ATV

Category: KULTURË

  • Poeti kosovar që çdo dhimbje të familjes e ka kthyer në poezi

    Poeti kosovar që çdo dhimbje të familjes e ka kthyer në poezi

    Poeti Arbër Selmani padyshim që shkrimin e tij e ka si armën më të fortë.

    Ai ishte i ftuar në emisionin “LIBERO” ku hapi ‘kapitujt’ e jetës së tij, duke shprehur ngjarje nga më të ndryshmet prej jetës dhe karrierës së tij.

    Plot ngjyra të ndezura e të errëta pati Arbri në jetë dhe që për të, ky është çelësi që e inspiron atë për të shkruar poezi. Disa poezi që përkojnë me jetën personale të Arbrit janë: “Kur vdiq baba”, “Motrës n’karrocë”, “Nënës i vdiqën dy fëmijët e parë”…

    “…Dashuria shpesh herë është ajo për të cilën shumica e shkrimtarëve shkruajnë, kohëve të fundit në shtëpi shoh gjëra të cilat mund t’i kthej në poezi… Motra ime është në karrocë dhe kjo poezi i është dedikuar asaj, motra ime është dhimbja dhe dashuria ime më e madhe në jetë…”, tha poeti.

    Gjithashtu, vlen ta theksojmë se së fundmi Arbri është i angazhuar edhe me një podcast dedikuar librit.

    Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ky është studenti i vetëm nga Ballkani në Kinë – njihuni me eksperiencën e tij

    Ky është studenti i vetëm nga Ballkani në Kinë – njihuni me eksperiencën e tij

    Kadir Ismaili, shqiptari nga Maqedonia e Veriut, edhe pse në moshë të re studimet vendosi t’i përfundojë në Turqi dhe Kinë. Me atë rast pati mundësinë të eksplorojë kultura të ndryshme.

    Kadiri në emisionin “LIBERO” shpalosi të gjitha pjesëzat e jetesës së tij në Kinë dhe studimeve në gjuhën kineze.

    Ai mes emocionesh tregoi se si e ka përjetuar ditën e tij të parë në Kinë, madje duke treguar edhe momente që nuk i kishte besuar syve për faktin se po ndodhej në Kinë.

    “…Ndonjëherë nuk i besoja vetes se ku jam, shihja kinezë dhe asnjë person që fliste gjuhën time (shqipe), pastaj studimet vendosa t’i bëj në gjuhën kineze dhe mendoj se do kem përparësi në këtë aspekt…”, tha Kadiri duke shtuar se dhe pse i kishte lënë përshtypje shumë jetesa në Kinë, prap se prap zemra e tij rrah për vendlindjen e tij, Tetovën.

    Andaj, për të ndjekur rrëfimin e plotë mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “Universiteti nuk të mëson të shkruash e as të lexosh” – Lulzim Tafa tregon gjendjen e arsimit në Kosovë

    “Universiteti nuk të mëson të shkruash e as të lexosh” – Lulzim Tafa tregon gjendjen e arsimit në Kosovë

    Profesori Lulzim Tafa ishte i ftuar në emisionin “LIBERO” teksa mes tjerash foli edhe për problematikat dhe vështirësitë që sjell ky profesion.

    Tafa tha se gjendja e arsimit në Kosovë, shpeshherë vihet në dyshim për nivelin e arsimit të lartë, por sipas tij problemi qëndron tek arsimi parauniversitar.

    “…Problemet me arsimin në Kosovë nuk janë tek arsimi i lartë por tek arsimi parauniversitar, institucionet e arsimit të lartë punojnë me ata nxënës që përgatiten në arsimin parauniversitar…”, tha ai.

    Gjithashtu, Tafa konsideroi se njohuritë e shkollave fillore dhe të mesme janë krejtësisht formale… Sipas tij, ani pse ju shënon një sukses shembullor, studentët kanë zbrazëtira elementare në fusha të caktuara.

