ATV

Author: ATV

  • Lladrovci kritikon Hamzën: S’mund ta barazoni shkakun dhe pasojën

    Lladrovci kritikon Hamzën: S’mund ta barazoni shkakun dhe pasojën

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, s’mund ta barazojë shkakun dhe pasojën pasi kjo nuk ndihmon në zhvillimin e partisë.

    Një ditë më parë, Hamza mbajti konferencë për shtyp pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, duke theksuar se askush nuk e ka përjashtuar Lladrovcin nga partia dhe që me të synojnë ta maksimalizojnë votën në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

    Por në një shkrim në Facebook, Lladrovci u shpreh se disa eksponentë të PDK-së po tentojnë të paraqesin disfatën si fitore. Ai ka theksuar se mjegulla rreth kësaj komune nuk po hiqet, pavarësisht deklarimeve të kryetarit të ri të PDK-së, Bedri Hamza.

    Lladrovci theksoi se kushti i fitores për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë është uniteti.

    “Përkundër deklarimeve të mija, të qarta si rrezja e diellit, mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet. Për fat të keq, nga disa eksponentë, gjendja po promovohet normale dhe disfata po paraqitet fitore”, ka shkruar ai.

    Ai u shpreh kritik për përpjekjet e Hamzës për të barazuar shkakun me pasojën, duke shtuar se kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë apo degën.

    “Mësimi nga Drenasi, siç shihet, nuk pati efekt. Reflektimet në opinion nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën, nuk ndihmojnë zhvillimin e partisë”, ka shkruar ai.

    Lladrovci thekson se PDK-ja duhet të reformojë qasjen dhe metodat e veprimit politik dhe organizativ, duke i shërbyer “gjuhës së fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile”.

    “Shkurtpamësinë politike do larguar nga partia e krijuar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes, duke përfaqësuar breza të tërë me përkushtim atdhetar, për Kosovën shtet me vlera euro-atlantike. Ndryshe, keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shteformuese dhe shtetndërtuese”, ka shkruar ndër të tjera Lladrovci.

    Lladrovci i fitoi zgjedhjet lokale në Drenas me iniciativë të vetën, pasi PDK-ja vendosi të kandidonte me Petrit Hajdarin.

  • Reuten: Kosovës duhet t’i përpunohet kërkesa për anëtarësim në BE

    Reuten: Kosovës duhet t’i përpunohet kërkesa për anëtarësim në BE

    Eurodeputeti Thijs Reuten ka kërkuar që Komisioni Evropian të propozojë heqjen e menjëhershme të masave kundër Kosovës dhe të nisë procesin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Në një reagim në profilin e tij në “X”, Reuten ka theksuar se Komisioni Evropian duhet t’u propozojë shteteve anëtare heqjen e masave për Kosovën.

    “Komisioni Evropian duhet t’u propozojë shteteve anëtare heqjen e masave dhe të fillojë përpunimin e kërkesës për anëtarësim të Kosovës në BE.”

    Për masat e vendosura, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një takimi në Tiranë me Komisioneren Marta Kos dhe Drejtorin për Zgjerim, Gert Jan Koompan. Kurti ka thënë se është hera e fundit që adreson këtë çështje dhe ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave.

    Përsa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, Kurti dhe Osmani kanë kërkuar progres, por pas tre vitesh ende nuk ka asnjë veprim nga Bashkimi Evropian.

  • Më shumë se 150 ushtarë kroatë do t’i bashkohen KFOR-it në Kosovë

    Më shumë se 150 ushtarë kroatë do t’i bashkohen KFOR-it në Kosovë

    Më shumë se 150 ushtarë kroatë po i bashkohen operacionit paqeruajtës KFOR në Kosovë, një vend siguria e të cilit është e rëndësishme për stabilitetin e të gjithë rajonit, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

    Forcat kroate kanë marrë pjesë në KFOR që nga viti 2009 me rreth 2.400 persona, 140 prej të cilëve gra. Tani, 151 anëtarë të Forcave të Armatosura po dërgohen në atë vend, të cilët u shoqëruan në kazermat “Brigada e 3-të e Gardës Kuna” në Gjakovë. Komponenti më i madh i kontingjentit të 44-të, i cili do të vendoset në tre lokacione, është një kompani këmbësorie e motorizuar, dhe gjithashtu përbëhet nga një komponent i aviacionit dhe selisë, si dhe ata për këshillimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një ekip mjekësor.

