ATV

Author: ATV

  • Aktakuzë për spiunazh ndaj kosovarit të ISIS-it: Bashkëpunoi me BIA’n, paguhej 700 Euro

    Aktakuzë për spiunazh ndaj kosovarit të ISIS-it: Bashkëpunoi me BIA’n, paguhej 700 Euro

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Hysri Selimit, i dyshuar për veprën penale “Spiunazh”.

    Ai akuzohet se nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 06.05.25, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë e njohur si BIA.

    Sipas aktakuzës, Hysri Selimi më 22.11.2015 kishte udhëtuar në Siri, duke ju bashkuar organizatës terroriste “ISIS” dhe pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit për pjesëmarrje në organizata terroriste, kishte vazhduar të spiunonte për BIA-n.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hysri Selimi kishte dërguar informacione tek zyrtarët e BIA-së, në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në “ISIS”, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata. Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell informata tjera të rëndësishme.

    Sipas aktakuzës, si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-së e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj.

    Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe ndaj tij të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.

  • Djaloshi i zhdukur për 10 vjet shihet i gjallë mes ujqve

    Djaloshi i zhdukur për 10 vjet shihet i gjallë mes ujqve

    Dhjetë vjet më parë, 7-vjeçari Daniel Reyes u zhduk pa lënë asnjë gjurmë. Pas vitesh kërkimesh, ai u shpall i zhdukur dhe i supozuar i vdekur.

    Por këtë javë, kamerat në shtigje pranë shtëpisë së tij të fëmijërisë kapën diçka që tronditi fqinjët dhe shkencëtarët njësoj: Daniel, tashmë 17 vjeç, duke ecur krah për krah me një tufë ujqish.

    Duke përdorur programe të inteligjencës artificiale për plakjen e fytyrës, hetuesit e krahasuan pamjen me atë që do të dukej Daniel sot. Ngjashmëria ishte befasuese. Dhe ajo që është edhe më e jashtëzakonshme, siç theksojnë shkencëtarët, është sjellja e ujqve. Ata nuk dukeshin sikur po e gjuanin, përkundrazi, dukeshin sikur e pranonin si pjesë të tyre.

    Në këtë pikë, ekspertët besojnë se Daniel është përshtatur plotësisht me jetën në të egër. Ata paralajmërojnë se me gjasë ai ka humbur aftësinë për të folur anglisht, komunikimin e tij tashmë e kanë zëvendësuar instinktet dhe sjelljet e ujqve përreth tij.

    Edhe pse lidhjet njeri–ujk janë të rralla, historia ka regjistruar raste të njerëzve që kanë jetuar mes ujqve. Për momentin, gjithçka mund të varet nga vetë Danieli nëse një ditë vendos të gjendet.

  • Kusari-Lila në “Context”: Nisma refuzoi ofertën për nënkryetar të Kuvendit

    Kusari-Lila në “Context”: Nisma refuzoi ofertën për nënkryetar të Kuvendit

    Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Nisma Socialdemokrate ka refuzuar ofertën për të propozuar një nënkryetar të Kuvendit.

    Duke folur mbrëmë në emisionin “Context” në ATV, ajo theksoi se oferta ishte bërë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, e cila përcakton balancën gjinore në kryesi: “Nëse kryetari është burrë, atëherë një nga nënkryetarët duhet të jetë grua – dhe anasjelltas. Pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar, Nisma nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për të propozuar njërën nga dy deputetet e saj për pozitën e nënkryetares.”

    Në anën tjetër, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka theksuar se posti i nënkryetarit nuk ka qenë prioritet për partinë e saj. Sipas saj, Nisma mbetet e hapur për marrëveshje politike që garantojnë shumicë të qëndrueshme dhe qeverisje funksionale, ndërsa në mungesë të kësaj, “zgjidhja e vetme mbetet rikthimi tek qytetarët përmes zgjedhjeve të reja.”