    “…Shpeshherë vijnë studentë me nota shembullore dhe pikë maksimale të testit të arritshmërisë, por njohuritë bazike apo elementare mbi një fushë të caktuar nuk i kanë… Universiteti nuk të mëson të shkruash as të lexosh – atë ta mëson shkolla…”, shtoi profesori.

    Vlen ta theksojmë se sistemi arsimor në Kosovë përballet me problematika të shumta. Në raportin e fundit të progresit, për ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës është vlerësuar se nuk ka pasur progres!

    Për të ndjekur diskutimin e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Tabelat e “mençura” lehtësojnë mësimin në shkolla

    Tabelat e “mençura” lehtësojnë mësimin në shkolla

    Përgatiti: Sara Shehu

    Anila Alija, nxënëse e klasës së katërt në shkollën fillore “Tefik Çanga”, punimet e saj po i prezanton në këtë tabelë digjitale.

    Por në fillim, përdorimi i tabelave digjitale nuk ka qenë i lehtë për nxënësit.

    “Ka qenë e vështirë shumë me përdorë në fillim, është dashur të na mësojë mësuesja me përdorë, por tani shumë më lehtë i kuptojmë procesin mësimor, lëndën të gjitha janë më atraktive”, tha nxënësja Anila Alija.

    Drejtori i shkollës, Ali Luzha, tha se as mësimdhënësit nuk kanë probleme sa i përket përdorimit të tabelave digjitale.

    “Nuk kanë vështirësi as mësimdhënësit e asnjërës moshë pasi që kanë mësuar nga profesionistët e teknologjisë nëse kanë pasur ngecje. Kemi pranuar donacione nga Gizzi gjerman e USAID nuk i kemi blerë ne, janë shumë të përshtatshme sidomos edhe për orën e informatikës, pa lënë anash lëndët e tjera”, tha Luzha.

    Por, Luzha thotë se 11 tabelat digjitale nuk janë të mjaftueshme për gjithë shkollën.

    “Kemi tabela digjitale por na vyn edhe 16 tabela digjitale që me u kompletu e gjithë shkolla por prapëseprapë nuk qëndrojmë keq”, tha Luzha.

    Ndryshe nga Lipjani, në Prishtinë më shumë shkolla janë të pajisura me tabela teknologjike, përfshirë edhe pajisje të tjera digjitale, të cilat nxënësit i shfrytëzojnë në klasat mësimore. Por zyrtarë të Komunës nuk kanë treguar nëse kanë në plan pajisjen e të gjitha shkollave me tabela të tilla.

    Ndërkohë, më së miri në këtë aspekt qëndron Komuna e Prizrenit, pasi në fund të vitit 2022 ka ndarë 40 tabela të mençura në 58 shkolla. Një tabelë e tillë kushton 1640 euro.

  • ‘Pa poezi s’mund të frymoj’ – Lulzim Tafa tregon lidhjen shpirtërore që e ka me poezinë

    ‘Pa poezi s’mund të frymoj’ – Lulzim Tafa tregon lidhjen shpirtërore që e ka me poezinë

    Poeti dhe akademiku i njohur Lulzim Tafa ishte i ftuar në emisionin “LIBERO”, ku rrëfeu pjesë të ndryshme nga jeta dhe rrugëtimi i tij, e fjalët nga zemra padyshim që i kishte për poezinë.

    “…Kur pyes veten pse shkruaj nuk di të përgjigjem por kur më pyesin të tjerët është njësoj si pyetja ‘pse jeton’, unë pa poezi nuk mund të frymoj dhe të ekzistoj…”, tha ai.

    Mes emocionesh Lulzimi deklamoi poezinë më të veçantë të tij: “Sa shpejt më harroi nëna”, duke treguar edhe historinë që fshihet pas kësaj poezie.

    “…Vdekja e nënës nuk është gjë e thjeshtë, ka qenë vdekja më e rëndë që deri tash më ka goditur… Unë edhe pse shkruaj shpesh kishin kaluar katër vite dhe nuk arrita të shkruaj një poezi për të, deri sa erdhi katër vjetori i saj dhe vendosa të shkruaj një poezi për nënën…”, tha poeti.

