ATV

Author: ATV

  • Viti shkollor fillon me më pak nxënës, 629 fëmijë braktisën Kosovën

    Viti shkollor fillon me më pak nxënës, 629 fëmijë braktisën Kosovën

    Viti i ri shkollor filloi si çdo vit me një shtator në të gjitha shkollat e Kosovës. Por jo të gjithë nxënësit u kthyen në bankat e shkollës. Shkollave të Kosovës i munguan hiq më pak se 629 nxënës. Ata nuk i braktisën vetëm bankat shkollore, por dhe Kosovën.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë 629 nxënës,  kanë  braktisur shkollat dha ja larguar nga Kosova gjatë vitit shkollor 2024/25.

    Sipas të dhënave zyrtare, nga ky numër  i nxënësve të larguar 350 janë djem, ndërsa 279 vajza.Fenomeni i largimit të nxënësve nuk është shpërndarë njëtrajtësisht në të gjitha komunat. Komunat me numrin më të madh të fëmijëve që kanë ndërprerë shkollimin janë Gjakova me 89 nxënës, Malisheva me 84, Gjilani me 74, Prizreni me 66 dhe  Suhareka me 61./ATVLIVE/

  • Shqipëria hap katër kapituj të rinj negociatash për anëtarësim në BE më 16 shtator

    Shqipëria hap katër kapituj të rinj negociatash për anëtarësim në BE më 16 shtator

    Shqipëria do të hapë katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 16 shtator, në një takim të thirrur nga Presidenca daneze e BE-së. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

    Sipas Ramës, hapja e këtyre kapitujve do të zhvillohet në praninë e ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

    Katër kapitujt e rinj i shtohen 24 kapitujve të hapur më parë, duke e çuar në 28 numrin total të kapitujve të hapur brenda vetëm 11 muajve – ritëm që kryeministri e cilësoi si “rekord absolut” në procesin e negociatave.

    Kapitujt e rinj përfshijnë fusha të Agjendës së Gjelbër dhe Ndërlidhjes së Qëndrueshme, të cilat lidhen me sektorë jetikë si transporti, energjia, rrjetet transevropiane dhe mjedisi.

    “U vendos edhe një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE”, u shpreh Rama.

    Shqipëria hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE në tetor të vitit 2024. Kjo ndodhi pas një pritjeje të gjatë, pasi vendi kishte aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe kishte marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2014.

    Tirana duhet të hapë dhe të mbyllë gjithsej 33 kapituj për t’u anëtarësuar në BE. Për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli kërkohet miratimi i të gjithë vendeve anëtare të bllokut evropian.

  • Shoferi 70-vjeçar fluturon mbi autostradë, kamera regjistron gjithçka

    Shoferi 70-vjeçar fluturon mbi autostradë, kamera regjistron gjithçka

    Gjatë orës së pikut të trafikut, një makinë u ngrit plotësisht në ajër mbi një autostradë të ngarkuar në Nju Jork, duke fluturuar mbi gjashtë korsi trafiku dhe gjithçka u kap në kamera.

    Një shofer 70-vjeçar papritmas shpejtoi dhe u hodh nga një kodër në Long Island rreth orës 5 pasdite të mërkurën, më 3 shtator. Banorët u habitën nga pamjet e kamerës së makinës me tym të kapura nga dëshmitari Joseph McGrath.

    “Një makinë doli nga askund dhe u hodh mbi autostradë para meje”, tha McGrath për Storyful.

    Një dëshmitar tjetër në Sunrise Highway, Brandon Hyacinthe, e përshkroi incidentin tronditës për News12 New York.

    “Duket si një meteor që kalon nëpër autostradë. Në fillim nuk e dija që ishte një makinë”, tha Hyancinthe për limuzinën Honda.

    Para se të kalonte pranë makinave në të dyja anët e rrugës, shoferi po shkonte drejt jugut në Pine Acres Boulevard.

    “Ai pati një krizë shëndetësore, që bëri që të humbiste kontrollin dhe të fluturonte lart në argjinaturë në rrugën e shërbimit, mbi të dyja korsitë, atë perëndimore dhe lindore”, tha për New York Post, Dennison DeNatalie i departamentit të zjarrfikësve të Bay Shore.

    Mrekullisht, automjeti fluturues u përplas me një pemë, në anën e trafikut që vinte përballë. Shoferi arriti të ngrihej dhe të dilte nga makina dhe, për fat të mirë, pësoi vetëm lëndime të lehta.

  • Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut

    Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut

    Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, është një rezultat i drejtpërdrejtë i frustrimit të grumbulluar ndaj veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Ai shton se ky veprim synon të ushtrojë presion mbi udhëheqësit e Kosovës – veçanërisht mbi Kurtin – që të veprojnë në mënyrë konstruktive, të formojnë një qeveri dhe të riangazhohen në dialogun me Serbinë.

