ATV

Category: EDITORIAL

  • Rruga drejt sigurisë energjetike dhe partneritetit afatgjatë me Amerikën

    Rruga drejt sigurisë energjetike dhe partneritetit afatgjatë me Amerikën

    Editorial nga e Ngarkuara me Punë Anu Prattipati

    Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në katër vitet e fundit, Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje, që shënon rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025. Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj.

    Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën. Gazi natyror i lëngshëm amerikan (GNL) do të mundësonte shtimin e llojllojshmërisë në furnizimin me energji, do të plotësonte burimet e brendshme energjetike të Kosovës dhe do të përbënte edhe një lidhje tjetër në partneritetin ekonomik në rritje ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës.

    I Dërguari i Posaçëm i Departamentit të Energjisë së ShBA-së për Integrimin Energjetik, z. Xhoshua Volz, rishtazi shpjegoi: „Sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane… dhe Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”.

    Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare, e llojllojshmëria e burimeve energjetike përmes gazit natyror është thelbësore për arritjen e të ardhmes së sigurt. Centralet elektrike me gaz natyror ofrojnë aftësinë për të përmbushur më mirë rritjen e kërkesës dhe për të stabilizuar çmimet gjatë periudhave të pikut. Zgjerimi i prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike përtej kërkesës së vendit do të përmirësonte pavarësinë energjetike dhe do t’i mbronte konsumatorët nga lëvizjet e papritura të çmimeve.

    Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë. Eksportet e GNL -së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL -së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.

    Lidhja me një projekt gazsjellësi tashmë të planifikuar do të shkurtonte afatin kohor dhe do të ulte shpenzimet. Gjithashtu, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka në dispozicion mekanizma financimi për të ndërtuar infrastrukturë të gazit natyror. Kosova mund të punojë me partnerët rajonalë për të siguruar kontrata afatgjata dhe ekonomi të shkallës me çmime më konkurruese.

    Mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet. Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan. Historia nuk mund të qëndrojë në rrugë të vendimeve që do t’i sjellin përfitime popullit të Kosovës sot dhe në të ardhmen.

    Kosova tani përballet me një zgjedhje të rëndësishme strategjike. Administrata e presidentit Trump prioritet kryesor e ka uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse. Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu.

  • Maloku: Zero besim, zero kompromis: Kriza që po e rrënon demokracinë kosovare

    Maloku: Zero besim, zero kompromis: Kriza që po e rrënon demokracinë kosovare

    Shkruan; Prof..Dr. Fadil Maloku, sociolog

    Ambicia apo synimi që VV ta vërë në bixhoz, apo në “Shtratin e Prokrustit” publik, kapitalin e saj politik me 66 deputetë, për shkak të dështimit për të gjetur një kompromis për zgjedhjen e Presidentit të vendit, tani janë dukshëm më reale dhe më të mundshme për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.

    Mund të thuhet po ashtu se ky dështim i radhës në bisedat me dy subjektet opozitare nuk është thjesht një krizë numerike në Kuvend, por edhe një krizë e thellë e kulturës dhe mentalitetit tonë politik, që dëshmon mungesën e përgjegjësisë për të gjetur zgjidhje adekuate për situatat e krijuara artificialisht në demokracinë ende të brishtë kosovare. Ky fakt, sidoqoftë, dëshmon edhe mungesën e sensit, apo mungesën e nuhatjes së procesit të tranzicionit për t’u “shkurorëzuar” përfundimisht nga logjika e konfliktit dhe smirës midis liderëve aktualë. Në këtë drejtim, dështimi na “delegon” edhe një mesazh tejet të qartë: se demokracia procedurale ahtisariane që po ndërton Kosova gati tri dekada është bërë një “këmishë” e ngushtë kundruall nivelit të emancipimit tonë politik.

    Në gjykimin sociologjik, këtu kemi të bëjmë me dy qasje apo dy qëndrime diametralisht të kundërta: njëra ka të bëjë me insistimet e pareshtura për të avokuar e zbatuar “standardet” e demokracisë formale procedurale (ku kryesisht identifikohen partitë opozitare), ndërsa tjetra që po tenton ta imponojë VV përmes “standardeve të një Republike të tretë”, apo një demokracie të re normative. Nga ky këndvështrim shihet qartë se kemi të bëjmë me “beteja” të ashpra për ta ndryshuar rrënjësisht narrativën mbi shtetin dhe demokracinë e Kosovës. Dhe në gjithë këtë “odisejadë”, unë shoh edhe një tendencë tjetër: atë të “betejave” të munguara ideologjike, që për demokracinë tonë tranzitore duket edhe e shëndetshme, në kuptimin e rirreshtimit apo resetimit ideologjik të partive kryesore. Them kështu, për shkak se gjatë gjithë periudhës së pasluftës ne vetëm formalisht kemi pasur parti me orientime ideologjike, pa profilizime të qarta. Tani, kriza ekonomike dhe ajo gjeopolitike kanë shumë gjasa që partitë ekzistuese t’i fusin në obligime transformuese dhe në narrativa të reja konkurruese, nëse dëshirojnë të mbesin në tregun politik kosovar. Në rast se ndodh e kundërta, jam shumë i bindur që rrethanat që po “trokasin” në zhvillimet e reja do të “prodhojnë” subjekte dhe liderë të rinj.

    Një fakt tjetër, që shumë pak analistë e ndërlidhin me këmbënguljen e Kurtit, ka të bëjë edhe me sfidat e reja gjeopolitike me të cilat Kosova, për shkak të marrëveshjeve që i ka bërë, duhet të përballet. Duke mos harruar këtu edhe kompromisin që vetë Kryeministri Kurti e ka bërë me aktin e pranimit të marrëveshjes me Serbinë për një “vetëmenaxhim” të serbëve të veriut, që, dorën në zemër, është një kompromis i dëmshëm për Kosovën. Sepse “vetëmenaxhimi”, de facto, është një “Republika Srpska” në Kosovë.

    Pra, kur mblidhen të gjitha këto fakte, kuptojmë se dështimi për të arritur konsensus për një figurë unifikuese si Presidenti, midis tjerash, na tregon se besimi ndërpartiak është pothuajse zero, se mungon kultura e kompromisit dhe se institucionet e shtetit perceptohen jo si hapësira të përbashkëta politike që kanë si qëllim final interesin publik, por si mjete dominimi e shantazhi për “mirëmbajtjen” e pushtetit. Kurse dialogu ndërpartiak shihet sheshazi si kalkulim elektoral, e jo si vlerë e “etikës së diskursit” që prodhon legjitimitet.