    Vlen të ceket se Lulzim Tafa krahas se është shpërblyer me shumë çmime letrare, gjithashtu ai ka themeluar pesë çmime ndërkombëtare në fusha të ndryshme përfshirë edhe Çmimin Ndërkombëtar për Letërsi dhe Arte: “Ali Podrimja”.

    Për të ndjekur diskutimin e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Katër vjet nga vdekja e këngëtares Nexhmije Pagarusha

    Katër vjet nga vdekja e këngëtares Nexhmije Pagarusha

    Sot mbushen katër vjet nga shkuarja në amshim e këngëtares Nexhmije Pagarusha, e njohur si Bilbili i Kosovës.

    E lindur në maj 1933 në Malishevë, Nexhmije Pagarusha kishte filluar karrierën e saj muzikore në vitin 1948 në Radio Prishtinë. Më 1984 ajo përmbylli karrierën si këngëtare.

    Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm.

    Përveç këngëtare ajo ishte edhe aktore filmi e teatri. Për vlerat e punës ajo është nderuar me çmimin “Nderi i Kombit” nga presidenca e Shqipërisë, ndërsa presidenca e Kosovës i ndau çmimin “Artiste e Merituar”.

    Nexhmije Pagarusha, vdiq në moshën 86-vjeçare. Ajo la pas vetes plot pesë albume e 88 këngë, prej tyre më të njohurat “Baresha” dhe “Zambaku i Prizrenit”.

    Ajo do të mbahet mend si një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare.

  • “ANDËRR”, poezia e jashtëzakonshme e poetit Lulzim Tafa, që ju dërgon në një dimension tjetër të jetës!

    “ANDËRR”, poezia e jashtëzakonshme e poetit Lulzim Tafa, që ju dërgon në një dimension tjetër të jetës!

    Lulzim Tafa, njëri ndër poetët kosovar më të njohur në botë, ishte i ftuar në emisionin LIBERO në ATV, ku bëri një rrëfim më ndryshe për jetën e tij private, rrugëtimin profesional si dhe pasionin për poezi.

    Në këtë emision, në prani të poetit, u shfaqë interpretimi i poezisë “ANDËRR”, e cila është një nga poezitë më të bukura të tij.

    Në poezinë “ANDËRR”, poeti Tafa me mjeshtëri i bën thirrje lexuesve të heqin prangat e të menduarit konvencional, duke sfiduar vetë strukturën e realitetit.

    Në videon e më poshtme ju ftojmë të dëgjoni këtë interpretim të mrekullueshëm të poezisë “ANDËRR”, të autorit Lulzim Tafa:

    ANDËRR

    Mos u dëshpëro e dashur
    As mos u zhgënje
    Sapo e mora vesh
    Unë fare nuk ekzistoj
    As ti
    E tëra është një andërr.

    Askush nuk ekziston
    Më e keqja
    As bota
    Asgjë që mendojmë se është
    Nuk është.

    Nuk ekzistojnë malet, detet, oqeanet
    As qiejt
    Nuk ekzistojnë Planetet
    Dielli Toka e Hana
    Hana hiç se hiç.

    (Logjikë), diçka kaq e bukur
    S’mund të ekzistoj.

    Ashtu siç nuk ekzistojnë
    vitet e dritës
    Kashta e Kumtrit,
    Atmosfera, hidrosfera.

    Biosferë nuk ka
    As që ka pasë
    As që do të ketë
    Harroje
    PIKË.

    Astronautët kanë gënjyer edhe pse
    As ata nuk ekzistojnë
    Mos beso më në galaktika,
    Big bengu andërr ka qenë
    Si andrrat ma,
    Të trishta të bukura
    Plot zjarr.

    Lindja e vdekja
    Ferri e parajsa
    Andrra janë.

    Mos u dëshpëro
    As rruga e qumështit
    As gjithësia.

    Më vjen keq e dashur
    Nuk ekziston
    As dashuria.

    Edhe pse të dua

    As Prindërit tanë kurrë nuk kanë ekzistuar
    (ku janë pra?)

