ATV

Category: EDITORIAL

  • Miku jonë me thika mbi harta

    Miku jonë me thika mbi harta

    Qe një temë e mirë – Donald J. Trump – sipas Presidentes është mik i madh i Kosovës.

    Sipas Kryeministrit është njeri që mban thika mbi harta.

    Eh tash, që diplomacinë e kemi llom, kjo dihet. Që fuqinë lobuese në Shtetet e Bashkuara e kemi humbë, kjo u konstatua disa herë, që
    marrëdhëniet Kosovë – SHBA kanë degraduar dhe janë në nivelin më të ulët të kohëve të fundit – po ashtu e thënë nga disa burime!

    Por, meqë Trumpin e paskemi mik të madh – hajde të merremi me një temë, me të vetmin dokument lidhur me Kosovën të nënshkruar nga Donald J. Trump, dora vetë!

    Ai dokument u nënshkrua me Washington – sipas ish Kryeministrit është marrëveshja e Washingtonit.

    Sipas Kryeministrit aktual është tryezë suedeze!

    Tash, temë e mirë kish qenë nëse në këtë tavolinë suedeze, merren thikat për filetim, e kah fundi, pas dezertit shtrohen hartat e bëhen copë copë…

    Aq temë e mirë, sa që i kam humbë 20 minuta tu tentu me ia shpjegu AI-së, qysh duken thikat mbi harta në zyrën ovale dhe ja çka shkarraviti në fund.

    Vazhdojmë – në dokumentin e Washingtonit thuhet:

    Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjet për hekurudhë dhe autostradë që lidhin këto vende – në Kosovë nuk u marrë kush me këtë sport!
    Për këtë punë Amerika jep pare – prape nuk jemi marrë me këtë sport!

    Të dyja palët do të angazhohen për pikë kalim të përbashkët në Merdare – pikë kalimet, më shumë ka qenë temë e problemeve dhe tensioneve sesa promovuese të lëvizjes së lirë

    Të dyja palët do ti bashkëngjiten Mini Shengenit Ballkanik – i ka vdekë nana kësaj pune.

    Të dyja palët do të angazhohen për menaxhim të Ujmanit – harroje numrin tim nuk u marrë kush me këtë llaf.

    Të dyja palët do të ndalojnë pajisjet 5G nga furnizuesit jo kredibilë , 5G ka veç ne fb të ministrave, kurse pikërisht nga Kina janë blerë shumë kamera dhe pajisje tjera për monitorim edhe të objekteve qeveritare etj etj.

    Pjesë e marrëveshjes ka qenë diversifikimi i burimeve energjetike – këtu e kemi një marrëveshje të nënshkruar për bateri, por nuk kemi bateri edhe kush nuk e din as kur do ti kemi, e ndërkohë nuk do të kemi rrymë të prodhuar që ta ruajmë në bateri.

    Me fjalë tjera, pak e hiç nga ajo që është nënshkruar ëhstë kah zbatohet edhe për ëtë punë ka edhe mungesë vullneti edhe mungesë llogaridhënieje.

    Edhe a dini çka? Ky dokumenti i Washingtonit është një dokument. Nëj tjetër është lista e zotimeve që e kanë nënshkruar Presidentja, Kryekuvendari dhe Kryeministri. Një tjetër është që e ka nënshkruar Ministrja e Jashtme. Një tjetër është i vendosur në Bruksel që na futë nën masa ndëshkuese etj etj.

    Vizita e Sekretarit të NATO-s është saktë e kallëzoi çka NATO pret nga Kosova – që është saktë ajo që Kosova nuk e ka bërë tash e sa vjet – zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve ndërkombëtare.

    Kuptohet, në Kosovë nuk kemi pse merremi me këtë temë – duhet të numërohen votat nga Wiesbadeni e Wuppertali dhe të rinumërohen votat nëpër do katunde të Vushtrrisë.

    Sado e dëmshme të jetë hajnia brenda llojit në LDK, sado e rëndësishme të jetë që PZAP-ja dhe organet tjera përkatëse ta konstatojnë këtë hajni e më pas hajnat e votës të dënohen, zvarritjet në proces kanë me kushtu me zvarritje në projekte dhe tema që na e përcaktojnë të ardhmen.

    Jemi në gjysmë të marsit, që i bie që Kuvendi sivjet s’ka me punu më shumë se 5 muaj në total, meqë ka pushim të verës dhe hallakamë të fushatës së zgjedhjeve lokale.

    Nëse nuk ka Kuvend, s ka jetë as përafërsisht normale politike, kurse duke mos pasë Qeveri të re, s’ka potencial të shtyhet asnjë projekt i rëndësishëm.

    Pra, ajo që dihet është se tremujorin e parë e kemi të humbur, tremujorin e tretë e kemi pushim edhe tremujorin e fundit kemi zgjedhje.

    Për shkak të mosdifqave në KQZ dhe hajnave të votave – rrezikojmë ta humbim edhe tre mujorin e dytë dhe të na shkojë krejt viti kot!

  • Albin Kurti temë në Kuvendin e Serbisë

    Albin Kurti temë në Kuvendin e Serbisë

    Qe një temë e mirë – dajak në Kuvend të Serbisë.

    Tash e di çka do thoni. Edhe gaz lotsjellës edhe dajak ka pasë edhe te ne, pse është kjo lajm? E po lajm mbase s’është ama shkas për krahasime, gjithsesi që po.

    Krahasime për çka? Qe njeri:

    E di, do thoni një Kryetare e Kuvendit të Serbisë folë palidhje. Palidhje folë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës boll.

    Sikur të ishte veç Kryetarja që folë palidhje, hajde ish duru. Ama mas Kryetares, Albin Kurti u bë tema kryesore në Kuvend të Serbisë. Qe njerëzit.

    Këta deputetë kryesisht po thonë që opozita e Serbisë i bën favore Kurtit, që Kurti e kontrollon opozitën atje dhe pak a shumë kush nuk është me Vuçiqin në Serbi, është me Kurtin.

    E, a po iu duket tash edhe juve disi e njofshme kjo lojë politike, ky shabllon i akuzave o je me Kurtin, o me Vuçiqin.

    Pra, sipas SNS-it opozita në Serbi është me Kurtin, e sipas Vetëvendosjes, opozita në Kosovë është me Vuçiqin!

    Pra, lojën po e kuptoni edhe vetë. Mirëpo, hajde të flasim pse Albin Kurti është kaq interesant në Kuvendin e Serbisë, e pse Vuçiqi është kaq interesant në Kuvendin e Kosovës.

    Serbia është gati në bllokadë shoqërore tash e 4 muaj pas një tragjedie, gjegjësisht rrëzimit të strehës së stacionit të trenit më Novi Sad që shkaktoi vdekjen e 15 njerëzve.

    Përveç vrasjes së 15 njerëzve, rrëzimi i strehës në Novi Sad rrëzoi edhe një aparat të tërë të korrupsionit në shtet, meqë qartazi u pa se projekti shumë milionësh i Qeverisë së Serbisë dhe disa kompanive kineze për renovimin e stacionit në Novi Sad është përcjellë me parregullsi, lëshimë në realizim të punëve dhe lëshime në mbikëqyrje.

    Pra, një zinxhir korruptiv shkaktoi vrasjen e 15 njerëzve dhe për studentët në Serbi kjo ishte pika nga e cila nuk ka kthim. Kjo ishte pika që dëshmoi që atje nuk funksionon shteti, meqë s’ka llogaridhënie dhe nuk ka sistem të drejtësisë.

