Pen Qendra e Kosovës ka promovuar kompletin e veprave të poetit Basri Çapriqi.
Botimi i veprës komplete të Çapriqit me katër vëllime, përfshin poezinë, studimin letrar, esenë dhe publicistikën ashtu siç i ka shkruar vetë autori.
Pjesë e organizimit ishte edhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernand Çobaj, së bashku me ish-ambasadorin e Kosovës në Amerikë, Avni Spahiu, me ç’rast lartësuan figurën e të ndjerit Çapriqi.
Basri Çapriqi u lind në Ulqin në vitin 1960 dhe vdiq në vitin 2018. Ai ka mbaruar shkollimin e mesëm në Ulqin.
Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar letërsi shqipe, ku ka marrë gradën magjistër i shkencave filologjike, në vitin 1988. I ndjeri ishte edhe Kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherësh themelues i saj.
PEN Qendra e Kosovës, sot, më 12 janar do të bëj promovimin e kompletit të veprave të botuara të poetit Basri Çapriqi, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.
Botimi i veprës komplete të Basri Çapriqit me katër vëllime përfshin poezinë, studimin letrar, esenë dhe publicistikën.
PEN Qendra e Kosovës ka njoftuar se veprat do të botohen pa ndryshime, pra ashtu siç i ka shkruar autori.
Gjithashtu, është bërë e ditur se në këtë botim janë përfshirë shumica e shkrimeve të Çapriqit, të cilat janë paraqitur në konferenca të ndryshme shkencore apo janë botuar në gazeta dhe revista brenda dhe jashtë vendit.
Për veprën e Basri Çapriqit do të flasin sot studiues e njohës të veprimtarisë së poetit, studiuesit e profesorit i cili ka vdekur para gjashtë vjetësh.
Botimin e këtij kompleti e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
PEN Qendra e Kosovës i fton të gjithë dashamirët e librit që të marrin pjesë në këtë promovim i cili do të mbahet sot, në orën 14:00 në KultPlus Caffe Gallery. /KultPlus.com
Ashtu siç ishte paralajmëruar, 22 Nëntori, Dita e Alfabetit, do të jetë një festë kombëtare në Shqipëri.
Vendimi është marrë ditën e sotme në Mbledhjen e qeverisë së Shqipërisë, teksa u bë i ditur nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
“Do të miratohet një ndryshim për ligjin për festa kombëtare dhe ditët përkujtimore. Këshilli i Ministrave po i propozon Kuvendit shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është ditë me simbolikë të veçantë. 22 Nëntori specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, që janë të shpërndarë në të gjitha vendet e Ballkanit dhe i bashkon gjuha”, tha ministri Hasani.
Lajmi u njoftua më herët nga kryeministri Edi Rama gjatë Samitit të diasporës, teksa ftoi edhe Kosovën që të bënte të njëjtën gjë.
Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit. Mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908 është mbajtur një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Shkrimi i poezisë mund të jetë një formë terapie e cila iu mundëson njerëzve që duke shkruar t’i shprehin emocionet e tyre.
Për të diskutuar në lidhje me temën – në studion e emisionit “LIBERO”, mbizotëroi talenti i grave poete të cilat treguan lidhjen shpirtërore që kanë me poezinë dhe mesazhet të cilat ato duan që lexuesi t’i marrë prej poezive të tyre.
Ndër to, poetja Vlora Ademi tregoi se fokusi i shkrimit të poezive të saj është emancipimi i gruas që sipas saj ka pasur ndikim të madh tek lexuesit.
“…Fokusi i poezive të mia është emancipimi i grave, unë gruan e shoh si nanë, shoqe, bashkëudhëtare dhe këto poezi kanë reflektuar te lexuesit pa dallim moshe dhe gjinie…”, tha Ademi.
Ngjashëm u shpreh dhe Vlora Konushevci e cila poezinë e sheh si një mjet proteste ndaj fenomeneve të ndryshme.
“…Motivet të cilat trajtohen në poezitë e mia janë pabarazia gjinore, sociale gjithashtu dhe dashuria…”, shtoi ajo.
Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:
“Oppenheimer” ishte fituesi i madh në Golden Globe Awards, duke marrë pesë çmime, përfshirë çmimin kryesor.
Cillian Murphy dhe Robert Downey Jr u vlerësuan të dy për interpretimet e tyre në aktrim, ndërsa Christopher Nolan fitoi regjinë më të mirë.
“Succession” shënoi më shumë fitore në kategoritë televizive pas sezonit të tij të katërt dhe të fundit të vlerësuar.
