ATV

Author: ATV

  • Ish-presidentja Jahjaga po merr pjesë në Forumin Botëror të Paqes – Kërkon njohjen e Kosovës nga Indonezia

    Ish-presidentja Jahjaga po merr pjesë në Forumin Botëror të Paqes – Kërkon njohjen e Kosovës nga Indonezia

    Edicioni i 9-të i Forumit Botëror të Paqes po mbahet në Jakarta të Indonezisë.

    Në këtë forum pjesëmarrëse është edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

    Jahjaga përmes një postimi në Facebook tha se gjatë fjalimit të saj theksoi vlerat si si demokracia, barazia gjinore, gjithëpërfshirja dhe lidershipi i gruas.

    “Ngritja e ringritja e Republikës së Kosovës para dhe pas luftës, sfidat dhe vështirësitë si dhe rrugëtimi im si Presidentja e parë grua e vendit poashtu ishin pjesë e fjalës sime, duke treguar me krenari për rrugëtimin e qëndresës dhe suksesit të vendit tim. Njëherazi theksova se kontributi im për Kosovën ka kaluar faza dhe pozicione të ndryshme institucionale, por gjithmonë me të njejtin qëllim, të mirën e përgjithshme të qytetarëve të vendit”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

    Tutje, Jahjaga kërkoi edhe njohjen e Kosovës nga Indonezia.

    “Përpos tjerash në fjalën time e theksova kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës nga Indonezia”, ka shkruar ajo.

  • Memli Krasniqi: PDK është forca më e votuar në Kosovë – ky është fillimi i një kapitulli të ri

    Memli Krasniqi: PDK është forca më e votuar në Kosovë – ky është fillimi i një kapitulli të ri

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se PDK ka përmbyllur me sukses një tjetër kapitull të rëndësishëm të jetës demokratike të vendit, duke u konfirmuar si partia më e votuar në nivel vendi me 187,526 vota, 206 asamblistë të zgjedhur dhe gjashtë komuna të fituara: Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik dhe Han i Elezit.

    “PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë. Me 206 asamblistë të zgjedhur, mbetëm forca me përfaqësimin më të gjerë lokal në vend. Dhe me gjashtë komuna të fituara, PDK dëshmoi se suksesi ndërtohet mbi punë me rezultate dhe përfaqësim me dinjitet,” ka theksuar Krasniqi.

    Kreu i PDK-së tha se kjo ishte një fushatë e pastër dhe dinjitoze, duke vlerësuar se edhe aty ku gara ishte e vështirë, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete.

    “Disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta. Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore, sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë,” tha ai.

    Krasniqi ka falënderuar të gjithë kandidatët e PDK-së për kryetarë komunash për angazhimin dhe dinjitetin e treguar, duke përmendur në mënyrë të veçantë kandidatin për Mitrovicë, Arian Tahirin.

    “Dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mikun tim, yllin e kësaj fushate, Arian Tahirin në Mitrovicë, i cili, i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror, bëri një garë të fortë, dinjitoze dhe të ngushtë deri në fund,” deklaroi kryetari i PDK-së.

    Në fund të mesazhit të tij, Krasniqi shprehu mirënjohje për qytetarët e Kosovës për shembullin demokratik që dhanë në këto zgjedhje, duke theksuar se PDK po hyn në një fazë të re të bashkimit dhe përgatitjes për fitore të tjera.

    “Partia Demokratike e Kosovës sot qëndron më e bashkuar, më e pjekur dhe më e përgatitur për sfidat që na presin. Ky rezultat nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri – kapitulli i bashkimit, rigrupimit dhe përgatitjes për fitoret e ardhshme,” u shpreh ai.

    Krasniqi përmbylli me një mesazh të qartë për të ardhmen:

    “PDK nuk ndalet. Sepse PDK është e qytetarëve. PDK është e Kosovës. Dhe me PDK-në, ditët më të mira janë përpara vendit tonë!”

  • Abdixhiku: Fituam 7 komuna përfshirë atë më të pakrahasueshmen Prishtinën – rezultat i lakmuar

    Abdixhiku: Fituam 7 komuna përfshirë atë më të pakrahasueshmen Prishtinën – rezultat i lakmuar

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke e cilësuar rezultatin si fitore të qytetarisë dhe të demokracisë.

    Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Abdixhiku tha se “dje Kosova foli me votë, me besim dhe me qartësi – foli në emër të shpresës, të qetësisë dhe të punës”. Ai theksoi se mesazhi i qytetarëve ishte i pastër: “Kosova jeton me demokraci. Kjo është vlera më e madhe e jona si popull.”