    Dështimi duhet parë edhe si pasojë e mungesës së instalimit të një parimi dhe norme demokratike, ku liderët duhet të sillen konform rregullave dhe “lojës” politike që i kanë pranuar paraprakisht. Parime këto që, kur nuk respektohen nga subjektet politike, i shtyjnë qytetarët ta humbin besimin te vota si instrument ndryshimi dhe ta rrisin indiferencën e tyre politike karshi ngjarjeve të ripërsëritura, siç ndodhi me ngërçin e vitit të kaluar, por edhe me këtë të fundit rreth (mos)zgjedhjes së Presidentit/es.

  • Pse të zgjidhni AAB-në? Universiteti që formëson të ardhmen tuaj

    Pse të zgjidhni AAB-në? Universiteti që formëson të ardhmen tuaj

    Nga Ardian Sallauka

    Në një kohë kur zgjedhja e universitetit nuk është më vetëm një hap akademik, por një vendim strategjik që përcakton drejtimin profesional dhe pozicionimin në tregun global të punës, si ish-student i Kolegjit AAB, pas një analize të thellë që i kam bërë Kolegjit AAB, me qëllim që studentëve të ardhshëm t’ua lehtësoj zgjedhjen e profileve studimore, kam ardhur në përfundim që Kolegji AAB është institucioni më i konsoliduar në Kosovë dhe në të gjithë hapësirën shqiptare. I vendosur në Prishtinë, AAB nuk është thjesht një institucion i arsimit të lartë, por një mjedis i strukturuar, dinamik dhe i orientuar drejt rezultateve, ku teoria akademike ndërthuret në mënyrë të natyrshme me praktikën profesionale.

    Si kolegji më i madh jopublik i arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon, Kolegji AAB është i njohur për një infrastrukturë moderne, laboratorë të avancuar dhe programe akademike që reflektojnë zhvillimet më të fundit globale, si dhe për faktin se është gjithmonë i pari në renditjet globale mes universiteteve shqiptare. Këtu, studentët nuk janë vetëm pjesëmarrës në procesin mësimor, por pjesëmarrës aktivë në krijimin e dijes dhe zhvillimin e projekteve konkrete që lidhen drejtpërdrejt me tregun e punës. Në një ambient ku inovacioni, kërkimi dhe praktika janë të integruara, Kolegji AAB krijon një bazë solide për një karrierë të qëndrueshme dhe konkurruese. Në këtë kontekst, një nga indikatorët më të fortë të suksesit institucional është fakti se 98% e të diplomuarve të AAB-së punësohen në një periudhë shumë të shkurtër pas diplomimit, duke reflektuar drejtpërdrejt relevancën e programeve të studimit me kërkesat reale të tregut të punës.

    Nëse synoni të studioni në një program që ju përgatit realisht për sfidat e profesionit, që ju ofron qasje në teknologji të avancuar dhe që ju lidh me rrjete ndërkombëtare akademike dhe profesionale, atëherë përgjigjja është e qartë: e ardhmja juaj fillon në Kolegjin AAB.

    LIDERË TË INOVACIONIT TEKNOLOGJIK

    Në epokën e transformimit digjital, ku teknologjia po riformëson çdo industri, Kolegji AAB ka ndërtuar një profil të qartë si lider në edukimin teknologjik në Kosovë dhe rajon. Fakulteti i Shkencave Kompjuterike është një nga shtyllat më të forta të institucionit, duke ofruar programe të avancuara në Shkencat Kompjuterike, programim dhe AI Business, të dizajnuara për të përmbushur kërkesat e tregut global.

    Programet janë të strukturuara mbi një kurrikulë të harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe të përditësuar vazhdimisht për të reflektuar zhvillimet më të fundit në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe zhvillimin softuerik. Studentët punojnë në laboratorë modernë të pajisur me teknologji për AI, VR/AR dhe sisteme të avancuara kompjuterike, duke fituar përvojë praktike që i vendos ata në avantazh konkurrues.

    Një nga elementet kyçe që e dallon këtë drejtim është orientimi i fortë drejt praktikës. Studentët angazhohen në projekte reale që përfshijnë zhvillimin e aplikacioneve inteligjente, krijimin e platformave digjitale dhe ndërtimin e sistemeve të sigurisë për organizata dhe institucione. Përmes bashkëpunimeve me kompani teknologjike në Kosovë dhe jashtë saj, ata fitojnë ekspozim të drejtpërdrejtë në industrinë e teknologjisë.

    Programet përfshijnë fusha si:

    • Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Softuerike
    • Siguri Kibernetike
    • Programim dhe Multimedia
    • Programim i Lojërave Kompjuterike
    • Programim dhe AI

    Ky fokus i qartë në teknologji dhe inovacion ka bërë që të diplomuarit e Kolegjit AAB të jenë ndër më të kërkuarit në tregun e punës, duke u integruar me sukses në kompani ndërkombëtare dhe projekte globale.

    SHKENCAT SHËNDETËSORE – STANDARD EVROPIAN DHE MOBILITET NDËRKOMBËTAR

    Fusha e shkencave shëndetësore në Kolegjin AAB përfaqëson një nga drejtimet më të zhvilluara dhe më strategjike të institucionit, duke ofruar programe që plotësojnë standardet evropiane dhe përgatisin profesionistë për tregun ndërkombëtar të punës. Në një sektor ku cilësia e përgatitjes është jetike, Kolegji AAB ka investuar në mënyrë të konsiderueshme në infrastrukturë, staf akademik dhe metodologji mësimore.

    Studentët përfitojnë nga klinika dentare funksionale, laboratorë modernë dhe pajisje për simulime klinike që i ekspozojnë ata ndaj situatave reale profesionale. Që nga viti i parë, ata janë të përfshirë në praktikë aktive, duke ndërtuar kompetenca të drejtpërdrejta që i bëjnë të gatshëm për tregun e punës menjëherë pas diplomimit.

