ATV

Author: ATV

  • Rusët publikojnë listën e armiqve, shikoni në cilin vend është Kosova e Shqipëria

    Rusët publikojnë listën e armiqve, shikoni në cilin vend është Kosova e Shqipëria

    Interesante është që Shtetet e Bashkuara renditen të katërtat me 55 pikë.

    Gazeta ruse Vzgljad ka përpiluar dhe ka publikuar të martën “Rejtingun e qeverive armiqësore” për të treguar dallimin mes shteteve që kundërshtojnë me vetëdije Rusinë dhe atyre që, sipas tyre, “janë shtyrë në këtë vendim kundër dëshirës së tyre nga rrethanat gjeopolitike”.
    Ata kanë renditur vetëm shtetet dhe territoret që ndodhen në listën e vendeve armiqësore të publikuar në vitin 2021. Vendin e parë e zuri Britania e Madhe me 75 pikë, të cilat i kanë “merituar” për shkak të sanksioneve ndaj kompanive ruse të naftës, si dhe faktit që mbështesin transferimin e fondeve ruse në dobi të Ukrainës dhe dërgimin e armëve për Kievin.

    Britania, Gjermania dhe Franca kryesojnë listën
    Sipas Vzgljad, vendin e parë e zë Britania me 75 pikë, kryesisht për shkak të sanksioneve të reja ndaj kompanive ruse të naftës dhe mbështetjes për transferimin e aseteve ruse në Ukrainë.
    Në vendin e dytë renditen Gjermania dhe Franca me 70 pikë, të cilat konsiderohen si dy ndër shtetet evropiane që ofrojnë ndihmën më të madhe financiare për Ukrainën.
    Vendi i tretë ndahet mes Holandës dhe Estonisë, me nga 65 pikë.

    SHBA në vendin e katërt
    Shtetet e Bashkuara, që shpesh perceptohen si kundërshtari kryesor i Moskës, renditen vetëm të katërtat me 55 pikë, bashkë me Letoninë dhe Çekinë. Sipas Vzgljad, pozita më e ulët e SHBA-së lidhet me vonesat dhe pezullimet e përkohshme të ndihmës ushtarake për Ukrainën.
    Kroacia në vendin e 7-të
    Numri më i madh i vendeve ndodhet në vendin e pestë (50 pikë): Danimarka, Italia, Kanadaja, Lituania, Polonia, Finlanda dhe Suedia.
    Pas tyre renditen Norvegjia dhe Belgjika me 45 pikë.
    Në vendin e shtatë, me 40 pikë, gjenden Greqia, Spanja dhe Kroacia.

    Shqipëria – ndër më pak “armiqësoret”: vetëm 5 pikë
    Në fund të listës, me rezultatin më të ulët prej 5 pikësh, gjenden disa vende të cilat Rusia i vlerëson si më pak armiqësore. Ndër to përmenden:
    • Shqipëria
    • Bahamas
    • Lihtenshtajni
    • Mikronezia
    • Monako
    • Koreja e Jugut
    • San Marino
    Kjo e vendos Shqipërinë në grupin e vendeve që, sipas vlerësimit zyrtar rus, kanë më pak masa kundër Rusisë.

    Kosova nuk figuron fare në listë
    Kosova nuk është e përfshirë në listën ruse të vendeve armiqësore, për shkak se Rusia nuk e njeh shtetësinë e saj dhe prandaj nuk e klasifikon si subjekt të marrëdhënieve shtetërore. Për këtë arsye, ajo nuk ka fare vlerësim në renditje.

    Konteksti rus: Nga “vendet armiqësore” te “qeveri armiqësore”
    Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka deklaruar se Rusia po largohet gradualisht nga përdorimi i termit “vendet armiqësore” dhe po e zëvendëson me “qeveri armiqësore”, me arsyetimin se nuk dëshiron të etiketojë popujt, por vetëm elitat politike që marrin vendimet.
    Presidenti Vladimir Putin ka theksuar të njëjtën qasje, duke thënë:
    “Ne nuk kemi vende armiqësore, kemi elita armiqësore.”

  • Ja e vërteta nëse po rikthehet seriali “Kafeneja jonë”?

    Ja e vërteta nëse po rikthehet seriali “Kafeneja jonë”?