    Pas kësaj tragjedie ka pasur një varg dorëheqjesh të disa akterëve jo vital të skenës politike në Serbi, por nuk ka gjykim, kurse një proces fer gjyqësor do të dëshmonte jo vetëm se kush është përgjegjës për tragjedinë, por edhe nëse ka lidhje direkte ndërmjet kreut politik dhe lëshimeve në këtë projekt dhe projekte tjera që vlejnë qindra miliona ose miliarda euro në total.

    Kuptohet, një nga mënyrat që të mos flitet për këtë tragjedi është që të flitet për Albin Kurtin dhe atë se si kussh e shan Vuçiqin, është me Kurtin dhe është kundër Serbisë.

    Në Kosovë nuk ka mundur të rrëzohet streha e stacionit të trenit sepse nuk u ndërtuar e as renovuar asnjë stacion i trenit që nga koha e shokut Tito.

    Në Kosovë është nisur të rinovohet një urë në Badovc dhe ajo punë është kry për faqe të zezë. Derisa është kry, kane vdekë tre të rinj në aksident trafiku. Në Kosovë është nisur të ndërtohet një rrugë për Podujevë dhe nuk është kry kurrë. Aksident me fatalitet ka pasur edhe në atë rrugë.

    Kuptohet, në Kosovë nuk ka mendim kritik dhe potencial protestues si në Serbi për këto tragjedi dhe mundet Liburni me na kallëzu qysh shteti është i përkohshëm. E nëse është shteti i përkohshëm, punë e madhe që nuk shtrojmë rrugë.

    E tash, as për strehën në Novi Sad nuk i ka fajet Kurti, as për Urën në Badovc fajet nuk i ka Vuçiqi. Kosova dhe Serbia janë shumë telashë ndërmjet vete, por në raport me qytetarëtë e tyre, janë dy shtete jo-serioze, të korruptuara dhe primitive.

    A ka dallime? Ka diçka pak: ka raporte dhe dëshmi se në Serbi krimi mbërrin deri tek majat e shtetit dhe është krrim i formës dhe përmasave tmerruese. Ka raporte dhe dëshmi se në Serbi zgjedhjet janë vjedhë, ka raporte dhe dëshmi se Serbia mban në struktura partiake e shtetërore pjesëmarrës në krime të luftës dhe mohues të gjenocidit, ka raporte dhe dëshmi që mediat në Kosovë janë më të mira, ka raporte dhe dëshmi që shërbimet zyrtare dhe sekrete ruse kontrollojnë një pjesë të agjendës politike edhe ndoj dallim teatër aty – këtu!

    Mirëpo, derisa politikanët e dështuar në Kosovë fajësojnë Vuçiqin, e politikanët e dështuar në Serbi ta fajësojnë Kurtin, kemi me pasë show program edhe në kuvendet përkatëse, jo veç në programe televizive ku mshelen do mosdifqa dhe transmetohen live non-stop!

  • Kush i ka fajet për çmime të rrymës

    Kush i ka fajet për çmime të rrymës

    Qe një temë e mirë – rryma elektrike! Zyra e Rregullatorit për Energji ka konfirmuar se ka kërkesa që nga një prilli sërish të shtrenjtohet energjia elektrike, edhe pse nuk i kanë konfirmuar, më herët nga mediat është përmendur rritja për 35% e të hyrave maksimale të lejuara për këto kompani, që i bie që për pak a shumë atë përqindje shtrenjtohet edhe rryma për neve si konsumatorë.

    Këqyre, rryma elektrike, edhe në një vend të varfën e të lodhte si ky i yni është biznis qindra milionësh edhe në vitet e fundit qindra miliona Euro rrymë është importuar në Kosovë, është harxhuar dhe nuk është paguar në veri të Kosovës, dhe kuptohet është harxhuar dhe paguar nga ne të tjerët.

    Tash, qindra miliona Euro dallavere, hajni e transfere, unë normal që nuk mund ti vërtetoj brenda këtyre minutave, por çka mund të bëj, është të tentoj ti zbërtheje disa nga elementet kryesoreje.

    E para – qe një diagram i pahijshëm që kallëzon qysh ky treg miliardësh funksionon. Pra, Zyra e Rregullatorit për Energji është autoritet publik që ndër të tjera bën licencimin e ndërmarrjeve energjetike, rregullimin e çmimeve të monopoleve natyrore, lehtësimin e konkurrencës dhe zbulimin e abuzimit në treg si dhe autorizimin për ndërtimin e kapaciteteve të reja. Nejse kështu së paku shkruan në letër.

    Pra ZRRE është rregullator, kurse biznisi I rrymës elektrike funksionin kështu:

    Prodhuesit – që në rastin e Kosovës në pjesën dërrmuese është KEK-u, manej importi edhe pak krejt diçka burimet e ripërtritshme, prej KEK-ut o cilitdo prodhues, rryma kalon nëpërmjet një rrjeti të transmisionit, e pronar I rrjetit të transmisionit është KOSTT-it. KOSTT-i është i licencuar po ashtu nga ZRRE-ja dhe është përgjegjës për mbajtjen e një sërë rregullash për treg që rregullojnë pjesëmarrjen në treg, përgjegjësinë e balancimit, çmimin e disbalancit dhe barazimit përfundimtar të disbalanceve. OT nuk bën tregti me energji.
    KOSTTi- është ndërmarrje publike.

    Ku ia nisë të bëhet interesante është që shpërndarja, ose distribucioni bëhet nga KEDS-I, që është ndërmarrje private, me pronarë turq dhe është i licencuar nga ZRRE për të menaxhuar shpërndarjen fizike të energjisë tek konsumatorët dhe gjithashtu është përgjegjës edhe për blerjen e humbjeve në shpërndarje.

    KEDS-i dhe KOSTTI dhe KESCO që është përgjegjës për furnizim, pronë e të njëjtëve pronarë turq, kërkojnë nga ZRRE aprovim të tarifave për energji elektrike në bazë të dëshirave të tyre, kurse ZRRE miraton diçka të quhet të hyrat maksimale.

    Në vitin 2024 të hyrat maksimale, që ua ka miratuar ZRRE kanë qenë rreth 400 milionë Euro, prej të cilave 120 Milionë Euro kanë qenë të hyra të lejuar maksimale.

    Pra kur ZREE thotë se kompanitë kanë kërkuar rritje të të hyrave, fjala është për këto kompani.

    Deri këtu ishte proceudrë – hajde tash të flasim ku nisin telashet!

    Vetëvendosja pohon se kur KEDS-i e ka blerë distribucionin për 26 milionë Euro, ka qenë kontrate skandaloze, me elemente kriminale dhe shumë e dëmshme, më shtrenjtë se 26 milionë kanë kushtu veç pjesët rezerve dhe pronat etj etj. Kuptohet, shefa e grupit parlamentar të Vetëvendosjes ka qenë e përfshirë në këtë proces, ajo edhe të tjerët nuk janë dënuar, kështu që krim nuk ka pasë. A ka pasë dëme? Sa t duash!

    Që një fore – një hidrocentral që është shitë në kuadër të këtij çmimi, ama jo si hidrocentral, por si listë e pjesëve për hidrocentral.

    Kjo i bjen si dikush me ta dorëzu një listë me 2 studio, 20 kamera, 10 mikrofona, dy mikseta, 30 reflektorë, 2 skenografi mobile, 6 zyre, 2 kilometra kabllo, 20 kompjutera, 3 antena, 6 serverë, ama mos me t kallëzu që kjo është televizion.

    Të gjithë të akuzuarit kanë thënë që nuk e kemi ditë, askush nuk ka shku në burg, hidrocentrali u fal, pini maca ujë!

