ATV

Category: KULTURË

  • Iu dha lamtumira e fundit aktorit të madh Enver Petrovci

    Iu dha lamtumira e fundit aktorit të madh Enver Petrovci

    Në skenën ku dikur la gjurmë të pashlyeshme, sot pushoi në heshtje arkivoli i tij.

    Aktori dhe regjisori i madh, Enver Petrovci, u përcoll sot për në banesën e fundit në Prishtinë, një ditë pasi ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

    Në Teatrin Kombëtar u mbajtën homazhe dhe një mbledhje komemorative, ku morën pjesë familjarë, kolegë, studentë, personalitete të artit dhe krerë institucionalë. Vajza e tij, Vanesa Petrovci, foli me dhimbje për humbjen e babait, ndërsa ish-kolegët e përshkruan si një artist të madh, trashëgimia e të cilit do t’i mbijetojë kohës.

    “Petrovci na mësoi jo vetëm të aktronim, por edhe si të jetonim për artin”, tha njëri nga ish-studentët e tij. Ndërsa përfaqësues të institucioneve theksuan kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kulturës shqiptare.

    Pas homazheve, trupi i tij u përcoll për në varrezat e qytetit, ku u zhvillua ceremonia mortore.

    Enver Petrovci ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, ndërsa gjatë karrierës së tij interpretoi mbi 200 role, duke fituar dhjetëra çmime brenda dhe jashtë vendit.

    Trashëgimia e tij artistike e akademike mbetet një kapitull i pavdekshëm i teatrit shqiptar.

  • Enver Petrovci, profili i aktorit që i dha identitet skenës e filmit

    Enver Petrovci, profili i aktorit që i dha identitet skenës e filmit

    Pas një sëmundje, sot, vdiq Enver Petrovci, një nga figurat më të ndritura të skenës shqiptare; aktor, profesor, dramaturg dhe regjisor, me një karrierë që përshkon teatër, film dhe edukim.

    Ai kreu arsimin fillestar në Prishtinë, pastaj studimet në aktrim në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

    Pas studimeve, bëri emër në teatër, duke interpretuar role të mëdha — përfshirë karaktere të Shakespeare-it si Hamlet, Macbeth, Julius Caesar, etj.

    Rëndësi e madhe në karrierën e tij ka pasur puna e tij arsimore: Enver Petrovci ishte ndër themeluesit e Departamentit të Artit Dramatik në Universitetin e Prishtinës dhe shumë vite ligjëroi aktorët e rinj, duke ndërtuar breza artistësh dhe duke kontribuar fuqishëm në zhvillimin e skenës kosovare.

    Në rolin e regjisë, një nga punimet e tij më të vërejtura është shfaqja “Kreolët e Ballkanit”, me të cilën trajton temat e përzierjes etnike dhe pasojave të tensioneve ndërnacionale, një reflektim artistik që sfidon paragjykimet dhe promovon dialogun.

    Përjetësimi i kontributit të tij ka ardhur edhe përmes çmimeve: në vitin 2020 ai mori çmimin Lifetime Achievement nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

    Ai është vlerësuar si një prej personaliteteve më të shquara të teatrit kosovar, me famë që ka përtej kufijve.

    Gjatë karrierës së tij, ai ka luajtur në një sërë filmash dhe serialesh, duke sjellë personazhe të paharrueshme që pasqyrojnë kompleksitetin e shoqërisë dhe individëve.

    Disa nga rolet e tij më të njohura përfshijnë:

    • “The Hornet” (1998) – Petrovci interpreton rolin e Salih, një personazh që kontribuon në zhvillimin e ngjarjes.

    • “The Bizarre Country” (1988) – Në këtë film satirik, ai luan rolin e Kryetarit të ri të Policisë, një figurë që shton absurditetin e ngjarjes.

    • “Bolji život: Novogodišnji specijal” (1987) – Në këtë episod special të serialit të njohur, Petrovci luan rolin e Florijan Trajkovic, një personazh që sjell një dimension të ri në ngjarje.

    • “Father” (2015) – Në këtë film, ai luan rolin e Adem, një personazh që përballet me sfida të thella emocionale dhe ekzistenciale.

    • “Agnus Dei” (2012) – Petrovci interpreton rolin e Komandantit Vojvoda, një figurë autoritare që luan një rol kyç në zhvillimin e ngjarjes.

    Përveç këtyre, ai ka pasur role të tjera të rëndësishme në filma si “Sekretet” (2008), “Anatema” (2006) dhe “Gomaret e kufirit” (2009), ku ka sjellë personazhe të thella dhe të paharrueshëm.

    Në kohët moderne, ai solli përvojën e tij jo vetëm në skenë dhe film, por edhe në botim: libri i tij “Amanete zemre” sjell reflektime mbi jetën, aktrimin, mësuesin, studentët dhe teatrin — si fryt i një jete të dedikuar për artin.