    Veç për Zotin e di
    Ai është diku,
    Mbase është i vetmi që mohohet
    Mbase është ai
    “Që po na sheh në andërr”.

    Se Zoti
    Është një fëmijë i vogël
    Që luan me yje.

    ————–

    Intervistën e plotë të poetit Lulzim Tafa në LIBERO e gjeni në videon më poshtë:

  • Poeti Lulzim Tafa flet për dekoratën “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” që mori nga Franca

    Poeti Lulzim Tafa flet për dekoratën “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” që mori nga Franca

    Lulzim Tafa, njëri ndër poetët kosovar më të njohur në botë, ishte i ftuar në emisionin LIBERO në ATV, ku bëri një rrëfim më ndryshe për jetën e tij private, rrugëtimin profesional si dhe pasionin për poezi.

    Në këtë emision ai foli edhe për çmimet e shumta që ka marrë gjatë karrierës së tij në letërsi, ndërsa për çmimin e fundit që mori nga presidenti francez Emmanuel Macron, thotë se ka qenë ndër çmimet më të veçanta për të.

    “Në karrierën time pothuajse tërë jetësore me poezinë, me letërsinë, kam marrë shumë mirënjohje, çmime, dekorata, tituj nderi, mirëpo kjo që më erdhi nga presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, që realisht është dekorata më e lartë të cilën e ndanë shteti francez në fushën e artit dhe letërsisë, përveç që më ka gëzuar, më ka tunduar shumë. Edhe për faktin se ndoshta lidhjet e mia me Francën janë pak më të veçanta, unë kam të botuara dy libra në gjuhën frënge, po ashtu kam qenë pjesëmarrës shumë herë në festivalet e letërsisë edhe të poezisë në Francë, jam anëtar i Akademisë Franceze të Letërsisë dhe të Arteve me seli në Paris dhe Parisin e kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj si kryeqendrën botërore të artit dhe të kulturës”, u shpreh poeti Tafa.

    Ai thotë se ky çmim e ka bërë atë që të ndihej njësoj si shumë vite më parë kur merrte çmime ndërkombëtare.

    “Kur më kanë pyet, a gëzohesh kur merr çmime ndërkombëtare dhe cili është gëzimi të cilin e ke përjetuar më përpara dhe cilin tash, unë them edhe atëherë, edhe tash jam gëzuar shumë, mirëpo gëzimi e ka njëfarë lloj ndryshimi. Gëzimi që e përjetoja dikur më tundonte, kurse këto tani më japin një qetësi. Përjashtimisht, sepse unë vetëm vitin e kaluar kam marrë shumë çmime, mirënjohje, dekorata, po flas vetëm gjatë vitit 2023 pa e llogaritë pjesën tjetër, por kjo është hera e parë pas një kohe të gjatë që edhe më ka tunduar”, rrëfeu poeti Tafa. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të poetit Lulzim Tafa në LIBERO e gjeni në videon më poshtë:

  • Promovohen romanet “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”

    Promovohen romanet “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”

    “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”, janë dy librat që u promovuan sot nga shkrimtari Ahmet Prençi në Prishtinë. Përshkrimi i së drejtës në drejtësi, betejës dhe dashurisë që u përshkrua në këta dy libra, sipas shkrimtarëve, është bërë në një version të rrallë.

    Përvojën e punës si drejtor policor e komisioner, tashmë shkrimtari Ahmet Prençi e vendosi ne letër.

    Dy librat “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”, përveç promovimit në Shqipëri erdhën edhe në duart e lexuesve kosovarë.

    “Këto dy libra njëra ka të bëjë me histori dashurie tjetra me sisteme të drejtësisë…”, tha Ahmet Prençi, autor i librave.

    Rrëfimet e tij shkrimtarët e tjerë i krahasojnë me personalitete shumë të shquara.

    “Preniçin e kam mik, mbi të gjitha është aftësi libra të tillë të shkruhen kështu…”, u shpreh shkrimtari Avdullah Zeneli

    Madje këta libra u konsideruan ekspoze e informacionit unik të tranzicionit shqiptar.

