ATV

Author: ATV

  • FSK vizitë studimore në Shkollën e Oficerëve të Bundeswehr-it

    FSK vizitë studimore në Shkollën e Oficerëve të Bundeswehr-it

    Në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, delegacioni nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka realizuar një vizitë studimore në Shkollën e Oficerëve të Bundeswehr-it në Dresden të Gjermanisë.

    Delegacioni, i përbërë nga Kolonel Nevzad Asllani, Nënkolonel Bashkim Hamdiu dhe Kapiten Ylli Dalladaku, u prit nga stafi i shkollës, i cili prezantoi nga afër strukturën organizative, programin mësimor dhe infrastrukturën mbështetëse të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit ushtarak gjerman, njofton FSK.

    Në kuadër të vizitës, delegacioni u takua edhe me Komandantin e Shkollës së Oficerëve, Gjeneral Brigade Stephan Willer, i cili ofroi mbështetje të vazhdueshme për shkollimin dhe trajnimin e oficerëve të FSK-së.

    Me këtë rast ata takuan kadetët e FSK-së që po ndjekin shkollimin në këtë qendër, ndërsa programi i vizitës përfshiu edhe ndalesa në qendra kulturore dhe historike që lidhen me zhvillimin dhe historinë ushtarake të Bundeswehr-it.

    Sipas njoftimit kjo vizitë fuqizon bashkëpunimin ndërmjet dy shkollave të oficerëve dhe hap mundësi për identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit në fushën e shkollimeve ushtarake dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.

    “Përkushtimi ynë për zhvillim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm forcon lidhjet strategjike mes FSK-së dhe ushtrisë gjermane”, thuhet në njoftim.

  • Osmani për Dimal Bashën: Nuk e kam lexuar punimin, por vazhdimisht ma ka konfirmuar respektin e plotë për luftën e UÇK-së

    Osmani për Dimal Bashën: Nuk e kam lexuar punimin, por vazhdimisht ma ka konfirmuar respektin e plotë për luftën e UÇK-së

    Presidentja Osmani është pyetur rreth pamfletit ku është bashkëautor kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ku flitet zi e terr për luftën e UÇK-së.

    Osmani ka thënë se nuk e ka lexuar atë punim, megjithatë përgjigjen që duhet ta marrin është ajo e vetë Dimal Bashës.

    “Nuk e kam lexu ende, i kam dëgju shqetësimet dhe përgjigja që ai e ka dhënë është përgjigja që duhet ta merrni. Si presidente e vendit nuk kam mundësi të merrem me punimet të cilat politikanët e Kosovës i kanë bërë në kohën kur kanë qenë student.
    Si kryetar i Kuvendit, Basha vazhdimisht ma ka konfirmuar respektin e plotë dhe të madh për sakrificën e popullit që është bërë për liri dhe luftën e drejtë të UÇK-së”, tha Presidentja Osmani.

    Komentet në Kushtetuese, Osmani: Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti

     

  • Komentet në Kushtetuese, Osmani: Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti

    Komentet në Kushtetuese, Osmani: Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pas vendosjes së masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese lidhur me punën e Kuvendit, ka dërguar komentet e veta.

    Ka deklaruar se për një nënkryetar po synohet të bllokohet shteti.

    Ajo ka deklaruar se në komentet e dërguara kanë dokumentuar se funksionimi efektiv i institucioneve të vendit, është qenësor për ruajtjen e rendit kushtetues.

    Ka thënë se bllokimi i konstituimit për shkak të moszgjedhjes së një kryetari, do ta cenonte seriozisht themelet që është ndërtuar Republika.