Ndërkohë, “Barbie” fitoi çmimin inaugurues për arritjet në arkë, pasi fitoi 1.4 miliardë dollarë në mbarë botën.
Pati dy fitore secila për “Anatomy of a Fall”, “The Holdovers” dhe “Poor Things”, dhe një për “Killers of the Flower Moon” të Martin Scorsese.
Ylli i “Openheimer”, Murphy, nderoi “rigorozitetin, fokusin dhe përkushtimin” e Nolan në realizimin e filmit, i cili fitoi 954 milionë dollarë në arkë dhe fitoi filmin më të mirë dramë në ceremoni.
Filmi biografik gjithashtu fitoi çmime për muzikën më të mirë dhe aktorin më të mirë dytësor për Downey Jr, i cili portretizoi zyrtarin e qeverisë amerikane Lewis Strauss.
Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, i ka shkruar telegram ngushëllimi familjes së dirigjentit dhe profesorit të shquar, Bajar Berisha.
Sipas Çekut, me humbjen e Berishës, jo vetëm muzika klasike në Kosovë, por e gjithë bota e muzikës humbet një nga figurat e shquara dhe frymëzuese, raporton Klan Kosova.
“Me pikëllim të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta të dirigjentit dhe profesorit të shquar, Bajar Berisha. Jeta e pasur artistike e tij është përmbyllur, por trashëgimia që la pas, përmbledhur në dirigjimin e shumë orkestrave prestigjioze dhe angazhimi i tij si profesor e krijues, do të vazhdojë të frymojë në botën e muzikës”, ka shkruar Çeku.
“Profesorin Berisha do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri të përkushtuar e modest, që me karrierën e tij të pasur la gjurmë të ndritshme në skenën muzikore, duke drejtuar orkestra të njohura dhe duke u angazhuar si profesor në rritjen e brezit të ri artistik. Me humbjen e tij, jo vetëm muzika klasike në Kosovë, por e gjithë bota e muzikës humbet një nga figurat e shquara dhe frymëzuese”, ka shtuar ai.
Konferenca e Bujanit ka filluar më 31 dhjetor 1943 dhe ka përfunduar më 2 janar 1944. Aty është nënshkruar një rezolutë, ku Kosovës i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.
Konferenca e Bujanit është mbajtur si rikonfirmim i rrethanave të reja të krijuara pas Mbledhjes së Mukjes, si dhe rezultat i mos përfshirjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën sundimin e ish- Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, (Konferenca e Bujanit), e cila u mbajt pikërisht për t’i kundërshtuar vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it në Jajce (29-30 nëntor 1943) dhe mos përfshirjes së Kosovës si subjekt i pavarur që deri atëherë ishte përfaqësuar përmes Malit të Zi në KAÇKJ-së.
Bujani si një vend pritje e përfaqësuesve të dy kombësive (shqiptarëve dhe serbëve) që kërkonin një marrëveshje për parandalimin e konflikteve të mëtejshme ndëretnike. Mbledhja e konferencës u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, pranë bazës së Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Komitetit Krahinor për Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit, ku morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste etj.
Në këtë konferencë morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin popullin e Kosovës dhe forcat politike të rreshtuara te Fronti Antifashist Nacional-Çlirimtar i Kosovës. Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar) ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviçeviq (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeçar (anëtar) dhe Ali Shukriu (anëtar).
Konferenca e Bujanit doli me një dokument përfundimtar, me rezolutë të miratuar në konferencë, ku thuhet: Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron të bashkohet me Shqipërinë. Formulimi i një qëndrimi të tillë, siç thoshte Hajdar Dushi, mbështetej në vetë deklaratat e Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të KANÇ-it të Jugosllavisë, në të cilat njihej parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, i shpallur solemnisht nga aleatët e koalicionit antifashist.
Më poshtë në rezolutë theksohej se lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist e rrogëtarëve të tij, është e vetmja rrugë për ta fituar lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi për vetëvendosje mbi fatin e tyre, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Garant për këtë është UNÇ i Jugosllavisë dhe UNÇSH i Shqipërisë, me të cilën është ngushtësisht e lidhur. Përveç këtyre, për këtë garantojnë aleatët e mëdhenj, Bashkimi Sovjetik, Anglia e Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit).
Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është një anë, e cila popullohet në pjesën më të madhe nga popullsia shqiptare, e cila, si gjithmonë, dëshiron edhe sot të bashkohet me Shqipërinë. Prandaj, e ndiejmë për detyrë ta vëmë në dukje rrugën e vërtet në të cilën duhet të ecë populli shqiptarë për të realizuar aspiratat e veta. Rruga e vetme për t’u bashkuar me Shqipërinë, për shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Në vitin 1946, Tito ka deklaruar për agjencinë amerikane Associated Press se Kosova dhe territore të tjera shqiptare do t’i kthehen Shqipërisë. Udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito i ka premtuar Enver Hoxhës, në vitin 1946, se do t’i kthente Kosovën dhe territore të tjera shqiptare që ndodheshin në bashkimin jugosllav.
Gazeta serbe “Pravda” shkruan se Tito në vitin 1946 për pak sa nuk i ka “dhuruar” Kosovën Enver Hoxhës, por edhe territore të tjera shqiptare. Pak e njohur është për botën, ku ish-udhëheqësi jugosllav kishte thënë hapur se: Kosova dhe territore të tjera me shumicë shqiptare do t’i kthehen Shqipërisë, transmeton Shekulli shkrimin e gazetës serbe.
“Nëse komunistët vijnë në pushtet në Shqipëri, ajo (Kosova) mund të jetë nën juridiksionin e Tiranës”, ka thënë atëbotë udhëheqësi jugosllav për Associated Press.
“Kreu i shtetit shqiptar, Enver Hoxha gjithmonë ka thënë se Tito i ka premtuar në fund të qershorit të vitit 1946, se Kosova dhe territore të tjera me shumicë shqiptare do të jenë pjesë e Shqipërisë. Megjithatë, këtyre deklaratave nuk u është dhënë rëndësi pasi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit kanë qenë gjithnjë të tensionuara”, shkruan më tej gazeta serbe.
Dora e djathtë e Titos, Edvard Kardel, sipas disa teorive konspirative, me rastin e vizitës së tij në Moskë i kishte thënë Jozef Stalinit, se Kosova do t’i jepet Shqipërisë, me luftën e tyre kundër okupatorit dhe shërbëtorëve të tij.
Po të zbatohej një plan i para tri viteve për objektin e njohur si ish-Gërmia, tenori me famë botërore, Ramë Lahaj nuk do të mbante koncertin e tij në sheshin e kryeqytetit as këtë vit.
Objekti që aktualisht i shërben Administratës Tatimore të Kosovës, do të kthehej në sallë koncertale, ku Lahaj e shumë artistë të tjerë do të mund të performonin.
Për sallën Koncertale, tashmë plani ekziston por punimet nuk kanë filluar.
Sipas nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogaj, ky projekt nuk mund të realizohet derisa Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese.
“Jemi duke e prit projektin e pas dorëzimit të hapim procesin e tenderimit dhe prokurimit ndërkombëtar, fondet janë të ngrira por shpresojmë që deri të fillojmë me procesin e tenderimit, fondet të lirohen”, tha Zogaj.
Si rrjedhojë e fondeve të ngrira nga BE-ja, rezultati negativ pritet të ndjehet edhe më shumë vitin e ardhshëm.
“2024-ta do të ndjehet shumë sepse bëhet miratimi i fondeve për vitin 2024 dhe pikërisht këto fonde vazhdojnë të jenë të ngrira…”, tha Fitim Mulolli nga “Polcon”.
Mulolli përmendi edhe projekte të tjera që mbetën të pa përfunduara për shkak të masave të aplikuara ndaj Kosovës.
“…interkonektiviteti; shkëmbimi i studentëve, profesorëve; bashkëpunimi kulturor, ndërkufitar; e kështu me radhë”, tha Mulolli.
Vlera e këtij projekti deri në funksionalizimin e tij kap vlerën e mbi 15 milionë eurove.
Komuniteti artistik në përgjithësi këtë vit ka qenë i sfiduar.
Derisa Teatri Kombëtar është në rinovim, trupa e aktorëve, provat e tyre po i mbajnë në një sallë të Bororamizit, Filharmonia vazhdon që koncertet t’i mbajë në sallën e kuqe e trupa e Baletit, në salla tjera private.
Ndërsa gjatë këtij viti, festivali i Këngës u organizua në njërin nga parkingjet e Bororamizit.
Stereotipin që është krijuar ndër ne, se shqiptarët e mërgatës shihen vetëm si punëtorë krahu në vendet ku jetojnë, e kanë thyer shumë shqiptarë sidomos të rinj, të cilët janë inkuadruar dhe kanë arritur suksese mjaft të larta në shkencë, ekonomi, politikë, mjekësi etj. Emra të njohur ata janë bërë nëpër fusha të ndryshme në mbarë botën dhe suksesi i tyre është i padiskutueshëm.