  • Kushtetuesja e shpall të papranueshme ankesën e Ramës kundër rregullores së mbeturinave

    Kushtetuesja e shpall të papranueshme ankesën e Ramës kundër rregullores së mbeturinave

    Gjykata Kushtetuese ka refuzuar si të papranueshme ankesën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ndaj rregullores për menaxhimin e mbeturinave, të miratuar më 5 dhjetor 2024 nga Kuvendi Komunal.

    Në arsyetimin e saj, Kushtetuesja ka theksuar se kjo rregullore nuk është as ligj i Kuvendit të Kosovës dhe as akt i Qeverisë, por një akt nënligjor komunal, i cili nuk hyn në fushën e kompetencës së saj.

    Megjithatë, me autorizim të kryetarit Rama, Zyra Ligjore e Komunës kishte vendosur që nga shkurti 2025 të mos e zbatojë këtë rregullore. Si rezultat, faturat e mbeturinave janë arkëtuar drejtpërdrejt nga Komuna e Prishtinës, ndërsa shërbimi i grumbullimit është deleguar tek gjashtë kompani private.

    Ndërkohë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka vlerësuar rregulloren si të ligjshme, ndërsa Gjykata Supreme ka urdhëruar Komunën që të kthejë kompanisë publike “Pastrimi” të hyrat e mbledhura për gjashtë muaj.

    Vendimi i Kushtetueses e konsolidon pozitën e “Pastrimit” si operator publik në këtë sektor, por njëkohësisht mban të hapur debatin politik e juridik mbi mënyrën se si Komuna e Prishtinës ka menaxhuar një shërbim thelbësor për qytetarët.

    Burime brenda “Pastrimit” konfirmojnë se edhe këtë muaj pagat e punëtorëve janë shpërndarë me vonesë, për shkak të mosshlyerjes së borxhit prej 2.5 milionë eurosh nga ana e Komunës së Prishtinës.

  • Kallas e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

    Kallas e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

    Diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se teguesit e hershëm sugjerojnë se hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore evropiane ishte e qëllimshme, jo aksidentale.

    Ajo ka shkruar të mërkurën në X se lufta e Rusisë po vazhdon të përshkallëzohet.

    “Ne duhet të rrisim koston për Moskën, të forcojmë mbështetjen për Ukrainën dhe të investojmë në mbrojtjen e Evropës. BE-ja luan një rol të madh dhe ne do të mbështesim iniciativa si linja mbrojtëse e kufirit lindor”, ka shkruar Kallas.
    Ajo e ka përshkruar sulmin rus, ku dronët hynë në hapësirën ajrore polake, si “shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane nga Rusia që nga fillimi i luftës”.

    Kallas ka shtuar se është në kontakt me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe zëvendëskryeministrin e Polonisë, Radosłaë Sikorski.

    “BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë”, ka thënë Kallas.

  • Reagime në SHBA: Dronët rusë mbi hapësirën ajrore të Polonisë, akt lufte

    Reagime në SHBA: Dronët rusë mbi hapësirën ajrore të Polonisë, akt lufte

    Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, senatori demokrat Dick Durbin tha se shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore të NATO-s nga dronët rusë ishin një shenjë se Presidenti rus “Vladimir Putin po vë në provë vendosmërinë tonë për të mbrojtur Poloninë dhe vendet baltike”.

    Përfaqësuesi republikan Joe Wilson, një anëtar i lartë i Komitetit të Punëve të Jashtme, tha në një postim në X se Rusia po “sulmonte aleatin e NATO-s, Poloninë” me dronë, duke e quajtur këtë një “akt lufte”.

    Wilson i kërkoi presidentit të ShBA-së, Donald Trump, të përgjigjet me sanksione “që do ta falimentojnë makinerinë ruse të luftës”.

    “Putini nuk mjaftohet më duke humbur në Ukrainë ndërsa bombardon nënat dhe foshnjat, ai tani po e vë në provë drejtpërdrejt vendosmërinë tonë në territorin e NATO-s”, tha ai.

    Trump, i cili e priti ngrohtësisht Putinin në Shtetet e Bashkuara për një samit në gusht, tha gjatë fundjavës se ishte gati të kalonte në një fazë të dytë të sanksionimit të Rusisë pas muajsh bisedimesh të pafrytshme për një marrëveshje paqeje.

