ATV

Category: EDITORIAL

  • Strategji me ChatGPT

    Strategji me ChatGPT

    Zgjedhjet janë afër dhe partitë kanë filluar me tubime, për më shumë kanë filluar me premtime! Tash për sonte, i kisha dy opsione. Të kaloj nëpër programe zgjedhore të partive, ose të kaloj nëpër ato që po thuhet në tubime.

    Mirëpo, për programe zgjedhore nuk voton gati asnjë kosovar, kështu që me këtë llaf nuk u mora. Fundja, as programet zgjedhore dhe as programet qeveritare nuk realizohen kurrë. At që e marrin pushtetin rrejnë, kurse programet janë listë e dëshirave.

    Mirëpo, ky vend do të duhej të kishte nja 3-4 politika të harmonizuara dhe të miratuara koncensualisht, ashtu që sektorët vital mund të zhvillohen pa marrë parasysh se kush është në pushtet.
    Edhe a e dini çka? Këta dokumente ekzistojnë!

    E dini që për shembull Kosova ka Strategji Kombëtare për Zhvillim. Pa i hy detajeve, e sheh që në faqen e parë bre të parën, shkruan Kosova ka nevojë për përmirësim të furnizimit me energji elektrike, transport më të mirë rrugor, hekurudhor e ajror.

    Autostrada e rrugë kombëtare nuk janë përfunduar që gati 10 vjet dhe nuk do të përfundohen edhe kush e di se sa kohë, termocentrale të reja nuk ka dhe NUK DO TË KETË, planet për hekurudha i kemi ose të kohës së osmanëve ose të austro-hungarezëve, kurse infrastrukturën e kemi të kohës së Shokut Tito, sa për transport ajror, ka rritje mbresëlënëse, mirëpo, jemi më keq se rajoni.

    Për më tepër, Kosova ka edhe dokumente strategjikë sektorialë.

    A e dini që p.sh. vendi ka Strategji Kombëtare për Arsim 2022 – 2026 kur OBJEKTIVI STRATEGJIK NR 1 është Rritje e përfshirjes dhe qasje e barabartë në edukimin në fëmijërinë e hershme. Janë premtu 160 çerdhe, nuk janë ndërtuar as 10% e këtij numri.

    Kosova ka edhe Strategji të Sigurisë 2022 – 2027, dokument 30 faqe, që nuk e ka asnjë fusnotë, ama bash asnjë hiç. Për më tepër, asnjë fjali në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë 2022 – 2027 nuk I kushtohet as shërbimit të detyrueshëm ushtarak që ka qenë premtim para zgjedhor pa lidhje, e as Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse, që është vendim I Qeverisë I miratuar këtë vit.

    Pra, Qeveria ka miratuar vendim DOKTRINOR për mbrojtje, që nuk figuron në strategji të mbrojtjes.

    Dduke kaluar nëpër Strategjinë e Mbrojtjes dhe duke e pa që askush nuk e merr seriozisht atë dokument, më hyri mendja që mundem për 30 minuta me e shkru një dokument më të mirë.

    Isha gabim. Për 20 minuta, bashkë me shokun tim CHATGPT e kam përpilu një dokument të njëjtë, nëse jo më të mirë sesa Ministra. Asnjë fusnotë, një listë dëshirash dhe vlerësime çka ChatGPT ka në arkiv.

    Për me ju kallëzu sa palidhje e kemi Strategjinë e Mbrojtjes, veç i kam thënë Chat GPT me e shkru një strategji të mbrojtjes për Kosovën, për 20 minuta e kam një dokument më të mirë.

    Të dyja dokumentet i bëj publike në linkun e këtij program në youtube dhe krahasojini shënimet.

    Mund të vazhdoj dhe të ju kallëzoj që Kosova Strategjia për Sundimin e Ligjit, Strategjia kundër Krimit të Organizuar, Strategjia kundër Korrupsionit, Strategjia kundër Terrorizmit, Strategjia kundër Trafikimit të Narkotikëve, po e dini tash për çka po flas.

    Më fjalë tjera nëse dikush në Kosovë ju flet për Strategji – mos I besoni fort. Më shumë strategji kanë trajnerë të ekipeve të futbollit në Ligë të Bullgarisë, sesa shteti i Kosovës.

    Nëse strategjitë janë dokumente kot, e kemi të lehtë të konstatojmë pse premtimet zgjedhore janë llafe koti dhe pse programet qeveritare janë lista të dëshirave.

    Tash, çka po shihe kohëve të fundit janë premtimet për rritje të pagave, të gjithë po premtojnë rritje, secili premtim më i madh, e më i pa bazuar se tjetri.

    Tjetër çka po vërehet janë aktivitet me diasporë. Nëse është e vërtetë ajo që po thotë zv.km, për votuesit e Stuttgartit dhe të Prizrenit, mbase edhe ia vlen.

    Pra, pas Stuttgartit, garant edhe Prizrenin do ta vizitojë edhe Donika Gërvalla, edhe përfaqësuesit e partive tjera.

    Për mua më interesante është çka do të thonë në Prizren, sesa në Stuttgart, ama edhe më interesante është nëse sivjet sefte dikush në program do të vendosë diçka të meçme, të matshme e të realizueshme.

    Për lista të dëshirave, kemi boll!

  • Zgjedhjet në SHBA dhe zgjedhjet në Kosovë

    Zgjedhjet në SHBA dhe zgjedhjet në Kosovë

    Zarko Puhovski, një analist politik kroat i ka bërë shumë politikanë të atjeshëm nervozë kur ka vlerësuar se për popullin kroat, zgjedhjet presidenciale amerikane janë më të rëndësishme sesa zgjedhjet presidenciale kroate.

    Për zgjedhjet në Amerikë sot shkruajnë e flasin i madh e i vogël, pjesërisht për shkak se bota është në udhëkryq historik dhe në situatën më të ndërlikuar në 35 vitet e fundit dhe pjesërisht për shkak se zgjedhjet e kaluara kanë vënë në rrezik një nga gurët themeltarë të demokracisë amerikane – transferin paqësor të pushtetit.

    Ka qenë standard politik që pavarësisht se sa e ashpër, sa përçarëse, sa intensive është fushata, kurr përfudnojnë zgjedhjet, numërohen votat, prnaoheet fituesi dhe bëhet transfer paqësor i pushtetit.

    Kjo nuk ndodhu pas zgjedhjeve të kaluara. Trump nuk e pranoi humbjen, masa e përkrahësve të tij shkaktoi trazirat e 6 janarit dhe me qindra zyrtarë të lartë, kongresmenë, guvernatorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë, u pozicionuan si “mohues të rezultateve”, ose election deniers.

    Bota i ka sytë kah Amerika, jo vetëm pse është shteti më i fuqishëm në botë që mund të përcaktojë kah shkon politika globale, por edhe për shkak se qendrat tjera të fuqisë, Kina, Rusia, Irani, nuk kanë transfer paqësor të pushtetit.

    Në Kosovë pas luftës ka qenë një standard i instaluar, e ai standard është që në pushtet vjen nëpërmjet zgjedhjeve, jo nëpërmjet formave tjera. Prej 2014-ës po ashtu, standardi kosovar ka qenë që zgjedhjeet tek ne janë më fer, më mirë të organizuara, më mirë të mbikëqyrura dhe më pak të kontestuara sesa kudo tjetër në Ballkan.

    Për vendosjen e këtij standardi kanë kontribuar shumë faktorë. Prania ndërkombëtare politike që ka vendosur disa standarde, vullneti politik i partive që të mos deformojnë deklarimin e popullit, gatishmëria e partive që të ruajnë votën, shoqëria civile shumë aktive dhe me ndikim, profesionalizmi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vetëdija e lartë dhe profesionalizmi i mediave, dhe kuptohet – respektimi i vendimeve të Gjykatave e mbiii të gjitha – dëshira burimore e këtij populli për demokraci, për zgjedhje të lira e demokratike si shtyllë e demokracisë.

