ATV

Category: KULTURË

  • ​Filmi “Krahët e punëtorëve” fiton në Festivalin e Filmit në Roterdam

    ​Filmi “Krahët e punëtorëve” fiton në Festivalin e Filmit në Roterdam

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se e kanë nisur mbarë vitin në kinematografi, pasi filmi “Krahët e punëtorëve”, i regjisorit tonë, Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A.

    Çeku ka shkruar se edhe një arritje tjetër që shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare, potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.

    “Urime Ilirit dhe gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, ka shkruar ai.

  • Nën drejtimin e dirigjentes zvicerane, Orkestra e Filharmonisë nis koncertet për vitin 2024

    Nën drejtimin e dirigjentes zvicerane, Orkestra e Filharmonisë nis koncertet për vitin 2024

    Nën drejtimin e dirigjentes zvicerane Lena-Lisa Wüstendorfer, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës nisi serinë e koncerteve për vitin 2024.

    Pianistja e mirënjohur kosovare Pranvera Hoxha, u mirëprit për interpretimin me shumë finesë të veprës “Variacione Simfonike” për piano dhe orkestër nga Cesar Franck. Në bis, Hoxha për publikun luajti “Lirikë Pranverore” nga Simon Gjoni.

    Kontrabasisti kosovar i cili jeton në Zvicër, Shkodran Osmanaj, mahniti të pranishmit me interpretimin e “Koncert për kontrabas” të Serge Koussevitzky-t. Osmanaj dëshmoi një pjekuri të lartë interpretuese në këtë paraqitje e cila njëherësh shënoi intepretimin e parë të një koncerti për kontrabas nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.

    Në pjesën e dytë, publiku pati mundësi të shijoj tingujt e Beethovenit me Simfoninë Nr.7, duke i shtuar një shtresë tjetër shkëlqimi muzikor kësaj mbrëmjeje koncertale.

  • Ismail Kadare sot mbush 88-vjet

    Ismail Kadare sot mbush 88-vjet

    Poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936.

    Kadare (88) është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

    Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).

    Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

    Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

    Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968) dhe “Koha” (1976).

    Vepra poetike e Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

    Në fushën e prozës, Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e tij në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003.

    Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975). Në romanin “Kronikë në gur” (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.

    Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980). E veçanta e talentit të Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj.

    Një nga krijimet më të shquara të Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Pallati i ëndrrave” (1981). Shumica e veprave të Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

    Në vjeshtën e vitit 1990, Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua.

    Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare.

    Letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

    Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga viti 1994 është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

    Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.

    Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidatëve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” më 2013.

  • Filarmonia e Kosovës nis vitin me program të veçantë, rikthehet simfonia e Beethovenit

    Filarmonia e Kosovës nis vitin me program të veçantë, rikthehet simfonia e Beethovenit

    Më 27 janar 2024, prej orës 20:00, orkestra vjen me dy premiera për publikun e Prishtinës dhe rikthen pas disa vitesh në program Simfoninë Numër 7 të Beethovenit.

    Koncerti simfonik dirigjohet nga mjeshtrja zvicerane, Lena-Lisa Wüstendörfer, për herë të parë në bashkëpunim me orkestrën e filarmonisë.

    Në këtë koncert në rolin e solistes do të prezantohet pianistja e njohur kosovare Pranvera Hoxha, e cila do të luajë “Variacione Simfonike” për piano dhe orkestër nga Cesar Franck.

    Kontrabasisti i dikurshëm i Filarmonisë së Kosovës, Shkodran Osmanaj, i cili prej kohësh është pjesë e disa prej orkestrave më në zë në Zvicër dhe jo vetëm, do të rikthehet në Prishtinë, kësaj radhe si solist, duke sjell “Koncertin për kontrabas dhe orkestër” të Serge Koussevitzky-t.

    Në pjesën e dytë të koncertit, orkestra do të interpretojë Simfoninë e 7-të të Beethovenit.

  • Filharmonia e Kosovës e nis vitin 2024 me ngritjen historike sa i përket buxhetit

    Filharmonia e Kosovës e nis vitin 2024 me ngritjen historike sa i përket buxhetit

    Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, në një intervistë në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se viti 2024 ka shënuar një ngritje historike sa i prket buxhetit.