    Sipas tij, LDK ka shënuar fitore në shtatë komuna, përfshirë edhe Prishtinën, të cilën e quajti “garën më të rëndësishme në vend”. Abdixhiku nënvizoi se “pas 12 vitesh, LDK është sërish parti e parë në Kryeqytet, dhe fitorja e dytë radhazi aty është shenjë e qartë e forcës sonë politike”.

    Ai falënderoi kandidatët fitues dhe ekipet e tyre për rezultatet në Prishtinë, Pejë, Viti, Junik, Dragash, Lipjan dhe Istog, duke shtuar se “ky rezultat është dëshmi e një force që qëndron, rritet e forcohet”.

    Në të njëjtën kohë, Abdixhiku u shpreh mirënjohës ndaj kandidatëve që nuk arritën të fitonin, duke thënë se “LDK ndihet krenare me punën e tyre të ndershme dhe dinjitoze në një garë të vështirë e të pabarabartë”.

    “Kemi fituar me qytetari, me ide, me punë dhe me njerëzit më të mirë që ka ky vend. Pa aparat shtetëror, pa interesa klanore, dhe me bindje në veten tonë”, tha ai.

    Kreu i LDK-së u shpreh se partia e tij do të qeverisë për të gjithë qytetarët, pa dallime partiake: “Në këtë Republikë, asnjë qytetar nuk duhet të ndjehet humbës. Ne nuk fitojmë për të ndarë, por për të bashkuar. Pushteti është përgjegjësi, jo privilegj.”

    Në përmbyllje të reagimit, Abdixhiku tha se fitorja e LDK-së është “një thirrje për punë, për përulësi dhe dinjitet”, duke shtuar se qytetarët kanë nevojë për rezultate e jo për fjalë të mëdha.

    “Dje, Kosova ka bërë një hap përpara drejt normalitetit, drejt një qeverisjeje që punon, që dëgjon dhe që respekton. Ky është misioni ynë”, përfundoi Abdixhiku, duke uruar qytetarët për “një natë shprese dhe një fillim të mbarë për Republikën e Kosovës”.

  • Ish-presidenti Sarkozy lirohet nga burgu

    Ish-presidenti Sarkozy lirohet nga burgu

    Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të lirohet nga burgu pas afërsisht 20 ditësh.

    Gjykata e Apelit e Parisit miratoi kërkesën e tij për lirim të hënën.

    Ish-presidenti tani do të vihet nën mbikëqyrje gjyqësore.

    Në aferën që kishte të bënte me ndihmën e supozuar të paligjshme financiare nga Libia për fushatën zgjedhore presidenciale të vitit 2007, një gjykatë në Paris e dënoi Sarkozinë me pesë vjet burgim për anëtarësim në një organizatë kriminale

  • FSK do të zhvillojë stërvitje ushtarake në Gërmi

    FSK do të zhvillojë stërvitje ushtarake në Gërmi

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se Forca e Sigurisë së Kosovës, do të zhvillojë më 15 nëntor 2025 një stërvitje ushtarake në zonën e Gërmisë.

    Sipas njoftimit, stërvitja do të përfshijë marshim kondicional dhe lëvizje të këmbësorisë, me prani të pjesëtarëve të FSK-së në terren.

    Komuna thekson se aktiviteti zhvillohet në kuadër të planit të rregullt stërvitor të FSK-së dhe nuk ka arsye për shqetësim për qytetarët.

    Qytetarët këshillohen të jenë të vëmendshëm gjatë lëvizjeve në zonën e stërvitjes dhe të respektojnë sinjalizimet në terren.

  • Një prerje në ADN mund të ndryshojë luftën kundër kolesterolit të lartë

    Një prerje në ADN mund të ndryshojë luftën kundër kolesterolit të lartë

    Një studim i ri përdor teknologjinë CRISPR për të ndryshuar gjenin që kontrollon kolesterolin

    Një prerje e vogël në ADN mund të bëhet çelësi për të ulur kolesterolin e rrezikshëm, duke shmangur nevojën për ilaçe të përditshme. Një studim pilot i publikuar në New England Journal of Medicine ka dhënë shpresë për një trajtim të ri gjenetik që mund të ndryshojë mënyrën se si trajtohet kolesteroli i lartë.

    Ky studim i vogël — me vetëm 15 pacientë që vuajnë nga forma të rënda të sëmundjes testoi sigurinë e një ilaçi të ri që përdor teknologjinë CRISPR-Cas9, një mjet biologjik që funksionon si “gërshërë” për të prerë dhe ndryshuar gjene specifike.