    Kjo dëshirë për demokraci ka bërë që liderët që kanë udhëhequr luftën, të mos votohen për të udhëhequr shtetin, që ata që e kanë kallur dhe sulmuar shtetin të mos votohen derisa ta pranojnë atë dhe të sillen në mënyrë të civilizuar, që askush të mos e marrë vullnetin popullor si punë e kry’me.

    Mirëpo, Amerika për herë të dytë është në situatë kur rrezikohet transferi paqësor i pushtetit. Në duhet të sigurohemi që Kosova në këtë situatë të mos bijë aas për herë të parë!

    Nëse edhe zgjedhjet nuk i orrganizojmë sipas ligjit dhe nëse nuk veprohet sipas ligjit pasi të dihen rezultatet e zgjedhjeve, kjo shoqëri do të mbetet pa kompas moral.

    Kosova është bërë shtet që nuk respekton marrëveshjet ndërkombëtare, nuk respekton vendimet e Gjykatës së vet Kushtetuese dhe kohëve të fundit nuk respekton as liri të shprehjes dhe standarde të mediave.

    Në Kosovë dhe në botë, në momentin që budallët përbëjnë shumicën në emisione për politikë, sport dhe aktualitet, në momentin kur rrjetet sociale dhe reality shoëet bëhen strehë e dhunës, prostitucionit dhe krimit, atëherë humb besimi në media.

    Humbja e besimit në media për shoqërinë tonë është problematik, meqë besimin e kemi shumë të ulët edhe në gjykata.

    Në këto raste besim ka në poltiikë dhe në religjion dhe as politika, e as religjioni nuk janë kompas shoqëror, në një vend demokratik.

    Nëse klasa politike ndjell mosbesim të sistem të drejtësisë në Kosovë, që është i keq, ama është më i miri në rajon, Nëse klasa politike sulmon mediat, që janë të këqija, por janë më të mirat në rajon, atëherë i hapet rrugë ekstremeve dhe kur i hapet rrugë ekstremeve normalizohen budallët, dhunuesit dhe mashtruesit.

    Në Kosovë fushata ka filluar, edhe pse në mënyrë zyrtare fushata fillon në janar. Gjatë fushatës ddo të jetë premtime për rritje të rrogave, shtrim të rrugëve, ndërtim të shkollave, çerdheve, fabrikave, stadiumeve, bazeneve, spitaleve, ambulantave, termocentraleve, ujësjellësve, bibliotekave, teatrove, etj etj. Kuptohet, shumica janë rrena, janë qyfte, sepse i njohim politikanët në Kosovë.

    Do të ketë akuza, skandale, kërcënime, lajme të rrejshme, manipulime mediale e shumë çka tjetër.

    Mirëpo, cka nuk duhet asnjëherë të harroni si votues të Kosovës është se Kosova ka kushtetutë që specifikon përbërjen e Kuvendit nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, ka vendime të Gjykatës Kushtetuese që saktë e përshkruajnë dinamikën pas zgjedhore, ka ligj për zgjedhjet, ka traditë të organizimi të zgjedhjeve me sukses dhe mbi të gjitha ka TRADITË TË PRANIMIT TË REZULTATEVE dhe kur rezultatet kanë imponuar një gjë të tillë, edhe traditë të DORËZIMIT PAQËSOR TË PUSHTETIT.

    Ky është standardi që Amerika e ka madhëruar, krejt bota demokratike e synon, e Kosova nuk duhet ta humbë!

  • Raporti Vjetor, jo i Progresit

    Raporti Vjetor, jo i Progresit

    Për dikë që ka telashe të vishet, Besnik Bislimi shumë i ka qejf mediat.

    Për më tepër, kurdo që njeri mundet, edhe jep këshilla:

    Besoni ose jo, kësaj here kemi vendosur të përfillim një këshillë të Besnik Bislimit dhe kemi vendosur të shohim çka është puna e raportit vjetor të Komisionit Evropian!

    Përpara i kanë thënë raporti i progresit, tash nuk i thonë më – ose dikush n Bruksel e ka marrë vesh që në Ballkan kurrë kurrkush progres nuk bën edhe ka qenë palidhje të mbahet ai emër, ose veç ata burokratët në Bruksel ia kanë ndryshu titullin, që ta shesin si produkt të ri dhe ti arsyetojnë rrogat, e ndërkohë popujt ballkanikë vazhdojnë të sundohen nga elita të korruptuara politike, të vuajnë nga sisteme jo efikase të drejtësisë, shëndetësisë e arsimit dhe të jetojnë në ambient të kontaminuar dhe të dëmtuar!

    Mirëpo, titulli i dokumentit nuk është i rëndësishëm! E tash, aty ku dalloj unë me të tjerët, është që mënoj që as përmbajtja s’është bash fort e rëndësishme ose vendimtare, edhe tash ju kallëzoj PSE!!!

    Raporti i Progresit, ose Raporti i Vendit për Kosovën botohet që gati 20 vjet, edhe një herë, gati 20 vjet, ma i vjetër është raporti i progresit sesa shteti i Kosovës.

    Pra, nëse cilado qeveri ose cilado parti politike e kish marrë seriozisht raportin e progresit, ky vend kish pasë progres! Qeveritë janë ndërruar, ndonjëra ka pasur vlerësime të mira, ndonjëra të këqija, por aty-aty jemi!

    Pse sivjet është interesant ky raport? Sepse është publikuar në javën kur dy kandidatë për KM kanë bërë mijëra kilometra duke kërkuar vota të diasporës, një tjetër ka qenë në Shtetet e Bashkuara, kurse i katërti është kah tenton të gërryejë terren në Kosovë. Më fjalë tjera jemi në fushatë!

    Kjo është arsyeja pse një vlerësim është që ky është raporti më i keq për Kosovën i kohëve të fundit, kurse një vlerësim tjetër është që Kosova ka shënuar progres në gati të gjitha fushat përveç peshkatarisë dhe cila ishte ajo fusha tjetër…

    Meqë jemi pajtuar që kosovarëve na frikësojnë tri gjëra: promaja, roamingu dhe leximi, e di që askush prej neve nuk hyn me e lexu krejt raportin e progresit dhe të konstatojë a ka punu mirë Qeveria Kurti, apo jo!

    Veç se po kemi qejf të flasim për një dokument që nuk e kemi lexuar, edhe tu besojmë politikanëve, që po ashtu fort pak ka gjasa që e kanë lexuar, hajde të flasim çka ka në atë raport dhe si duhet matur progresi.

    Raporti i Vendit vlerëson ecurinë e Kosovës në procesin e përafrimit të vet me kriteret e BE-së në 90 faqe dhe mbi 30 kapituj.

    Në raportin e publikuar këtë javë përfshihet periudha prej 15 qershorit 2023 deri më 01 shtator këtë vit. P.sh. një pjesë e kritikave që i adresohen Kosovës për CEFTA dhe lëvizje të mallrave nuk vlejnë më sepse u hap kufiri për mallrat serbe dhe Kosova është sërish palë konstruktive.

    Nëse raporti ish mshelë më 01 nëntor, e jo më 01 shtator, si progres do të numërohej miratimi i ligjit për mbrojtje të konsumatorit dhe ligjit për kripto asete, që ndodhi SOT në Kuvend.

    Tash për këtë progres do të lexojmë në raportin e vitit të ardhshëm! Pra, po e shihni mund të shënohet si progres edhe diçka që në terren s’ ka hiç ndikim ose ka fare pak!

    Kuptohet, raporti analizon gjendjen kërsh që e kemi në arsim, dhe gjendjen hiç të lavdueshme në shëndetësi dhe drejtësi dhe konstaton që Kosova ka bërë progres të kufizuaaaar.

    E tash, zvkm aktual dhe të gjithë pararendësit e tij thonë që progresi i kufizuar, prapë është progres.

    Ta sqarojmë këtë llaf – Komisioni Evropian i ka 5 vlerësime, për gjendjen aktuale në një fushë të caktuar, le të themi shëndetësi, ose gjyqësi ose ekonomi ose çkado!

    Stad i hershëm i zhvillimi – që në përkthim nga Bruskelishtja bie kurrkah hiç!