    Në thelb, Enver Petrovci ishte shembull i një arti që nuk dorëzohet, i një artisti që ka përballur sfida, paragjykime dhe pengesa, por ka zgjedhur t’i kthejë në forcë. Profil suksesi për të gjithë ata që duan të kuptojnë se çka do të thotë pasion, përkushtim dhe ndikim kulturor.

    Enver Petrovci, kështu la pas emër, gjurmë e role të pavdekshme.

  • Petrit Halilaj sjell Kosovën në Berlin

    Petrit Halilaj sjell Kosovën në Berlin

    Artisti i njohur kosovar, Petrit Halilaj ka hapur ekspozitën e tij më të re në Galerinë Kombëtare të Artit Bashkëkohor Hamburger Bahnhof në Berlin.

    Ekspozita, e titulluar “An Opera Out of Time”, është versioni muzeal i operës “Syrigana”, që pati premierën në qershor në fshatin Syriganë të Skenderajt. Kjo vepër lidhet ngushtë me mitologjinë lokale dhe figurat e fshatit fqinj, Runikut, duke ndërthurur tregime për luftën në Kosovë, trashëgiminë kulturore, mitet dhe sfidat e shoqërisë pas konfliktit.

    Halilaj e kthen këtë projekt në një thirrje kundër censurës dhe në mbështetje të lirisë së shprehjes, duke i bërë jehonë edhe situatave të ngjashme ndërkombëtare, përfshirë konfliktin në Palestinë.

    Megjithëse prej vitit 2008 jeton e krijon në Berlin, vendlindja e tij – Runiku i Skenderajt – mbetet burim i fuqishëm frymëzimi. Hapja e ekspozitës në kryeqytetin gjerman u prit si një homazh për kulturën dhe komunitetin kosovar, duke bashkuar elemente tradicionale me interpretim bashkëkohor dhe duke sjellë një mesazh të fuqishëm për artin si armë të kujtesës historike dhe lirisë.

  • Jimmy Fallon: Shpresoj që Jimmy Kimmel të kthehet

    Jimmy Fallon: Shpresoj që Jimmy Kimmel të kthehet

    Moderatori i “The Tonight Show”, Jimmy Fallon, të enjten reagoi për pezullimin e bujshëm të programit të Jimmy Kimmel nga ABC, duke shprehur mbështetje dhe shpresë për rikthimin e kolegut të tij.

    Fillimisht, Fallon e trajtoi situatën me humor, duke treguar se madje edhe babai i tij kishte menduar gabimisht se ishte ai vetë – dhe jo Kimmel – që kishte hyrë në pauzë. Por më pas ai u bë më serioz, duke thënë:

    “Për t’ju thënë të drejtën, askush nuk e di saktësisht çfarë po ndodh. Por unë e njoh Jimmy Kimmelin – është njeri i mirë, i dashur dhe tepër i talentuar. Shpresoj të kthehet sa më shpejt.”

    Pas këtij momenti, moderatori riktheu atmosferën komike duke ironizuar idenë e censurës. Në një skeç satirik, ai komentoi vizitën e presidentit amerikan Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa çdo kritikë e tij u mbulua me dublime që paraqisnin presidentin në mënyrë vetëm pozitive.

  • 42 – vjeçari fatlum që do të trashëgojë 32 milionë euro nga pasuria e Giorgio Armani-t

    42 – vjeçari fatlum që do të trashëgojë 32 milionë euro nga pasuria e Giorgio Armani-t

    Giorgio Armani, mjeshtri i elegancës italiane, ka lënë pas një testament po aq të menduar sa edhe koleksionet e tij.

    Sipas Corriere della Sera, ndër emrat e përfshirë në trashëgiminë e stilistit shfaqet një figurë surprizë, Michele Morselli, 42 vjeç, administrator i përgjithshëm i Immobiliare Srl, shoqëria që menaxhon pasurinë e paluajtshme të “Re Giorgio”.

    Morselli, i njohur më shumë në botën e biznesit sesa në pasarela, ka administruar një portofol luksoz që përfshin vila në Saint-Tropez, Pantelleria, Antigua, Broni dhe New York, me një vlerë neto prej rreth 289 milionë euro. Për besnikërinë dhe punën e tij, Armani i ka lënë menaxherit një trashëgimi të konsiderueshme, si obligacione shtetërore italiane (BTP) me vlerë afro 32 milionë euro, aksione të EssilorLuxottica me vlerë mbi 26 milionë euro, si dhe disa pasuri personale, përfshirë makina historike.

    Në testament parashikohet gjithashtu që Morselli dhe familja e tij të mund të përdorin, për dy javë në vit, jahtin personal të stilistit. Gjithashtu, një apartament në New York dhe rezidenca në Saint-Tropez, të lëna për Dell’Orcos, do të jenë të hapura për qëndrime të përkohshme nga Morselli.