Në kuadër të ciklit të shkrimeve Portrete opojanësh që na bëjnë krenar, sot do ta bëj prezantimin e inxhinierit Faton Piraj, nga fshati Pllavë i komunës së Sharrit i cili jeton e punon në Vjenë të Austrisë. Shkas për ta bërë këtë shkrim është ditëlindja e tij e 58-të të cilën Fatoni këtë radhë do ta kremtojë në Vjenë në një ambient familjar i rrethuar nga tre fëmijët e tij që tashmë kanë dhënë shenja se po ecin gjurmëve të suksesit të babait!
Fatoni është i lindur më 28 dhjetor 1965 në fshatin Pllavë. Është fëmija i dytë i prindërve Jahja e Hyrmete Piraj të cilët linden pesë fëmijë (dy djem e tri vajza).
Faton Piraj
Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje (4 klasë) dhe katër klasë të tjera në Shkollën “Shaban Shabani” në Llapushnik ku është shpallur nxënësi më i mirë i të gjitha kohërave i kësaj shkolle. Këtë të dhënë e gjeta në monografinë e shkollës të shkruar nga ish arsimtari Tafil Krasniqi! Gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm, ka qenë shumë aktiv nëpër gara e kuize të diturisë që organizoheshin nga shkolla dhe institucionet tjera në nivel të komunës e të Kosovës.
Dy vitet e para të shkollimit të mesëm i ka kryer në Sharr ndërsa dy të tjerat në Gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, drejtimi Matematikë-Teknikë. Në periudhën 1985-1990 me sukses të shkëlqyer përfundon Fakultetin e makinerisë, drejtimi Makineri – prodhimtari, në Universitetin e Prishtinës, ku fiton titullin Inxhinier i diplomuar i Makinerisë e njëherësh merr diplomën “Student i dalluar” i këtij Universiteti. Vlen të theksohet se krahas studimeve Fatoni për dy vite ka punuar edhe si gazetar në revistën studentore “Bota e re”.
Pas përfundimit në afat rekord të studimeve, një vit ka punuar si profesor i matematikës në gjimnazin “Emin Duraku” në Sharr.
Me ambicie për njohuri të reja në shkencë të cilat nuk i realizonte dot në vendlindje për shkak të të ardhurave të ulëta që realizonte si profesor, Fatoni vendos të merr rrugën e mërgimit dhe destinacioni i tij ishte Vjena ku fillimisht ka bërë punë nga më të ndryshmet dhe më të vështirat derisa arrin ta bëj nostrifikimin e diplomës dhe të punësohet në fushën për të cilën ishte shkolluar, përkatësisht si inxhinier në industrinë e veturave luksoze. Ka kryer edhe një mori specializimesh në fushën inxhinierike, kompjuterike e të gjuhëve të huaja, të gjitha këto në harkun kohor 1996-2006 në Vjenë të Austrisë.
Njëri nga inxhinierët shqiptarë me më shumë shpikje të patentuara!
Njohuritë e arritura gjatë shkollimit filloi t’i zbatonte me sukses në vendin e tij të punës ku iu krijuan mundësi edhe të bëjë dhjetëra zbulime të reja e të rëndësishme për industrinë automobilistike, disa nga të cilat ka arritur t’i patentojë!
Për rreth 15 vite sa ka punuar në industrinë automobilistike, Fatoni ka bërë shumë projekte për brendet më të njohura të automobilave si Mercedes, Audi, Porsche, Toyota, etj., të cilat ka arritur t’i patentojë ndërkombëtarisht, duke u bërë njëri nga inxhinierët shqiptarë me më shumë shpikje të patentuara!