    Programet kryesore përfshijnë:

    • Stomatologji
    • Infermieri
    • Teknik i Radiologjisë
    • Estetikë dhe Kozmetologji

    Një nga avantazhet më të rëndësishme të këtyre drejtimeve është orientimi i qartë drejt tregut evropian, veçanërisht në Gjermani. Përmes integrimit të gjuhëve të huaja dhe përputhjes së kurrikulës me standardet e BE-së, studentët përgatiten për mobilitet profesional dhe punësim jashtë vendit.

    Në praktikë, kjo do të thotë se shumë nga të diplomuarit në Infermieri dhe fusha të tjera janë tashmë pjesë e institucioneve shëndetësore në Evropë, duke përfaqësuar standarde të larta profesionale dhe duke dëshmuar cilësinë e përgatitjes që ofron Kolegji AAB.

     FAKULTETET E KOLEGJIT AAB – DIVERSITET AKADEMIK DHE SPECIALIZIM

    Kolegji AAB ofron një gamë të plotë prej 50 programesh studimore, duke mbuluar pothuajse çdo fushë studimi dhe duke i dhënë studentëve mundësinë të zgjedhin drejtimin që përputhet më së miri me interesat dhe objektivat e tyre profesionale.

    • Administratë Publike
    • Arkitekturë
    • Arte
    • Ekonomik
    • Gjuhë të Huaja
    • Juridik
    • Kulturë Fizike dhe Sport
    • Komunikim Masiv
    • Shkenca Kompjuterike
    • Shkenca Sociale
    • Psikologji
    • Shkenca Shëndetësore
    • Stomatologji

    Secili nga këto programe është i ndërtuar mbi parimin e integrimit të teorisë me praktikën, duke siguruar që studentët të diplomohen me njohuri të thelluara dhe aftësi të aplikueshme në treg.

     PSE PROGRAMET E KOLEGJIT AAB JANË MË TË KËRKUARAT?

    Një nga faktorët kryesorë që e pozicionon Kolegjin AAB si një ndër universitetet më të kërkuara në Kosovë është cilësia dhe relevanca e programeve akademike. Çdo program është i harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe përdor sistemin ECTS, duke garantuar njohje ndërkombëtare dhe mobilitet akademik.

    Përmes partneriteteve ndërkombëtare dhe programeve si Erasmus+, studentët kanë mundësi të përfitojnë përvojë studimi jashtë vendit, duke zgjeruar horizontet e tyre akademike dhe profesionale. Kjo përvojë është thelbësore për ndërtimin e një profili konkurrues në tregun global.

    Fokusi në praktikë është një tjetër element që e bën diferencën. Studentët janë të angazhuar në projekte reale, laboratorë, praktika profesionale dhe bashkëpunime me industri, duke zhvilluar aftësi konkrete që kërkohen nga punëdhënësit.

    Një aspekt i rëndësishëm është edhe fakti që studimet në AAB janë akademikisht sfiduese, duke garantuar një nivel të lartë të përgatitjes profesionale. Kjo qasje e orientuar drejt cilësisë siguron që të diplomuarit të jenë të gatshëm për të konkurruar në tregje të ndryshme ndërkombëtare.

    HISTORITË E SUKSESIT – NGA SALLAT E MËSIMIT NË TREGUN GLOBAL

    Suksesi i Kolegjit AAB matet përmes rezultateve konkrete të studentëve dhe të diplomuarve. Të diplomuarit e AAB janë të integruar në sektorë të ndryshëm, duke filluar nga teknologjia dhe shëndetësia, deri te media dhe administrata publike.

    Studentët e Shkencave Kompjuterike punojnë në kompani të ndryshme teknologjike në Evropë dhe më gjerë, ndërsa të diplomuarit në Stomatologji kanë ndërtuar klinika të suksesshme në Kosovë. Në fushën e komunikimit, shumë studentë janë pjesë e mediave ndërkombëtare, ndërsa në sektorin shëndetësor, infermierët e diplomuar në AAB janë të integruar në sisteme shëndetësore evropiane, veçanërisht në Gjermani.

    Ky rrjet i gjerë i Kolegjit AAB përbën një dëshmi të qartë të cilësisë së edukimit dhe ndikimit real që institucioni ka në zhvillimin profesional të studentëve.

     

    PERSPEKTIVA NDËRKOMBËTARE – MUNDËSI REALE PUNËSIMI

    Një nga avantazhet më konkrete të studimit në AAB është orientimi drejt tregut ndërkombëtar të punës, veçanërisht në profesione me kërkesë të lartë si infermieria.

    Diferencat në paga janë të konsiderueshme dhe përbëjnë një faktor të rëndësishëm në planifikimin e karrierë. Në Kosovë, paga mesatare për infermierët është nga 500 në 800 euro në muaj, ndërsa në vende te EU-së nga 3000 deri në 5000 euro, shpesh e shoqëruar edhe me kushte më të strukturuara pune dhe mundësi të avancimit profesional.

    Kolegji AAB e trajton këtë realitet në mënyrë sistematike, duke ndërtuar programe studimi që tejkalojnë përgatitjen teorike dhe fokusohen në zhvillimin e kompetencave të aplikueshme në kontekst ndërkombëtar. Kjo përfshin jo vetëm formimin profesional sipas standardeve evropiane, por edhe përforcimin e aftësive gjuhësore, një parakusht për integrim të suksesshëm në tregun e punës jashtë vendit.

    Në këtë aspekt, studentët përfitojnë nga kurrikula e harmonizuar, praktikat klinike të strukturuara dhe orientimi i vazhdueshëm drejt kërkesave reale të punëdhënësve evropianë. Kjo qasje e bën kalimin nga studimet në punësim më të drejtpërdrejtë duke e pozicionuar AAB-në si një institucion që nuk ofron vetëm diplomë, por një rrugë të qartë drejt një karriere të qëndrueshme dhe konkurruese në nivel ndërkombëtar. 