    Rezultatet e para janë inkurajuese: pacientët përjetuan një ulje mesatare prej gati 50% të kolesterolit LDL, i njohur si “kolesteroli i keq”, i cili lidhet ngushtë me sëmundjet e zemrës — shkaktari kryesor i vdekjeve në SHBA dhe në mbarë botën. Po ashtu, u vu re një ulje prej 55% e triglicerideve, një tjetër lloj yndyre në gjak që ndikon në rrezikun kardiovaskular, raportoi CNN.

    “Shpresojmë që kjo të jetë një zgjidhje e përhershme — një terapi ‘njëherë e përgjithmonë’, ku njerëzit e rinj me sëmundje të rënda mund të kenë nivele të ulëta të kolesterolit dhe triglicerideve gjatë gjithë jetës”, tha Steven Nissen, drejtues akademik në Institutin e Zemrës, Enëve të Gjakut në Cleveland Clinic, Ohio.

    Sipas Pradeep Natarajan, drejtor i Kardiologjisë Parandaluese në Massachusetts General Hospital, sot mjekët synojnë që pacientët me sëmundje të zemrës të kenë nivele të LDL-së nën 100 mg/dL, por idealja do të ishte midis 40 dhe 50 mg/dL, një objektiv që është shumë i vështirë të arrihet vetëm me dietë dhe aktivitet fizik.

    Megjithatë, ai shton se ilaçet ekzistuese mund të arrijnë nivele të ngjashme të uljes së kolesterolit, prandaj nevojiten prova më të gjera për të parë nëse ky trajtim është po aq efektiv dhe i sigurt.

    Ideja për këtë trajtim me gjenetikë vjen nga një mutacion i rrallë natyror. Disa njerëz kanë një gjen të quajtur ANGPTL3 që nuk funksionon. Ky gjen ndihmon në rregullimin e niveleve të LDL-së dhe triglicerideve. Kur ky gjen është “i fikur”, njerëzit kanë kolesterol shumë të ulët gjatë gjithë jetës dhe një rrezik jashtëzakonisht të vogël për sëmundje të zemrës — pa efekte anësore të njohura.

    Në studim, pacientët morën doza të ndryshme të ilaçit përmes infuzionit. Rezultatet më të forta u panë në dozën më të lartë — 0.8 mg për kilogram, e cila uli si LDL-në, ashtu edhe trigliceridet ndjeshëm.

    Një aspekt i rëndësishëm është se ky ilaç vepron vetëm në mëlçi, organi përgjegjës për prodhimin dhe përpunimin e kolesterolit. Kjo e bën trajtimin potencialisht më të sigurt, pasi redukton rrezikun që gjenet në pjesë të tjera të trupit të preken.

    Efektet anësore të raportuara ishin të lehta, kryesisht irritim në vendin e infuzionit. Një pacient pësoi një hernie diskale dhe një tjetër kishte rritje të përkohshme të enzimave të mëlçisë, por të dy rastet u stabilizuan brenda dy javësh. Një pacient tjetër vdiq gjashtë muaj pas infuzionit, por sipas studiuesve, vdekja nuk kishte lidhje me trajtimin.

    Autoritetet amerikane (FDA) kërkojnë që të gjithë pjesëmarrësit të monitorohen për 15 vjet, për të vlerësuar çdo efekt të mundshëm afatgjatë.

    Studiuesit planifikojnë të nisin fazën e dytë të testimeve klinike së shpejti dhe të kalojnë në fazën e tretë deri në fund të vitit të ardhshëm, për të provuar efektin te një numër shumë më i madh pacientësh.

    Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se është ende herët për entuziazëm të tepruar.

  • Senati amerikan drejt përfundimit të mbylljes 40-ditore të Qeverisë

    Senati amerikan drejt përfundimit të mbylljes 40-ditore të Qeverisë

    **Senati amerikan drejt përfundimit të mbylljes 40-ditore të Qeverisë**

    Senati amerikan ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, duke miratuar një projektligj që synon t’i japë fund mbylljes 40-ditore. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në pagat e mijëra punëtorëve federalë, ka vonuar ndihmat ushqimore dhe ka shkaktuar probleme në udhëtimet ajrore.

    Projektligji, i cili më herët është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, do ta mbajë Qeverinë të financuar deri më 30 janar dhe përfshin tri paketa për financimin e agjencive federale. Nëse Senati e miraton me ndryshime, dokumenti duhet të kthehet përsëri në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas t’i dërgohet presidentit Donald Trump për nënshkrim – një proces që mund të zgjasë disa ditë.