    Përveç privatizimit të distribucionit edhe dy tema janë interesante – e para importi!

    Katër vitet e fundit Kosova ka importuar mbi 700 milionë Euro rrymë elektrike, zyrtarisht importi është i domosdoshëm kur KEK-u prodhon më pak sesa që konsumatorët harxhojnë dhe kur ka shumë import atëherë vitin e ardhshëm ka tarifa më të shtrenjta.

    Sipas opozitës në këto 700 milionë Euro import ka parregullsi të shumta, fjala është për mafi energjetike ku është i përfshirë direkt Ambasadori i Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, i icli është tregtar i rrymës.

    Sipas Vetëvendosjes, punë e madhe sa milionë është importi ama ka dallim se prej kujt kanë importu këta, e prej kujt ata. Qe njeri:

    Për më tepër, për më tepër edhe fondi për të ripërtritshme është skemë:

    Eh kjo na sjellë te tema tjetër qindra milionëshe – rryma në veri. Edhe pse Armend Muja i çmontoi shifrat në press conferencë, i pyetur se sa i kushton buxhetit të Kosovës rryma në veri në kohën e Qeverisë Kurti…

    Përgjigjen, kuptohet me pak ditë vonesë ma ka dhën Hykmete Bajrami

    E fundit, rryma sivjet do të shtrenjtohet dhe sipas të gjitha gjasave do të shtrenjtohet çdo vit së paku 6-7 vitet e ardhshme, sepse Kosova, e këtu faj kanë krejt partitë, por Vetëvendosja më së shumti, nuk është në gjendje të ndërtojë termocentral të ri, ka refuzuar mundësinë e ndërtimit me gaz, është vonuar me remonte dhe nuk ka as plan as ide qysh me i rritë kapacitetet prodhuese.

    Derisa nuk prodhojmë, krejt ai rrjet i importit dhe distribucionit që e përmenda ka me vazhdu me qarkullu qindra miliona Euro nga xhepi i secilit prej juve si konsumator!

  • Diplomacia është llom dhe kjo kushton

    Diplomacia është llom dhe kjo kushton

    Sot është bërë një muaj që kur Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë! E di që na duket sikur me qenë 6 vjet, por në pyetje janë një muaj.

    Për një MUAJ, për 30 ditë, e ka mshelë USAID-in duke dashur të kursje miliarda dollarqë që sipas tij janë keqpërdorë, ka vendosur tarifa ndaj Meksikës dhe Kanadasë duke i detyruar këto shtete që të dërgojnë dhjetëra mijëra trupa më shumë në kufi, ka nisur negociatat për përfundim të luftës në Ukrainë pa Ukrainën, e ka cilësuar Zelenskyn si komedian palidhje që ka keqpërdorë pare, e ka ndryshuar rrënjësisht dhe urgjentisht qasjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës ndaj NATO-s, duke i detyruar vendet evropiane të ri pozicionohen ose të gjejnë qindra miliarda Euro si për shpejt e shpejt, ka konfirmuar që Shtetet e Bashkuara e kanë ndër mend të marrin përsipër Rripin e Gazës, ti zhvendosin 1,8 milionë palestinezë që kanë metë në Gaza derisa ta rindërtojnë, janë marrë vesh për këmbim tregtar prej 500 miliardë dollarë me Indinë deri më 2030, 500 000 000 000 për 5 vjet, dhe ka shprehur ambicie për të aneksuar Kanadanë dhe Grenlandën, është tërhequr nga Konventa e Parisit për Ndryshime Klimatike, është tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka lëshuar nga puna mijëra e ka mshelë debatin palidhje rreth gjinive duke nënshkruar urdhër ekzekutiv që janë veç dy gjini, ka ndaluar pjesëmarrjen e burrave në gara sportive të grave, që dorën në zemër po ashtu ka qenë diçka palidhje, ia ka ndryshuar emirin Gjirit të Meksikës që tashmë është Gjiri i Amerikës dhe ia ka ndaluar Associates Pressit pjesëmarrjen në pres konferencë, për shkak se ata e quajnë edhe më tutje Gjiri i Meksikës.

    Për një muaj, 30 ditë!

    Për më tepër, diqysh si rastësisht ka qëllu që pasi Trump fitoi zgjedhjet, në Gjermani u prish koalicioni dhe ka zgjedhje të parakohshme, në Bullgari ka zgjedhje të parakohshme, por ata këtë punë e kanë hobi, në Rumani janë anuluar zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e reja zhvillohen sivjet.

    Kuptohet, në Kosovë jemi marrë shumë me deklarime të Grenellit dhe ditëve të fundit me një shkrim të Bildit se trupat amerikane mund të tërhiqen nga Evropa.

    Më pas njerëzit që i shtyjnë këto fore në media u ekspozuan në një grup në whatsapp dhe ranë nga agjenda.

    Mirëpo, duhet edhe një herë ti kthehemi listës së veprimeve të Trumpit, jo pse në studiot televizive në Prishtinë ka njerëz që mund ti bijnë në fije Trumpit, por për shkak se në kohë të këtyre zhvillimeve që po e ndryshojnë dynjanë, ne jemi kah humbim kohë.

    E kemi një aparat diplomatik që në radhët e veta ka shumë njerëz të paaftë dhe të padijshëm, në kohë kur duhet aktivitet i shtuar dhe intensiv.

    Sa për ilustrim, në kohën kur është kah ridefinohet politika gjermane, Ambasadori i Kosovës në Gjermani sot ish taku me La Fazanin.

    Ose nëse i shikoni pamjet e pritës për Ditën e Pavarësisë, e shihni që një Ministër i Qeverisë Federale ka qenë aty – ministri i bujqësisë Cem Ozdemir, të cilit Ambasadori ia dhuroi një tegëll ajvar.

    Në kohën kur është kah ndryshon rrënjësisht politika amerikane, Ambasada e Kosovës në Uashington i ka katër veta STAF – KATËR!!!

    Ambasadori dhe Sekretari i Parë, Sekretarja e Dytë dhe dy Sekretarë të Tretë! Në kohën kur janë kah ndryshojnë paradigmat botërorë të sigurisë, në Uashington, Londër e në Berlin nuk kemi atashe ushtarak, kurs fuqia lobuese jashtë ambasadave është në duar të talentëve të mëdhenj të diplomacisë si Afërdita Rakipi, ose Gani Jakupi!

    Diplomaci parlamentare nuk ka sepse nuk ka parlament, kurse takimet në Munih saktë na e kallëzuan vendin!

    Presidentja atje foli për dinozaurë, Kryeministri këtu flet për hajvanatë – obsesion me botën shtazore, llafe qyfte, a diplomacia botërore kah tronditet.

    Për Kinën, Afrikën, Amerikën Latine, takimin e G20shit, as që po flas – ato lajme diplomatët tonë i shikojnë në televizor, njëjtë si ne tjerët!

    Për më tepër jemi edhe më tutje nën sanksione të BE-së, që zor që hiqen sivjet, kurse për ndryshime e përforcime në Ambasada e misione diplomatike, as që flet kush!

    Këqyre, e di unë që duhet të kryhet numërimi, duhet të kryhen ankesat, parashtresat, certifikimi, konvokimi, mandatimi, o krejt bre!

    Në rregull është kjo punë, procedurë është! E di po ashtu që vullneti i popullit është shumë zor të deformohet, Vetëvendosje do të jetë në pushtet, përveç nëse nuk dëshiron të jetë në pushtet, edhe kjo është e qartë!