    AVANTAZHET KRYESORE TË KOLEGJIT AAB

    • Institucion lider në arsimin e lartë në hapësirën shqiptare, por edhe në nivel rajonal e evropian.
    • Programe të avancuara dhe konkurruese në Shkencat Kompjuterike, të harmonizuara me zhvillimet e fundit të teknologjike.
    • Programe në fushën e shëndetësisë të orientuara drejt standardeve evropiane dhe kërkesave reale të tregut ndërkombëtar.
    • Rrjet i qëndrueshëm partneritetesh ndërkombëtare dhe mundësi të strukturuara për mobilitet akademik dhe profesional.
    • Infrastrukturë bashkëkohore dhe laboratorë të pajisur sipas standardeve moderne të mësimdhënies dhe kërkimit.
    • Shkallë e lartë punësimi dhe integrim i drejtpërdrejtë i të diplomuarve në tregun vendor dhe global të punës.

    (Autori është ish student i Kolegjit AAB, tani profesor)

     

     

     

  • “Si po ndikojnë rrjetet sociale në mendimin publik dhe demokracinë”

    “Si po ndikojnë rrjetet sociale në mendimin publik dhe demokracinë”

    Në epokën e informacionit digjital, rrjetet sociale kanë ndryshuar thelbësisht mënyrën se si qytetarët perceptojnë lajmet, formojnë opinionin dhe marrin pjesë në diskutime publike. Facebook, Threads, Instagram dhe TikTok nuk janë më thjesht platforma për komunikim personal; ato janë hapësira ku çdo individ mund të bëhet një “media e vogël”, duke ndikuar tek miqtë, familjarët dhe tek debati publik në përgjithësi.

    Informacioni që zgjon emocione shpërndahet më shpejt se faktet. Hashtag-et, sondazhet online dhe fushatat virale mund të mobilizojnë qytetarët, të ndikojnë votime dhe të sfidojnë politikat ekzistuese. Në Kosovë, po ndodh e njëjta gjë: rrjetet sociale po ndryshojnë mënyrën se si qytetarët diskutojnë çështje politike dhe sociale, duke u dhënë një zë atyre që ndryshe mund të mos dëgjohej.

    Megjithatë, kjo hapësirë e re sjell edhe sfida. Informacioni shpesh mund të jetë i pasaktë ose i polarizuar, dhe ndikimi i algoritmeve mund të deformojë perceptimin e realitetit. Qytetarët përfitojnë mundësinë për të marrë pjesë aktive dhe për të informuar të tjerët në kohë reale, ndërsa politikanët dhe institucionet përballen me sfidën e komunikimit të drejtpërdrejtë, luftën kundër dezinformatave dhe nevojën për të ndërtuar besim. Edukimi për përdorim të përgjegjshëm të informacionit është bërë më i rëndësishëm se kurrë.

    Ekspertët parashikojnë se rrjetet sociale nuk do të zëvendësojnë median tradicionale, por do të bashkëjetojnë me të, duke krijuar një ekuilibër midis pjesëmarrjes qytetare dhe informimit profesional. Demokracia e së ardhmes mund të jetë një kombinim i transparencës, kontrollit të informacionit dhe përgjegjësisë qytetare, ku zëri i çdo individi ka potencialin të ndikojë, por vetëm nëse përdoret me ndërgjegje.

  • Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, LVV synon fitore në 12 komuna

    Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, LVV synon fitore në 12 komuna

    Më 9 nëntor do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në disa komuna të Kosovës.

    Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, njofton se kjo parti është në balotazh në 12 komuna.

    Bashkë për fitore më 9 nëntor! Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Pejë, Gjakovë, Vushtrri, Rahovec, Fushë Kosovë, Obiliq, Kaçanik, Viti – Bashkë fitojmë! Në 12 komuna, me 12 kandidatë që përfaqësojnë punën, ndershmërinë dhe vizionin për zhvillim”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

    Tutje, LVV ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë.

    “Për një komunë më të drejtë, më të ndershme e më të mirë për të gjithë. Më 9 nëntor dalim të gjithë Bashkë, sepse Bashkë është forca jonë. Bashkë, numri është 105”.

  • Analiza e CNN/ Deklaratat kontraverse të Moskës, pse Putini nuk është gati të takohet me Zelenskyn dhe mund të mos ndodhë kurrë…

    Analiza e CNN/ Deklaratat kontraverse të Moskës, pse Putini nuk është gati të takohet me Zelenskyn dhe mund të mos ndodhë kurrë…

    Marrëveshja e të hënës në Shtëpinë e Bardhë mbi hapin tjetër – një takim dypalësh midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky – dukej gjerësisht unanime. Pastaj erdhi përgjigja ruse.

    “U diskutua ideja se do të ishte e përshtatshme të studiohej mundësia e rritjes së nivelit të përfaqësuesve të palëve ruse dhe ukrainase”, tha ndihmësi i Kremlinit, Yury Ushakov, duke informuar gazetarët mbi telefonatën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me Putinin. Nuk u përmend asnjëri udhëheqës me emër, apo ndonjë tregues se “përfaqësuesit” mund të ngriheshin në atë nivel.

    Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov mori një ton më pajtues në një intervistë televizive shtetërore të martën më vonë. “Ne nuk refuzojmë asnjë formë pune – as dypalëshe dhe as trepalëshe”, këmbënguli ai. Por: “Çdo kontakt që përfshin zyrtarë të lartë duhet të përgatitet me kujdesin më të madh.”

    Sipas fjalëve të Kremlinit, kjo do të thotë se ata nuk janë aspak gati të bien dakord me këtë. Dhe kjo nuk duhet të jetë surprizë.

    Kjo është një luftë që Putini e nisi duke njohur në mënyrë të njëanshme një pjesë të tokës ukrainase (republikat e vetëshpallura Popullore të Donetskut dhe Luhanskut) si të pavarura. Ai ka argumentuar se Ukraina është “një pjesë e patjetërsueshme e historisë, kulturës dhe hapësirës shpirtërore (të Rusisë)” dhe ndarja e saj nga Rusia është një gabim historik.

    Pra, nëse ky takim ndodh – siç e thotë Orysia Lutsevich, drejtoresha e programit të Rusisë dhe Euroazisë në Chatham House – Putini “do të duhet të pranojë dështimin e të ulurit në tryezë me një president që ai e konsideron shaka nga një vend që nuk ekziston”.

    Gjithashtu, argumentoi ajo, do të ishte një ndryshim i madh në ton që do të ishte e vështirë t’i shpjegohej popullit rus. “(Putin) kaq shumë rusë të shpëlarë truri në televizionin shtetëror se Zelensky është një nazist, se (Ukraina) është një shtet kukull i Perëndimit…se Zelensky është i paligjshëm, pse po flet papritmas me të?”

