ATV

Category: KULTURË

  • “Për ata që (s)’janë” – Eliza Hoxha rrëfen përmes artit historitë e të pagjeturve

    “Për ata që (s)’janë” – Eliza Hoxha rrëfen përmes artit historitë e të pagjeturve

    Artistja Eliza Hoxha, ka sjellë një rrëfim të fuqishëm artistik përmes tri ekspozitave të saj të rëndësishme: “Për ata që (s)’janë”, “Run for your life” dhe “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”. Këto projekte trajtojnë tema të ndjeshme dhe thellësisht të rrënjosura në historinë dhe realitetin shoqëror të Kosovës, me fokus të veçantë te çështja e personave të pagjetur.

    Ajo ka botuar edhe librin “Artivizëm” që përmbledh të gjithë veprimtarinë e saj artistike ndër vite. Libri përfshin ekspozita personale, kolektive, projekte kuratoriale dhe iniciativa të tjera që ndërthurin artin vizual, muzikën dhe arkitekturën.

    “Për mua këto janë një kujtim jetësor që përmes modaliteteve të ndryshme të shprehjes artistike – qoftë muzikë, video, instalacion, multimedia apo fotografi – jam përpjekur me kriju kontekste të caktuara hapësinore dhe diskursive për fenomene që e kanë prek shoqërinë e Kosovës,” u shpreh Hoxha. Sipas saj, të gjitha këto projekte lidhen me periudhën e viteve ’90, duke përfshirë jetën në “qytetin paralel”, shkollat shtëpi, luftën dhe pasojat e saj, si dhe temat e të pagjeturve dhe viktimave të dhunës seksuale.

    Ajo theksoi se, ndonëse jo të gjitha këto përvoja i ka jetuar drejtpërdrejt, në shumë prej tyre ka qenë pjesë aktive, sidomos në dokumentimin e protestave në Prishtinë gjatë asaj kohe.

    Sa i përket librit, Hoxha tregoi se ai erdhi si rezultat i disa nevojave të rëndësishme: për të përmbledhur projektet multidisiplinare që ndërthurin muzikën me artin vizual dhe arkitekturën; për të qenë zë i kategorive të margjinalizuara në shoqëri; si dhe për të ndarë qartë aktivizmin e saj artistik dhe kulturor nga ai politik.

    “Një prej arsyeve ishte edhe fakti që njerëzit më njohin kryesisht nga këngët, ndërkohë që shumë prej ekspozitave kanë rrjedh pikërisht prej tyre,” shtoi ajo.

    Përmes këtij angazhimi artistik dhe dokumentues, Eliza Hoxha vazhdon të sjellë në vëmendje kujtesën kolektive dhe plagët e hapura të shoqërisë kosovare, duke i dhënë zë atyre që shpesh kanë mbetur në heshtje.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Eliza Hoxhës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Drama, famë dhe sekrete: Publikohet traileri i ‘Mother Mary’, Anne Hathaway vjen ndryshe

    Drama, famë dhe sekrete: Publikohet traileri i ‘Mother Mary’, Anne Hathaway vjen ndryshe

    Një trailer tjetër për filmin Mother Mary është publikuar, duke rritur pritshmëritë për një nga projektet më intriguese të vitit. Nën regjinë e David Lowery, filmi sjell një histori të mbushur me emocione, dramë dhe botën komplekse të famës.

    Në rolin kryesor shfaqet Anne Hathaway, e cila interpreton një yll ikonik të pop-it, një figurë e njohur që përballet me të shkuarën e saj.

    Sipas trailerit zyrtar, “plagë të vjetra, të varrosura thellë dalin në sipërfaqe kur ylli i famshëm, Mother Mary, ribashkohet me mikun e saj më të mirë dhe ish-stilistin, Sam Anselm”, rol që vjen në jetë nga Michaela Coel.

    Ky takim i papritur ndodh pikërisht në prag të rikthimit të madh të artistes, duke e vendosur atë përballë kujtimeve dhe vendimeve që mund të ndryshojnë gjithçka.

    Kasti i filmit është gjithashtu mbresëlënës, me emra të njohur si Hunter Schafer, Kaia Gerber, Jessica Brown Findlay, Alba Baptista, Sian Clifford dhe FKA Twigs, të cilët premtojnë shumë.

    Nga pamjet e para të trailerit, filmi duket se ndërthur estetikën artistike me një narrativë të thellë psikologjike, duke eksploruar jo vetëm jetën nën dritat e skenës, por edhe koston emocionale të famës dhe identitetit publik.

    Muzika, moda dhe marrëdhëniet personale duken se janë në thelb të historisë, duke e bërë “Mother Mary” një rrëfim që shkon përtej një biografie tipike të një ylli pop-i.

