ATV

Category: KULTURË

  • Sopranoja shqiptare që po pushton skenat botërore të operës

    Sopranoja shqiptare që po pushton skenat botërore të operës

    Sopranoja shqiptare me famë botërore, Marigona Qerkezi, në një lidhje direkte, në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV, foli rreth karrierës së saj të bujshme, e cila me paraqitjet e saja në skenë ka arritur të sigurojë dhjetëra çmime ndërkombëtare.

    “Kam pasur një dëshirë shumë të fuqishme qysh prej fëmijërisë edhe kam filluar studimet e mija për flautë në Zagreb dhe pastaj koncertin e parë si soprano/ fëmijë e kisha në Ljubljanë isha vetëm 6 vjeç. Mund të them se përveç inspirimit nga prindërit, unë ende vazhdoj që çdo performancë përgatitem me mamin, kështu që ndihem me fat në këtë aspekt. Është pak e lodhshme sepse çdo herë je në udhëtime, je në vende të reja me aktivitete të ndryshme, teatro të ndryshëm etj.”, deklaroi ajo.

    Përveç performancave të suksesshme, Qerkezi përmendi edhe një rast të “sikletshëm”, kur ajo ishte në një shfaqje, në Tokjo.

    “Ishim në Tokjo dhe gjatë përgatitjeve, ne u njoftuam se eventualisht mund të ketë ndonjë termet, por ne thjesht nuk e morëm më shumë seriozitet por pastaj, derisa ishim duke përformuar, vërejtëm disa dridhje jo të zakonshme, në skenografi, natyrisht ishte diçka jo e rrezikshme por thjesht diçka e papritur”, shtoi ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ekspozita e piktorit Ramë Beqiri në Gjenevë, për të zhdukurit në Kosovë

    Ekspozita e piktorit Ramë Beqiri në Gjenevë, për të zhdukurit në Kosovë

    Gjenevë, 21 maj – Ramë Beqiri është artisti i njohur, i cili jeton dhe vepron prej disa vitesh, në kantonin e Gjenevës. Ai njëkohësisht aktron në disa teatro në Zvicër dhe jashtë. Piktori Beqiri në muajin e ardhshëm, pritet të hap një ekspozitë personale në Gjenevë për të zhdukurit në Kosovë, njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch

    Artisti shqiptar Ramë Beqiri do të sjell për artdashësit zviceran historinë e dhimbshme të Kosovës dhe plagën e hapur për të zhdukurit e luftës, përmes një ekspozite në Gjenevë.

    “Në kujtim të të zhdukurve të luftës së Kosovës” do të jetë motoja e ekspozitës që pritet të hapet me 12-20 qershor në shtëpinë e artit ,,Maison Grutli’’, në Gjenevë të Zvicrës në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit Fifog.

    Pjesë e këtij festivali pritet të jetë edhe filmi shqiptar ,,I treturi’’, me pas do pasoj edhe debati për këtë me pjesëmarrës regjisorin Arben Thaqi dhe njëri nga aktorët e filmit, Arben Muçaj, pjesë e te cilit festival Fifog është edhe artisti ynë Ramë Beqiri.

    Beqiri, lidhur me këtë ekspozitë është shprehur i lumtur që është pjesë qe disa vite me radhë e këtij eventi të rëndësishëm kulturo-artistik, në Zvicër.

    “Është viti i tretë që ne përfaqësohemi në këtë festival. Këtë vit e bënë më të plotë ekspozita ime sepse është një temë të cilën me vite e kam sjell në mendjen time që të bëjë diçka për vendin tim, e posaçërisht për një temë shumë te ndjeshme që na ngulfate me vite…”, ka thëne z.Beqiri.

    Dihet se në Gjenevë gjinden organizatat e ndryshme të të drejtave të njeriut dhe kjo ekspozitë shpresojë që do të sensibilizoj me një mesazhe tek ndërkombëtarët që të bëjnë më shumë në lidhje me këtë drejtim, me te zhdukurit kosovar.