    Kremlini jo vetëm që vë në dyshim rregullisht legjitimitetin e udhëheqësit ukrainas, duke u fiksuar te shtyrja e zgjedhjeve në Ukrainë, gjë që është e paligjshme sipas ligjit ushtarak, por në memorandumin e tij të fundit “paqeje” i kërkon Ukrainës të mbajë zgjedhje përpara se të nënshkruhet ndonjë traktat përfundimtar paqeje. Putini dhe zyrtarë të tjerë rusë rrallë i referohen Zelensky-t me emër, duke preferuar në vend të kësaj nofkën e ashpër “regjimi i Kievit”. Dhe mos harroni se ishte Zelensky ai që udhëtoi për në Turqi për bisedimet e para të drejtpërdrejta midis dy palëve në mesin e majit, vetëm që Putini të dërgonte një delegacion të kryesuar nga një shkrimtar i teksteve shkollore historike.

    Shtëpia e Bardhë thotë se planet për takimin Putin-Zelensky janë “në proces” pas takimeve të Trump

    Tatiana Stanovaya, bashkëpunëtore e lartë në Qendrën Carnegie Rusia-Eurasia dhe themeluese e R.Politik, e cila ofron lajme dhe analiza mbi Rusinë, argumenton se ndërsa Putini nuk e sheh një takim me Zelenskyn si kritik në një luftë që për Rusinë ka më shumë të bëjë me përballjen me Perëndimin sesa me Ukrainën, ai prapëseprapë mund ta pranonte takimin nëse mendonte se do të kishte sukses.
    “Kërkesat kryesore duhet të jenë në tryezë dhe Zelensky duhet të jetë në rregull të flasë për to”, tha ajo për CNN në një intervistë të martën. Deri më tani, Zelensky i ka përjashtuar këto kërkesa kryesore, të cilat përfshijnë heqjen dorë nga territori që Ukraina ende kontrollon. Por Putini, argumentoi ajo, e sheh Trumpin si çelësin për ta ndryshuar këtë.

    “Trump shihet si një mundësues i vizionit rus të zgjidhjes dhe për këtë arsye Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me Kievin për ta nxitur atë të jetë më fleksibël, më i hapur ndaj kërkesave ruse.”

    Stanovaya sugjeroi që Rusia mund të përpiqet ta mbajë SHBA-në në anën e saj duke bërë atë që sugjeroi Ushakov dhe duke sugjeruar një raund të ri bisedimesh në Stamboll, por me një delegacion të nivelit më të lartë, ndoshta duke përfshirë vetë Ushakovin dhe ministrin e jashtëm Lavrov. Por ai nuk do të rrezikojë një “pritë” duke u ulur me Zelenskyn vetëm për të zbuluar se të gjitha kërkesat e tij janë refuzuar.

    Trump e mbylli ditën e tij të hënën duke postuar në Truth Social se ai “filloi përgatitjet për një takim … midis Presidentit Putin dhe Presidentit Zelensky”. Kur u zgjua dhe u lidh me emisionin e mëngjesit në Fox Neës të martën në mëngjes, dukej se e kishte kuptuar se kjo nuk ishte një marrëveshje e kryer. “Unë në një farë mënyre e organizova me Putinin dhe Zelenskyn, dhe e dini, ata janë ata që duhet të vendosin. Ne jemi, ne jemi 7,000 milje larg”, tha ai.

    Putini nuk ka asnjë arsye për të pranuar në këtë pikë. Duke mos bërë asnjë lëshim, ai është shpërblyer me një samit të madh në Alaska, heqjen dorë nga një kërkesë e Trump për të nënshkruar një armëpushim para bisedimeve të paqes dhe shkatërrimin e të gjitha ultimatumeve të sanksioneve deri më sot. Duke ulur pak shkallën e sulmeve të natës me dronë ndaj qyteteve ukrainase deri më tani në gusht, Rusia i rriti ato përsëri të hënën në mbrëmje, duke qëlluar 270 dronë dhe 10 raketa. Nëse presioni i Trump ndaj Zelensky nuk ka dhënë ende rezultatet që dëshiron Moska, gjithmonë ka forcë ushtarake në të cilën mund të mbështetet.

    E vetmja kartë e paparashikueshme për Rusinë në këtë pikë është se kë do të fajësojë Trump kur kjo përpjekje e fundit për paqe të dështojë.

  • Opinion: Si arriti Hamasi të fabrikojë një shpifje gjakderdhëse kundër Izraelit

