ATV

Category: KULTURË

  • Frida Kahlo rikthehet në Houston me ekspozitë madhështore

    Frida Kahlo rikthehet në Houston me ekspozitë madhështore

    “Frida: The Making of an Icon” shfaq mbi 30 vepra të artistes legjendare dhe objekte personale, duke zbuluar historinë e saj kulturore.

    Museum of Fine Arts, Houston ka hapur ekspozitën “Frida: The Making of an Icon”, e cila sjell mbi 30 vepra të Frida Kahlos, përfshirë piktura, skica dhe objekte personale. Ekspozita eksploron evoluimin e Kahlos si artiste dhe ikonë kulturore, duke nxjerrë në pah ndikimin e saj në artin global dhe në temat sociale dhe historike të kohës. Vizitorët mund të shohin nga afër jetën dhe krijimtarinë e artistes, duke kuptuar sfidat dhe inspirimin që e bëri Frida një emër të pavdekshëm në botën e artit.

  • Dubai Art Season 2026 nis me program të pasur artistik

    Dubai Art Season 2026 nis me program të pasur artistik

    Ngjarja zhvillohet nga 21 janari deri më 26 prill dhe sjell ekspozita, festivale dhe performanca ndërkombëtare.

    Dubai Art Season 2026 ka nisur me një program të pasur artistik që synon të promovojë kreativitetin dhe dialogun ndërkombëtar. Ngjarja përfshin ekspozita të artit bashkëkohor, performanca live, aktivitete letrare dhe punëtori krijuese për të gjitha grupmoshat. Artistë nga e gjithë bota po prezantojnë punët e tyre, duke sjellë një bashkëpunim kulturor dhe shkëmbim ideje. Publiku mund të marrë pjesë në evente të ndryshme, të eksplorojë teknika të reja artistike dhe të bashkohet me komunitetin kreativ ndërkombëtar.

  • Filmat dhe serialet si pasqyrë e problemeve shoqërore të sotme

    Filmat dhe serialet si pasqyrë e problemeve shoqërore të sotme

    Në kohën e sotme, filmat dhe serialet nuk janë thjesht argëtim — shpesh funksionojnë si pasqyrë e shoqërisë, duke reflektuar sfidat, vlerat dhe debatet që na prekin të gjithëve. Përmes historive të tyre, ato shpesh rikrijojnë botën ku jetojmë, duke ndihmuar publikun të kuptojë realitete të thella sociale dhe kulturore.

    Një nga mënyrat më të qarta që kinemaja dhe televizionet e bëjnë këtë është përmes trajtimit të çështjeve sociale të rëndësishme. Documentary-të dhe filmat e ndryshëm adresojnë tema si ndikimi i teknologjisë, kriza sociale, pabarazitë ekonomike apo çështjet racore, që janë objekt debati në shoqëritë moderne. Për shembull, filmi dokumentar The Social Dilemma analizon ndikimin e mediave sociale në shëndetin mendor dhe marrëdhëniet tona, duke nxjerrë në pah shqetësimet aktuale mbi varësinë nga teknologjia dhe dezinformatat online.

    Serialet dramatike dhe fikti gjithashtu pasqyrojnë problematika reale. Shfaqje si Black Mirror përdorin elementë spekulativë për të diskutuar vështirësitë e teknologjisë dhe etikës njerëzore, duke nxjerrë në pah se si rrjetet sociale, survejimi apo inteligjenca artificiale mund të kthehen në sfida shoqërore.

    Nga ana tjetër, serialet dhe filmat mund të ndikojnë edhe në ndryshimin e qëndrimeve shoqërore. Modern Family, një komedi dramatike shumë e ndjekur, ka ndihmuar në normalizimin e familjeve të përbëra ndryshe dhe ka ulur paragjykimet ndaj prindërimit të çiftet same‑sex në vende të ndryshme, duke qenë një shembull se si narrativat televizive mund të ndikojnë te perceptimet e njerëzve.