    “Kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për një kohë të gjatë, nuk ka avancuar. Me ndryshimin e administratës në Uashington, kishte shpresë se presidenti [Donald] Trump – ashtu si gjatë mandatit të tij të parë – do të mund të riangazhohej në Dialogun Strategjik me Kosovën, në përpjekje për të ndërmjetësuar normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Dhe, tani, kemi një njoftim nga Ambasada [amerikane] në Prishtinë, që në thelb thotë: po tërhiqemi, po e pezullojmë Dialogun Strategjik.

    Në shumë aspekte, kjo është një shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë në Kosovë, e cila praktikisht ka qenë në detyrë që nga zgjedhjet në fillim të këtij viti.

    Por, po ashtu, është rezultat i një frustrimi të grumbulluar: janë dashur disa muaj për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës, tani Kurti fyen Gjykatën Kushtetuese. Para zgjedhjeve, Kurti ka marrë vendime për një gamë të gjerë çështjesh – nisur nga ndalimi i dinarit serb deri tek instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri apo mosçuarja përpara e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Ka një perceptim të gjerë këtu në Uashington dhe në Evropë se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës. Ndaj, mendoj se pezullimi i Dialogut Strategjik është një shenjë pakënaqësie dhe frustrimi”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.

    Kupchan thekson gjithashtu rëndësinë e kompromisit dhe të negociatave me mirëbesim midis të gjitha partive politike në Kosovë, për të rivendosur stabilitetin dhe për të ecur përpara.

    “… kjo tregon se Uashingtoni po i ndjek ngjarjet dhe do të bëjë atë që gjykon se është e nevojshme, për të parandaluar paqëndrueshmërinë përpara se të ndodhë”, thotë Kupchan.

  • Nis fushata për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës – në garë 93 subjekte politike

    Nis fushata për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës – në garë 93 subjekte politike

    Sot, më 13 shtator ka nisur periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, ndërsa përfundon më 12 tetor, në orën 06:59.

    Lëvizja Vetëvendosje ka hapur fushatën zgjedhore të premten në ora 19:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa sot vazhdojnë partitë tjera, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, etj.
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës më 6 shtator ka konfirmuar listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sipas së cilës do të kenë të drejtë vote 2.069.098 persona.

    “Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 2.025.105 votues, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë jashtë Kosovës është 43.993 votues”, është bërë e ditur në njoftim.

    Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

    KQZ po ashtu ka miratuar përmbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
    Do të jenë dy fletëvotime, njëra për zgjedhjen e kryetarit të Komunës dhe tjetra për zgjedhjen e anëtarëve të Kuvendeve Komunale.

    Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunave do të shtypen 1,800,410 fletëvotime dhe po aq, 1,800,410, edhe për zgjedhjet për Kuvende Komunale. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë.

    Ndërkaq, për të gjithë ata që mund të kenë dilema për qendrën e votimit, mund ta verifikojnë atë.

    KQZ fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të kontrollojnë adresën e qendrës së tyre të votimit.

    Për ta bërë këtë në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë, KQZ ka vënë në dispozicion platformën elektronike: https://qv.kqz-ks.org

    “Duke e vizituar këtë faqe, çdo qytetar mund të informohet saktësisht se në cilën qendër mund të votojë më 12 tetor 2025, duke shmangur paqartësitë apo vonesat në ditën e zgjedhjeve. Platforma elektronike e KQZ-së do të jetë e qasshme vazhdimisht, përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

  • Kjo është pema 860 vjeçare “prej ari”, e cilësuar si më e bukura në botë

    Kjo është pema 860 vjeçare “prej ari”, e cilësuar si më e bukura në botë

    Çdo vit, në fund të vjeshtës, mijëra njerëz dynden në Bangye–ri, një fshat në Korenë e Jugut, për të dëshmuar bukurinë e një peme madhështore 860-vjeçare Ginkgo biloba. Pema e Ginkgo biloba është një monument kombëtar i Koresë së Jugut i famshëm për kurorën mbresëlënëse e cila aktualisht mbulon një perimetër prej rreth 17 metrash. Me një lartësi prej rreth 32 metrash, nuk është as pema më e lartë e Ginkgo biloba në vendin aziatik, por mënyra se si janë përhapur degët e saj e bën atë një nga pemët më mbresëlënëse vizualisht në Tokë. Në Korenë e Jugut, Pema e Ginkgo biloba shpesh quhet pema më e bukur në botë.


    Kur gjethet e saj të mëdha dhe me ngjyrë të artë bien duke formuar një qilim të ndritshëm në tokë, skena shndërrohet në një spektakël natyror që magjeps çdo vizitor. Pamja e saj është bërë ikonike. Është interesante se pema më e bukur e Koresë së Jugut arriti kulmin e popullaritetit të saj gjatë pandemisë Covid-19, si pjesë e asaj që disa ekspertë e quajtën “trendi i udhëtimit të epokës Covid”. Familjet filluan të udhëtonin duke vizituar më shumë atraksione në natyrë me makinat e tyre për të minimizuar kontaktin me personat e huaj.

