ATV

Category: KULTURË

  • Oscar 2026: Mungesa e nominimeve për Ariana Grande dhe Cynthia Erivo ndez debat në Hollywood

    Oscar 2026: Mungesa e nominimeve për Ariana Grande dhe Cynthia Erivo ndez debat në Hollywood

    Shpallja e nominimeve për Çmimet Oscar 2026 ka sjellë reagime të forta, veçanërisht pas mungesës së emrave të Ariana Grande dhe Cynthia Erivo nga kategoritë kryesore të aktrimit. Të dyja aktoret interpretuan rolet ikonike të Glindës dhe Elphabës në adaptimin kinematografik të muzikorit “Wicked: For Good”, një projekt që u prit pozitivisht nga publiku.

    Megjithë vlerësimet për performancat vokale, prezencën skenike dhe kiminë mes tyre, Akademia nuk i përfshiu në listën e të nominuarve, duke nxitur diskutime të shumta brenda industrisë dhe në rrjetet sociale.

    Sipas burimeve të brendshme të Akademisë, ndonëse interpretimet u konsideruan mbresëlënëse, filmi në tërësi nuk arriti të krijojë peshën artistike të nevojshme për të mbështetur nominime individuale në kategoritë kryesore. Një votues anonim është shprehur se rolet “ishin të forta në nivel performativ, por jo vendimtare për garën e Oscar-it”.

    Një tjetër element që përmendet si ndikues është fushata intensive promovuese. Disa anëtarë të Akademisë thuhet se e kanë parë prezencën e shpeshtë të dyshes në evente, intervista dhe performanca si të tejkalkuluar, duke krijuar perceptimin e një strategjie të fortë PR-je që nuk u prit mirë nga të gjithë votuesit.

    Ndërkohë, në rrjetet sociale debati mori edhe një tjetër dimension, ku u diskutua presioni estetik në industrinë e filmit, pas komenteve për ndryshimet fizike të dy aktoreve gjatë turneut promovues – një çështje që ngjalli reagime të ndjeshme mes fansave.

    Mungesa e nominimeve ka rihapur diskutimin mbi kriteret e Akademisë, rolin e marketingut gjatë sezonit të çmimeve dhe balancën mes performancës artistike dhe perceptimit publik.

    Pavarësisht zhgënjimit të fansave, Ariana Grande dhe Cynthia Erivo vazhdojnë të konsiderohen ndër emrat më të rëndësishëm të muzikaleve bashkëkohore, ndërsa shumë kritikë janë të mendimit se kjo mospërfshirje nuk do të ndikojë negativisht në karrierat e tyre afatgjata.

  • Filma që sjellin në ekran tmerrin e Holocaust-it dhe duhen parë patjetër

    Filma që sjellin në ekran tmerrin e Holocaust-it dhe duhen parë patjetër

    Më 27 janar shënohet Holocaust Memorial Day, dita kur bota përkulet përpara kujtimit të rreth 6 milionë hebrenjve të vrarë gjatë një prej kapitujve më të errët të historisë njerëzore. Kjo datë përkon edhe me përvjetorin e çlirimit të kampit famëkeq Auschwitz-Birkenau, simbol i gjenocidit nazist.

    Kinematografia ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike, duke sjellë histori prekëse, tronditëse dhe thellësisht njerëzore nga ajo periudhë. Më poshtë janë 7 filma dhe mini-seriale që trajtojnë Holocaust-in dhe që vlejnë të shihen të paktën një herë në jetë.

    1. The Pianist (2002)
    Një rrëfim i dhimbshëm për mbijetesën e pianistit hebre-polake Władysław Szpilman, i cili përpiqet të shpëtojë mes shkatërrimit të Varshavës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një histori e heshtur, por jashtëzakonisht e fuqishme.

    2. La Vita è Bella (1997)
    Një film që kombinon dramën me humorin e hidhur, duke treguar për një baba që përpiqet ta mbrojë djalin e tij nga realiteti brutal i kampit të përqendrimit, duke e shndërruar tmerrin në një “lojë”.

    3. Schindler’s List (1993)
    Drama epike e Steven Spielberg rrëfen historinë e Oskar Schindlerit, një industrialist gjerman që shpëtoi mbi një mijë hebrenj duke i punësuar në fabrikat e tij.

    4. The Boy in the Striped Pajamas (2008)
    Historia e miqësisë së pafajshme mes dy djemve tetëvjeçarë, të ndarë nga një gardh kampi përqendrimi. Një film që godet fort emocionalisht dhe nxjerr në pah absurditetin e urrejtjes.