  • Nis Edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival

    Nis Edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival

    Me një ceremoni solmene, në ambientet e Teatrit Kamertal në Kolegjin AAB, ka nisur edicioni i 7-të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.

    Njëri nga organizatorët kryesor të PITF2023, drejtori Ilir Bytyçi, tha se ky festival i cili është me karakter ndërkombëtar, i vetmi në Kosovë, këtë edicion ka tejkaluar të gjitha pritshmeritë për nga numri i të interesuarve për pjesëmarrje.

    “Siç e dini ky festival është me karakter ndërkombëtar, është kompetitiv dhe është i vetmi i këtij lloji në Republikën e Kosovës, dhe vazhdon të jetë i tillë. Veçania e këtij edicioni të 7-të, është se janë tejkaluar të gjitha pritshmëritë e aplikacioneve. Kemi marrë aplikacione nga e mbarë bota. Komisioni e ka pasur një punë të vështirë të bëjë përzgjedhjen e vetëm 7 prej tyre, të cilat do të keni mundësinë t’i ndiqni nga sot e në vazhdim”, tha Bytyçi.

    Edhe drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se këtë edicion të PITF ka pasur aplikacione nga e mbarë bota, nga Brazili, Tunizia e shumë shtete të kontinenteve të tjera.

    “Ka qenë e vështirë për komisionin me i përzgjedhë shfaqjet pasi që po shohim që edicion pas edicioni, po kemi kultura të ndryshme, shtete të ndryshme të cilat po aplikojnë për të qenë pjesë e PITF, po përmend disa shtete, kemi pasur të interesuar nga Brazili, nga Tunizia e që veç se po na bëjnë krenarë që të vazhdojmë tutje që me edicionet e radhës të marrin shfaqje edhe nga kontinentet e tjera të botës”, tha Alshiqi.

    Ajo tha se realizimi i këtij edicioni nuk do të ishte i mundur pa financimin e ART Image si financuesi kryesor, mbështetjen e Kolegjit AAB si dhe punën e një ekipi të tërë tash e disa muaj rresht.

    Ceremonia hapëse e festivalit u pasua me shfaqjen e parë, “Rusalka” nga Kroacia, e cila u dha sonte në orën 20:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB. Me regjisor Ivica Šimić shfaqja “Rusalka” impresionoi publikun me personazhet që trajtonin temën e një ëndrre të personazhit të arrinte të bëhej një këngëtare e operës por që duhej të ndiqte hapat, vështirësitë e sfidat. Gjithashtu duke përbërë një perspektivë psikologjike se secili duhet të jetë vetëvetja pavarësisht paragjykimeve nga të tjerët. Publiku nderoi aktoret me duatrokitje dhe mirënjohje.

    Këtë edicion do të ndahen katër çmime për fituesit e PITF2023:

    -Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin kryesor;
    – Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin dytësor;
    – Çmimin për regjinë më të mirë;
    – Çmimin për shfaqjen më të mirë.

    Për ndarjen e çmimeve, vlerësimet do t’i japin tri juri:

    Juria qendrore profesionale e festivalit që sivjet përbëhet, nga:
    – Ibrahim Berisha, shkrimtar dhe publicist;
    – Bislim Muçaj, aktor;
    – Zijad Meheiç, producent.

    Juria e medias:
    Lumira Kelmendi, RTK
    Xhejlane Terbunja, aktore dhe
    Erona Salihu, ATV.

    Do të jetë edhe juria e studentëve që vijnë nga Kolegji AAB dhe Universiteti i Prishtinës, e që do të japin vlerësimin e tyre për çmimin “Shfaqja më e mirë”.

    PITF2023 do të pasurohet edhe me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB, dega Pikturë, të cilët do të realizojnë 7 piktura me tematika të shfaqjeve konkurruese të këtij festivali.

    Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në natën finale.

    Në natën e dytë të PITF do të jepet shfaqja “Boxes” nga Turqia me regji të Balım Kar dhe Semih Değirmenci, duke filluar nga ora 20:00. /atvlive.tv

  • Hapet edicioni i shtatë i “Prishtina International Theater Festival”

    Hapet edicioni i shtatë i “Prishtina International Theater Festival”

    Sot fillon edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.

    Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji, duke filluar nga ora 19:30 me hapjen solemne, dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

    Organizatorët e festivalit, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se dita e parë e hapjes së festivalit Prishtina International Theater Festival këtë herë bëhet me pjesëmarrjen e Kroacisë, me shfaqjen “Rusalka” të regjisores Ivica Shimiç.

    Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se risi në këtë festival do të jetë pjesëmarrja e trupave teatrale nga Spanja, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.

    Ndërsa, drejtori i ART Image, Ilir Bytyçi, tha se ky organizim ndërkombëtar dhe garues përbën shfaqje të cilat janë zgjedhur nga një komision profesional, duke shtuar se qëllimi kryesor është që Kosova të njihet në gjithë botën përmes artit dhe kulturës.

    Në konferencën për media foli edhe aktorja kroate e shfaqjes “Rusalka”, Buga Marija Simiç, shfaqje kjo me të cilën sonte nis festivali.

    Ajo tha se është hera e parë që vjen në Kosovë, ku po ndihet si në shtëpinë e vet për shkak të pritjes së ngrohtë në Kolegjin AAB.

    “Nuk patëm mundësi të shohim shumë gjëra, por nga ajo që pashë, ka një atmosferë të bukur që e dua midis të gjithëve, që është mikpritja nga njerëzit. Na pritën ngrohtësisht në aeroport dhe ndjehemi sikur jemi në shtëpinë tonë. Ky kompleks, nga ajo që kemi parë, është shumë impresionues. Ne thjesht po ecnim rreth tij, duket si një anije hapësinore. Pra, po ndjehem shumë e nderuar që jemi zgjedhur të jemi pjesë e festivalit. Është vërtetë një privilegj të jem në mes të të gjithë këtyre artistëve dhe të gjitha këtyre shfaqjeve të zgjedhura për këtë festival”, tha aktorja Buga Marija Simiç.

    Ajo tha se ky është festivali i parë ndërkombëtar në të cilën merr pjesë shfaqja “Rusalka” dhe se mezi pret të ndajë me publikun kosovar pjesë shumë të veçanta për shfaqjen dhe për teatrin të cilin e përfaqëson. /atvlive.tv

  • Koliqi, bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar

    Koliqi, bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar

    Ernest Koliqi është lindur në Shkodër më 20 maj të vitit 1903, në një familje të respektuar. Ai ka qenë mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe pedagog.

    Ai cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar sa i përket krijimtarisë, ndërsa në punët politike e arsimore ka meritë për dërgimin e 200 arsimtarëve në trojet e Shqipërisë së Lirueme.

    Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati Koliqin e ka dërguar për të studiuar në Itali më 1918. Bashkë me nxënës të tjerë ai ka hapur gazetën “Noi giovani” (Ne të rinjtë), ku ka botuar poezitë e para në italisht. Ai është kthyer në Shqipëri pasi që gjendja ishte futur në hulli pas Kongresit të Lushnjës.

    Më 1921 është mbajtur një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti ka marrë pjesë me një poezi, e cila ka fituar çmimin e parë, të dhënë nga juria e përbërë prej P. Gj. Fishtës, F. Nolit, M. Frashërit, L. Gurakuqit.

    Më 1937, Ernest Koliqi ka doktoruar në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që ka bërë P. B. Palaj, tezë doktorate, e cila është vlerësuar nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Koliqi është transferuar nga Padova në Romë tetorin e 1937, si lektor i shqipes.

    Më 1939 është hapur në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi është emëruar ordinar dhe ka qëndruar i tillë derisa ka dalë në pension.

    Ai ka vdekur në Romë më 15 janar të vitit 1975.

  • Promovohet libri për torturat e përjetuara në burgun e Dubravës

    Promovohet libri për torturat e përjetuara në burgun e Dubravës

    Në 24-vjetorin e Masakrës së Dubravës, Ish-i burgosuri politik, Asllan Selimi, në librin “Tmerri ka emër”, përshkruan në detaje periudhën kur ai dhe shumë persona të tjerë ishin pjesë e luftës, torturës e burgut të Dubravës.