    Opinion: Si arriti Hamasi të fabrikojë një shpifje gjakderdhëse kundër Izraelit

    Nga Tamara Ziv, Ambasadore e Izraelit në Kosovë

    Në një botë gjithnjë e më shumë të drejtuar nga narrativat sesa nga faktet, e vërteta
    shpesh bëhet viktima e parë e luftës. Kjo është veçanërisht e dukshme në fushatën
    groteske të dezinformimit që pretendon se në Gaza po ndodh një urie masive, e
    shkaktuar qëllimisht nga Izraeli si një mjet lufte – një akuzë që ka marrë formën e një
    shpifjeje moderne gjakderdhëse kundër shtetit hebre.
    Narrativa e një “Urie në Gaza” është kthyer në një fushatë të mirëorganizuar – e
    amplifikuar nga Hamasi dhe sponsorët e tij në Katar, dhe e përsëritur pa kritikë nga
    mediat kryesore perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare. Edhe pse ekzistojnë
    vështirësi humanitare, si në çdo zonë lufte, kjo fushatë i ka ekzagjeruar, manipuluar dhe
    instrumentalizuar këto realitete me qëllim që të përmbysin rolet e viktimës dhe agresorit.
    Qëllimi: demonizimi i Izraelit, pastrimi i krimeve të Hamasit dhe shmangia e vëmendjes
    nga uria e vërtetë, e shkaktuar me qëllim nga Hamasi – jo ndaj civilëve të Gazës, por
    ndaj pengjeve izraelite që mbahen në burgjet e tij prej gati dy vitesh.
    Një investigim i publikuar nga tabloidi gjerman Bild më 5 gusht, tregon se si imazhe të
    inskenuara, video të montuara dhe raporte të fabrikuara janë përdorur për të ndërtuar
    një imazh të rremë të urisë së përhapur të shkaktuar nga Izraeli. E vërteta, megjithatë,
    është krejtësisht e kundërta.
    Një tjetër hetim i thelluar i publikuar së fundmi nga platforma Jewish Onliner gjurmon
    origjinën e kësaj fushate si pjesë e një përpjekjeje të mirëkoordinuar për manipulim
    mediatik global. Ky kërkim zbulon se fushata “#GazaIsStarving” është një operacion i
    organizuar dezinformimi i udhëhequr nga vende arabisht-folëse – veçanërisht Katari,
    Arabia Saudite dhe Jemeni – me qëllim ndikimin e opinionit publik anglisht-folës kundër
    Izraelit. Edhe pse fushata paraqitet si një reagim humanitar i sinqertë, hetimi tregon se
    ajo amplifikohet përmes entiteteve të lidhura me shtetin, ndikuesve të propagandës (si
    zyrtarë të regjimit iranian dhe individë të lidhur me Hamasin), dhe strategjive
    ndërgjuhësore në rrjetet sociale për të maksimizuar rezonancën emocionale,
    veçanërisht në Perëndim.
    Gjithashtu, një tjetër analizë e publikuar nga përdoruesi @antisemitism (“Fushata
    Kundër Antisemitizmit”) dëshmon se hashtagë si “FamineinGaza”, “HelpGaza” apo
    “GazaHolocaust” janë përdorur në mënyrë masive dhe janë promovuar nga fabrika bot-
    ësh për t’i bërë këto hashtagë të jenë ndër më të përhapurit në platformën X (dikur
    Twitter).
    Që nga fillimi i luftës, Izraeli ka lehtësuar dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza në
    përmasa të paprecedenta – edhe pse është i angazhuar në një konflikt të përgjakshëm
    në shtatë fronte. Ushqimi, uji, furnizimet mjekësore, energjia elektrike dhe karburanti

    kanë hyrë në Gaza përmes disa pikave kufitare. Izraeli ka bashkëpunuar me partnerë
    ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Programin Botëror të Ushqimit, për
    të siguruar që korridoret humanitare të mbeten të hapura.
    Megjithatë, Hamasi vazhdon të konfiskojë, plaçkitë dhe shpërndajë ndihmat në mënyrë
    selektive – duke e përdorur urinë si një armë kontrolli, propagande dhe përfitimi
    personal, me synimin për të mbushur më tej llogaritë tashmë të fryra të liderëve
    miliarderë të tij.
    Kjo realitet u ekspozua qartë në fjalimin emocional të Ministrit të Jashtëm të Izraelit,
    Gideon Sa’ar, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 5 gusht. Ministri Sa’ar foli hapur
    për mënyrën se si Hamasi ka uritur qëllimisht pengjet izraelite si Evyatar David dhe
    Rom Braslavski – tani hije të vetes së tyre, që nga rrëmbimi i tyre më 7 tetor – ndërkohë
    që terroristët e Hamasit hanë mish, peshk, perime dhe fruta të freskëta. Në një imazh
    tronditës, krahu i trashë dhe i ushqyer mirë i një roje të Hamasit shfaqet pranë trupit të
    rraskapitur të Evyatarit, i cili ishte detyruar të gërmonte varrin e tij.
    E megjithatë, ky tmerr pothuajse nuk u përmend fare në shtypin ndërkombëtar. The
    New York Times, për shembull, e cila shpesh ka amplifikuar pretendime të paverifikuara
    palestineze – duke publikuar së fundmi një fotografi të një foshnjeje me probleme
    shëndetësore paraprake si “provë” të urisë në Gaza, një veprim që gjeneroi një valë
    urrejtjeje ndaj Izraelit dhe për të cilin u detyrua të tërhiqej – refuzoi t’i vendoste në faqen
    e parë imazhet e tmerrshme të pengjeve izraelite. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së,
    António Guterres, i cili shpesh është i zëshëm në dënimin e Izraelit, qëndroi në heshtje.
    Kjo heshtje nuk është neutralitet – është bashkëfajësi.
    E vërteta është e dhimbshme: Hamasi i urit pengjet izraelite ndërsa shtiret se kujdeset
    për civilët e Gazës. Autoriteti Palestinez paguan paga për terroristët. Dhe një pjesë e
    madhe e mediave perëndimore vazhdon të shërbejë si kanal për propagandën
    terroriste, duke zbatuar një standard të dyfishtë të turpshëm: nëse vjen nga Hamasi,
    pranohet, besohet dhe publikohet menjëherë; nëse vjen nga Izraeli, kërkohen prova të
    pafundme.
    Po jetojmë në një botë të përmbysur: agresorët paraqiten si viktima. Të rrëmbyerit dhe
    të dhunuarit injorohen, ndërsa rrëmbyesit dhe përdhunuesit marrin platforma dhe
    simpati. Kjo përmbysje morale nuk është thjesht e turpshme – është e rrezikshme.
    Problemi nuk është vetëm që Hamasi publikoi një video të një pengu skeletik duke
    gërmuar varrin e vet në një tunel. Problemi është që Hamasi e di që mund ta publikojë
    këtë video – dhe prapë shumë njerëz në Perëndim do të mendojnë se ata janë “të
    mirët”.
    Shtetet me një histori regjimesh që kontrollonin mendimin dhe fjalën janë zakonisht të
    parat që e njohin një fushatë të projektuar për të manipuluar ndërgjegjen publike. Në të

    kaluarën, kjo bëhej përmes forcës së hapur – sot realizohet përmes ndikimit të rafinuar
    dhe të fuqishëm të rrjeteve sociale. Nuk është rastësi që drejtuesit kryesorë të këtyre
    fushatave të ndikimit janë regjime autoritare dhe totalitare, që shfrytëzojnë me mjeshtëri
    hapjen dhe dobësitë e shoqërive demokratike për të formuar narrativat globale në favor
    të tyre.
    Në botën e sotme të gënjeshtrave virale dhe indinjatës së politizuar, e vërteta duhet
    mbrojtur me guxim. Dhe e vërteta është kjo: nuk ka asnjë uri të qëllimshme të shkaktuar
    nga Izraeli në Gaza. Por ka një fushatë të orkestruar mbi "urinë". Dhe ka pa asnjë
    dyshim uritje të qëllimshme të pengjeve izraelite në duart e një regjimi terrorist
    gjenocidal.
    Le të mos harrojmë kurrë: viktimat nuk mbajnë pengje. Dhe nëse Hamasi do të
    dorëzohej dhe do të lironte pengjet, lufta do të përfundonte menjëherë.