    Filmi pritet të dalë në kinema gjatë vitit 2026 dhe që tani ka nisur të tërheqë vëmendjen e publikut dhe kritikës, duke u konsideruar si një projekt potencialisht i rëndësishëm në sezonin e ardhshëm kinematografik.

  • “La Vénus Électrique” hap Festivalin e Kanës 2026 me një histori iluzionesh dhe dashurie

    “La Vénus Électrique” hap Festivalin e Kanës 2026 me një histori iluzionesh dhe dashurie

    Filmi “La Vénus Électrique” i regjisorit Pierre Salvadori do të hapë edicionin e 79-të të Festivalit të Kanës, më 12 maj 2026.

    Komedia romantike me tone burleske është vendosur në Parisin e vitit 1928 dhe sjell një rrëfim që ndërthur dashurinë, mashtrimin dhe elemente të spiritizmit. Premiera do të mbahet në Grand Théâtre Lumière, menjëherë pas ceremonisë hapëse të drejtuar nga aktorja Eye Haidara.

    Filmi ndjek historinë e Antoine Balestro, një piktor i ri që humb aftësinë për të krijuar pas vdekjes së bashkëshortes. Në kërkim të një lidhjeje me të kaluarën, ai i drejtohet një mediumeje, por përfshihet në një rrjet mashtrimesh të ndërtuara nga Suzanne, një punonjëse e një luna parku. Përmes seancave të rreme spiritike, ajo dhe një galerist krijojnë një iluzion që, paradoksalisht, i rikthen artistit frymëzimin.

    Narrativa merr një kthesë emocionale kur mashtrimi shndërrohet në ndjenjë, duke e vendosur historinë në kufirin mes së vërtetës dhe iluzionit. Kjo është një temë e njohur për Salvadorin, i cili shpesh eksploron paqartësinë dhe gënjeshtrën si pjesë të natyrës njerëzore.

    Në kastin e filmit bëjnë pjesë aktorë të njohur të kinemasë franceze si Pio Marmaï, Anaïs Demoustier, Gilles Lellouche, Vimala Pons, Gustave Kervern dhe Madeleine Baudot.

    “La Vénus Électrique” do të dalë njëkohësisht edhe në kinematë franceze, duke kombinuar prestigjin e festivalit me shpërndarjen e menjëhershme për publikun e gjerë.

    Regjisori Salvadori e ka cilësuar këtë moment si një nder të veçantë, duke theksuar se filmi është një homazh për magjinë e kinemasë. Sipas tij, hapja e Festivalit të Kanës me një histori iluzionesh është një mënyrë për të kujtuar se arti i filmit, në thelb, mbetet një formë e fuqishme e magjisë.

  • Eurovision zgjerohet në Azi, finalja e parë mbahet në Bangkok më 14 nëntor

    Eurovision zgjerohet në Azi, finalja e parë mbahet në Bangkok më 14 nëntor

    Konkursi i njohur muzikor Eurovision Song Contest po hap një kapitull të ri, duke nisur edicionin e parë në Azi. Transmetues nga 10 vende të rajonit, përfshirë Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Filipinet, kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se lista mund të zgjerohet.

    Sipas planit, secili shtet do të organizojë përzgjedhjen kombëtare përpara finales së madhe që do të zhvillohet në Bangkok dhe do të transmetohet drejtpërdrejt më 14 nëntor.

    I mbajtur për herë të parë në vitin 1956, Eurovisioni është konkursi ndërkombëtar muzikor me jetëgjatësinë më të madhe në botë. Me vitin 2026 që shënon 70-vjetorin e tij, drejtori i konkursit në European Broadcasting Union, Martin Green, e cilësoi zgjerimin drejt Azisë si një hap të rëndësishëm.

    “Është veçanërisht domethënëse të hapim këtë kapitull të ri me Azinë, një rajon i pasur me kulturë, kreativitet dhe talent”, është shprehur ai.

    Kjo nuk është përpjekja e parë për zgjerim jashtë Evropës. Në vitin 2022 u organizua American Song Contest në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ai nuk pati sukses të qëndrueshëm dhe nuk u rikthye me një sezon të dytë.

    Organizatorët shpresojnë që edicioni aziatik të ketë më shumë sukses, duke marrë parasysh popullaritetin e madh të muzikës në rajon, ndikimin global të K-pop dhe kulturën e fortë të argëtimit si karaoke.

    Deri tani, vendet pjesëmarrëse janë: Bangladeshi, Butani, Kamboxhia, Laosi, Malajzia, Nepali, Filipinet, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Vietnami.

    Ashtu si në formatin evropian, pritet që performancat të bazohen në këngë origjinale dhe interpretim live, ndërsa votimi do të përfshijë si juritë profesionale ashtu edhe publikun. Megjithatë, rregullat përfundimtare për edicionin aziatik ende nuk janë bërë plotësisht publike.