    Në ditarin, siç e kanë quajtur historik, ka detaje nga Masakra e Dubravës, të padëgjuara më parë.

    “Në këtë libër me kujtime, Asllani e ka përshkruar që nga arrestimi i tij në Mitrovicë. Ai ishte i angazhuar me detyrat e tij të ndërlidhjes, përmes vëllait të tij Rexhep Selimit. UÇK-ja ishte e padukshme dhe ishte kudo, ishte bërë tmerr edhe i Serbisë. Rritja e UÇK-së binte në sy të popullatës që kërkonte liri. Arrestimi i Asllanit dhe torturat e përjetuara janë dëshmi e mjaftueshme e torturave që kemi përjetuar”, tha Hasani.

    Ndërsa, ish-gjenerali Kudusi Lame theksoi se është i befasuar me përshkrimin që ka bërë Selimi në këtë libër.

    “Ajo çfarë më befasoi, edhe kur don të flet te nëna madhështore; ai e përshkruan nënën e një luftëtari tjetër, janë madhështitë që na sjell. Edhe në burgjet e Serbisë, është zhvilluar luftë. Unë në procesin e leximit të librit, shumë herë e kam gjetur veten me rrahje të shpeshta të zemrës, është e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

    Ditari i Selimit u kërkua të ketë vend edhe në sirtarët e bibliotekave shkollore.

    “Ditari ka rrjedhën e ngjarjeve të burgjeve sllave. Të rrëqethë trupin me përshkrim real, të mbushë me lot për torturat që kanë përjetuar të burgosurit shqiptarë. Nuk e përshkruan ngjarjen në formën e pesimizmit. Ky ditar ka motivimin e qëndresës së atdhetarëve”, tha Asllan Qyqalla, redaktor i librit “Tmerri ka emër”.

    Masakra e Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999, ku në të u vranë mbi 100 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Krasniqi tregon se ku qëndron problemi për mos shkuarjen e fëmijëve në shkollat shqipe në diasporë?

    Krasniqi tregon se ku qëndron problemi për mos shkuarjen e fëmijëve në shkollat shqipe në diasporë?

    Nënkryetari i Këshillit Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë, Mustafë Krasniqi, në një intervistë në emisionin ALARM në ATV, ka thënë se është shqetësuese numri i vogël i nxënësve nëpër shkollat shqipe në diasporë.

    Ai ka përmendur disa nga shkaktarët, që sipas tij, prindërit nuk po shprehin interesim për t’i dërguar fëmijët nëpër shkolla shqipe në diasporë.

    “Edhe ne e kemi atë problem se ku çalon ky problem, pse prindi nuk e sjell fëmijën në shkollë. Këtu mendoj te një pjesë e popullatës, mërgatës, është që nuk i japin ndonjë lloj interesimi dhe e lënë si një far dore të dytë duke thënë “hajt se fëmija im e di gjuhën”. Kemi edhe njerëz që mendojnë se “ç’na duhet neve shqipja kur jemi në Gjermani, apo në Amerikë…”, tha Krasniqi.

    Ai tha se këto mund te jenë disa nga arsyet, por jo mos informimi, pasi që sipas tij, në pothuajse të gjitha mediat kanë qenë prezent për t’i informuar mërgimtarët se shkollat shqipe në diasporë ekzistojnë.

    “Në përgjithësi nuk dua të them edhe pak jo interesimi, por nuk është fare jo informimi, sepse informimi është. Falë televizioneve, falë aktivistëve që gjithherë shkojnë nëpër emisione të ndryshme dhe informojmë se ka shkolla shqipe, falë mediave elektronike, por edhe atyre sociale, informimi për këto shkolla është”, tha Krasniqi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Bibla më e vjetër e më e plotë hebraike shitet për 38.1 milionë dollarë

    Bibla më e vjetër e më e plotë hebraike shitet për 38.1 milionë dollarë

    Një Bibël hebraike më shumë se 1000 vjeçare është shitur për 38.1 milionë dollarë në Nju Jork, duke vendosur një rekord për dorëshkrimin më të vlefshëm të shitur ndonjëherë në ankand.