  • Gjobat që anulohen, nuk i evidenton askush, ec e dije ku shkojnë parët

    Gjobat që anulohen, nuk i evidenton askush, ec e dije ku shkojnë parët

    Qe një temë e mirë – ku shkohet prej kësaj studioje? Dikush shko në pub, dikush në krye të Komunës, dikush në Kuvend, dikush n tëvë 1sh.
    Qysh? Qe njerëzit:

    kuptohet, sado temë e mirë që është kush qysh e ka vazhdu karrierën, temë mbi temë është ideja e Përparim Ramës, që ka me pasë hapësira prakingut gjithandej dhe cilido shërbim që neve na duhet si qytetarë të Prishtinës, ka me qenë vetëm 7 minuta larg.

    Përparimi ka rrejtë kuptohet, qysh ka rrejtë edhe një mosdifqa që e kemi pasë Kryetar para tij, por që rrejnë Kryetarët e Prishtinës nuk është lajm!

    Ama që Prishtina Parkingu edhe s din me punu edhe kur punon, këtë e bën kundërligjshëm, eh kjo po që i meriton ca minuta.

    Gjykata Supreme e Kosovës ka bërë Vlerësimin e ligjshmërisë së Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, e datës 21.12.2023 dhe ka konstatuar se:

    Kufizimi i pagesës vetëm përmes telefonit cenon barazinë në qasjen në shërbime publike dhe diskriminon qytetarët që nuk kanë mundësi teknologjike. Lejimi i parkimit për vizitorë në vetëm 2 orë (16:00–18:00) në zonat rezidenciale është i paarsyeshëm dhe cenon jetën private dhe lirinë e lëvizjes. që Përjashtimi nga përgjegjësia dhe rimbursimi (neni 12, paragrafët 1 dhe 9):

    Shkel të drejtat e konsumatorëve duke përjashtuar përgjegjësinë për dëme dhe moskthim të pagesave në rast gabimesh teknike. Bllokimi dhe zhvendosja e automjeteve (neni 22, paragrafët 1, 8, 9):

    Masa të tilla nuk mund të merren nga një ndërmarrje publike pa bazë ligjore dhe pa vendim administrativ – shkelje e të drejtave për pronë dhe lëvizje.

    Kjo i bie që Prishtina Parkingu, rrjedhimisht Komuna e Prishtinës i ka shkelë të drejtat e krejt shoferëve në Prishtinë për më shumë se një vjet dhe ec e dije edhe sa ka me vazhdu ti shkelë këto të drejta, derisa të fillojnë të zbatojnë atë që shkruan në vendim të Gjykatës Supreme.

    Tash do të thoni që në Kosovë shkelen të drejtat e punëtorëve, të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve, të drejtat e pensionistëve, të drejta te konsumatorëve, punë e madhe për të drejtat e shoferëve në Prishtinë.

    OK! Vendimi i gjykatës supreme edhe një gjë, sikur të ishte gjithçka tjetër në rregull me këtë ndërmarrje publike.

    Mirëpo, ka një raport të auditimit, që dëshmon se ndërmarrja nuk mban evidencë për anulimet e gjobave të vendosura ndaj qytetarëve, duke krijuar hapësirë të madhe për vendimmarrje të paarsyetuar dhe të paaudituar.

    Është vërejtur se anulimi i gjobave nuk evidentohet në sistemin e brendshëm të ndërmarrjes, çka mund të çojë në mungesë transparence dhe llogaridhënieje në menaxhimin e të ardhurave dhe penaliteteve.

    Më fjalë tjera sa t duash kesh qarkullon për tu anuluar gjoba, se kjo aaaaskund nuk figuron.

    Vazhdojmë – Në disa pjesë të qytetit, mungon shenjëzimi që paralajmëron për zona me pagesë – por kjo nuk i ka penguar autoritetet të vendosin gjoba. Sipas auditorëve, kjo përbën një cenim të të drejtës për informim dhe është e pajustifikueshme. Më fjalë tjera, askund nuk shkruan që parking është me pagesë, kurse nëse parkon aty, kërset dënimi, e për anulim të dënimit, ti paguan ama kjo nuk evidentohet në sistem.

    Pra, me rrejtë është një gjë, mos me kry punë është tjetër, mirëpo, me I shkelë të drejtat e shoferëve dhe për vite me punu me praktika haptasi të parregullta dhe korruptive, është diçka që Prishtina Parkingut është kah I shkon për dore, pa e ba llaf!

    Këqyre, unë e di edhe që shoferët në Prishtinë I shkelin rregullat, edhe që numri I aksidenteve është I madh, edhe në rrugët tona për kokë banori vdesin më shumë njerëz se në vendet e BE-së, edhe se I kemi kerret e vjetra, veç thash, le t figuron diku që edhe shoferëve u shkelen të drejtat!!!

  • Hajgarexhitë e budalltë janë kah e prishin një shtet

    Hajgarexhitë e budalltë janë kah e prishin një shtet

    Qe një temë e mirë – Rumania! Vendi i shume futbollistëve të shkëlqyeshëm ndër vite e breza, disave nga të cilët, shumë ua ka kojtë kokainën, kurse ndër tifozë të këtyre futbollistëve ka edhe njerëz të poshtër e racistë!

    Mirë shumë – çka kemi ne të përbashskët me Rumaninë? Kemi shumë, por mua më interesojnë dy gjëra për këtë video – zgjedhjet dhe budallët e tiktokit!!!

    Këtë vikend në Rumani u zhvilluan zgjedhjet presidenciale, që në vend të qartësimit të situtës prodhuan edhe më shumë hallakamë. Pse? Qe pse!

    Zgjedhjet presidenciale atje ishin zhvilluar vitin e kaluar dhe në rundin e parë, më së shumti vota kishte fituar Calin Gheorghiescu! Kurrë nuk keni dëgju për të? – S ka lidhje, se as në Rumani nuk ta ka njoftë kush deri në zgjedhje.

