ATV

Category: KULTURË

  • ATV sjell emisionin e ri rinor “Lens” këtë të shtunë në orën 20:05

    ATV sjell emisionin e ri rinor “Lens” këtë të shtunë në orën 20:05

    Televizioni ATV po vjen me një risi në skemën e tij programore. Duke filluar nga kjo e shtunë në orën 20:05, në ekran do të nisë transmetimin emisioni i ri rinor “Lens”.

    Ky format i ri premton të sjellë një frymë ndryshe për publikun, duke trajtuar tema të ndryshme sociale që prekin të rinjtë dhe shoqërinë në përgjithësi. Përmes diskutimeve në studio, aktualiteteve dhe përmbajtjeve virale, “Lens” synon të jetë një hapësirë ku zëri i të rinjve dëgjohet dhe reflektohet në mënyrë dinamike.

    Emisioni do të moderohet nga Alfreda Gashi dhe Edona Aliu, të cilat do të udhëheqin bisedat e programit.

    “Lens” do të transmetohet çdo të shtunë në ATV, nga ora 20:05, duke u bërë një pikë takimi për të gjithë ata që duan të relaksohen dhe informohen mbi temat aktuale, kryesisht të gjeneratës së re.

  • Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “TERMIN@L” do të prezantohet në Çeki

    Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “TERMIN@L” do të prezantohet në Çeki

    Baleti Kombëtar i Kosovës vazhdon prezantimin dinjitoz të artit tonë në skenat ndërkombëtare.

    Më 8 prill, në Çeki, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë premierën e shfaqjes “TERMIN@L”, një vepër bashkëkohore që sjell në skenë fuqinë krijuese dhe nivelin artistik të baletit kosovar.

    Kjo paraqitje është dëshmi e rrugëtimit të suksesshëm të institucioneve tona kulturore, që përmes artit po e prezantojnë Kosovën në botë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke forcuar identitetin tonë kulturor në skenën ndërkombëtare.

  • Prishtina mbledh studiuesit në tryezën kushtuar Adem Demaçit në 90 vjetorin e lindjes

    Prishtina mbledh studiuesit në tryezën kushtuar Adem Demaçit në 90 vjetorin e lindjes

    Instituti Albanologjik-Prishtinë dhe ai i Historisë “Ali Hadri”, organizojnë tryezë shkencore kushtuar veprimtarit të njohur Adem Demaçi, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.

    Ky aktivitet do të mbahet sot ora 10:00, në ambientet e Institutit Albanologjik.

    Tryeza ka titullin “Trashëgimia demaçiane- vlerë unike kombëtare” dhe në të me kumtimet e tyre do të paraqiten albanologët dhe studiuesit e njohur, si Hysen Matoshi, Arbër Hadri, Fadil Grajçevci, Nuridin Ahmeti, Haxhi Ademi, Faton Krasniqi, Fatmir Arifi dhe Albulenë Halili.

    Organizimi i një tryeze për njeriun unik të kulturës dhe historisë më të re të shqiptarëve i nderon të dy institutet kërkimore dhe shkencore.

  • Ballokumja e Elbasanit shpallet trashëgimi kulturore jomateriale

    Ballokumja e Elbasanit shpallet trashëgimi kulturore jomateriale

    Riti tradicional i përgatitjes së ballakumes, ëmbëlsirës ikonë të trevës së Elbasanit, është shpallur pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale. Kjo njohje vlerëson rëndësinë e saj si një simbol autentik i identitetit dhe traditës kulinare shqiptare, i lidhur ngushtë me festën e Ditës së Verës.

    Familjet elbasanase kanë ruajtur me përkushtim recetën origjinale dhe pajisjet tradicionale qindravjeçare të gatimit, duke ruajtur kështu një trashëgimi që mbartet brez pas brezi. “E kemi ruajtur siç e kanë lënë të parët tanë, me enët tradicionale si kusia, luga druri dhe sofra. Kusia ime është 250 vjeçare dhe e ruaj me fanatizëm si trashëgimi nga stërgjyshja ime,” rrëfen Kreshnik Kaliqi, mjeshtër i ballakumes që e gatuan prej gati 40 vitesh.

