ATV

Category: KULTURË

  • Një sukses i jashtëzakonshëm që nga “Oppenheimer” – filmi “Project Hail Mary” debuton me mbi 74 milionë euro

    Një sukses i jashtëzakonshëm që nga “Oppenheimer” – filmi “Project Hail Mary” debuton me mbi 74 milionë euro

    Filmi “Project Hail Mary” me aktorin Ryan Gosling në rol kryesor arriti një sukses të jashtëzakonshëm gjatë fundjavës së parë të shfaqjes në Amerikën e Veriut, duke fituar rreth 74 milionë euro.

    Ky rezultat është më i madhi për një film që nga “Oppenheimer” dhe vendosi rekord për studio Amazon MGM, duke tejkaluar filmin “Creed III” që kishte fituar 54 milionë euro në 2023.

    “Project Hail Mary” ka realizuar edhe hapjen e dytë më të madhe për një film, duke u renditur vetëm pas “Oppenheimer”-it, dhe tani është një nga tre filmat të fundit 10 vjetëve që kanë debutuar me mbi 65 milionë euro.

    Filmi ka tejkaluar debutimet e filmave të tjerë të njohur të zhanrit si “The Martian” (49,96 milionë euro), “Gravity” (51,15 milionë euro) dhe “Interstellar” (43,7 milionë euro).

    Regjia është bërë nga Phil Lord dhe Christopher Miller, dhe filmi ka pasur një buxhet rreth 184 milionë euro.

    Audienca e ka pritur shumë mirë, me 83 për qind që do ta rekomandonin filmin dhe 55 për qind të shikuesve nën 35 vjeç.

    Filmi ka qenë veçanërisht i kërkuar në formatet premium, ku IMAX dhe platformat e mëdha kontribuuan në pjesën më të madhe të fitimeve.

  • Vdes Chuck Norris, aktori ikonik i filmave aksion

    Vdes Chuck Norris, aktori ikonik i filmave aksion

    Chuck Norris, kampioni i artit marcial që u bë një yll ikonik i filmave aksion dhe udhëhoqi serialin e suksesshëm “Walker, Texas Ranger,” ka ndërruar jetë. Ai ishte 86 vjeç.

    Norris u shtrua në spital në Hawaii të enjten dhe familja e tij publikoi një deklaratë të premten duke thënë se ai vdiq atë mëngjes.

    “Ndërsa do të donim t’i mbanim rrethanat private, ju lutemi ta dini se ai ishte i rrethuar nga familja e tij dhe ishte në paqe”, shkroi familja e tij.

    Fama e aktorit u rrit në vitet ‘70, kur u shfaq pranë Bruce Lee në filmin Ëay of the Dragon.

    Ai vazhdoi të luajë në Missing in Action dhe The Delta Force, të dyja shumë të suksesshme.

    Karriera e Chuck-ut përjetoi një ringjallje në vitet 2000, pasi memet “Chuck Norris Facts” u bënë të njohura, duke ekzagjeruar fuqinë dhe forcën e tij fizike.

    Edhe pse në vitet e fundit ai u tërhoq pak nga vëmendja publike, ai vazhdon të ketë ndjekës besnikë në internet.

  • Chuck Norris dërgohet me urgjencë në spital

    Chuck Norris dërgohet me urgjencë në spital

    Chuck Norris u dërgua me urgjencë në spital gjatë qëndrimit të tij në ishullin Kauai të Hawaii pas një emergjence shëndetësore, sipas raportimeve të mediave të huaja.

    Ende nuk dihen detajet e incidentit, por burimet pranë aktorit konfirmojnë se ai është në gjendje stabile, duke qetësuar fansat e tij në mbarë botën.

    Pavarësisht kësaj situate, legjenda e arteve marciale vazhdon të mbajë një stil jete të shëndetshëm dhe aktiv edhe në moshën 86-vjeçare.

    Më 10 mars, ai festoi ditëlindjen e tij duke ndarë një video nga një seancë private boksi në natyrë, duke shkruar me humor: “Nuk plakem. Vetëm ngrihem në nivel tjetër”.

    Në të njëjtën kohë, ai shprehu mirënjohje për shëndetin e tij dhe mundësinë për të vazhduar të bëjë atë që e ka pasion.

    Chuck Norris është i njohur për aktivitetin e tij të jashtëzakonshëm fizik dhe shpesh ndan me ndjekësit momente nga stërvitjet e tij në palestër, ngritje peshe, ecje në natyrë dhe kalërim.

    Ai gjithashtu u jep fansave një mesazh frymëzues: mos u ndalni, pavarësisht moshës dhe zgjidhni disiplinën mbi komoditetin.