    “Prandaj në kushtet ku bllokohet konstituimi i Kuvendit për një nënkryetar të vetëm përkundër faktit që Kryesia ka kuorum të mjaftueshëm dhe ka kryetar, dhe kur deputetët kanë kryer betimin, në ato momente pamundësohet përfaqësimi legjitim i qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues edhe ushtrimi i sovranitetit”, ka thënë ajo./ATVLIVE/

  • Ferit Idrizi fton kundërkandidatët për kafe para nisjes së fushatës në Vushtri

    Ferit Idrizi fton kundërkandidatët për kafe para nisjes së fushatës në Vushtri

    Një takim miqësor pritet të mbahet në Vushtrri para nisjes së fushatës zgjedhore, ku kryetari aktual, Ferit Idrizi, ka ftuar kundërkandidatët e tij për një kafe.

    Prof. Mensut Ademi, kandidat i AAK-së për kryetar të Vushtrrisë, ka pranuar me kënaqësi këtë ftesë, duke e vlerësuar lart iniciativën e Idrizit. Ai ka theksuar se mbi politikën qëndrojnë qytetaria, respekti dhe gara e ndershme – vlera që e veçojnë dhe kultivohen në Vushtrri.

    Sipas Ademit, fushatat kalojnë, por vlerat, respekti dhe mirëqenia e qytetarëve mbeten. Ai ka shtuar se ky është mesazhi që duan të përcjellin të gjithë kandidatët së bashku: zgjedhje paqësore, demokratike dhe me kulturë qytetare.

    Në 26-vjetorin e Policisë, Ferit Idrizi u ndan mirënjohje dy zyrtareve policore për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komunën
    Plani i Uran Ismailit për zgjidhjen e problemit me mbeturinat: 60 kamionë të rinj dhe 2 mijë e 100 kontejnerë…
    “Le të dëshmojmë se politika mund të bëhet me kulturë, respekt dhe bashkëpunim, sepse vetëm kështu ndërtojmë një Vushtrri më të mirë për të gjithë,” është shprehur Ademi./ATVLIVE/

  • Ndahet nga jeta Faik Hima, spikeri i parë i RTP-së

    Ndahet nga jeta Faik Hima, spikeri i parë i RTP-së

    Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare Prof. Dr. Sc. Faik Hima, njëri nga emrat e njohur të jetës akademike dhe mediale në Kosovë.
    Hima ishte spikeri i parë i Radio Televizionit të Prishtinës në vitin 1975, së bashku me bashkëshorten e tij, Vera (Gjevori) Hima. Përveçse figurë publike në hapësirën mediale, ai ishte edhe kardiolog dhe internist i dalluar, duke lënë pas një kontribut të çmuar në fushën e mjekësisë.
    Lajmin për ndarjen nga jeta të Faik Himës, e kanë bërë të ditur familjarët e tij. Në njoftim thuhet se mbledhja komemorative do të mbahet sot, më 9 shtator 2025, në orën 11:00 në Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet po sot në orën 14:00 në varrezat e qytetit.

  • Aksident i rëndë trafiku në rrugën Prishtinë–Pejë, kamioni i rrokullisur shihet në mes të rrugës

    Aksident i rëndë trafiku në rrugën Prishtinë–Pejë, kamioni i rrokullisur shihet në mes të rrugës

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, ku dyshohet se drejtuesi i një automjeti transportues (kamion) me targa vendore ka humbur drejtimin e mjetit, ka kaluar në anën e kundërt të rrugës dhe ka goditur katër automjete të tjera. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

    “Sot, rreth orës 14:35, në rrugën nacionale Prishtinë – Pejë, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku , ku dyshohet se drejtuesi i një automjeti transportues (kamion) me targa vendore ka humbur drejtimin e mjetit, ka kaluar në anën e kundërt të rrugës dhe ka goditur katër automjete të tjera”, ka thënë Hoxha.