    Pas publikimit të një fotografie që u përhap me shpejtësi në rrjete sociale, u krijua përshtypja se seriali i shumëdashur “Kafeneja Jonë” është gati të rikthehet. Zhurma ishte e madhe dhe fansat menjëherë nisën të spekulojnë për një vazhdim të ri të serialit.

    Megjithatë, aktorët Irena Aliu dhe Fatos Kryeziu, kanë dhënë një sqarim të qartë: nuk ka rikthim të plotë të serialit – të paktën jo për momentin.

    Ata kanë bërë të ditur se paraqitja e tyre e fundit ishte thjesht për një reklamë të re, një lloj “kthimi i vogël” që solli nostalgji, por jo rikthimin e vërtetë të episodëve të rinj. Sipas tyre, personazhet janë rikthyer vetëm për këtë projekt të veçantë.

    Mes tjerash, është bërë e ditur se përtej reklamës ka pasur biseda joformale me producentin dhe aktorët për mundësinë e një rikthimi të mundshëm në të ardhmen. Madje, sipas informacioneve që kanë ndarë, producenti Shkumbin Istrefi po punon në një film të bazuar në “Kafeneja Jonë”, çka ka ngjallur edhe më shumë interes tek publiku.

  • Rreth 6 mijë protestues pritet të marrin pjesë në protestën e OVL-UÇK-së në Strasburg

    Rreth 6 mijë protestues pritet të marrin pjesë në protestën e OVL-UÇK-së në Strasburg

    Rreth 6 mijë protestues nga trojet shqiptare pritet të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) më 16 nëntor në Strasburg, përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

    Protesta organizohet si kundërshtim ndaj, siç thonë organizatorët, padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se koordinimet me mërgatën dhe këshillin organizativ në Evropë tashmë janë bërë.

    “Jemi në fazën finale të përgatitjeve. Kemi mbajtur takime me diasporën në disa shtete të Evropës. Më 16 nëntor, në orën 13:00, para Këshillit të Evropës, do të ngrisim zërin pikërisht aty ku është miratuar rezoluta e Dick Marty-t, një dokument i mbushur me gënjeshtra’, tha Gucati.

    Sipas tij, pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë siguruar bileta të lira kryesisht për në Bazel dhe Shtutgard.
    “Presim mbi 5 deri 6 mijë pjesëmarrës. Vetëm nga Kosova pritet të jenë mbi 1000 udhëtarë,” u shpreh ai.

    Gucati konfirmoi se interesimi i lartë ka ndikuar që disa kompani t’i rrisin çmimet e biletave.
    “Disa kompani i kanë shtrenjtuar biletat nga 72 në 120 euro. Më vjen keq, sepse disa qytetarë nuk do të kenë mundësi të vijnë,” tha ai.

    Ai theksoi se hotelet në Strasburg tashmë janë të mbushura me rezervime nga pjesëmarrësit, ndërsa shumë shqiptarë po vendosen në qytetet përreth.
    “Strasburgu është bllokuar nga rezervimet. Shumë shqiptarë kanë kaluar deri në Kolmar për të gjetur vend,” shtoi ai, duke kujtuar se protestat e kaluara kanë tejkaluar pritjet.

    Gucati tha se OVL-UÇK dhe organizatat e dala nga lufta nuk kanë marrë asnjë mbështetje financiare nga qeveria dhe se gjithçka është organizuar nga donatorët.

  • Edhe pesë ditë afat për mandatarin e dytë, ish-opozita do zgjedhje të reja

    Edhe pesë ditë afat për mandatarin e dytë, ish-opozita do zgjedhje të reja

    Vetëvendosja ka edhe pesë ditë kohë për të siguruar shumicën parlamentare për votimin e Qeverisë Konjufca, por partitë opozitare po qëndrojnë të palëkundura: zgjedhje të reja. PDK dhe LDK konfirmojnë se nuk janë kontaktuar fare nga LVV, ndërsa AAK thotë se është kontaktuar, por ka refuzuar takimin.