    Edhe pas 86 viteve, ylli i filmave si “Way of the Dragon” dhe “Invasion U.S.A.” tregon se është ende në formë dhe i përkushtuar ndaj një jete aktive, duke mbajtur të njëjtin shpirt të fortë dhe energji që e kanë bërë të paharrueshëm për breza të tërë.

  • ‘Sinners’, ç’duhet të dini rreth filmit me 16 nominime në Oscars

    ‘Sinners’, ç’duhet të dini rreth filmit me 16 nominime në Oscars

    Jo gjithmonë shifrat tregojnë të vërtetën, por ndonjëherë ia vlen t’i lexosh me kujdes. Sinners, filmi i fundit i Ryan Coogler, hyri në histori në Oscar 2026 me 16 nominime, duke thyer rekordin që e mbanin La La Land, All About Eve dhe Titanic me nga 14. Dhe megjithatë, kur u shfaq në kinema në Itali, filmi nuk arriti as 1.3 milion euro të ardhura. Në shkallë botërore, ndërkohë, shënoi rreth 368 milionë dollarë.

    Kjo ngriti një pyetje që u përsërit gjatë gjithë sezonit: a ishte “Sinners” një outsider i vërtetë, apo thjesht një film i mbivlerësuar nga Akademia? Përgjigjja erdhi natën e Oscar-ëve: as njërën, as tjetrën, por diçka në mes.

    Në fund, “Sinners” i ktheu një pjesë të nominimeve në statuja. Filmi fitoi 4 Oscarë:

    Aktori më i mirë protagonist: Michael B. Jordan

    Skenari më i mirë origjinal: Ryan Coogler

    Kinematografia më e mirë: Autumn Durald Arkapaw, gruaja e parë që e fiton këtë çmim në historinë e Oscar-ëve

    Kolona zanore më e mirë: Ludwig Göransson

    Një bilanc që nuk e bën filmin “dominues” në kuptimin klasik, por e vendos qartë mes fituesve të mëdhenj të mbrëmjes.

    Çfarë tregon “Sinners”? Është film vampirësh, por jo vetëm

    Ngjarjet zhvillohen në vitin 1932, në Mississippi-n post skllavëri, në qytetin Clarksdale. Aty kthehen dy vëllezër binjakë, Elijah “Smoke” Moore dhe Elias “Stack” Moore, të dy të interpretuar nga Michael B. Jordan, pasi kanë kaluar kohë në Çikago duke punuar për Al Capone.

    Me një shumë parash të kursyer, ata vendosin të investojnë në një shtëpi të braktisur, ta kthejnë në një juke joint, një lokal ku pihet, kërcet blues, luhet muzikë dhe nata merr frymë. Për të ngritur vendin, ata rekrutojnë:

    Sammie (Miles Caton), talent në kitarë dhe djalë predikatori

    Delta Slim (Delroy Lindo), muzikant lokal

    Gjithçka duket gati për të nisur, derisa natën shfaqen shenjat e para të rrezikut: vampirë të etur për gjak rrethojnë lokalin, para se të lindë dielli.

    Krahasimi që vjen natyrshëm është me From Dusk Till Dawn: edhe aty, personazhet përballeshin me një ferr vampirësh. Por ndërsa tek filmi i Robert Rodriguez kishte ironi dhe anarki, Coogler kërkon një ton tjetër. Ai përpiqet të ndërthurë horrorin dhe pulp-in me një lloj epike antiheroi, duke futur brenda edhe tema të mëdha:

    folklor afrikan

    histori racore amerikane

    ideja e lirisë që kërkohet nga komunitetet Black

    rëndësia e paraardhësve dhe e kujtesës

    fuqia e muzikës, sidomos blues-it

    Pikërisht kjo përzierje e madhe e temave është edhe arsyeja pse filmi për disa duket i guximshëm, ndërsa për të tjerë, “i ngarkuar” dhe herë pas here i çrregullt.

    Kush është Ryan Coogler dhe pse “Sinners” ka rëndësi edhe si vizion. Coogler sot shihet si një autor që ka ndërtuar një mënyrë të vetën të rrëfimit. Ai arriti të: ringjallë një markë gjigante si Rocky përmes Creed t’i japë peshë dhe dimension kulturor një historie Marvel me Black Panther kthejë muzikën në element shtyllë, duke vazhduar partneritetin me Ludwig Göransson, që edhe te “Sinners” është pjesë e shpërthimit emocional të filmit

    Ai është regjisor, skenarist, producent, pjesë e një vale autorësh afroamerikanë pas kamerës, një brez ku përmenden shpesh edhe emra si Jordan Peele dhe Barry Jenkins, në një vijë më të gjerë që në imagjinatën e publikut ka pasur prej kohësh figura si Spike Lee.