    5. Holocaust (1978)
    Mini-serial që ndjek fatin e dy familjeve gjermane – njëra hebreje dhe tjetra jo – duke treguar se si ideologjia naziste ndikoi në jetën, zgjedhjet dhe shkatërrimin e tyre.

    6. Train of Life (1998)
    Një qasje ndryshe, tragjikomike, që ndjek një komunitet hebre nga Europa Lindore në përpjekjen e tyre të dëshpëruar për t’i shpëtuar deportimit.

    7. Anne Frank: The Whole Story (2007)
    Mini-serial i bazuar në ditarin e famshëm të Anne Frank, që sjell historinë e saj dhe të familjes nga momenti i fshehjes deri te fundi tragjik.

  • Paddy Considine, jeta dhe roli tronditës i Father John Hughes në “Peaky Blinders”

    Paddy Considine, jeta dhe roli tronditës i Father John Hughes në “Peaky Blinders”

    Paddy Considine është një nga aktorët më të vlerësuar britanikë, i njohur për rolet e tij të errëta dhe emocionalisht të forta. I lindur në Angli më 1973, ai ka spikatur në filma si Dead Man’s Shoes dhe Tyrannosaur, si dhe në seriale të suksesshme televizive.

    Në sezonin e tretë të Peaky Blinders, Considine interpreton Father John Hughes, një prift katolik irlandez që konsiderohet si një nga antagonistët më shqetësues të serialit. Ai nuk përdor dhunë fizike, por frikë, manipulim dhe pushtet moral, duke krijuar një presion psikologjik të fortë ndaj personazheve.

    Interpretimi i qetë, i ftohtë dhe thellësisht i errët e bëri Hughes një figurë të urryer nga publiku, reagim që vetë aktori e ka cilësuar si dëshmi të suksesit të rolit.

  • Marilyn Monroe gjatë xhirimeve të “The Misfits”, filmi i saj i fundit para vdekjes tragjike

    Marilyn Monroe gjatë xhirimeve të “The Misfits”, filmi i saj i fundit para vdekjes tragjike

    Marilyn Monroe, një nga ikonat më të pavdekshme të historisë së kinemasë botërore, u shfaq për herë të fundit në ekranin e madh në filmin “The Misfits” (1961), një projekt që sot shihet si një pasqyrë e dhimbshme e fundit të jetës së saj.

    Filmi u drejtua nga John Huston, ndërsa skenari u shkrua nga Arthur Miller, bashkëshorti i saj i atëhershëm. Xhirimet u zhvilluan në shkretëtirën e Nevadës, në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë për aktoren, e cila po përballej me probleme serioze shëndetësore, varësi nga medikamentet dhe presion të madh emocional.

    Në “The Misfits”, Monroe interpreton rolin e Roslyn Taber, një grua e ndjeshme dhe e brishtë, e cila gjendet mes burrave të thyer nga jeta. Shumë kritikë e kanë parë këtë rol si një reflektim të drejtpërdrejtë të gjendjes së saj shpirtërore, duke e cilësuar performancën si një nga më autentiket dhe më prekëset e gjithë karrierës së saj.

    Filmi përfshin gjithashtu aktorë legjendarë si Clark Gable dhe Montgomery Clift, të cilët, ashtu si Monroe, po kalonin periudha të vështira personale. Ironikisht, “The Misfits” do të ishte edhe filmi i fundit i plotë për Clark Gable, i cili ndërroi jetë vetëm pak kohë pas përfundimit të xhirimeve.

    Pas publikimit të filmit në vitin 1961, Marilyn Monroe nuk realizoi më asnjë film artistik të plotë. Më 5 gusht 1962, vetëm një vit më vonë, ajo u gjet e pajetë në shtëpinë e saj në Los Anxhelos, në moshën 36-vjeçare. Vdekja e saj u shpall zyrtarisht si pasojë e mbidozës nga barbituratet, megjithëse rrethanat kanë mbetur të diskutueshme dhe vazhdojnë të nxisin teori të ndryshme edhe sot.

    “The Misfits” mbetet jo vetëm filmi i fundit i Marilyn Monroe, por edhe një dëshmi artistike e një gruaje që, pas glamurit dhe famës botërore, mbante një barrë të rëndë emocionale. Me kalimin e dekadave, filmi është rivlerësuar si një vepër e thellë ekzistenciale dhe si një lamtumirë e heshtur e një ylli që vazhdon të magjepsë botën.

    Marilyn Monroe mbetet edhe sot simbol i bukurisë, brishtësisë dhe tragjedisë së famës – një ikonë që nuk u shua kurrë, pavarësisht fundit të saj të parakohshëm.