    Sipas marrëveshjes së arritur me disa demokratë që janë ndarë nga linja e partisë, republikanët janë pajtuar që në dhjetor të votojnë për vazhdimin e subvencioneve të sigurimeve shëndetësore për qytetarët me të ardhura të ulëta. Këto subvencione, të cilat skadojnë në fund të vitit, janë një nga pikat kryesore të betejës politike për financimin e Qeverisë.

    Projektligji ka kaluar në Senat me 60 vota, ndërsa presidenti Trump ka deklaruar para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “mbyllja e Qeverisë është shumë afër fundit”.

    Sipas dokumentit, deri më 30 janar agjencive federale do t’u ndalohet largimi nga puna i punëtorëve – një zhvillim që përbën fitore për sindikatat dhe aleatët e tyre.

    Të hënën, senatorët pritet të punojnë për një marrëveshje dypartiake që do të përshpejtojë procedurat dhe do ta çojë projektligjin drejt votimit përfundimtar. Nëse kjo nuk ndodh, procesi mund të zgjasë edhe për një javë tjetër.

    Zyrtarët paralajmërojnë se, nëse mbyllja zgjatet më tej, ekonomia amerikane mund të pësojë rënie gjatë tremujorit të fundit të vitit, veçanërisht nëse trafiku ajror nuk normalizohet deri në Festën e Falënderimeve, e cila këtë vit shënohet më 27 nëntor./REL

  • E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit

    E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit

    Të dielën në mëngjes, Policia e Kantonit Thurgau ndaloi një shofer në gjendje paaftësie për të ngarë makinën, në rrugë në Wilen pranë Wil-it, Thurgau.

    Pak pas orës 9:15 të mëngjesit, qendra e thirrjeve të urgjencës kantonale mori një raport se një burrë ishte ulur në një makinë në një pikë karburanti në Weidstrasse me motorin ndezur dhe nuk po tregonte asnjë reagim, transmeton albinfo.ch. Kur patrulla mbërriti, ai tashmë kishte filluar të fliste me paramedikët, sipas polizei-schweiz.ch.

    Sipas Policisë së Kantonit Thurgau, 25-vjeçari kosovar kishte rënë në gjumë në makinën e tij ndërsa priste të lëvizte përpara për të marrë benzinë në pompë.

    Policët përcaktuan se burri ishte i paaftë për të drejtuar makinën dhe urdhëruan analiza gjaku dhe urine, përcjell albinfo.ch. Patenta e tij e shoferit u konfiskua dhe u dërgua në zyrën e trafikut rrugor.

  • BE vlerëson rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë

    BE vlerëson rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë

    Ushtruesja e Detyrës së Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka mirëpritur zhvillimin e rregullt dhe gjithëpërfshirës të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në 18 komuna të Kosovës.

    Palatova e ka cilësuar këtë proces zgjedhor si një dëshmi të demokracisë në vend dhe ka vlerësuar përmbylljen e suksesshme të ciklit të zgjedhjeve lokale.

    Ky raund i zgjedhjeve ishte pjesë e përpjekjeve për të forcuar institucionet demokratike dhe për të garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

    Qytetarët në 18 komuna votuan më 9 nëntor për t’i zgjedhur kryetarët e tyre përkatës.

    Në këtë rund, LDK-ja fitoi pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në katër, ndërkaq PDK-ja në tre.

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dalja ishte mbi 32 për qind.

  • OSBE lavdëron zhvillimin e procesit zgjedhor në Kosovë: U menaxhuan me profesionalizëm e përkushtim

    OSBE lavdëron zhvillimin e procesit zgjedhor në Kosovë: U menaxhuan me profesionalizëm e përkushtim

    Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, ka vlerësuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

    Në një deklaratë publike, McGurk ka përgëzuar kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për menaxhimin e suksesshëm të procesit zgjedhor të tetorit dhe nëntorit.

    “Ndërsa mbyllen qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, unë përgëzoj kryetarin Kreshnik Radoniqi, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë ata që u përfshinë në menaxhimin dhe organizimin e procesit zgjedhor,” ka deklaruar McGurk.

    Ai ka theksuar se përkushtimi dhe profesionalizmi i institucioneve zgjedhore kanë forcuar demokracinë në vend.

    “Profesionalizmi dhe përkushtimi juaj kanë forcuar proceset demokratike në Kosovë. Urime të gjithë kryetarëve të rinj dhe të rizgjedhur — puna juaj me dhe për komunitetet tuaja fillon nesër. Me padurim pres t’ju takoj së shpejti”, tha McGruk.