    Mirëpo, kushdo që vjen në pushtet – është mirë ta kuptojë që diplomacinë e kemi të paaftë dhe palidhje dhe është mirë që ta marrë më seriozisht.

    Me llafe për hajvana mund ti fitosh zgjedhjet në Kosovë, fundja po duket në Kuvend kemi me pasë deputetë që nuk dinë shkrim lexim e kalendar, kështu që s’ka me u marrë kush me diplomaci aty, në rregull jemi!

    Por, me llafe për dinozaurë në Munih, me nënshkrim të zotimeve, e manej me deklarata të tipit pini maca ujë, me Ambasada të sakatuara në shtetet vitale për Kosovën, me sanksione në fuqi ndaj neve, zor që kemi me fitu diçka nga Evropa o Amerika.

  • Ku ia huqi KQZ-ja dhe a fitoi Vetëvendosja

    Ku ia huqi KQZ-ja dhe a fitoi Vetëvendosja

    Qe një temë e mirë – numrat! Në emisionin e kaluar gjatë u mundova ta shpjegoj pse platforma e KQZ-së është gabim dhe pse njerëzit po hutohen kur po llogaritin votat e partive në përpjesëtim me pjesëmarrjen e votuesve.

    Për çdo rast, linkun e asaj videoje, po e lë në përshkrim, kush ka interes ti kthehet. Mirëpo, sot do të merremi më diçka tjetër – numrat dhe legjitimitetin!

    Kam pa shumë talenta këtyre ditëve pas zgjedhjeve që i kanë pohuar tri gjëra – e para që dalja në zgjedhje vazhdon të jetë e ulët dhe kjo është shenjë e pakënaqësisë së popullit me partitë.

    E dyta – që Albin Kurti ka rënie të votës dhe që opozita i ka fituar zgjedhjet dhe e treta, që Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk ka prodhuar zgjidhje për situata si kjo që e kemi tani.

    Të shkojmë më radhë – e para dalja e ulët – nuk është e vërtetë. Ky është keqkuptimi dhe manipulimi më i madh që është kah bëhet me kosovarë dhe keqinformimi më i madh i zgjedhjeve në Kosovë në raportet ndërkombëtare.

    Burimi i këtij keqkuptimi është KQZ-ja. Në listë të KQZ-së janë 2 milionë veta të regjistruar si votues, kurse në Kosovë janë 1,6 milionë banorë. Prej 1,6 milionë banorëve, sipas regjistrimit të popullsisë, jo listave qyfte të KQZ-së rreth 420 mijë kanë qenë më të rinj se 18 vjet.

    Pra, banorë të Kosovës mbi 18 vjeç janë rreth 1,2 milionë. E nëse prej 1,2 milionëve dalin përmbi 830 mijë në zgjedhje, jemi kah flasim për dalje mbi 67%, që është shifër fantastike.

    Është shifër që dëshmon që demokracinë në Kosovë e marrim seriozisht, që e dimë që me votë bëhet ndryshimi dhe votën e mbrojmë!

    Për më tepër, po ju lus të gjithëve, kusho që e shikon këtë video, le ta bën një llogaritje të thjeshtë për komunën e vet, secili për komunë të veten.

    Llogaria është kjo – numëroni votat për parti në KQZ nga komuna juaj dhe më pas zbriteni atë numër nga numri i banorëve në rritur në komunë ne tuaj.

    Qysh? Qe qysh:

    Po e marrim shembull Prishtinën. Nëse i mblidhni 55 mijë vota të Vetëvendosjes, 30 mijë të LDK-së, 21 mijë e gjysmë të PDK-së, 5 mijë të Listës për Familje, 4 mijë të AAK-së, etj etj. Do të dalin rreth 117 mijë vota. 117 mijë.

    Tash, shikoni të dhënat e regjistrimit të popullsisë – shkoni te komuna e juaj, në rastin tonë Prishtina.

    Prishtina, sipas ASK-së i ka 227 mijë banorë. Prej numrit 227 mijë zbrini numrat e banorëve 0-4 vjeç, 5 deri 9 vjeç, 10 deri 14 vjeç i bie që i kemi heqë nja 50 mijë banorë. Nëse e heqim edhe gjysmën e banorëve 16-19 vjeç, Prishtina del se i ka rreth 170 mijë banorë të rritur.

    Nëse janë 117 mijë vota në 170 mijë banorë të rritur, dalja është 67% është shumë e lartë. Nuk po them që kjo formulë është definitive, por formula e KQZ-së është qyfte llaf. S bën punë, gabim është!

    Sipas të njëjtës formulë, dalja në Skenderaj ose Drenas e kalon 70%shin, është është mesele!

    Pra, kushdo që thotë dalja ka qenë e ulët, ose që krejt kjo kalsë politike e ka përkrahjen vetëm e gjysmës së popullit, MO I BESONI dhe dijeni që ose ëhstë kah rren ose s është kah din!
    Kjo tash e jep pjesërisht përgjigjen në pohimin e dytë – a ka humbë Albin Kurti vota?

    Më 2019 Albin Kurti i ka pasur 184 mijë vota, kurse Vetëvendosja mbi 220 mijë. Në zgjedhjet e 2021-ës Albin Kurti nuk ka qenë në listë, nuk ka qenë në fletëvotim!

    Vjosa Osmani i ka marrë mbi 300 mijë vota, kurse Vetëvendosja rreth 440 mijë.

    Deri tash, Vetëvendosja pa Vjosa Osmanin i ka 340 mijë vota, pa u numëru diaspora dhe votat me kusht.

    Më pak se në 2021-ën sigurisht, por Albin Kurti si emër i përveçëm sivjet ka me fitu më shumë vota se ndonjëherë më parë, e sa nën 440 mijë është efekti – do të dihet muajin e ardhshëm.

    A po vëreheet mungesa e Vjosa Osmanit, a ka ndonjë faktor tjetër, apo vec dalja prej 900 mijë votave

    Për më tepër, KQZ-ja sado që është e ngadalshme, numërimi i votave nuk pritet ta deformojë vullnetin e popullit. Votat e partive i ruajnë komisionerët, aty ku ka dyshime mund të jetë rinumërime dhe krejt kjo do të kushtojë kohë dhe nerva, por jo edhe prishje të procesit.

    Bukuria tjetër e këtyre zgjedhjeve ka qenë mundësia të votohen 10 kandidatë për deputetë, e jo 5.

    Efekti i parë i kësaj risie ligjore është ngadalësimi i procesit të votimit. Krejt ne që kemi votuar e dimë që sivjet na janë dashur së paku 1 minutë më shumë për të votuar. Nëse 1 minutë e shumëzoni me 830 mijë – po e shihni edhe vetë pse ka pasë hallakamë.

    Efekti i dytë që e ka shkaktuar është ngadalësimi dhe komplikimi i procesit të numërimit. Votat për deputetë do të duhej të numëroheshin në qendra komunale të numërimit dhe po e shohim që nëse vazhdon me këtë tempo, Kuvendo zor që bëhet para Bajramit!

    Efekti i pritur i kësaj risie ligjore është një përbërje e Kuvendit që është më cilësore dhe një votë më e shpërndarë, për dlalim nga vota e koncentruar në grupe me nga 5 deputetë të një rajoni ose një klike.

    Nëse ky efekt është mbërri duhet të shohim rezultatet!

  • Sherri qindra milionësh Vetëvendosje – LDK

    Sherri qindra milionësh Vetëvendosje – LDK

    Qe një temë e mirë – një sherr milionësh ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes u bë temë këtyre ditëve, e një sherr qindra milionësh është kah pret!