    Ai thotë se me rritjen e buxhetit për këtë institucion, këtë vit do të ketë shumë më shumë aktivitete koncertale.

    “Vitet e fundit, Filharmonia e Kosovës, e ka dyfishuar dhe trefishuar aktivitetin koncertal. Natyrisht edhe viti 2024 nuk përjashtohet nga kjo, me që mund te them që kjo ka bazë pikërisht në përkrahjen e madhe ky institucion e gëzon nga Ministria e Kulturës, natyrisht ne jemi institucion vartës i Ministrisë së Kulturës, por me rritjen e buxhetit, dukshëm bazuar natyrisht në përformancat e Filharmonisë në dy vitet e kaluara, viti 2024 shënon një ngritje të themi historike sa i përket buxhetit që nga themelimi Filharmonisë në vitin 2000”, tha Jashari.

    Ai tregoi se deri në 2-3 vitet e fundit, buxheti për Filharmoninë e Kosovës ka qenë 200-300 mijë euro, ndërsa sivjet, për herë të parë ky institucion ka një buxhet prej 1 milionë euro.

    “Që nga themelimi i Filharmonisë, sigurisht ato fillimet kanë qenë shumë modeste me buxhet, por deri 2-3 vitet e fundit buxheti ka qenë 200-300 mijë euro që është një buxhet relativisht i vogël në krahasim me institucionet në rajon dhe vitin e kaluar është kaluar në një shifër mbresëlënëse në 800 mijë euro dhe ajo çka natyrisht na bënë të lumtur që mund të realizojmë më shumë aktivitet këtë vit me këtë buxhet, është që buxheti për vitin 2024 është plotë një milion euro”, tha Jashari. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të Baki Jasharit në ALARM e gjeni në videon më poshtë:

  • 236 nga lindja e Lord Bajronit, njeriut që e deshi shumë Shqipërinë

    236 nga lindja e Lord Bajronit, njeriut që e deshi shumë Shqipërinë

    Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey.

    Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë. Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.

    Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkon patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

    Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

    Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com

  • I jepet lamtumira e fundit shkrimtarit Adem Gashi

    I jepet lamtumira e fundit shkrimtarit Adem Gashi

    Është varrosur shkrimtari Adem Gashi, i cili vdiq sot në moshën 70-vjeçare. Ai është varrosur në fshatin Nekoc të Drenasit.

    Pamje nga ceremonia ka publikuar publicisti Bardhyl Mahmuti.

    “Me dhembje të madhe i dhamë lamtumirë shkrimtarit dhe atdhetarit të shquar, Adem Gashi! Lavdi!”, ka shkruar Mahmuti

  • ​Teatri me hapësirë të kufizuar dhe pak aktorë, nuk i mungojnë shikuesit

    ​Teatri me hapësirë të kufizuar dhe pak aktorë, nuk i mungojnë shikuesit

    Teatri Kombëtar i Kosovës ka përmbyllur vitin me rreth 186 shfaqje, përkundër faktit se për momentin ka vetëm 22 aktorë. 2023-ta nga drejtuesit e këtij teatri po konsiderohet vit i suksesshëm, edhe pse ata po mbajnë shfaqjet e tyre në një vend shumë të kufizuar, në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë.

    Edhe pse sipas ligjit duhet të jenë 30 aktorë, teatri për momentin ka vetëm 22. Megjithatë, nga teatri pohojnë se nuk ekziston më debati për mungesën e audiencës në këtë institucion.

    Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kushtrim Sheremeti, vitin 2023 e konsideron si një vit të suksesshëm, pasi kanë realizuar shfaqje të mira dhe me plotë audiencë.

    “Kemi pas diku rreth 186 prezantime, shfaqje e aktivitete gjatë vitit që e lamë pas, dhe mund të konsiderojmë që është një vit i suksesshëm, me lajm të mirë që në 95 për qind në aktivitetet tona kemi qenë gjithmonë me “ shpija” plot me audiencë dhe kemi prodhuar shfaqje të mira … 02:42 Në vitin 2022, ka qenë një vit shumë problematik për shkak se për një kohë të gjatë nuk ka pasur prodhim të shfaqjeve, dhe me datën 1 qershor është marrë vendimi për mbyllje të objektit të teatrit, por edhe për shkak të pandemisë”, tha Sheremeti.