    Gheoghiescu krejt fushatën e vet e ka bërë në tiktok ku ka folë çka iu ka tekë dhe në fund ka dalë i pari – nuk ka fitu, por ka dalë i pari.

    Rezultati shokues e solli punën deri aty që Gjykata Kushtetuese e Rumanisë të anulojë rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ndër të tjera për shkak të parregullsive në financimin e fushatës dhe të dyshimeve për ndërhyrje ruse.

    Në zgjedhjet e përsëritura, i pari ka dalë njeriu që mbështetet prej këtij kandidatit të tiktokit, dhe njeriu që ka premtuar se nëse fiton ose do ta emërojë dikah këtë hajgarexhinë e tiktokit ose të organizojë referendum për lejimin e tij që të kandidojë për President prapë.

    Plus pas rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale rumunët kanë metë edhe pa Kryeministër se dje kryeministri Ciolacu dha dorëheqje meqë kandidati për President që e përkrahte partia e tij nuk ka mbërri as në balotazh për Presidenti, por u eliminua në rundin e parë.

    Pra, nëse ju intereson qysh do hajgarexhi e do budallë në tiktok e dërgojnë një shtet në krizë politike dhe identitare, s’keni nevojë për shembuj teorik – rumunët janë aty me na kallëzu që kjo është e mundshme.

    Eh tash, në Kosovë, tiktoki është busy duke i bërë fëmijët të kërcejnë nga dritaret e shkollave, duke promovuar budallë dhe duke shkatërruar familje. U bë fushatë edhe aty, por jo në përmasa që vendosin diçka.

    Por, sivjet i kemi pasë një palë zgjedhje të përgjithshme në Kosovë dhe nëse nuk ka marrëveshje Vetëvendosje – PDK, do ti kemi edhe një palë tjera shumë shpejt. Përmbi to, do të kemi zgjedhje lokale në vjeshtë.

    Nëse do të votojmë për hajgarexhi dhe budallë të rrjeteve sociale, nuk kemi arsye të presim që ta njerëz do të marrin seriozisht punën si deputetë, asambleistë, ministra, kryetarë komunash ose President ose çkado!

    Nëse nuk e bëjmë dallimin ndërmjet likeave dhe votave, budallëve të rrjeteve sociale kemi me iu dhanë pushtet – mandej kot e kemi me u anku – pini maca ujë!

    Rumunët e hëngrën foren – votuan për hajgarexhi e budallë – ec e dijë kur dalin prej kësaj hallakame! Një herë në histori kish qenë mirë me mësu prej gabimeve të tjerëve, jo me mësu pasi të ngulemi vetë!

  • Nga Peja në Moskë – mesazhet për Putinin lidhur me Kosovën

    Nga Peja në Moskë – mesazhet për Putinin lidhur me Kosovën

    Njerëzit, po dëgjoj që po ankohen që Kosovën nuk po e viziton askush nga profilet e larta ndërkombëtare, kurse liderët e kosovarë harrojë kur herën e fundit janë takuar me liderë evropianë.

    E çka nëse ju them që këtyre ditëve e kemi pasë një lider që e ka vizituar Pejën dhe pas Pejës direkt e ka vizituar Moskën?

    Po flas, kuptohet për patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirijen. Tash nëse po pyeteni pse po i krahasoj liderët fetë dhe liderët politikë, eh qitu ju pritsha! Erdhi në Patrikanën e Pejës, mbajti liturgji për Pashkë dhe më pas u pa në takim me Putinin me Vladimir Putinin në Kremlin.

    Sikur kjo të mos mjaftonte, ca nga deklarimet e patriarkut kanë qenë… qysh me thanë – që me mirë i shikoni vetë!

    Do të thoni ku është lajmi këtu – krejt e kemi ditë çka mendohet në Kishën Orthodokse Serbe. Ama ky takim është
    të tjetër nivel!

    Pra, nuk jemi kah flasim më për liturgji, as për forma tjera të predikimit, as për komunikime kishtare me grupe të mbyllura, jemi kah flasim për qëndrim të Kishës Ortodoske Serbe, të shprehur në takim POLITIK, dhe atë me Vladimir Putinin, jo me njerëz të dorës së dytë, ku shprehimisht thuhet se Populli serb e shikon popullin rus si në një, manej që ka raste që serbët më shumë majnë shpresë në politikën e Rusisë se atë të Serbisë, dhe se në rast se ka rirreshtim, ose rikufizim gjeopolitik të jemi më afër botës ruse…

    Tash do të thoni: Pse na intereson kjo temë neve – më mirë me u marrë me Albulena Haxhiun ose me budallë në tiktok – paj unë mendoj që është mirë të na interesojë për së paku dy arsye!

    E para – Kisha Orthodokse Serbe është e njohur si e tillë në Propozimin ose Pakon e Ahtisaarit, që ka qenë baza e Kushtetutës së Kosovës.

    Rrjedhimisht, Kisha Orthodosske Serbe si e tillë njihet nga Qeveria Kurti II në Projektligjin për Liritë Fetare në Kosovë, që nuk ka mbërri në rend dite në legjislaturën e kaluar. Tash, nëse keni menduar që legjislatura e kaluar ka qenë e lodhtë, kjo e tashmja, hala s ka nisë me punu, por jo është tjetër temë!

    Arsyeja e dytë pse duhet të merremi me agjendën e patriarkut – janë obligimet ndërkombëtare – në marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit specifikihsst parashihet formalizim I statusit të Kishës Ortodoske Serbë në Kosovë. Tash dikush thotë nuk ka nënshkrim, dikush thotë ka pranim – e sigurt është që formalizimin e statusit juridik, çka do që i bjen ajo, Kosova e ka obligim ndërkombëtar.

    Pra, jemi kah flasim për një organizatë që politikisht është super aktive kundër shtetësisë së Kosovës dhe njëkohësisht Kosova e ka obligim ligjor dhe ndërkombëtar ta formalizojë statusin e saj!

    Kuptohet, derisa nuk ka Qeveri dhe nuk ka Kuvend, politika nuk merret me këtë temë, këta janë busy me Albulenën!

    Akademia? Cila akademi o bir zeza! Mediat? Qe de, po merremi!