Gjatë ditës së enjte parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat pritet të lëvizin nga 7-27°C.
“Moti me diell dhe vranësira te shpërndara.
Temperaturat minimale: 7-10°C.
Temperaturat maksimale: 24-27°C.
Era: nga verilindja, 1-5 m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Rainer Rudolph është emëruar ambasador i ri i Gjermanisë në Kosovë, ka konfirmuar për Radio Kosovën Ambasada Gjermane në Prishtinë.
Rudolph është një diplomat karriere me përvojë të gjerë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikat evropiane.
Aktualisht, Rudolph mban pozitën e Nënkryetarit të Konferencës së Sigurisë së Mynihut – detyrë që e ka marrë që nga viti 2023.
Para angazhimit të tij në Konferencën e Sigurisë, posti i fundit diplomatik që mbajti ishte ai i të Dërguarit dhe Zëvendës Shefit të Misionit në Ambasadën Gjermane në Vjenë, ku shërbeu deri në vitin 2023.
Në periudhën 2014–2019, Rudolph ishte shef i Divizionit në Kancelarinë Federale Gjermane, ku ishte përgjegjës për marrëdhëniet me vendet anëtare të BE-së, politikën e zgjerimit të Unionit dhe marrëdhëniet e jashtme të tij.
Më herët, ai ka shërbyer në poste të ndryshme në ambasadat gjermane në Varshavë (Poloni) dhe Uashington D.C. (SHBA), si dhe në Përfaqësinë e Përhershme të Gjermanisë pranë BE-së në Bruksel.
Rudolph njihet si një ekspert në politikën e jashtme të BE-së, përfshirë politikat e fqinjësisë dhe të zgjerimit. Ai është gjithashtu Anëtar i Asociuar (Associate Fellow) në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP) – një nga institutet më me ndikim për politikën e jashtme në Gjermani – ku ka kontribuar me analiza dhe publikime.
Britania e Madhe do ta njohë zyrtarisht një shtet palestinez këtë fundjavë, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili kundërshton vendimin, të jetë larguar nga vendi në fund të vizitës së tij shtetërore, raportoi gazeta Times.
Kryeministri Keir Starmer paralajmëroi në korrik se do të ndërmerrte veprimin nëse Izraeli nuk do të ndërmerrte hapa për të lehtësuar vuajtjet në Gaza dhe nuk do të arrinte një armëpushim në luftën e tij gati dyvjeçare me Hamasin.
Izraeli thotë se njohja e një shteti palestinez, të cilin Franca, Kanadaja dhe Australia kanë thënë gjithashtu se do ta bëjnë këtë muaj, do ta shpërblente Hamasin.
Times, pa cituar burimet e saj, tha se Britania do të bënte një njoftim pasi Trump të ketë përfunduar udhëtimin e tij të enjten.
Ministria e jashtme e Britanisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Në korrik, Trump, i cili aktualisht po realizon një vizitë të dytë shtetërore në Britani, tha se nuk e kishte problem nëse Britania do të bënte një veprim të tillë, por që atëherë SHBA-të e kanë bërë të qartë kundërshtimin e tyre ndaj çdo veprimi të tillë nga aleatët e tyre evropianë.
Starmer, i cili është nën presion nga disa anëtarë të Partisë së tij Laburiste për të mbajtur një qëndrim më të ashpër kundër Izraelit, kishte thënë se Britania do ta njihte shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme, nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa thelbësorë për të lehtësuar situatën në Gaza.
Britania e Madhe ka mbështetur prej kohësh politikën e një “zgjidhjeje me dy shtete” për t’i dhënë fund konfliktit në rajon, por më parë tha se kjo mund të vinte vetëm kur të vinte koha e duhur.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të angazhohet me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën mes dy vendeve.
Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Brendan Hanrahan, ku ka folur për rëndësinë e ruajtjes së aleancës Kosovë – SHBA dhe koordinimin.
“Aleanca e fortë me SHBA-në ka qenë gjithmonë në dobi të popullit tonë, të sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik. Si presidente e vendit tim do të angazhohem me administratën e presidentit Donald Trump për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën tonë të bazuar në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.
I had a phone call today with @StateEUR Senior Bureau Official Brendan Hanrahan, during which I focused on the importance of maintaining our strong alliance and ensuring close coordination with our key partner.
The strong alliance with the U.S. has always been to the benefit of…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 12 shtator e kanë pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për një kohë të pacaktuar. Në njoftimin e publikuar në Facebook, Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se vendimi është marrë pasi që veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
Në ditën e pestë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.
Dogana e Kosovës ka dal me njoftim për ndalimin e reperit Mozzik në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Në njoftim thuhet se janë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze, të cilat nuk ishin deklaruar nga një udhëtar gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër. Bëhet fjalë për një Richard Mille dhe një Rolex, me vlerë totale 1.340.027,50 euro.
Sipas njoftimit, “duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar.”
Dje u raportua se personi i dyshuar është reperi i njohur Mozzik.
Ai është intervistuar më 17 shtator nga autoritetet doganore dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy orët e luksit mbeten të ndaluara deri në një vendim të mëtejmë të Prokurorisë.
Poashtu bëhet e ditur se Mozzik ka shmangie tatimore mbi 5000 euro.
“Duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, në përputhje me kompetencat që dalin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar”.
Një ish-infermiere nga Florida është dënuar me dy vite burg, pasi u shpall fajtore për abuzim seksual ndaj djalit 15-vjeçar të bashkëshortit të saj.
Alexis Von Yates, 35 vjeçe, u paraqit më 16 shtator 2025 para Gjykatës së Qarkut Marion, ku gjyqtari Timothy McCourt dha vendimin përfundimtar. Përveç 24 muajve burg, ajo do të qëndrojë edhe dy vite nën mbikëqyrje komunitare dhe dhjetë vite në lirim me kusht, e regjistruar si shkelëse e veprave seksuale.