    Po ashtu, seriale si Squid Game kanë hapur diskutime rreth pabarazive ekonomike dhe konkurrencës ekstreme në shoqëri. Psikologët që kanë analizuar fenomenin e këtij seriali thonë se ai afron para publikut një version dramatik të presionit social dhe frikës nga pamundësia për të arritur suksesin, duke reflektuar shqetësimet e sotme sociale për mundësitë e pabarabarta.

    Në thelb, filmat dhe serialet janë më shumë se histori për t’u ndjekur — ata janë spektri i shoqërisë sonë, që na nxisin të reflektojmë mbi realitetin, të diskutojmë çështje të vështira dhe ndonjëherë edhe të sfidojmë status‑quon. Përmes kësaj lidhjeje, arti i ekranit bëhet një mjet i fuqishëm për vetëdije, dialog dhe ndryshim shoqëror.

  • Historia e trishtë e italianes me studentin shqiptar: Njëri nga rojet e burgut, i dorëzoi Annës sendet vetjake të Xhulios, por kur e hapi…

    Historia e trishtë e italianes me studentin shqiptar: Njëri nga rojet e burgut, i dorëzoi Annës sendet vetjake të Xhulios, por kur e hapi…

    Zoti Antonio u zgjua shumë herët, si çdo mëngjes. Ishte gjithsesi, pjesëtari i dytë i familjes që zgjohej aq shpejt: E para, ishte e shoqja, zonja Maria, e cila fillonte përgatitjen e mëngjesit. Duke qenë se familja e tyre ishte mësuar që për mëngjes të konsumonin ëmbëlsirat e përgatitura prej duarve të zonjës së shtëpisë, ajo vetë përkujdesej që zgjimi i të shoqit dhe fëmijëve, ta gjente me tryezën e shtruar me ëmbëlsirat e freskëta tipike, lëngun e frutave, reçelin. Qumështi i ngrohtë i përzier me kafe, lëshonte aromën e tij në të gjithë shtëpinë, aromë që e përzier në ajër  me atë të ëmbëlsirave të sapo-nxjerra nga furra, e kthenin zgjimin e kësaj familjeje në një hare të vërtetë.                                        Urithët, dihet, jetojnë e ushqehen me errësirë, dhe në shtresat e sipërme të sipërfaqes se tokës, e kanë vështirë të arrijnë – duke ardhur prej puseve më të ndyra e më të thella – nëse nuk gjejnë strategjinë e duhur. E pra, ndjesia që po haste në një “urith” tjetër, Xhulios ju krijua edhe në këtë fabrikë, ku ishte transferuar prej pak kohesh. Kolegu i tij, me të cilin bashkë-ndante të njëjtën zyre, kishte qenë – ndër të tjera – edhe shok armesh në Luftë, me njërin nga eksponentët më të egër të qeverise në fuqi.

    E pra, kësaj radhe, nuk po kërkonin “floririn e zi”. Kësaj radhe, i zi, po behej fati i të gjithë atyre qe, në Shqipërinë e asaj kohe, kishin bere gabimin më të madh të jetës se tyre: atë, të qenit intelektualë, për më tepër me projektime disidente.

    Jo vetëm: nëse ndonjëri, si Xhulio, ishte edhe i martuar me italiane, ndonëse ai për këtë gjë ishte deri diku i ndërgjegjshëm mbi pasojat, jeta do t’i kishte rezervuar surpriza aspak të këndshme.

    Ajo këmishë e bardhë

    Atë mëngjes, Anna ishte zgjuar në të gdhirë. Gjithë natën kishte parë ëndrra të çuditshme. Ishin parandjenjat dhe perceptimet që i mbërrinin vazhdimisht kohet e fundit, që i pengonin të bënte një gjumë të qetë. Pasi u hodhi një sy fëmijëve, të cilët flinin të qetë në dhomën e tyre, pranë dhomës së prindërve, zbriti në kuzhinë për të përgatitur mëngjesin, për veten e për të shoqin, Xhuli, i cili duhej të nisej shpejt për në Durrës, aty ku po punonte kohët e fundit.