    Si pasojë e këtij aksidenti, deri në këto momente raportohet se dy persona kanë pësuar lëndime të rënda dhe një tjetër ka marrë lëndime të lehta, të cilët janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

    Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që ne veqanti shoferët të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve, në mënyrë që të shmangen ngjarje të tilla të rënda që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve

  • Presidentja Osmani nesër dërgon komentet e saj në Kushtetuese: Askush s’ka të drejtë t’i bllokojë institucionet

    Presidentja Osmani nesër dërgon komentet e saj në Kushtetuese: Askush s’ka të drejtë t’i bllokojë institucionet

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit, proces ky po tejzgjatet.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazeta Sinjalin këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

    Kupina nuk dha detaje për përmbajtjen e komenteve, mirëpo tha se qëndrimi i presidentes është që askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet.

    “Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator. Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve.”
    Javën e kaluar, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ia ndaluar deputetëve të zgjedhur të ndërmarrin veprime. Gjithashtu ndaloi edhe zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re. Kjo masë u vendos në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

    Kryetari i ri i kuvendit, Dimal Basha në seancën 30 gushtit e kishte konsideruar të mbyllur seancën konstituive edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit serb. Kjo e kishte shtyrë Listën Serbe që t’i drejtohet Kushtetueses.

  • 37 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    37 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 15 aksidente me të lënduar dhe 22 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 1921 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 16 persona, prej të cilëve 9 ka dërguar në mbajtje.

  • Një i vdekur dhe tre të plagosur, në Shkodër, mes tyre një kameriere

    Një i vdekur dhe tre të plagosur, në Shkodër, mes tyre një kameriere

    Një atentat i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin e Shkodrës, ku si pasojë ka humbur jetën shtetasi Armando Pali dhe janë plagosur rëndë tre të tjerë.

    Sipas dëshmitarëve, katër persona po qëndronin në një lokal në qytet kur janë qëlluar me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar, transmeton klankosova.tv.

    Autori ka qenë me maskë në kokë dhe me veshje ngjyrë blu, derisa ka lëvizur në këmbë dhe pas atentatit është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.

    Një prej të plagosurve është identifikuar si Erogen Vaso, vëllai i Denis Brajoviçit.

    Ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Euronews.al, thotë se tre të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit rajonal të Shkodrës, ndërsa trupi i viktimës ndodhet ende në ambientet e lokalit ku ndodhi ngjarja.

    Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të sulmit.

  • Haradinaj i reagon Kurtit pas sulmeve ndaj Kushtetueses: Kur “hajni bërtet kapeni hajnin”

    Haradinaj i reagon Kurtit pas sulmeve ndaj Kushtetueses: Kur “hajni bërtet kapeni hajnin”

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas deklaratave të deputetit të VV-së, Albin Kurti, ndaj Gjykatës Kushtetuese.

    Në një postim në Facebook, Haradinaj e ka cilësuar “të dhimbshme” faktin që Kurti, i cili synon të marrë sërish mandatin, sulmon institucionin më të lartë të drejtësisë në vend.

    “E dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon aq egër e aq ulët. Ai nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai e partia e tij, por zgjedh të mashtrojë sikur fajin e paskan gjyqtarët e Kushtetueses.” – deklaroi Haradinaj.

    Ai ka theksuar se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur nga Kuvendi legjitim i Kosovës dhe jo nga “formacionet imagjinare” të Kurtit, duke shtuar se bllokimi i institucioneve dhe i vetë shtetit mban vetëm një emër: Albin Kurti.

    “Kjo ma kujton atë shprehjen popullore kur “hajni bërtet kapeni hajnin”! Ata gjyqtarë i ka zgjedhur Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës e jo formacionet imagjinare të tij!

    E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër e ky është Albin Kurti dhe kjo sot është e qartë për secilin, veç në mendjen e Albin Kurtit është e mjegullt!

    Prandaj institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, e ka kohën e fundit që në intepretimet e tij për shkelje të Kushtetutës, të mos mjaftohet vetëm me konstatimin e tyre, por t’i saktësojë edhe pasojat ligjore juridike, për secilin individ apo grup që i bën ato!

    Vetëm drejtësia e plotë është drejtësi!” – shkroi ai më tej.