  • Polonia thotë se ka rrëzuar dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore

    Polonia thotë se ka rrëzuar dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore

    Polonia ka deklaruar se ka angazhuar mbrojtjen ajrore të saj dhe të NATO-s për të rrëzuar dronë të mërkurën, pas një sulmi ajror rus në Ukrainën perëndimore, hera e parë gjatë luftës në Ukrainë që Varshava angazhon forca në hapësirën e saj ajrore.

    Komanda ushtarake e Polonisë ka theksuar se dronë kanë shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore polake gjatë sulmit rus përtej kufirit në Ukrainë, ndërsa ministri i Mbrojtjes tha se komanda e NATO-s është informuar.

    Radarët gjurmuan më shumë se 10 objekte dhe ato që mund të përbënin kërcënim janë “neutralizuar”, thuhet në deklaratë, raporton Reuters.

    “Disa nga dronët që hynë në hapësirën tonë ajrore janë rrëzuar. Po kryhen kërkime dhe përpjekje për të gjetur vendndodhjet e mundshme të rrëzimit të këtyre objekteve”, ka theksuar ushtria.

    Operacioni ushtarak është ende në vazhdim dhe qytetarët janë paralajmëruar të qëndrojnë në shtëpi, me theks të veçantë për rajonet e Podlaskie, Mazowieckie dhe Lublin, të cilat konsiderohen më të rrezikuarat.

    Ushtria polake e quajti shkeljen e hapësirës ajrore një “akt agresioni”, ndërsa Ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se avionët polakë “kanë përdorur armë kundër objekteve armiqësore.” Ai shtoi se “jemi në kontakt të vazhdueshëm me komandën e NATO-s”, në një postim në platformën X.

    Aeroporti Chopin në Varshavë, më i madhi në vend, njoftoi se hapësira ajrore është mbyllur për shkak të veprimeve ushtarake.

    Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së kishte thënë më herët se Chopin ishte një nga katër aeroportet polake që u mbyllën përkohësisht, përfshirë edhe Aeroportin Rzeszow–Jasionka në juglindje, një qendër e rëndësishme për udhëtarët dhe transferimin e armëve drejt Ukrainës.

    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ishte informuar mbi incidentin, sipas gazetares së CNN, Kaitlan Collins. Departamenti i Shtetit nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Reuters.

  • MPDJ u bën thirrje qytetarëve të Kosovës: Në këtë fazë shmangni udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë

    MPDJ u bën thirrje qytetarëve të Kosovës: Në këtë fazë shmangni udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet në këtë fazë nëpërmjet territorit të Serbisë.
    Një apel i tillë për qytetarët vjen pasi MPJD konfirmoi arrestimin e qytetarit të Republikës së Kosovës, Hazir (Arif) Haziri, nga autoritetet e Serbisë, më 8 shtator 2025, në pikën kufitare në Merdar, gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat.

    “Në këtë fazë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së tyre.

    MPJD gjithashtu nënvizon nevojën urgjente për reagim nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj praktikave represive të autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.

    MPJD thekson tutje se rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve.

  • Haradinaj: Rregullorja e re ia mundësoi Listës Serbe ta ketë nënkryetarin

    Haradinaj: Rregullorja e re ia mundësoi Listës Serbe ta ketë nënkryetarin

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Daradinaj ka thënë se Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës e miratuar në vitin 2022 i mundëson Listës Serbe ta ketë nënkryetarin e Kuvendit, ndryshe, sipas tij, nga rregullorja e vitit 2010 e cila, siç thotë, nuk i jepte ekskluzivitet asnjë partie politike serbe ta ketë nënkryetarin e Kuvendit.

    “Në prill 2010, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Rregulloren e Punës, e cila nuk i jep ekskluzivitet asnjë partie politike serbe ta ketë nënkryetarin e Kuvendit (foto 1). Në korrik 2022, Kuvendi i Kosovës aprovoi Rregulloren e re të Punës, e cila ia mundëson Listës Serbe ta ketë nënkryetarin e Kuvendit (foto 2)”, ka shkruar ai.