    Ai ishte veshur e përgatitur shume shpejt, pa harruar të vishte një këmishë të bukur të bardhë. Ishte, ndër të preferuarat e tij ajo këmishë. Ia patën sjellë nga Napoli dhe i rrinte aq bukur. Gjatë konsumimit të mëngjesit, shkëmbyen pak fjalë, por ato të pakta fjalë, më tepër ishin udhëzime nga Anna në lidhje me të shoqin, për të bërë kujdes.

    Kujdesi, se cilit Anna i referohej, ishte i lidhur me pozicionin e tij në vendin e punës: nga fakti që ishte i martuar me një italiane e që kohet e fundit, për këtë, po shihej shtrembër. Nën këtë aspekt, Xhulios, provokimet nuk i kishin munguar. Ai i kishte bërë balle gjithnjë me kokën lart e me zgjuarsinë e pjekurinë që e karakterizonin.

    Kohët e fundit, kishin mbërritur disa sinjale, të cilët patën filluar të shkaktonin atë që, terreni nën këmbët e Xhulios, të tronditej. Diçka me rëndësi dhe mjaft e frikshme, po trillohej e Xhulio pati lajmëruar të shoqen. Kjo, jo vetëm për atë që, ta ndihmonte të gjendej e përgatitur përballë çfarëdolloj ngjarjeje, por edhe për t’iu lutur që të vazhdonte të ecte përpara, ‘me’ ose ‘pa’ Xhulion vete, për të përballuar peshën e familjes, së fëmijëve, gjë që, deri në ato momente kishin ndarë përherë së bashku.

    U përqafuan dhe Xhulio u nis, i ndjekur nga sytë e Annës, e cila e përshëndeste me dorë të shoqin, deri sa makina me të cilën ai udhëtonte, të zhdukej nga pluhuri i rrugës dhe nga largësia e kjo e fundit, ndërmjet tyre, bëhej gjithnjë e më e madhe.

    Era e detit të Durrësit depërtoi nga dritaret e makinës dhe u përhap në brendësinë e saj. Flladi i freskët dukej i njëjte me atë që Xhulio ndiente edhe kur ndodhej në Napoli, në shtëpinë e së shoqes, duke u bërë në këtë mënyrë, ngjitës malli. Përhapte nostalgjinë e një vendi që, në rininë e tyre, u pati dhënë atyre shumë. Dhe jo vetëm, transmetonte një lloj trishtimi që në atë moment, ishte krejtësisht i pazakonte. Për Xhulion, ishte me e zakonte që, flladi i detit të bëhej burim qetësie, paqeje, frymëzimi e gëzimi.

    Por, atë mëngjes Xhulio, së bashku me flladin detar, po thithte edhe disa grimca të një ajri të rendë, mbytës. Te një ajri të akullt, që po i ngrinte zemrën.

    Po u vinte prej pak kohësh, prej shkatërrimit të marrëdhënieve shqiptaro – jugosllave dhe diktatori i ishte përveshur punës për përforcimin e fuqisë se tij absolute. Një fuqizim i tillë kishte si fazë fillestare të tij, luftën kundër kundërshtarëve politikë. Këta kundërshtarë, disa realisht të ekzistuar, dhe të tjerë, të vendosur në rrethin e personave mbi të cilët vetëm dyshohej ose supozohej të ishin të tillë, për faktin e pasjes në biografinë e tyre të disa të dhënave komprometuese, bëheshin persona “të rrezikshëm” për vendin.

    Xhulio, ndonëse këtë listë të mallkuar e njihte mjaft mirë dhe deri diku, kishte qenë gjithnjë i ndërgjegjshëm që i bënte edhe ai vetë pjesë, deri në fund, nuk deshi ta pranojë apo ta besojë. Kohët e fundit, kolegu i tij, ai me të cilin po bashkë-ndanin të njëjtën zyrë, ishte bërë shumë invadent, po fuste gjithnjë e më tepër hundët në punët e Xhulios. Nën justifikimin e konfidencës në nivel ‘miqësor’, po i bënte pyetje të tepruara, të cilat Xhulios, po i shkaktonin shqetësime.