    Afati për votimin e kabinetit të propozuar nga Glauk Konjufca po i afrohet fundit, ndërsa opozita insiston se nuk ka vullnet për bashkëpunim. Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, thonë se nuk kanë marrë asnjë ftesë për bisedime dhe e shohin opsionin e vetëm politik mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

    AAK ka konfirmuar se ka pasur kërkesë për takim, por e ka refuzuar.
    “Ka pasur kërkesa për takim, por nuk e shohim të arsyeshme të shkojmë. Nuk funksionon me logjikën ‘qitma votën se e du Kosovën’”, tha Ramush Haradinaj.

    Edhe LDK deklaroi se nuk ka pasur asnjë kontakt nga LVV për votimin e mandatarit të dytë. Deputeti Alban Zogaj akuzoi Vetëvendosjen se po kërkon kohë, jo shumicë.
    “Është e njëjta qasje si me mandatarin e parë. Nuk ka tentativë reale për krijimin e institucioneve”, theksoi ai.

    Nisma Socialdemokrate, ndërkohë, mbetet po ashtu e vendosur për zgjedhje:
    “Nisma nuk ka votë për askënd. Situata është thelluar dhe zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje”, thuhet në reagimin e tyre.

    Edhe PDK një ditë më parë kishte bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë kontakt me Vetëvendosjen lidhur me votimin e Qeverisë.

    Sipas hulumtuesit të IKD-së, Naim Jakaj, gjasat për formimin e qeverisë së re janë minimale, pasi Konjufca nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për të siguruar votat.
    “Kabineti është praktikisht i njëjtë me atë të Kurtit dhe pa aleanca të reja nuk pritet rezultat ndryshe”, vlerësoi ai.

    Vetëvendosja nuk ka sqaruar nëse ka siguruar ndonjë votë më shumë sesa në tentimin e parë. Nëse shumica nuk arrihet, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit.

  • Formimi i qeverisë dhe zhvillimet e tjera politike, AAK mbledh sot Kryesinë

    Formimi i qeverisë dhe zhvillimet e tjera politike, AAK mbledh sot Kryesinë

    Zhvillimet e fundit politike në vend, kanë bërë që partitë të intensifikojnë takimet e brendshme.

    Një ditë pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u bë e ditur dorëheqja e Memli Krasniqit, sot pritet të mbajë të njëjtën mbledhje edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Siç mëson Telegrafin nga burime brenda AAK-së, në këtë mbledhje e cila është paraparë të nisë në orën 17:00, do të marrin pjesë edhe kryetarët e degëve të partisë.

    Sipas të njëjtave burime në këtë mbledhje do të diskutohen zhvillimet e fundit politike në vend, në një periudhë kur kanë mbetur pak ditë deri në thirrjen e seancës për votimin e mundshëm të Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e Qeverisë, pas mandatimit nga presidentja Vjosa Osmani.

    Po ashtu, pritet që pjesë e diskutimeve të jenë edhe përgatitjet e Aleancës në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Kujtojmë se në zgjedhjet komunale të mbajtura së fundmi, AAK konfirmoi fuqinë politike duke ruajtur 5 komunat ku kishte qeverisur deri tani.

    Partia e Ramush Haradinajt do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes në mbi 10 komuna të tjera, ndërkaq do të përfaqësohet në asambletë komunale me 98 asambleistë, duke marrë mbi 87 mijë vota. /Telegrafi

  • Tokio shpallet qyteti më i pasur në botë

    Tokio shpallet qyteti më i pasur në botë

    Tokio ka zënë vendin e parë në qytetin më të pasur në botë në vitin 2025, me një prodhim të brendshëm bruto prej 2.55 trilionë dollarësh të ndërtuar mbi dekada të inovacionit teknologjik, përpara një grupi të dominuar nga qytetet amerikane, sipas revistës CEOWORLD.

    Qytetet më të mëdha në botë “formojnë shtyllën kurrizore ekonomike të ekonomisë globale—duke komanduar kapital, inovacion dhe ndikim në një shkallë të pakrahasueshme”, tha revista në anketën e saj të 300 qyteteve, transmeton Telegrafi.

    Pasuria urbane është një pasqyrim i “dendësisë së inovacionit, forcës institucionale dhe rrjedhshmërisë së kapitalit”, jo vetëm një masë e madhësisë së popullsisë ose infrastrukturës fizike, tha CEOWORLD në raportin e saj vjetor të publikuar javën e kaluar.