    Vendimi i Ministrisë së Kulturës konsiderohet një vlerësim për stërgjyshet që e kanë trashëguar këtë traditë mbi 400 vjet. “Ky është një nder për të parët tanë, të cilët me dashuri e përkushtim e kanë ruajtur këtë recetë, dhe ne do ta lëmë të gjallë për fëmijët tanë,” shton Kaliqi.

    Ballokumja e Elbasanit është e vetmja ëmbëlsirë që gatuhet sipas recetës së paprekur për mbi 540 vjet, duke përdorur miell misri, gjalpë dhe vezë fshati. Për banorët e zonës, dita e Verës nuk mund të imagjinohet pa këtë ëmbëlsirë tradicionale, që vazhdon të simbolizojë trashëgiminë kulturore dhe kulinarinë autentike të Elbasanit.

  • “Reporting House” sjell në Mynih kujtesën e luftës në Kosovë

    “Reporting House” sjell në Mynih kujtesën e luftës në Kosovë

    Ekspozita është pjesë e iniciativës ndërkombëtare “Antifascism: Now.” (2026–2028), e cila përfshin 14 shtete dhe trajton kujtesën historike përmes artit dhe kërkimit.

    Punimet nga “Reporting House” në Prishtinë janë prezantuar zyrtarisht në qytetin e Mynihut, duke u bërë pjesë e projektit ndërkombëtar “Antifascism: Now.” (2026–2028), një iniciativë arti dhe kërkimi që përfshin 14 shtete dhe synon të sjellë në vëmendje rëndësinë e kujtesës historike dhe rolin e artit në përballje me sfidat aktuale shoqërore.

    E hapur në hapësirën Lothringer 13 Halle, ekspozita sjell një përmbledhje të materialeve dokumentare dhe gazetareske nga vitet ’90, duke përfshirë rrëfime dhe dëshmi nga periudha e luftës në Kosovë, si dhe histori të rezistencës së popullit të Kosovës.

    Në këtë ekspozitë prezantohen edhe intervista të rëndësishme, përfshirë dëshmi nga figura të njohura të rezistencës si Fehmi Lladrovci, si dhe dokumentime të realizuara nga autorë të tjerë mbi protestat e grave “Bukë” dhe “Divorc paqësor” të vitit 1998, që konsiderohen ndër momentet më domethënëse të aktivizmit qytetar në Kosovë.

    Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 korrik 2026, në adresën Lothringer 13 Halle (Lothringer Straße 13, 81667 München), duke ofruar një mundësi të veçantë për audiencën gjermane dhe ndërkombëtare që të njihet më nga afër me historinë e Kosovës përmes materialeve autentike dhe qasjes dokumentare.

    Ngjarja është përcjellë edhe nga institucione përfaqësuese të Kosovës në Gjermani, përfshirë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Mynih./Albinfo.ch

  • Përfundon restaurimi i Hanit të familjes Zajmi në Prizren

    Përfundon restaurimi i Hanit të familjes Zajmi në Prizren

    Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar për përfundimin e restaurimit të Hanit të familjes Zajmi, një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe arkitekturore të qytetit të Prizrenit, që i përket fundvitit të shekullit XVIII.

    Ky monument ka shërbyer tradicionalisht si vend strehimi dhe tregtie për udhëtarët dhe tregtarët që kalonin në qytet, duke pasqyruar jetën ekonomike dhe kulturore të kohës.

    Restaurimi i tij ka përfshirë rikonstruksionin e strukturës, ruajtjen e elementeve autentike arkitekturore dhe trajtimin e materialeve tradicionale që e bëjnë Hanin unik në kontekstin e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

    Ministria e Kulturës dhe Turizmit thekson se restaurimi i plotë i këtij objekti jo vetëm që ruan vlerat historike, por gjithashtu e integron atë në rrjetin e destinacioneve kulturore dhe turistike të Prizrenit.