Është inxhinieri i parë që ka arritur ta konstruktoj një mekanizëm i cili përpunon vrimën e motorit (që e mundëson shpejtësinë e sigurt deri mbi 330 km/h!). “Motori i veturave moderne ‘Porsche’ e ka një vrimë të shkallëzuar, në të cilën është i pozicionuar boshti i kollodokut (boshti ku lidhen manivelat e pistonave të motorit). Kjo vrimë, që përbëhet nga disa pjesë, ka saktësinë (tolerancën) aksiale e cilindrike nën 0,005 mm, pra nën 5 të mijtat e milimetrit (saktësi shumë e lartë shkaku i rrotullimeve të larta të motorit me mbi 6700 rrotullime në minutë). Për ta hapur dhe përpunuar këtë vrimë nuk mjaftonin kushinetat standarde e as ato speciale mekanike, ku do të vendosej vegla boshtore gdhendëse, shkaku i saktësisë së tyre të pamjaftueshme (mbi 0,005mm)”, shpjegon Fatoni duke shtuar se ky zbulim është patentuar dhe është e arritur e madhe, gati e pa imagjinuar në industrinë automobilistike! Fatoni thekson se për ta arritur këtë saktësi shkencore ishte sfidë e rëndë e shoqëruar me tensione të larta nervash, para se cilës gati se u patën dorëzuar stafi udhëheqës i “Porsche”-s. “Ngadhënjimi i kësaj sfide e përmirësoi ‘jetën’ e veturës së sotme moderne “Porsche” (çmimi i saj është mbi 250.000 euro). Një sfidë tjetër ishte edhe shuarja e dridhjeve të veglës, që i shkaktonte materiali jo i bollshëm në ato pjesë” sqaron më tutje Piraj.
Torta e ditëlindjes dhe një kitarë, dhuratë nga fëmijët
Është interesant fakti se rregullat e patentimit e ndalojnë për dhjetë vite bërjen publike të shpikjeve të patentuara dhe u desh të kalonte kjo periudhë kohore për ta njohur opinionin rreth tyre! Disa nga shpikjet e patentuara të inxhinier Fatonit që e kanë kaluar tashmë periudhën e “heshtjes” janë: 1. Pajisja për shndërrimin e lëngut në gas; 2. Njësia absorbuese; 3. Perdja e dritës me rregullim automatik; 4. Dërrasa e lëvizshme për ngjitje në derën e automjetit; 5. Prerësi dhe djegësi saldues; 6. Shtretërit hidraulikë të boshtit të kollodokut; dhe disa tjera që ende nuk e kanë kaluar stazhin e “heshtjes”. Ndërkaq ka realizuar edhe punime tjera si: Përzierësi vëllimor i çokolatës; Transporti me Shirita brenda sallës produktive të kompanisë së njohur “Billa Plus“; Kompresori i shkallëzuar p=800bar; Përpunimi invers i kokës së motorit “Toyota”; Saldimi me Laser gjatë rrotullimit në ambient të izoluar hermetikisht; e shumë të tjera të cilat nuk janë të patentuara.
Pas pesëmbëdhjetë vitesh pune në industrinë e automobilave luksozë, në muajin maj të këtij viti, Fatoni punësohet në kompaninë e njohur “Sonnek Gruppe, Vana Anlagenbau GmbH”, kompani kjo që merret me prodhimin e makinave automatike që prodhojnë ëmbëlsira industriale, çokolata, biskota, bombonë edhe Fontana e çokolatës së lëngshme për qëllime marketingu.
Krahas rezultateve të larta që ka arritur në profesionin e inxhinierit, Fatoni dallohet edhe në shumë fusha tjera si: letërsi, aktrim, këndim, enigmatikë, prova të inteligjencës, sporte të ndryshme, iu bie instrumenteve muzikore (violinës, kitarës…), dallohet në lojëra si Biliard, Bowling, etj.
Ndonëse më tepër se gjysmën e viteve të jetës (32) i ka kaluar në mërgim, Fatoni e flet dhe e shkruan rrjedhshëm gjuhën shqipe e krahas saj e flet edhe gjermanishten, frëngjishten, anglishten, polonishten dhe kroatishten!
Jeton në Bezirkun 11 në Vjenë, me bashkëshorten Gilimseren dhe fëmijët Fleten (21), Fiolen (18) e Learin (15 vjeç). Vajzat janë studente ndërsa djali gjimnazist.
Në përmbyllje të këtij shkrimi, inxhinier Fatonin e uroj për ditëlindjen e tij të 58-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë, dhe suksese në punë dhe në jetë, me shpresën që në vitin e ardhshëm të na gëzojë edhe me ndonjë zbulim të ri shkencor!
Të martën (26 dhjetor 2023) e ka kremtuar ditëlindjen e 67-të profesori i respektuar opojan, dr. sc. Nuridin Mestani. Doktor Nuridini është intelektual me bagazh të madh njerëzor, profesional, miqësor e shoqëror i cili ka dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fushat ku është angazhuar si profesor, ekspert dhe veprimtar.
