar, duke e lartësuar flamurin e shtetit të Kosovës kudo që po marrin pjesë nëpër botë!”, u bë e ditur në komunikatë.

  • Sot Dita Ndërkombëtare e Muzikës, në kryeqytet organizohen një sërë aktivitetesh

    Sot Dita Ndërkombëtare e Muzikës, në kryeqytet organizohen një sërë aktivitetesh

    Sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzikës, në kryeqytet do të ketë një sërë aktivitetesh.

    Lidhur me disa nga këto aktivitete, ka folur profesoresha Besa Luzha, njëherësh edhe përfaqësuese e këshillit të operës së Kosovës, me ç’rast ajo përmendi se nga organizimi i një koncerti që mbahet nesër, të gjitha të hollat do të ofrohen për mësimin parashkollor, për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

    “Opera e Kosovës ka organizuar një takim që fillon në ora 11;00 në bibliotekën kombëtare, ku do të promovohet një libër apo për të thënë një monografi për Nikolin Gurakuqin, i cili është një regjisor i shquar i operës në Shqipëri. Në anën tjetër, nesër  do të mbahet një koncert “Muzika na bashkon”, që përmes tij jemi munduar që ta lidhim me një kauzë humanitare, pra të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë në qendrën “Azure” në Fushë-Kosovë, qendër kjo e cila do të ofrojë mësim parashkollor për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, andaj ftojmë të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë”, tha ajo./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Instituti Albanologjik shënon 70-vjetorin e themelimit

    Instituti Albanologjik shënon 70-vjetorin e themelimit

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Në 70-vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës u vlerësua lart kontributi i atyre që ndihmuan në themelimin e këtij institucioni dhe në punën e tij deri më sot. Kryeministri Albin Kurti vlerësoi rolin, punën dhe kërkimin shkencor ndër vite të Institutit Albanologjik.

    Instituti Albanologjik i Prishtinës ka shënuar të hënën 70-vjetorin e themelimit.

    Duke vlerësuar rolin e këtij instituti, punën dhe kërkimin shkencor për albanologjinë, kryeministri Albin Kurti tha se evidentimi i së kaluarës hedh dritë për të tashmen dhe të ardhmen.

    “E kaluar jonë nuk ishte dokumentuar. Para themelimit, Instituti bëri që të bëhej punë e madhe, të cilën më herët e kishin bërë të huajt. Instituti nuk e ndali punë edhe përkundër vështirësive. Duke filluar nga themeluesit, Esat Mekuli, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, jo vetëm që paraqesin emrat e studiuesve tonë të famshëm, që kanë kontribuar pa ndalur. Instituti duhet të synojë të jetë në hap me kohën. Ne do ta përkrahim në vazhdimësi”.

    Se instituti ka kaluar nëpër një varg sfidash e tha edhe drejtori i këtij Instituti, Hysen Matoshi.

    “Që nga themelimi, instituti ka pësuar shumë nga popujt e huaj dhe përndjekjet e asaj kohe, ku në disa raste edhe ka qenë i mbyllur për një kohë”.

    Ndërsa, akademik Rexhep Qosja foli për vështirësitë që ka kaluar Instituti Albanologjik nën okupimin serb.

    “Duhet çmuar lart puna e gjithë atyre intelektualëve që kontribuuan në themelimin dhe ngritjen e institucionit”.

    Aktualisht, Instituti ka 34 punëtorë shkencorë dhe 15 administrativë-teknikë.
    Konferenca shkencore, “Albanologjia dje, sot dhe nesër” do të mbahet më 19, 20 dhe 21 qershor 2023, në ndërtesën e Institutit Albanologjik në Prishtinë.

     

     

     

  • Historia e çezmës së Vushtrrisë, burimi i së cilës nuk është ndalur asnjëherë

    Historia e çezmës së Vushtrrisë, burimi i së cilës nuk është ndalur asnjëherë

    E ndërtuar në shekullin XVIII nga Hajredin Pasha, kjo çezme në Vushtrri është e njohur me emrin e ndërtuesit “Çezma e Hajredin Pashës”.

    Çezma ka një koritë të punuar nga guri i latur, i vendosur në tokë si dhe një parmak hekuri.

    Drejtoresha për Kulturë, Tini dhe Sport në komunën e Vushtrrisë, Medina Bunjaku, në një prononcim për ATV-në thotë se kjo çezme është monument nën mbrojtje të përkohshme si objekt profan, jo religjioz.