    “Ky hap është një investim i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit historik dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore, duke e bërë Hanin e familjes Zajmi një pasqyrë të gjallë të historisë së qytetit,” thuhet në njoftim.

    Hani tashmë do të jetë i hapur për vizitorët dhe komunitetin lokal, duke ofruar një hapësirë ku historia dhe kultura bashkohen, si dhe një shembull të ruajtjes së trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.

    Restaurimi i Hanit të familjes Zajmi është pjesë e një programi më të gjerë të Ministrisë për mbrojtjen dhe promovimin e monumenteve historike dhe kulturore në të gjithë Kosovën, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së objekteve që pasqyrojnë identitetin dhe historinë e vendit.

  • Libri dhe arti bëhen bashkë sot në Galerinë e Arteve në Pejë

    Libri dhe arti bëhen bashkë sot në Galerinë e Arteve në Pejë

    Në Galerinë e Arteve në Pejë sot mbahen dy ngjarje kulturore. Nga ora 12:00 promovohet libri “Karavani i Rozhajës”, i autorit Hilmo Haxhiq, ndërsa nga ora 18:00 hapet ekspozita kolektive e disa prej artistëve të njohur vendorë.

    Në këtë ekspozitë do të prezantohen punimet e artistëve: Abdyl Berisha, Faik Krasniqi, Ferid Morina, Haxhi Krasniqi, Musa Kalaveshi, Nagip Belegu, Nijazi Llonqari, Nysret Ramosaj, Shefqet Borinca, Zijah Radoniqi dhe Zymer Mulliqi.

    Screenshot

  • Propaganda e Serbisë përmes filmit:“Harvest” rikthen narrativën e rreme për trafikim organesh në Kosovë

    Propaganda e Serbisë përmes filmit:“Harvest” rikthen narrativën e rreme për trafikim organesh në Kosovë

    “Žetva” mban titullin në serbisht filmi i ri propagandues i Serbisë. Me alamet mbështetje e promovimi shtetëror, në premierë të pranishmit panë atë që siç përshkruhet nga vetë produksioni, është “histori tronditëse e një baroni gjerman që ka nevojë për transplantim të zemrës”.

    Dhe siç shihet në “trailer” dhe në përshkrime të ndryshme që i bëhen filmit, shqiptarët e Kosovës janë ata që i sigurojnë baronit një zemër serbi. E tash gjermanin nuk e zë vendi vend pasi duke pasur zemër serbi, ajo i rrah fort për Kosovën. Në këtë film, sipas edhe vetë disa kritikëve serbë, s’ka fije arti. E për artistë të Kosovës, është thjesht një projekt në vazhdën e propagandës

    Institucionet serbe janë duke vazhduar të punojnë në atë që dinë të bëjnë më së miri: në propagandë. Këto ditë është dhënë premiera e filmit “Žetva”, në anglisht, “Harvest” e në shqip “Korrje”. U mblodhën paria politike e ajo artistike për të hapur një ekspozitë me titullin “Žuta kuća – zločin bez presude” (Shtëpia e Verdhë, krim i padënuar). Krejt bashkë në sallën “MTS” në Beograd, kur panë filmin, mësuan shumë për atë që siç përshkruhet nga vetë produksioni është “histori tronditëse e një baroni gjerman që ka nevojë për transplantim të zemrës”. Dhe siç shihet në “trailer” dhe në përshkrime të ndryshme që i bëhen filmit, shqiptarët e Kosovës janë ata që i sigurojnë baronit një zemër serbi. E tash gjermanin nuk e zë vendi vend, pasi duke pasur zemër serbi, ajo i rrah fort për Kosovën. Në këtë film, sipas edhe vetë disa kritikëve serbë, s’ka fije arti. E për artistë të Kosovës, është thjesht një projekt në vazhdën e propagandës.