    Një përplasje online midis Përparim Ramës dhe Hajrullah Çekut, e shpërfaqë një problem shumë të madh që e ka Kosova.

    Kuptohet kur dy politikanë kundërshtohen, minimum një prej tyre është kah rrenë, kështu që hajde të merremi pak fillimisht me Kryetarin e Prishtinës dhe Ministrin e Sportit.

    Ministri i Sportit i postoi disa foto të një projekti për një palestër multisportive në Prishtinë dhe pohoi se për ndërtimin kanë ndarë buxhet 3.5 milionë euro dhe ka një vit që po presim ndarjen e lokacionit nga Komuna e Prishtinës.

    Ky është vetëm njëri nga projektet që jemi zotuar për të investuar në infrastrukturën sportive të kryeqytetit, por kemi hasur në neglizhencë totale të Komunës së Prishtinës.

    Përparim Rama u përgjigj duke pohuar se Komuna e ka paraparë që kjo palestër të ndërtohet si pjesë e projekti të quajtur Fshati Olimpik i Prishtinës dhe Vetëvendosja duke mos votuar për miratimin e Planit Rregullues të Zonës Ekonomike, e ka bllokuar këtë projekt.

    Fshati Olimpik i Prishtinës është paraparë të ndërtohet në Bërnicë, projekti për herë të parë është bërë publik kah fundi i 2023ës, kurse para një viti, në janar të 2024-ës ishte prezantuar nga Kryetari Rama para bizniseve që mund të jenë donatorë potencialë.

    Mirëpo, ministri Çeku po pohon se palestra multifunksionale është paraparë të ndërtohet në Hajvali, jo në Bërnicë dhe për këtë janë dakorduar me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe me Komunën, e më pas Komuna nuk e ka ndarë lokacionin.

    Pse Federata e Basketbollit hyn në ekuacion? Hyn sepse Federata e ka mbaru projektin. Pra, ka qenë një plan pak më strategjik i FBK-së që të bëhen 10 palestra në krejt Kosovën, 2 në Prishtinë, 8 në komuna tjera dhe në to të mund ushtrohen sportet me dorë, plus futsalli.

    Sipas FBK-së MKRS në janar të vitit 2024 ka ndarë mjetet e nevojshme për realizimin e projektit, ndërsa FBK ka koordinuar dizajnin final të palestrës dhe është pajtuar me Komunën e Prishtinës që lokacioni më i përshtatshëm për këtë qëllim është parcela përballë kampit zhvillimor dhe stadiumit të Federatës së Futbollit të Kosovës, në Hajvali. Sipas FBK-së meqë aty veç ka infrastrukturë sportive dhe kapacitete hoteliere të Federatës së Futbollit, ka qenë më e logjikshme që edhe futsalli edhe sportet me dorë të kenë një palestër në afërsi.

    Pra, nga Federata po pohon që e ka finalizuar projektin dhe ka kërkuar Hajvalinë si lokacion, nga Ministria po pohojnë se e kane buxhetuar projektin për Hajvali, kurse Komuna po pohon që këtë palestër e ka pjesë të një projekti më të madh për fshatin olimpik në Bërnicë.

    Përndryshe në Bërnicë Përparim Rama ka premtuar ndërtimin e një qendra kombëtare të sportit dhe të stadiumit nacional dhe për një mandat, as tokën nuk e ka nda, se lëre më diçka më shumë.

    Fundja, Përparim Rama, përveç kompleksit në Bërnicë ka premtuar revitalizim të Pallatit të Rinisë, tri palestra, skilift për Gërmi, e pashë te GAP-i në listë të premtimeve, patinazh, salla të edukatës fizike për të gjitha shkollat me 100 nxënës e më tepër, etj etj. Edhe evidente është që nuk i ka përmbushë këto premtime.

    Po telashja shkon përtej tij!

    Krejt këta minuta që tregova kush çka po thotë, më besoni janë të parëndësishëm në raport me dënim e vërtetë që po ndodhë.

    Nëse Përparim Rama është kah rrenë, punë e madhe. Është kah rrenë, ose është kah flet palidhje moti. Nëse Ministria e ka ndarë buxheti, punë e madhe që e ka buxhetuar një project që nuk ka filluar. Zatën, mos mbajtja e fjalës nga komuna po iu shërben si alibi perfekte.

    Nëse Federata është kah e pret sallën, mirë shumë, por edhe reprezantacionin e seniorëve, edhe U20shat na i ka mundur Irlanda e situata është urgjente!

    Nëse Komuna dhe Ministria nuk merren vesh për 3 milionë e gjysmë projekt, llogariteni çka ka me ndodhë 100 herë më të madh.

    Op! 250 milionë Euro, janë të zotuara ME LIGJ për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. 250 000 000 ME LIGJ të zotuara edhe ky është minimum, kjo është veç infrastruktura sportive e përcjellëse. Shpenzimet do të jenë edhe më të larta.

    Vendimi për organizim të Lojërave Mesdhetare është I 2023-ës. Në 2025-ën, lëre që nuk është ngulë asnjë baski, e asnjë objekti të ri sportive, lëre që hala s’kanë lidhje kush do ta udhëheqë projektin, por, Ligji për Lojërat Mesdhetare është miratuar në mënyrë të ngutshme në fund të vitit dhe bashkë me më shumë se 10 ligje tjera është kontestuar në Gjykatë Kushtetuese.

    Pra, për 3 milionë e gjysmë projekt, paqt llafi s ka gjë as sivjet, sepse sivjet I kemi minimum dy palë zgjedhje dhe s’kam shumë shpresë që Komuna e Prishtinës do të ndërrojë në dinamikë dhe në mentalitet.

    Për gati 300 milionë shpenzime, as që kanë nisur të mendojnë. Qeveria dhe Komuna kanë pasë mosmarrëveshje më shumë se një vit, ligji në Kuvend ka kaluar më shpejt sesa që mundet Glauk Konjufca një fortë ujë me e pi, me ligj u zotuan 250 milionë, kurse më pas PDK-ja e kontestoi në Gjykatë Kushtetuese.

    Ndërkohë, 33 mijë fëmijë të grupmoshës 10 – 19 vjet në Prishtinë, nuk kanë palestra, nuk kanë salla të sportit, nuk kanë bazena, dhe infrastrukturë të rriten normal.

    Nëse i djegim edhe këto gjenerata, vijnë edhe 31 mijë fëmijë të grup moshës 0-9, që po ashtu nuk dihet a do të kenë salla, bazena, infrastrukturë.

    Kanë shisha bara, tiktok edhe ajrin e ndotur edhe rrugët ku këmbësoret shkelen nga veturat pa mëshirë!

    Nataliteti është kah bjen, njerëzit janë kah e braktisin vendin dhe ka rrezik që pas Lojërave Mesdhetare kemi me pasë salla e palestra e bazena, por s’kemi me pasë fëmijë që të ushtrojnë aty.

    Përjashto hendbollin që I ka rezultatet seriozisht të mira dhe duket që nuk është në krizë të ndërrimit të gjeneratave, sportet tjera të palestrës janë llom, pjesërisht për shkak të mungesës së infrastrukturës.

    Kuptohet, trenerat e këqij, klubet e këqija, po ashtu janë faktor! Mirëpo, për trajnerë dhe fëmijë kam folë edhe më herët!

    Ky episod ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Sportit veç tregon që politika nuk e ka telashe ta mbajë peng zhvillimin normal të rinisë.

    Nëse sot nuk kemi sportistë, nesër do të kemi pacientë – e politikës më shumë i konvenojnë pacientët!