    Ushtarët kroatë po marrin pjesë në dhjetë operacione, misione dhe aktivitete ndërkombëtare me një total prej 297 anëtarësh.

    Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiq tha se të gjithë kanë fjalë lavdërimi për anëtarët e Forcave të Armatosura në misione dhe operacione në të gjithë botën, thuhet në njoftim.

  • Moti sot: Diell dhe vranësira të pjesshme

    Moti sot: Diell dhe vranësira të pjesshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot mban mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Temperaturat minimale luhaten mes 2 dhe 5°C.

    Ndërsa, ato maksimale do të jenë ndërmjet 12 dhe 14 gradë.

    “Era fryn nga juglindja, 1-4 m/s”, njofton IHMK-ja.

  • Lladrovci: E mundi edhe Kurtin nëse garoj me iniciativën time

    Lladrovci: E mundi edhe Kurtin nëse garoj me iniciativën time

    Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, në Rubikon të Klan Kosovës u shfaq i bindur se do ta mposhtë Albin Kurtin, nëse në zgjedhjet e ardhshme garon me iniciativën e tij.

    Lladrovci deklaroi se do të përgatitet, pasi sipas tij kurrë në jetë nuk është zënë në befasi.

    “Unë kam thënë nëse dal me iniciativën time, do ta mund edhe Albin Kurtin”, deklaroi Lladrovci në Klan Kosova.

    Ai tha se PDK-ja do të shkonte në një koalicion me Vetëvendosjen nëse do të arrinin të dakordoheshin në disa pika, siç është ndihma për fondin për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Sot, mandatari për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk mori më shumë se 56 vota e të cilat ishin të pamjaftueshme për formimin e ekzekutivit të ri.

    Kështu vendi pritet të shkojë sërish në zgjedhje, pasi që as pas 9 muajsh prej se u mbajtën zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka qeveri.

  • Vendi shkon në zgjedhje – Presidentja sot mbledh liderët politikë për caktimin e datës së zgjedhjeve

    Vendi shkon në zgjedhje – Presidentja sot mbledh liderët politikë për caktimin e datës së zgjedhjeve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i presë sot liderët partiakë për konsultime rreth datës së zgjedhjeve, pas dështimit të mandatarit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar shumicën e nevojshme për qeverinë e re të Kosovës.

    Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka konfirmuar se takimi do të nisë nga ora 10:30, dhe të njëjtit do të marrin pjesë.

    Po ashtu edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe NISMA kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

    Ky takim vjen një ditë pas dështimin të Glauk Konjufcës për t’u zgjedhur kryeministër i vendit.

    Pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.

    Pas dështimit për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

  • Komuna e Prishtinës anulon procesin mësimor si preventivë nga rreziku për vërshime

    Komuna e Prishtinës anulon procesin mësimor si preventivë nga rreziku për vërshime

    Procesi mësimor në të gjitha shkollat e Prishtinës është anuluar për ditën e sotme, si masë parandaluese ndaj rrezikut të shtuar për vërshime.

    Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, i cili tha se vendimi është marrë pas vlerësimit të situatës së rënduar atmosferike dhe vështirësive të paraqitura në qarkullim, përcjell Telegrafi.

    Shahini bëri të ditur se vendimi është marrë në koordinim të plotë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, si dhe me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Autoritetet komunale kanë vlerësuar se intensiteti i lartë i reshjeve dhe rreziku për vërshime paraqesin kërcënim për sigurinë e nxënësve.

    “Për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, kemi marrë vendimin që mësimi të mos zhvillohet sot. Ky është një hap preventiv për të garantuar sigurinë e fëmijëve”, thuhet në njoftim.