    Serbia historinë me trafikim organesh e ka shëtitur gjithandej edhe me ndihmën ruse. Ka arritur deri te një raport në Këshillin e Evropës. Duke marrë shkas nga ai raport, sot funksionojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ose siç njihet ndryshe Gjykata Speciale. Janë bërë hetime intensive ndërkombëtare në terren dhe në aktakuzat e ngritura në asnjë rast nuk gjendet fjala organe e as transplant. Por në filmat serbë, po.

    Për ta bërë më të besueshëm filmin në arenën ndërkombëtare është gjetur një regjisor amerikan. Paul Kampf pa ndonjë alamet karriere në kinematografi ka marrë përsipër që në një projekt dyorësh të vizualizojë romanin “Zemra serbe e Johanovos” të shkrimtarit serb, Veselin Dzheletoviq. Me një kastë aktorësh ndërkombëtarë e serbë, filmi sjell një histori ku baroni gjerman, Johann von Wagner – portretizuar nga Matthew McNulty, aktor britanik me origjinë gjermane – ka nevojë për transplant zemre. Këtë e mundësi e gjen në fundshekullin e kaluar ku shqiptarët ia shesin një zemër të një serbi. Më 1999 kur edhe zë fill rrëfimi në film, Serbia ka intensifikuar luftën në Kosovë. Dhe më 1998 dhe 1999 mbi 10 mijë civil shqiptarë janë vrarë gjatë spastrimit etnik që shteti serb ka ndërmarrë ndaj shqiptarëve. Për këtë arsye në mars të vitit 1999 bota demokratike ka ndërhyrë dhe ka nisur fushata ajrore e “NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave-serbe për të ndalur spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit. Por në romanin e Veselin Dzheletoviq dhe në film me skenar të tij dhe Paul Kampf problemi qëndron te gjermani që shqiptarët ia mundësojnë të ketë zemër serbe e gjoja paska ekzistuar një “Shtëpi e Verdhë” ku janë bërë këto krime. Filmi i dhënë premierë në Beograd më 17 mars, në javën e parë ka mbledhur rreth 11 mijë shikues në kinematë e Serbisë.

    Në premierën e organizuar nga shteti morën pjesë kryetarja e Kuvendit Popullor të Serbisë, Ana Brnabiq, dhe ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq. Autori i romanit mbi të cilin bazohet rrëfimi dhe bashkëskenaristi i filmit, Veselin Dzheletovi ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Tanjug” se është jashtëzakonisht i kënaqur me ekranizimin e rrëfimit. Ai ka deklaruar se ndien një krenari të madhe që historia ka arritur te një regjisor amerikan, megjithëse në fillim kishte rezerva. Por ai s’ndalet me kaq.

    “Producenti më bindi, ndërsa vendimtare ishte fakti që regjisorët dërguan agjentë në Kosovë dhe Metohi për të verifikuar pretendimet nga romani. Vetëm pasi u bindën se gjithçka është e vërtetë, pranuan të punojnë në film. Paul Kampf nuk u tërhoq as pas mijëra email-eve kërcënuese nga lobi shqiptar. Disa aktorë u tërhoqën pavarësisht kontratave, por e vërteta është si uji, gjithmonë gjen rrugën vet”, ka thënë ai. Bashkëregjisor i filmit është Mladen Sheviq, ndërsa drejtor fotografie Radan Popoviq. Në rolet kryesore pos Matthew McNulty janë edhe Paul Murray, Rebecca Calder dhe aktorët serb Jovana Gavriloviq, Miodrag Dragiçeviq e Radoje Çupiq.

    Por për kritikun letrar dhe të filmit, Gjorgje Bajiq filmi s’është as te pritshmëritë dhe sipas tij, “zemra u transplantua por nuk rrahu”. Në një artikull ku analizon filmin për “Vreme” ai krejt projektin e sheh si mundësi të humbur. Sipas tij, “Harvest”, i cili mund të ketë pasur një qëllim dhe peshë politike, nuk arriti të gjejë një mënyrë bindëse dhe artistikisht të vlefshme për ta përcjellë atë.