    Një farë niveli – ose some level – që në përkthim i bie 2sh,

    Nivel i moderuar – që në përkthim i bie 3sh

    Nivel i mirë – që në përkthim i bie 4sh dhe nivel i përparuar, që i bie pesëshe!

    Na me lexu pritojmë, ama e kemi ditë që 4she edhe 5she Kosova nuk merr!

    I kemi shtypë ctrl+f dhe e kemi pa që me 3sh jemi notuar në 5 kategori dhe në më shumë se 20 tjera kemi dysha ose njësha, ose në Brukselisht early stage and some level!

    Atëherë pse është i rëndësishëm raporti për vendin? Është i rëndësishëm për Bruksel, është i rëndësishëm që të ketë letra dhe dokumenta për të parë qysh na sheh BE-ja dhe ku mendon BE-ja që
    duhet të përparojmë më shumë dhe që qeveritë e Ballkanit të dinë për cilët sektorë me shku BE-së më i lypë pare!

    E qysh është formula për qytetarët e Kosovës ta dinë a ka progres? Me info të dorës së parë!

    A ke ujë, apo e ke të helmuar me Mangan? A kë rrymë, apo ke reduktime, a ke pare me e pagu rrymën? A tu ka rritë rroga ose pensioni? Nëse jo, a mundesh me të njëjtën rrogë me ble të njëjat gjëra që i ke ble vitn e kaluar, apo po blen më pak? A e ke fëminë të sigurt në shkollë, a po t kthehet fëmija prej shkollës më i dijshëm apo jo? A ka barna për nënën e babën tënd në depo t institucioneve, apo je kah i blen vetë? Sa ka pritë nëna ose baba yt për një kontroll të mjekut, a ka pritë më gjatë sesa vjet? Që sa je kah pret që të të zgjidhet një lendë në Gjykatë? A është i njëjti gjykatës që e ka lëndën tënde i njëjti që liron vrasës ,ose e njëjta që e dënon dhunimin me 8 muaj?

    Për krejt këto pyetje – oooo bash sen s t vyen raporti i progresit. Vyen pak komunikim me familje, me njerëz të afërt që ua ka besën, vyen me dalë me pa qysh i ke punët në mahallë, e jo me nejtë me këqyrë budallë në tiktok dhe në rregull jemi!!!

  • Hekuran Murati dhe çështja e mësuesve

    Hekuran Murati dhe çështja e mësuesve

    Dikush është kah rrenë nga pak dhe dikush po e flet të vërtetën, ama jo të plotë. Ose po rrejnë komunat, ose po rrejnë mësuesit, ose po rrenë Hekuran Murati.

    Meqë ti verifikojë mijëra mësues nuk është fort praktike, meqë me komuna dihet situata, çka vlen për një – vlen për të gjitha – sonte po merremi me Hekuran Muratin.

    Javëve të fundit kemi raportuar se si disa komunave i janë bllokuar xhirollogaritë, ose nuk i kanë dalë pagat të gjithëve, për shkak të obligimeve nga kontrata kolektive dhe lëndëve që komunat i humbin në gjykata tash e sa vjet! Rasti i fundit Suhareka! Qe diçka që s’kam menduar që do e them zëshëm në mikrofon:

    Deri këtu e ka mirë. Ama duke e njohur Hekuranin dhe duke e ditur që ky vend i ka dhejtëra mijëra arsimtarë, vendosëm ti hyjmë kësaj teme pak më seriozisht dhe t’ua përimtësojmë në stilin e minutave të Hoxhës.

    Kontrata kolektive është marrëveshje që parashihet me liogj dhe në rastin e arsimtarëve është nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës, në njërën anë dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim e Kulturë, në anën tjetër.

    Kontrata koleketive ndërmjet Qeverisë dhe SBASHK-ut janë nënshkruar më 2017 dhe më 2021. Këtu ndër të tjera parashihet që:

    Punëtorët (anëtarë të SBAShK-ut) në vitet jubilare të punësimit përfitojnë shpërblimin jubilar në vlerë:

    2.1 për 10 vjet të përvojës së punesë në vlerë të 50% të një page bazë.

    2.2 për 20 vjet të përvojës së punesë në vie ë të 75% të një page bazë.

    2.3 për 30 vjet të përvojës së punesë në vlerë të një page bazë.

    2.4 për 40 vjet të përvojës së punesë në vlerë të 150 % të një page bazë.

    2.5 Shpërblimi jubilar paguhet nga punëdhënësi, i punësuari ka plotësuar kushtet e shpërblimit sipas kritereve të nenit 8.

    2.6 Shpërblimi jubilar paguhet në Festën e 7 Marsit të çdo viti.

    Nëse mendoni që ndalen me kaq privilegjet e mësuesve – gabim i keni. Kontrata kolektive parasheh që çdo vit paga e arsimtarëve të përshtatet me shkallë të inflacionit, pastaj kompensim për shujta ushqimore ditëve të punës, dy Euro në ditë pune, 0,50/o të pagës bazë, për çdo vit të plotë të përvojës në punë, atyre që udhëtojnë që udhëtojnë në vendbanimet e komunës përkatëse ku punojnë u paguhen shpenzimet e rrugës 70% të biletave të trafikut urban dhe me rastin e pensionimit i paguhen edhe tri paga, bile bile specifikohet jo më larg se 30 ditë nga pensionimi.

    A është kjo mënyrë politike e favorizimit të SBASHK-ut? Padyshim që po!

    A i meritojnë arsimtarët këto privilegje? Pa dyshim që po!

    A e kemi sistemin arsimor për faqe të zezë, arsimtarët e padijshëm dhe fëmiëjt tupa? – fatkeqësisht po!!!

    Mirëpo, ky nuk është problemi i kësaj kontrate – kjo kontratë e ka një telashe themelore! Nënshkruese e saj është Qeveria, kurse arsimtarët janë punëtorë të Komunave.

    Edhe një herë – MASHTI ka nënshkruar kontratë me SBASHK-un për një listë të gjatë të privilegjeve për arsimtarë, arsimtarët janë anëtarë të SBASHK-ut, ama janë punëtorë të komunave, jo të ministrisë!!!

    Kështu, kur Qeveria nuk alokon mjete të posaçme për kontratën kolektive, arsimtarët nuk e padisin Qeverinë, por Komunën dhe e fitojnë lëndën edhe në shkallë të parë dhe të dytë.

    Çka tash? Komunat detyrohen ti paguajnë arsimtarëve edhe pagat për 10 vjet punë edhe pagat për 20 vjet punë edhe pagat për 40 vjet punë edhe pagat për 40 vjet punë edhe tri paga për pension edhe para për shujta edhe për udhëtim!

    Ku i marrin komunat paret? I marrin ose nga mallra e shërbime, ose nga investime kapitale. Pra, e lënë mangu ndonjë rrugë, ose ujësjellës, ose sallë ose park dhe i paguajnë arsimtarët.

    Ku është problemi? Problemi është se ka Kryetarë te komunave të fund të vitit që i kanë harxhu 80, 90 ose 102% në rastin e Malishevës, këtë e vërtetova prapë, njeri i ka harxhu mbi 100% të investimeve kapitale. Kur i përfundon investimet kapitale i blen mallrat e shërbimet dhe i humb lëndët nga paditë e arsimtarëve – të bllokohet xhirollogaria.

    Tash, do thoni ju, po sa arsimtarë në këtë vend dalin n pension brenda vitit, ose i mbushin 40 vjet punë – as nuk e di as nuk e kam ndër mend me e hulumtu. Ajo çka e di, është sa kontrata kolektive KUSHTON.

    Për tri vjet i ka kushtua komunave mbi 120 MILIONË EURO. 120,000,000 Euro! Ka komuna që i sakaton si p.sh. Suharekën që ia bllokon xhirollogaritë.

    Kuptohet në Prishtinë nuk e kanë këtë problem. Për dy vjet Prishtinës i janë marrë më shumë se 10 milionë nga kontrata kolektive, ama meqë Përparim Rama nuk kryen investime kapitale dhe nuk din me mshelë asnjë projekt – njërit i teprojnë paret, i paguan mësuesat dhe shenjë nuk ia lë kjo punë.