    Ai thekson se hapësira ku janë duke punuar për momentin është shumë problematike sepse është shumë e kufizuar por janë duke u munduar të prodhojnë shfaqje që i përshtatën amfiteatrit të Pallatit të Rinisë.

    “Hapësira është shumë problematike në vendin ku po punojmë, është shumë e kufizuar, nuk është hapësirë e ndërtuar për teatër, por që ne jemi duke u munduar me prodhuar shfaqje që i përshtaten këtij ambienti ,” u shpreh ai.

    Një projekt i madh gjatë vitit 2023, për teatrin ishte edhe “The Best Europian Show”, një bashkëpunim me katër teatro evropiane, i cili në prill të vitit 2024, do të vije në Prishtinë. Ai gjithashtu tha për KosovaPress, se edhe disa projekte që do të realizohen gjatë vitit 2024, si “Moisiu”, edicioni i dytë, festivali i cili do të mbahet në Prishtinë prej 20 deri 28 nëntor 2024.

    “The Best Europian Show”, ka qenë një projekt i madh evropian, një bashkëprodhim evropian i Teatrit Kombëtar të Kosovës me katër teatro tjera evropiane që ka pasur premierën në Poloni, Itali, gjatë prillit të vitit 2024, do të vijë edhe në Kosovë, ka edhe në Maltë, Slloveni e vende të tjera, dhe për me përfunduar organizimin e edicionit të dytë të festivalit “Moisiu”, që sivjet ka ndodhur në Tiranë, me një bashkëprodhim zyrtar të shfaqjes “Shtëpia e Zotit” me regjin e Ilir Bokshit, një bashkëpunim mes tre teatrove shqiptare, të Kosovës, Tiranës dhe Shkupit, kjo ka qenë edhe si një pilotim për me vazhduar gjatë vitit 2024. Festivali “Moisiu”, do të ndodhë në Prishtinë dhe veçse jemi të angazhuar duke planifikuar gjithçka që do të jetë prej 20 deri në 28 nëntor”, theksoi Sheremeti.

    Sipas tij, diskutimi që teatri ka krizë të publikut nuk ekziston, pasi ka qenë gjithmonë më i shituri në Kosovë nga artet e tjera.

    “Diskutimi që teatri ka krizë të publikut nuk ekziston, për shkak se edhe statistikisht teatri gjithmonë ka qenë më i shitur në Kosovë, më i shitur se libri, gazeta, më i shitur se çdo koncert ose çdo ekspozitë që mundet me ndodhë, po flas për art”, vijoi ai.

    Objekti i Teatrit Kombëtar i cili është mbyllur tash e një vit për renovim, pritet të hapet në vitin 2025.

  • Ndahet nga jeta poeti Adem Gashi

    Ndahet nga jeta poeti Adem Gashi

    Është ndarë nga jeta poeti i njohur Adem Gashi.

    Lajmin për vdekjen e poetit e ka dhënë djali i tij, Dardan Gashi.

    “Të Allahut jemi dhe tek Ai do te kthehemi Sot në mëngjes, baba ynë Adem Gashi ndërroi jetë.Varrimi i Ademit bëhet sot (e Martë) në ora 15:00 në fshatin Nekoc\ Drenas”, ka njoftuar djali i poetit.

    Kush ishte shkrimtari Adem Gashi?

    Adem Gashi u lind më 18/10/1953 në Nekoc të Drenasit.

    Poeti, prozatori, publicisti Adem Gashi veprimtarinë letrare e ka nisur para 46 vjetësh, kurse botimin e librit të parë para 39 vjetësh. Ka shkruar poezi, prozë të shkurtër (tregime) dhe të gjatë, publicistikë dhe ka marrë pjesë, me kumtesa, në disa konferenca shkencore në Kosovë dhe Shqipëri, për letërsinë shqipe.