    “Shkurt, ‘Harvest’ është një film pa të cilin mund të bënim dhe për të cilin janë shpenzuar para që mund të ishin përdorur kudo tjetër për një qëllim më të dobishëm. Dështimi i këtij ‘projekti me rëndësi kombëtare’ shfaqet në disa nivele. Nuk është filmi më i keq në botë, të mos e teprojmë, ka një farë shikueshmërie dhe ka në rolin kryesor Matthew McNulty, i cili lufton në mënyrë heroike me kufizimet e skenarit, por në përgjithësi: përshtypja është shumë e vakët. Ajo që më shqetëson është nota e dukshme propagandistike (që, të mos gënjejmë, pritej), por edhe më shumë fakti që në thelb është një film për të cilin është e vështirë të shpjegohet pse ekziston, kujt i drejtohet dhe çfarë synon realisht të arrijë”, shkruan Bajiq. Sipas tij, ambicia shihet që në premisë ku filmi përpiqet të kombinojë një histori personale, pothuajse metafizike, për identitetin dhe fajin, me një temë politikisht dhe historikisht të vështirë.

    “Problemi është se këto dy shtresa nuk arrijnë kurrë të lidhen në mënyrë organike. Në vend të një drame komplekse, marrim një rrëfim ilustrues që këmbëngul më shumë te mesazhi sesa te shprehja kinematografike. Nëse ideja ishte të prezantohej ‘historia jonë’ para një publiku ndërkombëtar – gjë që shihet qartë nga kasti ndërkombëtar (Matthew McNulty, Angus McFayden dhe të tjerë), vendimi që pjesa më e madhe e filmit të jetë në anglisht dhe nga produksioni që përfshin bashkëpunëtorë të huaj – rezultati është, në mënyrë paradoksale, jo mjaftueshëm bindës për atë treg”, shkruan ai. S’e sheh të denjë për ndonjë festival të kategorisë “A”. Dhe në realitet deri tash, filmi është dhënë në një festival që s’i takon kësaj kategorie siç është “Beloit International Film Festival” në Wisconsin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe s’ia ka dalë të marrë ndonjë çmim.

    Sipas kritikut Bajiq, filmit i mungojnë shumë gjëra, por mbi të gjitha, roli kryesor nuk arrin ta zhvillojë një personazh të plotë dhe psikologjikisht të besueshëm.

    “Në përfundim, ‘Harvest’ është një film me ambicie të dukshme dhe një ‘temë të madhe’, por pa një shprehje të përshtatshme kinematografike. Lë përshtypjen e një mundësie të humbur – një projekt që mund të ketë pasur qëllim dhe peshë politike, por që nuk arriti të gjejë një mënyrë bindëse dhe artistikisht të vlefshme për ta përcjellë atë. Zemra u transplantua, por nuk rrahu”, shkruan Bajiq.

    Aktori nga Kosova, i cili viteve të fundit jeton në New York, Armend Baloku ka reaguar duke thënë se Serbia, përmes regjisorit Paul Kampf, ka realizuar filmin “Harvest”, i cili trajton të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.

    “Ndërkohë që ne vazhdojmë të merremi me çështje tërësisht sipërfaqësore, Serbia po investon seriozisht në kriminalizimin e luftës së UÇK-së përmes kinematografisë. Kjo, në një kontekst më të gjerë, merr kuptim edhe më shqetësues nëse marrim parasysh armatosjen e saj dhe ndryshimet gjeostrategjike në Ballkan, si dhe faktin që nuk janë publikuar asnjëherë listat e bashkëpunëtorëve të saj në Kosovë”, ka reaguar ai.

    Në nëntor të vitit 2023 kur jepej lajmi se ka nisur xhirimi i “Harvest” kishte reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Institucioni kishte thënë se ky nuk është filmi i parë me propagandë të Serbisë. Ngjashëm ishte realizuar edhe filmi dokumentar me metrazh të gjatë “Shtëpia e Verdhë” i autores Slagjana Zariq.