    Jo sepse, nuk dinte sesi t’i përgjigjej, ashtu siç ai e meritonte në të vërtetë e me gjakftohtësi, por për një fakt tjetër: atë të perceptimit të rrezikut dhe të krijimit të përshtypjes që, ai person, nuk ishte dërguar në atë zyrë për të ndarë me Xhulion profesionin e ekonomistit si ai, por për të dhënë kontributin e tij, për kurthin që po i thurnin.

    Faktikisht, kolegu i tij, beri ç’të ishte e mundur për të sabotuar punën e saktë dhe të përgjegjshme të Xhulios. Beri ç’të mundte për t’i ndërlikuar punët atij, e për me tepër, duke ndërhyrë në çështje që i përkisnin ekskluzivisht kompetencave të Xhulios.

    Por, nuk u mjaftua vetëm me aq: u tregua aq dinak (ose më mirë, ashtu ishte udhëzuar apo urdhëruar), që të përfshihej e të merrte pjesë edhe ai vetë në një projekt të besuar ndaj zyrës së tyre, i cili fillimisht duhej të kishte qenë i ndjekur vetëm nga Xhulio, projekt që, çuditërisht do të kishte rezultuar si një ‘sabotim’.

    Natyrisht, për të dy kolegët u lëshua një urdhër arresti. Xhulio, e pa jetën e tij të ndryshonte tërësisht, pas këtij takimi brutal me të ashtuquajturën “drejtësi”. Atë ditë, në oborrin e fabrikës, hija e makinës ushtarake ‘Jeep’, të asaj makine aq famëkeqe, bëri që të ngrijnë në vend të gjithë punonjësit. Te dy koleget i hipën, të lidhur me pranga, sikur të ishin kriminele.

    Për Xhulion, nëse ‘krim’ mund të quheshin përgatitja e përkushtimi serioz ndaj detyrës, korrektësia apo profesionaliteti, e gjitha kjo kthehej në një ankth, nga i cili, shpresonte të zgjohej sa më shpejt dhe e vërteta të zbardhej sa më parë. Të bëheshin sqarimet e duhura se nga ana e tij, nuk kishte ekzistuar asnjë faj, asnjë gabim e, aq më pak, asnjë sabotim.

    Por, u bind më shumë se kurrë edhe për diçka që, deri në ato momente kishte dëshiruar që gjithnjë t’ia largonte vetes si mendim: për atë që, prej faktit se kishte marrë për grua një qytetare italiane, që po ndante jetën bashke me të, në një Shqipëri të tillë, si ajo që po përjetonin në ato kohë, ky do të kthehej në një rrezik të konkretizuar me shpejtësi, do të kthehej në një stuhi që do të vërsulej e pamëshirshme mbi atë vetë e, mbi familjen tij.

    Në procesin – farsë teatrale – të dy kolegëve, pasi fillimisht u fol për një dënim jo më pak se pushkatimi, gjithnjë padrejtësisht ju përcaktuan dënimet përkatëse, që për Xhulion, çuditërisht rezultoi shumë më i rëndë, burgim i përjetshëm. Pak më vonë, ashtu si ndodh zakonisht në situatat tragji-komike, finalja qe befasuese. Dënimi iu reduktua në mënyrën që vijon:

    Kolegu i Xhulios, qëndroi në burg vetëm pak muaj dhe ju fal liria. Xhulios, patën “mëshirë” dhe i reduktuan edhe atij dënimin, por atij iu mohua liria personale, jo për dy muaj, as për dy vjet: vitet në të cilat Xhulio kreu dënimin, qenë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij, të asaj jete që dalëngadalë po ia shkatërronin në mënyrë të dhimbshme: këto vite qenë plot 20.