    Adem Gashi ka botuar 24 libra (romane, eseistikë, tregime e poezi). Ka fituar rreth 50 çmime letrare. Tetë libra të tij janë lauruar me çmimet më të larta kombëtare (libra të vitit).

    Ka qenë, për disa vjet, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

    Në Panairin e Librit Prishtina 2018 nga Shoqata e Botuesve të Kosovës është shpallur SHKRIMTAR I VITIT.

    Është anëtar i redaksisë së revistës për letërsi, kulturë, gjuhë, media, “Akademia” dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik.

    Është prezantuar në dhjeta antologji të lirikës shqipe.

    Kritika shqipe e ka thënë që sa kohë fjalën për poezinë e tij: një ndër poetët më të mirë të sotëm shqiptar.

    Shkrimtari Adem Gashi jeton dhe vepron në Prishtinë.

    Veprat e tij të botuara janë:

    POEZI:

    PA OMBRELLË, 1982

    DUKE PUNUAR AUTOPORTRETIN, 1985

    REALITETI OBJEKTIV, 1990

    ËNDRRA TË LIGA, 1995

    DORËSHKRIM I DJEGUR, 2000

    LULET E VETMUARA, 2001/2002

    LADY MAK(TH)BETH, 2006

    KTHIMI I PAMUNDUR, LADY , 2013

    LABIRINTET E MAKTHT (LADY 3), 2015

    S’I DUHET KUJT GJAKU IM, 2016

    SHI DHE ZOG I VETMUAR 2016, (ribotim 2019)

    DITËT PA GJË, 2017

    VIZATIMI I VETMISË NË LETRËN E BARDHË, 2017

    DRENUSHË E TREMBUR DIMRASH, 2018

    E SHKRUEME PËR KRYESHPENDIN, 2018

    NDEZA NJË QIRI, 2019

    ANTOLOGJI E ZEZË, 2019

    ËSHTË VONË DIÇKA TË NDREQ, 2021

    EDHE MUND TA MENDOJA NJË TJETËR TITULL, 2021

    TREGIME:

    VDEKJA E MIXHËS, 1987

    PËLLUMBI I PAQES, 1989

    UDHËTIMI I FUNDIT, 2002

    LAKORJA E FATIT, 2020

    ROMANE:

    A…ZH – VETËTIMAT E NËNTORIT, 2005

    Hijet e Diellit –Roman (Ribotim), 2021

    DITA TJETËR E JETËS, 2013

    ESEISTIKË:

    NOSTALGJIA E LETRËS, 2003

    PORTALI I FSHEHTË I JETËS (Shënime nga shtëpia e HeinrichBëll-it), 2007

  • ​Kuvendi kishtar i Arbërit dhe mbrojtja e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve

    ​Kuvendi kishtar i Arbërit dhe mbrojtja e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve

    Më 14 e 15 janar të vitit 1703, në Mërqi, afër Lezhës, u organizua Kuvendi i Arbërit, Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare me dëshirën e Papës Klementit XI, Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit.

    Është thënë se Kuvendi apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare, u mbledh në një situatë tejet të vështirë: populli shqiptar, këndej të krishterët e në mënyrë të posaçme katolikët, pësonin trysnin e sundimit otoman, që dalëngadalë, por me vendosmëri e në mënyrë sistematike punonte për kalimin e popullsisë shqiptare, e jo vetëm, në fenë islame.

    Të joshur nga premtimet dhe lehtësirat që turqit krijonin e u jepnin myslimanëve, një pjesë e mirë e shqiptarëve kaloi në fenë islame, ose mbeten të krishterë të fshehtë, do të thotë që në shtëpi e mbanin fenë dhe doket e krishtera, derisa në jetën publike paraqiteshin si myslimanë e kishin edhe nga dy emra. Është fjala për ‘kriptokatolikët’ apo ‘laramanët’, fenomen ky ende sot e kësaj dite i pranishëm në disa zona shqiptare, si në Kosovës në pjesën e Karadakut afër Gjilanit e Vitisë, në zonë të Istogut e të Mallishevës, e në disa zona të Shqipërisë. Ky fenomen apostazie u dënua nga Kuvendi kishtar i Arbërit.