    Fuqia ekonomike e Tokios, kryeqytetit të Japonisë, është ndërtuar mbi dekada inovacioni në teknologji, inxhinieri automobilistike dhe prodhim preciz, tha revista.

    “Qyteti mbetet një pikë referimi për përsosmëri operacionale, sofistikim teknologjik dhe qeverisje ekonomike të disiplinuar. Kryeqyteti i Japonisë integron inovacionin me infrastrukturën si pak të tjerë – sistemet e saj të transportit, rrjetet financiare dhe zinxhirët e furnizimit industrial funksionojnë me saktësi të pakrahasueshme”, tha ajo.

    Zona metropolitane e Nju Jorkut, e cila renditet e dyta në anketë, është në qendër të financave globale dhe një ekosistemi dinamik të startup-eve, ndërsa Los Anxhelosi, i treti, ka një ekonomi argëtimi që plotësohet nga një sektor teknologjik dhe hapësinor në rritje të shpejtë, tha CEOWORLD.

    “Së bashku, 10 qytetet kryesore vetëm përfaqësojnë gati një të tretën e GDP-së globale, duke demonstruar se si fuqia ekonomike përqendrohet gjithnjë e më shumë në qendrat urbane që nxisin inovacionin, rrjedhën e kapitalit dhe konkurrencën globale”, u tha ndër tjera.

    Qytetet e SHBA-së dominuan 25 vendet e para, me Çikagon që renditet e shtata, e ndjekur nga Zona e Gjirit të San Franciskos (9), Uashingtoni (12), Dallas-Fort Worth (13), Hjustoni (14), Bostoni (15), Seattle (18), Filadelfia (19), Metro Atlanta (20) dhe Lugina e Silikonit (24).

    Dominimi i Azisë në renditjen e vitit 2025 pasqyron një ndryshim të gjerë në gravitetin ekonomik global, tha revista.
    Seuli është qyteti i pestë më i pasur në botë, duke nxjerrë në pah përparimet e Koresë së Jugut në teknologji, elektronikë dhe inovacion digjital.

  • Ndërpritet përkohësisht seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Ndërpritet përkohësisht seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.

    Dy të dyshuarit tashmë janë sjellë në Gjykatë, transmeton Telegrafi.

    Gjykatësi Rrahman Beqiri në hyrje të seancë tha se janë njoftuar që Bedri Shabani ka marrë tretman mjekësor, dhe se i njëjti nuk është mirë me shëndet.

    Ndërsa, i akuzuari Bedri Shabani kërkoi që seanca të mos mbahet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

    “Po kam marrë trajtim shëndetësor, por nuk jam mirë me shëndet. Ju kisha lut që kjo seancë mos të mbahet. Jam në mbikëqyrje të mjekëve. Gjendja shëndetësore është e vështirë, dhe jam në mbikëqyrje të mjekëve çdo 30 min”, deklaroi ai.

    Pas kësaj trupi gjykues vendosi që të shkojnë në konsultime.

    Pas konsultimeve, u bë e ditur se seanca të ndërpritet përkohësisht deri në ora 10:30.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.

    Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.

  • Gjendet një granatë dore në Podujevë, ndërhyn KFOR-i dhe FSK-ja – dy të arrestuar

    Gjendet një granatë dore në Podujevë, ndërhyn KFOR-i dhe FSK-ja – dy të arrestuar

    Dy persona janë arrestuar të martën në Podujevë, pasi që tek njëri prej tyre është gjetur një mjet i dyshuar shpërthyes – granatë dore.

    Sipas njoftimit të policisë, njëri nga të dyshuarit është ndaluar për posedim të mjetit shpërthyes, ndërsa tjetri për moslajmërim të veprës penale.

    “Njësia për deminim e KFOR-it dhe FSK-së ka bërë tërheqjen e mjetit shpërthyes”, thuhet në raportin e Policisë.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti vazhdon të trajtohet në gjendje të lirë.