Vendimi erdhi pas një marrëveshjeje të pranimit të fajësisë, e cila uli akuzën nga “dhunë seksuale nga person me autoritet familjar” në “abuzim të turpshëm ndaj një fëmije 12–16 vjeç”.
Ngjarja ndodhi më 26 korrik 2024, kur bashkëshorti i saj e kapi në flagrancë duke kryer marrëdhënie me djalin adoleshent në shtëpi. Më vonë, djali rrëfeu se ngacmimet dhe marrëdhëniet kishin ndodhur edhe më parë. Von Yates u arrestua në nëntor 2024, ndërsa menjëherë pas kësaj humbi edhe licencën e infermierisë.
Nëna e djalit e quajti të pandehurën një “pedofile incestuozë”, duke thënë se ajo kishte shkatërruar besimin dhe jetën e një fëmije që duhej të mbrohej. Djali, sot 16 vjeç, raportohet se nuk ka mbajtur më kontakte me të atin që prej incidentit.
Sipas urdhrit të gjykatës, Von Yates nuk do të ketë asnjë kontakt me viktimën, duhet të kryejë 200 orë shërbim komunitar dhe të paguajë gjoba e shpenzime gjyqësore.
Nëse do të dënohej sipas akuzës fillestare – dhunë seksuale, një krim i shkallës së parë në Florida – ajo do të rrezikonte burgim të përjetshëm dhe një gjobë deri në 10 mijë dollarë.
Tre persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident mes tetë automjeteve të ndodhur në rrugën Zhur-Prizren, në drejtim të pikëkalimit kufitar të Vërmicës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ai ka bërë të ditur se rruga është e bllokuar përkohësisht.
Ndërsa apelohet të përdoren rrugë të tjera alternative.
“Apelojmë tek të gjithë shoferët, qe gjatë vozitjes të respektojnë rregullat e trafikut, të zvogëlojnë shpejtësinë, dhe të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e tyre dhe të tjerëve.
Pas raportimeve shtese nga kompetentet do te njoftoheni per informacione tjera”, tha Hoxha.
Sipas mediave në Shqipëri, ngjarja ka ndodhur rreth 4 kilometra pas daljes nga kufiri i përbashkët Shqipëri–Kosovë.
Deri te aksidenti, sipas A2CNN, erdhi pas përplasjes së një automjeti të vogël me targa të Shqipërisë, me një kamionçinë tip “Iveco” me targa të Kosovës. Goditja fillestare ka shkaktuar përplasjen zinxhirore edhe të katër mjeteve të tjera që po lëviznin në drejtim të Prizrenit.
Në Japoni, mjekët po i drejtohen natyrës si formë trajtimi. Pacientëve u rekomandohet ndonjëherë të kalojnë kohë në pyll, një praktikë e njohur si “banjë pylli” (forest bathing).
Kërkimet tregojnë se kjo qasje mund të ulë nivelin e stresit, të përmirësojë humorin dhe madje të forcojë sistemin imunitar.
Kjo metodë na kujton se shërimi nuk vjen gjithmonë në formën e një pilulë — ai mund të gjendet në qetësinë e fëshfërimës së gjetheve dhe në ajrin e pastër që na rrethon.
Herën tjetër kur të ndiheni të lodhur apo të stresuar, dilni jashtë dhe lëreni natyrën të bëjë punën e saj. Trupi dhe mendja juaj do t’ju jenë mirënjohës.
Paneli Zgjedhor per Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në lidhje me deklaratat e kandidatit për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ndaj kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri.
Në vendimin e PZAP-së, shkruan se PDK-ja ishte ankuar se më datë 14.09.2025, në emsionin “Context” në ATV, kandidati i LVV-së, Faton Peci ka përdorur gjuhë tërësisht fyese ndaj kandidatit Arian Tahiri, duke e përdorur fjalën “Eh more qen”.
Mirëpo, sipas PZAP-së, një gjë e tillë nuk ka mundur të vërtetohet nga ana e tyre, dhe se në bazë të materialit procedural dhe shkresave të lëndës, “Paneli vlerësoi se nuk ka mundur në asnjë mënyrë të dëshifrohet shprehja e pretenduar nga ana e palës ankuese.”
PDK-ja kishte pretenduar se gjatë kohës që kandidati Tahiri po fliste në debat, kundërkandidati i tij Faton Peci i drejtohej atij me fjalët “Eh more qen”, e cila deklaratë sipas PDK-së, është një shprehje tërësisht fyese dhe denigruese.
Mirëpo, sipas PZAP-së, në një përgjigje në ankesë të paraqitur nga Vetëvendosje, theksohet se nga shqyrtimi i video-incizimit, dëgjohet se Faton Peci ka përdorur fjalën “çun” e jo “qen”.
“Se bëhet fjalë për fjalën “çun” dëshmon edhe fakti se nuk pati reagim as nga ana e moderatorit e as nga ana e kandidatit të PDK-së. Pretendimi i palës ankuese se është përdorur fjala “qen” bie ndesh me provat faktike”- shkruan në arsyetimin e vendimit.
Zgjedhjet Lokale në Kosovë do të mbahen më 12.10.2025. Fushata zgjedhore ka nisur më 13.09.2025.
Kandidatët për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut janë: Faton Peci nga LVV, Arian Tahiri nga PDK, Qazim Nimani nga AAK dhe Gëzim Plakolli nga LDK. Në mandatin e fundit, Tahiri ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut ndërsa Faton Peci ka qenë Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në garë për nivelin lokal janë 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të gjitha të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).