    I madh indinjimi, të shumtë dhimbja e zhgënjimi për atë që quanin “drejtësia popullore”. Ajo mund të quhej në mënyra apo terminologji të pakufizuar, përveçse “drejtësi e popullit”. Ata vetë ishin pjesë e atij populli. Xhulio për më tepër, por edhe Anna tashmë e ndjente veten si pjesë përbërëse e atij populli, mikpritës, të besës, por që, fatkeqësisht po drejtohej me grushtin e hekurt prej disave që po bënin ç’të ishte e mundur, që asaj Shqipërie të vuajtur, t’ia eliminonin të gjithë bijtë e saj më të vlefshëm e, intelektualë.

    Ndryshimi rrënjësor edhe në jetën e vetë Annës, nga një vuajtje në tjetrën, me burrin në burg, me prindërit e të afërmit në Itali, që nuk mund t’i takonte, ajo vete, e re në moshë e, me fëmijët e bllokuar në Shqipëri, e detyroi të kthehej pas me kujtesën:

    “Largësia nga vendi im është kaq e shkurtër! Do të më mjaftonte t’i afrohesha bregut të detit, për të pasur mundësi të ndiej erën e këndshme të ujërave që mbërrijnë nga anët e mia, të cilat me siguri, do të më lehtësojnë nga çdo ndjesi largësie nga të dashurit e mi. Dhe sidoqoftë, sa here që malli për ta do të më mbërthejë me insistim, do të vrapoj drejt tyre e ata njëkohësisht, do të munden të vijnë e të më takojnë, sa here të dëshirojnë”.

    E më pas, në 1944-ën, fjalët e Xhulios: “Anna, unë jam i detyruar si bashkëshort e si baba familjeje, të të kërkoj të mendohesh mirë, por edhe me shpejtësi, mbi faktin se çdo të bëjmë më tej me jetën tonë: ku, do të vendosim të vazhdojmë të jetojmë, në Shqipëri apo në vendin tënd, në Itali, sepse këtu, kam dyshimin se gjendja do të ndërlikohet tej mase”.

    Anna, me lot në sy, mori vendimin më delikat e më të rëndësishëm të jetës së tyre: atë të zgjedhjes që të jetonin në Shqipëri. Atë mëngjes bënte ftohtë, ftohtë më shumë se kurrë. E mbështjellë me pallton e saj të leshtë, me kapelën në kokë, të cilën nuk e ndante kurrë, sepse ishte një dhurate e të atit, Anna u gjend përpara një ndërtese që të fuste frikën, që të bënte të të mbërthenin rrëqethje.

    Asnjëherë nuk do t’i kishte vajtur në mend që, një dite të jetës së saj, do të vinte e të afrohej pranë një ndërtese të tillë. Asnjëherë nuk do të kishte menduar që në një ferr të tillë, do të ‘ndalej’ Xhulio i saj i dashur. Atë dite, atyre nuk u lejuan të shihen.

    Por, njëri prej rojeve, me një pamje të tmerrshme, e thirri Annën, sepse do t’i dorëzonte disa sende vetjake të Xhulios, të gjitha të përmbledhura në një kuti kartoni. Ajo e mori atë kuti në duar duke u dridhur e tëra dhe u largua prej andej me shpejtësi. Në shtëpi e prisnin fëmijët. Madje, para se të ndalej e të fliste me ta, Anna hyri në dhomën e saj dhe me forcat që pak e nga pak po e braktisnin, hapi kutinë.

    Sytë iu ndalen menjëherë mbi një copë të grisur, të bardhë. Ishte këmisha e bardhe e Xhulios, këmisha e tij e preferuar, ajo të cilën Anna ja pati hekurosur atë mëngjes e që ai, e pati veshur pikërisht ditën e arrestimit. Mbi mëngën e këmishës, me gjakun e tij, Xhulio kishte shkruar një mesazh për të shoqen: “Sono innocente”, “Jam i pafajshëm”. Por Anna, për këtë ishte më se e bindur…!