    Ky zgjerim sinjalizon një hap të ri për Eurovisionin, duke synuar të shndërrohet në një platformë globale që bashkon kultura dhe tregje muzikore nga e gjithë bota.

  • “Kamarja e Turpit” rikthehet në skenë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 1 prill

    “Kamarja e Turpit” rikthehet në skenë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 1 prill

    Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar për rikthimin në skenë të shfaqjes “Kamarja e Turpit”, e cila do të jepet në reprizë sot, më 1 prill 2026, në orën 20:00.

    Vepra është e bazuar në krijimtarinë e Ismail Kadare, me dramatizim nga Doruntina Basha dhe regji të Kushtrim Koliqit. Në këtë produksion marrin pjesë aktorë të njohur të skenës teatrore vendore, duke përfshirë Adrian Morinën, Armend Smajlin, Ylber Bardhin, Gresa Pallaskën dhe të tjerë.

    Sipas njoftimit, publiku i interesuar mund të rezervojë biletat duke dërguar një SMS me të dhënat përkatëse në numrin e bërë publik nga teatri.

    Shfaqja pritet të sjellë një tjetër mbrëmje artistike për dashamirët e teatrit, duke rikthyer në vëmendje një nga veprat e njohura të repertorit kombëtar.

  • Seriali për Jeffrey Epstein nis xhirimet – zbulohet aktorja që është pjesë e kastit

    Seriali për Jeffrey Epstein nis xhirimet – zbulohet aktorja që është pjesë e kastit

    Sony Pictures Television po realizon një serial të ri me titull “Perversion of Justice: The Jeffrey Epstein Story”, i bazuar në librin e gazetares Julie K. Brown.

    Në këtë projekt, Laura Dern do të luajë rolin e vetë autores, një gazetare investiguese e Miami Herald. Seriali do të tregojë hetimin e thelluar të Brown mbi Jeffrey Epstein, duke përfshirë zbulimin e marrëveshjes sekrete me prokurorët federalë.

    Historia ndjek punën disa-vjeçare të saj, gjatë së cilës ajo identifikoi rreth 80 viktima, inkurajoi të mbijetuarit të flasin publikisht dhe kontribuoi në arrestimin e Epstein dhe Ghislaine Maxwell. Skenari po shkruhet nga Sharon Hoffman, e cila është edhe producente ekzekutive së bashku me Eileen Myers.

    Ndër producentët janë edhe Adam McKay dhe Kevin Messick. Laura Dern është një nga aktoret më të vlerësuara, fituese e çmimeve Emmy Awards dhe Academy Awards, e njohur për role në projekte si “Big Little Lies” dhe “Marriage Story”.

  • Orkestra “Amadeus” rrëmben në Spanje çmimin “Grand Prix”

    Orkestra “Amadeus” rrëmben në Spanje çmimin “Grand Prix”

    Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” u vlerësua me çmimin kryesor “Grand Prix” dhe u rendit e para, në Festivalin Ndërkombëtar “Spring Symphonies” 2026 në Spanjë.

    Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, orkestra e të rinjve nga Kosova u përball me dhjetëra orkestra të tjera. Artistët e rinj përfaqësuan Kosovën duke dëshmuan talent, përkushtim dhe pasion të rrallë për muzikën.

    “Ky sukses nuk është vetëm një çmim, është dëshmi e punës së palodhshme, sakrificës dhe ëndrrave të mëdha që jetojnë tek i gjithë ekipi”, shkruhet në faqen e Orkestrës “Amadeus”.

    Orkestra vazhdon të krenojë Kosovën me talentet e saj të rinj. Një muaj më parë, me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës, artistët e rinj performuan në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit në Tiranë, ku sollën një program të larmishëm me vepra si “Gramophone Waltz”, pjesë nga Beethoven, “Palladio”, ritmet e njohura të “Can-Can” si dhe tinguj shqiptarë si “Malësorja”. Koncerti titullohej “Brezi i lirisë” dhe në programin pati pjesë nga Beethoven, Haydn, Jenkins, Texidor, Offenbach, Hopkins, Doga, Antonido etj.

  • Serialet më të mira për t’u parë në prill: Nga rikthimi i “Euphoria” te surprizat e reja televizive

    Serialet më të mira për t’u parë në prill: Nga rikthimi i “Euphoria” te surprizat e reja televizive

    Prilli sjell një valë të re prodhimesh televizive që premtojnë të mbajnë publikun të mbërthyer pas ekranit, nga rikthimet e shumëpritura te projektet krejtësisht të reja që po tërheqin vëmendjen e kritikëve dhe shikuesve.