    “Kjo çezme është ndërtuar qysh në periudhën osmane. Edhe pse është ndërtuar në atë periudhë, gjithmonë është quajtur si çezmja e kalasë, me që kalaja është më e vjetër se kjo çezme. Kjo çezme burimin e ka nga vreshtat. Vlen të theksohet se burimi i saj asnjëherë nuk është ndalur, vetëm gjatë verës ngadalësohet ngopka shtypja e saj. Po
    ashtu, kjo çezme është monument nën mbrojtje të përkohshme si objekt profan, jo religjioz”, tha Bunjaku.

    Ajo tregon se kjo çezme ende nuk ka pasur ndonjë restaurim dhe ka mbetur e njëjta qysh prej asaj periudhe kur është ndërtuar. /atvlive.tv

  • Kulla, bibliotekë e Junikut!

    Kulla, bibliotekë e Junikut!

    Juniku është njëri ndër vendet në Kosovë ku shumë kulla janë ruajtur si një trashëgimi shqiptare.

    Disa prej tyre janë monumente të mbrojtura. Dikur kanë shërbyer për familje të mëdha junikase të cilët kanë jetuar në to por sot kanë funksion dhe mision tjetër.

    Kjo kullë e ndërtuar 100 vjet më parë, sot është bibliotekë.

    Nëpërmjet projektit “Kosova e Bukur”, kulla është shndërrua në Bibliotekë të Junikut.

    Biblioteka “Din Mehmeti” e Junikut ka rreth 470 lexues dhe një fond prej rreth 7 mijë titujsh nga zhanre dhe autorë të ndryshëm, vendorë dhe të huaj.

    Kjo bibliotekë posedon dy salla të vogla me 15 deri 20 vende për lexues.

    Biblioteka llogaritet të jetë më e veçanta në rajon.

  • Votohet ligji i ri për kinematografi, Matoshi: Më në fund filmi po e merr mbështetjen ligjore e shtetërore

    Votohet ligji i ri për kinematografi, Matoshi: Më në fund filmi po e merr mbështetjen ligjore e shtetërore

    Sot është votuar përfundimisht ligji i ri për kinematografi.

    Lajmin e ka bërë të ditur deputetja dhe njëherit aktorja Adriana Matoshi e cila është shprehur e plotësuar pas kalimit të këtij ligji shumë të rëndësishëm për industrinë e kinematografisë.

    “Pas nje procesi shume te gjate e me plot veshtiresi, sot votuam perfundimisht ligjin e ri per kinematografi.

    Sot po ndihem e plotesume ne dy menyra.

    Si deputete e perfaqesuese e komunitetit ne Kuvend te Kosoves, shume e gezume qe ia arritem te behemi bashke edhe me opoziten per ta votu nje ligj kaq te nevojshem per industrine e kinematografise. Falemnderuese edhe per te gjithe akteret institucional dhe artistet qe kane ndihmu me u shkru ky ligj ashtu qe me iu pergjigj nevojave te industrise.

    Si artiste, tejmase e gezume qe kinematografia po e merr vemendjen e meritume. Cilesia e prodhimtarise tone kinematografike, me suksese qe secili vend i enderron, ma ne fund po e merr mbeshtetjen ligjore e shteterore. E di qe dita e sotme ka me qene motiv shtese per krejt artistet, producentet, regjisoret, skenaristet, kostumografet e skenografet, me vazhdu me kriju dhe me enderru edhe ma shume.

    Urime kolegeve te mi, e na shkoft mbare”, shkruan Matoshi.

  • Nis Festivali i 18-të Ndërkombëtar i Filmit Oriental në Gjenevë, merr pjesë edhe aktori me origjinë shqiptare

    Nis Festivali i 18-të Ndërkombëtar i Filmit Oriental në Gjenevë, merr pjesë edhe aktori me origjinë shqiptare

    Në Gjenevën ndërkombëtare dhe multikulturore ka nisur Festivali i 18-të Ndërkombëtar i Filmit Oriental-FIFOG (12 deri më 18 qershor 2023) ne te cilin festival tradicionalisht po prezantojnë shumë prodhime nga bota arabe, por edhe nga disa vende tjetra si nga Ballkani, Irani, Turqia, Armenia… edhe Bangladeshi!, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch

    Në çdo festival ndërkombëtar te kulturës apo filmit, sikur ky i Gjenevës, patjetër janë prezent edhe shqiptaret e suksesshëm!