  • Hollywood kundër inteligjencës artificiale: Johansson dhe Blanchett bashkë me 800 artistë thonë “Mjaft vjedhjes”

    Hollywood kundër inteligjencës artificiale: Johansson dhe Blanchett bashkë me 800 artistë thonë “Mjaft vjedhjes”

    Rreth 800 artistë nga fusha të ndryshme të artit kanë nënshkruar një letër të hapur, duke akuzuar kompanitë e teknologjisë për përdorimin e paautorizuar të veprave të mbrojtura me të drejta autoriale për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.

    Mes nënshkruesve janë emra të njohur si Scarlett Johansson, Cate Blanchett, grupi REM, si dhe krijuesi i serialit Breaking Bad, Vince Gilligan. Letra është publikuar nga lëvizja “Vjedhja nuk është inovacion”, pjesë e Fushatës Human Artistry.

    Në dokument, artistët kërkojnë që kompanitë e inteligjencës artificiale të ndërtojnë partneritete etike dhe ligjore, në vend të, siç thuhet, “vjedhjes së përmbajtjeve kreative”.

    “Komuniteti krijues i Amerikës është zilia e botës dhe kontribuon ndjeshëm në punësim, rritje ekonomike dhe eksporte. Megjithatë, disa nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë po përdorin punën e krijuesve pa autorizim dhe pa respektuar ligjin e të drejtave të autorit,” thuhet në letrën e hapur.

    Aktualisht, në Shtetet e Bashkuara janë rreth 60 padi aktive kundër kompanive të inteligjencës artificiale, të ngritura nga krijues dhe mbajtës të të drejtave autoriale. Procese të ngjashme po zhvillohen edhe në Evropë.

    Kompanitë e IA-së trajnojnë modelet e tyre me sasi të mëdha të dhënash – tekst, imazhe, muzikë dhe video – shumica e të cilave janë marrë nga interneti. Artistët pretendojnë se ky material është përdorur pa leje, ndërsa kompanitë mbrohen duke argumentuar se bëhet fjalë për “përdorim të drejtë” (fair use).

    Debati u përforcua më shumë në vitin 2024, kur Scarlett Johansson reagoi publikisht ndaj OpenAI, pasi një nga zërat e funksionit “Advanced Voice” ishte shumë i ngjashëm me zërin e saj në filmin Her (2013). Pas reagimit dhe ndërhyrjes ligjore, kompania vendosi ta ndalojë përdorimin e zërit të quajtur “Sky”.

    Çështja e të drejtave autoriale dhe inteligjencës artificiale po shndërrohet në një nga debatet më të mëdha globale mes teknologjisë dhe industrisë kreative.

  • Filmi me Luana Bajramin nominohet për Oscar

    Filmi me Luana Bajramin nominohet për Oscar

    Shpallja e të nominuarve për “Academy Awards”, trofeun më të madh në kinematografi, ka bërë bujë në botën e filmit. Në mesin e filmave të shkurtër që futen në garë për statujën e famshme është edhe produksioni ku luan aktorja me prejardhje nga Kosova, Luana Bajrami.

    Filmi i shkurtër “Two People Exchanging Saliva” (titull origjinal: Deux personnes échangeant de la salive) është bashkëprodhim ndërmjet Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bajrami interpreton rolin e Malaises, një shitëse naive dhe intriguese brenda një dyqani luksoz parizien.

    Produksioni spikat për estetikën e tij, ndarjen në kapituj dhe mënyrën eksperimentale të tregimit, duke kombinuar humor të hollë me kritikë sociale. Filmi është futur në mesin e pesë filmave të shkurtër të nominuar për Oscar, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e Bajramit dhe duke i hapur rrugë ndërkombëtare në industrinë e filmit.

  • Filmi “Sinners” i Ryan Coogler thyen rekord në nominimet për Oscar 2026

    Filmi “Sinners” i Ryan Coogler thyen rekord në nominimet për Oscar 2026

    Filmi i regjisorit Ryan Coogler, “Sinners”, ka vendosur një rekord historik në nominimet për Çmimet Akademike “Oscar” 2026, duke siguruar 16 nominime  më shumë se çdo film tjetër në histori. Ky projekt i njohur për kombinimin unik të dramës dhe elementeve të zhanrit udhëheq listën e nominimeve për Çmimet e 98-ta Akademike, duke përfshirë kategoritë kryesore si Filmi më i Mirë, Regjia më e Mirë dhe Skenari Origjinal.

    Me këtë arritje, “Sinners” ka lënë pas filma të famshëm si All About Eve, Titanic dhe La La Land, të cilët mbajtën më parë rekordin me nga 14 nominime secili.