    “Ky fshat dikur ishte i qetë para pandemisë Covid-19, por vizitorët u trefishuan vitin e kaluar dhe më pas u katërfishuan këtë vit”, tha Chae Beom-sik, kreu i fshatit Bangye-ri, në vitin 2021.

    “Mesatarisht 4,000 njerëz e vizitojnë atë në ditë, qoftë gjatë javës apo në fundjavë. Nuk ka restorante përreth dhe dyqani më i afërt është 1.5 kilometra larg, por njerëzit vërshojnë vetëm për bukurinë e kësaj peme.”
    Pandemia Covid-19 mund të jetë shumë pas nesh tani, por popullariteti i Pemës Ginkgo biloba mbetet i lartë. Këto ditë, ndërsa pema lëshon gjethet e saj të verdha, duke krijuar një qilim natyror dhjetëra metra përreth saj, mijëra njerëz dynden në Bangye-ri për të dëshmuar magjinë nga afër. Pemët e Ginkgo biloba-s janë atraksione turistike shumë të njohura edhe jashtë Koresë së Jugut.

  • Hoxha takon zyrtarin e FBI-së: Bashkëpunimi ka dhënë rezultate të prekshme në fushën e sigurisë

    Hoxha takon zyrtarin e FBI-së: Bashkëpunimi ka dhënë rezultate të prekshme në fushën e sigurisë

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, sot ka pritur në takim atasheun e ri ligjor të FBI-së, Brendan Collins, i cili mbulon Kosovën.

    Përmes një njoftimi u bë e ditur edhe temat për të cilat u diskutua.

    Me këtë rast, Hoxha tha se bashkëpunimi ka qenë gjithmonë i shkëlqyer.

    “Gjatë takimit u diskutua për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe FBI-së. Drejtori i Përgjithshëm deklaroi se ky bashkëpunim ka qenë gjithmonë i shkëlqyer dhe ka prodhuar rezultate të prekshme në fushën e sigurisë. Ai shprehu gatishmërinë e tij për të forcuar më tej këtë partneritet në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

    Theks i veçantë thuhet se iu vu bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera me interes të përbashkët.

    Ndërkaq në këtë vizitë, Collins thuhet se ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të FBI-së nga Sofja dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë./ATVLIVE/

  • Kosova merr kontrollin e objektit në Graçanicë ku vepronte Posta e Serbisë

    Kosova merr kontrollin e objektit në Graçanicë ku vepronte Posta e Serbisë

    Posta e Kosovës ka marrë kontrollin e një objekti në Graçanicë, në afërsi të Prishtinës, ku deri më 15 janar të këtij viti ndodhej Posta e Serbisë.

    Ajo u mbyll në kuadër të një aksioni të gjerë për shuarjen e institucioneve në jug të Ibrit, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

    Kosova i konsideron institucionet serbe paralele dhe ilegale, ndërsa mbyllja e tyre nisi në fillim të vitit 2024, pavarësisht kritikave të komunitetit ndërkombëtar se së pari duhej gjetur një zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët, të cilët kryesisht janë nga komuniteti serb.

    Serbët e Kosovës marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, disa prej të cilave u janë paguar pikërisht në sportelet e Postës së Serbisë, si shtesat për fëmijë apo për nënat, pensionet, ndihmat sociale e të tjera.

    Aktualisht nuk dihet nëse Posta e Kosovës do të hapë një filial të ri në objektin e marrë, apo do ta përdorë atë për qëllime të tjera.

    Institucionet e Kosovës ende nuk janë deklaruar për aksionin e sotëm.

    Drejtori i Postës së Serbisë për Kosovë, Ivan Millojeviq, i cili ishte i pranishëm sot gjatë marrjes së objektit nga Posta e Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), u tha gazetarëve se në mes të korrikut u ndryshua pronari në kadastrin e Kosovës, dhe e cilësoi këtë si “uzurpim”, pasi “kemi dëshmi se këtë postë e kemi ndërtuar vetë në vitin 2004”.

    “Aty ekzistonte një postë e vogël, e vjetër, prej rreth tridhjetë metrash katrorë, ndërsa ajo që shihni sot, ishte qendra e Postës së Serbisë në Kosovë”, tha Millojeviq, duke e cilësuar atë si “të marrë në mënyrë të paligjshme”.

    “Mesazhi im është se do të luftojmë me të gjitha mjetet ligjore për ta dëshmuar këtë në gjykatë. Por, e dini si është kur kadia edhe të padit, edhe të gjykon”, shtoi ai.