  • Dokument i rrallë për Skënderbeun, ekspozohet harta e vitit 1455 në Krujë

    Dokument i rrallë për Skënderbeun, ekspozohet harta e vitit 1455 në Krujë

    Në kuadër të 558-vjetorit të ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ka ekspozuar për publikun një hartë portulane të vitit 1455, e konsideruar një dokument i rrallë me rëndësi historike dhe europiane.

    Harta është hartuar nga Bartolomeo Pareto, kartografi zyrtar i Papa Nikollës V, dhe përfaqëson një dëshmi të hershme të njohjes së figurës së Skënderbeut në qarqet ndërkombëtare të kohës. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ndau pamje nga dokumenti në rrjetet sociale, duke e cilësuar atë si “një dëshmi unike të historisë europiane dhe shqiptare”.

    Sipas Gonxhes, në këtë dokument kartografik emri “Scandre Beco” (Skënderbeu) shfaqet si referencë gjeografike në një Ballkan të përfshirë nga presioni osman në rritje. Ai theksoi se prania e emrit të Skënderbeut në hartë dëshmon jehonën që figura e tij kishte që për së gjalli dhe rolin e tij në historinë e shekullit XV.

    Ministri vlerësoi gjithashtu se ky dokument përbën një burim të rëndësishëm për studimet albanologjike dhe për historinë e Europës në kalimin nga Mesjeta në Kohën e Re, duke nënvizuar se hartat portulane shërbejnë si dëshmi konkrete të njohjes së Shqipërisë dhe të figurës së Skënderbeut në botën e asaj kohe.

    Ekspozita synon t’u ofrojë vizitorëve një përvojë edukative dhe historike, duke vënë në pah trashëgiminë kulturore dhe rolin e Skënderbeut si simbol i rezistencës dhe identitetit shqiptar. Ministri Gonxhja ftoi qytetarët dhe vizitorët të vizitojnë muzeun dhe të njihen nga afër me këtë dokument unik me vlerë historike, kulturore dhe shkencore.

  • “The Housemaid” kalon 200 milionë dollarë fitime në arkën globale

    “The Housemaid” kalon 200 milionë dollarë fitime në arkën globale

    Trilleri psikologjik “The Housemaid” ka shënuar një sukses të madh në kinematë botërore, duke tejkaluar shifrën prej 200 milionë dollarësh në fitimet globale nga shitjet e biletave.

    Filmi, me protagoniste Sydney Sweeney dhe Amanda Seyfried, ka arkëtuar rreth 100 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara dhe po aq në tregjet ndërkombëtare, vetëm katër fundjava pas publikimit. Këto shifra janë veçanërisht mbresëlënëse, duke marrë parasysh se buxheti i filmit ishte vetëm 35 milionë dollarë, sipas studios Lionsgate.

    “The Housemaid” pati premierën më 19 dhjetor dhe debutoi me 19 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë në Amerikën e Veriut. Filmi është i klasifikuar si i papërshtatshëm për personat nën moshën 18 vjeç pa shoqërimin e një prindi apo kujdestari.

    Falë reagimeve pozitive të publikut dhe rekomandimeve të forta, trilleri pritet ta përmbyllë shfaqjen kinematografike me fitime që variojnë nga 225 deri në 275 milionë dollarë në nivel global, raporton Variety. Ky rezultat shihet si një sukses i rëndësishëm në një periudhë sfiduese për filmat me buxhet të mesëm.

    Me regji të Paul Feig dhe i bazuar në romanin bestseller të autores Freida McFadden, filmi ndjek historinë e një gruaje të re me një të kaluar të trazuar, e cila punësohet si shërbëtore në shtëpinë e një familjeje të pasur, por shumë shpejt zbulon se pas fasadës perfekte fshihen sekrete të errëta.

  • Peaky Blinders vazhdon pas filmit, ja çfarë ndryshon në sezonin e ri

    Peaky Blinders vazhdon pas filmit, ja çfarë ndryshon në sezonin e ri

    Pas përfundimit të sezonit të gjashtë, u mendua se historia e Peaky Blinders do të mbyllej përfundimisht me filmin e gjatë “The Immortal Man”. Megjithatë, krijuesi i serialit, Steven Knight, ka konfirmuar se saga e famshme do të vazhdojë edhe me dy sezone të reja, përfshirë sezonin e shtatë dhe të tetë.

    Që nga debutimi në vitin 2013, Peaky Blinders u kthye në një nga dramat më të dashura televizive, duke ndjekur historinë e Tommy Shelby-t, të interpretuar nga Cillian Murphy, dhe bandës së tij kriminale në Birminghamin e pas Luftës së Parë Botërore. Gjatë gjashtë sezoneve, seriali ndërtoi një univers të errët, plot pushtet, tradhti dhe ambicie.

    Filmi “The Immortal Man” do të vazhdojë menjëherë pas finales së sezonit të gjashtë dhe është përshkruar si një përfundim i denjë për kapitullin aktual të historisë. Megjithatë, Knight ka bërë të ditur se pas filmit do të hapet një “epokë e re” e Peaky Blinders, e vendosur në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.

    Sezoni i shtatë do të fokusohet te brezi i ri i familjes Shelby, në një Birmingham që po rindërtohet nga shkatërrimet e luftës. Sipas përshkrimit zyrtar, qyteti do të shndërrohet sërish në një fushëbetejë për pushtet, me familjen Shelby ende në qendër të ngjarjeve.

    Sa i përket rikthimit të Tommy Shelby-t, Cillian Murphy është konfirmuar si producent ekzekutiv i sezoneve të reja, por pjesëmarrja e tij përpara kamerës mbetet ende e paqartë. Duke qenë se ngjarjet zhvillohen rreth 20 vjet më vonë, mundësia e një rikthimi nuk përjashtohet plotësisht.

    Kasti i ri pritet të përfshijë edhe fytyra të reja, përfshirë personazhe të prezantuar në film, ndërsa Barry Keoghan shihet si një figurë kyçe në drejtimin e brezit të ri të Peaky Blinders.

    Xhirimet për sezonin e shtatë ende nuk kanë nisur dhe data e publikimit nuk është bërë publike. Dihet vetëm se sezoni i ri do të vijë pas daljes së filmit “The Immortal Man”, i cili do të shfaqet në kinema më 6 mars 2026 dhe më pas në Netflix më 20 mars 2026.

    Me sezonin e tetë tashmë të konfirmuar, duket se historia e Peaky Blinders është ende larg fundit. Siç u shpreh vetë Steven Knight:
    “E ndjemë se kishte ende dëshirë për më shumë.”

  • Zendaya rikthehet në “Euphoria”: publikohet traileri i sezonit 3

    Zendaya rikthehet në “Euphoria”: publikohet traileri i sezonit 3

    Traileri zyrtar i sezonit të tretë të serialit të shumëpritur “Euphoria” është publikuar, duke rritur pritjet e fansave për rikthimin e tij më 12 prill në HBO dhe HBO Max. Sezoni i ri sjell sërish në ekran kastin kryesor, përfshirë Zendaya, Sydney Sweeney, Hunter Schafer, Jacob Elordi, Eric Dane, Alexa Demie, Maude Apatow, Chloe Cherry, Colman Domingo dhe Dominic Fike.

    Disa personazhe nga sezonet e mëparshme nuk do të jenë pjesë e këtij kapitulli të ri, përfshirë Barbie Ferreira, Storm Reid, Javon Wanna Walton dhe Austin Abrams. Ndërkohë, aktori Angus Cloud, i njohur për rolin e Fez, ndërroi jetë në korrik të vitit 2023 në moshën 25-vjeçare.

    Ngjarjet e sezonit të dytë u mbyllën me tensione të forta dramatike, duke lënë shumë linja të hapura për zhvillime të reja. Sezoni i tretë nis pesë vjet më vonë, duke sjellë ndryshime të mëdha në jetët e personazheve kryesore, nga zhvendosje gjeografike deri te përballje të reja personale dhe emocionale.

    Kasti i këtij sezoni pasurohet edhe me emra të rinj të njohur, si Sharon Stone, Rosalía, Trisha Paytas, Natasha Lyonne, Danielle Deadwyler, Eli Roth, Marshawn Lynch dhe Adewale Akinnuoye-Agbaje, duke premtuar një sezon edhe më të errët, më intensiv dhe plot surpriza për fansat e serialit.

  • Shfaqja “Gërrdia”, premiera e parë e 2026-ës në Teatrin Kombëtar

    Shfaqja “Gërrdia”, premiera e parë e 2026-ës në Teatrin Kombëtar

    Premiera e shfaqjes “Gërrdia”, me regji nga Astrit Kabashi, do të jepet sot nga ora 20:00, me këtë rast Teatri Kombëtar i Kosovës hap vitin artistik 2026, me dramën fituese të konkursit të dramës origjinale shqipe “Katarina Josipi” 2023.

    Në këtë shfaqje interpretojnë aktorët: Bujar Ahmeti, Maylinda Kosumovic dhe Rebeka Qena. Skenografia është realizuar nga Arben Shala, kostumografia nga Yllka Brada, ndërsa kompozitori i muzikës është Memli Kelmendi.

    Për realizimin e shfaqjes kanë kontribuar gjithashtu: asistent regjisor Lendi Aliu, ispicient Mursel Haziri, ndriçimi nga Bujar Bekteshi, tonisti Avdi Gervalla, dhe fotografitë nga Kushtrim Haxha.

    Gjatë shfaqjes do të ketë krisma armësh, ndaj publiku njoftohet për masat e sigurisë.

    Repriza e shfaqjes “Gërrdia” jepet më 20, 21 dhe 22 janar 2026.

  • Çmenduri milionëshe – Emmie Bunni ofron 10.2 milionë dollarë për kartën e rrallë të “Pokémon” të Logan Paul

    Çmenduri milionëshe – Emmie Bunni ofron 10.2 milionë dollarë për kartën e rrallë të “Pokémon” të Logan Paul

    Mania për Pokémon-in sapo ka arritur nivele marramendëse. Influencuesja dhe sipërmarrësja Emmie Bunni thuhet se ka bërë një ofertë tronditëse prej 10.2 milionë dollarësh për kartën jashtëzakonisht të rrallë Pokémon të Logan Paul, duke shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale.

    Logan Paul, i cili e shndërroi kartën e vjetër të koleksionit në një simbol të kulturës popullore, e ka shfaqur atë kudo, nga ringjet e mundjes profesionale deri te videot në platformat digjitale. Tani, situata ka kaluar në një nivel krejt tjetër. Oferta gjigante e Emmie Bunni ndezi menjëherë diskutime të zjarrta, me ndjekësit që pyesin nëse kjo mund të jetë marrëveshja më e shtrenjtë në historinë e kartave Pokémon.

    Sipas burimeve pranë çështjes, oferta nuk lidhet vetëm me nostalgjinë, por edhe me statusin. Në një botë ku objektet e koleksionit janë formë vlere dhe fama është pushtet, zotërimi i kartës së Logan Paul do të ishte një lëvizje madhore. Ndërkohë, Logan Paul ende nuk ka konfirmuar nëse do ta pranojë ofertën, duke i mbajtur ndjekësit në ankth me postime të paqarta që tregojnë se ai po e shijon vëmendjen.

    A është gati Logan Paul të ndahet nga pasuria e tij më e çmuar, apo do ta mbajë kartën që ndihmoi në ndërtimin e famës së tij në botën e koleksionistëve? Kur bëhet fjalë për Pokémon në ditët e sotme, nuk bëhet më fjalë për t’i mbledhur të gjitha, por për të ofruar shifrën më të lartë.