    Tutje, siç ka shkruar deputeti i AAK-së, “dihet kush e ka pasur shumicën në të dy periudhat”.

    “Se kush ka pasur shumicën në vitin 2010 e kush në vitin 2022 në Kuvendin e Kosovës tashmë dihet. Patriotizmi sezonal është veti e mashtruesve të lindur. Folni fshehtas, “zgërdhihuni” nëpër bufe me dreqin e të birin, bëni plane skutave, e në publik na shitni moral. Marrë ju qoftë!”, ka theksuar Haradinaj

     

  • DOKUMENT/ “Nuk mund të bllokohet shteti për një nënkryetar”, Presidenca publikon komentet e plota që Osmani i dërgoi në Kushtetuese

    DOKUMENT/ “Nuk mund të bllokohet shteti për një nënkryetar”, Presidenca publikon komentet e plota që Osmani i dërgoi në Kushtetuese

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pas vendosjes së masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, kanë dërguar komentet e tyre.

    Osmani tha se komentet e dorëzuara ka argumentuar se përderisa Kuvendi ka zgjedhur kryetarin dhe Kryesia ka kuorum, puna e këtij institucioni nuk mund të bllokohet.

    E para e shtetit në një konferencë për media tha se bllokimi i Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari të vetëm, përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyrë serioze funksionalitetin institucional, por edhe vlerat në të cilat është themeluar Republika e Kosovës.

    Tashmë Presidenca ka publikuar edhe komentet e plota të këtij institucioni dërguar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

    Në komentet e dorëzuara, Presidenca kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë që cilado parti politike apo komunitet të ketë të drejtën e vetos në procese jetike për shtetin, siç është konstituimi i organit më të lartë përfaqësues të tij.

    Aty argumentohet se duke ia dhënë një partie politike që përfaqëson një komunitet veton mbi funksionalizimin e Kuvendit, e rrjedhimisht edhe të Qeverisë, Presidencës, e gati çdo institucioni tjetër shtetëror që zgjedhet në Kuvend, Republika do të zhvleftësohej duke u shndërruar në një parim në letër, në vend se të jetë veprim i çdoditshëm në mbrojtje të sovranitetit e të interesave të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

    “Në bazë të asaj që u argumentua më lart, si dhe duke pasur parasysh natyrën përfundimtare të interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata ka para saj mundësinë për ta përcaktuar një standard tejet të rëndësishëm për rastin në fjalë dhe secilin proces të ardhshëm të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj, me respekt kërkoj nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë që cilado parti politike apo komunitet të ketë të drejtën e vetos në procese jetike për shtetin, siç është konstituimi i organit më të lartë përfaqësues të tij. Çdo përcaktim ndryshe, rrezikon që të legjitimojë bllokime procedurale të themelimit të institucioneve kyçe, në nivel të normës kushtetuese, juridikisht të detyrueshme. Vetoja mbi Republikën nuk ka qenë kurrë as qëllimi i themeluesve të shtetit e as i hartuesve të Kushtetutës. Duke ia dhënë një partie politike që përfaqëson një komunitet veton mbi funksionalizimin e Kuvendit, e rrjedhimisht edhe të Qeverisë, Presidencës, e gati çdo institucioni tjetër shtetëror që zgjedhet në Kuvend, Republika do të zhvleftësohej duke u shndërruar në një parim në letër, në vend se të jetë veprim i çdoditshëm në mbrojtje të sovranitetit e të interesave të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Është në duar të kësaj Gjykate, që ta mbrojë shtetin nga rreziku që po i kanoset. Vendimi në rastin konkret nuk ka të bëjë thjesht me një pozitë të një nënkryetari nga komuniteti serb, por lidhet me funksionalitetin e shtetit tonë si tërësi. Në marrjen e këtij vendimi, shpresoj se do të udhëhiqeni nga mbrojtja e interesit më të mirë të Republikës së Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe siç ju ngarkon betimi që keni dhënë ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në komentet e Osmanit të dërguara në Kushtetuese./ATVLIVE/