    Komuna ka falënderuar prindërit dhe komunitetin shkollor për mirëkuptimin dhe ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me rrezik të lartë meteorologjik.

  • Digjet autobusi në rrugën nga Meka në Medinë, vdesin 45 persona që kishin shkuar për të bërë Umrah

    Digjet autobusi në rrugën nga Meka në Medinë, vdesin 45 persona që kishin shkuar për të bërë Umrah

    45 pelegrinë indianë kanë humbur jetën pasi autobusi me të cilin po udhëtonin mori flakë gjatë një aksidenti pranë Medinës në Arabinë Saudite, kanë bërë të ditur autoritetet e qytetit indian Hyderabad.

    -Autobusi kishte 46 pasagjerë, tha VC Sajjanar në një konferencë për media, duke shtuar se një burrë i cili ka mbijetuar aksidentin është dërguar në kujdes intensiv në një spital lokal.

    Shumica e viktimave janë nga Hyderabad-i, në shtetin jugor Telangana.

    Pelegrinët po udhëtonin nga qyteti i shenjtë i Mekës drejt Medinës kur ndodhi aksidenti, bëri të ditur qeveria e Telanganës në një deklaratë, raporton BBC.

    Ata kishin shkuar në Arabinë Saudite për pelegrinazhin Umrah, një version më i shkurtër i Haxhit, pelegrinazhit më të madh islam.

    Sajjanar deklaroi se në aksident ishte përfshirë edhe një cisternë nafte, por nuk dha më shumë detaje.

    Kryeministri indian Narendra Modi tha në një postim në X se ishte “thellësisht i tronditur” nga lajmi për aksidentin dhe se autoritetet indiane janë në kontakt të ngushtë me zyrtarët sauditë.

    “Ambasada jonë në Riad dhe Konsullata në Xheda po ofrojnë të gjithë ndihmën e mundshme,” shkroi ai.

    Dhoma të posaçme ndihme janë ngritur në Xheda dhe Hyderabad për të asistuar familjet e viktimave.

    Asaduddin Owaisi, përfaqësues i Hyderabadit në parlamentin indian, i tha agjencisë ANI se i kishte kërkuar qeverisë federale ndihmë për kthimin e trupave të viktimave në Indi.

    Sipas Sajjanar, 54 persona kishin udhëtuar nga Hyderabad drejt Xhedës më 9 nëntor për pelegrinazh. Prej tyre, katër persona qëndruan në Mekë, ndërsa katër të tjerë shkuan në Medinë me makinë. Pjesa tjetër prej 46 personash udhëtoi me autobusin që u aksidentua.

    Me përhapjen e lajmit për tragjedinë, të afërm të dëshpëruar kanë folur për mediat.

    Mohammed Tehseen, një banor i Hyderabadit, i tha ANI-së se shtatë të afërm të tij ndodheshin në autobus. Ai tha se lajmin e mori pasi u kontaktua nga i afërmi i tij, Shoaib, i cili ka mbijetuar aksidentin dhe po trajtohet në spital.

  • Clarku tregon për dallimet mes amerikanëve e francezëve për veriun

    Clarku tregon për dallimet mes amerikanëve e francezëve për veriun

    Ish-komandanti i NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark, gjatë dëshmisë në Hagë ka treguar për dallimet që kishte mes amerikanëve dhe francezëve për veriun e Kosovës.

    Clark ka treguar se kishte shkuar të takonte ministrin e Jashtëm të Francës atëkohë dhe ministrin e Mbrojtjes, për të biseduar për këtë çështje.

    “Jam ankuar, sepse ishte përpjekje e organizuar e serbëve për ta spastruar zonën në veri të lumit Ibër. Kam takuar ministrin Alain Richard që më tha, ‘jo ne u kemi dhënë urdhër trupave franceze t’i mbrojnë serbët në atë zonë, t’i mbështesin ata’. Kemi pasur disa vështirësi lidhur me këtë. Por, kjo është mënyra se si funksionojnë trupat e NATO-s. Ka lloj autoriteti e pushteti që i përket vet autoriteteve kombëtare, edhe pse janë nën kontrollin e komandës së NATO-s”, ka thënë Clark.