    Tash, dikush mund të thotë po krejt ideja e Hekuranit qenak që me i sakatu kryetarët e komunave, t’ua ndal investimet kapitale që ata të mund të paguajnë arsimtarët.

    Unë nuk po them ashtu, edhe pse kur e sheh që për investime të reja kapitale, Suharekës nga Qeveria i shkojnë më pak se 2 euro për kokë banori e Shtimes më shumë se 102 Euro për kokë banori del shihet që po favorizohen komunat e Vetëvendosjes.

    Deri këtu pra, jemi kah flasim për situatë që kjo qeveri e ka trashëguar dhe nuk ka pasur gatishmëri që ta zgjidhë, duke dashur të komplikojë jetën komunave.

    Mirëpo, këtë muaj Qeveria ka shkuar përtej, janë dy qëndrime palidhje të tij>

    Edhe çka që ka qenë Ramë Likaj? Njeri ka qenë ministër, qysh je ti sot. Nëse po thoni kemi duhet ti zbatojmë marrëveshjet e qeverive të kaluara, pse nuk po e zbatoni një marrëveshje të Ramë Likajt?

    Kush po thotë? Ti po thu a? Jo Hekuran, nuk kallëzon ti a është shkelje ligjore, konstaton gjykata!

    Tash po kthehemi në fillim:

    1. Nëse mendon që është shkelë ligji në kontratë kolektive, atakoje në GJykatë, shliroji komunat dhe mundësoju që dhjetëra miliona Euro çdo vit të shkojnë në projekte kapitale

    2. Për më tepër nëse je i bindur që është e paligjshme kontrata kolektive, pse po lejon me shku paret e thesarit në xhirollogari të arsimtarëve, nëse arsimtarët po përfitojnë nga një kontratë joligjore? Paramenoje e ke një rast në Han të Elezit, komuna u ka borxh 240 mijë euro arsimtarëve, i paguan edhe 120 mijë euro tjera shpenzime për përmbarues, gjykata dhe avokatë! 50% haraç n përmbarues dhe shpenzime tjera. Nëse është e paligjshme Hekuran, atakoje n Gjykatë!

    3. Por, nëse je kah rren dhe kontrata është e ligjshme, atëherë pafytyrësi është të thuash e ka nënshkruar Ramë Likaj, edhe pse pajtohem unë me ty që Rama ia ka huqë i shkreti, po çka me ba Ministër ai – Ministër ti!

  • Dikush hulumton, Liburni priton

    Dikush hulumton, Liburni priton

    Liburn Aliu – me punu, nuk punon, ama tash edhe më folë po priton.

    Qe njeri:

    Po qysh bre nuk po t’vjen marre? Qysh është e mundshme që s’ke lidhje kur kryhet autostrada për Gjilan, pasi keni rrejtë për afate disa herë, tash ke mbërri në stad kur priton me folë!

    Njerëzit nuk duhet të pritojnë të rrezikojnë jetën e tyre kah rruga aktuale Prishtinë – Gjilan – ama Liburni priton me folë.

    Tre të rinj vdiqën afër Urës së Badovcit, mijëra njerëz torturohen çdo ditë në atë rrugë dhe në rrugën e vjetër, miliona Euro ju shkojnë njerëzve në servisim të veturave, mijëra orë jetë humben në pakthim, ama Liburni priton me folë.

    Edhe ne shumë kemi pritu të dërgojmë ekip për të mbuluar tragjedi, kur vdiqën ata tre të rinjtë, bash kemi pritu.

    Edhe sot, meqë ministri pritoi me folë, me boll pritesë dërguam ekip që të shohim çka po ndodhë, të bindemi vetë dhe të raportojmë për shikues.

    Ama, fakti që Liburni priton me folë nuk i kufizon dëmet, lëndimet dhe vdekjet që shkaktohen pse ai dhe të tjerët rreth tij nuk janë në gjendje të përfundojnë projekte për shtrimin e rrugëve.

    Çka unë po ashtu jam kah pritoj, është ta sulmoj tash Liburn Aliun për krejt parregullsitë tjera, hetimet, dyshimet dhe arrestimet në ministrinë e tij. Këtë janë kaah e bëjnë të tjerët tashmë dhe nuk kam asgjë të re.

    Çka nuk pritoj të bëj është të flas disa minuta të mbrojtje të tij për autostradën e Gjilanit. Të merremi vesh, këtu Liburni ka rrejtë për afate, kurse të tjerët e dyshohet që e kanë rrejtë dhe shkatërrua krejt procesin.

    Projekti për autostradën e Gjilanit, është ditë që është kot projekt në ditën që është nënshkruar. Ju kujtojmë, më 11 qershor 2017, në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

    Më 12 qershor 2017, kur krejt Kosova po merrej me rezultate të zgjedhjeve, ministria që udhëhiqej nga Lutfi Zahrku, ministër i Isa Mustafës për infrastrukturë, edhe një herë, NJË DITË PAS ZGJEDHJEVE, ka nisë procedurat për tenderim të autostradës në vlerë 100 milionë Euro.

    Nëse kjo ju duket normale, pritni pak! Mirëpo, kjo është vetëm fillimi, nëse shikohet dosja e tenderit 100 milionësh, Qeveria atëbotë kishte vendosur që një autostradë 22 kilometërshe ta ndajë në 8 lote, 8 kontrata për 23 kilometra. As kjo s po ju duke te dyshimtë? S’keni parë gjë akoma!

    Për tetë lote, a e dini sa kompani i kanë pasë letrat në rregull – 8 oferta

    Edhe një herë, për 8 lote, ose 8 kontrata, në vlerë totale rreth 100 milionë Euro, kanë konkurruar 181 oferta, prej tyre 173 oferta janë shpallë të pavlefshme, edhe për secilin lot ka qëlluar që vetëm nga një ofertë i ka paasë letrat në rregull!

    Edhe tamam mendon që këtu përfundojnë rastësitë, tamam mendon që kur dalin këto fakte në shesh, iu vjen marre me e shty projektin, ncuk, gabim!

    A e dini kur u miratua projekti, për 8 kontrata me vlerë rreth 100 milionë Euro? Komisioni i kreu të gjitha punët dhe miratoi projektin më 08 shtator, kurse Qeveria e Ramush Haradinajt është votuar, më 09 shtator 2017!

    Pra, u shpall tenderi, janë diskualifiku 173 kompani, janë përzgjedhë 8 kompani për 8 lote dhe u nënshrku kontrata, ndërmjet dy palë zgjedhjeve, kur s ka pasur Kuvend me mandat dhe kur qeveria ka qenë në detyrë.

    Sidoqoftë, një mendim i ekspertit të OSHP-së rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim. Gjërat kanë pas shkuar deri aty, sa Blerim Dina nga OSSHP pati paditur Naim Sallahun dhe Shaban Lushtakun dhe në dosjen e prokurorisë thuhej se ata e kanë kërcënuar Dinën.

    Mirëpo, Dina më pas ishte tërhequr nga padia dhe Sallahu e Lushtaku janë shpallur të pafajshëm në dy shkallë, kjo gjë është e mbyllur.

    Ajo nuk u mbyll është puna rreth rrugës. Rekomandimi i ekspertit të OSHP-së për ta kthyer lëndën në ritenderim nuk u përfill nga OSHP-ja. OSHP i përfilli disa ankesa të kompanive, i ndërroi disa nga fituesit, e zbriti nga 100 milionë Euro vlerën e tenderit, në rreth 90 milionë, por nuk e ktheu në rivlerësim.

    Në fillim të 2018-ës i hapi rrugë Ministrisë së Infrastrukturës, që në atë kohë udhëhiqej nga Pal Lekaj, të nënshkruajë kontratat me 8 oferta, për 8 lote, gati 90 milionë Euro.