    Nominimet e jashtëzakonshme përfshijnë edhe kandidaturën e Michael B. Jordan për Aktorin më të Mirë në Rol Kryesor, si dhe emërime në kategori teknike dhe artistike, duke treguar vlerësimin e gjerë të Akademisë për cilësinë e produksionit.

    Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 15 mars 2026, ku “Sinners” do të konkurrojë për disa nga çmimet më prestigjioze të industrisë së filmit, duke e bërë këtë një nga garat më të ndjekura të vitit në Hollivud.

  • Emma Stone thyen rekord historik në Oscar, duke lënë pas Meryl Streep

    Emma Stone thyen rekord historik në Oscar, duke lënë pas Meryl Streep

    Aktorja e njohur Emma Stone ka hyrë në historinë e Çmimeve Oscar, duke thyer një rekord që për dekada ishte mbajtur nga Meryl Streep. Pas shpalljes së nominimeve për Oscar 2026, Stone, 37 vjeçe, u bë gruaja më e re që arrin shtatë nominime në total në historinë e Akademisë.

    Këtë vit, ajo është nominuar për çmimin Aktorja më e Mirë për rolin e saj në filmin “Bugonia”, me regji të Yorgos Lanthimos. Përveç kësaj, Stone ka marrë edhe një nominim si producente, pasi filmi konkurron edhe në kategorinë “Filmi më i Mirë”.

    Me këto dy nominime, Emma Stone ka kaluar rekordin e Meryl Streep, e cila kishte arritur nominimin e saj të shtatë në moshën 38-vjeçare në vitin 1988. Megjithatë, Streep mbetet aktorja më e nominuar në historinë e Oscars, me gjithsej 21 nominime dhe tre fitore.

    Deri më tani, Emma Stone ka fituar dy herë çmimin Oscar për Aktoren më të Mirë: në vitin 2017 për “La La Land” dhe në vitin 2024 për “Poor Things”. Ajo është nominuar gjithashtu për role në filma si “Birdman” dhe “The Favourite”, si dhe si producente për “Poor Things”.

    Pas shpalljes së nominimeve, Stone u shpreh mirënjohëse ndaj Akademisë dhe ekipit të filmit “Bugonia”, duke veçuar regjisorin Yorgos Lanthimos për bashkëpunimin dhe lidhjen e tyre krijuese, që tashmë po shënon histori në Oscar.

  • Filharmonia e Kosovës sonte sjell koncertin e parë të vitit 2026 nën dirigjimin e Marco Crispo

    Filharmonia e Kosovës sonte sjell koncertin e parë të vitit 2026 nën dirigjimin e Marco Crispo

    Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, sonte prej orës 19:30, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, do të mbajë koncertin e parë për vitin 2026, me një program të veçantë.

    Nën dirigjimin e italianit Marco Crispo, koncerti sjell flautisten nga Franca Iris Daveiro si soliste, në një program që ndërthur ngjyrën impresioniste dhe identitetin e muzikës shqiptare.
    Programi:
    C. Ives — The Unanswered Question
    C. Debussy — Prélude à l’après-midi d’un faune
    J. Ibert — Koncert për flaut — Soliste: Iris Daverio
    F. Beqiri — Skënderbeu
    I. Stravinsky — Suita “Zogu i Zjarrit” (1919).

  • Publikohen nominimet për çmimet kryesore Oscar 2026

    Publikohen nominimet për çmimet kryesore Oscar 2026

    Nominimet për çmimet Oscar 2026 janë në prag të shpalljes në Hollywood, ku pritet që One Battle After Another, Hamnet dhe Sinners të kryesojnë listën.

    Aktorët Danielle Brooks dhe Lewis Pullman po i shpallin nominimet në emisionin Good Morning America në ABC, si edhe në kanalin e Oscars në YouTube.

    Kjo raund nominimesh vjen menjëherë pas Golden Globes, ku fitues dolwn One Battle After Another i Paul Thomas Anderson, me Leonardo DiCaprio në rol kryesor, si dhe drama prekëse Hamnet e Chloé Zhao, me Jessie Buckley në rolin e Agnes Hathaway, bashkëshortes së William Shakespeare-it, raporton The Independent, transmeton Gazeta Express.

    Sinners mund të thyejë rekordin për numrin më të madh të nominimeve në histori. Rekordi prej 14 nominimesh mbahet aktualisht nga All About Eve (1950), Titanic (1997) dhe La La Land (2016), por filmi me vampirë i Ryan Coogler mund ta tejkalojë këtë shifër falë nominimeve të shumta në kategorinë Kënga Origjinale.

    Ceremonia e 98-të e Çmimeve të Akademisë (Oscar) do të mbahet më 15 mars dhe do të prezantohet nga Conan O’Brien.