  • Sot nis Panairi i Librit në Leipzig, Kosova prezantohet me rreth 100 tituj dhe 6 autorë

    Sot nis Panairi i Librit në Leipzig, Kosova prezantohet me rreth 100 tituj dhe 6 autorë

    Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, do të marrë pjesë në Panairin e Librit të Leipzig-ut, përmes një programi të pasur të ngjarjeve letrare dhe rreth 100 titujve, përfshirë vepra letrare dhe joletrare në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.

    Panairi i librit në Leipzig të Gjermanisë, nis sot dhe zgjat deri më 22 mars 2026.

    Kosova këtë vit prezantohet me gjashtë autorë të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, në dy panele, i pari që mbahet sot flet për letërsinë dhe politikën në rajon, me autoret Jehona Kicaj, Majlinda Bregasi dhe Nerimane Kamberi. Ndërsa, në panelin e dytë, nesër, diskutohet për letërsinë e një populli të vogël në kontekstin e literaturës botërore me Arbër Selmani, Eli Krasniqi dhe Meliza Krasniqi.

    Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, do të jetë pjesë e programit te Traduki, ku së bashku me autorë të rajonit do të flas për Artin si Rezistencë ndaj harresës dhe sfidat e një biblioteke kombëtare nën tronditjet e kryqëzimeve politike.

    Që nga viti 2019, Biblioteka Kombëtare promovon vazhdimisht autorët nga Kosova dhe letërsinë shqipe në panairin më të madh dedikuar autorëve në Evropë.

  • E pritën Dua Lipën me performancë, morën vëmendjen e The Guardian, BBC – Elikonë Hysaj zbulon prapaskenat

    E pritën Dua Lipën me performancë, morën vëmendjen e The Guardian, BBC – Elikonë Hysaj zbulon prapaskenat

    Një moment i veçantë gjatë vizitës së këngëtares me famë botërore Dua Lipa – ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke u shndërruar në një lajm që u pasqyrua edhe nga BBC dhe The Guardian.

    Bëhet fjalë për një pritje surprizë të organizuar në prani të presidentes, ku një grup fëmijësh performuan në mënyrë akapella një nga këngët e artistes shqiptare. Ky gjest i papritur jo vetëm që e emocionoi Dua Lipën, por edhe u vlerësua gjerësisht për simbolikën dhe autenticitetin e tij.

    Elikonë Hysaj, udhëheqëse e korit “Okarina” – e përfshirë në organizimin e këtij momenti, në emisionin “LIBERO”, ka ndarë detaje nga prapaskenat, duke theksuar se gjithçka ishte menduar si një befasi e sinqertë dhe e ngrohtë për artisten.

    “…Kjo ka qenë një pritje befasi që i bëmë Dua Lipës me presidenten. Ky ishte lajm botëror – edhe BBC dhe The Guardian e kanë shfaqur si një moment surprizë për të. Ajo e duartrokiti shumë sepse nuk e kishte pritur që do të ndodhte diçka e tillë, sidomos interpretimi i këngës së saj në format akapella nga fëmijët…” u shpreh Hysaj.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Elikonë Hysaj Shala, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Oscars shënojnë rënie të shikueshmërisë

    Oscars shënojnë rënie të shikueshmërisë

    Ceremonia e sivjetme e çmimeve Oscars është ndjekur nga rreth 17.9 milionë shikues, duke shënuar një rënie krahasuar me vitin e kaluar.

    Sipas të dhënave të publikuara, kjo përfaqëson një ulje prej rreth 9 për qind nga edicioni i kaluar, i cili kishte arritur afro 19.7 milionë shikues. Kjo e bën ceremoninë e këtij viti një nga më pak të ndjekurat në vitet e fundit.

    Rënia vjen pas një periudhe disa-vjeçare rritjeje graduale të audiencës, ndërsa ndryshimet në mënyrën se si publiku konsumon përmbajtje, sidomos përmes platformave digjitale dhe rrjeteve sociale, vazhdojnë të ndikojnë në shikueshmërinë e eventeve të mëdha televizive.

    Megjithatë, Oscars mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë e filmit, duke tërhequr vëmendje globale pavarësisht luhatjeve në shifra. /KultPlus

  • Teatri “Adriana” përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Turqi

    Teatri “Adriana” përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Turqi

    Teatri “Adriana” do të jetë pjesë e edicionit të 8-të të Samsun Uluslararası Tiyatro Festivali, i zhvilluar nga 23 deri më 31 mars 2026 në Samsun.