    Librat u promovuan në Prishtinë. Përveç tyre, shumë shpejt do të botohet edhe romani i radhës nga Ahmet Prençi, në të cilin do të gërshetohet fenomeni i kriminalitetit dhe politikës./atvlive.tv/

  • AGIM DEVA MBETET YLL I PASHUAR I LETËRSISË PËR FËMIJË

    AGIM DEVA MBETET YLL I PASHUAR I LETËRSISË PËR FËMIJË

    Shkruan: Demir Reshiti

    Si sot, 15 vite më parë, pushoi së rrahuri zemra e shkrimtarit, profesorit dhe studiuesit të letërsisë, Agim Deva. Të gjithë fëmijët që ishin mësuar ta shohin në krye të Karvanit të Shkrimtarëve poetin me mjekër e me zemër të bardhë, atë të diel janë ndierë nga pak jetimë. Jetimë janë ndier edhe kolegët e Agimit, poetët për fëmijë për të cilët Agimi ishte si një çadër e madhe ku ata gjenin strehim. Ideatori dhe udhëheqësi i manifestimit më të madh letrar në botë (Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë), Agim Deva është ndarë nga jeta, të dielën e parë të shkurtit në orët e mbrëmjes, pas një sëmundje të rëndë, në moshën 61-vjeçare.

    Ai ka kryer Fakultetin Filozofik, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku edhe ka magjistruar dhe doktoruar në fushën e letërsisë për fëmijë. Pas diplomimit në fakultet, ka punuar një kohë si gazetar në “Zërin e rinisë”, e me vonë si kryeredaktor i parë i “Gazetës së pionierëve”.

    Në vitin 1973, nisi punën në Fakultetin e Filologjisë, së pari – asistent në ‘Teorinë e letërsisë’, e pastaj, ligjërues në lëndën ‘Letërsia për fëmijë’, të cilën e ka mbajtur deri në maj të vitit 2008 kur iu dorëzua sëmundjes. Në këtë fakultet, Agim Deva, si profesor ordinar ka ligjëruar edhe: Fillet e gazetarisë, Kritikën letrare, ndërsa në Departamentin e Gazetarisë ka ligjëruar lëndën Zhanret e gazetarisë.

    Gjysmë shekulli krijimtari letrare

    Me krijime letrare ka filluar të merret shumë herët, qysh në moshën dhjetëvjeçare, pra që nga viti 1958. Librin e parë “Trumbeta e artë” e botoi më 1968, libër i cili zgjoi interesim të konsideruar si te lexuesit, po ashtu edhe te kritika letrare dhe ishte një sinjal se në letrat shqipe po vjen një shkrimtar i madh, i cili do të jetë i pranishëm përherë në skenën letrare duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me lexuesin, sidomos me lexuesit e vegjël.

    Ishte njëri ndër shkrimtarët më produktivë të letërsisë sonë, veçmas asaj për fëmijë. Për gjysmëshekulli të krijimtarisë letrare, Agimi i la letërsisë shqiptare një opus të madh veprash.

    Ka botuar një numër të konsideruar veprash letrare (prozë e poezi), antologji të ndryshme, panorama të poezisë botërore, vepra të ndryshme shkencore, monografi, kritika, recensione, ese, parathënie e pasthënie, një libër leximi për klasën e katërt fillore, një roman, dy pjese teatrore, dy libra për fëmijët e hendikepuar, libra ilustrativë për fëmijët e moshave parashkollore, libra me karakter ambiental e, së fundi, botoi edhe Abetaren me të cilën, që nga ky vit shkollor, i mësojnë shkronjat e bukura shqipe mijëra vogëlushë anekënd Kosovës.

    Opusi krijues i Agim Devës shtrihet në mbi 70 vëllime, të cilat janë botuar nga shumë shtëpi botuese e institucione të tjera prestigjioze si: “Rilindja”, “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, “Pionieri”, “Libri shkollor”, “Rozafa”, “Zef Serembe”, “Kinderberg”, “UNICEF”-i, “SOROS”-i, “Sida”, “USAID”-i, “KCF”-ja, “REC”-i, “Save the childrens”, “Hendicap International”, “Oxfam”- etj.