  • A duhet te votoje diaspora?

    A duhet te votoje diaspora?

    Qe një temë e mirë – gazetarët e terrenit. Raportojnë nga situata të pakëndshme dhe të zorshme, dy vitet e fundit disa herë janë sulmuar ose rrezikuar dhe kutpohet ballafaqohen edhe me mosdifqa të cilëve duhet me ua palu: qe një shembull:

    E para – shumë mirë prej Fatlumit që të paloi, kallëzoj vendin. E dyta, këtë punë nuk është dashur ta bëjë Fatlumi, o Alban.

    Pak edukatë, do parime themelore të mirësjelljes, psh që pyetja nuk kthehet me pyetje, që gazetari bën pyetje, zyrtari përgjigjet e këso gjanash është dashur të ti mësojë nëna, baba, mësuesi, mësuesja, e jo mediat.

    Po nejse, pse ti nuk je fort i sjellshëm, ose fort i dijshëm, është problem i atyre që jetojnë e punojnë me ty, jo i joni që raportojmë për këtë punë.

    Mirëpo, interesante është për çka janë kah angazhohen ata që të kanë dërgu aty – pra Vetëvendosja, që ka kërkuar të shtyhet për tri ditë afati për regjistrim të votuesve nga diaspora, edhe pse ata i kanë pasur 120 ditë afat për regjistrim.

    Hajde pra të flasim për votat nga diaspora.

    Deri më tash janë lajmëruar rreth 100 mijë veta për votim dhe në mesnatë dihet numri final, më pas ata vërtetohen nga KQZ, atëherë kanë të drejtë vote.

    Në letër 100 mijë veta nuk janë pothuajse asgjë, janë 5% e korpusit total elektoral, sepse kujtojmë që sivjet në lista zgjedhore janë 2 milionë votues.

    Kjo është një huqje dhe tregim në vete. Pra, nëse Kosova i ka 1,5 milionë banorë rezidentë, e kështu po thotë ASK edhe nëse dihet se rreth 400 mijë banorë rezidentë janë më të rinj se 18 vjeç, pra nuk kanë të drejtë vote, i bie që në rastin më të mirë, janë rreth 1,2 milion votues rezidentë.

    Edhe nëse janë lajmëruar 100K nga diaspora, jemi kah flasim për 1,3 milionë. Pse është kjo temë e rëndësishme. Për shkak se, nëse dihet që në zgjedhjet e 2021-ës, mbi 900 mijë veta kanë marrë pjesë në zgjedhje, që i bie që dalja REALE, nuk ka qenë rreth 50%, por shumë më shumë.

    Pra, 1 milion e gjysmë banorë, 100 mijë të lajmëruar nga diaspora dhe mbi 2 milionë në listë zgjedhore. Tash, pse shteti nuk mundet dhe nuk di ta pastrojë listën e votuesve, pse ka komuna me më shumë votues sesa banorë, këto janë tema të mira, mirëpo, shteti është keq!

    Pra, nëse i kemi rreth 100 mijë votues të diasporës dhe nuk është reale ti kemi më shumë se 800– 900 mijë votues, jemi kah flasim për një masë 11 – 12% të korpusit total elektoral, që votojnë nga diaspora, do të votojnë me postë, ose fizikisht në misione diplomatike.

    Këtu nuk llogariten krejt ata që jetojnë jashtë dhe vijnë për të votuar FIZIKISHT në Kosovë në shkurt të vitit të ardhshëm, kjo më pas e ngritë përqindjen e tyre në totalin e votuesve.

    Pra, diaspora është faktor serioz në zgjedhjet në Kosovë, është faktor që mund të jetë edhe përcaktues për rezultate.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka dhënë afat 120 ditor për regjistrimin e votuesve nga diaspora dhe nëse këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar rreth 100 mijë veta, dy talenta të Vetëvendosjes po mendojnë që duhet edhe tri ditë afat edhe nëse bilancin e 120 ditëve nuk mund ta rregullojnë për tri ditë, telashja qenka te gazetarët!

    Nejse, nuk i kanë gazetarët, kjo po dihet në rregull jemi! Por, pse është diaspora interesante si kategori e votuesve, edhe mbi të gjitha pse është aq interesante, për Vetëvendosjen?

    Zgjedhjet e vitit 2010, 706 mijë vota në kuti në total, 5 mijë aplikime nga diaspora vetëm 1460 vota të vlefshme, me fjalë të veta, 0,2% ndikimi!

    Zgjedhjet e vitit 2014, 743 mijë vota në kuti, rreth 16 mijë aplikime nga diaspora, 10 mijë e 600 vota të vlefshme, pra rritje serioze, 1 për qind e gjysme e totalit!

    Zgjedhjet e viti 2017, rreth 780 mijë vota në kuti, 15 mijë e 118 pako të fletëvotimeve, ndërsa 9 mijë e 157 prej tyre ishin aprovuar.

    Zgjedhjet e vitit 2019, 826 mijë vota në kuti, 24 mijë e 523 pako të fletëvotimeve ishin pranuar, ndërsa ishin 13 mijë e 241 vota të pranuara, pa llogaritur ato nga Serbia.

    Dhe zgjedhjet e vitit 2021, 903 mijë vota, 74 mijë pako të fletëvotimeve, ndërsa 53 mijë e 600 u aprovuan.

    Pra, kemi ardhë prej 0,2 deri në 6% të totalit të votave edhe si dihet ky record mund të thyhet, nëse plotësohen dy parakushte.

    I pari- që diaspora të votoj me rregull, edhe të ju pranohen votat, meqë po e shohim që mijëra vota të tyre nuk pranohen dhe I dyti – nëse në Kosova ja dalje më të ulur në zgjedhje, që për zgjedhjet e 2025-ës po duket e mundshme për shkak se ka MË PAK BANORË, më pak njerëz në Kosovë.

    Nëse bash duam të merremi me rezultate, këtu ia nisë e bëhet përnjëmend interesant. Më 2021 nga 56 mijë vota me postë, 44 mijë I ka fituar Vetëvendosja!

    Edhe një herë, nga 56 mijë, në total, 44 mijë ose 78 për qind e gjysmë një vota të Vetëvendosjes!

    Nëse sivjet janë regjistruar gati 100 mijë veta, po e shohim pse diaspora mund të jetë faktor. Nuk janë të paktë ata që mendojnë që për me votu në këtë vend duhesh me pagu taksa këtu dhe diaspora s’duhet të ketë të drejtë vote.

    Sipas kësaj logjike, mbi 40 mijë votues në veri, që nuk paguajnë taksa në Kosovë nuk do të duhej të kishin të drejtë vote, ama po e dimë që votat e tyre edhe I japin legjitimitet Listës Serbe dhe I japin sharm kësaj demokracie tonës multietnike.

    A duhet të votojë diaspora? Duhet edhe mirë bile! A është dashur ti jepen tri ditë, pasi I janë dhënë 120 ditë standard? Jo! Afatet janë afate dhe ecim tutje!

    A është problem pse diaspora mund tëjetë vendimtare? Prapë jo! Sivjet në Moldavia ka pasur referendum për ndryshime kushtetuese që mundësojnë që ky vend të anëtarësohet në BE? A e dini ka kanë votuar PRO? 50,35%! Kush ka qenë përcaktues? Diaspora!

    Diaspora është faktor I rëndësishëm në zgjedhjet në Rumani, Gjeorgji e vende tjera, pra nuk është Kosova përjashtim! Regjistrimi mshelet sot, e për rezultate, flasim në shkurt!