    Premiera ndërkombëtare e shfaqjes kosovare do të mbahet më 26 mars 2026, në orën 20:00, në skenën e SBB Sanat Merkezi. Shfaqja e titulluar “9 Shpirtra” është një komedi e zezë e autorit Tayfun Türkili, nën regjinë e Ali Volkan Çetinkaya.

    Me skenografi dhe kostumografi nga Berna Yavuz, komedia trajton historinë e një burri që përpiqet në nëntë tentativa të ndryshme të heqë qafe bashkëshorten e tij, duke zbërthyer me humor të hollë dhe hidhërues tensionet dhe kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore.

    Ky projekt realizohet si një bashkëprodhim ndërkombëtar mes Teatrit “Adriana” dhe partnerëve turq, me koproducente Gresë Gashi. Në skenë do të jenë aktorët:

    Mevlan Saraçi, Gresë Gashi, Teuta Krasniqi, Jajush Ramadani, Milot Salihu, Dashuri Rexhepi.

    Ekipi i Teatrit do të qëndrojë në Samsun nga 25 marsi deri më 1 prill për shfaqjen dhe workshop-et profesionale. Pas përfaqësimit në Turqi, komedia “9 Shpirtra” do të jepet për publikun kosovar në Ferizaj në fillim të muajit prill 2026.

  • Hapet ekspozita personale e fotografit Blerim Gjinovci

    Hapet ekspozita personale e fotografit Blerim Gjinovci

    Mbrëmë u hap ekspozita personale e fotografisë “Përtej Pamjes – Njeriu, Natyra dhe Dinjiteti” nga Blerim Gjinovci, shkruan KultPlus.

    Kjo ekspozitë sjellë një reflektim të ndjeshëm mbi raportin mes njeriut dhe mjedisit.

    Gjithashtu, ajo trajton dinjitetin në përditshmëri përmes detajeve vizuale që shpesh kalojnë pa u vënë re, por mbartin histori të thella.

    Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 27 mars 2026.

  • Është publikuar traileri i parë për filmin e ri “Spider-Man”: Tom Holland sërish në rolin e heroit popullor

    Është publikuar traileri i parë për filmin e ri “Spider-Man”: Tom Holland sërish në rolin e heroit popullor

    Traileri i parë për filmin “Spider-Man: Brand New Day” sjell rikthimin e Tom Holland si Spider-Man, një nga heronjtë më të famshëm të Marvel.

    Është filmi i katërt i pavarur i Spider-Man brenda Universit Kinematografik Marvel (MCU), premiera e të cilit është planifikuar për 31 korrik.

    Vazhdimi i filmit “Brand New Day” shënon paraqitjen e parë të Holland në kinema si një personazh i filmave të Marvel që nga filmi i suksesshëm i vitit 2021 “Spider-Man: No Way Home”, i cili fitoi më shumë se 1.9 miliardë dollarë në të gjithë botën.

    Ngjarjet e filmit të ri vazhdojnë ngjarjet e pjesës së mëparshme, ku Peter Parker bën një sakrificë të madhe për të shpëtuar Nju Jorkun dhe multiversin nga shpërbërja.

    Rezultati i magjisë së Doktor Strange ishte mbërritja e keqbërësve nga dimensione të tjera, siç janë Goblini i Gjelbër dhe Doktor Oktapodi. Për të ndaluar shkatërrimin, Piteri pranon t’i lërë të gjithë të harrojnë identitetin e tij të vërtetë, përfshirë të dashurën e tij MJ (Zendaya) dhe mikun e tij më të mirë Ned (Jacob Batalon).

    I përballur me humbjen dhe pikëllimin për vdekjen e tezes së tij May (Marisa Tomei), Piteri fillon një kapitull të ri si Njeriu merimangë, duke veshur një kostum të ri të kuq dhe blu të frymëzuar nga librat komikë.

    Vazhdimi i “Spider-Man: Brand New Day” bashkon një numër personazhesh të njohur dhe të rinj nga Universi Marvel.

    Në film luajnë Mark Ruffalo si Hulk dhe Jon Bernthal si Ndëshkuesi, ndërsa Michael Mando kthehet si Scorpion nga “Spider-Man: Homecoming”.

    Sadie Sink, e njohur për serialin “Stranger Things”, Tramell Tillman nga seriali “Severance”, Liza Colon-Zayas (“Ariu”) dhe Marvin Jones II, i cili portretizon gangsterin Tombstone, i bashkohen kastit.