    Ministria e Kulturës kishte thënë se përpjekja e Serbisë duhet të alarmojë bashkësinë ndërkombëtare. E kishte quajtur të trishtë e të papranueshëm faktin që mjeti kulturor të keqpërdoret për të shpërndarë propagandë.

    “Tentativat e tyre të vazhdueshme për të deformuar realitetin, si në rastin e filmit ‘Harvest’, duhet të alarmojnë autoritetet relevante dhe bashkësinë ndërkombëtare. E trishtë dhe e papranueshme të shohim se një mjet kulturor si filmi po keqpërdoret për të shpërndarë propagandë. Por, përtej tentativave për të rishkruar historinë përmes kinematografisë, e vërteta triumfon gjithmonë në sfidë me propagandën”, shkruhej në reagim.

    Qendra e Filmit në Serbi bashkë me televizionin shtetëror sidomos në dekadën e fundit kanë financuar e prodhuar një numër të konsiderueshëm të dokumentarëve dhe filmave të cilët mbajnë frymën e propagandës së kohës së Sllobodan Millosheviqit, udhëheqësit nën të cilin Serbia qe shkaktare e katër luftërave në Ballkan dhe realizoi gjenocid. Më 2024 Kombet e Bashkuara miratuan rezolutën nëpërmjet së cilës, 11 korriku shënohet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë pasi më 1995 nga forcat serbe atje u vranë më shumë se 8 mijë e 300 boshnjakë, raporton Koha.

  • Italia blen kryevepër të Rilindjes për 12.6 milionë euro për ta rikthyer në vend

    Italia blen kryevepër të Rilindjes për 12.6 milionë euro për ta rikthyer në vend

    Italia ka ndërmarrë një tjetër hap për mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore, duke blerë një vepër të çmuar të periudhës së Rilindjes për 12.6 milionë euro.

    Bëhet fjalë për pikturën fetare “Ecce Uomo” të artistit Antonello da Messina, e cila ishte nxjerrë në ankand në New York. Vepra paraqet Jezusin me kurorë me gjemba dhe një litar në qafë, në momentin kur Pontius Pilate ia dorëzon turmës për kryqëzim.

    Piktura vlerësohet jo vetëm për rëndësinë artistike, por edhe për historinë e saj të veçantë. Ajo është përdorur për lutje private për vite me radhë dhe është ruajtur në një çantë lëkure, gjë që ka shkaktuar dëmtime në anën tjetër të panelit, ku paraqitet figura e Saint Jerome.

    Kjo blerje vjen pak kohë pasi Italia investoi rreth 30 milionë euro për një portret të rrallë nga Caravaggio, një nga shpenzimet më të mëdha shtetërore për një vepër arti.

    Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, ka theksuar se ky është vetëm fillimi i një strategjie për të rikthyer në Itali vepra me rëndësi të veçantë dhe për t’i bërë ato të aksesueshme për publikun.

    “Ecce Uomo” do të ekspozohet fillimisht në Muzeun Kombëtar të Abruzzos, përpara se të udhëtojë në institucione të tjera kulturore në të gjithë vendin.

  • “Pesë fytyrat e heshtjes” vjen si shfaqje mysafire në Teatrin Kombëtar më 4 prill

    “Pesë fytyrat e heshtjes” vjen si shfaqje mysafire në Teatrin Kombëtar më 4 prill

    Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se më 4 prill 2026, në orën 20:00, do të shfaqet pjesa mysafire “Pesë fytyrat e heshtjes”.

    Shfaqja vjen me regji të Ilir Bokshit dhe skenografi nga Divni Gushta, ndërsa asistent i regjisorit është Astrit Fani. Në skenë do të paraqiten aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Ina Morinaj, Uratë Shabani, Nikolin Ferketa dhe Fritz Selmani.

    Sipas njoftimit, publiku i interesuar mund të rezervojë biletat duke dërguar SMS me emrin, mbiemrin dhe numrin e biletave në numrin 044 430 693.

    Kjo shfaqje pritet të sjellë një tjetër mbrëmje artistike për dashamirët e teatrit në vend.