    Menaxheri, sipas Corriere della Sera, është një sipërmarrës pasionant pas sportit, luan padel, peshkon, merret me çiklizëm si dhe është i përfshirë në hipizëm. Në gusht ai u emërua anëtar bordi në Blu Basket Bergamo, ekip që garon në kampionatin italian të basketbollit, Serie A2, një pasion që e ndante me Armani-n.

    Stilisti nuk e ka harruar as vajzën e Morsellit, Biancën, të cilën e kishte për zemër. Për të, Armani ka lënë një polizë sigurimi me vlerë disa milionëshe, që do t’i likuidohet kur ajo të arrijë moshën 25 deri 30 vjeç. Në total, Morselli përfiton rreth 15 prona në Milano, përfshirë një apartament prestigjioz në Via Borgonuovo.

    Testamenti i Giorgio Armani-t pasqyron jo vetëm kujdesin e tij për të ardhmen e markës dhe njerëzve të afërt, por edhe marrëdhëniet e veçanta që ka ndërtuar me ata që ndihmuan në ngritjen e një prej perandorive më të mëdha të modës italiane.

  • PRIFEST mbyll suksesshëm edicionin e 17-të në Prishtinë

    PRIFEST mbyll suksesshëm edicionin e 17-të në Prishtinë

    Prishtina për gjashtë ditë me radhë u shndërrua në kryeqytetin e filmit, duke pritur aktorë, producentë dhe artdashës nga mbarë bota.
    Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFest, në edicionin e tij të 17-të, solli filma të gjatë e të shkurtër, konferenca, takime dhe një atmosferë festive që e mbushi qytetin me energji ditë e natë.
    Java kulmoi të dielën mbrëma me shfaqjen e filmit “Man of the House” të regjisorit shqiptar Andamion Murataj dhe me ceremoninë solemne të ndarjes së çmimeve.

    Fituesit e edicionit ishin:
    ● Çmimi kryesor “Vjosa Berisha” – Cycle i regjisorit Erkan Taguzollu.
    ● Çmimi për regjisorin më të mirë – Dino Mustafiq.
    ● Çmimi për filmin më të mirë të mesëm – Tëo Strangers.
    ● Çmimi për filmin më të shkurtër – Three Keenings.
    ● Çmimi për aktorin më të mirë – Stojan Dojcev.
    ● Çmimi për aktoren më të mirë – Arta Dobroshi

    Me këtë mbrëmje, PriFest 2025 përmbylli edicionin e tij të 17-të, duke lënë pas një përvojë të paharrueshme për publikun vendas e ndërkombëtar.
    Ndryshe, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë, që mbledh kineastë, producentë, aktorë dhe dashamirë të filmit nga e gjithë bota.

    Vlen të theksohet se ATV edhe këtë vit ishte sponsor medial.

  • ATV edhe këtë vit sponsor medial i “PriFest 2025”

    ATV edhe këtë vit sponsor medial i “PriFest 2025”

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit – PriFest 2025, i cili tashmë është gati për të nisur edicionin e 17-të, do të mbahet prej 9 deri më 14 shtator 2025 në Kino Armata, Prishtinë. Edhe këtë vit, televizioni ATV do të jetë sponsori kryesor medial i këtij festivali, ndërsa kjo u konfirmua me marrëveshjen e arritur në mes Drejtorit të ATV-së, Zija Rexhepi dhe Drejtorit të “PriFest”, Fatos Berisha.

    Edicioni i sivjetmë do të hapet me premierën botërore të filmit “Bear Hug” të regjisorit Ilirjan Himaj, me aktorët Valmir Krasniqi, Era Balaj, Agron Shala, Astrit Kabashi dhe Teutë Krasniqi.

    Për gjashtë ditë me radhë, PriFest do të sjellë një program të larmishëm me premiera botërore dhe rajonale, duke u mbyllur më 14 shtator me filmin “Man of the House” të Andamion Muratajt.

    Në kuadër të festivalit do të zhvillohet edhe PriForum (11–13 shtator), me gjashtë projekte në garën ‘Best Pitch Competition’. Ndërkaq, juria e filmit të metrazhit të mesëm në edicionin e sivjetmë të Prifest 2025 do të përbëhet nga Eralda L. Lameborshi, Ivan Đurović dhe Blerina Hankollari. /atvlive.tv

  • “Warner Bros”do sjell një film mbi historinë e draftit të Kobe Bryant

    “Warner Bros”do sjell një film mbi historinë e draftit të Kobe Bryant

    “Warner Bros” ka blerë të drejtat për një skenar filmi që do të përqendrohet tek një nga momentet më vendimtare të karrierës së Kobe Bryant – dita e draftit të vitit 1996.
    Projekti, me titull të përkohshëm “Me Zgjedhjen e 8-të”, do të tregojë sesi New Jersey Nets hezituan të merrnin Bryant dhe zgjodhën Kerry Kittles, duke i hapur rrugën që Kobe të përfundonte tek Los Angeles Lakers pas një shkëmbimi me Charlotte Hornets.