  • Trollat zbythen kur përballen me njerëz

    Trollat zbythen kur përballen me njerëz

    Tash që po dihet që jemi pak mbi 1 milionë e gjysmë në këtë vend, dhe atë të shpërndarë në 366 mijë ekonomi familjare, qe një temë e mirë.

    Prej 366 mijë ekonomive familjare, 360 mijë kanë së paku një telefon mobil dhe rreth 200 mijë nga to kanë një PC ose Laptop.

    Kuptohet, kur themi ekonomi familjare, ne mendojmë që ato përbëhen nga njerëz që e përdorin telefonin ose laptopin për punë, kontakte, lexim, herë pas herë edhe për zbavitje. Por, në regjistrim të popullsisë nuk figurojnë trollat, as botat, as profilet fake, e as do kategori tjera që ka rrezik ti llogaritim për njerëz.

    Çka janë trollat? Janë krijesa që për qëllim kanë armiqësimin ose polarizimin e njerëzve, duke postuar përmbajtje të rrejshme, kundërthënëse, kërcënuese ose ofenduese online!

    OK! Çka ndodhë kur trollat ballafaqohen me njerëz? Qe njeri:

    Pra, trolli kur ballafaqohet me njerëz, prapë kthehet në njeri. Ky Reshat Sadiku u bë i famshëm sepse kishte media të pranishme në seancë, ku u gjunjëzua. Njëjtë nga gjykata ishte dënuar edhe Drtion Maloku, për kërcënime ndaj Ganimete Musliut.

    Pra shumica e trollave si krijesa, në ballafaqim me njerëzit, e përjetojnë atë që në trajnerët i thonë tërheqje taktike, fjalor definohet si zmbrapsje, apo edhe zbythje!

    Pra, po e dimë që trollat kalojnë për në regjistrim të popullsisë, duken si njerëz në botën reale, ama lehtë vërehen në botën virtuale.

    Tek ky konstatim duket se kanë arritur hulumtuesit e AAK-së, të cilët knë raportuar për disa trolla që pasi kanë kërcënuar Ramush Haradinajn me plumb në ballë ose ngjashëm, më pas i kanë fshirë postimet, i kanë heqë fotot familjare nga facebooku dhe janë tërhequr taktikisht.

    Kuptohet, me e kërcënu Ramush Haradinajn, mjafton me qenë veç troll. Ama mannej i fshin fjalët edhe shndërrohesh në ndonjë krijesë tjetër. Ndërkohë vazhdimisht në regjistrim të popullsisë figuron për njeri.

    Kuptohet, trollat nuk janë fenomen i muajve të fundit. Ky shtet ka arrestuar njerëz pse kanë kërcënuar online Isa Mustafën ose Albin Kurtin, derisa kanë qenë kryeministra, sa për të vërtetuar se jo bash gjithçka kalon.

    Sortë e veçantë më pas, janë këta që i kërcënojnë gazetarët dhe figurat mediale. Dis anga ta arrestohen, disa nuk merren seriozisht, disa tërhiqen taktikisht, ama nuk nnalen!

    Vazhdimisht ke kërcënime ndaj njerëzve që paraqiten në media, nga trollët që përcjellin mediat.

    Kuptohet, ka edhe të tillë që pozojnë si gazetarë, e janë trolla edhe këta identifikohen lehtë. Nëse i trajtojmë për gazetarë është mirë veç të shohim për çka kanë shkruar dhe raportuar në cilësinë e gazetarëve dhe në rregull jemi!

    Tash, para zgjedhjeve situata ka shkuar një hap tutje. Trolla ka edhe një lista për deputetë, krah për krah me njerëz të dënuar, për vepra të ndryshme, me njerëz që janë nën hetime ose kanë aktakuza të ngritura, dhe kategori tjera që politika e Kosovës i qet në sipërfaqe.

    Përveç trollave në lista të deputetëve, para zgjedhjeve shtohen edhe do fenomene tjera, qe nje nga to!

    Me fjalë tjera, në rrjete sociale, në botën virtuale ka krijesa që duken si njerëz dhe për qëllim e kanë t’ua mbushin mendjen. Ata janë trolla, kur ballafaqohen me njerëz, ata ndryshojnë formë ose ndryshojnë qasje.

    Është e domosdoshme që ti njihni trollat në ambientin tuaj. Ti njihni trimat e facebookut dhe njerëzit e guximshëm, ti njihni filozofët e rrjeteve sociale dhe njerëzit e dishëm, ti njihni ushtarët e tiktokut dhe ushtarët e FSK-së ose pjesëtarët e UCK-së.

    Nëse në rrjete sociale të mbushet mendja për nje temë, e nuk din ose nuk don përatë temë me lexu për atë temë me fole me njerëz, po ke qejf me komuniku me trolla, ke me figuru si njeri në regjistrim të popullsisë, ama ‘thats it’, s mund të llogaritet në ty për tjetër çka!

  • Sa komuna me shumicë serbe janë në këtë vend?

    Sa komuna me shumicë serbe janë në këtë vend?

    Rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë janë publikuar sot dhe numrat janë super interesant, veç varet kah po doni me ia nisë.

    Kuptohet, unë e di kah ia kanë nisë shumica e mediave në facebook, janë marrë me statistika të religjionit, 93 për qind e gjysmë jemi myslimanë, 2,3 ortodoksë, dhe 1,75% katolikë.

    Këto të dhëna e imponojnë një pyetje: a janë përpunuar statistikat para, apo pasi lëvizja e Deçanit dhe e Llapushnikut kanë bërë namim dhe të konvertojë kosovarët masivisht në katolicizëm,
    Mirëpo, para se ta gjykoni si të dështuar këtë lëvizje, veç mendoni sa kohën, energjinë e nervat i keni humbë duke shiku media tabloide që janë marrë me këtë temë, sa budallë kanë dalë në mikrofon, e në rrjete sociale rreth kësaj teme, sa teoria e konspiracionit, sa gjuha e urrejtjes, sa linçimi publik, në kohën kur të dhënat e njëjta tregojnë që popullsia po tkurret, po plaket dhe po shpërngulet.

    Veç mendojeni sa ka njerëz që për pak ditë vëmendje, për pak minuta famë televizive, flasin budallaki që juve shqiptarin mesatar tentojnë ta largojnë, ta tensionojnë, ta polarizojnë dhe ta hasmojnë me shqiptarin mesatar tjetër për çfarëdo teme, qoftë ajo përqindja e katolikëve në Kosovë.

    Mirëpo, nëse e vazhdoj këtë temë, bëhemi edhe ne si shumica e mediave, kështu që t shohim çka ka tjetër në regjistrim, që po na duket interesante.

    Qe një temë tjetër – në qendrat urbane janë 142 mijë vetura dhe 93 mijë parkingje ose garazha. Pra, 50 mijë vetura janë më shumë nëpër qytete se që ka vende të parkingut për to.

    50 mijë, 50,000. Krejt këto vetura e bajnë një xhiro ekstra deri t gjejnë parking, për krejt ato xhiro harxhohet naftë, harxhohet kohë, mirëpo, nëse e pyetni Përparim Ramën, në rregull jemi sepse mund të komunikoni me njerëz derisa jeni në veturë.

    Mirëpo, mirëpo.

    Tema e krejt temave janë të dhënat komunë, edhe më specifikisht në pesë komunat me shumicë serbe! Po, po! Mirë keni dëgjuar, sipas të dhënave të ASK-së, nuk janë 10 komuna me shumicë serbe, por janë 5.