Punën e tij të frytshme dhe me vlerë e respekton e gjithë komuniteti intelektual, e respektojnë kolegët dhe studentët e tij të cilët kanë pasur fatin ta kenë bashkëpunëtor dhe profesor.
Prof.dr. Nuridin Mestani është i lindur me 26 dhjetor 1956 në fshatin Kuklibeg të Opojës. Është fëmija i gjashtë nga tetë fëmijët (tri vajza e pesë djem) i prindërve Mestan e Fatime Mestani.
Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Bresanë ndërsa gjimnazin në Prizren. Në tetor të vitit 1980 ka diplomuar në fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës me ç’rast fiton titullin Inxhinier i diplomuar i Bujqësisë, seksioni i përgjithshëm.
Studimet postdiplomike i ka përfunduar në fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Zagrebit (Kroaci) ku fiton titullin Magjistër i specializuar në profilin Të ushqyerit e Kafshëve dhe Teknologjia e Prodhimit të Ushqimeve për Kafshë.
Në dhjetor të vitit 1996, në fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës mbron me sukses temën e doktoraturës dhe fiton gradën shkencore PhD/Dr.sc. i Shkencave Bujqësore. Në po këtë fakultet, më 14 korrik të vitit 2004 merr titullin akademik Profesor.
42 vjet përvojë akademike
Në vitet 1981-1984 profesor Nuridini punon si Asistent në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës ku angazhohet në punë hulumtuese në Institutin për Blegtori dhe Veterinari, Katedrën për të ushqyerit e kafshëve.
Në vitet 1985 -1990 punon në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës si Asistent në lëndën “Anatomia dhe Fiziologjia e kafshëve” si dhe mban ushtrime laboratorike dhe praktike nga Anatomia dhe Fiziologjia e kafshëve.
Në vitet 1991-2000 punon në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës si Ligjërues i lëndës “Zooteknia I (Joripërtypësit) ku ligjëron në lëmin e teknologjisë së mbarështimit të kafshëve joripërtypëse (Kuajt, Derrat dhe Shpendët) për studentët e vitit të IV të seksionit të Blegtorisë. Në vitin 2021 të njëjtën lëndë e ligjëron për studentët e seksionit të Blegtorisë dhe të Veterinarisë.
Në periudhën 2002-2011 punon si Drejtor për Kosovë i Organizatës Humanitare Heifer International Kosova me seli në Little Rock, SHBA. Organizata angazhohet në sigurimin e shërbimeve që lidhen me blegtorinë për fermerët e varfër në përputhje me Misionin e Heifer International.
Në vitet 1989-1990 dr. Nuridini ishte Anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitet 1997 – 1999 ishte Prodekan për çështje materiale në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës.
Në vitin 2010 zgjidhet Udhëheqës i Departamentit të Bioteknologjisë në Zootekni në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës. Një vit më vonë (2011) dr. Nuridini emërohet Kryetar i Këshillit Shkencor për Prodhim Bujqësor dhe Siguri të Ushqimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës. Në vitin 2016, ishte kandidat për rektor të Universitetit të Prishtinës i propozuar nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Ka kryer një mori specializimesh dhe ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore të organizuara nga institucione të njohura arsimore e shkencore ndërkombëtare (Holandë, ShBA, Kroaci, Gjermani, Turqi, Australi, Greqi, Shqipëri, Maqedoni, etj.) si dhe ka publikuar (si autor dhe bashkautor) dhjetëra punime shkencore në revista të njohura në gjuhë shqipe, angleze e kroate, nga fushat në të cilat është specializuar.
Profesor Nuridini ka dhënë kontribut të çmuar edhe në periudhën e rezistencës kombëtare gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ku krahas angazhimit si profesor universitar, ka mbështetur edhe shumë aksione të organizuara nga intelektualë e veprimtarë opojanë, dhe jo vetëm. Falë këtij angazhimi sot çmohet shumë nga të gjithë ata që e njohin e kanë pasur rastin të bashkëpunojnë me të.
Ndonëse zyrtarisht është pensionuar dy vite më parë, profesor Nuridini vazhdon të jep kontributin e tij në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës ku angazhohet si profesor dhe bashkëpunëtor profesional.
Aktualisht jeton në Fushë Kosovë me bashkëshorten e tij me të cilën kanë pesë fëmijë (tri vajza e dy djem) dhe janë gjyshër të lumtur të shtatë mbesave e pesë nipave!
Profesor Nuridinin e urojmë për ditëlindjen e tij të 67-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë, dhe suksese në veprimtarinë e tij shkencore e publicistike!