    Sa për rikujtim Pal Lekaj është i dënuar në shkallë të parë me 3 vjet e 8 muaj burg në shkallë të parë për rastin e 53 milionë Eurove me Bechtel Enkan. Apeli i ka dëgjuar palët, nuk ka dhënë vendim akoma.

    Nëse bash bash doni të dini pse nuk shkoi në rivlerësim lënda, arsyetimi ka qenë, “Në rastin konkret duke pasur për bazë të gjitha sqarimet e dhëna si më lart, Paneli shqyrtues ka marrë në konsideratë edhe këtë dispozitë ligjore, ku sipas rrethanave të krijuara nga vonesat e tepërta në këtë aktivitet të prokurimit, dhe për mos ndërtimin e autoudhës po e pësojnë qytetaret e vendit”!!!

    Këta, edhe me dashtë me e trillu nuk mundesh! Më 2018, kanë thënë eksperti I ka gjetë një mal me shkelje, ama meqë qytetarëve po u duhet rruga, nënshkruajë kështu, rreth 90 milionë, vec nisja punoni…

    2019 zgjedhje prapë – s’del gjë prej kësaj pune! 2021 zgjedhje prapë dhe vjen Liburn Aliu

    Mas një dy vjetëve në pushtet Ministria në krye me Librurn Aliun konstaton se me sfida të papritura, në veçanti duke filluar nga rrëshqitjet e dheut në skarpata të rrugës, e që rrjedhimisht jemi detyruar që të bëjmë riformatime të domosdoshme të kontratave dhe njëherit edhe rritje të sipërfaqeve të shpronësimeve.

    Pra, projekti ka qenë llom, mënyra e administrimit ka qenë shumë e dyshimtë, fort e dyshimtë, kërcënime, padi, tërheqje të padive, shpronësime të vejtra, borxhe, shpronësime të reja, vonesa…
    Një pjesë e madhe e këtyre gjërave s’janë fort edhe faj i Liburnit, edhe ma herët s’ka prituar të flasë për këto tema.

    Tash, ajo që dihet është se në KASH për vitin 2025, në buxhet janë paraparë 36,384,371 euro ndërsa për vitin 2026 janë paraparë 40,955,618 euro. Këtë përfshihen mjete janë për vazhdimin e Autostradës së Gjilanit deri në kufi me Serbinë.

    Kjo i bie që s’do të kryhet së paku edhe dy vjet, nëse jo më shumë! Prituat, nuk prituat, keni me vozitë kah ura e Badvocit edhe rruga e vjetër edhe shumë gjatë!

  • Pse duhet të kërkojë falje Përparim Rama

    Pse duhet të kërkojë falje Përparim Rama

    Dje dhe sot sërish u pa që mediat në Kosovë rrejnë, sidomos kur është puna te Përparim Rama. Expressi fillimisht ka rrejtë në titull që ai I ka preferuar qytetarëve të lexojnë libra në vetura, dhe më pas këtë rrenë të Expressit e kanë kopju edhe dhjetëra portale tjera.

    Për më tepër Expressi në artikullin ku i përmend librat në titull, e vendos edhe videon e Përparim Ramës ku librat nuk përmenden.

    Meqë kurrqysh s’mund të besoja se një Kryetar komune në Kosovë, rekomandon leximin e librave, vendosa ta dëgjoj materialin dhe e pashë që s’ka Kryetar në Kosovë që rekomandon leximin.

    E di çka po mendoni, pse po merrem me Expressin dhe do portale që ia kanë futë kot një titulli, e kanë rrejtë pak në citate, sepse Expressi titujve ia futë kot shpesh ndër vite e breza! Pse s’po merrem me rekomandimet e Përparim Ramës.

    Kryetari i Prishtinës s’bën thirrje për me lexu libra, por për më shkelë ligjin – për përdorim të telefonit gjatë kohës sa njerëzit janë në vetura.

    Në një qytet ku ndodhin aksidente vazhdimisht, në një shtet që e ka shkallën e aksidenteve në trafik me fatalitet shumë më të lartë se BE-ja, Kryetar i kryeqytetit iu thotë qytetarëve që kur mbesin në kolona të flasin me n telefon me njerëz që nuk kanë folë moti!

    Mediat ia huqin edhe atë shpesh, ama zor që kishe gjetë gazetar ose redaktor që kish bërë thirrje që derisa jeni duke vozitë, flisni me njerëz që nuk i keni parë moti.

    Jo! Për një këso huqje, ose Kryetari është kah na e luan krejtve që jetojmë ose qarkullojmë në Prishtinë, ose njeri veç ia ka huqë një deklarimi dhe ka folë palidhje. Mirëpo, Prishtina i ka do precedentë interesante politike. Për këtë arsye nuk bën që dikush me folë palidhje, mos me kry punë dhe me kalu pavërejtshëm.

    Tash, edhe Kryetari paraprak i Prishtinës ka qenë spekulant dhe impotent politikisht, kështu që në këtë drejtim s’ është që kanë ndryshuar gjërat drastikisht.

    Edhe më herët kemi pasë raste kur Kryetari i Prishtinës ka qenë nga një parti që ka qenë opozitë e pushtetit qendror, edhe atëherë kemi pasë arsyetime që Qeveria po e bllokon Prishtinën, edhe më herët Prishtina ka qenë trampolinë prej nga politikanë kanë kërcyer në pushtetin qendror.

    Shpend Ahmeti mund të jetë tërhequr nga politika si i dështuar, por drejtorët e tij, Liburn Aliu, Xhelal Svecla, Arbërie Nagavci, Arben Vitia, Hysen Durmishi, edhe pse kanë qenë pjesë e një pushteti dështak komunal, secili sot kanë më shumë pushtet se tjetri.

    LDK-ja është tregim në vete – një Kryetar i Prishtinës dhe më pas një nënkryetar i tij, të dytë kanë qenë Kryeministra të vendit.

    Pra, jemi kah flasim për dikë që ka shumë pushtet, shumë buxhet, drejtorë e këshilltarë në kabinet, punë nuk kryen, ama ka kohë që u bëjë thirrje njerëzve të shkelin ligjin dhe të rrezikojnë jetën e tyre dhe jetën e këmbësorëve.

    Pra, një gjë është të flitet për telashet ligjore dhe politike me toka në Badovc, telashet ligjore dhe politike me tenderin 18 milionësh për sheshin Xhorxh Bush, telashet me pishinën e Gërmisë, përfshirjen e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Përparim Ramës dhe Arbër Sadikit në projektim ose vlerësim të projekteve milionëshe, telashet me qenë endacakë, telashet me tenderin për Qendrën për Punë Sociale, për rrena rreth ndërtimit të mbikalimeve, nënkalimeve, parkingjeve dhe rrugëve, për mos realizim të projekteve, mos miratim të buxhetit komunal me kohë… Për këto telashe raportojnë gazetarë më të zellshëm sesa unë.

    Ama një gjë tjetër është që krejt këto afera të pëlcasin gjithandej, edhe të bëhet thirrje që njerëzit të bëjnë llaf në telefon.

    Me fjalë tjera, Përparim Rama mund të flet palidhje, sepse këtë e ka bërë edhe Kryetari paraprak, ka fort gjasa të bëhet Kryeministër sepse këtë e kishte bërë një Kryetar paraprak, drejtorët e tij mund të behën ministra edhe nëse janë dështakë, sepse këtë e kanë bërë edhe drejtorët paraprakë dhe kjo varet nga vullneti i popullit. Me këtë pjesë jemi në rregull.

    Mirëpo, nëse nuk kërkon falje për rekomandimin që u bën njerëzve të flasin në telefon gjatë vozitjes – atëherë është nivel i ri i papërgjegjësisë politike dhe njerëzore!

  • Serbia dhe veteranët e UÇK-së

    Serbia dhe veteranët e UÇK-së

    Qysh mundet dikush me qenë veteran në Kosovë dhe mërgimtar në Serbi? Nëse Sadik Duraku në Kosovë ka pasë status të veteranit të luftës, në Kosovë nuk e kemi vërtetuar që ai s’paska qenë në luftë hiç!