    Ndërsa, përsa i përket Kishave, perandoria otomane fillimisht nuk i prishte, por as nuk lejonte që të bëheshin meremetime, apo të ndërtoheshin Kisha të reja, duke e kufizuar e më vonë duke ndaluar jetën dhe veprimtarinë e Kishave shqiptare, e si pasojë erdhi deri te rrënimi i pashmangshëm i sa e sa Kisha e kuvendeve rregulltare – manastireve të krishtera në trojet shqiptare. Përveç aspektit shpirtëror, këndej fetar, luftimi i Kishave nga turqit ishte edhe luftim kundër identitetit etnik dhe orientimit të shqiptarëve drejt kulturës perëndimore evropiane.

    Në kushte të këtilla, pra, mblidhej Kuvendi apo Koncili Kishtar Kombëtar Shqiptar në Mërqi, më 14 e 15 janar të vitit 1703, në të dielën e dytë pas Krishtlindjes, në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit. Qe pikërisht kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi, ai që e mbajti fjalën e hapjes së këtij Koncili vendor kishtar. Në të bie në sy gëzimi dhe shpresa që, pas kaq shekujsh të tiranisë turke, u bë e mundur një mbledhje e tillë.

    Njëkohësisht, imzot Zmajeviçi u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit të Arbërit detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për përtëritjen e rritjen e klerit si dhe për lirinë e kultit e të popullit.

    Kujtojmë se në Kuvendin e Abërit, episkopati katolikë shqiptarë, në njërën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve e kremtimin e riteve liturgjike, lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror, nën sundimin otoman, me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë, e sidomos me rrezikun e humbjes së identitetit kombëtar e të gjuhës shqipe.

    E vendimet e Kuvendit kishtar të Arbërit qenë të rëndësishme pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për rigjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar, para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Ky Kuvend kishtar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët: identitetin kombëtar e fetar të shqiptarëve.

    Në përfundim, dekretet, pra vendimet e Koncilit të Arbërit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin “Kuvendi i Arbnit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin”.

    Imzot Zmajeviçi i përcillte dokumentet me një letër, përmes së cilës shihet qartë se kleri katolik shqiptar i qëndroi pranë në gëzim e në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar pothuajse mbi treqind vjet që kur u shkrua letra, u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj, për ta bërë të kuptueshme për lexuesin:

    “Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, – uh, ç’dhimbje, – vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë.

    Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe për popullin tem e m’u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s’pat dijen. Tue ankue kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta, nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë të kryhej si pata dëshirue.

    Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t’iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande.

    Unë, pra, në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes sate.

    Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë e nderimet e përvujta, sheje të Kombit tem, por ma fort tandit. E, n’e pashë se ndokund puna duhet lëmue, godite e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po, sepse kështu këto pak të falna, që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm pagabim kanë për t’u shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t’ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe… Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të korrikut, në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e tre”.

    Marrë nga “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XI

    Po radhisim më poshtë klerikët që nënshkruan Konçilin e Parë të Shqipërisë, mbajtur në Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit:

    Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipni.

    Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit.

    Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës.

    Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës.

    Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës.

    Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit.

    Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve t’Arbënisë.

    Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë.

    Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.

    Po kujtomë se materialet e punimeve të Kuvendit të Abërit u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u botua në Romë i përkthyer nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, dom Engjëll Radojës më 1868. U përsërit nga i njëjti shkrimtar më 1872. Rëndësi e dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që dekretet e Kuvendit të Kishës shqiptare të ishin sa më të kuptueshme për masat e popullit.

    Botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit çmohet porsi i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal të Kishës për Shqipërinë veriore e të mesme. Në këto akte gjejmë një material shumë të çmueshëm për gjendjen e vështirë ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht e me një tragjedi të mirëmenduar të turqve.

    Teksti shqip i Kuvendit të Arbenit është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es për historinë e shkrimit të shqipes, e po kështu ka edhe vlera të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve. (radio vatikani)