    Në Gjenevë takuam z.Alil Vardar, një aktor (humorist) i suksesshëm ne Evrope, një djalë i emigrantëve shqiptarë, perandori enigmatik shqiptar i tetarit francez, që vepron ne zemrën e kulturës evropiane në Paris te Francës, shkruan gazeta zvicerane Le Canton27.ch

    Kjo ngjarje filmike e Gjenevës ka promovuar diversitetin dhe dialogun përmes kinemasë dhe ngjarjeve kulturore të ngjashme për 18 vjet. Çdo vit, pyetja e termit « oriental » në titullin e festivalit ngre pikëpyetje, pasi është i gjerë dhe i paqartë.

    Përgjigja e dhënë nga drejtori artistik i FIFOG, Tahar Houchi, thërret mësimet e shkencave natyrore: toka është e rrumbullakët – nëse shkoni drejt Levantit, me të vërtetë, herët a vonë do të ktheheni në perëndimin e diellit dhe në Gjenevë…

    Disa fokuse kalojnë këtë edicion të 18-të: kinematë persiane, kosovare dhe shqiptare, tuniziane, algjeriane, kurde dhe kinemaja armene e cila feston 100 vjetorin e saj këtë vit.

    Vitet e fundit, të zhgënjyer nga ashpërsia e jetës, shumë njerëz kanë pushuar së ëndërruari. Duke dashur të mbjellë poezi, të ngjyros jetën e magjepsjeve dhe të marrë frymë pak arratisje në jetën e përditshme monotone, FIFOG ka vendosur të vendosë edicionin e tij të 18-të i cili do të zhvillohet nga 12 deri më 18 qershor 2023 në Cinémas du Grütli nën shenjën e ëndrrave.

    Në Festivalin ndërkombëtar të filmit edhe ekspozita, piktura: Homazh të vrarëve në luftën në Kosovë

    Në përputhje me traditën e tij ndërdisiplinore, festivali ofron një hapësirë ​​ekspozite për tre artistë në Espace Hornung të Maison des arts du Grütli nga 12 deri më 18 qershor (hapja më 13 qershor). Artistja libanezo-armene Alexandra Bitar e cila eksploron efektin e ankthit në brezin e saj; Héla Ammar, tuniziane, fotografitë dhe instalimet e së cilës trajtojnë çështjen e kujtesës; Ramë Beqiri i cili me artin e tij bën homazhe për të vrarët në luftën e Kosovës.

    Ëndrra është pronë e njeriut. Ne ëndërrojmë natën dhe ëndërrojmë ditën. Ky aktivitet na lejon të shpëtojmë nga banaliteti ynë i përditshëm, të na çlirojë nga kufizimet e ndryshme, të na ofrojë epsh dhe të na shtyjë drejt së ardhmes ku krijojmë botën tonë magjike. Ëndrra është një forcë misterioze dhe e fuqishme që na shtyn të ecim përpara, të ndërmarrim rreziqe të pamenda dhe të arrijmë gjëra të jashtëzakonshme.

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit Oriental të Gjenevës (FIFOG) tradicionalisht hap hapësirën e tij për takime kulturore me artin dhe letërsinë. Këtë vit, një ekspozitë kolektive e tre artistëve po zhvillohet në Espace Hornung të Maison des arts du Grütli nga 12 deri më 18 qershor (hapja më 13 qershor), me artisten libanezo-armene Alexandra Bitar e cila eksploron efektin e ankthit rreth brezi i tij, Héla Ammar, tuniziane, fotografitë dhe instilacionet e së cilës trajtojnë çështjen e kujtesës dhe Ramë Beqiri, i cili përmes artit të tij u bën homazh të vrarëve në luftën në Kosovë.

    Artisti shqiptar nga Kosova, nga fshati i vogël Koshare i Ferizajt, jeton në Zvicër që nga viti 2006. Karriera e tij artistike mori rrugë të kryqëzuara që e çuan atë nga teatri dhe pantomima në një karrierë si piktor.

  • Poetët shënojnë Ditën e Çlirimit të Prishtinës

    Poetët shënojnë Ditën e Çlirimit të Prishtinës

    Për të shënuar Ditën e Çlirimit të Prishtinës në vitin e 24 të saj , poetë të shumtë janë bërë bashkë në një vend dhe kanë ndarë poezitë e tyre personale me të pranishmit.

    Sipas poetëve, një organizim i tillë është bërë duke ndjekur shembujt e ndërkombëtarëve, sepse bën bashkë komunitetin e poetëve të cilët ndajnë bashkë kritikat e mendimet personale.

    “Në shumë vende të botës organizohen takime të shkrimtarëve të ndryshëm, të cilët shpalosin kujtimet e tyre, në periudha të ndryshme të tyre dhe ideja ishte që edhe ne, të kemi një takim të tillë, që natyrisht edhe të festojmë Ditën e Çlirimit dhe pas kësaj çdo vit do të kemi takim të tillë me këtë datë me më shumë aktivitete të tjera”, tha shkrimtari Sali Bashota.