    Edhe pse jeta dhe karriera e Bryant do të meritonin një film shumë të gjatë, ky projekt do të fokusohet vetëm në atë moment që ndryshoi historinë e NBA-së.
    Më herët, Kobe kishte fituar edhe një Oscar me filmin e shkurtër “Dear Basketball”, duke dëshmuar lidhjen e tij të fortë me kinemanë.
    Legjenda e Lakers, që u nda tragjikisht nga jeta në vitin 2020, do të kishte mbushur 47 vjeç këtë gusht.

  • Nis punimet edicioni i 43-të i Seminarit të Gjuhës, pjesëmarrës rreth 200 studiues

    Nis punimet edicioni i 43-të i Seminarit të Gjuhës, pjesëmarrës rreth 200 studiues

    Në Prishtinë është hapur edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili do të zgjasë deri më 29 gusht me pjesëmarrjen e rreth 200 studiuesve nga vende të ndryshme.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi seminarin si ngjarjen më jetëgjatë kulturore në Kosovë dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe.

    “Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i kujtesës, imagjinatës dhe kulturës. Në kohën e zhvillimit të shpejt të Inteligjencës Artificiale, ajo mbetet themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës njerëzore… Entuziazmi ynë për gjuhën shqipe duhet vetëm të rritet dhe unë, si kryeministër, shpreh gatishmërinë për të mbështetur këtë mision historik,” tha Kurti.

    Drejtoresha e seminarit, Lindita Sejdiu, tha se kjo ngjarje është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë.

    “Institucioni i seminarit është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore në një kënd global, por edhe i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët. Seminari janë Prishtina dhe Tirana bashkë në hartën shkencore ndërkombëtare,” u shpreh Sejdiu.

    Seminari, i themeluar në vitin 1974 në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, deri më sot ka zhvilluar 42 sesione dhe mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

  • Poeti Lulzim Tafa pjesë e ekspozitës ndërkombëtare poetike “Shi Xu” në Shangai të Kinës

    Poeti Lulzim Tafa pjesë e ekspozitës ndërkombëtare poetike “Shi Xu” në Shangai të Kinës

    Poezitë e poetit të mirënjohur kosovar Lulzim Tafa janë përzgjedhur krahas poezive të 100 poetëve botërorë që po marrin pjesë në ekspozitën ndërkombëtare poetike me titull “Shi Xu” (Fije Poetike), e cila po mbahet në qytetin e kulturës, Shangai të Kinës. Ekspozita, e që nisi më 13 gusht, do të qëndrojë e hapur deri më 17 shtator 2025 në Bibliotekën e Qytetit të Shangait, një qytet me mbi 24 milionë banorë, i njohur për pasurinë dhe shumëllojshmërinë kulturore.

    Vargjet e poetit Lulzim Tafa u prezantuan në Shangai krahas figurave më të njohura botërore të letërsisë si Paul Celan, Dylan Thomas, e Rabindranath Tagore, si dhe poetë të tjerë klasik e modernë nga Kina dhe e gjithë bota.

    Si pjesë e Panairit të Librit të Shangait 2025, ekspozita “Shi Xu” është një ndër ngjarjet më të rëndësishme poetike në Shangai dhe ka për qëllim të eksplorojë fuqinë shëruese të poezisë për shpirtin, duke ndërthurur poezi me instalacione artistike dhe interaktive. Kjo iniciativë kulturore fokusohet në mbështetjen e shëndetit mendor, duke u ofruar vizitorëve një eksperiencë e cila kërkon përfshirje të thelluar në poezi dhe ndërtim të forcës së brendshme.

    Biblioteka e Qytetit të Shangait, e njohur edhe si “Kështjella e Vogël e Shangait” me arkitekturën e saj të jashtëzakonshme dhe historinë e pasur, po mirëpret ekspozitën në një ambient që nxit dhe promovon trashëgiminë kulturore dhe inovacionin artistik.

    Ekspozita përmban edhe elemente të veçanta interaktive, siç janë kabinat klasike të telefonit ku vizitorët mund të lexojnë poezi të ndryshme nga poetë nga anembanë bota, duke krijuar kështu një ndjesi të paharruar për lexuesit e poezisë.

    Kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për letërsinë shqipe, pasi promovon vlerat shpirtërore dhe kulturore të poezisë sonë në një qytet me rëndësi të madhe kulturore, siç është Shangai.

    Lulzim Tafa është njeri prej poeteve më të njohur dhe më të përkthyer të letërsisë shqipe në botë.