    Radio Evropa e Lirë i është drejtuar MINT-it me kërkesë për t’i komentuar deklaratat e Millojeviqit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.

    Përveç Postës së Serbisë, gjatë dy viteve të fundit janë mbyllur edhe Banka Kursimore Postare, Banka Kombëtare e Serbisë, drejtoritë e Fondit të Pensioneve dhe Sigurimeve Invalidore, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike komunale, organet e përkohshme komunale dhe shumë të tjera.

  • PDK thotë se prin në Vushtrri: Ferit Idrizi me 46.1% në matjet e fundit

    PDK thotë se prin në Vushtrri: Ferit Idrizi me 46.1% në matjet e fundit

    Anëtari i Kryesisë së PDK-së në Vushtrri, Lorik Maxhuni, ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës ka kryer matje të reja për zgjedhjet lokale, ku kandidati i tyre Ferit Idrizi prin bindshëm ndaj rivalëve politikë.

    “Po, Partia Demokratike e Kosovës në Vushtrri vazhdimisht kryen sondazhe, dhe rezultatet janë të qarta, ne jemi subjekti që prin në preferencat e qytetarëve. Ky është një lajm që na jep energji dhe motivim, por nuk jemi dhe shumë të kënaqur andaj po punojmë pa ndërprerje, sepse synimi ynë është i qartë: të fitojmë zgjedhjet në raundin e parë, pa nevojën për balotazh. Jemi shumë afër realizimit të këtij objektivi historik për Vushtrrinë tonë të dashur,” ka deklaruar Maxhuni.

    Sipas tij, rezultatet e matjes tregojnë se Ferit Idrizi i PDK-së prin me 46.1%, duke lënë pas Sylejman Mehollin e LVV-së me 25.6% dhe Xhafer Tahirin e LDK-së me 18.3%.

    Duke folur për arsyet e kësaj epërsie, Maxhuni tha se mbështetja për Idrizin ka ardhur si rezultat i punës së përditshme dhe përkushtimit të tij ndaj qytetarëve.

    “Është puna e palodhur dhe përkushtim ndaj qytetarëve. Ferit Idrizi ka treguar se është një lider që mban fjalën e dhënë dhe që punon çdo ditë për përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e Vushtrrisë. Projekte konkrete, rezultate të prekshme dhe një komunikim i hapur me qytetarët – këto janë arsyet kryesore që mbështetja për Feritin po rritet çdo ditë,” u shpreh ai.

    Maxhuni theksoi se kandidati i PDK-së gëzon mbështetje të gjerë në gjithë komunën.

    “Ferit Idrizi është kandidati me mbështetjen më të madhe në çdo lagje të qytetit, dhe prin bindshëm në të gjitha fshatrat e Komunës sonë. Mbështetja për të është e fuqishme dhe e qëndrueshme. Kjo është një dëshmi e qartë se qytetarët besojnë tek vizioni dhe përkushtimi i tij. Përkundër sfidave që kemi pasur me buxhetin në vitet e fundit, ne po i lëmë pas të gjitha subjektet e tjera politike dhe jemi përpara në çdo drejtim. Ferit Idrizi është zëri i vërtetë i Vushtrrisë dhe zgjidhja që e duam për një të ardhme më të mirë,” ka përfunduar Maxhuni.

  • Rama prezanton kabinetin qeverisës, emra të rinj në krye të disa ministrive

    Rama prezanton kabinetin qeverisës, emra të rinj në krye të disa ministrive

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka mbledhur sot Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të shpallur qeverinë e re.

    Në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Rama prezantoi përbërjen e qeverisë së re.

    Belinda Balluku është emëruar Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo do të mbajë edhe postin e zëvendëskryeministres.

    Niko Peleshi propozohet për kryetar të ri Kuvendit të Shqipërisë
    Ministria e Punëve të Brendshme do të udhëhiqet nga Albana Koçiu.

    Ministria për Evropën dhe Punë të Jashtme do të udhëhiqet nga Enisa Spiropali.

    Petrit Malaj do ta udhëheqë Ministrinë e Financave. Blendi Gonxhja do të jetë në krye të Ministrisë së Turizmit.

    Sofjan Jaupaj do ta drejtojë Ministrinë e Mjedisit.

    Mirela Kumbaro ka marrë nën drejtim Ministrinë e Arsimit.

    Ministrinë e Shëndetësisë do ta drejtojë Evis Sala

    Delina Ibrahimi do të jetë Ministre e Ekonomisë.

    Ministër i Drejtësisë është emëruar Besfort Lamallari.

    Pirro Vengu do të vazhdojë të jetë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

    Ministrinë e Bujqësisë do ta udhëheqë Andris Salla.

    Ervin Demo do të jetë Ministër për Pushtetin Vendor.

    Ministër për Marrëdhënie me Parlamentin do të jetë Toni Gogu.