    Sipas këtyre të dhënave, Mitrovica e Veriut ka shumicë shqiptare, 1463 shqiptarë, 359 boshnjakë dhe 247 serbë jetojnë në këtë komunë, sipas të dhënave të ASK-së.

    Sipas ASK-së shumicë shqiptare ka edhe Zubin Potoku. OK! Telashja e madhe këtu është që serbët nuk janë regjistruar, madje ka pasur ankesa të politikanëve serbë që regjistruesit nuk kanë shkaktuar në mënyrë në rregullt në veri.

    Qe edhe po supozojmë që të dhënat nga veriu nuk janë të plota dhe të besueshme, situata ia nisë e bëhet më interesante, në komunat me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës.

    Sipas regjistrimit, Novobërda po se po. Por edhe Kllokoti është komunë me shumicë shqiptare.

    3 mijë banorë në Kllokot, 1700 shqiptarë dhe 1300 serbë. E di çka po mendoni, pse thash në hyrje që janë 5 komuna me shumicë serbe.

    Sepse, regjistrimi i popullsisë tregon edhe diçka tjetër – Gracanica tash është Komunë me shumicë shqiptare…

    Qysh? Qe të dhënat:

    18400 banorë, 8620 shqiptarë, 8560 serbë, 60 banorë diferenca, regjistrimi u kry, pini maca ujë!

    Nëse këto të dhëna janë të sakta, Kosova i ka 5 komuna me shumicë serbee, jo 10 komuna. Kjo i bie që sikur ta themelonim një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, sipas të dhënave të 2011-ës, ka shuuumë dallim me një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe sipas të dhënave të 2024-ës.

    Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe është obligim ndërkombëtar dhe ligjor i Kosovës, mirëpo, Kryeministri Kurtio po thotë që komunat duhet të asociohen ndërmjet vete.

    Cilat Komuna? Cilat komuna Kryeministër, a po e sheh që ka ndërru gjendja në terren! Numri i komunave me shumicë serbe është kah zvogëlohet, kurse në veri kanë mbetë me Kryetarë shqiptarë, së paku deri vjeshtën e ardhshme!

    Për fund. Ti kthehemi Gracanicës edhe një herë, për shkak se për këtë punë, Arton Hamiti ka shkruar më herët dhe mos thoni që nuk iu kemi kallëzu.

    Një nga shpjegimet është se zona kadastrale Uglare, ku ka edhe ndërtim të lartë, me kadastër është zonë e Komuëns së Gracanicës, por aty jetojnë mijëra banorë, që krejt shërbimet i marrin nga Komuna e Fushë Kosovës.

    Bile ka të tillë që sivjet e kanë marrë vesh që janë banorë të Gracanicës.

    Pra, shpjegime ka për disa nga anomalitë. Për disa anomali tjera, mbase duhet më shumë hulumtim, por numrat janë aty kush do të lexojë e të hulumtojë. Kush priton me lexu, e me hulumtu, i keni reliaty showat, tiktokin, po e dini tash…

  • Si të festohet Viti i Ri

    Si të festohet Viti i Ri

    Sot dy javë është viti i ri. Kush punon në media, e di saktë çka ka në dhjetor. I gjuajmë dhjetëra mijëra Euro në programe të vitit të ri që i torturojnë kameramanët, grimerët dhe frizerat. I marrim do pare për reklama prej marketeve që i lëshojnë me zbritje birrat dhe artikujt për ruska sallatë dhe mezi presim të kryhet viti, që me qenë depresiv në janar!

    Kuptohet, ka edhe ide tjera, qe njeri:

    Këso deklarimi, s ka verifikues i fakteve n dynja që ta vërteton. Veç, nëse seriozisht jeni kah i mësoni njerëzit që ma mëkat është t’ia urosh dikujt vitin e ri sesa ta përgëzosh për vrasje, kjo nuk e di a është vlerë e hanefive, po e di që nuk është fort normale!

    Për më tepër, ditëve të fundit krejt jemi kah merremi me sondazhe, e me fushatë, sa që kemi harru që agjencitë e udhëtimeve i kanë faqet plot me oferta për festim të vitit të ri në Vjenë, Paris, Prage, Venecia, Dubai, Stamboll…

    OK! Hajde këto në Evropë po i besoj disi, ama Dubai e Stambolli? Tash e a e festojnë myslimanët këtë festë, a jo?

    Nejse, meqë viti i ri është festë zyrtare në Kosovë, qysh është 1 maji, ose 9 maji, e nuk është p.sh. 28 nëntori, hajde të merremi pak me vitin e ri.

    Dikush thotë që këtë festë e ka shty dhe e ka promovuar komunizmi, sepse e ka gjetë balancin që të mos festohen as Krishtlindjet katolike, as ato Orthodoks, e po të futet dicka në mes. Këta mendimtarë pohojnë që pikërisht për këtë arsye televizionet në vendet komuniste kanë investuar shumë pare në programe të vitit të ri, në mënyrë që popullin ta hutojnë nja 3 ditë.

    Komunizmi ka ra, viti i ri ka mbetë, kurse programe të vitit të ri, përveç atyre dhjetëra o qindra mijëra që televizionet i gjuajmë në to, paramennoje, EDHE MË TUTJE, punohen nga produksione të veçanta. Demek, i mbledhë një produksion do njerëz, i lëshon do këngë në playback në një sallë me qira dhe bën program të vitit të ri!

    Ka edhe aso mendimtarë që thonë që Babadimrin e ka shpikë Coca – Cola. Aq shumë ka të tillë që mendojnë kështu sa që në google në internet ka sa të duash shkrime, ku thuhet që kjo NUK është e saktë, por pranohet që ka gati 100 vjet që babadimri është pjesë e marketingut të kësaj kompanie.

    Bile ka edhe aso mendimtarë që thonë që përpara njerëzit një mbledhë rreth flakës në shpella, kasolla ose shtëpi ku kanë jetuar edhe aty kanë treguar e dëgjuar tregime e përralla, derisa flakën nuk e ka zëvendësu televizori e përrallat nuk i ka zëvendësu hollivudi!

    Derisa jemi te teoritë e vitit të ri, ka shumë të tillë që pohojnë që kjo është festë pagane, demek është më e moçme sesa fetë monoteiste, ama civilizimet në atë vakt secila e kanë pasë kalendarin e vet.

    Psh, sipas një versioni të kalendarit kinez jemi dikah në vitin 4722, sipas kalendarit hebre jemi dikah kah viti 5785, kurse sipas kalendarit të majave, është dashtë në 2012-ën me u shkatërru bota me ka krejt, besoj ju kujtohen ata foret e 2012-ës!

    Pra, ky kalendari që i thonë gregorian, me të cilin shërbehet pjesa më e madhe e botës, ka filluar të përdoret dikah në shekullin e XVI-të me urdhër të Papa Gregorit XIII.

    Bile bile, ka edhe aso talentash që mendojnë që toka është rrafshët, nuk rrotullohet, e ata as nuk di, as nuk du me ditë qysh e llogarisin kohën!

    E mira e Kosovës është se në kalendarin zyrtar ka më shumë festa sesa shumë shtete tjera evropiane, e mirë tjetër është se festa dhe ditë pushimi kemi edhe për krishtlindje katolike, edhe për vit të ri edhe për krishtlindje orthodokse dhe tamam kur kryehn pushimet, nisë fushata, eh atëherë kemi festë të vërtetë.

    Kush don, feston! Kudh don, pushon!

    Fundja, nëse ju duket palidhje me besu në babadimër në dhjetor, e besoni në politikanë të Kosovës në janar, gëzuar, urime, përhajr!