    Kur u arrestua në Serbi, u vërtetua që njeri ka është veteran I rrjeshëm…

    Qysh? – qe njeri

    Kuptohet Durakut i ka takuar edhe pensioni i veteranit, ama po del që as pensionin nuk e ka marrë, bile tash është i gatshëm ta dorëzojë statusin e veteranit!

    Dmth njeri që nuk ka luftu, ka pasë status të veteranit të luftës, e ka marrë pensionin, ama me atë pension e ka financu dike tjetër derisa nuk u arrestua!

    Po të isha pak më i paytyrë do të thoja që nëse janë dhjetëra mijëra veteranë në Kosovë, mundet Serbia ti bëjë dhjetëra mijëra arrestime dhe qysh po shihet, këta që kanë rrejtë, hala paskan tutë prej Serbie dhe vetë po deklarojnë që nuk kanë qenë në luftë.

    Nejse, nuk po bëhem kaq i pafytyrë dhe nuk po them kështu.

    Mirëpo, qysh është e mundshme që me qenë edhe të pafytyrë dhe të pazot krejt ata që kanë qenë të përfshirë në këtë proces.

    Qysh është e mundshme që procesi i regjistrimit dhe verifikimit të luftëtarëve të korruptohet deri në këtë shkallë sa as gjykata nuk janë në gjendje me vite e vite që ta qartësojnë dhe ti japin epilog.

    Qysh është e mundshme që edhe ata që i kanë pri luftës, edhe ata që më vonë i kanë pri shtetit, e edhe këta që janë në krye të sistemit të drejëtsisë të mos mund ta mshelin një proces të verifikimit të luftëtarëve.

    Qysh është e mundshme që diskreditohemi deri në këtë shkallë që Serbia na i arreston luftëtarët, e më pas ata thonë që s’është që bash bash kemi luftu!

    Sa për rikujtim, rasti ka filluar më 2018, ishte marrë një vendim nga Gjykata Themelore dhe Aktgjykimi lirues për 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” është prishur nga Departamenti Special i Gjykatës së Apelit.

    Ky vendim i kthen edhe njëherë në bankën e të akuzuarve anëtarët e Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së.

    Apeli gjeti se vendimi i Gjykatës së Prishtinës kishte shkelje eseciale dhe më qëllim të evitimit të tyre urdhëroi që gjykimi të përsëritet.

    Nëse ju intereson ku është rasti i veteranëve tani, seanca e fundit është mbajtur në korrik dhe është urdhëruar që të 19,500 aplikacione për veteranë – të shpalosen një nga një.

    Nëse ju intereson a është mbajtur seanca e radhës – përgjigja është jo. Është dashur të mbahet në shtator, ka munguar Shukri Buja dhe seanca është shtyrë.

    Pra, derisa të procedohen 19500 aplikacione një nga një dhe të bëhen prova e të dhëna publike, ndoshta është më lehtë që këta që kanë rrejtëm, të shkojnë disi të tërhiqen dhe ta kursejnë edhe veten edhe familjen edhe Kosovën nga skenat si kjo që i pamë ditëve të fundit.

    Nëse, me të drejtë pohojmë, se lufta e UCK-së është pjesë e lavdishme e historisë sonë, jemi kah lejojmë që me gjeste të turpshme ta përdhosim atë pjesë të historisë dhe të trashëgimisë.

    Nëse dikur njerëzit kanë qenë në gjendje të vdesin për ta mbrojtur Kosovën nga Serbia, sot duhet nuk ka nevojë të vdesin, ka nevojë veç të punojnë drejt dhe zellshëm për ta mbrojtur trashëgiminë e luftës.

    Flaë luftës së UCK-së, më nuk rrezikohet jeta e kosovarëve dhe nuk rrezikohet Kosova. por, na duhet pak përpjekje, nëse jo luftë, që ta ruajmë memorien kolektive, ta shkruajmë historinë drejt, ta mbrojmë trashëgiminë e lavdishme dhe të dëshmojmë se ia ka vlejtë sakrifica dhe përpjekjet dhe gjaku dhe djersa dhe mundi dhe paret!

    Tek gjenerata jonë luftëtarët kanë nderim pa fund, por letrat, dokument dhe librat historisë nuk funksionojnë kështu. Ato duhet të faktohen dhe të dëshmohen, sa më shpejt, aq më mirë

  • Mbi luftën hibride dhe kërcënimin hibrid

    Mbi luftën hibride dhe kërcënimin hibrid

    Cigaret me rrymë, alltiat me gaz, inteligjenca artificiale, lufta hibride, kah po shkon kjo dynjaja… saktë – forja më e re në Kosovë është lufta hibride.

    Për hir të së vërtetës, shumica e njerëzve që flasin për luftë hibride në Kosovë, dy lidhje me këtë punë nuk i kanë. Meqë edhe unë nuk i kam dy lidhje me këtë punë, nisa me hulumtu pak.

    Lufta hibride si term ka filluar të përdoret dikah kah 2005-a për disa operacione të talibanëve në Afganistan, që shkonin përtej luftimeve konvencionale të ushtrive me ushtri ose me forca të armatosura të organizuara.

    Hera e parë që “lufta dhe kërcënimet hirbide” figuron në një komunikatë të përbashkët të NATO-s është para 10 vjetëve, gjegjësisht në Samitin e Uellsit, shtator 2014.

    Vetë NATO, pas 10 vjetëve, konstaton që termi luftë, ka një definicion në sistemin juridik ndërkombëtar dhe për këtë arsye dhe për tjera, është kah shmanget përdorimi i termit “luftë hibride”, por është kah përdoret ‘kërcënim hibrid’.

    Sipas NATO-s Kërcënimi hibrid i referohet veprimeve të mundshme ushtarake dhe joushtarake të hapura dhe të fshehta që një shtet ose aktor joshtetëror mund të marrë për të minuar një shoqëri dhe për të realizuar qëllimet e tyre politike.

    Me fjalë tjera – çka pohohet nga politikanët është qyfte llaf!

    Për luftën hibride flasim më vonë prapë në emision, por të merremi tash me raportimet e mediave për politikën!

    Nëse mediat raportojnë se Nagip Krasniqi ka negociuar blerje të rrymës nga firma që nuk kanë pasur licencë të shesin rrymë në Kosovë, mund të jetë dëshmise Nagipi është tregtar – ama nuk është luftë hibride!

    Nëse mediat raportojnë që Nagip Krasniqi i nënshtrohet Dejona Mihajlit, është dëshmi që Nagipi është i nënshtrueshëm, ama nuk është luftë hibride.

    Nëse mediat raportojnë se Endrit Shala ka kurdisë tender baxhanaku i tij të fitojë 700 mijë Euro, tregojnë që Endriti shumë e don baxhanakun e vet, ama nuk është luftë hibride.

    Nëse mediat raportojnë se Pal Lekaj dhe bashkëpunëtorë të tij kundërligjshëm ia kanë paguar Bechtel Enkas 53 milionë Euro, kjo tregon që Pali ka qejf me qarkullu miliona, ama nuk është luftë hibride.

    Dhe, nëse publikojnë biseda ose pamje, ose përgjime, ose incizime të Mimoza Kusarit, Milan Radojicicit, Adem Grabovcit, Sami Lushtakut – NUK ËSHTË LUFTË HIBRIDE, është publikim i infove që i kanë marrë nga burimet e tyre dhe që, deri tash, nuk janë demantuar!!! Nuk ka dalë kush që dëshmon që pronto ose zdravo ka qenë montazh!

    Me fjalë tjera – mediat jemi kah bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë – e politika është kah bën atë që ka bërë gjithmonë. Same old, same old! Nga pak ndërrohen partitë në pushtet, nga pak pronarët e mediave, nga pak ministrat, nga pak analistat – ama aty-aty jemi!

    A ka dezinformata në Kosovë? – sa të duash

    A shtyhet agjenda ruse? – vazhdimisht, ama problemi NUK JANË MEDIAT!

    Mirëpo, duhet të sqarojmë një gjë – mbi 80% e trafikut në portale shkon nga rrjetet sociale. Pra, shumica prej juve, nuk klikoni www. (një media e caktuar) .com, nuk e di a njihni dikë që lexon lajme në laptop ose PC, a njihni dikë paguan për lajme, paguan media në Kosovë ose media të huaja, por lexoni çkado që ju del epara në fb ose n tiktok.

    Në tiktok ju kam kallëzu çka ka!

    Kjo i bie që për vëmendjen tuaj në rrjete sociale përveç mediave janë kah luftojnë edhe politikanët, klerikët fetarë, prostitutat, budallët, konspiracionistët, shkollat, kushërinjtë, faqet e shoppingut online, ata që bëjnë video me receta, ata që bëjnë video si auto-mekanikë, edhe eeeec e dije kush tjetër!

    Edhe për këtë punë ka edhe hulumtime se si njerëzit mund të pësojnë, mund të bëhen viktima të dezinformatave dhe keqinformimeve, kjo është punë algoritmi!

    Nëse për shembull dikush lexon dhe beson që limoni dhe soda e shëndoshin covid-19shin, atëherë i paraqitet në feed edhe një artikull që vaksinat kanë chipa, mandej nëse e han edhe këtë fore, ka gjasë që të han edhe fore tjera që që mjalti ju dobëson, që mjalti tjetër ju ndihmon në seks, manej është vorbull kjo. Nisë me besu që gruaja e ka vendin në Kuzhinë, që një grua e vrarë nga burri në Ferizaj e ka lypë, që ka me dalë Fenerbahçe 2sh, që mund ti fitosh 20K në crypto… me fjalë tjera kur e beson një rrenë, priti tjerat!!!

    Mirëpo, asnjë nga këto budallaki që i përmenda nuk i prodhojnë mediat, këtë duhet ta merrni vesh dhe të filloni ta bëni dallimin!

    Feedat e rrjeteve sociale do të ju fëlliqen edhe më shumë muajve të ardhshëm sepse janë kah afrohen zgjedhjet. Nëse nuk jeni të vëmendshëm, do të vëreni që disa faqe të fb që i përcjellin tash dhe që postojnë kamera të fshehta, video qesharake, përnjëherë do të blihen nga disa kandidatë për deputetë dhe ata më pas do të ju dalin në telefon vazhdimisht.

    Fushata ka filluar dhe gjashtë muajt e ardhshëm, nëse nuk jeni të vëmendshëm, nëse nuk shikoni kush po poston diçka, keni me lexu shumë rrena, shumë budallaki dhe në shkurt keni me qenë më të pameçëm e më të padijshëm se që jeni tash!

    Me iu kthy luftës hibride:

    Nëse kishim pasë fakte që Serbia po na e helmon ujin – qysh kemi për Banjskë kish qenë akt i luftës ose kërcënimit hibrid, ama ujin e kemi helmuar vetë!

    Nëse kishim pasë fakte që ndonjë armik është kah shtynë agjende dezinformatash për FSK, kish qenë kërcënim hibrid, por FSK-në pa çizme të reja, pa uniforma të reja, pa transport të rregullt dhe pa ushqim të rregullt – e kemi lënë vetë!

    Nëse kishim pasë fakte që një armik është kah tenton me terrorizëm të sabotojë infrastrukturën në Kosovë – kish qenë terrorizëm, apo akt i luftës hibride, por nëse nuk dimë kush i ka qite gurët në hëkurudhë – s mund të spekulojmë!

  • Budallët, rrjetet sociale dhe çikat e reja të Gjakovës

    Budallët, rrjetet sociale dhe çikat e reja të Gjakovës

    Këtyre ditëve full tregime ka pasë për gjakovarë. Vëllaznimi edhe futboll edhe basketboll ka fituar ndaj ekipeve nga Prizreni, dy gjakovarë Mimoza dhe Milani janë emrat më të përfolur një politikën e Kosovës dhe afërsisht 20 cika të reja të Gjakovës e kanë pre dhe lëndu veten!

    Ju kam thënë bre, shumë ka budallë në atë rrjet! Me ua rikujtu sërish? Qe njeri:

    Rreth 20 nxënëse në Gjakovë janë lënduar këtyre ditëve me mjete të mprehta, për shkak të një sfide në tiktok!

    Edhe herën e kaluar rreth tragjedisë në Badovc dhe përgjegjësisë që e ka shteti, edhe kësaj radhe për lëndimet në Gjakovë dhe përgjegjësitë që i kanë prindërit, nuk po dua të bëj ironi e sarkazëm.

    Kjo punë nuk relativizohet! Mirë shumë që kanë reaguar drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit dhe boll keq nëse gjakovaret e reja janë kah prehen e sakatohen e prindërit e tyre nuk po e dinë këtë punë. Besomëni shumë temë më e rëndësishme është nëse cikat e reja i çmontojnë mprehëset e lapsave që ta prejnë veten në pjesë të caktuara të trupit, sesa Vëllaznimi, e Mimoza e Milani temat tjera.

    Edhe e di që ky nuk është problem veç i Gjakovës, s’është që cikat e reja në Gjakovë prej s kthjellëti kanë vendosur të bijnë në depresion.

    Fjala është për një trend global, aq shqetësues, sa që është dashur ‘Amnesty International’ të merret me të. Saktë – Amnesty International!

    Kjo organizatë ndërkombëtare e ka bërë një eksperiment. Hulumtuesit e saj kanë hapë llogari në tiktok dhe janë paraqitur si 13 vjeçarë. E para gjë që kanë vërejtur është tiktoku nuk ta verifikon moshën. Pra, edhe mund ti kesh 8 vjet, e të paraqitesh si tinejxher, por edhe mund të jesh shumë më i vjetër, edhe të paraqitesh si fëmijë dhe të përcjellësh çka bëjnë fëmijët.

    Mirëpo, për pedofilinë flasim tjetër herë – ti kthehemi eksperimentit.

    Gjëja e dytë që kanë vërejtur hulumtuesit e ‘Amnesty International’ është që pasi i kanë kapërcyer videot me breakdance edhe budallë – tiktoku gjithnjë e më shumë u ka vendosë në feed video që lidhen me kriza në shëndet mendor – depresion, vetë lëndim dhe vetëvrasje.

    Pasi kanë kaluar vetëm 5-6 orë duke shikuar video në tiktok, gati 50%, gati cdo e dyta video që iu është shfaqë hulumtuesve të ‘Amnesty International’ ka qenë video që lidhet me shëndetin mendor dhe me potencial dëmtues.

    Kjo është pjesa kur algoritmi ti vendosë videot në mënyrë automatike. Kur hulumtuesit i kanë kaluar vetëm 20 minuta, duke kërkuar video të këtilla manualisht ma shumë se gjysma e videove që u janë shfaqur më pas në feed-in “for you” kanë qenë video ku lavdërohet, normalizohet ose inkurajohet vetëvrasja!

    Pra, nuk jemi kah flasim për njëzet cika të reja të Gjakovës që mund të jenë viktima të një sfide idiotike, por për një trend global dhe shumë shqetësues.

    Tash, për krejt juve prindër që po thoni, ku kemi vakt na me lexu raporte të ‘Amnesty International’ – nëse jeni kah e shikoni këtë video, mundeni me e lexu, sepse në përshkrim të kësaj videoje në youtube, e kam vendosur linkun e atij raporti.

    Për krejt ju që po thoni, punë e madhe që e ke qite linkun, na s dimë anglisht – po iu them merreni raportin, jepjani ChatGPT ose google-it edhe ua përkthen në shqip.

    Me fjalë tjera, internetin mund ta përdorni edhe për tu bërë më të dijshëm edhe për të parandaluar të keqen për ju dhe fëmijët tuaj, jo veç për tu bërë më tupa!!!

    Edhe nja dy gjëra për tiktok – Qeveria e Kosovës e ka ndaluaar këtë rrjet për punëtorët e vet!

    Nëse nuk e keni këtë info – qe njeri:

    Pra, Albini e ka ndalu. Nëse mendoni që jeni më të meçëm se Albin Kurti – në rregull jemi – vazhdoni ta përdorni!