    Ai tregon se ministrit francez Richard i kishte bërë thirrje për t’i ndryshuar urdhra, porse nuk i ndryshoi urdhrat.

    “Më vonë kam çuar përforcime tjera atje, për ta ruajtur mundësinë që shqiptarët të mund të jetojnë atje. Raporti që po merrja tregonte se doktorët shqiptarë në spitale dhe njerëzit tjerë po detyroheshin të largoheshin e po dëboheshin nga aty. Mendova dhe e kuptova se ishin paraushtarakë serbë dhe forcat speciale serbe që po e bënin këtë. Kjo është mënyra se si Beogradi vepronte”, tha Clark.

    Clark po dëshmon në Hagë, si dëshmitar i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

    Ai është dëshmitari i fundit i mbrojtjes.

  • Clark: Millosheviq më tha e dimë si t’i trajtojmë shqiptarët, ashtu edhe siç e kemi bërë: I kemi vr*arë

    Clark: Millosheviq më tha e dimë si t’i trajtojmë shqiptarët, ashtu edhe siç e kemi bërë: I kemi vr*arë

    Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë dha detaje edhe rreth bisedës së tij me Sllobodan Millosheviqin.

    Ai tha se personalisht kishte shkuar tri herë në Beograd dhe bashkë me Havier Solanën.

    Ndonëse tha se Millosheviq i kishte premtuar se do t’i largonte forcat nga Kosova një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

    “Shkova në një takim pas një jave, i thash presidentit Millosheviq duhet të tërheqësh forcat sepse nëse nuk i tërheq forcat atëherë NATO-ja do të më kërkoj që të zbatoj planin që kam në letër dhe do ta vazhdojmë me bombardimin dhe ai mu përgjigj: NATO-ja d ta bëjë atë çfarë ka për të bërë dhe unë iu përgjigja ne nuk duam ta bëjmë atë që mund të bëjmë dhe ai më tha që ke të drejtë, por bisedoni me gjeneralët dhe unë shkova bisedova me gjeneralët, ua tregova hartën ata më thanë se këta janë terroristë, aty – këtu janë të gjithë terroristë janë zona të Kosovës,. Dhe unë i thash nuk do e zgjidhësh kështu këtë bisedë duke i quajtur të gjithë terroistë dhe duke i shtypur njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe t’i thërrasësh të gjithë terrositë, duhet të ndryshosh taktikën tënde, por as kjo bisedë nuk çoi në asgjë. Kur e takova herën tjetër Millosheviqin ai më tha se do të bënte çdo gjë që të mundej por asgjë nuk ndodhi, më pas shkova në takimin e tretë me gjeneralin Marlin në atë kohë u ulëm me të dhe i treguam presidentit Millosheviq se çfarë donim të bënim, ai më tha që personi që është përgjegjës është zotëri Stojanoviq me atë duhet të flisni, kështu që ai tha që nuk ishte personi përgjegjës. Ne shpenzuam të gjithë darkën për të nënshkruar marrëveshjen, të nesërmen ishte e dielë në mëngjes ishte koha për të nënshkruar marrëveshjen, presidenti Millosheviq erdhi në orë 10:00 në mëngjes dhe ai u soll sikur marrëveshja ishte vërtetë shumë e rëndësishme ai tha: ne e dimë se si t’i trajtojmë këta shqiptarët, këta vrasës, dhe e kemi bërë këtë gjë edhe përpara s’është hera e parë, unë i thash po zotëri president si i keni trajtuar, çfarë keni bërë, ai mu përgjigj: i kemi vrarë të gjithë. Dhe pastaj paraqita marrëveshjen që ishte shtypur me njerëzit e vet ku ishin disa – pak lidhur me çfarë do të bënin Shtetet e Bashkuara sa u përket forcave tërheqëse të negociatave. Unë i thash zotëri president se keni nënshkruar marrëveshjen, ai më tha nuk është e nevojshme, i thash sigurisht që është e nevojshme duhet ta nënshkruani, ai e nënshkroi”, tha Clark.