    Për shumë prej tyre, një natë e tillë është hapësirë e sigurt ë për të ndarë së bashku me kolegët përvojat e hedhura në letër.

    Mbrëmjet e tilla poetike priten të mbesin traditë e përvitshme për të gjithë dashamirësit e shkrimit./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Hapet ekspozita me fotografi të realizuara 33 vite më parë

    Hapet ekspozita me fotografi të realizuara 33 vite më parë

    Është hapur ekspozita personale e Hazir Rekës me fotografi të realizuara 33 vite më parë. Hazir Reka derisa foli rreth kësaj ekspozite, ai tha se kjo ekspozitë është hapur për nder të Ditës së Çlirimit të komunës së Prishtinës.

    Tutje, ai përmendi se si pjesë e kësaj ekspozite është edhe koha kur në vitin 1990, qindra njerëz me flamuj të Amerikës, kishin dalur që ta presin senatorin amerikan Bob Dole dhe zyrtarë tjerë në qendër të Prishtinës.

    Sipas rrëfimit të Rekës, kjo kishte qenë hera e parë që në Kosovë kishte ndodhur një vizitë aq e rëndësishme për shqiptarët.

    Reka thotë që Policia serbe ishte munduar t’i shpërndajë me dhunë demonstruesit që kur të vijnë kongresmenët ta gjejnë sheshin të zbrazët, por kishin hasur në rezistencën e shqiptarëve.

    “Është pritur shumë mirë edhe nga mysafirët që kanë qenë këtu, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Kjo është një ekspozitë që është realizuar para 33 vitesh, kur ka ardhur një delegacion amerikanë, të cilët janë takuar me liderët shqiptar. Ideja që e kam realizuar ekspozitën këtu është se pikërisht në këtë vend janë zhvilluar takimet e ndërsa jashtë këtij vendi janë bërë edhe demonstratat e ndodhur po atë ditë kur polica serbe, ideja e tyre ka qenë me pastrua sheshin që mos me pa asnjëri aty”, tha ai.

    Reka nën emocione përmendi edhe fotografinë e tij të shkrepur kur para hotelit “Grand” policia serbe kishte ndërhyrë brutalisht, duke shpërndarë turmën, por Faik Rexhepi nuk kishte luajtur vendi.

    “Shihet këtu edhe Faik Rexhepi që është ulë aty, këmbëkryq, i ka kapë për pantollonave njerëzit përreth dhe ka insistu me i ulë krejt në shesh. Si më duket e ka pas një ide që me u ulë krejt në shesh”, shtoi ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Përfundon panairi i 23-të i librit në Prishtinë

    Përfundon panairi i 23-të i librit në Prishtinë

    Qytetarë të shumtë e zgjodhën ditën e fundit të panairit për të blerë libra, mbase duke shpresuar në zbritje të çasteve të fundit.

    Kadia Dedja nga shtëpia botuese Onufri, thotë se numri i lartë vizitorëve në këtë panair, ishte si shkak i prezencës së shkrimtarit Ismail Kadare në Prishtinë.
    “Fakti që shkrimtari ynë i madh i të gjitha kohërave ka qenë i pranishëm në stendën e Onufrit në hapjen e panairit, ditën e martë, ka bërë që të ketë edhe më shumë vizitorë dhe lexues të cilët kanë ardhur ta takojnë personalisht dhe të marrin librat e tij me autografe”, tha Dedja.

    I të njëjtit mendim është edhe kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

    “Fakti që këtë vit e patëm të ftuar nderi shkrimtarin e madh Ismail Kadare, shënimi i përvjetorëve të ndryshëm, puna e palodhur e botuesve që për panair të nxjerrin tituj ekskluzivisht të rijnë i jep motiv shtesë lexuesve që të vijnë ta vizitojnë panairin”, tha Edon Zeneli nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.
    Të suksesshëm këtë panair e cilësuan edhe nga shtëpia botuese e Kolegjit AAB.

    “Ka shkuar mjaft mirë, megjithatë mund të themi se ka pasë më pak vizitorë duke e krahasuar me vitet e kaluara, por në anën tjetër ne si shtëpi botuese e Kolegjit AAB, mund të themi se ka qenë një vit i suksesshëm ose kemi pasë shitje të mjaftueshme”, tha drejtori i Shtëpisë Botuese AAB, Urim Sallauka.

    Në panairin e 23-të të librit që u mbajt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, morën pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: