ATV

Category: KULTURË

  • 95 vjet pas! Pse “City Lights” i Charlie Chaplinit mbetet një nga filmat më të mëdhenj të historisë

    95 vjet pas! Pse “City Lights” i Charlie Chaplinit mbetet një nga filmat më të mëdhenj të historisë

    Edhe pas 95 vitesh nga premiera e tij, City Lights (1931) i Charlie Chaplinit vazhdon të konsiderohet si një nga filmat më të mëdhenj të realizuar ndonjëherë. Komedia romantike pa dialog jo vetëm që i ka rezistuar kohës, por ka ndikuar thellë breza të tërë kineastësh, falë thjeshtësisë, humanizmit dhe një fundi që mbetet ndër më emocionuesit në historinë e filmit.

    Në vitin 1966, Charlie Chaplin deklaroi për revistën Life se City Lights ishte filmi i tij i preferuar. “Mendoj se është i qëndrueshëm dhe i realizuar mirë”, u shpreh ai me modesti, një vlerësim shumë më i përmbajtur sesa ai i kritikës ndërkombëtare.

    Që nga premiera më 30 janar 1931 në Los Angeles, filmi është renditur vazhdimisht në listat e filmave më të mëdhenj të të gjitha kohërave nga Instituti Britanik i Filmit (BFI). Regjisorë si Stanley Kubrick, Orson Welles dhe Andrei Tarkovsky e kanë përmendur si një nga veprat e tyre të preferuara.

    City Lights rrëfen historinë e Vagabondit, personazhit ikonë të Chaplinit, i cili dashurohet me një vajzë të verbër që shet lule (Virginia Cherrill). Ajo e ngatërron me një milioner, ndërsa ai bën gjithçka për ta ndihmuar, duke sakrifikuar lirinë dhe dinjitetin e tij që ajo të shërohet dhe të shpëtojë nga varfëria.

    Skena e fundit, ku vajza tashmë e shëruar e njeh më në fund Vagabondin, konsiderohet nga shumë kritikë si përfundimi më i bukur në historinë e kinemasë. Pa fjalë, vetëm me vështrime dhe mimikë, Chaplin arrin një intensitet emocional të rrallë.

    Forca e kësaj skene qëndron edhe te fundi i hapur: filmi nuk na tregon nëse ata përfundojnë bashkë. Ky ambiguitet e ka mbajtur City Lights gjithmonë aktual dhe të hapur për interpretime të ndryshme.

    Momenti final i City Lights është ripërdorur dhe nderuar në shumë filma të mëvonshëm, nga The 400 Blows te Moonlight dhe Gone Girl. Edhe pse u realizua në një kohë kur filmat me zë po dominonin Hollywood-in, Chaplin këmbënguli në një film pa dialog, duke besuar se Vagabondi i përkiste kinemasë së heshtur.

    Me një buxhet rekord për kohën dhe vite pune të mundimshme, City Lights u shndërrua në një sukses të madh kritik dhe financiar. Sot, pothuajse një shekull më vonë, ai vazhdon të shihet si filmi më i dashur dhe më jetëgjatë i Charlie Chaplinit.

    Në një epokë të mbingopur me fjalë dhe zhurmë, City Lights dëshmon se emocionet më të forta mund të shprehen edhe në heshtje.

  • Artizanet përcjellin ndër breza qëndismat tradicionale të veriut të Shqipërisë

    Artizanet përcjellin ndër breza qëndismat tradicionale të veriut të Shqipërisë

    Një element i trashëgimisë kulturore jomateriale që ruhet dhe transmetohet sot nga një numër i kufizuar artizanesh të Shkodrës, Tropojës dhe Kukësit, është qëndistaria tradicionale me dorë, dhe veçanërisht punimi me oje.

    Punimi me oje (ojna) është një teknikë që realizohet përmes gjilpërës dhe perit dhe karakterizohet nga hollësia e punimit, kompleksiteti i motiveve dhe vlera e lartë estetike e simbolike që mbart.

    Kjo është një nga format më të veçanta dhe të rralla të qëndistarisë tradicionale me dorë. Tradita e qëndistarisë ka qenë historikisht e zhvilluar dhe e lidhur ngushtë me identitetin kulturor lokal. Tradicionalisht, punimi me oje përdorej si element dekorues në shamitë e kokës së grave, duke pasur funksion estetik dhe simbolik në veshjet tradicionale femërore.
    Në kontekstin bashkëkohor, artizanet po përpiqen ta përshtatin këtë teknikë në produkte të reja artizanale, duke respektuar format dhe parimet tradicionale, me synimin për ta mbajtur gjallë dhe për ta transmetuar këtë element elitar të trashëgimisë kulturore brezave të ardhshëm. /atsh

    Image
    Image
  • “Gjatë periudhës së Enver Hoxhës, fëmijët shqiptarë, i perceptonin shishet Coca-Cola që lundronin përgjatë lumit Buna nga Jugosllavia fqinje, si…”/ Reportazh në Shqipërinë e pas viteve ’90-të

    “Gjatë periudhës së Enver Hoxhës, fëmijët shqiptarë, i perceptonin shishet Coca-Cola që lundronin përgjatë lumit Buna nga Jugosllavia fqinje, si…”/ Reportazh në Shqipërinë e pas viteve ’90-të

    Në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, ndodhet një shtet i vogël – Shqipëria. Për një turist, vendi do të jetë interesant kryesisht, jo për pamjet e tij natyrore dhe arkitekturore, të cilat praktikisht ekzistojnë me tepri këtu, por për historinë e tij. Fakt është se pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria në atë kohë, me në krye Enver Hoxhën, filloi gradualisht procesin e izolimit të Shqipërisë nga bota e jashtme. Dhe problemi është se; diktatori Hoxha, u tmerrua nga një sulm imagjinar dhe si Don Kishoti luftoi me mullinjtë e erës. Le të mësojmë më shumë për këtë histori…!

    Simbolet më të papritura, janë të pranishme në flamujt kombëtarë të disa vendeve. Për shembull, flamuri i Republikës së Mozambikut, është zbukuruar me imazhin e një pushke sulmi “Kallashnikov”, e cila është vendase tek ne. Dhe në flamurin e Shqipërisë, duhej vendosur një bunker me mitraloz, një bunker i vogël që mund të strehohej me një familje të tërë shqiptare me katër anëtarë. Babai qëllon, nëna i jep fishekët dhe fëmijët mbledhin fishekë të harxhuar.

    E gjithë Shqipëria tani, është e mbushur me bunkerë të tillë, që u ngjajnë kërpudhave të mëdha betoni – thuhet se ka më shumë se 600 mijë të tillë (dhe sipas disa raporteve, edhe shifra shkon në 850 mijë)! Me një popullsi prej 3 milionë banorësh, rezulton pesë persona, për bunker. Ata shfaqen dhe janë kudo – në pikën kufitare, në terren dhe nëpër qytete. Kur udhëton me makinë nëpër Shqipëri, të vjen ndjesia se po shikon një film fantashkencor. Për më tepër, nuk është plotësisht e qartë: ose jemi në një planet tjetër, ose një armatë kërpudhash të mëdha fluturuese që ka fluturuar drejt nesh, nga të cilat marsianët me tre sy, janë gati të zvarriten.

    Megjithatë, shqiptarët janë mësuar prej kohësh, me një pamje të tillë. Një trashëgimi kaq e çuditshme, u la nga regjimi i dikurshëm i Enver Hoxhës, i cili sundoi Shqipërinë me dorë të fortë, për 40 vjet. Diktatori fanatik, arriti të grindej me të gjithë botën: fillimisht me Jugosllavinë, pastaj me BRSS-në (duke dëbuar të gjithë specialistët sovjetikë dhe një bazë ushtarake nga vendi në 24 orë) dhe, në fund, me Kinën.

    Shqipëria, e mbështetur vetëm në forcat e veta, u armatos kundër gjithë njerëzimit, duke u kthyer në një vend-bunker, krejtësisht të izoluar; por për disa arsye, e gjithë bota nuk nxitonte ta provonte se sa e fortë ishte ajo. Nëse qytetarët sovjetikë shkonin në pronat e tyre (me gjashtë hektarë) në fundjavë, atëherë në Shqipëri, pas punës, secila familje ndërtonte një strehim për vete (si kumbari Kungull nga “Cipollino”), ku në rast pushtimi ushtarak, ajo mund të fshihej dhe të qëllonte përsëri, deri në plumbin e fundit.

    Sot, bunkerët janë një parajsë për pëllumbat dhe një sfond për turistët që bëjnë fotografi. Vërtetë në Shqipëri, nuk ka shumë turistë, por pëllumba ka mjaft…! Nuk është e qartë se çfarë do të bëhet më tej me bunkerët, sepse për shkatërrimin e tyre, nevojiten fonde, jo më pak se për ndërtimin. Vërtetë, ka propozime interesante: “Të ktheni ato në tualete, dyqane suveniresh, madje edhe mini-hotele”. Por kjo duket se është e tepërt. Dhe Shqipëria, vendi më i varfër në Evropë dhe anëtar i NATO-s, nuk kishte para shtesë dhe ende nuk ka.

    Megjithatë, varfëria nuk është ves. Konstantin Leontiev, i cili jetonte në Shqipëri, shkruante në vitin 1869: “Shqiptari do vetëm luftën, interesin personal dhe mikpritjen; Deri vonë, ai ishte njëlloj i huaj, si për turqit ashtu edhe për grekët, dhe po aq mik për ta, kur ishte në dobi të tij. Në punët personale, malësori shqiptar, i qëndron besnik miqësisë dhe fjalës; ai e do gjakun dhe hakmarrjen e, nuk i trembet vdekjes. Rrobat e tij janë të bukura edhe në varfëri, dhe hapi i tij është i këndshëm dhe i lehtë”.

    Më parë, fëmijët shqiptarë i perceptonin shishet Coca-Cola që lundronin përgjatë lumit Buna nga Jugosllavia fqinje, si mesazhe nga një botë tjetër. Dhe sot, shqiptarëve të vegjël u tregohet një histori e tmerrshme, se si u testua për forcë, bunkeri i parë: Enver Hoxha urdhëroi që inxhinieri të mbyllej brenda dhe më pas të godiste me zjarr të drejtpërdrejtë, nga një tank. Bunkeri mbijetoi, por inxhinieri u çmend dhe përfundoi në Spitalin Psiqiatrik, ku dhe vdiq vite më vonë. Dhe këtu është kryeqyteti i Shqipërisë me diell – Tirana, një qytet shumë i bukur, ku mund të bësh një film për Moskën e Stalinit, në vitet 1930-të. Një ndërtesë tipike për ne. Por rrokaqiejt prej xhami dhe betoni, janë shfaqur tashmë në qendër, dhe përgjatë skajeve – i njëjti shkatërrim, si në një qytet mesdhetar të rajonit.

    Në sheshin kryesor, ndodhet monumenti madhështor i Skënderbeut, një kalorës luftarak me brirë dhie në përkrenare, i cili luftoi për pavarësinë e Shqipërisë nga turqit në shekullin e 15-të. Disa, megjithatë, besojnë se ky është një monument i “Konjakut”. Vërtet ky është emri i një konjaku të mirë shqiptar i quajtur “Skënderbe”. Epo, të gjithë mendojnë sa më mirë, për shthurjen e tyre. Dikur në televizionin bardh e zi, u shfaq filmi; “Luftëtari i madh i Shqipërisë, Skënderbeu”. Kështu ky film u xhirua nga Yutkevich, në vitin 1953, së bashku me kineastët shqiptarë dhe madje mori një çmim në Festivalin e Filmit në Kanë. Nuk dihet se ku e kanë çuar “Kineastët shqiptarë”, sepse ishte filmi i parë në historinë e Shqipërisë!

    Megjithatë, në Tiranë ka edhe kinema. Shtëpitë në të cilat jetojnë tiranasit të thjeshtë, si koshere bletësh, janë të mbushura me apartamente të vogla. Muret midis apartamenteve, ishin bërë të holla, shumë të holla dhe gjithçka për të pasur një dëgjueshmëri të mirë. “Big Brother”, dinte gjithçka. Edhe për të vizituar të afërmit e fshatit, një banor shqiptar i qytetit, duhej të merrte leje nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore vendase. (Sigurimi i Shtetit).

    Në qytet ka xhami dhe objekte të tjera kulti. Dhe kjo të kënaq, sepse në vitin 1967, (kur autoritetet tona, e shikonin pagëzimin e foshnjave me gishta), Shqipëria e shpalli veten shteti i parë ateist në botë. Xhamitë dhe kishat u kthyen në stalla dhe priftërinjtë më të pabindur, u vendosën pas murit, për t’u ekzekutuar. Por shqiptarët nuk mbetën pa Zot në kokë. Sepse idhulli kryesor për Shqipërinë, ishte Stalini, të cilin Enver Hoxha, thjesht e kishte idhull dhe e admironte, prandaj ai, emëroi qytete dhe rrugë për nder të tij, e ngriti shumë monumente. Në qendër të Tiranës, ai planifikoi të ndërtonte një Mauzoleum të Stalinit – pasi Nikita Hrushovi, ekspozoi kultin e individit në vitin 1956, stalinisti Hoxha, kërkoi që trupi i të dashurit të tij, Joseph Vissarionovich, të transferohej në Shqipëri. Kur Molotov vdiq në Moskë, në vitin 1986, në Shqipëri u shpall zi.

    Sot në rrugët e Tiranës – sheh “Mercedes”, shumë të mirë, por ka edhe tipe të vjetra. Dikur shqiptarëve nuk u duheshin as garazhe – pasi në pronën personale, lejohej të kishte vetëm një mjet transporti – një biçikletë. Telefoni fiks, ishte një punë e madhe (edhe pse sot në rrugët e Tiranës, mund të blini telefona të çdo marke). Xhinset, konsideroheshin modë e huaj dhe si shenja kryesore e borgjezisë perëndimore.

    Në rrugët e Tiranës ka disa tregje me mallrat e përdorura, me një mori këpucësh të konsumuara, kryesisht në një këmbë – majtas ose djathtas. Këtu janë edhe gomarët e vegjël, që rrethuan grumbullin e plehrave dhe gjetën diçka në të. Në përgjithësi, gomarët janë mjeti kryesor i transportit, për banorët e fshatit. Ata janë ende si mjet për të lëruar tokën. Duke lëvizur përgjatë një autostrade të sapondërtuar, herë pas here, parakaloni një “automjet” të tillë, me veshë të lidhur, në një karrocë me shalqinj, të cilët, meqë ra fjala, janë shumë të lira.

    Shqiptarët janë patriotë të mëdhenj, prandaj në shtëpitë e tyre, varen dy flamuj njëherësh – ai i vendi të tyre dhe shtetin ku aktualisht, punon kryefamiljari i tyre, si punëtorë emigrant. Dikush mund të gjykojë, se si po rritet mirëqenia e shqiptarëve, nga grumbulli i telave që rrethojnë shtëpitë – por instalimet elektrike të vjetra, nuk mund të përballojnë më ngarkesën, nga pajisjet moderne shtëpiake. Nuk ka më monumente të Stalinit dhe Enver Hoxhës në Tiranë, por kishte skulptura të Nënë Terezës (ajo, me sa duket, ishte shqiptare!). Epo, kjo është e gjitha. Po, harrova fare, mos harroni të merrni me vete, suvenirin më të mirë – konjakun shqiptar; “Skënderbeu”.

    Enver Halil Hoxha (lindur më 16 tetor 1908, Gjirokastër, Perandoria Osmane – 11 Prill 1985, Tiranë, Shqipëri) – politikan shqiptar, udhëheqës de fakto i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në vitet 1944-1985, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (më pas së Punës) së Shqipërisë (1941 – 1985), Kryetar i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë (1946-1954), Ministër i Jashtëm i Shqipërisë (1946-1953) dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë (1944-1985).

    Krijuesi i “enverizmit” marksist, i karakterizuar nga lufta kundër revizionizmit sovjetik

    Enver Hoxha lindi në qytetin e Gjirokastrës në Shqipërinë e Jugut, i cili në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Babai i tij, një tregtar pëlhurash, udhëtonte vazhdimisht nëpër Evropë, kështu që xhaxhai i tij, Hysen Hoxha, merrej kryesisht me edukimin e tij. Hysen Hoxha, ishte mbështetës i pavarësisë së Shqipërisë (Enveri ishte katër vjeç kur Shqipëria fitoi pavarësinë) dhe luftëtar kundër politikave represive të qeverive që drejtuan vendin, pas fitimit të pavarësisë. Enveri u frymëzua nga idetë e xhaxhait të tij, veçanërisht pas ardhjes së Mbretit Zog në pushtet, në vitin 1928.

    Në vitin 1926, Hoxha a mbaroi shkollën fillore në Gjirokastër, më pas Liceun në qytetin e Korçës (në verën e vitit 1930). Ai ishte i dhënë pas muzikës, shkruante poezi, organizonte marrëveshje (takime) dhe mbrëmje letrare. Në moshën 25-vjeçare, Enveri, i cili arriti të zotëronte frëngjisht dhe turqisht, botoi në shtyp dhe filloi të njihej me veprat e Marksit, Engelsit dhe Leninit. Në tetor 1930, Hoxha hyri në Universitetin e Montpellier në Francë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku studioi me bursë shtetërore nga qeveria e Mbretit Zog, por shpejt u përjashtua. Historiografia komuniste zyrtare, përmend arsyen – aderimin në idetë komuniste dhe nga viti 1934, deri në vitin 1936, kur ai ishte sekretar i konsullatës shqiptare në Bruksel, gjithashtu studioi Drejtësi në universitetin vendas dhe ishte anëtar i rrethit studentor, nën drejtimin e bashkë-atdhetarit të tij, Llazar Fundo.

    Gjithnjë sipas historiografisë së para viteve ’90-të, Hoxha u njoh me drejtuesit e seksionit shqiptar të Partisë Komuniste Franceze, si dhe me figura të shquara komuniste, si; M. Cachin, Moris Thorez, Anry Barbusse, Luis Aragon, etj. Hoxha bashkëpunoi në “Humanite”, redaktoi buletinin komunist shqiptar. Ai admironte aktivitetet e Stalinit dhe të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (bolshevikët), duke besuar se Shqipëria, kishte nevojë për një parti të tillë. Enveri përktheu në shqip, fjalimet më të rëndësishme të Stalinit, rezolutat e Partisë Bolshevike dhe fjalimet e krerëve të Kominternit. Enver Hoxha, duke qenë anëtar i Partisë Komuniste Franceze, udhëtoi në Belgjikë, në vitet 1935-1936, ku u bashkua me Partinë Komuniste Belge dhe ka botuar në shtypin e saj.

    Hoxha në artikujt e tij, kritikonte trockistët, buharinitët, “monarko-fashistët shqiptarë” (regjimin e Mbretit Ahmet Zogu). Seksionet greke dhe italiane të Kominternit, e ndihmuan Hoxhën të krijonte lidhje me Lëvizjen Komuniste në Shqipëri, që ishte ilegale, e cila kërkonte të krijonte partinë e saj komuniste. Në pranverën e vitit 1936, ai u kthye në Shqipëri dhe filloi të jepte mësime në gjuhën frënge në Liceun e Korçës. Hoxha u zgjodh në krye të Grupeve Komuniste të Korçës e Tiranës dhe në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër, kryesoi një grup të tillë. Në vitin 1938, kreu i komunistëve të Korçës, Ali Kelmendi, vdiq nga sëmundja e tuberkulozit, në një spital të Parisit. Hoxha, i mbështetur nga seksionet greke dhe franceze të Kominternit e, personalisht nga Gjergj Dimitrov, drejtoi këtë grup.

    Hoxha, humbi punën e tij të mësuesit, kur trupat e Musolinit pushtuan Shqipërinë në prill 1939, sepse ai refuzoi të bashkohej me Partinë Fashiste Shqiptare. Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Kominternit, Hoxha u takua në Shqipëri, së bashku me dy asistentë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha.

    Gjykata e pushtimit italian, e dënoi Hoxhën me vdekje në mungesë. Por pavarësisht kësaj, ai u angazhua në mënyrë aktive në veprimtari antifashiste: shkroi proklamata dhe artikuj, organizoi, punonte me punëtorët në vendburimet e naftës, prerjet e drurit, portet detare, sindikatat, mori pjesë në protesta kundër pushtuesve italianë. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi një pozicion drejtues në Partinë Komuniste të Shqipërisë, e cila asokohe po krijohej. Në Shqipëri, sabotimet dhe aktet e tjera kundër italianëve, u bënë më të shpeshta. Njësitë partizane, u angazhuan gjithnjë e më shumë në beteja me pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre.

    Ai filloi punë si shitës i një dyqan duhani në Tiranë, i cili shpejt u bë vendtakimi i një grupi të vogël komunist. Konferenca e fshehtë e komunistëve të Shqipërisë, e mbledhur në Tiranë më 8 nëntor 1941, shpalli krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Sekretar i parë i saj, u zgjodh rivali i Hoxhës, Koci Xoxe. Enveri u bë zëvendës i Xoxes. Ai u miratua më pas edhe si kryekomandant i formacioneve partizane. Lëvizja partizane më aktive, ishte në Shqipërinë e Jugut, drejtues të saj ishin Enver Hoxha, Koci Xoxe, Spiro Moisiu, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Bedri Spahiu dhe Myslym Peza.

    Hoxha në vitin 1942, u martua me 20-vjeçaren Nexhmie Xhunglinin, e sektit mysliman, rufai, vajzën e një përgjegjësi konvikti, me origjinë nga qyteti i Dibrës. Ajo u bë një bashkëshorte me të njëjtat mendime dhe ide, në të gjitha përpjekjet e luftën e tij. Ajo ishte ‘de facto’ anëtare e Byrosë Politike, sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë (siç filloi të quhej Fronti Nacionalçlirimtar, i krijuar në vitin 1943, pas vitit 1946).

    Pas disfatës së nazistëve në Stalingrad dhe Kursk si dhe operacioneve të suksesshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare (UNÇSH), iniciativa strategjike në Shqipëri, iu kalua tërësisht komunistëve. Në vitin 1944, trupat gjermane në Shqipëri u mundën, mbetjet e tyre shkuan në Jugosllavi, (UNÇSH), mori pjesë në çlirimin e Malit të Zi, Bosnjës, Maqedonisë dhe Kosovës. Nga tetori i vitit 1944, Enver Hoxha u bë kryeministër dhe njëkohësisht ministër i Jashtëm në qeverinë e sapoformuar. Enver Hoxha, qëndroi komandant i përgjithshëm deri në vdekjen e tij. Në Konferencën e Potsdamit (1945), Stalini e paralajmëroi Churchillin, kundër realizimit të planeve për ndarjen e Shqipërisë.

    Hoxha e shpalli veten marksist-leninist të vendosur dhe admironte personalitetin e Stalinit, i cili i deklaroi personalisht Hoxhës, mbështetjen e tij për Shqipërinë e re gjatë vizitës së tij në BRSS, (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) në qershor 1945. Hoxha mori pjesë në Paradën e Fitores, ishte në Stalingrad, mori garanci për ndihmën teknike dhe shkencore sovjetike. Tashmë në gusht 1945, anijet e para sovjetike, mbërritën në Shqipëri me ushqime, pajisje, makineri dhe ilaçe.

    Këshilltarë ushtarakë, gjeologë, naftëtarë, inxhinierë, projektues, mësues, mjekë, specialist të fushave të ndryshme, etj., filluan të vinin në vend nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Qindra studentë shqiptarë, filluan të studionin në universitetet sovjetike. Enver Hoxha, thoshte po atë vit, se Shqipëria, kishte përpara industrializimin, kolektivizimin, “riedukimi kulturor i popullit” dhe do të ndiqte rrugën e BRSS-së.

    Menjëherë pas luftës, filloi një konflikt mes Hoxhës dhe Titos. Tito, Gjilas dhe Eduard Kardelj, e bindën Enverin, të mbështeste idenë e formimit të një konfederate dhe bashkimit të Shqipërisë në Jugosllavi. Por Hoxha ishte i bindur dhe ai i kërkoi Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, që Shqipëria të bëhej Republikë e shtatë e Jugosllavisë, por ajo gjë nuk u aprovua nga Koci Xoxe, etj. Por bashkimi politikat e Titos ishin një rrezik evident dhe Moska zyrtare paralajmëroi Tiranën zyrtare, se Beogradi po mashtronte udhëheqjen staliniste me në krye Enver Hoxhën. Kur ish-aleatët e tij, komunistët jugosllavë, ideologjikisht ndanë rrugët me Moskën në vitin 1948, Enver Hoxha i ndërpreu menjëherë marrëdhëniet me ta.

    Enver Hoxha dhe mbështetësit e tij, të përkrahur nga Moska, në vitin 1947, vunë veton në parti dhe Enveri, përveçse sekretar i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, mbajti dhe disa poste të tjera, si ministër i Mbrojtjes Popullore, Ministër i Jashtëm, Komandant i Përgjithshëm të Forcave të armatosura, Kryetar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik, kurse Mehmet Shehu, forcoi pozitat zëvendës i tij i parë. Më vonë, në vitin 1954, Shehu u emërua kryeministër.

    Në verën e vitit 1947, Hoxha erdhi sërish në BRSS. Stalini i dha Urdhrin e “Suvorovit”, të cilin Enveri e mbante gjithmonë gjatë ceremonive zyrtare. Shqipërisë iu dha një kredi e butë, për blerjen e një sërë mallrash sovjetike. Hoxha deklaroi në një darkë në Kremlin, se; “Stalini dhe Bashkimi Sovjetik janë shpëtimtarët dhe shokët tanë. Ne shqiptarët, ju betohemi për miqësi dhe përkushtim të përjetshëm”. Shqipëria aderoi në KNER (Komiteti i Ndihmës Ekonomike dhe Reciproke), në vitin 1950 dhe gjithashtu edhe në Traktatin e Varshavës, në vitin 1955.

    Me emrin e Enver Hoxhës, u pagëzua një uzina mekanike e ndërtuar në Tiranë në vitin 1946 me ndihmën e BRSS-së dhe më pas edhe Uzina e Autotraktorëve mori emrin e tij. Më pas, emri i Hoxhës iu dha shumë fabrikave, fermave, kooperativave bujqësore, rrugëve, shkollave, u shkrua me germa të mëdha në shpatet e maleve, si dhe Universitetit Shtetëror të kryeqytetit. Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste Shqiptare (më pas u quajt Partia e Punës), i mbajtur në vitin 1948, deklaroi aderimin në përvojën e BRSS-së dhe Partisë Komuniste Sovjetike (bolshevike), duke shprehur solidaritetin me Kominformbyronë dhe u bëri thirrje shqiptarëve, të ndiqnin rrugën e “Baba Stalinit”, për realizimin e planeve pesëvjeçare

  • Demir Reshiti: Vështrim për librin “Një amerikane në Kosovë 1981–1997” të autores Janet Reineck

    Demir Reshiti: Vështrim për librin “Një amerikane në Kosovë 1981–1997” të autores Janet Reineck

    DRITARJA DREJT NJË BOTE QË NUK ËSHTË MË

    Libri Një amerikane në Kosovë 1981–1997 i antropologes dhe humanistes amerikane Janet Reineck përfaqëson një dëshmi të rrallë, të thellë dhe jashtëzakonisht njerëzore për Kosovën e fund-shekullit XX, në një periudhë kur jeta tradicionale shqiptare ishte ende e gjallë, por njëkohësisht në prag të shkatërrimit nga represioni politik dhe lufta. Vepra ndërthur në mënyrë organike rrëfimin autobiografik, vëzhgimin etnografik dhe kujtesën historike, duke krijuar një tekst që lexohet njëkohësisht si ditar personal, studim kulturor dhe akt i thellë empatie njerëzore.

    Forca kryesore e librit qëndron në perspektivën e autores. Reineck nuk shfaqet si vëzhguese e distancuar akademike, por si pjesëmarrëse aktive në jetën e përditshme të shqiptarëve të Kosovës. Ajo jeton me familjet vendase, ndan punët, ritualet, gëzimet dhe frikërat e tyre, duke e kuptuar kulturën “përmes të gjitha shqisave”. Kjo afërsi e sinqertë e çliron tekstin nga klishetë orientaliste dhe i jep rrëfimit autenticitet dhe ndershmëri.

    Struktura e librit, e ndarë në tri pjesë kronologjike, pasqyron njëkohësisht zhvillimin personal të autores – nga studente dhe valltare e folklorit, në studiuese të pjekur e më pas punonjëse humanitare dhe nënë – dhe transformimin dramatik të vetë Kosovës. Pa retorikë politike të drejtpërdrejtë, Reineck arrin të tregojë se si represioni, frika dhe padrejtësia depërtojnë gradualisht në jetën e përditshme, duke e shndërruar shoqërinë në një normalitet të brishtë dhe të përkohshëm.

    Gjuha e librit është e ngrohtë, përshkruese dhe vizuale. Detajet e vogla të jetës së përditshme ndërtojnë një mozaik kulturor që sot ka edhe vlerë dokumentare. Në këtë kuptim, libri funksionon si një arkiv emocional i një bote që, siç e pranon edhe vetë autorja, në pjesën më të madhe tashmë nuk ekziston më.

    Opoja – zemra etnografike dhe emocionale e librit

    Brenda këtij rrëfimi të gjerë, kapitujt kushtuar Opojës përbëjnë boshtin më të thellë etnografik dhe emocional të librit. Pikërisht në këtë krahinë malore të Kosovës jugperëndimore, Janet Reineck realizon hulumtimin e saj më të rëndësishëm dhe përjeton shndërrimin më të madh personal. Opoja nuk paraqitet si një hapësirë periferike, por si një univers kulturor i plotë, me kode të forta morale, ritme arkaike dhe një ndjenjë të thellë përkatësie kolektive.

    Në Opojë, tradita nuk shfaqet si relike muzeale, por si praktikë e përditshme. Këngët karakteristike, vallet epike të burrave, ritmet e ashpra dhe muzika e papërpunuar funksionojnë si gjuhë simbolike përmes së cilës komuniteti artikulon historinë, nderin dhe qëndrueshmërinë e tij. Reineck nuk i vëzhgon këto forma nga distanca, por i përjeton përmes trupit dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë, duke kaluar nga roli i vëzhgueses akademike në atë të pjesëmarrëses së përfshirë.

    Përmes figurave vendase, si Xhemali Berisha, autorja fiton qasje në strukturat e brendshme të jetës shoqërore opojane: hierarkitë gjinore, kodet e nderit, rolin e burrërisë dhe pozitën e gruas. Ky rend shoqëror përshkruhet pa idealizim, me ndershmëri analitike, duke pranuar njëkohësisht bukurinë, solidaritetin dhe kufizimet e tij. Opoja shfaqet si një shoqëri e rregulluar nga norma të forta zakonore, por edhe nga një ndjenjë e thellë përgjegjësie kolektive.

    Një dimension i rëndësishëm i këtyre kapitujve është raporti midis izolimit gjeografik dhe ruajtjes së autenticitetit kulturor. Falë largësisë nga qendrat urbane dhe pushteti shtetëror, Opoja ka ruajtur forma të lashta të organizimit shoqëror dhe shprehjes kulturore. Megjithatë, autorja nuk e romantizon këtë izolim, duke e paraqitur atë edhe si burim varfërie, kufizimi dhe pasigurie në një kontekst politik gjithnjë e më represiv.

    Lidhja shpirtërore e Janet Reineck me Opojën

    Ajo që i jep pjesës për Opojën një dimension të veçantë përmbyllës është fakti se lidhja e Janet Reineck me këtë trevë nuk mbetet e kufizuar në kohën e studimit. Për Janet Reineck, Opoja nuk ishte vetëm një subjekt studimi antropologjik, por një vend ku ajo gjeti një formë ‘pastërtie’ shpirtërore dhe njerëzore. Përmes syve të saj, Opoja e viteve ’80 na shfaqet si një vend ku varfëria materiale nuk e mposht dot pasurinë e kodeve morale dhe njerëzore. Edhe sot, ajo ruan një lidhje të fortë emocionale me Opojën dhe me njerëzit e saj, duke e konsideruar këtë krahinë jo vetëm si terren hulumtimi, por si vend përkatësie shpirtërore. Kjo lidhje është ndërtuar jo vetëm përmes fjalës dhe kujtesës, por edhe përmes përjetimit të drejtpërdrejtë kulturor.

    Një shprehje e qartë e kësaj përkatësie është raporti i saj i veçantë me vallen e burrave të Opojës. Janet Reineck nuk e mësoi këtë valle thjesht si formë folklorike, por e jetoi atë si gjuhë identitare të komunitetit. Vallëzimi i saj i shkëlqyer i valleve të burrave – në një shoqëri ku kjo valle simbolizon nderin, forcën dhe dinjitetin kolektiv – u shndërrua në një shenjë të heshtur, por të fuqishme pranimi. Përmes valles, autorja kapërceu kufijtë simbolikë mes “të huajës” dhe “të vetës”.

    Kjo marrëdhënie e ndërsjellë është njohur edhe nga vetë komuniteti lokal, përkatësisht komuna e Sharrit e cila e ka shpallur Janet Reineck Qytetare Nderi. Ky akt simbolik nuk përfaqëson vetëm mirënjohje formale, por dëshmon se autorja u pranua si pjesë e botës shpirtërore dhe kulturore të kësaj treve. Çdo herë që Janet kthehet në fshatrat e Opojës, ajo pritet me dyer hapura si një familjare. Titulli ‘Qytetare Nderi’ është vula e një dashurie të ndërsjellë: Opoja e adoptoi Janetin si bijën e vet, ndërsa Janet e mbajti Opojën si busullën morale të jetës së saj.

    Në këtë kuptim, Opoja në librin e Reineck-ut nuk është vetëm një kapitull i së shkuarës, por një prani e gjallë që vazhdon të ndikojë në jetën dhe identitetin e autores. Lidhja e saj me Opojën, e ndërtuar përmes jetesës së përbashkët, kujtesës dhe valles, i jep librit një dimension etik të rrallë: një dëshmi se njohja e vërtetë kulturore nuk përfundon me shkrimin e librit, por vazhdon si marrëdhënie njerëzore e qëndrueshme.

  • George Orwell dhe alegoria politike te vepra monumentale “Ferma e Kafshëve”

    George Orwell dhe alegoria politike te vepra monumentale “Ferma e Kafshëve”

    Letërsia botërore ka tituj dhe autorë, të cilët kanë vënë gurthemele të mëdhenj të mendimit dhe shprehjes, të idesë dhe filozofisë, të mesazhit dhe figurshmërisë, alegorisë dhe groteskut… të gjithë atij ansambli vlerash dhe qëllimsishë., Në këtë univers të parrokshëm, “Ferma e Kafshëve” e George Orwellit ka ardhur për të mbetur një shënjim të atij misioni të lartë që pena mëton, urtësisht, artistikisht dhe kurajshëm.

    “Ferma e Kafshëve” është një novelë alegorike nga George Orwell. Ajo u botua s’pariherë në Angli më 17 gusht 1945. Sipas shkrimtarit, libri reflekton ngjarjet që çuan në Revolucionin Rus të vitit 1917 dhe më pas në epokën staliniste të Bashkimi Sovjetik. Orwell si një socialdemokrat, ishte një kritik i ashpër i Josif Stalin, gjithashtu dhe armiqësor ndaj Moskës, drejtuar stalinizmit. Qëndrim, i cili ishte formuar në mënyrë kritike nga përvoja e tij personale gjatë Luftës Civile Spanjolle. Ai besonte se në Bashkimi Sovjetik ishte instaluar një diktaturë brutale, e ndërtuar mbi një kult të personalitetit dhe i zbatuar nga një sundim terrori. Në një letër drejtuar Yvonne Davet, Orwell e përshkroi librin “Ferma e Kafshëve” si një përrallë satirike kundër Stalinit. Në esse-në e tij “Pse unë shkruaj ” (1946), George Orwell shkroi se “Ferma e Kafshëve” ishte i pari libër, në të cilin ai u përpoq, me vetëdijen e plotë të asaj që po bënte, “për të bashkuar qëllimin politik dhe qëllimin artistik në një tërësi”.

    “Ferma e Kafshëve” ka fituar statusin si një prej 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze, sipas “Time Magazine.

    Idenë e këtij libri ai e kristalizoi në kohën kur ai detyrohej që të ikte nga spastrimet e komunistëve në Spanjë, e kishte inspiruar atë që të kuptojë se “sa lehtë propaganda totalitare mund ta kontrollojë mendimin e njërzve të ditur në vendet demokratike”.

    Për këtë ‘përrallë satirike në fermë’ Orwell u inspirua pasi që e pa një djalë të vogël që e rrahte kalin çdo herë kur ai nuk e merrte drejtimin që i thoshte djaloshi. “E kuptova se nëse edhe kafshët e kuptojnë fuqinë e tyre ne njerëzit nuk do kishin fuqi mbi ta, dhe se njerëzit i shfrytëzojnë kafshët njëjtë si të pasurit që e shfrytëzojnë proletariatin”. Orwell fillimisht kishte shumë vështirësi në marrjen e dorëshkrimit për këtë libër, e kryesisht kjo frikë ishte për shkak të ndjenjave të tij anti-ruse.
    Libri më në fund u pranua për t’u botuar nga botuesi britanik, Jonathan Cape. Mirëpo edhe kësaj kompanie nuk iu deshtë shumë për të ndryshuar mendje. Kjo sepse botuesi u kërcënua nga Peter Smollet, një zyrtar i qeverisë ruse.

    Bota përball këtij libri u nda më dysh. Kritika nuk u kursye ta fshikullojë. E megjithatë ai pati një sukses të padikutueshëm. Ai vërtetë nuk arriti të rrëzonte stalinizmin nga sundimi gjakatar dhe mizoritë që ushtroi ndaj popullit rus, por ama e denoncoi atë botërisht. Si pakkush, ai guxoi të sulmonte me penë një armik dhe një barbar. Gjithashtu ai i dha botës një mësim të vyer. “Ferma e Kafshëve” është alegoria politike më e famshme e shekullit të XX.

  • “Zootropolis 2” thyen rekorde dhe bëhet filmi më fitimprurës i animuar në Hollywood

    “Zootropolis 2” thyen rekorde dhe bëhet filmi më fitimprurës i animuar në Hollywood

    Filmi i ri i Disney, “Zootropolis 2” (i njohur edhe si “Zootopia 2”), ka arritur të grumbullojë 1.7 miliard dollarë amerikanë, duke e bërë atë filmin më fitimprurës të animuar në historinë e Hollywood-it. Kjo shifër tejkalon suksesin e filmit “Inside Out 2”, i cili në vitin 2024 arriti 1.69 miliard dollarë.

    Alan Berman, bashkëdrejtor në Disney, ka falënderuar fansat në mbarë botën, duke e cilësuar arritjen si një sukses të dedikuar entuziazmit dhe përkushtimit të tyre.

    Filmi renditet i nënti në listën e filmave më fitimprurës të të gjitha kohërave, krahas prodhimeve të njohura si “Titanic” (1997), “Star Wars: The Force Awakens”, “Avengers: Endgame”, dhe franshizës “Avatar”.

    Megjithatë, rekordin absolut për filmat e animuar në nivel global e mban “Ne Zha 2” nga Kina, me 2.2 miliard dollarë.

    Për më tepër, “Zootropolis 2” është gjithashtu produksioni më i shpejtë i animuar në Hollywood që ka arritur shifrën 1 miliard dollarë në arkat globale, duke treguar ndikimin dhe popullaritetin e jashtëzakonshëm të filmit.

  • Ramiz TAFILAJ: DY VËLLEZËR, DY ÇANTA SHKOLLE, NJË FLAMUR, RRËFIMI QË PO E NXJERR KOSOVËN NGA HARTA E VOGËL

    Ramiz TAFILAJ: DY VËLLEZËR, DY ÇANTA SHKOLLE, NJË FLAMUR, RRËFIMI QË PO E NXJERR KOSOVËN NGA HARTA E VOGËL

    Nga Prishtina në Orlando. Nga mungesa e fondeve te medaljet e arta. Një histori që nuk duhet të kalohet në heshtje.
    Në një shtëpi modeste në Kosovë, aty ku mbrëmjet shpesh mbyllen me libra të hapur e jo me lodra, rriten dy djem që po ia ndryshojnë fytyrën shpresës shqiptare. Gjini dhe Lumi Rrahmani, dy vëllezër të vegjël në moshë, por gjigantë në dije, janë sot emra që po përmenden në sallat më prestigjioze të garave shkencore botërore.
    Kjo nuk është një histori luksi. Nuk është një histori privilegji.
    Është një histori sakrifice, mungese, këmbënguljeje dhe besimi të verbër te dija.
    Ndërsa shumë fëmijë rriten mes telefonave dhe lojërave, Gjini dhe Lumi u rritën mes formulave, eksperimenteve dhe pyetjeve që nuk kanë përgjigje të thjeshta. Që herët u dallua se këta dy djem nuk ishin të zakonshëm.
    Ata nuk mësonin për nota, por për të kuptuar botën.
    Prindërit e tyre, Xhevdet Rrahmani dhe Linda Jashanica Rrahmani, e panë talentin, por edhe barrën. Sepse ta rrisësh talentin në Kosovë shpesh do të thotë të luftosh vetëm. Me paga modeste, me dyer institucionesh pjesrisht të mbyllura dhe me shpresën se “dikush do ta vërejë”.
    Shpesh, netët përfundonin me një pyetje të dhimbshme:
    A do të kemi para për udhëtimin e radhës?
    Gjini dhe Lumi nuk garojnë për vete. Ata garojnë për Kosovën. Por Kosova, jo gjithmonë, ka qenë pranë tyre.
    Ata kanë përfaqësuar vendin tonë në SHBA, Emiratet e Bashkuara Arabe, Itali, Holandë, Egjipt, Malajzi dhe shumë vende të tjera. Në secilin udhëtim, çantat e tyre ishin të lehta me rroba, por të rënda me përgjegjësi: të mos e zhgënjejnë kombin.
    Në shkencë, inteligjencë artificiale, biologji, matematikë, kodim dhe gjuhë angleze, ata u kthyen vazhdimisht fitues, duke marrë vende të para dhe medalje të arta, shpesh përballë nxënësve që kishin pas vetes shtete të fuqishme dhe sponsorë të mëdhenj.
    Në Orlando, Florida, në Neo Science Olympiad, ndodhi ajo që tashmë është bërë model i heshtur i suksesit shqiptar:
    Vendi i Parë në Inteligjencë Artificiale – Medalje e Artë
    Biologji “Best of the Best” – Medalje e Artë
    Matematikë – Medalje e Bronztë.
    Dy djem nga Kosova, një shtet i vogël, pa buxhete të mëdha, pa mbështetje të strukturuar, qëndruan në podium përkrah flamujve më të fuqishëm të botës.
    Dhe sërish, pas duartrokitjeve, u kthyen në realitet:
    Shpesh, Gjini dhe Lumi janë detyruar t’u drejtohen komuniteteve shqiptare, jo për luks, por për bileta avioni, për tarifa regjistrimi, për një shans tjetër. Shpesh, përgjigjja ka qenë heshtja.
    Herë pas here – një ndihmë. Por asnjëherë siguri.
    Në një shtet që flet për të ardhmen, këta dy fëmijë po e ndërtojnë atë pa garanci.
    Në muajin gusht, Gjini dhe Lumi pritet ta përfaqësojnë sërish Kosovën në Kanada. Ky nuk është thjesht një udhëtim tjetër. Është një provë për ne si shoqëri.
    A do t’i lejojmë këta yje të shuhen nga mungesa e mbështetjes?
    Apo do të tregojmë se dimë ta mbrojmë dijen tonë?
    Thirrje institucioneve, Ministrisë së Arsimit, biznesit dhe mërgatës shqiptare: Mos i lini vetëm.
    Një shtet nuk matet me fjalë, por me mënyrën se si i trajton fëmijët e tij më të talentuar.
    Gjini dhe Lumi Rrahmani nuk janë vetëm dy emra.
    Ata janë pasqyra e asaj çfarë mund të bëhet Kosova nëse investon në dije.
    Nëse sot nuk i ndihmojmë, nesër nuk kemi të drejtë të ankohemi pse talenti ikën.
    Sepse këta dy djem nuk po kërkojnë mëshirë – po kërkojnë mundësi për ta bërë Kosovën krenare, sërish dhe sërish.
  • Brenda rafinerisë zvicerane që prodhon lingotat e arit të çmuar

    Brenda rafinerisë zvicerane që prodhon lingotat e arit të çmuar

    Sekreti i një suksesi pothuajse shekullor është të mos biesh në sy. Në Castel San Pietro, një qytet me rreth dy mijë banorë në Kantonin Ticino të Zvicrës, një ndërtesë industriale e vogël dhe e thjeshtë fsheh pas pamjes anonime tonelata ari. Pas një gardhi dhe një vije të lehtë me tela me gjemba, ndodhet një nga qendrat më të rëndësishme të industrisë globale të arit, rafineria MKS PAMP.

    Çdo vit, në korridoret e kësaj fabrike kalojnë sasi të mëdha metali të çmuar. MKS PAMP është një nga gjashtë rafineritë zvicerane që kanë një rol kyç, marrin arin bruto nga minierat e gjithë botës dhe e shndërrojnë në ar të pastër dhe të shkëlqyeshëm, të njohur në formën e tij finale nga tregjet dhe konsumatorët.

    Aktiviteti është intensifikuar ndjeshëm në javët e fundit, teksa çmimi i arit ka arritur pothuajse çdo ditë nivele rekord, i shtyrë nga tensionet gjeopolitike. Nga kjo rafineri del ari i destinuar për industrinë e bizhuterive, por edhe për banka dhe banka qendrore. Këtu prodhohen gjithashtu lingotat e famshme të arit.

    Një lingot standard, që peshon mbi 12 kilogramë, ka një vlerë prej rreth 1.5 milionë eurosh. Vetëm 21 lingota të vendosura mbi një paletë kapin vlerën e më shumë se 31 milionë eurove, një pasuri e jashtëzakonshme e përmbledhur në një hapësirë minimale.

    Në fabrikë punojnë rreth 300 persona në tre turne, gjashtë ditë në javë. “Këtu përpunojmë kryesisht ar, argjend dhe metale të grupit të platinit”, shpjegon drejtori menaxhues i impiantit, Phaedon Stamatopoulos. Lënda e parë vjen si nga minierat, në formën e metalit gjysmë të përpunuar, ashtu edhe nga burime dytësore, përfshirë banka, kompani tregtare dhe materiale të ricikluara nga industria e bizhuterive.

    Procesi i rafinimit nis nga blloqe prej 150 kilogramësh, të cilat përmes shkrirjes dhe trajtimeve kimike e elektrike shndërrohen në ar pothuajse të pastër. Në fund, ari merr forma të ndryshme, nga lingotat mikroskopike prej një grami, me vlerë rreth 150 euro, deri te lingoti standard.

    Industria e përpunimit të arit është jetike për ekonominë zvicerane. Në vitin 2024, pothuajse një e treta e eksporteve të Zvicrës përbëhej nga ari dhe metalet e çmuara, më shumë se industria farmaceutike dhe katër herë më shumë se industria e orëve. Rreth 25 përqind e arit botëror kalon çdo vit përmes Zvicrës.

    Rritja e fortë e çmimit të arit ka zgjeruar edhe bazën e investitorëve. Nga një aset i qëndrueshëm dhe mbrojtës, ari është kthyer në një mundësi fitimi me shifra dyshifrore, duke tërhequr gjithnjë e më shumë investitorë të vegjël. Përmes platformës Gold Avenue, e lidhur me MKS PAMP, çdokush mund të blejë edhe një gram ar, ta ruajë në kasafortë ose ta marrë në shtëpi.

    Transaksionet janë rritur me 80 përqind vetëm gjatë vitit të fundit, ndërsa 40 përqind e tyre vijnë nga investitorë italianë. Aktualisht, kompania administron rreth 650 milionë euro pasuri në ar për llogari të klientëve të saj, një e treta e të cilëve janë qytetarë italianë.

    Pas ndërtesave të padukshme dhe të sigurta të luginave zvicerane, ari vazhdon të mbetet një nga asetet më të fuqishme dhe më të kërkuara në botë.

  • Festivali i Artit Global kthehet në Ohio University për 20‑vjetorin

    Festivali i Artit Global kthehet në Ohio University për 20‑vjetorin

    Global Arts Festival, njëra nga ngjarjet kryesore kulturore në Ohio University, do të zhvillohet sërish këtë vit, nga 17 deri më 19 mars 2026, duke festuar 20 vjet të promovimit të lidhjeve ndërkulturore përmes artit. Programi do të përfshijë koncerte, valle tradicionale, performanca teatrore dhe ekspozita artistike nga grupe dhe artistë nga mbi 20 vende të botës. Organizatorët theksojnë se festivali është një platformë e fuqishme për të ndarë tradita të ndryshme kulturore dhe për të nxitur dialogun mes kombeve përmes artit.

  • New Delhi World Book Fair 2026 me rekord vizitorësh

    New Delhi World Book Fair 2026 me rekord vizitorësh

    New Delhi World Book Fair 2026 theksoi bashkëpunimin kulturor midis Indisë dhe Rusisë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e botës së librit.

    New Delhi World Book Fair 2026 u zhvillua nga 10 deri më 18 janar, duke bërë të mundur takimin e autorëve, botuesve dhe lexuesve nga e gjithë bota. Festivali këtë vit theksoi bashkëpunimin kulturor midis Indisë dhe Rusisë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e letërsisë si urë për dialog dhe njohje mes popujve. Ngjarja përfshiu stenda të veçanta, diskutime me autorë, sesione nënshkrimesh dhe punëtori për fëmijë, duke e kthyer këtë ngjarje në një festë të vërtetë të librit dhe kulturës.