    Disa nga veprat e veta, ky krijues i nxori nga shtypi si botime të autorit, ndërkohë që ka lënë në dorëshkrim edhe disa libra të tjerë.

    Agim Deva, për punën e tij letrare dhe arsimore, qe nderuar me shumë çmime prestigjioze si dhe me dhjetëra mirënjohje, pena të arta, falënderime e çmime të ndryshme për tekstet me të mira të interpretuara nëpër festivale e manifestime të tjera në Kosovë dhe jashtë saj.

    Ishte pjesëmarrës në Simpoziumin Ballkanik të Letërsisë për Fëmijë të mbajtur në Tiranë (në vitin 2000), si edhe në shumë takime letrare në Shqipëri, Austri, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Itali, Francë, Maqedoni, Mal të Zi etj.

    Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, si në: anglisht, gjermanisht, arabisht, italisht, rusisht, sllovakisht, rumanisht, kroatisht, turqisht, sllovenisht, maqedonisht, serbisht etj.

    Cilësia dhe sasia e këtyre veprave flasin, gjithsesi, për një botë jashtëzakonisht të pasur krijuese dhe një qasje jashtëzakonisht të ndjeshme, të larmishme e interesante ndaj botës së fëmijës. Ai kurdoherë ka pasur se çka t`u thotë fëmijëve. Ai kurdoherë, me secilin libër, doli i ri, i freskët, me përmbajtje të reja.

    Agim Deva mbetet edhe studiuesi, kritiku dhe teoricieni i parë i letërsisë shqiptare për fëmijë në Kosovë i cili hodhi bazat e i dha shtysë zhvillimit të mendimit kritik letrar dhe historisë së kësaj letërsie.

    Ishte krijues shumë i lexuar e shumë i dashur dhe, njëkohësisht, krijues shumë i frytshëm. Me përvojën e tij të krijuesit dhe profesorit të letërsisë ndihmoi edhe një numër të konsideruar të shkrimtarëve tanë, duke ua redaktuar e recensionuar deri më tani mbi 300 libra.

    Mik i madh i fëmijëve dhe humanist shumëdimensional

    Agim Deva ishte mik i madh i fëmijëve, humanist shumëdimensional, i cili deri në ditët e fundit nuk reshti së dhëni kontributin e çmuar për të sotmen e për të ardhmen e tyre. Vepra e tij letrare e mbështetur në një spektër të pafund krijues e kënde të panumërta të interpretimit të dukurive e të botës së fëmijëve, do të jetojë për brezat e ardhshëm si një vlerë e madhe e kulturës sonë kombëtare.

    Si cilësia ashtu edhe numri i veprave të tij letrare e dëshmojnë të vërtetën se përkushtimi ndaj krijimtarisë artistike është përbërës i domosdoshëm i dhuntisë së madhe krijuese.

    Si themelues e drejtues i “Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë” që nga viti 2000 e këtej, Agimi ka udhëhequr mbi 730 manifestime letrare në qindra mjedise anembanë Kosovës, por edhe me gjerë – në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, në Kosovën Lindore, etj. Ka organizuar disa simpoziume e sesione shkencore mbi çështjet e letërsisë për fëmijë e të rinj.

    Me kthjelltësi të rrallë mendimi, me një të folur të qartë e të shtruar, të rrjedhshëm e të këndshëm, shquhej në komunikimin me të gjithë, që nga kolegët e deri tek lexuesit e vegjël, fëmijët.

    Ai, tërë jetën, si mësues e si shkrimtar, me fjalën e tij ushqeu rritjen dhe lulëzimin e njeriut. Duke ia përkushtuar tërë jetën diturisë e artit, ai arriti që të krijonte mbretërinë e fjalës së vet, prej nga buronte humanizmi e çiltërsia. Me inteligjencën e veçantë në sytë e ëmbël e me fisnikëri të bukur në shpirt, ai ruante përfytyrimin e figurës që u takon të gjithëve.