    Bibla hebraike mendohet se u prodhua diku mes viteve 880 dhe 960, “Bibla hebraike është teksti i shenjtë, themelor për popujt anembanë botës,”
    Ajo u shit pas një beteje ofertimi midis dy ofertuesve, tha shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”.

    Bibla ishte blerë nga ish-diplomati amerikan Alfred Moses në emër të një organizate jofitimprurëse amerikane dhe do t’ia dhurojë Muzeut ANU të Popullit Hebre në Tel Aviv, Izrael.

    Shitja tejkaloi 30.8 milionë dollarët e paguara për dorëshkrimin e Leonardo da Vinçit në vitin 1994 si dokumenti më i shtrenjtë i shkruar me dorë i shitur ndonjëherë në ankand.
    Richard Austin thotë, “ ai është padyshim një nga tekstet më të rëndësishme dhe unike në historinë njerëzore”.

    Ndryshe nga rrotullat e Torës, ku hebraishtja shkruhet vetëm me bashkëtingëllore pa zanore dhe pa shenja pikësimi, këto dorëshkrime përmbajnë shënime të gjera që i udhëzonin lexuesit në shqiptimin e saktë të fjalëve.

  • Aliu: Muzeu Kombëtar i Kosovës ka një numër tejet të lartë të vizitorëve

    Aliu: Muzeu Kombëtar i Kosovës ka një numër tejet të lartë të vizitorëve

    Sot, në mbarë botën po shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Kjo festë shënon rëndësinë kulturore të muzeve dhe rolin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë.

    U.D. e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu, në një intervistë në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se muzeu vazhdon ta ketë një numër tejet të lartë të vizitorëve.

    “Ndërtesa e Muzeut Kombëtar të Kosovës është një ndërtesë historike dhe në vete përmban nga periudha e parahistorisë e deri te lufta e fundit, normalisht në pjesën e arkeologjisë dhe ekspozita e historisë. Nëse flasim për numër të vizitorëve, për dy vitet e fundit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Kompleksi Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë, në mungesë të ekspozitës, me qenë se renovimi ka përfunduar vitin e kaluar, ka kaluar një shifër prej 42 mijë vizitorë”, tha Aliu.

    Ajo thotë se e sheh një trend të numrit të lartë të vizitorëve, ku nganjëherë nuk i zë as ndërtesa e muzeut.

    “Në anën tjetër, jo vetëm sot që është lajmëruar dhe presim një numër shumë të madh të vizitorëve, unë kam kaluar vonë në detyrën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Muzeut, por që e shoh një trend të një numri shumë të madh të vizitorëve, nganjëherë ka aq shumë vizitorë sa që ndërtesa e muzeut nuk mundet me i përballu”, tregoi Aliu. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Shtyhet vizita e shkrimtarit turk Orhan Pamuk në Kosovë

    Shtyhet vizita e shkrimtarit turk Orhan Pamuk në Kosovë

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se vizita e planifikuar e shkrimtarit të njohur turk, Orhan Pamuk është shtyrë për në vjeshtë.

    Edhe pse ardhja e tij ishte e konfirmuar, planifkuar dhe organizuar deri në detajet e fundit, për shkaqe të tij personale, Pamuk ka kërkuar që vizita të aranzhohet për një datë tjetër.

    Në adresimin e tij për lexuesit në Kosovë, Pamuk ka kërkuar falje për këtë shtyrje, duke thënë se më patjetër do të vijë pas disa muajsh.

    “Të dashur lexues nga Kosova. Për arsye që nuk varen nga unë, më duhet të shty vizitën time të paraparë për këtë muaj, por definitivisht do të takohemi këtë vjeshtë. Ju lutem pranoni kërkimfaljen time dhe shihemi në vjeshtën e këtij viti” ka thënë ai.