    Një nga rikthimet më të bujshme është sezoni i tretë i serialit Euphoria, ku rikthehen emra të njohur si Zendaya dhe Sydney Sweeney. Historia zhvendoset disa vite përpara, me personazhet që tashmë përballen me sfida të reja në jetën e tyre si të rritur.

    Ndërkohë, fansat e nostalgjisë do të gjejnë kënaqësi te rikthimi i Malcolm in the Middle, ku Bryan Cranston rikthehet në rolin e babait Hal, duke sjellë humorin karakteristik të serialit kult.

    Në listën e serialeve më të pritura është edhe The Testaments, vazhdimi i historisë së njohur nga universi i The Handmaid’s Tale, që eksploron më tej botën distopike të Gilead dhe fatet e personazheve të rinj.

    Për ata që preferojnë komedinë me elemente krimi, seriali Big Mistakes sjell një histori të pazakontë rreth një familjeje që përfshihet në botën e krimit në mënyrë të papritur.

    Një tjetër projekt interesant është The Miniature Wife, që trajton me humor dhe metaforë marrëdhëniet bashkëshortore përmes një koncepti fantastik – zvogëlimit të trupit njerëzor.

    Në zhanrin dramatik, spikat Half Man, një histori e fortë mbi maskulinitetin dhe marrëdhëniet komplekse mes dy burrave, ndërsa Beef rikthehet me sezonin e dytë dhe një kast të ri, duke vazhduar të eksplorojë konfliktet njerëzore në mënyrë intensive.

    Po ashtu, prilli sjell edhe tituj si:

    Your Friends and Neighbors
    The Audacity
    Margo’s Got Money Troubles
    Widow’s Bay
    Man on Fire

    Këto prodhime ofrojnë një përzierje të pasur zhanresh nga drama dhe komedia, te thriller-i dhe fantazia – duke e bërë prillin një muaj të pasur për adhuruesit e serialeve.

    Me rikthime të fuqishme dhe ide të freskëta, ky muaj pritet të jetë një nga më interesantët për ekranin e vogël.

  • Nisin xhirimet e filmit “Për sa t’ketë det”, projekti i parë i gjatë i Sovran Nrecajt

    Nisin xhirimet e filmit “Për sa t’ketë det”, projekti i parë i gjatë i Sovran Nrecajt

    Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar nisjen e xhirimeve për filmin “Për sa t’ketë det”, një projekt i ri kinematografik që shënon filmin e parë artistik të metrazhit të gjatë me skenar dhe regji nga Sovran Nrecaj.

    Filmi prodhohet nga kompania Can and Cam në partneritet me Degjenerata, me producente Aurela Kadriu dhe me mbështetje institucionale nga QKK.

    “Për sa t’ketë det” trajton dhimbjet e heshtura dhe jetët e pezulluara nga pritja, duke u vendosur në një shoqëri që përpiqet të rindërtohet pas luftës. Filmi fokusohet në historinë e Sadetes, e interpretuar nga Ilire Vinca, e cila jeton me bashkëshortin e saj Burimin (Alban Ukaj) dhe djalin e tyre.

    Rrjedha e jetës së saj ndryshon rrënjësisht kur Burimi i bashkohet rezistencës së armatosur dhe nuk kthehet më, duke e lënë Sadeten të përballet me një mungesë pa përgjigje dhe një realitet të vështirë në një shoqëri patriarkale.

    Në kastin e filmit përfshihen edhe emra të njohur si Refet Abazi, Melihate Qena dhe Molikë Maxhuni, ndërsa drejtimin e fotografisë e mban Murat Emkuzhev.

    Filmi aktualisht ndodhet në fazën e xhirimeve në Kosovë dhe pritet të sjellë një rrëfim të ndjeshëm dhe realist mbi pasojat e luftës dhe përpjekjet për mbijetesë në një realitet të brishtë shoqëror.

  • Takim dhe ekspozitë për Qarshinë e Madhe në Gjakovë

    Takim dhe ekspozitë për Qarshinë e Madhe në Gjakovë

    Në Galerinë e Arteve në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, sot nga ora 10:00 – 16:00, mbahet takim dhe ekspozitë, në kuadër të projektit për hartimin e Planit të Konservimit të Tërësisë Urbanistike “Çarshia e Madhe” në Gjakovë.

    Takimi synon të identifikojë vendet dhe shënjuesit me të rëndësishëm në qytet, në lagjet dhe komunitete, si dhe të mbledhë kujtimet dhe përvojat që lidhen me to.

    Në të njejtën kohë, ekspozita e fotografive do të pasqyrojë zhvillimin e qytetit ndër vite, shpërndarjen hapësinore sipas funksioneve kryesore në periudha të ndryshme, si dhe marrëdhënien e njerëzve me mjedisin fizik.