    Me punën e tij të gjithanshme drejtuese e krijuese, ai ishte shembulli i një njeriu virtuoz, me një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual.

    Agimi nuk ishte vetëm letrar, shkencëtar dhe profesor. Ai njëherësh ka qenë qytetar me vlera dhe i spikatur. Ishte njeri me dinjitet, i fortë përballë dallgëve, burrëror dhe konstant në vlerat si qytetar.

    Ai do të rrojë mes nesh si model i Njeriut të Mirë, studiuesit e shkrimtarit, pedagogut, me vështrim përherë tek e ardhmja e shoqërisë.

    Agim Deva mbetet një yll i pashuar i letërsisë për fëmijë. Ai vazhdon të përhapë dhe të dërgojë dritë vezulluese, ngrohtësi, mirësi dhe dashuri njerëzore, mesazhe paqeje dhe humanizmi, veçanërisht te lexuesit e vegjël, që ai i donte aq shumë dhe që u kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të energjisë së tij krijuese. Të tillë, do ta kujtojmë për jetë të jetëve.

    E ndiej vetën me fat që isha student, koleg, bashkëpunëtor dhe mik shumë i mirë i profesor Agimit.

     

    VEPRAT E BOTUARA:

    1. Trumbeta e artë, Rilindja, Prishtinë 1968
    2. Zonja e livadheve, Rilindja, Prishtinë 1969
    3. Midis yjeve, Pionieri, Prishtinë 1970
    4. Dhurata, Flaka e vëllazërimit, Shkup 1970
    5. Kali ynë lazdran, Rilindja, Prishtinë 1971
    6. Reja qe shet akullore, Rilindja, Prishtinë 1972
    7. Shoku im pa xhepa, Flaka e vëllazërimit, Shkup 1972
    8. Gishti ngjyrë vjollca, Rilindja, Prishtinë 1973
    9. Gjevrekët e liqenit, Rilindja, Prishtinë 1974
    10. Panushi (roman), Rilindja, Prishtinë 1974
    11. Merrja lojës vetëm zemrën, Rilindja, Prishtinë 1975
    12. Parada e luajve, Rilindja, Prishtinë 1977
    13. Antologji e poezisë shqipe për fëmijë, Prishtinë 1977
    14. Me temlik u nisa në botë, Rilindja, Prishtinë 1978
    15. Një mijë çerdhe, Rilindja, Prishtinë 1979
    16. Rrota e historisë, Rilindja, Prishtinë 1981
    17. Nëpër gurë e valë, Rilindja, Prishtinë 1982
    18. Tregu i xhinkave, Rilindja, Prishtinë 1 984
    19. Harta e zemrës, Flaka e vëllazërimit, Shkup 1984
    20. Letërsia shqipe për fëmijë në Jugosllavi, (studim i gjatë), Obzorja, Maribor 1985
    21. Kur qan e qesh Majliza, Rilindja, Prishtinë 1985
    22. Kënga e urimeve, Rilindja, Prishtinë 1986
    23. Njeriu i vjeshtës, Flaka e vëllazërimit, Shkup 1986
    24. Kapelat, Libri shkollor, Prishtinë 1986
    25. Çaste në trohallë, Rilindja, Prishtinë 1987
    26. Fjalim nga tavolina, Rilindja, Prishtinë 1989
    27. Xhela rritet një herë tjetër Rilindja, Prishtinë 1990
    28. Po ma vjedh dikush qytetin, botim i autorit, Prishtinë 1 994
    29. Poezi të zgjedhura për fëmijë, Shkup 1996
    30. Xhela me një rrotë, Enti i Teksteve, Prishtinë 1998
    31. Guri rrokulliset përpjetë, botim i autorit, Tetovë 1999
    32. Xhela gjet yllin e vet, botim i autorit, Prishtinë 2000
    33. Koha e luleve, botoi “Oxfam”, Prishtinë 2000