  • Tre të huaj identikë – eksperimenti i errët pas një historie të pabesueshme

    Tre të huaj identikë – eksperimenti i errët pas një historie të pabesueshme

    Ata ishin identikë. Në çdo aspekt: ​​në fytyrë, në zë, në gjeste. E megjithatë, ata nuk e njihnin njëri-tjetrin. Të lindur në vitin 1961, këta tre vëllezër binjakë identikë u ndanë menjëherë pas lindjes dhe u vendosën në tre familje të ndryshme.
    Askush nuk dinte për ekzistencën e të tjerëve – as fëmijët dhe as prindërit e tyre adoptues.
    Ata u rritën në kontekste krejtësisht të ndryshme: njëri në një familje të klasës punëtore, njëri në një të klasës së mesme, tjetri në një të pasur.
    Pastaj ndodhi diçka e pabesueshme.
    Fati – ose ndoshta rastësia – i bashkoi ata si adoleshentë.
    Kur u shikuan në sy të njëri-tjetrit për herë të parë, bota u la pa frymë. Ata ishin imazhe pasqyre të njëri-tjetrit. Të njëjtat shprehje, të njëjtat sjellje, të njëjtat shije. Ata pinin të njëjtën markë cigaresh, kishin luftuar në shkollë, e donin të njëjtin ushqim. Tre jetë paralele, identike, jetonin në botë të ndryshme.

    Duket si një histori nga një film. Por pas atij ribashkimi të jashtëzakonshëm fshihej diçka shumë më e errët.

    Ata nuk ishin ndarë gabimisht. Ata ishin pjesë e pavetëdijshme e një eksperimenti shkencor sekret.
    Një ekip psikologësh dhe studiuesish kishin vendosur t’i përdornin ata për të studiuar ndikimin e mjedisit në personalitet.
    Një hetim që kufizohet me etikën, me një pyetje themelore: sa rëndësi ka ajo që jemi në krahasim me atë që përjetojmë? Të tre vëllezërit u ndanë qëllimisht. Të vëzhguar për vite me radhë, pa e ditur. Ata morën vizita të rregullta nga psikologët, nën maskën e kontrolleve rutinë pas birësimit.
    Askush nuk foli kurrë. Askush nuk kërkoi kurrë pëlqimin e tyre. Kur e vërteta doli në shesh, ishte një tërmet.

    Vëllezërit – si pjesa tjetër e botës – zbuluan se kishin qenë minj eksperimentalë, mashtrime të gjalla në një projekt çnjerëzor. Gjithçka mbeti e fshehur për dekada. Edhe sot, shumë dokumente zyrtare mbeten të klasifikuara deri në vitin 2065.
    Historia e tyre ka bërë xhiron e botës, duke frymëzuar dokumentarin fitues çmimesh “Tre të huaj identikë” (2018). Dhe ka shkaktuar një debat të thellë mbi etikën e kërkimit shkencor: sa larg mund të shkojë kurioziteti njerëzor? Kur shkenca harron njerëzimin që studion, çfarë mbetet? Tre vëllezër. Tre fate të ndara. Një e vërtetë që kërkon drejtësi: nuk ishin numra në një eksperiment. Ishin zemra që kërkonin dashuri.

  • Covid-19 përhapet në të gjithë Finlandën, regjistrohen 200 raste në javë

    Covid-19 përhapet në të gjithë Finlandën, regjistrohen 200 raste në javë

    Finlanda ka përjetuar rritje të rasteve të Covidit-19 kohët e fundit, me 200 raste të konfirmuara në javë, raportoi sot transmetuesi “Yle”.

    Një specialist për Institutin për Shëndet dhe Mirëqenie THL tha se numri i rasteve është rritur në vjeshtë, me rreth 200 raste të konfirmuara në laborator të regjistruara në javë në javët e fundit.

    “Këto janë raste të konfirmuara në laborator dhe vetëm maja e ajsbergut (për sa i përket infeksioneve aktuale). Shumica e njerëzve (me Covid) janë në shtëpi. Mund të thuhet se infeksionet me koronavirusin po përhapen në të gjithë vendin”, tha Niina Ikonen.

    Megjithatë, kjo vjeshtë ka parë më pak raste krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur afërsisht 1.000 raste të konfirmuara në laborator u raportuan çdo javë.

    “Ka një numër të madh virusesh të ndryshme të frymëmarrjes që qarkullojnë aktualisht”, shtoi Ikonen.