    Hajgaren anash, një rrjet të Kinës, që po shihet që fare pak e filtron përmbajtjen e vet, Qeveria e Kosovës e ka ndaluar, kurse që nga shkurti i këtij viti, Bashkimi Evropian ka nisur hetime ndaj tiktokut. Arsyet pse ka nisë procedura ndaj tiktokut janë rreziqet e mundshme për mirëqenien fizike dhe mendore të personave, respektimin e të drejtave të fëmijës si dhe ndikimin në proceset e radikalizimit.

    Mirëpo, nga një hulumtim i thjeshtë, del që tiktoku nuk është veç problem i do cikave të reja që e prejnë veten vend e pa vend, e as i fëmijëve dhe gjeneratës së re në Kosovë.

    Ky rrjet social dhe të tjerët, janë telashe e të rriturve. Budallë që janë yje të reality showeve, yje të showeve të inskenuara, prostituta, kriminelë, vrasës dhe kuptohet hoxhallarë e gazetarë – krejt janë kah e përdorin tiktokun për të gjetur më shumë publik.

    Edhe derisa të rriturit i njekin budallët e prostitutat në telefona, prej fëmijëve, nuk po pres që lexojnë raporte të ‘Amnesty International’ ose çfarëdo raporte tjera.

    Kuptohet, nga politikanët ka kohë që nuk pres gjë – edhe sot u mbledh Kuvendi edhe sot dështoi seanca. Një pjesë të madhe të deputetëve i kemi të lodhtë, përveç se të padijshëm!

    Kryetarët e Komunave, pak ma zi se deputetët, sot gati ishin rrahë ndërmjet vete…

    Mirëpo, prapë edhe këta që rrejnë edhe këta që rrehen, janë aty me votë, ne i kemi zgjedhë – ama challengat edhe budallët e rrjeteve sociale nuk i kemi zgjedhë ne – na i ka imponuar algoritmi.

    Sa më shpejt ta shpëtoni veten e fëmijët nga rrjetet sociale – aq më mirë!!!

  • Kolapsi i Shtetit në Badovc

    Kolapsi i Shtetit në Badovc

    Gjatë vikendit e kisha idenë që të merrem me dy tragjedi që ndodhën në rajon dhe të tentoj të alarmoj për situatën në Kosovë.

    Vërshimet në Bosnje e Hercegovinë kanë vrarë më shumë se 20 veta dhe ka të tjerë të pagjetur, shumica kanë vdekur në Donja Jablanicë, një vend banim që gjendet nën një gurëthyes të madh, që
    për më shumë se 20 vjet ka punuar ose pa licencë, ose duke shkelur kushtet i licencës.

    Edhe një herë, një gurëthyes, për 20 vjet ka përdorë vazhdimisht eksploziv pa licencë, ose në kundërshtim me licencën, e ka gërry malin, e ka shkatërrua mjedisin dhe pas reshjeve të mëdha, kemi tragjedinë më të madhe nga vërshimet në këtë shekull.

    Nën ujë gjatë vikendit ishte edhe Vlora, qyteti historik dhe turistik i shqiptarëve, që kur ka të reshura po paguan çmimin për planifikim të keq urban, për ndërtime të egra e shkelje tjera.
    Meqë vala e të reshurve të mëdha në rajon, kësaj here e kurseu Kosovën, plani ishte që të merrem me paralajmërim, me tentim për alarm të situatës.

    Ideja ishte që të mbushemi mend nga tragjedia në Bosnje e Hercegovinë, e më në fund të merremi me gurëthyesit që i kanë shkatërruar lumenjtë e Kosovës, me gurëthyes që kanë gërry male dhe ekosistem në Kosovë dhe shteti i ka toleruar.

    Ideja ka qenë me tregu që në periudhën 2009 – 2014 kanë qenë rreth 200, 200 operatorë ilegal që kanë eksploatuar dhe degraduar lumenjtë e Kosovës.

    Me fjalë tjera, nëse në kohën e Hashim Thaçit dhe kompanisë, ka ndodhë një krim i madh në këtë vend, ai krim është ndaj ambientit të këtij vendi dhe ndaj lumenjve që janë shkatërruar për përfitim të gurëthyesve dhe kompanive të lidhura me to.

    Gjendja kuptohet që është e keqe edhe më tutje. Veç sa për ilustrim, për dy vjet në periudhën 2019 – 2021 nga 200 inspektime në terren, në 118 është shqiptuar vendim për ndalim pune.

    60 % të inspektimeve në lumenj janë pasuar me vendime për ndalim pune, e numri është edhe më i madh, meqë nuk është inspektuar krejt Kosova.

    Ideja ka qenë që nga një tragjedi në Bosnje e Hercegovinë, të mos raportojmë sikur për një tragjedi në Zelandë të Re, sepse Bosnja e Kosova janë afër, kanë klimë të ngjashme, janë shtete jo serioze dhe të korruptuara deri në asht, kanë lejuar gurëthyesit të shkatërrojnë mjedisin dhe nuk kanë kapacitete të kërkim shpëtimit kur ndodhin vërshime të mëdha.

    Mirëpo, një tragjedi në Kosovë e ndërroi lojën – aksident trafiku në afërsi të urës së pariparuar të Badovcit, tre të vdekur!

    Pyetja e parë është – a jeni normal? Shumë thjesht – a jeni normal? Qysh është e mundshme mos të përfundohet një urë që më shumë se një vit.

    Qysh është e mundshme të mos përfundojnë akse rrugore nga 20-30 kilometra që 7, 8 ose 10 vjet, qysh është e mundshme që ndërrohen 4-5 kabinete qeveritare, ka rrezik që është gjashtë të ndërrohen dhe të mos përfundohen ca rrugë?

    Çka jemi kah flasim, çfarë kot shteti është more ky?

    Prapë, pse në Kuvend nuk dëgjoj debat dhe kërkesa për llogaridhënie për këto punë – sepse shumicën e deputetëve i kemi të lodhtë!

    Edhe jo bre, nuk jam kah them që ministri aktual është përgjegjës për vdekjen e atyre tre të rinjve. Jam kah flas për një tragjedi që tregon që ka kollapsu shteti.

    Tragjedia si kjo në Badovc duhet të shërbejë si alarm për ata që projektojnë, ata që ekzekutojnë projekte, për ata që japin buxhetin për zjarrfikës, për kërkim shpëtim, për polici, për
    shërbime emergjente mjekësore, për prokurori dhe gjykata. Ky është zinxhiri i institucioneve publike që kanë dështu vazhdimisht dhe me mos punën e tyre kanë bërë që të vdesin tre të rinj në aksident.

    Edhe nëse mendoni që jam kah e medializoj Badovcin, që është një tragjedi, por rast i izoluar, keq e keni! 15 mijë, 15 mijë, 15,000 aksidente kanë ndodhë në periudhën janar – gusht të këtij viti. 10 mijë veta të lënduar, 68 të vdekur në trafik, vec janar – gusht 2024.

    Kuptohet që ministrat aktual kanë përgjegjësi më së shumti, por këto statistika nuk janë problem i një qeverie – këto janë dëshmi të një shteti në kollaps!!!

    Nëse 6-10 vjet duhen që të përfundojë një rrugë, nëse për 16 vjet nuk ndërtojmë një qendër spitalore, nëse për 16 vjet nuk e ndërtojmë një bazën, një stadium, një termocentral, nëse 8 vjet duhet që të përfundojë një lëndë në gjykatë, nëse arsimin e kemi për faqe të zezë, shteti është në kollaps!!!

    Njerëz, Uji i ndotur, ajri i ndotur, toka e gërryer, rrugët e këqija! Prej Kuvendit, mos pritni gjë, se s’keni çka me pritë, sepse politika këtë debat nuk e nisë, e edhe nëse e nisë, nuk e mban në fokus! Nëse edhe tragjeditë si kjo nuk e kthejnë debatin kah problemet reale, por do të vazhdoni të merreni me budallë të tiktokut – në rregull jemi!