    34. Edhe rrugët udhëtojnë, botim autorit, Prishtinë 2000
    35. Vigani i Zanës, Prishtine 2000
    36. Gjuha e mureve, botim i autorit, Prishtinë 2000
    37. Qyteti i pikëpyetjeve, botoi “Kinderherg”u, 2001
    38. Fjala ruhet kur shkruhet, Hendicap international, 2002
    39. Natyreza, botoi “REC”u, Prishtinë 2002
    40. Pasaportë e jetës sime, KAC, Prishtinë 2003
    41. Unë jam unë, UNICEF-i, Prishtinë 2001
    42. Duart e arta, Soros, Unicef, 2001
    43. Shtrati i kaprollit, Save the childrens, Soros, 2001
    44. Sa me shumë drunj, Soros, Save the childrens, Prishtinë 2001
    45. Loni e Liraku në pyll, Sorosi, Prishtinë 2001
    46. Topi, Unicef, Prishtinë 2001
    47. Biçikleta prej çokolate, Oxfam, Soros, Prishtinë 2001
    48. Numëroj, Soros, Unicef, Prishtinë 2001
    49. Mali, Save the childrens Prishtinë 2001
    50. Ditët e javës sime, Prishtinë 2001
    51. Ora, Save the childrens, Prishtinë 2001
    52. Fëmijët, Unicef, Soros, Prishtinë 2001
    53. Kulmi i botës, antologji e poezisë botërore për fëmijë, Enti i teksteve, Prishtinë 1984
    54. Romani ynë për fëmijë (monografi) Rilindja, Prishtinë 1977
    55. Poezia shqipe për fëmijë (1872-1980) (studim monografik), Rilindja, Prishtinë 1982
    56. Fjala e përjetimi (studime e kritika), Rilindja, Prishtinë 1984
    57. Fjala bëhet lule (koautor), libër lex. për klasën IV fillore, Enti i teksteve, Prishtinë 1985
    58. Orët e duartrokitjeve (koautor), SBASHK-u, Prishtinë 2002
    59. Përse banka përsërit klasën, Prishtinë 1979
    60. Ankohet çanta e vogël, Naim Frashëri, Tiranë 1986
    61. Jeta jetohet me zemër, pjesë teatrore, Prishtinë 2003
    62. Në dhomën katër me tri, (pjesë teatrore), Prishtinë 1998
    63. Si shkruhet pa shkronja, Rozafa, Prishtinë 2003
    64. Shtatë mrekullitë e mia, botim i autorit, Prishtinë 2004
    65. Këtu dikush ka qenë, botim i autorit, Prishtinë 2005
    66. Shitet babi im, botim i autorit, Prishtinë 2006
    67. Poezi të zgjedhura për fëmijë, Libri shkollor, Prishtinë 2006
    68. Mungon një zemër, botim i autorit, Prishtinë 2007
    69. Unë dhe shokët e mi, botoi UNICEF-i, Prishtinë 2007
    70. Gurët fluturues, Zef Serembe, Prishtinë 2007 etj.
    71. Kush troket në mua, Zef Serembe, Prishtinë 2008
    72. Orët pa tregues. Zef Serembe, Prishtinë 2008
    73. Kërkoj orëndreqës, PEN, Prishtinë 2008
    74. Trahoma, Shkup 2008

     

    Shpërblimet:

    SHPËRBLIMI I DHJETORIT

    SHPËRBLIMI “NEVEN” (Novi Sad)

    SHPËRBLIMI I BV të INTERESIT (KK. i Prishtinës)

    SHPËRBLIMI “GANIMETE TERBESHI”

    SHPËRBLIMI “NAIM FRASHERI”

    SHPËRBLIMI “ADELINA MAMAQI” (Tiranë)

    SHPËRBLIMI “VEHBI KIKAJ”

    SHPËRBLIMI “YMER ELSHANI”

    SHPËRBLIMI I “PIONIERIT”

    SHPËRBLIMI “SOFRA POETIKE e Y. ELSHANIT”

    SHPËRBLIMI “AZEM SHKRELI” (nga Ministria e Kulturës)